Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ndërtimit të veprave më të mëdha hidro-energjitike të ngritura në Shqipëri, para viteve ’90-të, të cilat u projektuan, financuan dhe u ndërtuan edhe me ndihmën e jugosllavëve, sovjetikëve dhe kinezëve. Historia, nga hidrocentrali “Lenin” i Selitës që përfundoi në vitin 1951, “Karl Marks” dhe “Frederik Engels” i Ulzës e Shkopetit, mbi lumin Mat, “Josif Visarianoviç Stalin” në lumin e Bistricës, e “Mao Ce Dun” i Vaut të Dejës, “Drita e Partisë’ i Fierzës, deri tek “Enver Hoxha” i Komanit mbi kaskadën e lumit Drin, që përfundoi në vitin 1985, si dhe mendimi shkencor i specialistëve shqiptarë si: Egon Gjadri, Petrit Radovicka, Bardhyl Reso, Llazar Papajorgji, Alfred Paloka, Engjëll Cuçi, etj., për këto vepra që dikur plotësonin nevojat e vendit dhe eksportonin 25 % të prodhimit të tyre…!
Pas viteve ‘90-të, si rezultat i ndryshimit të mënyrës së jetesës së familjeve shqiptare dhe gjithashtu ekonomisë së tregut, nevoja e furnizimit të popullatës dhe bizneseve, me energji elektrike, shënoi një rritje galopante në krahasim atë të para viteve ’90-të, gjë e cila në periudha të ndryshme kohore, kur vendi ynë është përfshirë nga thatësira të tej zgjatura dhe mungesë reshjesh, ka pasur edhe kriza e të thella energjetike, që janë zgjidhur nëpërmjet importit të energjisë.
Cilat janë veprat hidro-energjitike që u ngritën në Shqipëri, para viteve ’90-të, ku janë të shpërndara ato, nga kush u projektuan dhe u ndërtuan, sa është fuqia e instaluar e tyre e prodhimi mesatar vjetor i energjisë elektrike dhe cili është mendimi shkencor i specialistëve më të mirë të energjitikës shqiptare, për ato vepra të cilat dikur 25 % të prodhimit të tyre e kishin për eksport dhe aktualisht vazhdojnë të jene burimi kryesor i furnizimit për ekonominë e vendit! Memorie.al po sjell një historik të shkurtër të tyre, duke u bazuar kryesisht në faktet, të dhënat e studimet që janë botuar, para viteve ’90-të në revistën “Buletini Shkencor i Energjisë”, nga specialistët shqiptarë më të mirë të kësaj fushe.
Hidrocentrali “Lenin” i Lanabregasit me ujin e Selitës
Duke përjashtuar ndërtimin e hidrocentralit të Vithkuqit në rrethin e Korçës, që u ngrit në vitin 1933, nga regjimi i Monarkisë së Zogut, i cili kishte një kapacitet modest të prodhimit të energjisë, historia e ndërtimit të hidrocentraleve të para në Shqipëri, fillon me atë të Lana-bregasit, apo siç njihet ndryshe: Hidrocentrali “Lenin” i Selitës, që ndodhet në periferinë lindore të qytetit të Tiranës. Kazmat e para për fillimin e punimeve të ndërtimit të asaj vepre hidro-energjitike e cila ishte projektuar nga specialistët dhe inxhinierët jugosllavë, për t’i dhënë dritë vetëm qytetit të Tiranës, nisën aty nga pranvera e vitit 1947 dhe punimet e tij, përfunduan më datën 8 nëntor të vitit 1952, kohë në të cilën ai u vu në shfrytëzim.
Ndërtimi dhe vënia në shfrytëzim e asaj vepre, u bë e mundur edhe nga ndihma e kreditë e qeverisë jugosllave të akorduara shtetit shqiptar, që asokohe sapo kishte dalë nga Lufta dhe ishte tejet i varfër e i prapambetur. Për të vënë në lëvizje turbinat e atij hidrocentrali, u përdorën burimet natyrore të ujit, që rridhte nga nëntoka e Selitës dhe e Shën-mërisë, prej nga që në atë kohë dhe për shumë vjet më pas, furnizohet me ujë të pijshëm qytetin e Tiranës. Uji i përftuar nga ato burime, pasi kalon nëpërmjet gjashtë tuneleve (të ndërtuar në atë kohë), futet nëpër dy tubacione paralele, që bien thikë mbi turbinat e Hidrocentralit të Lana-bregasit, nga një lartësi prej 630 metra.
Sipas specialistëve të hidro-energjitikës shqiptare (të botuara në statistikat e mesit të viteve ’80-të), ai hidrocentral, ka një fuqi të vendosur prej 5 mijë kw. me dy agregate dhe me prodhim vjetor të energjisë elektrike, që shkon deri në rreth 40 milion kwh. Ndryshe nga hidrocentralet e tjerë që u ndërtuan më pas në vendin tonë, ai i Selitës, i ka të futura nën tokë edhe ndërtesën e centralit elektrik dhe nënstacionin e tij. Aty nga viti 1963, prurjet e ujit në atë hidrocentral, erdhën duke u shtuar, gjë e cila bëri të mundur edhe rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në atë vepër, uji i të cilës përfundon në Ujësjellësin e Tiranës dhe furnizon ende dhe sot banorët e kryeqytetit.
Hidrocentrali “Karl Marks” i Ulzës mbi lumin Mat
Menjëherë pas ndërtimit dhe vënies në shfrytëzim të Hidrocentralit të Selitës, aty nga viti 1952, filloi ndërtimi i një hidrocentrali tjetër mbi lumin e Matit, pranë liqenit të Ulzës. Ashtu si hidrocentrali i Selitës, edhe për atë që po ndërtohej mbi lumin Mat, projektet e para ishin bërë prej specialistëve jugosllavë, por që me prishjen e marrëdhënieve zyrtare, ndërmjet dy vendeve, ato u lanë përgjysëm. Hidrocentrali i Ulzës vazhdoi dhe u ndërtua me ndihmën e specialistëve dhe inxhinierëve sovjetike, duke u vënë në shfrytëzim në vitin 1957. Në atë vepër hidro-energjitike u ndërtua një digë betoni me një lartësi prej 60 metra dhe me një gjerësi prej 260 metra, në pjesën më të lartë të saj.
Aty është vendosur edhe vepra e marrjes së ujit, së bashku me ndërtesën e centralit dhe atë të shkarkimit sipërfaqësor, për efekt të prurjeve të mëdha, e cila përbëhet nga katër hapësira. Ndryshe nga veprat e tjera hidro-energjitike, të ndërtuara më pas në vendin tonë, karakteristikë e Hidrocentralit të Ulzës, është se: salla e makinerive, është vendosur brenda në trupin e digës, e cila ka një vëllim prej 260 mijë metrash kub beton. Nga ndërtimi i asaj dige mbi lumin Mat, është përftuar një rezervuar (liqen), me një vëllim të përgjithshëm prej 240 milion metra kub ujë. Në përfundimin e tij, ai hidrocentrali kishte një fuqi të vendosur prej 25.6 mijë kw, me katër agregate dhe me një prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike, që shkonte deri në rreth 120 milion kwh.
Hidrocentrali “Frederik Engels” mbi lumin Mat në Shkopet
Hidrocentrali i tretë i ndërtuar në vendin tonë dhe i dyti mbi lumin Mat, është ai i Shkopetit, i cili para viteve ’90-të njihej ndryshe me emrin “Frederik Engels”. Punimet e para të asaj vepre hidro-energjitike, të ngritur mbi Grykën e Shkopetit, filluan në vitin 1959, me ndihmën e specialistëve dhe inxhinierëve sovjetikë, të cilat pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare, në mes dy vendeve në fundin e vitit 1961, u larguan duke e lënë atë përgjysëm.
Ndërtimi i tij vazhdoi më specialistët dhe inxhinierët shqiptarë, të cilët bënë të mundur përfundimin dhe vënien e tij në shfrytëzim, në vitin 1963. Për ndërtimin e atij hidrocentrali u ngrit një digë e lartë prej 47.7 metrash, e cila është ndërtuar në formë harku, ku dhe janë vendosur: shkarkuesi sipërfaqësor i prurjeve të mëdha, sistemi i sjelljes së ujit, së bashku me veprën marrjes e tunelin e sjelljes, kulla e ekuilibrimit, ndërtesa e centralit dhe nënstacioni elektrik. Ajo vepër hidro-energjitike, në përfundimin e saj shënonte një fuqi të vendosur prej 24 mijë kw., me dy agregate dhe me prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej rreth 90 milion kwh. Diga e atij hidrocentrali krijon një rezervuar (liqen), të madh me një vëllim prej 14 milion metër kub ujë, i cili veç të tjerash, prej vitesh është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet edhe për peshkim nga banorët e fshatrave përreth tij dhe më gjerë.
Hidrocentrali “Josif Visaranioviç Stalin” i Bistricës
Hidrocentrali i katërt i ndërtuar në vendin tonë, është ai mbi lumin Bistricë, i cili para viteve ’90-të, është njohur ndryshe me emrin “Josif Stalin”. Ajo vepër hidro-energjitike, filloi të ndërtohej në vitin 1960, me ndihmën e specialistëve dhe inxhinierëve sovjetikë, por me prishjen e marrëdhënieve në mes dy vendeve, ata e lanë përgjysëm dhe ndërtimi i saj, u bë i mundur në sajë të specialistëve dhe inxhinierëve shqiptarë, të cilët e përfunduan atë duke e vënë në shfrytëzim në vitin 1965. Në atë vepër hidro-energjitike, janë ndërtuar: një digë me një lëndë speciale e cila është 17 metra e lartë, shkarkuesi i prurjeve të mëdha tip kulle, sistemi i sjelljes së ujit, me veprën e marrjes së ujit pranë digës, tubacioni i sjelljes së ujit prej betoni të armuar, tuneli i sjelljes me një gjatësi prej 3.8 km., kulla e ekuilibrimit dhe tre tubacionet e turbinave, si dhe ndërtesa e centralit dhe nënstacioni elektrik.
Në përfundimin e punimeve dhe vënin në shfrytëzim të atij hidrocentrali, fuqia e vendosur e tij shënonte 22.5 mijë kw, me tre agregatë dhe me një prodhim vjetor prej rreth 110 milion kw/h. Me mbarimin e kësaj vepre, e cila e shtoi së tepërmi prodhimin e energjisë elektrike në vendin tonë, filloi menjëherë ndërtimi i një hidrocentrali tjetër, po mbi atë lumë, i cili u quajt “Bistrica 2”. Ky hidrocentral funksionon me anë të ujit që e merr nga një kanal i hapur, që rrjedh prej hidrocentrali tjetër, (atij nr.1). Hidrocentrali nr. 2, i cili u vu në shfrytëzim në vitin 1966, shënonte një fuqi të vendosur prej 5 mijë kw me një agregat dhe me një prodhim vjetor mesatar të energjisë elektrike prej 34 milion kwh.
Hidrocentrali “Mao Ce Dun” i Vaut të Dejës mbi Drin
Pas përfundimit të ndërtimit dhe vënies në shfrytëzim, të dy hidrocentraleve mbi lumin Bistricë, duke parë se nevojat e vendit, për energji elektrike po rriteshin gjithnjë e më shumë, (kjo më tepër me ngritjen e ndërtimin e disa veprave të reja industriale), qeveria shqiptare e kryeministrit Mehmet Shehu, vendosi ndërtimin e një hidrocentrali tjetër, i cili u planifikua të ngrihej mbi lumin Drin, në vendin e quajtur Vau i Dejës, pak km. në veri-lindje të qytetit të Shkodrës. Kazmat e para për ndërtimin e atij hidrocentrali, (për të cilin ishin bërë studime fillestare që në vitin 1915 nga një inxhinier italian), u hodhën aty nga viti 1967, ndërsa përfundimi dhe vënia në shfrytëzim e tij u bë e mundur vetëm në vitin 1971.
Përfundimi i asaj vepre hidro-energjitike e cila u bë realitet edhe në sajë të ndihmave dhe kredive të dhënë nga qeveria kineze, u konsiderua një ngjarje e madhe, pasi me fuqinë e instaluar aty, prodhimi i energjisë elektrike, pësonte gati një dyfishim të kapaciteteve të tij. Për ndërtimin e atij hidrocentrali u ngrit një digë mbi fshatin Zadejë dhe një në Qyrsaq, ku në këtë të dytën, është ndërtuar edhe tuneli i devijimit të lumit Drin, i cili është përshtatur edhe për prurjet e mëdha gjatë shfrytëzimit të tij. Në Qyrsaq, në digën e ndërtuar prej betoni e cila është 60 metra e lartë, janë vendosur edhe shkarkuesi i një pjesë të prurjeve të mëdha të lumit, si dhe vepra e marrjes së ujit.
Në vazhdim të saj është ndërtuar diga me gurë dhe bërthamë deltine, e lartë 46.4 metra, e cila mbyll qafën e Qyrsqit, tubacionet e turbinave me ndërtesën e centralit dhe nënstacionit elektrik. Ndërtimi i këtyre dy digave, ka bërë të mundur krijimin e një rezervuari (Liqeni i Vaut të Dejës), i cili ka një vëllim përafërsisht prej 580 milion metër kub ujë. Në përfundim të asaj vepre, ai hidrocentral shënonte një fuqi të vendosur prej 250 mijë kw, me pesë agregate dhe me një prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej rreth 1.1 miliard kwh.
Hidrocentrali “Drita e Partisë” i Fierzës mbi Drin
Pas përfundimit dhe vënies në shfrytëzim të hidrocentralit “Mao Ce Dun” të Vaut të Dejës, qeveria shqiptare e asaj kohe pas vendimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, vendosi që mbi lumin Drin, të ndërtohej edhe një vepër tjetër hidro-energjitike, e cila do të kishte një fuqi të instaluar, pothuaj sa të gjitha hidrocentralet e tjera të ndërtuara deri në atë kohë, të marra së bashku. Qëllimi kryesor i ndërtimit të asaj vepre gjigante hidro-energjitike, (diga e së cilit konsiderohej më e madhja në Europë), ishte furnizimi me energji elektrike i Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, i cili ishte konsumatori më i madh i energjisë, në të gjithë vendin. Fillimet e para të punës për ndërtimin e këtij hidrocentrali, i cili do të ndërtohej mbi lumin Drin (në vendin e quajtur Fierzë), e kanë zanafillën në muajin nëntor të vitit 1971 dhe ajo u bë e ditur nga kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu, gjatë një vizite pune që ai pati në qytetin e Shkodrës, ku “dha sihariqin e madh të Partisë”.
Për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës, i cili ashtu si pjesa më e madhe e veprave të tjera hidro-energjitike, të ngritura deri në atë kohë në vendin tonë, u bë i mundur në sajë të ndihmës ekonomike e financiare dhe kredive të dhëna nga qeveria kineze për Shqipërinë, u ngrit një digë me gur dhe zhavorr dhe me bërthamë deltine, e cila është 166 metra e lartë. Pranë asaj dige janë ndërtuar: sistemi i sjelljes së ujit, me veprën e marrjes dhe katër tunelet e turbinave, ndërtesa e centralit dhe nënstacioni elektrik, dy tunelet e shkarkimit të prurjeve të mëdha, si dhe dy tunelet e devijimit të lumit që u përdorën gjatë ndërtimit të tij. Me përfundimin dhe vënien e tij në shfrytëzim në vitin 1978, ai hidrocentral kishte një fuqi të vendosur prej 500 mijë kw, me katër agregate, me prodhim mestar vjetor që shkonte në rreth 1.8 miliard kwh.
Nga ndërtimi i digës së atij hidrocentrali është formuar një liqen artificial me një vëllim prej 2.7 miliard metër kub ujë. Ashtu si edhe hidrocentrali “Mao Ce Dun” i Vaut të Dejës, ai i Fierzës u ngrit me pajisjet dhe makineritë, të ardhura nga Republika Popullore e Kinës, me të cilën qeveria shqiptare kishte kontraktuar, vite më parë kur marrëdhëniet në mes tyre, ishin tepër të ngushta dhe miqësore. Për ndërtimin e asaj vepre të madhe hidro-energjitike, e cila deri në atë kohë mbante dhe peshën më të madhe, në furnizimin me energji elektrike në të gjithë vendin, punuan me mijra e mijra punëtorë, teknikë, specialistë dhe inxhinierë, jo vetëm nga krahinat e Veriut të Shqipërisë, si Shkodra, Tropoja, Kukësi, Puka, Mati, Mirdita, Laçi, etj., por edhe nga rrethet e tjera, deri nga Jugu i Shqipërisë.
Hidrocentrali “Enver Hoxha” i Komanit mbi Drin
Hidrocentrali i tretë dhe i fundit që u ngrit mbi lumin Drin, por i fundit edhe në Shqipëri, është hidrocentrali i Komanit (ndodhet në vendin e quajtur Gryka e Melgunit), mbi lumin Drin, i cili para viteve ’90-të, është njohur ndryshe me emrin Hidrocentrali “Enver Hoxha”. Fillimi i punimeve të asaj vepre hidro-energjitike, e cila është dhe më e madhja jo vetëm mbi kaskadën e lumit Drin, por edhe në të gjithë vendin tonë, e ka zanafillën në vitin 1979 dhe përfundimi i tij e vënia në shfrytëzim, u bë e mundur vetëm në vitin 1985. Ashtu si hidrocentrali i Fierzës, qëllimi i ndërtimit të hidrocentralit të Komanit, ishte furnizimi me energji elektrike, i një pjese të madhe të veprave të ndryshme industriale, të ngritura ndër vite në disa rrethe të vendit, të cilat përfitonin edhe pjesën me të madh të prodhimit, të këtyre dy veprave hidro-energjitike.
Për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës, janë ngritur: diga e madhe me gurë dhe ekran prej betoni të armuar, sistemi i sjelljes së ujit, me veprën e marrjes, dy tunelet e sjelljes, dy kullat e ekuilibrit dhe katër tunelet e turbinave, ndërtesa e centralit me nënstacionin elektrik, dy tunelet e shkarkimit të prurjeve të mëdha, gjatë shfrytëzimit dhe dy tunelet e devijimit të lumit gjatë ndërtimit. Nga ndërtimi i digës është bërë e mundur, krijimi i një rezervuari (liqeni artificial), i cili zë një sipërfaqe prej rreth 12 km. katror dhe një vëllim uji prej 450 milion metër kub.
Ndryshe nga veprat e tjera hidro-energjitike, të ngritura deri në atë kohë në Shqipëri, kryesisht ato mbi lumin Drin, të cilët u ndërtuan edhe me ndihmat e kreditë e dhënë nga qeveria kineze, hidrocentrali i Komanit u ndërtua me asistencën teknike të specialistëve dhe inxhinierëve të ndryshëm, që qeveria shqiptare kontraktoi nga disa shtete të Evropës, kryesisht ata francezë, të cilët u morën edhe me montimin e turbinave gjigante. Me përfundimin dhe vënien në shfrytëzim të asaj vepre, ai hidrocentral shënonte një fuqi të vendosur prej 600 mijë kw, me katër agregate dhe me një prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej 2 miliard kwh. Pjesa më e madhe e prodhimit vjetor të energjisë elektrike, që përftohej nga hidrocentrali i Komanit, përdorej për nevojat e brendshme të vendit (në vepra industriale dhe konsum familjar), dhe 25 % e saj shkonte për eksport. Në ndërtimin e këtyre veprave gjigante të hidro-energjitikës shqiptare (Vau i Dejës, Koman dhe Fierzë), përveç punës dhe djersës të mijra e mijra punëtorëve (ku dhjetëra prej tyre humbën edhe jetën nga aksidente të ndryshme në punë), punuan e drejtuan me kompetencë të lartë profesionale edhe disa emra të njohur, para dhe pas viteve ’90-të, si Emin Musliu, Besnik Bekteshi, etj.
Ndërtimi i dy TEC-ve dhe dhjetëra hidrocentraleve lokalë
Përveç ndërtimit të hidrocentraleve të Selitës, Bistricës, (1 dhe 2) Ulzës, Shkopetit, Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit, rrjeti hidro-energjitik i Shqipërisë furnizohej edhe nga dy TEC-e (Termo-elektrocentrale), të madhej, të ndërtuara në Korçë dhe në Fier. Po kështu, përveç këtyre veprave të mëdha, që ishin dhe baza kryesore e prodhimit të energjisë elektrike në vend, gjatë periudhës së regjimit komunist, të para viteve ’90-të, pothuaj në të gjithë Shqipërinë, ishin ngritur edhe disa dhjetra hidrocentrale, të vegjël lokalë, të cilët përdoreshin kryesisht për furnizimin me energji të fshatrave dhe zonave të tjera të banuara, ku ata ishin ngritur. Pjesa më e madhe e këtyre hidrocentraleve të vegjël, apo më mirë të themi e ish-hidrocentraleve, (pasi nga kalimi i viteve ato janë amortizuar tërësisht dhe pas viteve ’90-të, shumë pak prej tyre janë në gjendje për të prodhuar energji), u ndërtuan në rrethet e Korçës, Librazhdit, Tepelenës, Elbasanit, Tiranës etj., të cilët përshkohen nga lumenjtë e Devollit, Vjosës, Shkumbinit, Erzenit, me burimet e të cilave ushqehen ata.
Koha e ‘artë’ kur Shqipëria plotësonte nevojat e vendit dhe eksportonte 25 % të prodhimit të energjisë së saj…!
Nisur nga rritja dhe zhvillimi i madh i veprave hidro-energjitike, që u ngritën në Shqipëri deri në vitin 1985, kohë në të cilën përfundoi edhe hidrocentrali i Komanit, u ndje e nevojshme edhe botimi i një reviste të veçantë, që do të trajtonte vetëm temën e energjitikës. Kjo gjë u bë e mundur vetëm në vitin 1986, me fillimin e botimit të revistës “Buletini Shkencor i Energjitikës”, revistë në të cilën publikuan shkrimet dhe studimet e tyre, pjesa më e madhe e specialistëve apo dhe studiuesve të kësaj fushe, si: Egon Gjadri, Petrit Radovicka, Bardhyl Reso, Llazar Papajorgji, Alfred Paloka, Engjëll Cuçi, etj. Edhe pse në këto studime dhe shkrime të ndryshme, të botuara në ato vite në revistën “Buletini Shkencor i Energjitikës”, një vend të madh, zinte propaganda ideologjike, (gjë e cila ishte një haraç që duhej paguar me çdo çmim), pjesa tjetër e atyre studimeve që kryesisht u kushtohen ndërtimit të veprave energjetike në Shqipëri dhe rrjetit të saj shpërndarës, janë vlerësuar si kontribute me vlera jo vetëm për atë kohë, por edhe për të sotmen. Kjo për faktin se ato vepra që janë ende në punë, duke prodhuar energji elektrike dhe pas viteve ’90-të, nuk janë ndërtuar më vepra të tilla, si në ato vite dhe më pas, janë përdorur edhe për të eksportuar energji elektrike, në shtetet fqinje. Kjo gjë konfirmohet edhe në një studim të ekspertit të njohur (të ekonomisë socialiste), Llazar Papajorgji, (të botuar në revistën “Buletini Shkencor i Energjisë në vitin 1986), ku midis të tjerash ai shprehet: “Forcimi i regjimit të kursimit dhe përdorimi me efikasitet i burimeve energjetike, janë një detyrë e përhershme për ekonominë tonë, e cila jo vetëm plotëson nevojat e veta gjithnjë në rritje, por edhe eksporton teprica. Gjatë 30-vjetëve të fundit mbi 25 % e energjisë parësore të prodhuar në vend, është eksportuar. Vetëm eksporti i energjisë elektrike në vitin 1986, ishte 2.2 herë më i lartë se prodhimi i energjisë në vitin 1966. Vlera e energjisë elektrike për shembull, nuk matet vetëm me shpenzimet që kryhen, për prodhimin e saj, por me masën e prodhimit industrial që realizohet nga përdorimi i saj, në procesin e prodhimit e që marrin 10 – 12 lekë, për çdo kilovat orë. Sasia e përgjithshme e energjisë primare në vendin tonë, është dyfishuar mesatarisht në çdo 7.7 vjet, kurse ajo e energjisë elektrike, afërsisht në çdo 6 vjet. Vendi ynë sot (është fjala për vitin 1986, shënimi ynë), radhitet midis vendeve të pakta me bilanc aktiv energjetik, i cili jo vetëm plotëson kërkesat, gjithnjë e në rritje të ekonomisë, por eksporton rreth 20 – 25 % të energjisë primare të prodhuar. Vetëm energji elektrike, në një vit të mbarë hidrologjik të këtij pesëvjeçari, u eksportua gati sa dyfishi i asaj, që u prodhua në vitin 1970, kurse në pesë vjetët e marra së bashku në pesëvjeçarin e 8-të (1896-1990), parashikohet të eksportohet, rreth 3 herë më shumë, nga sa u eksportua në pesëvjeçarin e 6-të. Prodhimi i energjisë elektrike është rritur në mënyrë të ndjeshme, tashti në një vit prodhohet pesë herë më shumë nga sa u prodhua në vitin 1970, ose 220 herë më shumë se në vitin 1950, kurse fuqia e instaluar e objekteve energjetike, në krahasim me vitin 1970, është shtuar më shumë se 6.5 herë. Në vitin 1986, përfunduan punimet në hidrocentralin e Komanit, aftësia prodhuese e të cilit, është e barabartë me dyfishin e prodhimit të të gjithë objekteve energjetike, në vitin 1970. U përfundua dhe u vu në shfrytëzim për herë të parë linja 400 kë. nga Elbasani në kufi me Greqinë, e cila krijoi mundësinë që jo vetëm të rritet në mënyrë të ndjeshme aftësia e eksportit të energjisë, por edhe të lidhet paralel sistemi ynë energjetik me atë të vendeve të tjera të Evropës, nëpërmjet sistemit të Greqisë. Po ashtu u ndërtua dhe u vu në shfrytëzim një linjë tjetër 220 kë. për eksportimin e energjisë në drejtim të Kosovës”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016