Memorie.al publikon për herë të parë foto të rralla të periudhës së Luftës së Vlorës, e cila u zhvillua në verën e vitit 1920. Në këtë konflikt, nga njëra anë morën pjesë formacione vullnetare luftarake të konsiderueshme të patriotëve shqiptarë të ardhur nga të gjitha krahinat e vendit, (madje deri nga Shoqëria Atdhetare Patriotike “Vatra” e SHBA-ve, e cila solli edhe bandën e saj frymore), ndërsa në anën tjetër qëndronin repartet e ushtrisë italiane, që kërkonin të mbanin të pushtuar Vlorën, ishullin e Sazanit dhe një pjesë të bregdetit të jugut.
Kjo luftë u zhvillua në harkun kohor të tre muajve (3 qershor deri në 3 shtator të vitit 1920), dhe sipas dokumenteve të kohës, pas thirrjes: “Atdheu në rrezik”, që bëri qeveria shqiptare e kryeministrit Sulejman Delvina, (e dalë nga Kongresi i Lushnjes) në ato luftime u angazhuan afro 10.000 trupa kryengritësish shqiptarë, kundrejt 20. 000 trupave të ushtarëve italianë. Pas tre muaj luftimesh, trupat italiane u tërhoqën nga qyteti dhe kryengritësin hynë në Vlorën e çliruar më datën në 3 shtator 1920.
Në këto imazhe, vërehen disa episode nga ky konflikt i përgjakshëm. Në foton nr. 1 shihen formacione të ushtrisë italiane, të cilët po bëjnë përgatitjet e fundit në kampin e tyre të stacionuar në plazhin e Vlorës. Në fotot nr. 2 dhe 3, tregohen imazhe nga luftimet në transhe të ushtarëve italianë, të cilët me të gjithë arsenalin e armëve të tyre, duke filluar nga më të lehtat, si ‘pushkët italiane’, deri te ato të rëndat, si: topa fushorë, mortaja etj., kanë zënë pozicionet dhe qëllojnë ndaj kryengritësve shqiptarë, e më pas, shihet tërheqja e ushtrisë italiane, drejt Portit të Vlorës.
Në fotot nr. 4, vërehet gjenerali Italian, Enrico Gotti, dalë në pozicionet e luftimit në fshatin Drashovicë, ku dhe më pas mbeti i vrarë (i vetmi ushtarak i lartë italian i vrarë në këtë konflikt). Në foton nr. 5, paraqitet, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, poeti, publicisti dhe diplomati i njohur, Ali Asllani, duke mbajtur një fjalim përshëndetës, para popullit të Vlorës dhe luftëtarëve që morën pjesë në ato luftime. Ndërsa në foton nr. 6, duket qartë shtëpia ku në vitin 1912, Plaku i Vlorës, Ismail Qemali, kishte shpallur Pavarësinë. Kjo godinë e vjetër, ndodhej buzë bregdetit në anën verilindore të qytetit të Vlorës dhe imazhi i fiksuar në foton në fjalë, I përket verës së vitit 1920.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016