Memorie.al publikon dy foto të godinës së ish – ambasadës së BRSS-së (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) në Tiranë e vendosur në ‘Rrugën e Durrësit’, aty ku sot ndodhet Ministria e Arsimit, fotot të cilat i përkasin fillimit të viteve ‘50-të dhe në to shihen qartë manifestime të mëdha popullore, tipike të regjimeve komunist që bëheshin për qëllime propagandistike.
Këto manifestime organizoheshin shpeshherë nga “Organizata e Miqësisë Shqipëri-BRSS”, dhe në to merrnin pjesë eksponentë të lartë të udhëheqjes së PPSH-së dhe diplomatë të ndryshëm sovjetikë, të akredituar në Tiranë, si ambasadori Çuvakin, atasheu ushtarak Sokolov, etj., ashtu siç shihen dhe në këto imazhe, në ballkonin e katit të dytë të selisë së ambasadës.
Por kjo “klimë e ngrohtë” miqësie do të “tronditej” në mesnatën e 19 shkurtit të vitit 1951, kur në oborrin e kësaj ambasade, do të hidheshin dy kallëpe dinamiti. Shpërthimi i eksplozivit do të shkaktonte dëme të vogla, të cilat do të konsistonin vetëm në thyerjen e disa xhamave të ambasadës.
Sipas versionit zyrtar të asaj kohe, kjo vepër, ishte kryer nga Hysen Llulla dhe Qazim Laçi, dy pjesëtarë të organizatës antikomuniste “Bashkimi Kombëtar” që kryesohej nga Hamdi Frashëri, e cila në atë kohë ishte vënë e gjitha, nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Po kështu sipas disa burimeve, bëhet e ditur se po vetë Sigurimi i Shtetit, me ‘bekimin’ e udhëheqjes së lartë komuniste, e inskenoi këtë ngjarje, për të ndërmarrë më pas goditjen ndaj “elementit armik”, ashtu siç dhe ndodhi më pas.
Kjo bëhej nga Enver Hoxha, për t’i treguar Stalinit dhe “popullit vëlla sovjetik” besnikërinë e madhe ndaj tyre. Po sipas versionit zyrtar, të dy “autorët e hedhjes së bombës”, Hysen Llulla dhe Qazim Laçi, (të cilët nuk e dinin se ajo ishte lojë e Sigurimit të Shtetit), do të identifikoheshin, arrestoheshin dhe ekzekutoheshin, pas pak kohësh.
Të nesërmen e ngjarjes së “incidentit të bombës në ambasadën sovjetike”, në Ministrinë e Punëve të Brendshme u bë një mbledhje urgjente, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sali Ormëni, që mbante dhe postin e zv /ministrit të Punëve të Brendshme, jo vetëm që nuk pranoi ‘mungesën e vigjilencën e forcave të policisë, që nuk siguruan ambasadën’, por u shpreh hapur, duke thënë se ajo ishte një lojë e Sigurimit të Shtetit.
Pas asaj mbledhje, atë e konsideruan si person që kishte kaluar “tronditje nervore” dhe e shtruan me detyrim në Spitalin Psikiatrik në Tiranë, me masa të rrepta sigurie dhe pas pak ditësh, ai u gjet i vdekur në pyjet e Elbasanit. Versioni zyrtar ishte “vetëvrasje” dhe në një mbledhje të gjatë, Plenumi i Komitetit Qendror i drejtuar nga Enver Hoxha, e shpalli “armik të popullit, që kishte bërë vetëvrasje për të mbuluar tradhtinë”?!
Por kjo ngjarje, pra “incidenti me bombën në ambasadën sovjetike”, nuk do të mbyllej me kaq! Në datat 20-21 shkurt të vitit 1951, Byroja Politike do të organizonte në mënyrë rrufe, një mbledhje të jashtëzakonshme, ku do të diskutoheshin masat tejet të ashpra, që do të ndërmerreshin mbi “elementin armik” në kryeqytet.
Ndër më radikalët në atë mbledhje të Byrosë Politike, ishte gjeneral-major Mehmet Shehu, që asokohe mbante postin e Ministrit të Punëve të Brendshme, i cili në fjalën e tij midis të tjerash, tha: “Pas kësaj që na ndodhi, duhet të ndërmarrim një goditje të fortë ndaj elementit armik, duke pushkatuar edhe pa gjyq, ashtu siç bëmë me rastin e vrasjes së shokut Bardhok Biba në Mirditë në 1949-ën”
Pas mbarimit të mbledhjes dhe vendimeve që u ndërmorën aty në mënyrë unanime, forca të shumta të Sigurimit të Shtetit dhe Policisë, në mënyrë demonstratave, do të arrestonin afro 200 persona, duke i marrë natën nga shtëpitë e tyre në disa lagje të kryeqytetit. Ata ishin kryesisht intelektualë, tregtarë, dhe ish ushtarakë të periudhës së Monarkisë së Zogut e asaj të pushtimit të vendit, (1939-1944) dhe pas një hetimi formal dy-tre ditor, që u bë në ambientet e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, 22 prej të arrestuarve, u përzgjodhën për t’u pushkatuar.
Ekzekutimi i tyre u krye në orët e vona të natës së 26-27 shkurtit 1951, në vendin e quajtur “Ura e Beshirit”, diku në periferi të Tiranës. Midis të ekzekutuarve, ishte dhe Sabiha Kasimati, me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës, intelektuale e njohur e diplomuar për Biologji-Kimie në Francë, e cila ishte ish-shoqe e klasës së Enver Hoxhës gjatë kohës që studionin bashkë në Liceun e Korçës.
Ekzekutimi makabër i 22 intelektualëve shqiptarë krejt të pafajshëm, do të kryhej pa asnjë vendim gjyqi të formës së prerë, qoftë dhe formal, gjë e cila do të ishte rasti i vetëm në 45 vite të diktaturës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, që një numër kaq i madh personash, do të pushkatoheshin pa një vendim gjyqësor!
Kjo gjë e cila u përfol që në atë kohë, u konfirmua zyrtarisht vetëm pas viteve ’90-të me hapjen e arkivave sekrete të atij regjimi, ku për ngjarjen në fjalë, ishte tentuar të plotësoheshin disa dokumente, sikur gjoja ishte zhvilluar një gjyq për 22 personat e pushkatuar, por aty mungonin firmat e disa prej gjyqtarëve, që s’kishin pranuar të firmosnin, pasi ekzekutimi i tyre ishte bërë fakt i kryer!
Gropa e përbashkët me eshtrat e 22 të pushkatuarve afër Urës Beshirit u gjet në vitin 1993 nga Hysen Shehu në sajë të dy fshtarve të zonës që kishin parë me sytë e tyre ekzekutimin e viktimave natën e 27 shkurtit dhe rivarrim i tyre u bë me ceremoni shtetërore te Varrezat e ‘Dëshmorëve të Kombit’, duke i vënë po në një varr të përbashkët, ndërsa te muri rrethues i ish-selisë së ambasadës sovjetike (sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës), është vënë një pllakë përkujtimore me emrat e 22, të pushkatuarve, viktima të regjimit komunist. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016