Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të kolonel Sami Koka me origjinë nga Delvina, pinjoll i një prej familjeve feudale më të pasura si pronare tokash në të gjithë Shqipërinë, për të cilën kanë shkruar edhe shumë studiues të huaj, si: Hughes, “Voyage a Janina”, Remerand, “Ali de Tepelena”, Leake, “Travels”, Pouqueville, “Historie de la regeneration de la Grece” etj., dhe në arkivat turke, gjenden edhe sot dokumentet ku bëhet e ditur se në fundin e shekullit të kaluar, pjesëtarë të kësaj familje, si: Abdyl Bej Koka e Selim Bej Koka, ishin krerët kryesorë të kryengritjeve në Shqipërinë e Jugut, kundër Turqisë. Shkollimi i Samiut në Janinë dhe më pas në Kolegjin Ushtarak të Vjenës, të cilin e përfundoi në vitin 1916, duke u titulluar ‘Oficer i Perandorisë Austro-Hungareze” dhe u dekorua dy herë me “Kryqin e Bronxtë” të Perandorit Franc Jozef. Karriera ushtarake e Sami Kokës gjatë periudhës së Monarkisë, pasi ai u diplomua në Institutin e Lartë të Luftës në Torino, (i’u akorduan titujt e fisnikërisë “Kavaljer” dhe “Komendator i Savojës”), duke shërbyer si Komandant i Rojës së Kufirit dhe më pas si zv / Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, që e kryesonte gjenerali me origjinë kroate-austriake, Gustav Myrdash. Kujtimet e panjohura të ish-kolonelit të Zogut, që ai i shkroi fshehtas gjatë kohës që vuante dënimin me 30 vjet në Burgun e Burrelit, lidhur me ngjarjet e fillimit të prillit të ’39-ës, kur kur Italia fashiste e Benito Musolinit, kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë dhe Mbreti Zog e thirri atë në shtëpinë e xhaxhait të tij, (Princ Xhelalit), pasi fillimisht e falenderoi, duke e cilësuar si një nga oficerët më besnikë të Mbretërisë, e ngarkoi me një mision shumë të rëndësishëm, nga i cili do vareshin fatet e Shqipërisë…!
Lidhur me këto ngjarje të ndodhura vite më parë në prillin e ’39-ës, me të gjitha prapaskenat dhe anët e panjohura të saj, si dhe historinë e jetës e karrierës ushtarake të kolonel Sami Kokës, do njihemi në këtë shkrim, të cilin e kemi përgatitur në bazë të dëshmive të familjarëve të tij, si dhe kujtimet që ish-ushtaraku i lartë Zogut pati shkruar kur vuante dënimin me 30 vite në Burgun e Burrelit, të cilat nipi i tij, z. Asim Koka, na i vuri në dispozicion për t’i publikuar ekskluzivisht në Memorie.al
Kujtimet e kolonel Sami Kokës për 7 prillin e ’39-ës
Gjatë periudhës që ish-koloneli Sami Koka vuante dënimin me 30 vjet në Burgun e Burrelit, (ku tentoi dy herë vetëvrasjen) ai mundi që të shkruante fshehurazi kujtimet e tij dhe t’i nxirrte ato nga burgu me anë të familjarëve që i vinin në takim. Një pjesë të atyre kujtimeve, ato që kanë të bëjnë me ngjarjet e prillit të ’39-ës kur Italia fashiste e Benito Musolinit kreu agresionin ushtarak duke pushtuar Shqipërinë dhe Mbreti Zog e thirri atë në shtëpinë e xhaxhait të tij (Princ Xhelalit), për t’i besuar një mision tepër sekret, duke i thënë se: “nga realizimi i tij, do të vareshin fatet e kombit”, po i publikojmë në këtë pjesë të shkrimit, pa asnjë ndryshim.
“I bindur në vendosmërinë e Mbretit, shkova menjëherë në Komandën time dhe dhashë urdhrat urgjente të duhura për përgatitje për luftë, duke përfshirë repartet e bregdetit dhe ato të kufirit tokësor. Ministri i Luftës, Xhemal Araniti, nuk më lejoi që të mobilizoja rekrutë të rinj, qoftë dhe provizorisht, prandaj organizova ato forca që ishin. Një natë më parë, pasditen e 3 prillit, të gjithë organizatorët ushtarakë italianë që shërbenin në ushtrinë shqiptare, kishin ikur duke u rimbarkuar në Durrës dhe prej aty në Itali. Disa ditë më pare, ndihmës atasheu ushtarak Italian, nënkolonel i Rojës së Kufirit, së bashku me kolonel Aqif Përmetin, na kishte ftuar për darkë në shtëpinë e tij. Unë nuk vajta në atë darkë se e dija se çfarë do të diskutohej aty. Kur shkova të nesërmen në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, aty gjeta një konfuzion të pa shembullt. Përveç gjeneral Aranitit, gjeneral Myrdashit dhe adjutantit të tij Spiro Zheit, të gjithë të tjerët kishin ikur dhe mungonin. I nervozuar nga kjo gjendje që nuk e prisja, i hyra në zyrë Xhemalit, ku gjeta nënkolonel Bilal Nivicën dhe Ali Riza Topallin, që i kishte thirrur Xhemali, i cili i’u dha urdhra që të shkonin në Vlorë, si komandantë të atjeshëm. Pasi u larguan ata, i thashë Xhemalit: “Ç’është i gjithë ky konfuzion? A do të luftojmë për të plotësuar detyrën karshi atdheut me një ushtri të rregullt, apo do të talleni? Mos kujtoni se keni të bëni me operacione si me ato kundër Et’hem Totos? Sido që të jetë situate duhet punuar dhe vepruar si një komandë e rregullt dhe unike për të drejtuar operacionin dhe jo kështu të marra si lodra fëmijësh”. Në përgjigje ministri më pyeti se çfarë mendoja unë. Unë aty për aty, i’u përgjigja se: në radhë të pare, duhet thirrur i gjithë personeli urgjent, kudo që të jetë, për të ardhur në krye të situatës dhe të krijohet urgjent Zyra e Operacioneve, (që nuk ekzistonte deri atëherë) dhe kjo të merrej me nevojat e luftës. Xhemali menjëherë pranoi propozimet e mia dhe më ngarkoi mua që të bëja çfarë unë të shihja të arsyeshme. Pas dola nga gjenerali, fillova menjëherë nga puna, duke hapur zyrën e nënkryetarit të Shtatmadhorisë, që ishte italian dhe kishte ikur bashkë me të tjerët, duke mbyllur zyrën dhe marrë çelësat me vete, i sigurt që do të kthehej prapë. Thirra oficerin e rojës dhe e urdhërova që të thërriste të gjithë personelin e Komandës, që sipas mendimit tim, do të ishte në gjendje për të kryer detyrat ushtarake të luftës, gjë që Xhemali e pranoi menjëherë pa hezitim dhe menjëherë tha që të zbatohej. Lista që kisha bërë për të drejtuar operacionet e luftës, përbëhej nga disa oficerë me Akademi Ushtarake të mbaruara dhe të devotshëm për situatën në të cilën paraqitej për atdheun. Kur mbarova të gjitha përgatitjet, kërkova që të takohesha vetëm për vetëm me Mbretin, pa praninë e askujt. Kur u ktheva pasdite në Komandë, për të kontrolluar zbatimin e urdhrave që kisha dhënë, Xhemali (ministri i Luftës) më tha që isha caktuar me Rrok Gerën ministrin e Ekonomisë, që të takoheshim me Guzzonin dhe të shihnim se çfarë synimesh kishte Italia, apo se mos kjo gjë ishte presion i saj, si ai i 1936-ës, kur kërkonte koncesione të tjera.
Takimi i parë me gjeneral Guzzonin?
Takimi me Guzzonin ishte i pafryt, dhe aty u binda që Italia, kishte vendosur përfundimisht pushtimin e vendit tonë. Pra edhe lufta me ta, paçka se ishte një fuqi e madhe, ishte e paevitueshme. Kërkesat e tij ja raportuam Mbretit Zog. Unë në Komandë, prisja urdhrin e tij për fillimin e operacionit të luftës në mbrojtje, për të mos i lënë italianët që të shkelnin në tokën shqiptare, për aq sa do rezistonim. Pa kaluar disa orë, më njoftuan se më kërkonte Mbreti urgjent, për një detyrë të re. E kërkova në Pallat por atje nuk ishte, e kërkova tek shtëpia e Koço Kotës, por edhe atje nuk ishte, sepse nuk kishte lënë adresë të saktë. E justifikoja situatën e tij se opozitarët, kishin ngritur krye gjithandej dhe, “se pranonin djallin në tavolinë”! Kota më tregoi më vonë, se Mbreti kishte shkuar tek shtëpia e vëllait të tij, Xhelalit, që e thërrisnin Princ.
Përse më kërkonte Mbreti Zog?
Në dhomën e ndenjes poshtë takova Mbretin. Ai ishte në këmbë dhe i veshur civil, ndërsa unë, fillova që t’i paraqitesha ushtarakisht, ai nuk më la dhe më tha: “Sami, ulu pa teklif, se kam një detyrë të rëndë dhe me përgjegjësi që do ta kryesh ti dhe askush tjetër. Të zgjodha ty, se ti je besniku i Mbretërisë” përfundoi fjalët e para Zogu. “Tani e di më mirë se kurrë, se kam provuar këdo që për vite të tana, u kam hyrë në hak, por që nuk ka qenë faji im”. Mbreti, mesa kuptova, e kishte fjalën për dallkaukët e njerëzit servilë që i mbante afër dhe që nuk linin gjë pa trilluar për njerëzit e aftë. Aty menjëherë m’u kujtua djali i tezes sime, Faik Konica, kur vizitoi njëherë Shqipërinë, dhe pas takimit me deputetët e parlamentit, i tha Zogut: “Shqipëria, paska ndryshuar, por ama hajdutët paskan pllakosur qeverinë dhe Parlamentin”. Zogu, në të vërtetë, e njihte mirë situatën dhe mentalitetin e shqiptarëve, por nuk kishte se çfarë të bënte. Prandaj vinte Nebil Çikën që të kritikonte qeveritarët në shtyp dhe Sotir Martinin, për të bërë shaka në telefon. Ata të dy, ishin “dora” e Mbretit. Në shtëpinë e Xhelalit, Mbreti ishte i shqetësuar si asnjëherë, por bënte gajret me zor. Unë u ula sikur më tha, por ai vetë ecte nëpër dhomë.
Zogu: Sami takohu përsëri me Guzzonin!
“Duhet të takohesh edhe njëherë me Guzzonin, por kësaj radhe ke për të qenë vetëm. Urdhërova që të vinte me ty dhe Eqerem Bej Libohova, ministri i Jashtëm, por, ai ka të ngjarë të jetë në Legatën Italiane me të tjerët. Mbi ty dhe besnikërinë tënde, është gjithë Shqipëria. Zoti të ndihmoftë”, më tha ai, duke më shtrënguar dorën dhe më kujtoj se lejen e kalimit e kishte firmosur Xhemali (Aranitasi). ‘Madhëri këtë ke ruajtur për mua?! Kjo qenka një detyrë shumë e rëndë, aq më tepër që jam vetëm por i druhem ndonjë kurthi të italianëve’. “Sami’, më tha mbreti, ‘këtë detyrë ta ngarkon atdheu, Zoti të ndihmoftë”, më thotë dhe më rrok dorën, për të dytën herë. Dola jashtë me urgjencë dhe me ato pak makina amerikane që dispononim, vajta në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare dhe caktova përforcime në Qafë-Kërrabë, dhe nisa në Shijak, një djalë të ri korçar, që ishte toger në Akademi dhe që komandonte një bateri artilerie. Lëvizjet e trupave i bëja të plota, sepse kisha leje nga Xhemali, si ministër i Mbrojtjes që ishte, po kështu kisha leje dhe nga Mbreti. Që andej vajta në shtëpi dhe pasi takova njerëzit e mi, mora një revolver dhe e fsheha në uniformë. Pa peripeci mbërrita në Durrës. Nga porti dukeshin në det të hapur, kryqëzorët italianë dhe benzinatat që venin e vinin në det. Kërkova komandantin e njësitit, por më thanë që kishte shkuar për inspektim tek Shkëmbi i Kavajës. Kështu që ngarkova me detyrë nënoficerin Mujo Ulqinaku, që u vra në detyrë së bashku me disa ushtarë të tjerë. Në tentativat e para të italianëve për të shkelur tokën tonë, pati të vrarë nga të dyja palët. Italianët me anën e Kryqit të Kuq, tërhiqnin të vrarët e të plagosurit për në anije. Po atë gjë bëmë dhe ne për veten tonë, por me mjete primitive dhe me zemër më të madhe. Me radio, njoftova ardhjen time në breg, si i plotë fuqishëm i Mbretit dhe Mbretërisë. Pas një gjysëm ore, erdhi aty benzinata me flamur të bardhë, dhe tre oficerë të Marinës Mbretërore Italiane. Pas prezantimit dhe shkëmbimit të dokumentacionit, unë së bashku me ta, u nisa drejt kryqëzorit ku ishte gjeneral Guzzoni, së bashku me shtabin e tij. U ngjita në anije nga shkallët dhe Guzzoni po qëndronte aty dhe pas tij, të gjithë këshilltarët ushtarakë që unë i njihja pasi kishin qenë tek ne. Ata flisnin ndërmjet tyre dhe qeshnin. Më ngushtë nuk e kisha ndjerë veten ndonjëherë. I shihja dhe unë, po ç’ti bëja Zogut, që i kishte mbajtur si këshilltarë, duke u besuar dallkaukëve që e rrethonin. Pa hyrë akoma në bisedime, Guzzoni pa ushtarët e tij të vrarë që po mbingarkoheshin në anije dhe i nervozuar në kulm, më shfryn, “Këta duan sadisfaksion zoti kolonel”. Ndërkohë unë i’u përgjigja menjëherë, duke i thënë: ‘Në Institutin e Lartë të Luftës, që ju e dini zoti gjeneral, pedagogët italianë na mësonin që sadisfaksioni është reciprok. Pra dhe ata në breg duan sadisfaksion’. Oficerët që ishin pas Guzzonit qeshën, ndërsa ai u nevrikos dhe nuk e di si nuk më vrau. Dhe kështu ai në këmbë, filloi që të më diktonte kërkesat në emër të Musolinit. Sipas tij, Italia kërkonte atë që u bë më vonë, pra bashkimin e Shqipërisë me të, dhe që Zogu të qëndronte në krye përkohësisht, si Sulltani i Marokut. Ata kërkonin që Zogun ta zinin në befasi në Tiranë dhe ta detyronin që të nënshtrohej. Për një gjë të tillë, ata më bënë elozhe dhe më propozuan që të mos kthehesha dhe do të më jepnin 50.000 franga ar, shto këtu dhe gradën e gjeneralit. Ata më thanë që të zgjidhja ku të doja, për të banuar në Itali. Guzzoni, doli hapur në bisedime dhe ekzistonte mundësia që ata të më mbanin peng. Atëherë, m’u desh që të përdorja dredhinë me ta, sa të largohesha nga Kryqëzori i tyre.
Si u largova nga Kryqëzori Italian, ku mund të më mbanin peng?!
“Kjo gjë që më propozoni gjeneral, është jashtë kompetencave të mija edhe pse jam i Plotfuqishmi i Mbretit këtu me ju. Megjithatë, unë do t’ja referoj Mbretit dhe do ju jap përgjigje me radio, ose kur të kthehem vetë, se fëmijëve të mi në Tiranë mund t’ju ndodhë ndonjë gjë. “Atëherë, merr me vete radistin tonë dhe dy oficerë shoqërimi, që të më transmetosh përgjigjen”, më thotë Guzzoni. ‘S’është nevoja, mjafton që të më jepni kodin dhe valët tuaja, pasi radio-transmetuese kam vetë. Dhe nëse njerëzit tuaj vijnë me mua, nuk mund t’i siguroj jetën nga populli i revoltuar’. “Dakord me përgjigjet’, tha Guzzoni ‘dhe njerëzit e mi do ju shoqërojnë”. Pasi zbritëm në breg, hipëm në makinën time dhe u nisëm për në Tiranë, me një flamur të bardhë. Duke u ngjitur në Shkozet, na dalin përpara disa zbulues italianë të tmerruar dhe fillojnë që të flasin me kolonelin e tyre që ishte në makinë me mua. Ai mori dylbitë dhe doli në një vend të lartë që të vrojtonte. Njëri nga zbuluesit, m’u drejtua mua: “Po na sulmoni në befasi edhe pse jemi në armëpushim, trupat tuaja po vijnë drejt Durrësit”. Zëri i tij po dridhej dhe unë nuk e kuptoja ç’po ndodhte! Mos vallë kur kisha qenë në anije kishte ndodhur mobilizimi i përgjithshëm?! Edhe unë mora dylbitë por nuk shihja gjë, veçse disa fshatarëve me dele. Koloneli italian zuri të shfrynte dhe goditi me shkelm zbuluesin që ishte një toger i ri. Atëherë u shkëputa prej tyre dhe i thashë: ‘Kthehuni mbrapsht, se nuk dihet se ç’mund të ngjasë’?! Guzzoni ishte i sigurt, që nëse Zogu, do t’i pranonte kërkesat e italianëve, prapë se prapë firma ime tek ai, do vlente pothuajse njëlloj. Italianët gabonin kur kujtonin se oficerët shqiptarë, ishin si ata të klikës, që po i merrnin frymën Mbretit Zog. Pas Shkozetit, mbërrita në Shijak, ku takova djalin e ri që kishte për detyrë të mbronte së bashku me ‘Baterinë fushore’, ku e kisha caktuar me firmën e Xhemal Aranitasit. Më vjen keq që emri i tij nuk më kujtohet. Ai më tregoi instalimet e topave dhe pikat ku do bëheshin goditjet e para, kur të vinin italianët. Dhashë urdhër me shkrim, që urën ta hidhte në erë me dinamit dhe ashtu veproi. Në Tiranë u përballa me revoltat e nxënësve të shkollave. Ndërsa të tjerët, mezi ç’prisnin të thërrisnin: “Duçe, Çiano”, siç bënë një ditë më vonë me Xhaferr Ypin! Pa u kthyer në shtëpi, kërkova Mbretin që ishte tek shtëpia e xhaxhait. I raportova ç’kisha biseduar me Guzzonin dhe prisja urdhër nga Zogu që të hapnim frontin. Por Mbreti, ndërroi mëndje. Në të vërtetë, kishte disa vjet që atij i kishin ardhur në majë të hundës zullumet e atyre që e rrethonin, por nuk kishte çti bënte se me ata mbahej. Zogu, nga kjo gjendje, kishte filluar të pinte. Martesa, gruaja, dhe djali, i bënë një ndryshim të madh në jetën e tij. Po kështu tradhtitë nga njerëzit e italianëve në Shkodër dhe Mirditë, po i linin një ‘shpinë’ komplet të zbuluar. Kërcënimi i Mbretit të Serbisë si mik i italianëve, krijonin një front ushtarak krejt të papërballueshëm. Aprovimi që Anglia dhe Franca i dhanë Duçes për pushtimin e Shqipërisë, bënë që Zogu të thoshte se: “S’mund të luftojmë” dhe të iknim drejt Greqisë, që ato ditë kishte hapur kufirin për ne”. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016