Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Veledin Musarajt me origjinë nga fshati Buzmadh i Mallakastrës në një nga familjet më të pasura dhe më me emër në të gjithë atë krahinë, ku i ati i tij, Riza Musaraj, i njohur për veprimtarinë e tij atdhetare, në vitin 1919 u shpërngul familjarisht në qytetin e Fierit dhe në 1920-ën ai ndihmoi financiarisht vullnetarët fierakë që shkuan në Luftën e Vlorës dhe po atë vit, ai shoqëroi delegatët fierakë që morën pjesë në Kongresin e Lushnjes.
Në vitin 1933, Veledini filloi studimet në Shkollën Teknike Amerikane të Fultzit në Tiranë dhe pasi e mbaroi atë me rezultate të larta në vitin 1938, qeveria e Monarkisë së Zogut, i akordoi një bursë shtetërore që ai të ndiqte studimet në Akademinë Ushtarake në Modena të Italisë, ku bashkë me të ishin edhe Asim Zeneli, Elez Braha, Fadil Dashi, Hysen Zotaj, Ilia Naska, Adem Ballhysa, Kristo Xheka, Ihsan Boriçi dhe Shahin Toçi nga Mati.
Aktiviteti antifashist i Veledinit gjatë periudhës që studionte në Akademinë e Modenas, ku ai hartoi dhe shtypi një hartë të Shqipërisë Etnike, të cilën e shpërndau fshehurazi në Kosovë me anë të familjes Shala. Emërimi i Veledinit si ushtarak i karrierës në radhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare pranë rojës së Kufirit me qendër në Prishtinë, ku në qershorin e ’44-ës, për arsye shëndetësore ai u kthye në në Mallakastër, ku falë autoritetit që gëzonte ai dhe familja e tij, ndërhyri që të bëhej një marrëveshje në mes forcave nacionaliste dhe atyre partizane komuniste. Si u persekutua ai nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u lënë që të punonte si roje nate, për të vetmin shkak, se dikur në periudhën e Luftës, kishte hartuar dhe shpërndarë hartën e Shqipërisë Etnike?!
“Veledin Musaraj, gjatë Operacionit armik të Qershorit të vitit 1943, që u bë në Mallakastër, ishte oficer dhe ka kërkuar të krijonte një komision, që të bënte një marrëveshje me komandën e Operacionit, me këto kushte, që të mos goditeshin me armë forcat italiane dhe italianët të mos digjnin fshatin Buzëmadh…! Gjatë Luftës, ka treguar aktivitet armiqësor, në formë agjitacioni e propaganda dhe ka shkruar artikuj që binin e përputheshin plotësisht me propagandën fashiste mbi Shqipërinë e Madhe, për kufijtë etnikë të saj, duke kërkuar Kosovën e Çamërinë, që me një parullë të tillë, Italia i shpalli luftën Greqisë dhe Jugosllavisë. Në këtë kohë, Partia jonë, kërkonte miqësi me popujt fqinj. Artikulli është simbolizuar me kufijtë etnikë dhe zemrat e goditura me shigjeta. Xhaxhai i Mondit, Fazlli Musaraj, ka marrë pjesë në organizatën e Ballit Kombëtar, ka qenë një nga eksponentët e saj, krijoi çetën e fshatit dhe u bë komandant i saj”.
Kështu shkruhej në mes të tjerash në një letër të ardhur nga qyteti i Fierit në fillim të viteve ’70-të në adresë të organizatës së Frontit Demokratik të lagjes në Tiranë ku banonte volejbollisti i ekipit “Dinamo”, Edmon Musarai, gjë e cila u bë shkas, që ai të përjashtohej nga ekipi, në prag të një takimi shumë të rëndësishëm që do të zhvillonte në Çekosllovaki. Për më shumë rreth kësaj dhe gjithë historisë së familjes mallakastriote Musarai dhe Veledinit, do njihemi në këtë shkrim që Memorie.al e ka përgatitur në bazë të dëshmive të Edmon Musarait dhe disa burimeve të tjera, nga ish-shokë dhe kolegë të babait të tij, që ishin diplomuar në Akademinë Ushtarake të Modenas në Itali.
Kush ishte Veledin Musaraj?
Veledin Musarai, lindi në prill të vitit 1914, në fshatin Buzmadh të Mallakastrës, në një nga familjet më të pasura dhe më të mëdha të gjithë asaj krahine e cila gëzonte një respekt të madh edhe në zonat përreth saj. Riza Ali Musarai (babai i Veledinit) që ishte dhe i pari i kësaj familje, u shpërngul me të gjithë njerëzit e tij në vitin 1919 nga vendlindja e tij dhe u vendos në qytetin e Fierit, ku pati ndihmën e mikut të tij të ngushtë, Xhevdet Dishnica. Në shenjë respekti dhe mirënjohje për ndihmën dhe përkrahjen që i dha, Riza Musarai u bë një nga mbrojtësit më të flakët të Xhevdet Dishnicës, sidomos në një nga demonstratat më të mëdha të vitit 1920, që u zhvillua në nënprefekturën e Fierit, ku Dishinca i foli popullit të grumbulluar nga ballkoni i nënprefekturës, mbi synimet e italianëve që donin të mbanin Vlorën. Po kështu, Rizai u bashkua me 500 luftëtarët fierak që morën pjesë në Luftën e Vlorës kundër italianëve, duke luftuar në Babicë dhe në Qafën e Koshovicës. Në janarin e vitit 1920, Rizai ishte një nga shoqëruesit e delegatëve fierak në Kongresin e Lushnjes dhe ai u bë një nga mbrojtësit kryesor të tyre, nga mbështetësit e qeverisë së Durrësit. Nisur edhe nga një gjendje e mirë ekonomike që kishte familja Musarai, ajo ndihmoi financiarisht për blerjen e librave, shumë nga familjet e vobektë të qytetit, që kishin fëmijët nëpër shkolla. Në këtë mjedis të familjes Musarai, u rrit dhe një nga djemtë e saj, Veledini.
Në Shkollën ‘Teknike Amerikane’ të Fultzit
Në fundin e vitit 1920, njëri nga drejtuesit kryesor të Kryqit të Kuq Amerikan që kishte ardhur në Shqipëri për të ndihmuar popullsinë e porsadalë nga luftërat e trazirat (Drejtori i Përgjithshëm Crowly), i propozoi inxhinier Hivzi Korçës, që ishte caktuar me punë pranë tij, për shpërndarjen e ndihmave dhe për hapjen e një shkolle profesionale në Tiranë. Drejtori, Crowly, atë propozim, ja referoi drejtorit të përgjithshëm të Kryqit të Kuq në Amerikë, i cili dha menjëherë aprovimin dhe me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë së asaj kohe, u bë e mundur hapja e asaj shkolle, që tashmë njihet si ‘Teknikja e Fultzit, për nder të njërit prej drejtorëve më jetëgjatë që shërbeu aty, Harri Fultzit. Në vitin 1933, Veledin Musaraj, ishte një nga tetë nxënësit (të nënprefekturës së Fierit), që me një urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit, u caktua të frekuentonin atë shkollë, nga tetë Prefekturat e vendit. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, midis të tjerash Veledini shkruan: “Nxënësit e caktuar nga prefekturat, filluan të vinë në shkollë nga data 21 gusht dhe më 1 shtator filluan mësimet. Infermierët e Kryqit të Kuq Amerikan, na mësonin higjienën si të hanim dhe të rrinim pastër e na veshën me një uniform të njëjtë të gjithëve. Çdo pasdite na shëtisnin kodrave të Tiranës dhe në mbrëmje para se flinim, bënim banjë. Shkolla filloi mësimet me 64 nxënës dhe ditën e dytë, Vlora dërgoi edhe një nxënës, kështu u plotësuam gjithsej 65 nxënës. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit, bëri përpjekje dhe formoi trupën mësimore, pasi Kryqi i Kuq Amerikan caktoi vetëm Çharls A. Hollingshed, si drejtor dhe pedagogë e instruktorë të tjerë amerikanë e shqiptarë, të cilët me vetëdije të plotë i’u përkushtuan nxënësve dhe çështjes së arsimit në Shqipëri… (Charls, kishte qenë në Luftën e Vlorës dhe ishte marrë me shpërndarjen e ndihmave, sidomos në Spitalin e Drashovicës). Gjatë asaj periudhe që ndoqi mësimet pranë asaj shkolle, Veledini, ose siç thirrej nga shokët Velo, shoqërohej me Sadik Premten, Anastas Lulon, Ramadan Çitakun etj, dhe në përfundim të saj, Velo, u diplomua për Teknik Gjeometër.
Në Akademinë Ushtarake të Modenas
Pasi mbaroi shkollën Teknike të Fultzit, në vitin 1938, Veledini përfitoi një bursë nga qeveria e Monarkisë së Zogut për vazhdimin e mëtejshëm të studimeve, për në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Modena të Italisë. Në atë akademi që nga fillimi i viteve ‘30-të, kishin studiuar edhe shumë student të tjerë shqiptarë, të cilët plotësuan më vonë efektivat e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Në atë akademi ushtarake, gjatë asaj kohe së bashku me Veledinin, studionin edhe Asim Zeneli, Elez Braha, Fadil Dashi, Hysen Zotaj, Ilia Naska, Adem Ballhysa, Kristo Xheka, Ihsan Boriçi dhe Shahin Toçi nga Mati, të cilët në përfundim të studimeve, kundërshtuan të bënin betimin ushtarak para flamurit italian.
Shtyp hartën e Shqipërisë Etnike
Pas peripecive për mos bërjen e betimit ushtarak, Veledini mundi që të vazhdonte mësimet në Akademinë e Modenas, në degën e Administratës për Financë dhe gjatë gjithë asaj periudhe që ai studio në atë akademi, ishte nën survejimin e përhershëm të SIM-it (Shërbimet Sekrete të Ushtrisë Italiane), për vetë aktivitetin e propagandën antifashiste që ai bënte ndër studentët shqiptare. Nisur nga kjo, Veledini hartoi një hartë të Shqipërisë Etnike, ku përfshiheshin brenda saj, të gjitha viset shqiptare të Greqisë e Jugosllavisë. Harta ishte shënuar me ngjyrën e kuqe dhe brenda saj ishte shqiponja e zezë, me përkrenaren e Skënderbeut, sipër saj. Në të shkruhej: “Me zemër – Në zemër – për zemrën”! Më poshtë saj, me shkronja më të vogla thuhej: “O doktorë të shpirtrave e të mendimit/ U jepni zemrave që vuajnë barin e shërimit”! Rreth e rreth hartës, në zemrën e zezë shkruhej: “Në zemrat e atdhetarëve, Shqipëria dhe flamuri i shqiptarëve”. Në dy anët e zemrës në sfond, thuhej: “Ja pra një zemër, o zemër që zemër kërkon. Ja – si zija t’ka nxirë… si flaka t’a skuqën. Në fund të sfondit, poshtë zemrës së zezë, ishte shkruar: “Hartonjësi “She – Lek” (Shqipëria e Lirë Kombëtare). Në pjesën e prapme të hartës (që ishte në formë trakti), shkruhej:” Zemrave Liridashës, ndër malet e lira të Shqipërisë. Zemër që zemrën mban e vështron/ dëgjo një zë, po të thërret, zemër gjurmomë! Është zëri i zemrave të djegura nga zjarri i Tiranës – që sot aq hatashëm, përvëluar nga etja për “Drejtësi”, ushton – ja vdekje, ja liri”! Në fund të saj shkruhej: “Nga dheu i huaj (Trieste) 7 prill 1942, Veledin Musarai dhe mbyllej me: “Mos e dorëzo zemrën në duart e armikut”!
Kjo hartë e bërë prej Veledinit në formë trakti, u shtyp prej tij, në Slloveni në një tirazh prej 500 kopjesh. Të gjitha shpenzimet për shtypjen e saj, Veledini i pagoi vetë (kishte ndihmë financiare nga familja) dhe e shpërndau pothuajse të gjithë në krahinën e Kosovës. Për shpërndarjen e saj, Veledini, u lidh ngushtë me familjen Shala, një nga familjet e njohura dhe patriote të Kosovës. Veledini u lidh me këtë familje, pasi kishte një letërkëmbim të rregullt me një nga djemtë e saj, Tefik Shalën, i cili u morr vetë me shpërndarjen e hartës-trakt, në të gjithë Kosovën. I survejuar nga agjentët e SIM-it, Veledini, ra në sy të autoriteteve italiane, për propagandën e tij antifashiste. Lidhur me këtë, në një nga fotot e tija, ku Veledini ka dalë me një Italian, nga pas ka shkruar: “Agjenti kalabrez Donaldo, bashkëpunëtor i SIM-it, zbuluesi i zemrës sime (hartës) të shtypur në Trieste. Një spiun kalabrez që më shitej si antifashist e racë shqiptari, për të hedhur në dorë disa nga korrespondencat e mia me të arrestuarit në Itali”. Kështu, spiuni kalabrez, Donaldo, raportoi pranë SIM-it, gjithë aktivitetin antifashist të Veledinit dhe për ekzistencën e hartës që ai kishte bërë. Pas kësaj, autoritetet italiane e arrestuan Velon, duke mundur të shtien në dorë të tyre dhe një pjesë dokumentesh dhe disa poezi të shkruara prej tij. Komanda e Akademisë, në bazë të informatave të SIM-it, pas arrestimit të parë të Veledinit, vazhdoi të mbajë ndaj tij një qëndrim të keq, duke ja bërë të pa durueshëm qëndrimin pranë saj. Pas arrestimit të parë, Velo u arrestua edhe dy herë të tjera, duke u mbajtur për disa ditë nën arrest, për thyerje të rregullave ushtarake të shkollës, duke deformuar uniformën dhe falsifikuar raportet mjekësore.
Nisja e Veledinit në Kosovë
Në mesin e vitit 1943, Veledin Musaraj kthehet në Shqipëri pranë familjes së tij në Fier, pasi kishte përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake në Modena, dhe ishte diplomuar në degën e Administratë – Financë, duke fituar edhe gradën e togerit. Me ardhjen në Shqipëri, Veledini u emërua fillimisht në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, në degën e Prapavijës. Duke përfituar nga pozicioni i tij si ushtarak, ai ndërhyri për një marrëveshje në mes forcave nacionaliste që vepronin në krahinën e Mallakastrës dhe atyre italiane për të mos goditur njëra – tjetrën, duke shpëtuar disa fshatra nga reprezaljet e bastisjet të ushtrisë italiane. Duke parë në atë kohë një konflikt të pa shmangshëm, ndërmjet forcave partizane e atyre nacionaliste, Veledini tërhiqet nga shërbimi aktiv në ushtri dhe nxjerr raport mjekësor, e shkon për disa muaj për kurim në qytetin e Vlorës. Në këtë qytet, ai u kurua deri në marsin e vitit 1944, nga një sëmundje e mushkërive, që vuante që nga koha kur ishte në Itali. Duke qenë efektiv i Komandës së Përgjithshme të Rojës së Kufirit, me qendër në Prishtinë, që nga marsi i vitit 1943, ai dërgohet të punojë për disa muaj si oficer intendent, pranë kësaj Komande në Prishtinë. Gjatë kësaj kohe që Veledini punoi në Kosovë, ai qëndroi për disa kohë pranë familjes Shala, e cila kishte ndihmuar që të shpërndahej harta e Shqipërisë Etnike. Një vit më pas, familja Shala (sipas letërkëmbimit të Tofikut me Veledinin) pas ardhjes së komunistëve të Titos në pushtet, u internua familjarisht. Kjo gjë ndodhi pasi UDB-ja ra në gjurmët e hartës që kishte shpërndarë kjo familje. Në qershorin e vitit 1944, Velo u largua nga Kosova për arsye shëndetësore dhe u kthye në zonën e tij të Mallakastrës, ku filloj të aktivizohej në radhët e Frontit Nacionalçlirimtar. Dy vjet pas mbarimit të Luftës, në 1946-ën, pasi kishte kaluar disa muaj me kurime, Veledini thirret nga Ministria e Punëve Botërore, për të punuar si gjeometër dhe transferohet në Tiranë.
I harruar dhe nën goditjen e regjimit komunist!
Ndonëse për profesionin e tij si gjeometër, në atë kohë kishte shumë nevojë, Veledini, shikohej me sy të keq nga regjimi komunist dhe nisur nga kjo, ai u dërgua të punonte në shumë fronte të vështira për rregullimin e rrugëve dhe urave të shkatërruara nga lufta. Kështu nga viti 1947, deri në 1954-ën, ai punoi si gjeometër në dispozicion të Ministrisë së Punëve Botore, nga Shkodra në Tiranë, në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Muhamet Gjollesha”. Pas kësaj periudhe, ai caktohet të punojë në punë të rëndomta, si roje nate etj. Edhe pse Veledini kishte refuzuar betimin ushtarak në Itali, së bashku me shumë nga shokët e tij, të cilët tashmë ishin ‘Dëshmorë të atdheut’ apo ‘Heronj të popullit’, si: Asim Zeneli, Elez Braha, Hajrulla Ishmi etj., ai do të shikohej si njeri i dyshimtë nga ana e regjimit komunist. Vite më vonë, pas shumë ndërhyrjesh me anë të miqve e shokëve të tij, ai mundi të sigurojë një të drejtë studimi për djalin e tij, Edmondin, për në Institutin Bujqësor të Kamzës. Mondi, njëkohësisht ishte dhe volejbollist me ekipin e famshëm të “Dinamo”-s dhe kur ai vazhdonte vitin e dytë në Institutin Bujqësor, në zyrat e Frontit, jepet ‘alarmi’:
“Fëmijët e armiqve të Partisë dhe të popullit, po shkojnë në shkolla”. Një letër që vinte nga Fieri, njoftonte degën e Kuadrit të Institutit Bujqësor: “Veledin Musaraj, gjatë Operacionit armik të Qershorit të vitit 1943, që u bë në Mallakastër, ishte oficer dhe ka kërkuar të krijonte një komision, që të bënte një marrëveshje me komandën e Operacionit, me këto kushte, që të mos goditeshin me armë forcat italiane dhe italianët të mos digjnin fshatin Buzëmadh…! Gjatë Luftës, ka treguar aktivitet armiqësor, në formë agjitacioni e propaganda dhe ka shkruar artikuj që binin e përputheshin plotësisht me propagandën fashiste mbi Shqipërinë e Madhe, për kufijtë etnikë të saj, duke kërkuar Kosovën e Çamërinë, që me një parullë të tillë, Italia i shpalli luftën Greqisë dhe Jugosllavisë. Në këtë kohë, Partia jonë, kërkonte miqësi me popujt fqinj. Artikulli është simbolizuar me kufijtë etnikë dhe zemrat e goditura me shigjeta. Xhaxhai i Mondit, Fazlli Musaraj, ka marrë pjesë në organizatën e Ballit Kombëtar, ka qenë një nga eksponentët e saj, krijoi çetën e fshatit dhe u bë komandant i saj”.
Pas kësaj letre, Edmondi, përjashtohet nga volejbolli në prag të një ndeshjeje që ekipi i “Dinamos” do të luante në Çekosllovaki. Edhe pse nën goditjen e shtetit, Veledini, nuk u tërhoq nga qëllimi që i kishte vënë vetes dhe ai mundi të ruaj e të hartojë një dokumentacion të pasur, me materiale të ndryshme e foto historike, që nga koha e Shkollës Teknike të Fultzit, e deri në periudhën që ai studio në Akademinë Ushtarake të Modenas. Një pjesë të madhe të atij dokumentacioni, ku kishte materiale historike me shumë vlerë, ai ja dorëzoi Muzeut Kombëtar në Tiranë, për të cilat morri dhe një çertifikatë falenderimi. Po kështu, Veledini, i dhuroi Institutit të Shkencave në vitin 1954, dy libra me shumë vlerë për Shqipërinë (Librandi Vicenzo Grammatica Albanese 1897 con le poesie rare di Variboba, Barbarich Eugenio “Albania” 1905), libra të cilat i kishte blerë mjaft shtrenjtë, në një bibliotekë private të Romës, kur ishte student në Modena. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016