Nga Nazmi Berisha (Dyzi)
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Nazmi Berishës, me origjinë nga fshati Llap i Komunës së Podujevës në Kosovë, i cili i joshura nga propaganda e regjimit komunist dhe nga programet që jepte Radio-Tirana për “begatinë socialiste” si dhe për t’i shpëtuar metodave rankoviçiane të regjimit titist, në vitin 1960, ai vendosi që të arratisej dhe erdhi në Shqipëri, duke kaluar me not lumin Buna në të ftohtin e madh të atij dimri të egër. Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, se si u prit ai në atdheun amë, ku ushtarët dhe oficerët e kufirit e rrethit të Shkodrës, pasi e lidhën me tel, e dërguan në Degën e Brendshme, ku për 24 orë, nuk i dhanë as bukë për të ngrënë, e më pas e nisën për në qytezën e Shijakut ku ishte “Qendra e Filtrimit” të emigrantëve kosovarë. Aventura e djaloshit 20 vjeçar, nga Kosova që Sigurimi i Shtetit e akuzonte se: ishte agjent i UDB-së, që e kishte dërguar me mision sekret, Çedo Topalloviç, kryetari i UDB-së për Kosovën, për t’u takuar me Kundër-admiralin e Flotës Luftarake, Teme Sejko dhe torturat ç’njerëzore që i’u bënë atij, në Degët e Punëve të Brendshme të Lushnjes, Krujës, Tiranës etj., ku atë e mbanin të izoluar dhe i kërkonin që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke i nxjerrë si dëshmitarë, bashkëpatriotë të tij nga Kosova, dhe refuzimi i tij, që bëri që ai të kalonte plot 20 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Plus, që në punë do të shkoje me policë dhe po me ta do të ktheheshe. Le, të mungonte ndonjëri prej nesh! Qiellin e shponin sirenat, fshatrat i zinte lemeria nga alarmi, madje edhe dallgët e detit Adriatik ndiheshin keq. Nuk them jo, leje mund të merrje në polici për të shkuar deri në Lushnje.
Një ditë prej ditësh, Hazir Hazirin, e zunë gjoja me presh në duar. Paskej dalë jashtë territorit të kampit dhe kështu e sollën tek ne të lidhur duke e rrahur. Unë pashë atë që kurrë s’do ta harroja. Kryepolici, Veli Kondi, e kishte organizuar një familje në Vuthaj, fëmijët e së cilës pështynin në fytyrë të dënuarit, ashtu edhe Hazirin. Isha i tronditur pa masë dhe ndërkohë po kërkoja, si një gjë materiale, rrënjët e mendimit tim aq romantik. Një skenë aq e vrazhdë si ajo me Hazirin, bash si ato që kisha parë në gjykatat jugosllave, të detyronte të mendoje pak si hollë.
Bisha me emrin Veli Kondi, i inskenonte vetë tentativat për arratisje. Mjaft që të vinte syrin. Ishte bërë kështu si një regjisor i përsosur për të vënë në skenën e Çermës, shfaqje makabre. Nuk kisha takuar ndonjëherë një intrigant tjetër sa Veli Kondi. Një Jago i zakonshëm i romanit policesk shqiptar. – – Ku, ku vajtën mendimet e mia?
Viktimat e “ikjeve” Velikondiane ishin Sokol Jaha, Adem Gegaj, si dhe shumë kosovarë të tjerë, emrat e të cilëve pas kaq vitesh s’po më kujtohen. Ndërkohë nga të gjitha anët më vërsuleshin pyetjet pa fund, një ushtri me jeniçerë pyetjesh që i mbanin shpatat dhe ushtat ngrehur kundër meje. Pyetje që çdo ditë e më tepër merrnin më pak përgjigje. Ato më ndiqnin pas në sektor, teksa punoja me shat e më mbusheshin sytë me lot. Dhe kujtoja shokët e mi në xhiro dhe në Kino. Aty pari sa s’më çahej zemra prej marazit me veten. Doja shkollim tjetër unë. Doja të përsosesha intelektualisht!
Bukur, ja tek është Çerma, ja tek është shati, përsosu de, s’pordhjak. Me urrejtje e shihja veten dhe me urrejtje të shihnin gardianët e Veli Kondit, këtij Cereberi. Sikur ta çaje zemrën time, s’do të dilte gjak por pikëllim. Dhe përditë më fanepsej një grua-nënë, fqinjë me ne në Prishtinë, që qante e vajtonte me kuje djalin e vogël 3 muajsh, që i pat vdekur dhe unë asokohe habitesha se si mund të vajtohej aq shumë një kërthi. Mirëpo tani po e vuaja, unë i vetmuar po qaja i lebetitur me veten, fatin tim, ëndrrat e mia, zemërimin tim që po rritej nga dita në ditë.
Një ditë në kampin tonë të përqendrimit, paskej ardhur një i ri, rreth të tridhjetave. Ishte kosovar, ndaj dhe ne u vërsulëm tek ai, kush e kush t’i qe më pranë, kush e kush ta pyeste për gjithçka, të merrte një informacion prej vendit të tij. I riu quhej, Kapllan Resuli, tanimë i njohur prej të gjithëve, por atëhere edhe për ne në Kosovë, i dëgjuar si shkrimtar. E shikoja Kapllanin diçka larg dhe më vinte keq për të, si për veten time.
Megjithatë i’u prezantova dhe i kërkova të vendoset në barakën time. Ishte fat për mua që për shumë kohë kam jetuar bashkë me njeriun e madh dhe shkrimtarin patriot, Kapllan Resuli. Ai nxirrte mjaltë nga goja, sado që ato për të cilat fliste, qenë zeher. Paskej qenë i burgosur në Tetovë (ku kishte qenë mësues) dhe i dënuar një vit në Idrizovë të Maqedonisë, tregonte se: dëshmitar i paskej dalë Adem Gajtani, po ai që u kishte dalë sa e sa bashkëpatriotëve. Kapllani i kishte kërkuar Gajtanit që ta ndihmojë materialisht nënën e Adem Demaçit, pa e ditur se ky njeri ishte dëshmitar dhe spiun kundër Demaçit. Kapllani kishte qenë i martuar me një Tetovare, por pas burgosjes, gruan i’a kishte marrë Gajtani. Ndërkaq edhe të burgosurit e tjerë në Idrizovë, patën vendosur që Kapllani të arratisej në Shqipëri dhe atje të tregonte për monstruozitetet e UDB-së Jugosllave.
Ditët dhe netët e mia u mbushën me Kapllan Resulin. Në Kosovë ai njihej me mbiemrin Kallushi. Ishte bash ky njeri që jetës sime të atëhershme që i dha kuptim dhe në njëfarë mënyre e pasuroi. Kapllani, shkruante dhe mua më kaploi një fllad dhe po e ndjeja veten sikur të qeshë tjetër njeri. Dëshpërimi sikur po më venitej, shpresa po gjallërohej çuditshëm në trupin tim. Edhe dyshimet e mia nisën të më rrinë larg, ndonëse asgjë nuk kishte ndryshuar në jetën tonë të zymtë.
Më kujtohej ndërkohë një fjalë e mençur. Historinë e ndërtojnë personalitetet e fuqishme njerëzore, kurse të tjerët u shkojnë atyre pas. E tillë tingëllonte edhe ardhja e Kapllan Resulit në Çermë. Nuk isha më ai i heshturi, njeriu pa forca, por isha tjetër gjë, tjetër lëndë. Edhe unë përkrah tij nisa të shkruaj dhe Kapllani të më japë krahë ëndrrave të tjera. Unë isha lexuesi i parë i tregimeve të Kapllanit. Më kujtohet njëri nga tregimet, “Krisht”, por nuk ia botuan. Çensurë? Ndoshta. Veç Kapllani nuk u dekurajua. Vijonte të punonte sa kohë ishte i lirë me penën dhe letrën e bardhë.
Kapllani më tregonte për burgun e Idrizovës. Merjema, një grua e bukur, që vinte dhe takonte burrin e saj Hamza Shala, student kosovar, i cili e vuante burgun se kishte elektrifikuar fshatin e vet, Lagje. Autoritetet jugosllave, me anën e një Veli Kondiçi të atjeshëm, i’a kurdisën skenën, pastaj një të arratisur në Shqipëri e që qenkej çmendur. Dhe si përfundim – burg politik. Ishte ky një tregim real, jo imagjinatë si “Krishti”, që nëna e shkretë e kishte hequr Krishtin dhe pat vënë të birin. Më vonë, në burg, mora vesh se Kapllani tregimin e tij për Merjemen dhe Hamzain, e kishte trupëzuar në romanin e tij të njohur “Tradhtia”. Merjema ishte e kundërta e gruas së tij Tetovare, që ishte martuar me spiunin, Gajtan.
Ishin vite të turbullta ato të Çermës (1960-1961). Shqipëria u prish me rusët dhe dilte nga diktati i tyre kolonial. Ne shpresonim se mos tash fillonte të frynte era perëndimore. Ushqenim dhe shpresën e madhe: pavarësia e Shqipërisë lundronte përmbi të gjitha dallgët e dilemat.
Ishte dhimbje për mua, teksa Resuli tregonte për Idrizovën. Të burgosurit e atjeshëm, shqiptarë, e kishin pritur si një hero, i’a patën siguruar letër e laps, i’a lanin rrobat, i’a gjenin ushqimin, ia bënin të gjitha shërbimet. Sytë e Kapllanit rrëmbusheshin nga mallëngjimi, ndërsa mua më gufonte në shpirt një inat i batërdisur. Ato që tregonte qenë ngjarje të mëdha për njeriun e ndershëm. Ç’shpirt që vlon te njeriu i thjeshtë. Dergjeshin shqiptarët nëpër burgje sepse e donin lirinë, drejtësinë shoqërore dhe arsimin kombëtar. Ndaj duhej të shkruante Resuli dhe shokët e tij, t’ia bënin të qartë botës gjithçka ndodhte. E ç’të them më tej për Kapllan Resulin, për talentin e tij, për vullnetin e paepur, për planet krijuese, për mendjen e ndritur dhe trimërinë e tij?
Po mbushja dy vjet në Çermë, kurse Kapllani ishte rishtas. Ai mbase e tejkalonte me gjenialitetin e tij krijues zymtësinë, banalitetin e përditshëm, ndaj dhe ngrihej mbi vogëlsitë dhe jetën monotone të kampit. Ndërkaq dëshpërimi im kishte mbetur diku tej, në një breg të panjohur. Më dukej sikur merrja frymë më lirë, sikur isha më i hareshëm e optimist. E vetmja brengë imja, mbetej mos vazhdimi i shkollës, për të cilën s’pushoja së ëndërruari. Dhe katalizatori im shpirtëror ishte Kapllan Resuli. Ai më përtëriu mu në çastet e krizës së madhe, më dha dorën e më ngriti nga gremina ku po fundosesha. Pyetjet e mia të brendshme morën arratinë, dilemat m’u bënë edhe më të largëta.
Resuli sikur më merrte për dore e më gjezdiste nëpër ëndrrat e tij, si të isha një fëmijë i vogël. Shëtitjet e mia i binin kryq e tërthor një botë të madhe, një mjegullnaje që detyrimisht duhej davaritur. Isha i magjepsur prej vizioneve të tij humanitare, nga dashuria e tij e pakufishme për të vërtetën. Një ditë kokë ulur ashtu si kthehesha nga puna, më njoftuan që të shkoja në polici, në Lushnje. Kaq duhej që të më vërsuleshin pyetjet e pashpirta. Mos vallë pse, kisha bërë një foto në përmendoren e pavarësisë në Vlorë para pak ditësh? Apo mos vallë pse foton e kisha nisur për në Prishtinë tek prindërit e mi? Ndoshta për një foto tjetër kur kisha dalë zbathur gjatë punës në verë se edhe atë e kisha nisur në Prishtinë? Qëllimi im kishte qenë i mirë.
Doja t’u tregoja prindërve se përmendorja e pavarësisë është gjë e shenjtë dhe për tjetrën se jeta mikroborgjeze në Shqipëri është diçka e tejkaluar. Atëherë ç’faj kisha bërë? Arsyetoja anash-anash dhe s’i bija dot në të. Kishte pasur raste që i vetmuar qaja, por me askënd nuk i pata pjesëtuar mendimet e mia. S’besoj se isha fajtor që po gjallërohesha e po humbisja pikëllimin tim? Pyetjet nuk m’u ndanë edhe gjatë gjithë rrugës të nesërmen. Dhe ndërkohë i mbushja mendjen vetes se më thërriste policia shqiptare dhe jo ajo jugosllave. E ky mendim sikur më ravijëzonte përbrenda një farë buzëqeshjeje. Pyetjet e shumta dhe tragjizmi i kotë i gjendjes ndoshta qenë pasojë e moshës sime minore e të papërvojë.
Personi që më kërkonte në zyrë vinte nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë. Kjo sikur m’i shtoi dyshimet. Megjithatë e pashë në sy të dërguarin pa pikë mëdyshjeje. Bash atë çast e ndjeva veten të qetë. E ç’ishte nevoja për t’u alarmuar? Mos vallë isha njeri i panikut, i parandjenjave, i…?
– “Ulu” më foli bashkëbiseduesi, madje buzagaz. U ula. Vezullimi i buzëqeshjes së tij më dha kurajë. Dhe natyrisht më pyeti për motivin e ardhjes sime në Shqipëri, për rrugën e bërë, për gjithçka që edhe më parë isha pyetur. Është e kuptueshme që u përgjigja me sinqeritetin tim karakteristik. S’kisha çfarë fshihja, ashtu si kishte ndodhur edhe më parë. M’u ngroh zemra që nëpunësit ministror po i pëlqenin ç’po thosha. Befas u ngrit në këmbë e tha:
– Ja, neve na vlejnë njerëz si ti, patriotë, ushtarë besnikë të atdheut, të lirisë e të pavarësisë së tij.
S’kisha si të mos gëzohesha. Për herë të parë në Shqipëri dëgjoja fjalë të tilla. Isha gati të shpërtheja në dënesë nga një lloj mallëngjimi që m’u ngrit në fyt. Ishte një dallgë e papërmbajtshme. Pra, ky njeri me autoritet të lartë po ditke të ndante shapin nga sheqeri! Në fund më tha që të shkoja në Çermë, sepse me patriotë të vërtetë siç qenkësha unë nuk kishte kurrë telashe…!
Kthimi im në Çermë ishte si një fluturim. Kushdo mund ta kuptonte që atje tej ngazëllimin tim. Një zë i brendshëm më përkëdhelte. Sedra ime qe përgëzuar. Mund ta quaja veten të lumtur. Seç m’u mbush mendja top që pas kësaj bisede, mua me siguri do të më çonin në shkollë. S’kishte pse të mos ndodhte ashtu. Dhe po ëndërroja, po zgjidhja madje edhe qytetin se ku. Sigurisht do të doja në Vlorë, qoftë edhe pse aty qe shpallur pavarësia.
Merret me mend që gëzimin tim, tërë intimitet, i’a përplasa në prehër Kapllanit, ashtu siç qe i shtruar këmbëkryq mbi sofrën e frymëzimeve të tij. Ai e kapi nervin tim e për të më larguar disi, më lexoi diçka për Merjemen e Idrizovës. As që e përfytyroja dot veten duke shprehur ndjenjat e mia të thella me anë të personazhit të dashur. Ndërkaq poezia e shkrimtarit sikur po ma prishte poezinë e shpirtit tim. Asaj nate unë nuk isha i kurrkujt. I takoja veç vetvetes, gëzimit tim egoist. As gjumi s’mund të më rrokte me flatrat e tij. Shihja sy hapur një diell të madh si asnjëherë më parë.
Të nesërmen në mëngjes më njoftuan se duhej të shkoja në Degën e Lushnjes aty nga ora dymbëdhjetë. Rruga ishte tashmë pa dyshime, pa brengë. M’u prezantua një oficer i ri, i cili quhej, Hajri. Ky oficer më vuri në dukje besimin e Partisë ndaj meje, foli gjatë për synimet e titistëve jugosllavë ndaj Shqipërisë, për vigjilencën e për ç’ka tjetër nuk foli ai. Prej meje, si patriot dhe njeri me besë, kërkohej diçka duhej të informoja për gjithçka ndodhte në kamp, për elementët jo të besës, sepse mes nesh paskej agjentë të Jugosllavisë.
Më dha kështu një deklaratë për të nënshkruar. Aty shkruhej pseudonimi im “Mali i Bukur” se tash e tutje obligohesha që të njoftoja Sigurimin, për ç’ka dëgjoja të flitej kundër Partisë e Shqipërisë. Letrat duhej t’i nënshkruaja me pseudonim. E nënshkrova deklaratën, si i trullosur por bash atë çast diçka më shtrëngoi fort për fyti. Përse kjo duhej të ndodhte atë ditë? Pse pikërisht mua? Pra do të denoncoja për shokët me të cilët haja e pija! Isha, ndërkohë, i bindur se në kamp asnjë s’qe i dërguar i UDB-së. Të gjithë ishin të penduar, të pikëlluar, të përmalluar, të dëshpëruar. Krimbi u zhyt në ndërgjegjen time: po sikur të jetë ndonjë? Po ta dija cilin unë vetë do të njoftoja për ketë edhe pa e nënshkruar atë deklaratë! Atëherë, ç’qëllim fshihet?
U ktheva në Çermë. Shpirtin ma gërricte me thonj macja e padukshme me egërsi të pashoqe. Zemra më qe mbledhur shuk nga hidhërimi. Isha nervoz dhe tejet i shqetësuar. Ende pa arritur te shokët, ndjeja neveri për vetveten! Unë, spiun i shokëve! Jo, kurën e kurës! Mirëpo ti e nënshkrove deklaratën pa! Punë e madhe se e kam nënshkruar! Ndërdyshja për t’ua thënë hapur shokëve ishte e madhe! Të tjera telashe këto për një shpirt të ri e të padjallëzuar. Damkosje me turp, ja ç’kishte ndodhur. Apo marri e çastit? Ndoshta thjesht një kurth, e unë minori rashë i tëri brenda.
Jo s’mund të duroja gjatë. Sa gjeta volinë, u’a thashë shokëve, bashkë me ta edhe Kapllan Resulit. Të gjithë më thanë të hiqja dorë nga ky poshtërim. Sigurimi quante gjë të madhe një letër të firmosur prej meje, sesa gatishmërinë time për të dhënë jetën për interesat e Shqipërisë! Fyerje e rëndë, vërtet. Po pse nuk i’a thashë këto atij oficerit? Mallkim dhe poshtërim. Kombi në fyt s’më linte as të merrja frymë. Ç’të bëja? Shokët e mi të fatit e të vuajtjeve ndërkaq më këshilluan që t’u rri larg këtyre punëve. Edhe po të më thërrisnin në polici, të mos shkoja. Ja, kjo ishte e gjitha. Pikë.
Janë shokët e mi që më shpëtuan nga katastrofa ime morale. Deklarata ishte thjesht një imponim dhe një letër ashtu e shkruar me makinë shkrimi dhe me firmën time s’mund ta fyej krenarinë, dinjitetin tim. Sepse zemra ime foli hapur që atë ditë, mynxyrën. Dhe kjo është deklaratë e pamposhtshme! Nuk vonoj dhe më thirrën në polici. Atëhere unë parashtrova, me gjakftohtësi të madhe gjykimin tim, nuk më ka rënë të dëgjojë asgjë, nuk po rri me askënd, nuk di kurrgjë se ç’flitet, jam i burgosur dhe spo më lejohet shkollimi, sepse sa shkoj në barakë më zë gjumi, etj.
Dhe oficeri nevrikosej, helm e vrer bëhej, megjithatë përmbahej. Sipas oficer Hajriut ç’patriot isha unë, hë? Po shoku oficer, unë jam patriot, jo sipas kutit tënd! Kam të drejtë të jetoj me ndërgjegjen e pastër ndaj shokëve të mi…! Pas një muaji përsëri në Degën e Lushnjës. Shkova me një makinë të rastit, pa u përshëndetur me shokët. Kjo ishte ndarja ime me Kapllanin! O Zot, as që e mendoja. Në polici takova Sali Shatrin dhe Remzi Berberin. Me Saliun isha njohur në Shijak, ndërsa atë të dytin e shihja për herë të parë. Sali Shatri ishte nga Istogu i Pejës. Ai më pat uruar në Shijak ‘’shëndet e fat në Shqipëri!
Për çudinë time, Sigurimi më rimori në pyetje. Asnjë gjë për kureshtjen e kujtdo. Qenë ato pyetje që tanimë janë fort të njohura. Syri i pyetësve nuk lëvizte. Në fytyrat e tyre kishte maskë. E unë nuk mundja të shihja se ç’bëhej në shpirtin e tyre. Minuta të gjata dhe intervalet e pyetje – përgjigjeve edhe më të gjata. As që e kisha vënë re se ai që më pyeste ishte Sali Shatri. Spaletat i qenë zverdhur si gjethe vjeshte. Syri kërkonte diçka në brendësinë time. Unë prisja i ulur mbi vullkan. Nevrasteni. Seriozitet me të tepërt. Sqarime plotësuese pakënaqësi eprore. Pas pak më thanë se duhej të shkoja me ta. Ku po më çonin ashtu?! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016