Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi 14. i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili i përket muajit mars të vitit 1973, ku bëhet fjalë mbi një kontroll që është bërë asokohe në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku i deleguari Agron Dushku, i raporton Komitetit Qendror të PPSH-së për gjendjen alarmante që ekzistonte në atë shkollë të kryeqytetit me profil artistik, ku midis të tjerash, ai shkruan: “Liceu është i shthurur, mësuesja Mariana Prifti, merr fëmijën me karrocë në orën e mësimit, disa mësues të tjerët bëjnë pazarin, tre djem dhe një vajzë në një dhomë u dehën me alkool, nxënësit e ofendojnë drejtorin dhe te dera e zyrës së tij, shkruajnë, WC…”! Si dhe akuzat ndaj drejtorit të Liceut Artistik, Enver Bozgo dhe disa pedagogëve, si: Zef Shoshi, Nesti Cane, Shenasi Zeneli, Klenathi Nasto, Shpresa Mamaqi, etj.”
Raport-informacioni për Komitetin Qendror nga i deleguari Agron Dushku, që morri pjesë në mbledhjet e Liceut Artistik “Jordan Misja”
INFORMACION
NGA MBLEDHJA E ORGANIZATËS BAZE TE PARTISË TE
LICEUT ARTISTIK “JORDAN MISJA”
Më datën 30 mars 1973 organizata diskutoi mbi detyrat për zbatimin e kërkesave të fjalimit të shokut Enver Hoxha në organizatën e aparatit të Komitetit Qendror.
Nga diskutimi i komunistëve dhe nga çështjet që kanë dalë në mbledhjet e organizatave të Bashkimeve Profesionale dhe të Bashkimit të Rinisë, rezulton se në këtë shkollë ka mjaft problem shqetësuese si në drejtim të jetës së organizatës së partisë, në drejtim të procesit mësimor ashtu edhe të shfaqjeve të huaja në jetën e mësuesve dhe nxënësve.
Organizata bazë e partisë ka mjaft dobësi, si në kapjen ashtu dhe në zgjidhjen e problemeve kryesore. Nga 9 komunistë, vetëm 3 janë mësues, të tjerët janë administratë. Kjo organizatë ka vite që nuk ka bërë pranime të reja kështu që nuk është përtërirë me gjak të ri, mosha mesatare e organizatës është 45 vjeç.
Ajo nuk është marrë me probleme që i ka diktuar koha dhe gjendja shqetësuese e shkollës, por me grindje dhe diskutime të pafund me njëri tjetrin. Vigjilenca ideologjike – tha i deleguari i Komitetit të Partisë, Adem Sollaku – në disa raste ka munguar në organizatën bazë të partisë, p.sh., kur një nxënës pruri në konvikt rroba të sjella nga jashtë për t’i shitur, komunistët nuk reaguan, pra konvikti u bë vend tregtimi, ose rasti i një fletë-rrufeje që ka vënë klasa e katërt për iniciativën e vet në drejtim të rritjes së cilësisë së mësimeve, në fund të fletë-rrufesë, nga një njeri që nuk dihet se kush është, shkruhet: “ky është shtet-rrethim”.
Megjithëse pirja e duhanit, flokët e gjata, pirja e alkoolit kanë qenë shqetësuese në shkollë, nxënësi Sokol Shupo, nuk duhet të shkonte në Rumani, sepse kishte plot cilësi negative dhe të tjera tregojnë se organizata bazë e partisë, ka qëndruar indiferent ndaj këtyre problemeve dhe nuk ka luajtur rolin udhëheqës në tërë veprimtarinë e shkollës.
Në shkollën tonë tha sekretari i organizatës bazë shoku Nesti Cane, ka një farë nënvleftësimi bile përçmimi për veprat muzikore, ndërsa muzika popullore, folklori popullor nuk ka qenë fare në program. Është ngritur shumë lart çdo gjë e huaj dhe është krijuar mendimi se shkolla jonë duhet të mbështetet kryesisht tek veprat e artit botëror.
Në këtë shkollë disiplina në përgjithësi ka qenë dhe është e dobët, si nga mësuesit, ashtu dhe nga nxënësit. Gjatë vitit mësimor 1972-1973, ne kemi pasur 13 mijë mungesa që i bie çdo nxënësi një mesatare pre 24 mungesa. Kjo gjendje, me gjithë punën e bërë kohët e fundit nuk është përmirësuar, akoma ka mungesa në shkollë, vetëm orët e mësimit për lëndët e përgjithshme mungojnë deri në 18 deri 27 veta në ditë.
Trupi pedagog i shkollës me që është përbërë nga mësues efektivë të shkollës dhe të jashtëm me një mesatare deri në 50 %, nuk është kompakt, mësuesit e jashtëm punojnë në institucione të tjera kulturale, ose janë nxënës në Institutin e Lartë të Arteve, ata u tha në organizatë nuk kanë zbatuar asnjëherë orarin e mësimeve, bile u sollën shembuj që kanë prishur dhe rregullin e shkollës.
Këta mësues krijojnë anarshinë të gjithë sistemin e shkollës, për arsye se shpesh herë nuk paraqiten fare, ose paraqiten në mësim sa për të shënuar orët e mësimit. Kështu p.sh. mësuesi Zef Shoshi, nuk u paraqit në shkollë për 20 ditë, ai merrte rrogën dhe nuk paraqitej në punë, u diktua vetëm kur u ngritën nxënësit dhe kërkuan se kishin mbetur pa mësues, organizata e partisë dhe drejtoria e shkollës nuk dinin asgjë.
Ka mjaft mësues u tha në organizatë nga shoku Klenathi Nasto, zëvendës sekretari i organizatës së partisë, që largohen nga mësimi në marrëveshje me nxënësit, për interesin e tyre personal, për të punuar materiale të ndryshme me lekë, ose për të psonisur për familjet e tyre.
Drejtoria e shkollës dhe këshilli pedagogjik, seksioni i Arsimit i rrethit të Tiranës dhe as vetë Ministria e Arsimit dhe e Kulturës nuk kanë ushtruar në këtë shkollë as një kontroll, si për nivelin e mësimeve, ashtu dhe për gjendjen e saj në përgjithësi. Mungesa e disipline ka pasur, tha shoqja Flutura Myzyri, edhe nga mësuesit, të cilët nuk zbatojnë orarin, gjatë kohës së punës shkojnë në bufe, bile ka pasur raste edhe në pazar për të blerë sende të ndryshme për familjet.
Ka pasur raste gjithashtu që mësues të ndryshëm marrin me vete fëmijët gjatë kohës së mësimit, mësuesja Mariana Prifti fëmijën e vet e kishte marrë me karrocë dhe nxënësit ja ngjitën në klasë me gjithë karrocë dhe megjithëkëtë, organizata e partisë dhe drejtoria e shkollës mbajtën qëndrim liberal.
Në organizatë 3-4 komunistë ngritën problemin e drejtorit të shkollës shokut Enver Bozgo. Ata thanë drejtori i shkollës sonë është liberal, nuk kërkon fare për të zbatuar kërkesat e shkollës, sidomos pas diskutimit të kolektivit për fjalimin e shokut Enver Hoxha në Mat, në të cilën mbledhje u vendos që drejtori i shkollës të shkarkohet nga detyra, çështje të cilën Komiteti i Partisë së rrethit e mori në studim dhe nuk e aprovoj, qysh atëhere drejtori i shkollës është tërhequr fare dhe nuk merret me problemet e mëdha të shkollës.
Lidhur me vendimin e kolektivit për shkarkimin e drejtorit të shkollës, në organizatën bazë të partisë ka shkuar shoku Shenasi Zeneli, i cili është bindur se heqja e këtij drejtori nga Liceu Artistik është e domosdoshme. Por çështja mbeti pezull, thotë shoku Shenasi, sepse Enver Bozgua u ankua në Ministrinë e Arsimit dhe tek shoku Manush Myftiu dhe që atëhere çështja akoma nuk është zgjidhur. Për këto mendime që ka pasur Komiteti i Partisë dhe për anulimin e heqjes së drejtorit, kolektivi i shkollës dhe organizata bazë e partisë nuk janë sqaruar.
Drejtoria e shkollës u tha në organizatë nuk kontrollon procesin mësimor, bile edhe orët e detyrueshme për drejtorin dhe zv/drejtorët nuk janë realizuar, ndërsa përsa i përket kontrollit të lëndëve artistike nuk flitet fare, sepse ato ka vite që nuk i kontrollon njeri. Shkolla jonë është jashtë kontrollit shtetëror si për anën mësimore ashtu dhe për pjesën materiale, kjo për një kohë prej 2 vjet e më shumë. Udhëzimet që dha kohët e fundit Ministria e Arsimit drejtorëve të shkollave të mesme të Tiranës nuk janë njoftuar as organizatës së partisë dhe as trupit pedagogjik të shkollës, kështu që edhe pas punimit të fjalimeve të shokut Enver Hoxha, disiplina lë mjaft për të dëshiruar.
Disa mësues, kryesisht komunistë, që kërkojnë llogari për forcimin e disiplinës u janë kundërvënë nxënësit pa disiplinë, duke u thënë; pse na u bëtë si xhandar, pse mësuesit e tjerë nuk kërkojnë si ju. Në shkollë gjatë muajit mars, 3 nxënës dhe 1 vajzë u mbyllën në një dhomë të shkollës dhe u dehën me alkool, në portën e shkollës çdo ditë nxënësit shtyhen dhe zihen me mësuesit kujdestar për arsye se kanë ardhur me vonesë në mësim.
Më datën 15 mars 1973, nxënësi Bashkim Elezi shtiu me grusht një mësuese sepse ajo nuk deshi ta lërë të futet në shkollë dhe për të gjithë këtë, organizata bazë e partisë dhe drejtoria e shkollës nuk luan rolin udhëheqës dhe drejtues si organ shtetëror.
Organizata bazë e partisë ka punuar dobët me organizatën e rinisë. Vetë organizata e rinisë paraqitet me dobësi të theksuar në krye të saj, në organizata bazë, byro dhe komitet janë zgjedhur të rinj me me përparim të dobët në mësime dhe të padisiplinuar, zëvendës sekretari i komitetit të rinisë tha shoku Kleanth, ka ikur pa leje nga shkolla nga dritaret.
Në organizatë u tha se kujdesi për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e veglave muzikore dhe përgjithësisht pasuria e shkollës është e pamjaftueshme, në disa raste shumë vegla muzikore janë përdorur keq. Kemi 13 piano, tha komunisti Emin Raça të prishura nga përdorimi i keq, të cilat është vështirë të riparohen dhe të vihen përsëri në shërbim. Tek ne jeta e një pianoje është jo më shumë se 6 muaj. Në këtë shkollë materialet artistike si piano, vegla muzikore dhe instrumente të tjera janë të pa inventarizuara dhe nuk përgjigjet njeri për to.
Gjatë diskutimeve me forcë u ngrit edhe problem i teksteve mësimore, për teorinë e artit. Mësuesit e lëndëve artistike nuk kanë tekste si për teorinë e muzikës, teorinë e pikturës etj. Këto lëndë jepen me shënime nga mësuesit, nxënësit nuk kanë asnjë bazë materiale ku të përgatiten. Komisionet e caktuara për përgatitjen e këtyre teksteve, nga shkolla dhe kryesisht nga Instituti i Lartë i Arteve, nuk kanë bërë asgjë. Drejtoria e shkollës si dhe organizata bazë e partisë nuk kanë kërkuar as nga Instituti i Arteve dhe as nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, ç’bëhet me punën e teksteve.
Në këtë mbledhje u ngrit me forcë edhe çështja e çrregullimeve dhe e mungesave të theksuara në jetën e konviktit, u kritikua shoqja Shpresa Mamaqi për arsye se ajo nuk e ka kryer mirë detyrën e ngarkuar. Jeta e nxënëseve është jashtë kontrollit të drejtorisë dhe të edukatorëve të konviktit, organizimi studimit dhe zgjidhja e problemeve të nxënëseve kryhet me shumë mungesa.
Në periudhën e dimrit nuk kishte lëndë djegëse për kaldajën, furnizimi me zarzavate i kuzhinës së konviktit është bërë me të meta. Shoqja Shpresa u justifikua me gjendjen e saj shëndetësore. Është e vërtetë se shoqja Shpresa është e sëmurë, për këtë çështje ka dhe raport shëndetësor, porse për 3-4 muajt e fundit ajo nuk ka qenë fare në krye të konviktit. Në këtë mënyrë nuk është ushtruar kontroll në jetën e nxënësve në konvikt, prandaj kanë ndodhur dhe mjaft çrregullime.
Në mbledhjen e organizatës bazë të partisë u ngritën problemet edhe për komitetin e partisë së Rajonit Nr. 1, i cili nuk është kujdesur për jetën e organizatës së partisë, për përmirësimin e përbërjes së kësaj organizate dhe për problemet e tjera.
Për Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës u bënë kritika sepse ajo megjithëse është në dijeni të këtyre problemeve dhe në përgjithësi të gjendjes së pakënaqshme të shkollës, sidomos me përparimin e 60 % të mësimeve dhe disiplinës së dobët, nuk ka marrë masa, nuk ka ushtruar kontroll dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e shumë problemeve të kësaj shkolle.
Mendimi im lidhur me gjendjen dhe problemet që ngre kjo organizatë, është:
-Organizata e Liceut Artistik duhet forcuar sa më parë, sepse jeta e saj është shumë anemike dhe përbërja e plakur.
-Çështja e drejtorit të shkollës gjithashtu duhet zgjidhur sa më parë, autoriteti i tij ndaj nxënëseve dhe mësuesve është përtokë, ata nuk i binden dhe e ofendojnë në prezencë të tjerëve, duke i thënë: Akoma s’ke ikur”, ose shkruajnë në derën e zyrës fjalën “WC” e tjera.
Zvarritja nga ana e komitetit të partisë të më shumë se një viti të çështjes së vendimit të kolektivit për shkarkimin të drejtorit nuk është i drejtë, sekretariati i Komitetit të Partisë që i ka pezulluar çështjen drejtorit, nuk e ka sqaruar organizatën bazë dhe kolektivin e shkollës dhe kjo ka krijuar problem./Memorie.al
6.3.1973 Agron Dushku
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016