Ejëll Çoba
Pjesa e dytë
Memorie.al/publikon disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’ dhe më pas për disa vjet me radhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vendit, (1939-1940), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar I Përgjithshëm I Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj. Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesëmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit. Kujtimet e panjohura të Ejell Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, paraqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si: Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi, etj.
Një shpirt i shpëtuar
B U R G I M E T
Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977
Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme
Konti Rober dë Monteskje
Më 25 dhjetor, ditën e Këshndellave, aty nga ora 11, erdhi kapteri i burgut e më tha: “Eja!”. Mbatha këpucët që kisha në fund të dyshekut, u ngrita e dola me të. Unë e pritja transferimin për në Tiranë, por mbasi nuk më tha me marrë teshat, nuk më shkoi nëpër mend një gja e tillë. Kur dola në korridor, një roje më lidhi duart e kapteri më prini. Ecëm nëpër oborr, dolëm në rrugicën “Sumej” dhe u drejtuem te një kamion që ishte ndalë para derës së Sumejve, dajave të mi. Rojet që më shoqnojshin, largojshin familjet që kishin ardhë me sjellë ushqimin për të burgosurit. Kur po rrijsha në rrugicë, m’u afrue motra, që kishte ardhë me një kushrinë me më pru ushqimin. Më pyeti: “Ku po të çojnë?”. I’u përgjigja: “Nuk e di”. Një roje mbas meje m’u kërcënue.
Në kamion nuk munda të hypja ashtu i lidhun si isha, prandaj një roje më vuni shpatullat në vithe e më ngriti. Shkova e zuna vend në krye të kamionit. Gjashtë roje të armatosura ishin ulë në spondat e kamionit, tre në njanën anë, e tre në anën tjetër. Unë në mes tyne. Prapë nuk më shkonte ndër mend transferimi. Mendojsha: ditë feste, koha para mesdite, kur populli dilte prej meshës së orës 11 nga Kisha Françeskane dhe bante një xhiro në piacë. M’u kujtue se Riza Danin e kishin ekzekutue në ballkon, para një grumbulli njerëzish, që britshin: “Në litar, në litar!”. Mendojsha se ashtu po ma banin edhe mue. Tri javë i pa rum, me fytyrë si para litarit, tamam pamje për Ecce homo!
Ndër këto mendime pashë prapë motrën, që kishte dalë para familjeve, i ishte afrue paksa kamionit dhe po qante me za. Mendonte se po më çojshin për ekzekutim. Kur i çonte sytë nga unë, mendohesha me çue duart e lidhuna, e me i ba shenjë që të qetësohej, por ishte e kotë, se ajo vazhdonte edhe ma me za.
Ndërkaq një toger hypi bri shoferit dhe kamioni u nis. Mori rrugën “Skanderbeg”, majtas nga Perashi. Fillova të mendoj se ishim për Tiranë. Por jo! Hyni në rrugën e Konsullatës Italiane, (sot Shtëpia e Kulturës). U ndal te Burgu i Togës, ish konvikti “Malet Tona”, e këtu pritëm pak. Erdhi motra me kushrinën me ushqimin në dorë. I’u afrue kamionit e më tha: “Këtu asht Keli”? Po, u përgjigja: “E di”. Ishte qetsue, se ishte bindë se nuk po shkojsha për ekzekutim. Vesonte shi. Togeri i’u drejtue dy vajzave me ton të ashpër: “Ç’doni këtu, moj shoqe?! Largohuni!”. Zunë vend te dera e Muzhanit me sy të ngulun nga unë.
Prej Burgut të Togës, sollën Hamdi Isufin, Musa Gjylbegun e Asim Abdurahmanin, që u rreshtuan para meje. Unë prap dyshoja, a ishim për Tiranë apo për ekspozim. Kamioni u nis. Hodha edhe njëherë sytë nga motra. Pritja me ankth me pa ç’drejtim do të merrshim. Kamioni mori djathtas nga Fusha e Qelës. Të katërt ishim pa asnjë gjë me vete. Madje, Hamdi Isufi ishte pa gja në kokë. Binte një shi i lehtë. S’pata ma dyshim se do të na qitshin në ballkon. Por jo! Kur mbërritëm te Kafja e Madhe, kamioni mori majtas, i’u soll rrotull lulishtes, e shkoi e u ndal te ish dyqani i Ulqinakut, (sot dyqani MAPO). Këtu u sigurova se po niseshim për Tiranë.
Kamioni u nis për Tiranë. Sa kaluem Urën e Bahçallekut, togeri që na shoqëronte e rrinte në kabinën e shoferit, urdhëroi të ndalojshim. Zbriti, i’u afrue një partizani që rrinte në spond të kamionit e i tha: “Cili është Hamdi Isufi?”. Ai më pyeti mua, meqë më kishte më afër. “Nuk e di”, iu përgjigja. Po Hamdia e ndigjoi e tha: “Unë”.
Atëherë togeri i dha partizanit një copë tel e i tha t’ia lidhet duart edhe një herë. Na të tjerët nuk e meritojshim “këtë konsideratë”. U mjaftuan me na lidh me një tel të gjatë, të pestë për krahu. Kështu secili me duar të lidhura (Hamdia dy herë) dhe të pestë, të lidhur për krahu, u nisëm drejt Lezhës.
I hodha një sy kalasë njëmijëvjeçare, fushës së përmbytur, mjegullës që kishte mbulue malin e Sheldisë dhe qytetin që po vajtonte nën një qiell plumb e nën një shi të hollë si lotët e heshtuna të shkodranëve, që vajtojshin trimnitë e humbuna. Për gati njëzet e katër vjet, nuk do ta shihja ma qytetin tim!
Deri në Tiranë shkuem pa ndalesa të gjata. Vetëm nja dy herë shoferi zbriti për të shikue motorin, që nuk punonte edhe aq në rregull. Më vonë, në burg, kur po bisedonim rreth këtij udhëtimi me Hafizin e me Hamdinë, ky i fundit na tha: “Sa herë ndalej kamioni, hidhsha një sy anëve të rrugës e kur shihja ndonjë pyll të vogël në afërsi, mendoja se aty do të na pushkatojnë”.
Në Tiranë u ndalëm te Ministria e Brendshme (ish Ministria e Financave). Në trotuarin tjetër u mblodh një grumbull u vogël njerëzish. Nuk bëzajshin, por shikojshin me drojtje. Unë njoha vetëm djalin e Xhafer Ypit, e vetëm një vajzë tha me za të naltë: “Qenka edhe një hoxhë”. I kishte ba përshtypje, se i dukej gjë e rrallë.
Mandej kamioni u vu prapë në ecje e u ndal te shtëpia e doktor Bashos, seli e Qarkut ose e Policisë.
Së fundi u drejtuem për në Burgun e Vjetër, në rrugën e Shkodrës. Pasi zbritëm shkallët e brendshme të burgut që të çojnë në korridorin e birucave, aty na priste kapter Shahini, që me një shikim epërsie, na tha: “S’ju pëlqen kjo republikë juve”?!
Kapterr Shahini më futi në një birucë pasi u sigurua që aty nuk kisha asnjë të njoftun. Këto hetime i’u dukën të mjaftueshme, prandaj më urdhnoi të rrijsha në qoshe të birucës, në çimento, e sidomos të mos flitsha me pjesëtarët e tjerë të birucës; dhe doli me mendje të qetë se e kishte krye mirë detyrën. Ashtu i lagun deri në palcë, u ula në çimento, në terrin ma të thellë e në heshtjen ma të plotë.
Nuk e kuptojsha sa ishin dimensionet e birucës, e as sa vetë ishin aty. Nuk kisha vizitue kurrë Burgun e Tiranës, megjithëse të tanë vitin 1939, kisha qenë Kryetar i Gjyqit të Shkallës së Parë, në kryeqytet. Prandaj në errësirën e birucës së Tiranës, u mundojsha me përfyturue formën dhe madhësinë e tyne. Mbas pak minutash, kur të gjithë po rrijshin së bashku, ndodhi një gja që më bani me ndryshue krejt mendimin që kisha formue për ambientin.
Një za që vinte nga nalt, thirri: “Felatun!” e tha disa fjalë në anglisht. Unë atëhere s’dijsha asnjë fjalë anglisht. Menjëherë një za tjetër nga poshtë i’u përgjigj shqip: “Jo, asnji”. Mendova se dikush kishte pyetë, kush kishte ardhë i ri në birucë e nga frika përgjigja kishte qenë negative. Me emrin Felatun, kisha njohë vetëm Felatun Vilën, e nuk njihja njeri tjetër me këtë emën, prandaj mendova se në birucën terr duhej të ishte ai, megjithëse nuk kisha dijeni që të ishte arrestue.
Mbetej mister ai za që kishte ardhë nga nalt. Mendova se biruca do të ishte me dy kate e se dikush do të ishte në katin e sipërm, ose në ndonjë shtrat të ngritun nja dy metra. Mbas përgjigjes së Felatunit, ra prapë heshtja në errësirën e birucës. Kështu kaloi rreth një orë.
Papritmas u hap dera e birucës sonë e hyni një rreze drite nga korridori. Ata që ishin në birucë, vrapuan me dalë e njeni mori guximin e më tha: “Hajde, po shkojmë në nevojtore”.
Dola edhe unë mbas tyne. Përshkuem korridorin dhe u futëm në një kthinë ku kishte katër WC në rradhë pa portë, të cilat u zunë menjëherë e unë mbeta në atë rruginën që ishte para tyne. Në WC-në e parë pashë një njeri të ulun, i cili më shikonte e me gishta në gojë pa za më jepte me kuptue që të mos thojsha se njiheshim. Ishte Felatun Vila. Edhe unë me shenja i lashë të kuptojë që të rrinte i qetë, se do ta zbatojsha dëshirën e tij. Kur u lirue një vend, hyna edhe unë. Të gjithë sa kryejshin punë, dilshin e pritshin në rruginën e ngushtë para WC-ve. E kuptova se po më prisnin mue, prandaj shpejtova. Atëhere u nisën për në birucë e unë mbas tyne. Hymë të gjithë në birucë e dera u mbyll.
Prapë në errësina, por kisha kuptue se përveç Gjushit e Felatunit, ishin edhe dy të tjerë që s’i njihsha. Para se të binte, Gjushi më tha: “Te kambët e mia, mbështetun për mur, asht një karton që e përdor për sofër e po e deshte, merre”.
E falenderova dhe e mora. Ishte një karton 40 x 40cm. U ula mbi të, e ky qe dysheku im për mbramjen e Këshndellave.
Me Gjushin dhe Felatunin, pashë një djalë që më tregoi se kishte qenë puntor në Kuçovë. Pranë meje ishte një burrë 45-50 vjeç. Ndërsa djali po fliste me mue, ai tjetri i tha: “Mos fol, a e di që e kam plumbin mbi kokë?”
Heshtëm. Ai tjetri, mbasi vuni në vend enën ku kishte ngranë, u ngrit në kambë në fund të dyshekut, dhe me fytyrë nga muri, bani kryq trish, e belbëzoi nja tri lutje në greqisht, bani prapë kryq e u ul. Unë u bana kureshtar por s’guxoja me e ndërpre atë heshtje. Foli ai e m’u drejtue:
- Kam 33 ditë që jam i dënuar me vdekje.
- Paske shpëtue, – i’u përgjigja flakë për flakë.
- Pse? – pyeti plot shpresë i kthyem nga unë.
- Mbas 33 ditëve nuk ekzekutohet kush, – i thashë unë, aspak i bindun për ç’ka thojsha.
Më shikoi në sy plot shpresë. Siguria me të cilën i fola e ngushëlloi. I mbytuni kapet edhe për shkumbë.
Prapë heshtje. Më dukej sikur ishim në një dhomë mortore. Të vdekunin e kishim aty. Askush përveç tij, nuk besonte se do shpëtonte. Të tjerët, përveç fjalëve të shpresës i kishin harxhue të gjitha e s’kishin ç’ka thonin. Unë kisha ardhë me forca të reja për të dhënë ndonjë shpresë. As ai për fat nuk më pyeti sesi e argumentojsha mendimin tim. Ndoshta u druhej argumentave pa bazë.
Për të thye atë atmosferë të randë, e pyeta përse ishte dënue. “Me grupin e Maliqit”.
Ai më thoshte se nuk i kishte pranue akuzat që i kishin ba dhe se nuk e kishin nxjerrë në gjyq publik me inxhinierët, Sharrën, Manon e gruan e tij. Por i kishin ba një gjyq me dyer të mbyllura bashkë me gjeometër, Përmetin. Dhe ky i fundit ishte dënue me vdekje dhe ndodhej në një qeli aty pranë. Zani i dridhej. Nuk mundesha me e pa në sy se mos e turpërojsha. Isha i sigurt që emocionohej. Prapë heshtje.
- Më quajnë Dhimitër, – tha dhe mbasi i dha fuqi vetes na u drejtua neve: Shokë, kam një gocë të vetme në Korçë. Kur të dilni, e ta takoni, i thoni që po vdes i pafajshëm dhe se nuk kam bërë asnji gjë’. Dhe shpërtheu në vaj duke thënë, “Çupën, çupën”.
Kështu filloi dita e parë në birucat e burgut të vjetër në Tiranë. Me gjithë hallet e mija që kisha e dija që po i shkojsha dënimit me vdekje, rasti i inxhinierit që priste dënimin me vdekje pas 33 ditësh, më preku thellë. Më dha përshtypjen e një njeriu që kishte shikue vetëm punën e vet dhe se kishte mbajtë familjen me bukë. E tani e shihte veten të persekutuem e të dënuem me vdekje, i ngushëllue që se kishte akuzue veten për faje që si kishte bë.
Më pas hyri një burrë me një ftyrë pa asnjë shprehje, i shoqërue nga dy rojet e birucave dhe më pyeti.
- Ç’e ke Filip Çobën? – më tha me një ton të randë e za të egër.
- Vëlla, – i thashë.
- Ka dashur të merret me politikë ai, e të bëhet njeri i madh. Këtu e ke. Edhe ai është në birucë. Dhe duke i’u drejtue rojes, i tha: “A është kështu Vani?”
Roja bëri me shenjë me kokë duke thanë “Po”.
- Im vëlla nuk ashtë marrë kurrë me politikë, – i’u përgjigja.
- Po, po – tha, dhe filloi duke u marrë me të tjerët. Ndërsa kur po dilte, m’u drejtua, “Mos u bëj merak, bëra shaka”.
Dhe dera u mbyll pas tij e rojeve.
Gjithë dita kaloi pothuajse pa biseda. Unë dojsha me fillue biseda pse m’u sillshin ndërmen fjalët e inxhinierit. Vetëm pasi hëngrëm drekën (unë dy franxhollat që u jepshin të burgosurve) Gjushi filloi me më kallzue se është arrestuar qysh në gusht, dhe se e kishte firmue proçesin. E mbasi nuk kishte pas akuza të randa, priste që ta bashkonin me të dënuemit e katit të sipërm. Më pyeti ç’ka kishte ndodh në Shkodër gjatë kësaj kohe.
I tregova për Lëvizjen e Postribës, dhe për ekzekutimet që kishin ndodhë brenda ditës, e për burgimet. I tregova për kushëririn e tij, Pjetër Dedën, që kishte qenë rrethue me të shoqen e shegertin. Ai dhe e shoqja, ishin vra ndërsa shegertin e plagosur, e kishin kap.
I tregova për Simon Daragjatin që ishte hedhë nga kati i dytë i Seksionit, e kishte vdekë. I tregova për Kel Dedën, një tjetër kushëri të tij, vëllai i Pjetër Dedës, që kishte vdekë në hetuesi, dhe e kishin varrosur natën te Penda e Kirit. Dhe qentë e kishin gërmue e zhvarrosë eshtrat e tij.
Nuk i thashë gja për Kolec Dedën, vëllain e tij që kishte vdekë t’u ra nga shkallët në Seksion. I tregova se ishte pushkatue Dom Nikoll Deda. E pashë që u mvrenjt dhe e pyeta “Ça e ke?”, “Vëlla”, më tha.
E pashë që kisha gabue e nuk vazhdova më për arrestime e ekzekutime të tjera. As ai nuk kishte dëshirë me ndigjue ma. U ngrit dhe po shëtiste përgjatë koridorit të ngushtë. Ishte i zymtë dhe ra në mendime. Tue dashtë me e zhdavaritë i thashë:
- Ç’po mendon?
- Po mendoj për hallet e familjes, pasi kam lanë gruen e tre djem të vegjël pa kurrgja.
- Mos mendo hallet e familjes, se bajnë hall vetë.
- Edhe unë po të isha atje, nuk dija sesi do i organizoja hallet e familjes, jo ma gruja.
Fjalët e tij mu dukën me vend. Mjerë ai që vdes, se të gjallit i gjendet dermani.
Me të shtyme kaloi kjo ditë dhe të gjithë u shtrimë me ra. Felatuni s’ishte ngritë e nuk ja kisha ndigjue zanin. U mbështeta në qoshe të murit kah Gjushit e kambët më ranë në çimento.
U përgatita me fjetë natën e dytë në birucat e Tiranës. Rrobat më ishin tha në trup. Mendimet e ditës, më kishin lodhë e më kapiste gjumi. Nata mu duk më e gjatë se një natë dimri.
Të nesërmen pesë oficera hapën derën dhe u futën si me madhni. I pari një kapiten elegant, shkoi drejt Felatunit. Në rradhë mbas tij katër togera, dhe në drejtim meje një nëntoger. Të gjithë m’i hodhën sytë mua si të ri. Por dy togerat, menjiherë sa panë inxhinier, Dhimitrin, thanë “Ende gjallë qenke ti”? I’u vërsulën mesa forcë kishin me grushta e shkelma. Inxhinieri i shkretë u s’mbraps, por dy togerat i kërcyen mbi dyshek, ai nuk i pa hall vetes, u kthye i mbërthyer në mur. Atëherë togerat e zellshëm filluen me shkelma, sa i’u desh qejfi. Inxhinieri u mbërthye kaq keq në mur, sa nuk dijshëm a merrte frymë! Ne qëndrojshim në kambë, të zverdhun e me nerva të tendosura. Kurrë nuk e kam pa veten ma ngusht. M’u afrue nëntogeri dhe me një buzëqeshje ironike më pyeti:
- Kush je ti?
Si ja tregova, vazhdoi:
- Ç’zyrë ke patur?
Unë i thashë gjyqtar, e ai…
- Pastaj?
- Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, – i’u përgjigja unë.
- Pastaj? – Dhe si për me ndigjue ma mirë, kishte ngritë dorën anash veshit.
- Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.
- Pastaj? Dhe afronte fytyrën më afër fytyrës sime.
- Nënministër në Këshillin e Ministrave.
- Pastaj?
- Nënministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
- Heee! – ia bani me kënaqësi e zan të naltë ndërsa unë instiktivisht, largova fytyrën nga ai.
- Mos ki frikë, ne nuk godasim njeri – më tha.
Inxhinieri ishte i mbërthyem në mur e nuk dijshim a merrte frymë. Mandej kapiteni e urdhëroi Gjush Dedën që kishte krye hetuesinë, të shkonte tek të burgosurit e tjerë në katin e sipërm, për tu gjykue. Inxhinierit i tha të shkonte në birucën e gjeometër Përmetit, e mue e Felatunit, na thanë të shkonim në birucën përballë. Mbasi ikën oficerat, dola në koridor se s’kisha tesha me mbledhë, e prisja rojen që të hapte derën. Pashë batanijen time, e dallova nga ngjyra pasi i’a kishim çue babës, kur e kishin arrestue në vitin 1915 e i kishin çue në Mal të Zi. Me babën ishin Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Fejzi Alizoti, Preng Bib Doda, etj.
Kur hyra në birucë gjeta katër vetë. Njoha vetëm Sali Vuçiternin. E shikova, më shikoi e nuk më foli. Siç duket nuk kishte dëshirë që ta merrnin vesh që njiheshim. Fill mbas meje hyri Felatuni, që më tha: “Këtu nuk më kanë thanë që të mos bisedojmë, pranaj eja ulu me mu”.
Kur ndigjoi Saliu që po e thirrsha në emër Felatunin, i tha:
- Ti je Felatuni?
- Po – i tha ai.
- Po ti mos je Ëngjëll Çoba?
- Po – i thashë.
- Unë nuk ju njoha, po ju a më njohët mue?
- Ne të njohëm por nuk dijshim a duhet me të njohë – i thamë të dy.
Kaq na kishte pushtue fryma e seksionit në birucat e Tiranës, sa mos me i dhanë të njohur atyre që njifshim e po vujshim bashkë me to.
Të tjerët ishin: një durrsak, ish oficer, Qani Katroshi dhe Sali Doda nga Mati, një burrë në moshë. Që nuk peshonte ma tepër se 30 kile. Ndoshta vuante nga tuberkulozi, dhe kishte qenë shofer në Shkodër, po unë nuk e njifsha.
Mbasi shkëmbyem pak fjalë të zakonshme me të gjithë, Felatuni dhe unë filluem biseda ma personale, Felatuni fliste pak nën za dhe më tregoi se në biruca baheshin tortura të randa, dhe se ai vetë u ishte nënshtrue torturave, aq sa kishte pre damarët e më tregoi pulsin. Nuk më tregoi dhe as unë se pyeta se çfarë donin prej tij.
Pak para mesditës na ndanë racionin e bukës dhe Qaniut, Saliut dhe mua, na sollën gjellët që na kishte sjellë familja. Enët nuk i njoha, sepse si kisha parë ndonjëherë në shtëpi. Felatuni, e kuptoi çudinë time dhe më tha:
- Të paska abonue vëllai në restorant, se enët janë të tyre.
- Hajde të hamë bashkë! – i thashë unë.
- Unë jam ende në torturë, sepse shpeshherë më thërrasin e nuk më japin gjellën që më sjell familja.
- Unë për këto gjana s’kam dijeni, prandaj ulu të hamë i thashë.
U ulëm e shijuem ushqimin e restorantit. Kisha dy ditë që ushqehesha me dy franxhollat e burgut e Felatuni nuk e di sa ditë kishte.
Gjithë ditën prita të më jepshin shtresat. I thashë rojes se kisha pa rrobat e mija. ‘Nuk janë tuat’ ishte përgjigja e tij. Atë natë fjeta në një dyshek dhe të nesërmen i dorëzuem shtresat. Por një idhnim tjetër m’u shtue. Etiketa që kishte emnin tim, ishte shkrue prej motrës që kisha lanë në Shkodër. Vëllanë e tretë e dijsha në Tiranë. Pse kishte ardhë motra në Tiranë, kur im vëlla ishte këtu? Filloi të më brejë dyshimi për fjalët e Drejtorit të Burgut, se dhe vëllain e tretë e kishin arrestue. Tre vëllazën në burg. Nana me motrën në shtëpi. Isha në pritje të një gjyqi, përfundimi i të cilit s’ishte aspak i favorshëm. Shumë të pakta ishin shpresat për faljen e jetës për ata që dorëzoheshin. Perspektiva e tmerrshme e torturave. Vëllazënit e arrestuem, nana me motrën vetëm. Në atmosferën e burgosjeve dhe ekzekutimeve që ishte krijue në Shqipëri dhe veçanërisht në Shkodër në vitet 1946-1947, çdo gja mund të pritej. E pse? Sepse kshu dojshin jugosllavët e Titos dhe rusët e Stalinit, urdhnat e të cilëve i zbatojshin marksistat shqiptarë. Në qoftë se quheshin kështu ata që kishin pushtetin në Shqipëri.
Pas mesditës digjova kambë njerëzish që zbrisnin shkallët. Felatuni më tha se ishin hetuesat që vinin për të marrë në pyetje dhe vazhdonin deri natën vonë./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016