Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të debateve që u bënë në parlamentin shqiptar të periudhës së Monarkisë së Zogut, në fundin e vitit 1937 dhe fillimin e ’38-ës, kur një grup deputetësh thirrën në interpelancë, Ministrin e Ekonomisë Kombëtare, Terenc Toçi, duke i kërkuar atij të jepte shpjegime lidhur me ankesat e një grupi tregtarësh, të cilët akuzonin qeverinë, se ajo bënte favore dhe selektive në mes tregtarëve në dogana. Si u pasqyruan të gjitha debatet në parlamentin e asaj kohe nga gazetat “Drita” dhe “Arbnia” lidhur me akuzat ndaj ministrit Toçi dhe shpjegimet e tij, lidhur me firmën ‘Bakalli”, etj.
Përplasja dhe konfliktet e ashpra që kanë lindur këto kohët e fundit në mes tregtarëve dhe grupeve të ndryshme të biznesit me qeverinë, të cilat më së shumti kanë të bëjnë me taksat, tatimet, zhdoganimet, kontrollet e qeverisë mbi subjektet private, si dhe me hartimin e legjislacionit përkatës për funksionimin sa më normal të këtyre bizneseve, nuk janë një fenomen i panjohur dhe i padëgjuar më parë. Zanafilla e tyre e ka burimin që me krijimin e shtetit të parë të pavarur shqiptar në nëntorin e vitit 1912, madje edhe shumë më herët, që nga koha e Turqisë, kur vendi ynë ishte nën Perandorinë Osmane dhe ekonomia e vendit funksiononte në bazë të atij legjislacioni si të gjitha viset e tjera të asaj perandorie. Por përplasjet dhe konfliktet ndërmjet grupeve të ndryshme të biznesit dhe qeverive kanë ndodhur më së shumti gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, kur ekonomia e shtetit shqiptar funksiononte në bazë të një legjislacioni modern që nuk u linte asgjë mangët as shteteve më të përparuara dhe më të zhvilluara të Perëndimit. Veç të tjerash, kjo gjë konfirmohet edhe nga debatet e shumta që zhvilloheshin asokohe në Parlamentin shqiptar, ku here pas here ministrat e Ekonomisë Kombëtare, thërriteshin në interpelanca nga deputetë të ndryshëm, për të dhënë shpjegime lidhur me ankesat e shumta që vinin në adresë të Parlamentit nga tregtarë apo grupe të ndryshme të biznesit të asaj kohe. Një nga këto përplasje ‘qeveri-biznes’ është edhe ajo e fundvitit 1937 dhe fillim vitit 1938, kur disa deputetë të Parlamentit shqiptar thërritën në interpelancë ministrin e Ekonomisë Kombëtare të asaj kohe, Terenc Toçin, duke e akuzuar atë për shpërndarje selektive të lejeve të dhëna tregtarëve të ndryshëm që kërkonin të importonin mallra nga jashtë dhe duke i kërkuar atij shpjegime për mënyrën se si i kishte shpërndarë ato leje.
Interesi i madh i gazetarëve për interpelancën në Parlament
Siç bëhet e ditur edhe nga shtypi i asaj kohe, seanca parlamentare ku ishte thirrur në interpelancë ministri i Ekonomisë, Terenc Toçi, kishte ngjallur një interes të jashtëzakonshëm, gjë e cila dukej në pjesëmarrjen e madhe të gazetarëve në lozhat e atij Parlamenti dhe të ftuarve të tjerë që ndodheshin aty. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash, gazeta “Drita”, e datës 13 janar 1938, midis të tjerash shkruante: “Dje Parlamenti pati si kornizë, në bisedimet e veta, një numër të madh, ndigjuesash të çdo kategorie. Qysh prej orës tre pasdite, lozhat ishin të mbushura dëng me gazetarë, nëpunës të lartë dhe tregtarë të ardhur apostafat në Tiranë nga vise të ndryshme të Shqipnisë. Në fakt, bisedimet përqendroheshin dje, në pyetjen që disa deputetë i kishin drejtue, kohë ma parë, Ministrit të Ekonomisë Kombëtare, rreth moslejimit të ç’doganimit të disa mallrave të mbetura në Doganat e Mbretnis. Midis një heshtje të thellë, seanca u çel prej Kryetarit të Parlamentit, zotit Pandeli Evangjeli, dhe bisedimi nis në një atmosferë të nxehtë që e mbajti pezull vëmendjen e gjithë ndigjuesave”.
Deputeti Erebara akuzon Ministrinë e Ekonomisë
Pas hyrjes së shkrimit, gazetari i të përditshme “Drita”, i cili ka ndjekur punimet e asaj seance parlamentare, në ekspozenë e tij ka pasqyruar pikën kryesore të rendit të ditës, interpelancën me ministrin e Ekonomisë Kombëtare, Terenc Toçi. Lidhur me këtë, ai shkruan: “Pasi njoftohet projekt-ligja mbi punimet e skelës së Durrësit (Portit, shënimi ynë) dhe pasi i akordohen pesë javë leje zotit Xh. Leskovikut, për arsye shëndetësore, hyhet në rendin e ditës, duke nisur me shpjegimin prej zotit Ministër i Ekonomisë Kombëtare, mbi pyetjen se ç‘masa mendon të marrë për mallrat e tregtarëve të mbetun në Doganat e Shtetit dhe bisedim mbi raportin e Komisionit të Lutjeve mbi lutjen e disa tregtarëve të Durrësit. Merr fjalën z. Jashar Erebara, formulues i pyetjes, i cili thotë se pyetja e tij ishte vjetërsuar, me qenë se kishin kaluar dy muaj. Sikur edhe mamelukë të kishin qenë, prap si njerëz duhej të na ishte dhënë një përgjigje. N‘atë kohë kishim dëgjuar se tregtarët ankoheshin pse nuk u lejohej të nxirrnin mallrat e tyre nga dogana, megjithëse ata i kishin paguar dhe ishin në rregull me taksat që kërkon rregullorja e tregtisë. Dikush ka ardhur këtu dhe na ka thënë se dikujt i është dhënë leja dhe dikujt jo. Ne e dimë se këtu ndër ne jemi të gjithë njëlloj. Këtë duhet ta dimë se, jo vetëm jemi në buzë të Adriatikut, por edhe në mes të Evropës dhe prandaj nuk duhet bërë dallime.
Ministri i Ekonomisë Kombëtare, zoti, Terenc Toçi, përgjigjet duke thënë se dëshiron të dijë se cilët kanë marrë mall dhe cilët jo, dhe se të gjitha veprimet janë bërë në bazë të ligjeve dhe të rregulloreve. Ne jemi një shtet institucional dhe duhet që kurdoherë të respektojmë ligjet dhe rregulloret. Vihet në bisedim raporti i Komisionit të lutjeve mbi lutjen e disa tregtarëve të Durrësit”.
Deputeti Erebara: Ministria bën dallime në mes tregtarëve
Pas pyetjeve të para në adresë të ministrit të Ekonomisë, Terenc Toçi, dhe përgjigjes së shkurtër të tij, në ekspozenë e tij, gazetari i “Dritës” shkruan: “Zoti Jashar Erebara thotë se të gjitha pikat janë shpjeguar në raport dhe se ai do të flasë jashtë përmbajtjes së raportit. Thotë se për interesin e Ekonomisë Kombëtare, sikur ai mall edhe jashtë rregullave të ishte sjellë në Doganën e Durrësit, prapë duhej gjetur një mënyrë. Por si po flet këtu, Ministria e jonë asht bë një Obert-komando (Komanda e Përgjithshme, term në gjuhën gjermane, i përdorur që nga koha e Austro-Hungarisë, shënimi ynë), që kujt don i’a jep lejen dhe kujt don jo. Kështu po sjellim një dezharmoni dhe një anarki në tregti pse bota thonë edhe se kanë dalë njerëz që po shesin leje poshtë e lart. Zoti Fejzi Alizoti, tregon se kolegu i tij edhe Komisioni i Lutjeve i kanë thirr në pyetje Ministrin e Ekonomisë Kombëtare mbi disa çrregullime. Me qenë se nga përgjigja e ministrit do të marrim edhe ne dijeni këtu, duhej që komisioni bashkë me këtë raport, të kishte ngjitur edhe përgjigjen që i dha Komisionit Zoti Ministër, me qëllim që ne të formojmë një ide të plotë se si qëndron e vërteta. Shpjegon se edhe për normalizimin dhe rregullimin e tregtisë, u autorizua Qeveria të bëjë një rregullore dhe bëri këtë që është në fuqi. Një firmë, Bakalli, duke mos qenë e regjistruar në listën e Odës së Tregtisë si importatore (firmë importuese mallrash), ka sjellë një sasi malli jashtë cilësisë së tregtisë së tij. Dhe ministri i ka dhënë leje. Këtë leje-pyeti zoti Alizoti ia ka dhënë zoti Ministër si kompensim apo si prim? Kërkon që të shpjegohet çështja për të formuar një ide të plotë se kush është gabim, qeveria apo tregtarët që ankohen”.
Deputeti Mihal Kaso: Të formohet një komision parlamentar
Pas akuzave të hedhura në Parlament në adresë të ministrit të Ekonomisë, Toçi, nga deputetët Jashar Erebara dhe Fejzi Alizoti, fjalën e mori deputeti tjetër Mihal Kaso, për të cilin gazetari i “Dritës” midis të tjerash shkruan: “Zoti Mihal Kaso e fillon fjalën tuj theksuar se bisedimi kishte një rëndësi të madhe dhe të posaçme sepse i takonte Ekonomisë Kombëtare të Shtetit. Pasi bën një shqyrtim të hollësishëm mbi nenet e ndryshme të rregullores së tregtisë së jashtme në përshtatje me ankimet e tregtarëve të Durrësit e të Tiranës, hyn në meritën e çështjes dhe thotë: Ndonëse si tregtarët e Durrësit ashtu dhe të qarqeve e kanë njoftuar Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare që më datën 14 Gusht, duke thënë se ç‘mallra ndodhen në depot e Doganave si dhe mallrat në udhëtim, prapë Ministria kompetente disa i liroi pa 10% dhe disa të tjerë me 10%, kurse disa të tjerëve nuk ua liroi krejt.
Këta u ankuan se Ministria e Ekonomisë Kombëtare, me qarkoren e datës 18.IX.1937, dhe telegramin datë 1 tetor, duke shkelur dispozitat e rregullores së tregtisë, urdhëroi që, për të porositur të interesuarit për mallra, mjafton vetëm paraqitja e kërkesës. Por, pas disa ditësh, me një tjetër telegram, anulloi qarkoren e parë, ndonëse tregtarët vepruan që më datën 13 gusht deri më 5 nëntor konform me dispozitat ligjore dhe me urdhrat e Ministrisë. Më 5 nëntor 1937, Ministria e Ekonomisë u bëri Dhomave të Tregtisë këtë telegram: ‘Lajmëroheni se lejet e kërkueme deri tash janë në bisedim. Stop. Leje të reja për importim nuk jepen deri me urdhër të ri. Stop malli që do të vij mbas sodit nuk lirohet‘. Duke sjellë dhe shumë argumente të tjera analoge, përfundon duke thanë se urdhënat e ndryshme të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, të dhënë njeri pas tjetrit dhe në kundërshtim të hapur me dispozitat në fuqi, kanë sjellë një konfuzion të madh dhe i kanë vënë tregtarët në pozita shumë të vështira, duke mbetur malli nëpër Doganat, pasi i kishin porositur në konformitet me dispozitat e rregullores dhe me urdhrat e Ministrisë, urdhra që pastaj anuloheshin prej qarkoresh të tjera. Kërkon, pra, të formohet një komision për ta hetuar çështjen. Zoti Rexhep Jella duke iu përgjigjun Ministrit i cili kërkoi të dijë emrat e tregtarëve, i sjell shembull zotin Dovana në Durrës dhe të zotit Konçi, tregtar në Tiranë, të cilët kanë kërkue leje dhe nuk u asht dhanë”.
Shpjegimet e ministrit Toçi për firmën “Bakalli”
Pas akuzave direkte në adresë të ministrit të Ekonomisë, z. Toçi i’u përgjigj atyre duke dhënë shpjegimet e tija mbi atë problem. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash në gazetën “Drita” shkruhet: “Ministri i Ekonomisë Kombëtare shfaq hidhnimin që bashkangjitur me raportin e Komisionit nuk është kopjuar dhe përgjigja që i ka dhanë Ministria e Ekonomisë Kombëtare Komisionit të lutjeve. Duke iu përgjigjun zotit Kaso, thotë se zotnija e tij asht avokat i mirë, dhe se nuk beson se ai të mbrojë ‘sarafët sentimentalë‘, sepse të tillë janë-thotë Ministri-këta tregtarë të cilët, të nesërmen që doli shpallja e kushtëzimit për importime nga disa shtete me njëherë e shtuan çmimin e mallrave që ndodheshin në depot e tyre me 40% dhe këtë asht në pozitë ta provojë me faktura. Shton se kjo shtesë u bë në kurrizin e të vobektëve që i konsumonin këto mallra. Artikulli i 16 i rregullores importimeve tregon, thotë zoti ministër, procedurën se si merret leja për importim dhe artikulli 18 cakton se Ministria kompetente ka të drejtë të japë leje dhe ta refuzojë kur të mos ketë konviksion të plotë. Na, vazhdon zoti Ministër, nuk kemi refuzuar leje jo se veprimi ka qenë brenda rregullores, por vetëm për mëshirë të Ekonomisë
Kombëtare e për të mbrojtur kapitalin kombëtar se më përpara është importuar malli dhe pastaj është bërë kërkesa për lejë.
Zoti Ministër i Ekonomisë fillon t‘u përgjigjet gjithë pikave të vërejtjeve që ka parashtruar komisioni i parlamentit në raportin e tij. Për sa i përket se përmenden për firmën ‘Bakalli’, thotë se ligja nuk bën dallime nëpërmjet eksploratorëve (firmave eksportuese), dhe importatorëve (firmave importuese), d.m.th. nuk ka një dallim tregtie, dhe leja i asht dhanë si mbas nenit 5, paragrafi a) të Rregullores, i cili paragraf thotë: ‘Se kur importuari provon se ka eksportua prodhime Shqiptare pas datës së shpallun të kësaj Rregulloreje në Shtetin prej nga don me importua mall për 50 % të vleftës së këtij malli‘.
Sa për atë që thuhet se zoti Bakalli e ka çeduar lejen ndër tregtarë të tjerë, kjo rrjedh pse zotni deputet ka studiue me sentiment rregulloren se zoti Bakalli e ka këtë të drejtë se ja se ç‘thotë artikulli 7: ‘Kompensimi parapa me artikullin 5 mund të kryhet nga tregtarë të ndryshëm d.m.th. të lejohet importimi I mallit të hyj edhe kur eksportimi i prodhimeve kombëtare përkatës e të të kryhet nga tjetër tregtar, por gjithmonë me lejen e këtij të fundit dhe në themel të dokumenteve doganore provuese‘.
Pra, Bakalli ka pasë të drejtë të çedojë të drejtën e eksportimit. Për sa i përket pikës që bëhet fjalë për zotin Vlash Dovana, thotë se qëllimi i rregullores është të përkrah eksporatorin për me pakësue importimin nga shtetet që nuk importojnë nga Shqipnija. Zoti Dovana prej këtyre shteteve ka importua 60 e ca mij fr. ari në një masë ma të madhe se asnjëherë tjetër edhe këtij i kemi dhanë leje, jo për tjetër qëllim, por se kemi pasë frikë se mos dëmtohet ekonomia kombëtare dhe kapitali shqiptar, se zotnija e tij nuk ka qenë brenda rregullores e ka bërë ‘fait a comli’ (fakt të kryer), se ka sjellë mallin ma parë nga jashtë dhe pastaj ka kërkue lejen. Për sa i përket pikës 4), paragrafi a), të raportit të Komisionit për sa i përket firmës ‘Bakalli’, Komisioni nuk e ka këndue me vërejtje artikullin 5 të Rregullores, i cili thotë tekstualisht kështu:
a) Kur importatori provon se ka eksportue prodhime shqiptare mbas datës së shpalljes së kësaj rregulloreje në shtetin prej nga don me importue mall, për 50 % të këtij malli i jepet lejë. Thotë mbas datës së shpalljes së rregullores, thekson zoti Ministër, e jo mbas vendimit të Këshillit Ministruer. Rregullorja ka hy në fuqi më datë 25 Prill 1936. Firma Bakalli, vazhdon zoti Ministër, që është një firmë e ndershme, meriton të falenderohet e jo të akuzohet. Kjo firmë jo me tarafllëqe sentimentale (privilegje për shkak të miqësive, shënimi ynë), por me dokumenta bankare ka provue se ka eksportue në Zvicrës një sasi të konsiderueshme mall shqiptar”.
Ministri Toçi: Kemi të meta
Pas shpjegimeve të bëra në seancën parlamentare lidhur me akuzat e hedhura ndaj tij, ministri i Ekonomisë, z. Terenc Toçi, në fjalën e tij vijoi përsëri me shpjegime të tjera, duke interpretuar legjislacionin përkatës mbi import-eksportet, për të cilën në gazetën “Drita”, midis të tjerash shkruhet: “Zoti Dovana ka kërkue leje për importim malli tue paraqit disa dokumenta, i asht dhanë leja dhe e ka kapërcye edhe ka dasht të shkojë si e vlefshme dokumentet e porosisë e jo të transportit. Me gjithë këtë kur jemi bindur se kapitali shqiptar po vihet në rrezik, kemi dhanë leje tue veprue kundra rregullores. Këto janë shpjegimet e mija, përfundon zoti Ministër, që zhvleftësojnë argumentet e Komisionit të lutjeve. Mund të jetë gabue o pse nuk ka dashtë ose nuk e ka këndue me vërejtje rregulloren ose asht influencue nga propaganda të ndryshme. E siguroj të ndershmin Parlament se çdo veprim i Ministrisë së Ekonomisë asht bazue n‘interesin e naltë të Shtetit, e jo në interesin e njenit apo tjetrit, e nuk asht influencue prej propagandës të askujt dhe askujt nuk ja mban thesin.
Zoti Mihal Kaso refuzon aluzionin që bën ministri për propagandë dhe thotë se Ministri nuk i‘u përgjigj drejt vërejtjeve të tij. Nuk do të mundet të thotë të gjendet kush ka të drejtë para se të formohet komisioni për të hetue këtë çështje.
Zoti Lame Kareco tregon disa të meta të rregullores të cilat i zhvillon një nga një dhe i’a rekomandon ministrit që t‘i marrë parasysh të modifikohen. Zoti ministër pranon të metat që mund të ketë rregullorja por thotë se këto i ka parashikuar Qeverisja dhe për së afërmi ka për të paraqitur një projekt-ligj. Bisedimi për këtë çështje merr fund dhe pranohet dekret-ligja e rrugëve, për herën e fundit si dhe projekt-ligja mbi pranimin e konventës së Ekstradimit dhe të ndihmës gjyqësore në çështjet penale Shqiptaro-Çekosllovake, dalë nga Komisioni. Bisedimet mbi Dekret-ligjin mbi krijimin e Drejtorisë së Emigrantëve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjithashtu nga mungesa e Ministrit të Drejtësisë, u azhurnua dhe bisedimi i ligjeve që i përkasin Drejtësisë”.
Akuzat e ndërsjella të tregtarëve dhe Drejtorisë së Doganave!
Konflikti ndërmjet tregtarëve të ndryshëm shqiptarë që merreshin me import-eksport mallrash dhe Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, konflikt i cili u acarua së tepërmi në periudhën e Monarkisë së Zogut, apo më saktë në fundin e vitit 1937 dhe fillimin e ‘38-ës, duke bërë që çështja të kalonte deri në Parlament, ku një grup deputetësh thirrën në interpelancë për të dhënë shpjegime ministrin Terenc Toçi, nuk është një fenomen i padëgjuar dhe i panjohur në marrëdhëniet në mes tregtarëve dhe qeverive të ndryshme që kanë drejtuar këtë vend që nga krijimi i shtetit shqiptar në nëntorin e vitit 1912.
Historia / Në kujtimet e tij, Princ Wied akuzonte kryetarin e qeverisë së Durrësit: “Edhe Esat Pasha abuzonte me Doganën e Durrësit”
Që nga krijimi i shtetit të parë shqiptar në 28 nëntorin e vitit 1912, kur pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga plaku i Vlorës, Ismail Qemali, u formua edhe kabineti i parë qeveritar i kryesuar prej tij, e deri në ditët e sotme, duke përjashtuar qeveritë komuniste të periudhës 1944-‘91, pothuaj të gjitha kabinetet e tjera qeveritare, sidomos ato të viteve të periudhës postkomuniste, janë akuzuar për “vënie dorë mbi doganat e shtetit”. Njëri prej tyre ka qenë edhe Esat Pasha, kryetari i qeverisë së Durrësit në vitin 1914, i cili është përfolur gjatë mbi abuzimet e tij me Doganën e Durrësit. Njëri prej atyre, që e ka akuzuar pashain e Tiranës në lidhje me këtë gjë, ka qenë Princ Wied, i cili në kujtimet e tija të botuar në Gjermani disa vjet pas largimit nga Shqipëria, midis të tjerash ka shkruar: “Ndryshe nga Kryeministri Ismail Qemali, i cili i përdorte të ardhurat nga Dogana e Vlorës për forcimin dhe armatimin e Xhandarmërisë, apo për mbajtjen e muhaxhirëve shqiptarë që vinin në ullishtat e Vlorës pas masakrave të grekëve në krahinat e Jugut të Shqipërisë, Kryeministri i qeverisë së Durrësit, Esat Pasha, të ardhurat nga Dogana e Durrësit i përdorte të gjitha për xhepin e tij”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016