Nga Sheuqet Kraja
Pjesa e dytë
Memorie.al/Kaluan afër pesëdhjetë vjet kur ne…. të lidhur vargan, u gjetëm në njërën nga paradhomat e Burgut të Madh, ku i’u nënshtruam një kontrolli sa të egër, aq fyes. Një grumbull policësh harlisur shqyen e shqepën edhe ato pak rrobe që lejonte rregullorja e qelive të hetuesisë. Nëpërmjet një deriçke na përplasën në oborrin e brendshëm të burgut. Secili prej nesh përfundoi në dhomën e paracaktuar. Nuk kuptova pse më takoi dhoma nr.4 e ndarë për trajtim të veçantë. Ndofta se këtu do të njihesha me mësuesin-kujdestar, që më priste në pragun e një dere të rëndë hekuri. Dukej se kisha nevojë më shumë nga të tjerët për ngrohtësinë e çiltërsinë e asaj zemre, e cila më rriti me përgjegjësinë e prindit të vërtetë. Një shtrirje e ngrohtë dore, shoqëruar me një shprehje fytyre të veçantë inkurajuese, më njohën me mësuesin jetësisht të nderuar, z. Sheuqet Muka. Pas pak ditësh u binda se nuk isha unë i privilegjuari, veç po, isha më i vogli. Dhjetëra të tjerë nxënës të moshave të ndryshme mësoheshin prej tij. Përshtypja e natës së parë nuk më zhgënjeu.
Mësuesi im ish i përplot në përgatitjen intelektuale -profesionale, e shquhej për aq vlera morale, shoqërore e fetare, sa me të drejtë e nderonin të gjithë. Ndofta kjo ish dhe arsyeja e ndajshtimit të dhënë: “efendi”. Ndonëse kalova një kohë të gjatë me Mësuesin tim, e kam të vështirë, shumë të vështirë
të vë në pah të veçantën, me çka ngadhënjeu disa herë ky luftëtar në fushat e përpjekjeve e të përleshjeve më rrëqethëse që pau me dhimbje historia jonë kombëtare. Për vite të tëra, përballë, pranë e pas tij nuk arrita të zbuloj heroikën, që e bëri të fitojë respektin e vend nderin krah burrave më të rrallë të
shqiptarisë. Unë po, në çdo çast ndjeva frymëmarrjen e të virtytshmes në çdo veprim, butësinë e dritës qiellore në mendim ëmbëlsinë e fjalës gjithherë në shërbim të zemrave të vrara. Preka, jetova tërësinë e cilësive morale, shoqërore, fetare, të cilat mishëronin shpirtmadhësinë e këtij misionari të rrallë, të përkundur e të rritur me normat e besimit islam. I edukuar me vendosmërinë e shtrirjes e të forcimit të marrëdhënieve të barabarta në mbarë vëllazërinë shqiptare ngado të shkapërderdhur, nuk njihte asnjë kufi të imponuar, ndarës, të krijuar për shkaqe të stisura nga të huajt. Në këtë drejtim ai thotë: “…nëse jemi bijtë e shqipes, krahët e saj…le të fluturojmë gjithë së bashku. Të jetojmë vëllezërish në
hapësirën tonë shqiptare.”
Ky materializëm i thjeshtë rreth të përbashkëtës Kombëtare i të drejtës së Vëllazërisë shqiptare, i përpunuar bashkërisht me grupin e kolegëve mësimdhënës, u kthye shumë shpejt në një vlerë të fuqishme shoqërore, e cila nxiti besimin e mirëkuptimin në mes të dënuarve, shartoi shpresa të sigurta për të ardhmen e përbashkët. Fryma e vëllazërimit, e unitetit kombëtar, e përgatitur me aq kujdes në burgun e Shkodrës, mori përpjesa të gjera. Rrezatoi fuqishëm sferën shpirtërore të të burgosurve, duke u ngjallur ndjenjat e afrimit e të vëllazërimit krahinor, fetar e shoqëror. ‘Kulla e Madhe e ngujimit’, caktuar për varrosjen e mendimit të lirë demokratik shqiptar, u gjallërua. Fitoi frymëmarrje të re nga idetë e mëdhatë bashkimit, të kultivuara nga kjo shkollë e krijuarme guximin e forcën këmbëngulëse të vullnetit të z.Sheuqet Muka, e përkrahur fuqimisht nga grupi intelektualëve kompetentë në disa lloje shkencash.
Me këtë bashkim forcash profesionale – intelektuale, kish ndërtuar llojin e shkollës së parë të lirë me tipare e përmbajtje të veçantë nga ajo bashkëkohorja shtetërore. Si e këtillë, në këtë shkollë tashmë të njohur, ‘Shkolla e burgut’, do të gjejmë elementët teorikë e metodikë më të zgjedhurit për efikasitet, mendimet e praktikat më të njohura të pedagogjisë botërore, të shkrira me kushtet e përvojën e gjerë profesionale të këtij mësuesi, edukatori e organizatori të njohur në arsimin shqiptar. Mbi këtë hapësirë njohjeje, e përgatitjeje shkencore profesionale, kish ndërtuar dy-tre variante plan-programesh edukative mësimore, me të drejtë diskutimi e aprovimi nga grupi i mësimdhënësve, provë që dëshmon aftësitë e tij krijuese në këtë fushë. Ai e shprehte hapur se pikësynimi i shkollës sonë duhet të jetë: Ngjallja e dashurisë dhe e vlerësimit të moralshmes shoqërore e fetare, si dhe përvetësimi praktik I teorisë shkencore të mirëfilltë.
Nga kjo punë intensive ju mund ta përfytyroni në një moshë relativisht të re, të ulur në kabinetin e punës, përballë një biblioteke të zgjedhur…! Jo, gaboheni. Mësuesi ynë ish i thyer në moshë, me plagë të thella, të pashëruara, të mbetura nga torturat çnjerëzore me hanxhar e kripë. Punonte ulur në jetak të gjerë 35-38 cm. E, kur i mungonte ndonjë e dhënë, e gjente te kolegët e vet. Këta nuk ishin libra, ishin vetë libra, ndaj dhe i kishin mbyllur në këtë kullë. Ndërsa për kabinet pune i kishin caktuar dhomën nr.4, me një mbingarkesë të përhershme mbi 170 vetash, duke i shtuar kësaj gjendjeje enët e jashtëqitjes të tërë këtyre burrave, erën mbytëse të trupave të palarë që nga dënimi, parazitët e çdo lloji: të çimkave, mizave, morrave, minjve, pleshtave e një koleksion insektesh krimba që shtoheshin nga nevojtorja e pistë e burgut.
Gjithë kjo do të ish disi e pranuar, sikur në çdo çast të mos ndiqte hija e tmerrit, e pasigurisë për shpërthimet e papërgjegjshme të njerëzve të komandës, të cilët në çdo çast ishin të plotfuqishëm për të zbatuar luftën kundër “armiqve të popullit”. Në këtë ambient e afërsisht në këto kushte, burrat e nderuar si z. Sheuqet Muka, nuk harruan detyrën, sa ndaj bashkëvuajtësve vëllezër, aq dhe ndaj atdheut të robëruar. As masat represive, as dënimi me burgim të përjetshëm nuk e kishin dobësuar vullnetin e tij në organizimin e zhvillimin e mëtejmë të aftësive profesionale. Ai çdo ditë thellonte punën kërkimore shkencore për ndërtimin e formave e metodave mësimore në përcaktimin shkencor të të mësuarit e rolit të edukimit në formimin e fizionomisë së individit e më gjerë. Duke vlerësuar e vështruar me theks kritik pikëpamjet më autoritative që pasurojnë këtë disiplinë, ai zgjodhi më të frytshmen pozitive dhe me fuqinë e një eruditi shqiptar u përpoq të sjellë të renë teorike e praktike në pedagogjinë shqiptare.
I këtillë, në këto bindje, ai argumentonte para kolegëve e me bindje theksonte se procesi i të mësuarit është një kompleks i pandarë nga elementët e edukatës morale, fetare, e qytetare. Mungesa e cilitdo komponent përbërës a mos vlerësimi i ndonjërit, sjell dështimin e punës sonë. Kështu do të rritim një pemë të egër, pa fruta. Le të mendojmë një kopsht të tillë…, po medet, të tërë Shqipërinë! Duke i vlerësuar parësorë në funksion, ai kultivonte në etapat e çdo ore mësimi, të çdo niveli. E vërtetë, kjo kërkesë e theksuar, e qëllimtë që zotëronte procesin mësimor, arriti shpejt të krijojë të përbashkëtën e fizionomisë së nxënësve të kësaj shkolle. Kudo të ndodhur, edhe në rrethanat më të vështira ata u dalluan në çdo veprim. Të edukuar me të moralshmen, me ndjenjën e përgjegjësisë së fjalës e të veprimit, të vëllazërimit, të mirëkuptimit shoqëror e fetar, ata shumë shpejt fitonin dashurinë e respektin e të tjerëve.
Kjo veçori që me të drejtë nderoi djelmëninë shkodrane në kampe pune, burgje, në ri dënime etj., ish fryt i punës edukative mësimore të drejtuar nga mësuesi i palodhur, z. Sheuqet Muka. Me gjithë këto arritje drejtuesi e trupi mësimor, synonin në thellimin e mëtejmë të karakterit popullor e qëllimit shkencor të shkollës. Ata përpunuan mendimin për shtrirjen e kësaj veprimtarie te cilido i burgosur, fillimisht në dhomën nr.4. Mësuesi ynë shkruan: “Çdo jetak një bankë mësimi”, ku thjesht jepte vlerat e nevojën e dijes dhe mundësinë e vazhdimit të mësimeve…! Secili shënonte dëshirën e vet. Pjesa më e madhe me ardhje malësore kërkonin të mësonin ‘Kanunin e Lekë Dukagjinit’. Gjithnjë krijues mësuesi ynë e programoi lëndë mësimi. Kështu u rrit kontingjenti i nxënësve.
Tani, krah z. Sejfi Vllamasit, Ranko Cerenkoviq, Dionis Miçaços etj., përfaqësues të denjë të mendimit intelektual shqiptar rreshtohen mësimdhënësit e pashkolluar, si: Kolë Ndou, Vogël Ndoka, Zef Bala, e të tjerë burra të rritur me praktikën e përvojën e kuvendeve të maleve. Këta, nën drejtimin e Padër Frano Kirit e Gjon Mark Ndoit, krijonin seanca shumë tërheqëse, sa me andej dëgjoheshin nga të tjerët. Kjo formë pune e gjallëroi shumë dëshirën e nevojën e të mësuarit, sa me guxim mund të them se nuk kish asnjë jetak pa një fletore a libër të hapur. Ne, kryesisht “16 vjeçarët” akoma të mbetur gjallë, u jemi borxhli shpirtmadhësisë së tyre që me aq durim e kënaqësi prindi na falën dritën e mendjes e pastërtinë e tyre shpirtërore. Na plotësuan atë çka shteti monist na e mohoi. Këta ishin mësuesit tanë, Etërit tanë, të cilët menduan e punuan aq shumë për ne. Hartuan tekste e metoda mësimi. Plotësuan materialet e lëndëve: Gjuhë, Letërsi, Histori, Gjeografi, Matematikë, Fizikë, Kimi, Shkenca natyrore, Logjikë, Sociologji, Psikologji, Hyrje në filozofi, e drejta civile, e drejta shqiptare (Kanunet). Në shkollën e burgut mësoheshin gjuhët: italisht, frëngjisht, anglisht, turqisht, gjermanisht, arabisht, persisht. Këto lëndë të programuara nga dora e Mësuesit tonë, në konsultë me specialistë e nën drejtimin e tyre, u jepnin pamjen e disa katedrave, të cilat vepronin shkëputshëm nga njëra – tjetra.
Kjo lloj pavarësie në bazë të lëndëve, në bazë të grupimit të nxënësve në dhoma, të niveleve të ndryshme, të ndarjeve të tjera të detyruara ndihmonte shumë që të mos zbulohej kjo punë kaq
e shtrirë mësimore edukative. E parë në prizmin pedagogjik, kjo ishte ‘shkollë e lirë’, ku nxënësi zgjidhte lëndët që preferonte. Përgatitja e përparimi individual stimulonte shumë punën krijuese, krijonte mundësinë që nxënësi të kthehej në një mësimdhënës për nivelet më të ulëta. Kështu, pas pak vitesh detyrën e mësimdhënies e kryenin bashkënxënësit me përgatitje më të lartë. Puna mësimore në bazë individi a grupi, e drejta e zgjedhjes së lëndëve nga çdo nxënës, e drejta për të zgjedhur mësuesin, e shpesh edhe tekstin e metodën, ishin elementë të rinj pedagogjikë të praktikuar në shkollën shqiptare. Kjo zgjidhje kaq e favorshme e frytdhënëse nga z. Sheuqet Muka, nuk ishte rastësi. Ishte fryt i njohjes shkencore të grumbulluar me aq kujdes nga ky erudit i pasionuar në profesionin e mësuesisë. Në çdo kohë e rrethanë ai ishte mësues. Në çdo bisedë që zhvillonte, komunikonte të renë, të vërtetën, të pastrën morale e fetare.
Edhe në takimet me familjen përcillte sinqeritetin e ëmbëlsinë prindërore, dashurinë. Në biseda me nxënësit, krejt natyrshëm u jepte hapësirë e dritë shkencore e fetare problemeve që u dilnin atyre, kurse në orën e mësimit i fliste secilit mbi bazën e dijes së tij. Përgatitja e gjithanshme intelektuale që kish fituar, e bënte gjithnjë e më kërkues ndaj vetes e kolegëve të vet, mësuesi ynë kurrë nuk u kënaq me këtë titull, ai gjithmonë mbetej nxënës i të tjerëve. Dëgjonte të tjerë, shfletonte të tjerë, diskutonte me të tjerë. Kështu ish vatra e përhershme e diskutimeve filozofike me teh kritik e analizues. Në këtë tryezë, ku shpesh merrnin pjesë personalitete të njohura të mendimit shqiptar, si: z. Haxhi Ethemi, Pipa, Nepravishta, A. Kraja, P. Mushkalla etj., mësuesi ynë, thonte fjalën e vet kryesisht për problemet e edukimit. Diskutimi dhe shtrimi rreth këtyre çështjeve e bënte më reagues. Gjithmonë i qetë, larg çdo fryme tendencioze evidentonte rolin e fuqinë e edukimit në familje. Në këtë vështrim kundër shumë pikëpamjeve, qëndrimeve e praktikave të njohura nga lashtësia, Sparta e të mëvonshmet bashkëkohore kapitaliste- komuniste mbronte me mjaft argumente të paprekshëm rolin parësor e të natyrshëm të familjes, duke e pranuar e mbrojtur si të parën njësi ku zihen e zënë fill elementët shoqërorë e moralë.
Rolin e familjes e kodifikonte me një varg thëniesh e qëndrimesh të filozofëve të çdo kohe, duke e shenjtëruar me shumë versete kuranore e vlerësime profetike. Këto sofra kaq të begatshme, të shtruara për intelektualët e rinj e për disa nxënës të etur ishin shumë dobiprurëse, por unë, për shkaqe subjektive pak ruajta nga kjo e nevojshme e madhe. Drejtas për rolin e familjes, të emancipimit, të barazisë së seksit nga dora e mësuesit tonë dolën disa përkthime e punime modeste, ku me force argumentuese denonconte teoricienët “e seksit të dobët”, të seksit të dënuar e atij inferior. Duke u mbështetur kryesisht në botëkuptimin islam, ai mbronte femrën nga diskriminimi më i turpshëm që i bënin… Në dorëshkrimet e veta u bënte thirrje forcave progresive të shoqërisë, që të merrnin në mbrojtje femrën, burimin e jetës e të dashurisë së pastër. Ta shpëtojnë nga pikësynimet e errëta shfrytëzuese që përgatitnin autorët e njohur…e shumë biznesmenë e politikanë, sundimtarë të dështuar, të cilët përpiqen të arrijnë fitime e një varg qëllimesh të tjera.
“Këto forca të errëta të bashkuara përgatisin terrenin për shpërbërjen e saj morale – fetare, duke e joshur e mashtruar me “liritë” e të “drejtat” për ta kthyer më lehtë në një mall të konsumit të gjerë.” Në këtë vështrim ai kërkonte emancipimin e burrit – sundues nga kalbësirat më të neveritshme e të dëmshme. Burrin e cilësonte – forcë frenuese, shtypëse në familje. Për këtë thonte: “Praktikat komuniste, kapitaliste, gjoja për emancipimin e gruas, janë përpjekjet më të studiuara për shkatërrimin e shuarjen e plotë të rolit edukativ të familjes. Kjo është forma për të shoqërizuar a shtetëzuar njësinë e fundit të mbetur private”. Duke e lokalizuar këtë tërmet, shihte rrezikun e familjes shqiptare pa bazë ekonomike, pa të drejtë mbrojtjeje nga shoqëria e feja, pa mjete financiare. Pikërisht për këtë z. Muka, merrte në mbrojtje femrën, sepse vetëm kjo jetëgjatë-sonte këtë unitet edukativ. Në vlerësimin paralel të disa problemeve me peshë shoqërore, etike, ai veçonte edukatën fetare qytetare si komponent kryesor në formësinë e njëmendësisë së njeriut. Dallimet fetare nuk i pranonte prej natyrës së tyre, ashtu si grindjet krahinore dallimet, thashethemet janë stisje e njerëzve qëllim këqij, karrieristë, arma e të pafeve…!
Nëse pranojmë se besimet e mirëfillta hyjnore kanë një origjinë, ata janë degët e një trungu. Si mund të ekzistojnë arsye për kundërshti të papajtueshme në mes tyre? Në mënyrë të veçantë fliste për këtë dukuri të prekshme në vendin tonë, ku dy besimet ndeshen në një familje. Ndofta këto bindje e bënin aq të afërt për cilëndo përkatësi fetare mësuesin tonë. Ai u shërbente të gjithëve e të gjithë e thërrisnin Mësuesi ynë. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ky pinjoll i asaj familjeje shkodrane,të mirënjohur për tradita të hershme kombëtare e ndjenja të thella fetare, pavarësisht se jetoi dhe veproi në rrethana të veçanta, ai veçse i gjallëroi akoma më shumë ato cilësi të larta me çka dallohet edhe sot familja e madhe e Mukejve.
Për ruajtjen e këtyre vlerave më këshillonte: “Kujdes bir, se gjithherë në skuta të veçuara, të papunuara mbijnë e rriten ferrishte e hithra, që për pakujdesje shtrihen e shumë shpejt bëhen zotëruese”. Pa prekur e trajtuar të tjera probleme, ku hulumtues i kërkuar për ambientin ku jetoi e punoi, më lejoni zotërinj të nderuar, të përfitoj nga rasti e të bind Mësuesin tim, se kudo i ndodhur nuk i harrova këshillat që shpesh më citoje: “Fale armikun e mundur, se je dy herë i nderuar, shpirtërisht tek Perëndia e moralisht para armikut tënd., “Mos praktiko mjetet që ti dënon”, “Falja e mëshira janë cilësitë e Perëndisë…”. Me atë ndjenjë pastërtie që na edukoi, lutem për shpirtin e tij: “O shpirt i Krijimit të Gjithësisë! Me Hiret Tua shpërbleja devotshëm…/Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Drejtor i Shkollës Shqipe
Pranë Qendrës Kulturore Shqiptare
Staten Island – New York
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016