Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së më datën 23 shkurt të vitit 1973, ku ishin të thirrur edhe kuadrot kryesorë të forumit më të lartë të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, të kryesuar nga Agim Mero, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, që Enveri urdhëroi të thirrej me urgjencë në atë mbledhje. Fjala e plotë e Enver Hoxhës në atë mbledhje ku ai për herë të parë morri në analizë të gjitha “problemet e rinisë” si dhe “edukimin e saj”, me artin, kulturën, letërsinë, kinematografinë, librat, bibliotekat, vatrat dhe shtëpitë e kulturës, aksionet, zboret, punën vullnetare, etj. Si dhe problemet që kishin dalë dhe shfaqeshin tek disa të rinj, me modën, shfaqjet e huaja, ndikimet moderniste, etj.
Diskutimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 23 shkurt 1973
Prandaj, të mos thuhet mendimi, duke u nisur nga fakti se këtë çështje e paska parë një shok i Partisë. Kjo është jo një herë, por dhjetë herë e rëndë. Në këtë drejtim duhet kuptuar rëndësia e madhe e kurajës komuniste për të luftuar të metat ashtu si mendon secili. Diskutimi dhe debati nxjerrin në pah të vërtetën. E dini se çfarë thonë njerëzit, more shokë? “Pse këto probleme i ngre shoku Enver dhe nuk i ngrenë edhe shokët e tjerë të udhëheqjes?” Këta që shprehen kështu janë njerëz të mirë, por naivë. Ata nuk e kuptojnë që s’është e vërtetë se këto çështje i kap dhe i ngre vetëm unë; ato i ngrenë gjithë shokët e udhëheqjes. Unë, si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, bëj përgjithësimin e tyre në bazë të problemeve që ngrenë udhëheqja, Partia dhe opinioni shoqërore këto i ngre lufta jonë si nevojë objektive për ndërtimin e plotë të socializmit në Shqipëri. Ndonjëri, këtë çështje e ngre edhe me qëllime të këqija për të lënë të kuptohet sikur shokët e tjerë të udhëheqjes nuk vlekan. Kjo paraqitje e shtrembër e realitetit është një nga çështjet më të rrezikshme.
Të mos gënjehemi kur thotë dikush: “Shumë mirë që kemi shokun Enver!”, Të mos kënaqemi kur dëgjojmë të tilla shprehje, sepse këto, siç thashë, kanë edhe pjesën tjetër të rrezikshme. Guximi juve të rinjve nuk ju mungon, por mos i nënvlerësoni kapacitetin, mendimet e kulturën që keni. Kur unë fola në Presidiumin e Kuvendit Popullor, festivali i këngës në Radio-Televizion kishte mbaruar. Ne, këtu, bashkë me shokët, kishim kohë që patëm shfaqur mendime rreth këtij festivali dhe kishim dënuar anët e tij të këqija. Por, gjatë kësaj kohe, unë mora shumë letra nga rinia, të çilat jo vetëm na i përforcuan mendimet që kishim kristalizuar për festivalin, por na dhanë të kuptojmë se rinia jonë nuk është në ato pozita që mund të hajë çfarëdo ushqimi që mund t’i japin disa njerëz të veshur me autoritet. Arsyetimet që parashtroheshin në këto letra ishin shumë të shëndosha dhe të drejta! Unë gjeta rastin në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe, duke marrë shkas nga çështja që shqyrtohej atje, fola për problemet që dihen.
Ky qëndrim i shëndoshë i rinisë së vendit tonë u shpreh edhe në faqet e gazetës “Zëri i Rinisë”, në diskutimin e gjerë që u zhvillua në këtë kohë për Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion, si edhe për “të bukurën dhe të kulturuarën në jetën dhe në artin tone”, ku morën pjesë të rinj e të reja të profesioneve të ndryshme nga të katër anët e vendit, pa përmendur të metat e shokëve, veçanërisht të Agim Meros, që duhej të reflektonte më shumë, pse deri kohët e fundit ai kishte qenë sekretar i parë i Komitetit Qendror të BRPSH dhe sot është rektor i universitetit. Këtu, në këtë drejtim, vihen re disa kontradikta që mund të mendohet se i nxjerr në dukje situata revolucionare në ngritje, por këto shfaqje nuk kanë thjesht këtë karakter, prandaj parulla e ngritjes revolucionare, që përmendet në këtë rast, të mos na gënjejë. Ne po e përmirësojmë vazhdimisht nivelin e jetesës së popullit, arsimi dhe kultura po zgjerohen, duke ngritur çdo ditë nga të katër anët shkolla dhe institucione të reja kulturore, në dyqanet tona qytetari ka ç’të blejë etj., atëherë pse të ketë vjedhje, grabitje dhe disa shfaqje të tjera të shëmtuara? Prandaj të thellohemi si duhet në këto drejtime për të gjetur shkaqet e vërteta. Është e domosdoshme që Partia t’i trajtojë ideologjikisht mirë shfaqjet që kanë lindur si rezultat i qëndrimeve liberale dhe ku e kanë burimin ato, se sjelljet e këqija vijnë edhe duke kopjuar symbyllazi nga bota e jashtme, edhe nga shtrembërimi i vijës së Partisë.
Është e domosdoshme të luftohet me këmbëngulje, në radhë të parë, kundër pikëpamjeve filozofike anti-marksiste që sillen nga jashtë dhe trajtohen andej-këtej qosheve, dhe në çdo rast ato duhet të trajtohen thellë dhe të goditen ata që i propagandojnë dhe i mbrojnë haptazi apo në mënyrë të fshehtë në fushën e artit, të kulturës, në jetën tonë të përditshme. Dhe atëherë rinia jonë trime, së cilës nuk i ka munguar asnjëherë guximi, do të bëhet e qartë dhe, kur ndeshet me të tilla pikëpamje, do të jetë në gjendje të hedhë poshtë një pikëpamje të gabuar ose një vepër letrare apo artistike që nuk vlen, do të gjykojë vetë dhe do të ketë kurajën të kundërshtojë çdo gjë që nuk përputhet me vijën e Partisë që shtrembërohet nga disa njerëz. Partia ka për detyrë që të edukojë drejt gjithë punonjësit dhe masat e rinisë për të rritur vazhdimisht vigjilencën revolucionare ndaj rrezikut të madh që paraqit presioni i vazhdueshëm imperialisto-revizionist ndaj vendit tonë dhe veprimtaria e armiqve të klasës. Askujt nuk i lejohet ta marrë lehtë këtë luftë, të rrojë në eufori, përkundrazi, secili e ka për detyrë të luftojë me radhë të shtrënguara duke pasur parasysh rrezikshmërinë që paraqitin tani përpjekjet e gjithanshme të armiqve kundër nesh, që janë, si të thuash, edhe njëfarë parapërgatitje e llogaritur nga imperialistët e revizionistët për veprime akoma më të acaruara e më agresive kundër Shqipërisë socialiste.
Veçanërisht nuk duhet ta marrë lehtë këtë luftë rinia, që, për natyrën dhe moshën e saj, për mungesën e eksperiencës, është objekt i këtij presioni të madh ideologjik nga ana e armiqve, të cilët me çdo kusht vazhdimisht përpiqen e do të përpiqen ta vënë brezin e ri në kundërshtim me brezin më të vjetër. Ju, shoku Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë, në diskutimin tuaj përmendët punën që do të bëni për një sërë problemesh. Shumë mirë për sa do të bëni, por ju këshilloj të mos kënaqeni duke folur në vija të përgjithshme rreth direktivave që janë lëshuar nga Partia. Kur thoni “duhet t’i vëmë gishtin plagës”, ta vini gishtin me të vërtetë në plagë, me drejtësi, pa qenë as të ashpër, por as liberalë. U shpjegoni atyre të rinjve që kanë të meta se ku të çojnë këto dhe i këshilloni për të ardhur në rrugë të drejtë. Në qoftë se ndonjëri nuk ndreqet me punën individuale të shokëve dhe me atë që është bërë në organizatë, e kritikoni përpara masës; në qoftë se edhe kështu nuk merr vesh, atëherë të merren masa të tjera me karakter edukativ. Unë nuk besoj që organizata e Partisë, ajo e rinisë dhe të gjitha levat e tjera, kanë ndenjur pa folur kundër shfaqjeve të huaja, po e keqja është se për ato janë thënë më shumë fjalë të përgjithshme, punët nuk janë marrë shtruar, prandaj dhe rezultatet nuk janë të kënaqshme.
Thashë më lart se këtë luftë duhet ta bëjmë me radhë të shtrënguara. Kjo do të thotë që çdo komunist, çdo i ri e patriot të ketë gjithnjë parasysh se ne ndërtojmë socializmin në kushtet e bllokadës imperialisto-revizioniste, Mirëpo ky fakt shpesh nënvleftësohet dhe kujtohet se bllokadës mund t’i bëhet ballë pa sakrifica. Një pikëpamje e tillë e gabuar shprehet edhe në kërkesat që bëhen, pa baza e pa kriter, që çdo gjë ta bëjë shteti, ajo duket edhe në lëshimet që vihen re jo vetëm në lëmin ideologjik e moral, por edhe në ekonomi. Është fakt që te ne, si në qendrat e punës, në fshat, në shkolla e kudo, disiplina e punës nuk është kurdoherë në lartësinë e duhur, shpesh nxirren prodhime me cilësi të dobët, tejkalohen normat sepse këto nuk janë të bazuara, mësohet sa për të marrë notën 5 apo 6, e kështu me radhë. Dhe ndodh shpesh që pak ngrihet zëri kundër këtyre fenomeneve negative, pak kërkohet llogari, ndërsa, po të mos ketë diçka në treg, për këtë nuk mungojnë të shkruajnë deri edhe në Komitetin Qendror apo në Qeveri. Që të ketë tregu me bollëk, më parë ne vetë duhet të prodhojmë me bollëk. Pastaj Partia ka theksuar gjithnjë se për të qenë gati për çdo të papritur, përveç furnizimit të rregullt të tregut, ne kemi nevojë edhe për rezerva. Por si do t’i krijojmë këto? Vetëm me punë të ndërgjegjshme, me një disiplinë të fortë shtetërore proletare, duke bërë një jetë më të thjeshtë e jo duke lëshuar dorën e duke ushtuar prirjet për të kënaqur luksin mikroborgjez të disave.
Prandaj duhet të punojmë më mirë për edukimin e punëtorëve, kooperativistëve, inteligjencies dhe rinisë me botëkuptimin tonë komunist. Ne duhet të vendosim kudo një disiplinë të rreptë në prodhim e në çdo punë të bazuar në një edukatë të shëndoshë proletare. Kështu do të luftohet edhe liberalizmi që shfaqet në mjaft raste. Lufta kundër ndikimeve e shfaqjeve të huaja, lufta për edukimin revolucionar të masave, sidomos të rinisë, duhet bërë kurdoherë sipas mësimeve të Partisë, pa kaluar në ekstremizma. Këtë ta kemi mirë parasysh të gjithë, ndryshe, çdo veprim i pamatur apo i nxituar do të shfrytëzohet nga armiku për të spekuluar, duke interpretuar masat e drejta revolucionare ideologjike, politike, administrative dhe ekonomike që merr Partia, si restrikcione, si represione dhe sikur situata në vendin tonë nuk është e shëndoshë. Shokët duhet të mendohen, të thellohen e të reflektojnë mirë për këto probleme, sepse vetëm kështu ata do të jenë në gjendje të bëjnë kritikat e duhura për dobësitë që konstatojnë. Por kritikat nuk duhet të vijnë vetëm nga lart, ato duhet të vijnë sidomos nga poshtë, sepse kritikat nga lart, krahas anëve shumë të mira që kanë, pasi në to pasqyrohet eksperienca politike më e madhe e shokëve drejtues, që kanë rast të kenë në duar mjaft të dhëna nga burime të ndryshme etj., ka edhe anët e veta të këqija, për arsye se ata njerëz që gabojnë dhe që kritikohen vetëm nga lart, mund të hiqen si viktima në sytë e të tjerëve.
Partia dhe udhëheqja e saj kërkojnë që mendimet për cilindo të shprehen haptazi, prandaj të spastrohen njerëzit, si të thuash, nga ana shpirtërore dhe të krijohet një situatë e tillë ku njeriu që kritikon drejt, ta ndiejë veten të lumtur dhe të krijojë tek i kritikuari jo ndjenjën e zemërimit dhe të hakmarrjes, por dashurinë e madhe, në radhë të parë, për tërë Partinë dhe udhëheqjen e saj. Në qoftë se i’a arrijmë këtij qëllimi, do të kemi korrur një fitore të madhe. Në këtë drejtim ne duhet të punojmë shumë, ndryshe nuk do të arrijmë atë që synon Partia dhe ajo që do të realizohej do të ishte plotësimi formal i qëllimeve të larta të saj, njëfarë respekti i dyshimtë, që nuk i nevojitet Partisë së komunistëve. Besoj se më lejohet të ngre këtu në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë një çështje, para se t’ia them vetë Fadil Paçramit. Më raportuan që kur u bë mbledhja e shkrimtarëve dhe e artistëve, për të analizuar të metat e punës me sy kritik, Paçrami është ngritur dhe, në mënyrë jo komuniste, përpara gjithë atyre që merrnin pjesë në mbledhje, ka thënë: “S’kam asnjë përgjegjësi për festivalin. Për këtë gjë përgjegjësinë e ka Komiteti Qendror i Partisë, sepse Radio-Televizioni është një institucion qendror”!
Kur dëgjova këto fjalë, m’u kujtua sulmi që i’u bë Partisë dhe udhëheqjes së saj nga trockistët jugosllavë në Konferencën e Partisë të Tiranës. Unë nuk e akuzoj Fadil Paçramin si trockist, as si njeri të jugosllavëve, por del se ai është një person që nuk po realizon përgjegjësitë e tij të mëdha. Ai është sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës, që merret me propagandën. Si është e mundur që Fadili s’paska asnjë përgjegjësi për ato shfaqje liberalizmi që janë dukur në Tiranë? Fadil Paçrami i akuzon shokët e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, se gjoja janë konservatorë! Jo, komunisti nuk duhet të gjykojë e të flasë kështu. Ai duhet të qëndrojë drejt përpara përgjegjësive dhe gabimeve që ka. Partia do t’i ndreqë situatat, do të ndreqë edhe njerëzit. Këto që thashë duhen kuptuar thellë dhe duhen pasur parasysh vazhdimisht nga gjithë shokët e Partisë dhe nga rinia, që është e ardhmja e Partisë, ajo që do të marrë në dorë stafetën. Sa më e pastër dhe sa më e guximshme të jetë rinia jonë, aq më e përjetshme do të jetë vepra e Partisë. Duhet ta mbajmë kurdoherë ndërgjegjen tonë të pastër, ashtu siç bëjmë çdo ditë për të mbajtur të pastër shtëpinë dhe trupin tonë, prandaj të punojmë pa u lodhur për të arritur në atë që populli dhe Partia të shikojnë se forca qëndron në veten e tyre, në vijën e drejtë të Partisë, në njerëzit, në kuadrot e qendrës dhe të bazës, në udhëheqjen kolegjiale, në unitetin e mendimit dhe të veprimit.
Pasi i thashë të gjitha këto, pasi i qortova disa nga shokët tanë, udhëheqës të rinisë, përsëri dëshiroj të theksoj se, pavarësisht si i paraqitin ata këto probleme nga forma ose nga përmbajtja e tyre, nuk na lejohet as neve shokëve të Partisë, as atyre të Qeverisë, as shokëve të pushtetit në bazë, as drejtuesve të ndërmarrjeve ekonomike, që kërkesat e rinisë t’i lëmë pas dore, ose të mos merren në shqyrtim seriozisht, por të bëhen përpjekje që të zbatohen vendimet. Prandaj të biem dakord me propozimin e rinisë që në rrethe, për këto çështje, të mblidhet komiteti ekzekutiv dhe përgjegjësit e tjerë rreth byrosë së komitetit të Partisë dhe atje, shokët e rinisë të shtrojnë fort dhe drejt mendimet që kanë për këto punë, të diskutohen, të merren vendime të prera dhe të ndiqen që të zbatohen e të vihen në vend vendimet e Komitetit Qendror të Partisë, te Qeverisë dhe të vetë Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016