Nga Nazmi Berisha (Dyzi)
Pjesa e katërt
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të Nazmi Berishës, me origjinë nga fshati Llap i Komunës së Podujevës në Kosovë, i cili i joshura nga propaganda e regjimit komunist dhe nga programet që jepte Radio-Tirana për “begatinë socialiste” si dhe për t’i shpëtuar metodave rankoviçiane të regjimit titist, në vitin 1960, ai vendosi që të arratisej dhe erdhi në Shqipëri, duke kaluar me not lumin Buna në të ftohtin e madh të atij dimri të egër. Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, se si u prit ai në atdheun amë, ku ushtarët dhe oficerët e kufirit e rrethit të Shkodrës, pasi e lidhën me tel, e dërguan në Degën e Brendshme, ku për 24 orë, nuk i dhanë as bukë për të ngrënë, e më pas e nisën për në qytezën e Shijakut ku ishte “Qendra e Filtrimit” të emigrantëve kosovarë. Aventura e djaloshit 20 vjeçar, nga Kosova që Sigurimi i Shtetit e akuzonte se: ishte agjent i UDB-së, që e kishte dërguar me mision sekret, Çedo Topalloviç, kryetari i UDB-së për Kosovën, për t’u takuar me Kundër-admiralin e Flotës Luftarake, Teme Sejko dhe torturat ç’njerëzore që i’u bënë atij, në Degët e Punëve të Brendshme të Lushnjes, Krujës, Tiranës etj., ku atë e mbanin të izoluar dhe i kërkonin që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke i nxjerrë si dëshmitarë, bashkëpatriotë të tij nga Kosova, dhe refuzimi i tij, që bëri që ai të kalonte plot 20 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Dikur përmes gjendjes sime somnambul, kërkova takim me Mehmet Shehun, duke arsyetuar para tyre, se ai është trim dhe trimat as të falin e as të mbytin, po kështu si ju s’ta bëjnë! Dhe kohën nuk e përcaktoj dot, më sollën një “gjeneral” tjetër – Nevzat Haznedarin. Çudi! Sa hyri brenda gjenerali, m’u hodh e më përqafoi. Janë të çuditshme përzemërsitë e mëdha të zyrtarëve të lartë! Gati mbeta pa frymë. S’mund të gjykoja atë çast për motivin e vërtetë të sjelljes së përzemërt, por ajo më ngjalli shpresa dhe emocione të pa treguara. Sa s’fluturoja nga gëzimi i beftë. E shikoja vëmendshëm atë njeri ndërsa ai po vëzhgonte dosjen time. Ishte faqekuq, i rruar, me shikim serioz, i shëndetshëm. Rrobat e gjeneralit i rrinin si nuses duvaku. Dikur, i pyeti oficerët për mua. Dhe ata treguan që asgjë s’kisha pranuar. Gjenerali, vetëtimthi u kthye ndaj meje:
- Si, more, nuk të vjen turp që e mohon veprën e bërë? Mendon ti se ne nuk dimë gjë, se nuk e dimë kush të ka dërguar? – Heshti. Pas pak ju drejtua oficerëve
- Pse nuk e ballafaqoni me dëshmitarët?
Një çekiç më goditi rrufeshëm në kokë. Ishte gjaku që më ra aq papritur. Dëshmitarët? Habia është një fjalë e paktë për t’u thënë. U tret edhe përzemërsia. Edhe ky gjeneral që më ngjalli një vegim, qenka i larë me gjak. Ingranazhi i atij mekanizmi perfekt me emrin, Sigurim, funksiononte. M’u trondit shpresa ato çaste.
Në birucë më priste hetuesi tjetër, Shefqet Kadiu. I tregova se ç’më kishte ndodhur me gjeneralin Nevzat Haznedari. Shefqeti po brengosej si tepër për fatin tim. I dhimbsej rinia ime. Po nuk vonoi, dhe erdhi roja që të më çonte tek hetuesit e mi. Ata thuajse si të tërbuar, e vunë në përdorim gjithë arsenalin e tyre të sharjeve, duke nënvizuar arrogancën time, sepse sipas tyre, isha një agjent i rrezikshëm, se me gjeneralin isha sjellë aq keq sa s’ka më, se po mohoja deklaratën e dhënë në Krujë, se paska dëshmitarë të cilët do të mi ballafaqonin etj. Dhe si fillim më plasën para syve një letër të mixhës tim, i cili më porosiste që të takoja në Durrës, “Shkëmbin” i cili ishte nyja që do të më lidhte me Teme Sejkon. Ky kishte radiomarrëse që lidhej me Flotën e 6-të Amerikane, me trupat jugosllave, dhe me ato greke. Dhe në fund britma e tyre. Mos kujto se ne hamë bar! Përpjekja jote për tu maskuar, është e kotë.
Nuk është bindëse të të them se gjithçka nuk i qëndron të vërtetës. Duhej gjetur diçka më e fuqishme. Sidoqoftë duke pasur përkrah vetëm arsyetimin, u mundova t’i rreshtoj mendimet brenda vetes sa për tu qetësuar. Interesi për të më asgjësuar, nuk dilte vetëm nga UDB-ja e cila, familjen time e kishte tek lista e zezë. Mund të dridheshe i tëri nga gjithë kjo marrëzi, apo mund të pësoje diçka tepër të rëndë patologjike, megjithatë ajo ishte e vërteta kokëfortë. Askush tjetër për ne nuk ushqente dëshirë asgjësimi. D.m.th., UDB-ja kishte lidhje të ngushtë me Sigurimin, dhe kurbani ishte Kosova. O Zot! Ku vinte gjithë ajo propagandë sharjesh të ndërsjellat. Nuk njihja asnjë në Durrës. Njihja vetëm Remzi Berberin, që më bëri atë dredhi në Krujë. Mohoja me këmbëngulje akuzën. Ajo u thosha, i përgjigjet UDB-së e cila, e ka familjen tonë në shënjestër. Ajo që po ndodhte me mua ishte një shpifje monstruoze. Dhe i pyeta hetuesit, dyshoni ju tek vetë vetja? Aq dyshoj dhe unë për vete. Nuk kam kurrfarë lidhjesh me ato që më akuzoni. Kot pra, po humbisni kohën zotërinj.
Asnjë gjykim s’pinte ujë. Këmbëngulja e tyre e mbushte fytyrën time me stërkala pështyme, dhe nxirrte faktin që peshorja e fakteve pushtetarë, ishte me ta. Feksi rishtas në kokën time loja e UDB-së. Dhe s’kishte pikë dyshimi. Megjithatë, ata po tundnin para meje kartën serioze me dëshmitarë! Prandaj duhet të pranoja fajësinë, se këta nuk kishin as din e as iman. A s’do qe më mirë të vdisja? Vdekja është kapak floriri kur je i mbuluar me turp. Unë isha i larë, që isha në altarin e së vërtetës. Unë duhet të jetoja që tu dëshmoja brezave të vërtetën e bashkëpunimit të UDB-së me Sigurimin e Shtetit.
Nuk më hynte në sy pikëllimi. Po i tregoja Shefqet Kadiut, gjithçka, duke mos harruar tronditjen time shpirtërore. Ai më tha se e njihte në Durrës, “Shkëmbin” dhe se ai ishte armik i betuar i Partisë dhe popullit. Dyshova për një moment tek Shefqeti, por kurrsesi të mendoja se ai ishte bashkëpunëtor i Sigurimit. Shefqeti më tha që do ta pranonte fajin, edhe pse nuk kishte bërë një të tillë, sepse me Sigurimin nuk bëhej shaka, ata të çonin në pushkatim. Pastaj pranimi i akuzës do të thoshte t’u shpëtonim, të sharave, torturave, rrahjeve nga shefat dhe rojet. Shefqeti, nuk e di nëse është emri i tij i vërtetë, më hiqej si mik në ato momente. Sepse detyra e tij ishte që të thyente rezistencën time. Pas disa ditësh, ai më vjen i gëzuar në qeli, duke më thënë se: ai e kishte pranuar akuzën. Nuk e torturonin më, i jepnin ushqim të mirë, dhe takonte familjen. E ashtu do të ndodhte edhe me mua.
Një dilemë, një luftë e re motivesh. Ç’të bëja, kisha një uri të tmerrshme dhe kur shihja Shefqetin që hante, unë sa s’luaja mendsh. Lakmia triumfoi. U ula të haja me një shpejtësi të llahtarshme. U ngopa shpejt.
Një ditë po dëgjoja zërin e tim eti dhe atë të mixhës? Ç’po ndodhte kështu! Ata ishin në Kosovë por zërat e tyre vinin në birucë. Nuk isha mirë mendërisht? Kur u ktheva në Kosovë u binda që veç meje askush nga familja ime s’kishte qenë në Shqipëri. Nisa t’i bija murit me kokë. Shefqeti, njoftoi rojën dhe ky i fundit, më lidhi dhe më çoi tek drejtori. Edhe njëherë i njëjti avaz me hetuesit Nazif Shehu dhe Nazmi Kraja. U thashë që kam dëgjuar zërat e prindërve të mi që po m’i torturonin. Ata thanë që je zhytur keq në llumin e titistëve dhe nuk lejojmë që të njollosësh organet tona. Në birucë sërish, dëgjoja zërat e prindërve të mi dhe të fejuarës sime. O Zot thashë me vete, edhe ajo qenka përlyer në këtë punë! Isha krejt normal por megjithatë zërat me ushtonin. Pra mospranimi i akuzës ngarkonte me faj situatën e prindërve të mi dhe të fejuarës sime. A duhet të isha kokëfortë dhe të bëhesha egoist dhe të mendoja më së shumti për vete?!
Pak para se të nisesha në Shqipëri, në bazë të porosisë së Çedos, në dyqanin e Aliut, ku ishte për të ndrequr një kade për turshi, e kishte porositur që të takohej me një agjent të UDB-së, Nazmi Berishën. Ky tha Aliu, mbante lidhje me UDB-në, dhe u dërgoi atyre një foto zbathur nga Çerma. E porosita Nazmiun që të mos merrej me ksi punësh, por nuk më dëgjoi. Çedo Topalloviçi më ka porositur të takoj Aziz Zhilivodën dhe Selami Tetovën, të cilët ishin gjithashtu agjentë të UDB-së. Më vonë këta ranë në burg dhe mora vesh që Azizi shkonte e vinte tek Kadri Hazbiu dhe s’po kuptonte kurthet e Sigurimit të Shtetit. Kështu tani unë duhet të flisja të thoja ato që ishin për të thënë. Ky njeri, kurrë nuk ka qenë shok i tim eti, dhe nuk e njoha në Kosovë, por në Çermë. Foton i’a dërgova familjes dhe aty kisha dalë me një qeleshe të bardhë. Mos gënje djalosh, tha hetuesi, ne e dimë që fotoja bie në duart e UDB-së dhe të qenurit zbathur është diskredituese për vendin tonë.
Këtë domethënie që dini ju, unë e kam ditur. Ju mund të më dënoni, por unë s’kam bërë asgjë kundër vendit, jam dhe do ngelem patriot. Më pas futën dëshmitarin Selim Xhakaj. Ky tha se, duhet të mbante korrespondencë me mua nga Semani dhe se duhet të më takonte me porosi të UDB-së. Protesta ime ishte e ashpër. Kur isha në Çermë, kisha dëgjuar për Ramadan Bogujevcin dhe Selim Xhakajn. Isha i interesuar të dija për familjen dhe meqë UDB-ja ma përcillte hap pas hapi, i shkruajta letër Selimit për fatin e familjes. Të tjerat janë gënjeshtra. Hetuesit u skërmitën dhe vollën vrerin duke më thënë: agjent të UDB-së. Dhe përballë fakteve të pamohueshme, ata kundërshtonin me fjalë fyese.
Si më kthyen në birucë, kisha kohë të mendoja në një qetësi. As që dyshoja që dëshmitarët i patën detyruar. A s’donin të vepronin kështu dhe me mua? Letrat e mia qenkan çensuruar, dhe gjithçka tjetër. A do t’i pranoja unë ato gjysëm të vërteta? Kurën e kurës. E ndërkohë fillova sërish që të dëgjoja zërat e prindërve dhe të fejuarës sime. Erdhën infermierët dhe më lidhën, duke më fashuar kokën dhe gojën. Nuk vonoi dhe më çuan në spital. Analizat i kisha në rregull. Dr. Ylviu, më tha se unë po luaja rolin që më kishte ngarkuar policia jugosllave. I thashë doktorit, se nga vuajtjet po dëgjoja britmat e prindërve, dhe se jam i ri dhe nuk jam shkolluar për ashtu punësh. Ai më nënvizoi qartë se me atë që po bëja unë, po e dënoja familjen time me vdekje. O Zot pra qenka e vërtetë që familja ime qenka arrestuar! Por vetëm një pyetjeje nuk i’u përgjigj: si është e mundur që të vijnë ashtu në Shqipëri?
Mjaftoi një fjalë e tij dhe mua mu bë gjithçka si e vërtetë. Pas dy javësh, më kthyen në birucë, ndërsa thirrjet akoma nuk më largoheshin. Më kishte ardhur të qaja të bërtisja, por kot dhe drejt asgjësë. Më ngjitën një kat më lart me të burgosurit e tjerë. Thashë që tani do më përgatisnin ndonjë rreng. Aty takova Et’hem Çakon, antikomunist dhe eksponent i Ballit Kombëtar, pastaj dhe Llukman Lutfiun, nga Tetova, që kishte zbritur me parashutë bashkë me Çakon, nga Italia. Gjeta dhe mjekun Aleksandër Kalivopulli, që ishte burgosur, gjoja sikur kishte shkëmbyer letra me një mjek grek. Këtë letër, ai do ia dorëzonte Kosta Filit dhe dy shokëve të tij. Ata, nëpërmjet dredhive perfekte të Sigurimit, kishin ardhur nga Greqia, për të marrë ca florinj, dhe do të ktheheshin prapë atje.
Mbaheshin aty si dëshmitarë, sikur i kishin nisur grekët për t’u lidhur me Teme Sejkon dhe Aleksandër Kalivopullin. Gjeta aty dhe një minoritar tjetër, Kosta Mendja, i burgosur me të njëjtin skenar si ata. Madje ai ishte detyruar t’i dilte dëshmitar, Temes dhe Aleksandrit. I gjori gati sa s’kishte humbur mendjen nga torturat. Por për çudi dhe këtij i’u rikthye arsyeja. Ti shihje të dy Aleksandrin dhe Kosta, flinin të dy ngjitur, sikur s’kishte ndodhur asgjë. Atëherë përse duhet t’i fajësoja unë, Aliun dhe Selimin? Të dy ata janë viktimë e të njëjtit skenar ashtu si dhe unë. Në atë dhomë ishte dhe Isa Libohova, gjirokastrit, por i martuar në Shkodër. Ky ishte burgosur se kontaktonte me diversantët që vinin nga Jugosllavia.
Kosta më tregoi se ky kishte rënë brenda pas vdekjes së Hilmi Seitit, kryetarit të Degës Punëve të Brendshme të Shkodrës, që ishte çam. Atë e eliminoi Sigurimi dhe për të humbur gjurmët, e varrosën me nderime të mëdha. Sajuan sikur Isai, u arratis në Jugosllavi, ndërsa familjen ja internuan. Kosta, vijonte të më thoshte se Hilmiu ishte mik me Teme Sejkon. Pyesja veten se cili ishte fajtor për gjithë këto gjëra. Sigurisht vetëm Enver Hoxha, kjo fytyrë djallëzore. Ç’i duhej atij që të vriste bashkë kombasit e vet? Por më pas u binda që ai ishte një imitues i Stalinit.
Në atë dhomë ishte dhe Ebdal Bilishti nga Korça, i cili kishte vendosur të kthehej në Shqipëri. E kishin dënuar 15 vite, edhe pse një intelektual i vërtetë që dinte disa gjuhë të huaja dhe kishte kulturë të gjerë artistike e historike. Dhe ndërsa ishte në burg, ishte sëmurur dhe kishte kërkuar ndihmë mjekësore për sytë. Studentët, praktikantë, e kishin verbuar dijetarin. Kavie njerëzore! Dhe ai thoshte që sytë m’i mori Enver Hoxha. Për Nuçi Labin, pata dëgjuar që në Çermë, që ishte patriot i vërtetë dhe se kishte luftuar për Shqipërinë etnike.
Në atë dhomë vëllain e tij, emrin e të cilit s’po e kujtoj dot, por mësova se paska qenë në Francë pas Revolucionit të Qershorit. Aty kishte njohur Enverin dhe Gogo Nushin. Ishte në burg që prej vitit 1945, për agjitacion kundër shtetit. Nën zë thuhej se ky njeri i dinte disa punë të liga të atyre dy burrave e që i paskëshin bërë në Francë. Enverin e quante kuzhinier politik të Shqipërisë.
Aty të shtirej në kokë qëllimi i përbindëshit: seleksionimi i viktimës. As që ma rrokte mendja se këto gjëra mund të ndodhnin diku në glob, natyrisht përveç Jugosllavisë. Një ditë më çuan nga ajo dhomë në hetuesi. Më priti një njeri xhentil. Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, tek të pesëdhjetat, i veshur me petkat e një zyrtari të rëndësishëm:
– Djaloshi – më tha (edhe ky fjalën e dashur e intime, djalosh përdorte) – tani mjaft e pengove hetuesinë, në gjyq do t’i përmbahesh deklaratës së dhënë në Krujë, në të kundërt do ta pësosh më keq se ç’kujton. Kjo që po të them me cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, është në interesin tënd e të jetës sate.
I’u ankova Prokurorit për torturat që po I’u bëhen prindërve të mi. Ai sikur ta kishte pickuar gjarpri, u hodh përpjetë.
- Shih, djalosh – lëri profkat, lëri ustallëqet e Beogradit që m’i ke mësuar përmendësh, këto i bëjnë ata, jugosllavët, jo ne. Ne nuk të kafshojmë pas shpine!
- Shoku prokuror, – I thashë, a mos je ti dhe ata që ty të kanë mësuar, një prokuror i lirisë dhe i dinjitetit njerëzor? Nuk dua përgjigje, jo. Këtë përgjigje le ta japin ata që mendojnë me kokën e tyre.
Ma ktheu shpinën Prokurori dhe doli. Mendoja se do të më bënte gjëmën me dorën e tij, por nuk ndodhi ashtu. Shpesh ndodh që shuplaka e të voglit, e huton të madhin, aq shumë kur ky i madhi është një gur shahu në duart e tjetër kujt.
Hynë hetuesit e mi si më të shkrifur e më të trimëruar. Demek, a e pe ç’të punoi e ç’të tha Prokurori i Përgjithshëm apo jo? E pra, ne të tërheqim vërejtjen edhe një herë. Ki kujdes në gjykim. Aty varet jeta jote. Na dhemb shpirti për ty se je i ri dhe s’po e sheh seriozisht situatën. Ndaj të porosisim ta pranosh veprën, në gjykim të jesh korrekt e të mos bësh marrëzira, ndryshe të pret dënimi kapital.
Në dhomë m’u sulën vargan mendimet, të mira e të liga bashkë. Shpresoja në mënyrë naive se kjo që po ndodhte me mua do t’i kishte kapërcyer muret e Sigurimit, por me ardhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërtesa prej rëre u shkërmoq. Atëhere i’u drejtova Llukmanit dhe Kostës, ç’të bëja? Si ta kuptoja vizitën e Prokurorit? Llukmani më tha, se s’i besohej se ka qenë Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, por po të ketë qenë, atëhere duhet ndërruar taktikë, duhet ta pranosh veprën e pabërë, që ta shpëtosh kokën. Isha i ri dhe e doja jetën, nuk doja të vdisja së koti. E ndjeva se po ligështohesha, se po më dridheshin duart e i tërë trupi, se i’a nisa të qajë. Pse, pse ma helmuan jetën ashtu? Pse ma vranë zemrën time të re? Kush do ta sqaronte pas vdekjes sime të vërtetën?
- Llukman – i thirra – të lutem, ç’më mëson, si të veproj?
- Vëllaçko – më tha butë e miqësisht – ti do të dënohesh pranove apo jo. Ndryshimi është se po s’pranove mund të kalosh më keq se mendon.
Edhe të tjerët kishin të njëjtin mendim.
- Mirë – u thashë – do ta pranoj veprën e pabërë. Po si do ta ndiejë veten nga ky turp që po i bëja vetvetes?! Çfarë do t’u them njerëzve kur të më pyesin më vonë? Si mund të jetoj unë me ndërgjegje të përlyer?
Të gjithë rrudhnin krahët por nga këshilla nuk hiqnin dorë. Nuk dija ç’të bëja. I shihja xhelatët me sëpatat e ngritura lart dhe kokën time vendosur mbi trung.
Po e pranoja “veprën” time dhe këta njerëz të pranishëm në të vërtetën e marrëzisë do të qenë dëshmitarët e parë. Të gjithë, sapo u thashë ashtu, u gëzuan pa masë dhe më përqafuan me radhë. Shihej qartë: i’u dhimbsej rinia ime e cila fluturonte për midis mjegullës mu në bazë të humnerës./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016