Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të ndodhur më 28 nëntor të vitit 1944 në fshatin Xhan të krahinës së thellë të Dukagjinit, ku një njësit partizan i Brigadës së VI-të Sulmuese, që komandohej nga komandanti Jaho Gjoliku dhe komisari Haki Toska, ekzekutuan një grup malësorësh nga fshati Bruçaj, të cilët duke udhëtuar natën për në shtëpitë e tyre pasi kishin bërë pazar në qytetin e Shkodrës, ndeshën në një pritë partizane të asaj brigade që komandohej nga pionieri 15 vjeçar, Çelo Sinani, (“Hero i Popullit”) që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tyre.
Dëshmia e rrallë e Prek Sokolit, me origjinë nga Dukagjini dhe me banim në fshatin Rranxa të Bushatit, i cili tregon të gjithë historinë e asaj ngjarje të dhimbshme, ku në shenjë hakmarrje ndaj pionierit partizan, që u vra gabimisht prej atyre malësorëve shtegtarë në pritën që kishin ngritur njësiti i “Batalionit të Spastrimit’ me urdhër të komandës së asaj brigade, një partizane e re, ‘motra’ e Çelo Sinanit, ekzekutoi dhjetë malësorë të pafajshëm: Tom Martini, Pëllumb Sokoli, Kol Vata, Pal Pëllumbi, Nikoll Mirashi, Mëhill Vocrri, Pal Vata, Shytan Deda, Prenush Zefi dhe Lazër Vuksani.
Dëshmitë e disa prej familjeve të viktimave, lidhur me ngjarjen tragjike, ku pas ekzekutimit, njësiti partizan i Brigadës së VI-të Sulmuese, i zhveshën lakuriq, dhjetë malësorët e vrarë, duke u’a marrë rrobat që u duheshin për shokët e tyre partizanë dhe i shpërfytyruan kufomat duke i goditur me bajonetat e pushkëve!
Dëshmia e nënkolonel Arif Bizhgës, ish-komisar kompanie në Brigadën e VI-të Sulmuese dhe pjesëmarrës në atë ngjarje, (ish-ushtarak madhor me gradën e nënkolonelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendshme) dhe e Reis Sinanit, (vëllait të Çelo Sinanit, që mban titullin e lartë “Hero i Popullit”), ish ushtarak, i diplomuar për Inxhinieri Elektronike në ish- Bashkimin Sovjetik.
“Sapo ata mbërritën diku në një përrua, ‘motra’ e Çelo Sinanit, nxori revolverin dhe e qëlloi dy-tre herë në kokë Nikoll Mirashin, duke e lënë atë të vdekur në vend. Ndërsa kur grupi i partizanëve të Batalionit të Spastrimit të Brigadës së VI-të, Sulmuese së bashku me tetë malësorët e lidhur mbërritën në Qafë-Thanë ku ndodhej shtabi i brigadës, sipas premtimit që i kishin dhënë ‘motrës’ së Çelo Sinanit, të tetë burrat i’a rreshtuan të lidhur përpara saj. Në atë moment, ajo nxori pistoletën nga brezi dhe nisi t’i qëllonte malësorët e lidhur, duke i goditur të tetë, me nga dy plumba në kokë. Kur po bëhej gati të qëllonte mbi të fundin, që ishte 17-vjeçari Mëhill Vocrri, disa partizanë i’u lutën që ta falte, por ajo vazhdoi të qëllonte edhe mbi të duke thënë: ‘Lëreni se qenka moshatar me Çelon tim’. Pasi i la të vdekur në vend të nëntë malësorët (së bashku me Nikoll Mirashin, që e vrau gjatë rrugës), ‘motra’ e Çelo Sinanit, u dha urdhër partizanëve të tjerë që t’i zhvishni shpejt e shpejt dhe t’ua merrnin rrobat e trupit të vrarëve, pasi ato u duheshin për partizanët e brigadës, që ishin duke marshuar, për në drejtim të Malit të Zi”. Kështu e kujtonte Prek Sokoli, atë ngjarje të largët të ndodhur në 28 nëntorin e vitit 1944, ditën e fundit të Luftës, për forcat partizane të Enver Hoxhës, që ishin duke marshuar në krahinën e Dukagjinit, për në drejtim të Malit të Zi, ku një partizane e re, ekzekutoi shtatë burra të pafajshëm, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Çelo Sinanit, pionierit partizan, (“Hero i Popullit”) të cilin ajo e konsideronte si vëlla. Po si ndodhi ajo ngjarje, kush ishin dhjetë malësorët që u ekzekutuan nga dora e motrës së dëshmorit Çelo Sinani dhe përse e kreu ajo atë vrasje makabre, që nuk është harruar ende në atë trevë të largët të Veriut të Shqipërisë?!
Lidhur me atë ngjarje, përveç dëshmisë së Prek Sokolit si dhe të tre familjeve të tjera ku pjesëtarët e tyre ishin në grupin e dhjetë, të malësorëve të pushkatuar, në këtë shkrim po sjellim edhe dëshminë e Arif Bizhhës, ish-komisar kompanie në Brigadën e VI-të Sulmuese dhe pjesëmarrës në atë ngjarje, i cili deri në vitin 1981, ka shërbyer si ushtarak madhor me gradën e nënkolonelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendshme, duke arritur deri në funksionin e zv/shefit të Kuadrit të asaj ministrie. Po kështu, krahas intervistës me z. Arif Bizhga, po japim edhe atë të Reis Sinanit, (vëllait të Çelo Sinanit, “Hero i Popullit”), ish ushtarak i diplomuar për Inxhinieri Elektronike në ish-Bashkimin Sovjetik.
Vrasja e Çelo Sinanit nga malësorët
Lidhur me atë ngjarje, midis të tjerash Prek Sokoli na tregonte: “Më 26 nëntor të vitit 1944, vëllai im 25 vjeçar, Pëllumb Sokoli, kishte shkuar në qytetin e Shkodrës, për të blerë ushqime, pasi na duheshin për festën e Shën-Kollit, që na binte për t’a kremtuar disa ditë më vonë, më pesë dhjetor. Bashkë me Pëllumbin, atë ditë për në qytetin e Shkodrës, kishin shkuar dhe një grup tjetër malësorësh, të cilët pasi kishin blerë ato që u duheshin, kishin marrë rrugën e kthimit, për në fshatrat e tyre të zonës së Dukagjinit. Duke qenë se ajo rrugë mbante rreth tetë orë larg nga qyteti i Shkodrës, grupin e shtegtarëve e zuri nata në fshatin Bruçaj të Dukagjinit, ku një pjesë e tyre, bashkë me vëllain tim Pëllumbin, qëndroi aty në atë fshat për të kaluar natën, duke bujtur në shtëpitë e malësorëve. Ndërsa pjesa tjetër që mbeti, vazhdoi rrugën duke ecur për në drejtim të fshatit Xhan, duke shpresuar që të ecte pas mushkave, të cilat ndiqnin rrugën pa asnjë vështirësi edhe natën. Në këtë grup që vazhdoi udhëtimin për në drejtim të fshatit Xhan, bënte pjesë edhe Lulash Gjoni i Xhanit, i cili ishte i vetmi malësor i asaj krahine, që merrej me tregti dhe kishte dyqan të vetin. Gjatë rrugës, duke udhëtuar nëpër natën e errët nga fshati Bruçaj, për në drejtim të fshatit Xhan, në vendin e quajtur Shtruga, i cili ndodhet në një qafë të vogël mali, grupi i malësorëve u përball me një pritë partizane, që komandohej nga partizani Çelo Sinani, vetë i tretë, i cili kryente detyrën e korrierit të Brigadës së VI-të partizane, që komandohej nga Jaho Gjoliku dhe Haki Toska. Partizani Çelo Sinani, i bëri thirrje grupit që të ndalonte, duke duke u thënë: qëndro, por malësorët nuk e kuptuan fjalën e tij dhe u shtrinë të gjithë barkas në dëborë, duke zënë secili nga një pozicion, pasi i gjithë grupi ishte i armatosur. Nga që Çelo, nuk i shikonte ata se ku ishin, qëlloi në drejtim të tyre me automatikun e tij dhe breshërive të tija, i’u përgjigj po me zjarr, njëri nga malësorët, duke qëlluar edhi ai andej nga erdhën të shtënat. Pas atij shkëmbi zjarri, malësorët shtegtarë qëndruan një copë herë, ashtu të shtrirë nëpër dëborë dhe pasi nuk dëgjuan më të shtëna armësh në drejtim të tyre, ata vazhduan rrugën nëpër natën e errët, pa ditur se nga të shtënat e tyre, kishte mbetur i vrarë partizani Çelo Sinani”, kujtonte Prek Sokoli lidhur me atë ngjarje të largët të 28 nëntorit të vitit 1944, kur në afërsi të fshatit Bruçaj, të zonës së thellë të Dukagjinit, mbeti i vrarë korrieri i Brigadës së VI-të Sulmuese, partizani Çelo Sinani nga fshati Picar i Gjirokastrës.
Arrestimi i malësorëve nga partizanët
Ç’ndodhi më pas me grupin e malësorëve që kishin shkëmbyer zjarr me partizanin 15-vjeçar, që kryente detyrën e korrierit në ato forca partizane, të cilat nuk e dinin se ajo ditë shënonte dhe mbarimin e Luftës? Lidhur me këtë, Prek Sokoli na tregonte: “Dy partizanët e tjerë që ishin në pritë bashkë me Çelo Sinanin, sapo konstatuan se shoku i tyre nuk kishte më asnjë shenjë jete, nga plumbat që kishte marrë, zbritën menjëherë në fshatin Bruçaj, aty ku ndodhej shtabi i komandës së Brigadës së VI-të partizane, së bashku me një batalion të asaj brigade, që ishte lënë aty në fshatin Xhan për spastrime. Po ashtu aty në atë fshat, atë natë ndodhej edhe një pjesë e grupit të malësorëve shtegtarë që ishin kthyer nga Shkodra dhe kishin bujtur nëpër shtëpiat e malësorëve, për të kaluar natën. Sapo erdhi lajmi për vrasjen e Çelo Sinanit, në fshat filluan lëvizje të shumta dhe partizanët e batalionit të spastrimit, morën urdhër që të bënin rrethimin e plotë të fshatit, në mënyrë që prej andej, të mos dilte as miza. Pas kësaj ata filluan kontrollet nëpër të gjitha shtëpitë ku kishin të dhëna, se ishin strehuar për të bujtur një pjesë e grupit të shtegtarëve. Gjatë kontrolleve që bënë nëpër shtëpitë e fshatit Xhan, partizanët e ‘Batalionit të Spastrimit’ u’a morën armët grupit të malësorëve shtegtarë, të cilët pranuan t’i dorëzonin ato, pasi partizanët u thanë se do t’ua kthenin përsëri, sapo të dilnin në Qafë Thanë, ku ishte vendosur komanda e brigadës. Komandantët e grupeve partizane të ‘Batalionit të Spastrimit’ u dhanë besën malësorëve shtegtarë, se armët do t’ua kthenin përsëri të nesërmen, më datën 27 nëntor, sapo të takoheshin me komandën e tyre. Të nesërmen, sapo zbardhi dita, partizanët e ‘Batalionit të Spastrimit’ i mblodhën në një vend të gjithë malësorët shtegtarë, që ishin në fshatin Bruçaj, për t’i bashkuar me ata të grupit tjetër, që ishin në fshatin Xhan, meqenëse afër atij fshati ishte vrarë Çelo Sinani. Qëllimi i komandës së Brigadës së VI-të, ishte që të bënte seleksionimin e tyre, për të gjetur se kush ishin ata, që kishin qëlluar dhe vrarë korrierin e brigadës, partizanin Çelo Sinani. Në grupin e malësorëve që kishin bujtur në fshatin Xhan, bënte pjesë edhe një djalë i ri, 17-vjeçar, i quajtur Mëhill Vocrri, i cili kishte aty dhe tre probatin (vëllezër që pinë gjak me njëri tjetrin) nga e njëjta shtëpi. Kur e morën vesh partizanët se Mëhilli ishte nga fshati Shosh, i thanë të ikte, por ai nuk iku, duke u thënë se nuk mund të ndahej nga probatinët e tij. Sipas urdhrit të komandës së brigadës, partizanët e ‘Batalionit të Spastrimit’ ku bënte pjesë dhe ‘motra’ e Çelo Sinanit, bënë seleksionimin e malësorëve shtegtarë dhe një pjesë të tyre e lanë të lirë të ikte, kurse grupin tjetër ku bënin pjesë: Tom Martini, Pëllumb Sokoli, Kol Vata, Pal Pëllumbi, Nikoll Mirashi, Mëhill Vocrri, Pal Vata, Shytan Deda dhe Prenush Zefi, ata e morën me vete, për të shkuar në Qafë-Thanë, atje ku ndodhej shtabi i Brigadës”, kujtonte Prek Sokoli, lidhur me arrestimin e nëntë malësorëve shtegtarë nga forcat partizane të batalionit të Brigadës së VI-të, i cili ishte lënë në atë zonë për spastrime.
Motra e Çelos qëllon malësorët e lidhur!
Prek Sokoli, i cili e kishte të freskët në kujtesën e tij, atë ngjarje makabre, ku mbeti i vrarë edhe i vëllai i tij, vazhdoi rrëfimin duke u shprehur: “Meqenëse njëri prej atyre malësorëve, i quajtur Nikoll Mirashi, ishte i sëmurë dhe nuk ecte dot, ‘motra’ e Çelo Sinanit, që ishte partizane në atë batalion, i tha komandantit të saj, se do të rrinte ajo me Nikollën, për ta ndihmuar të ecnin, deri sa të mbërrinin në Qafë-Thanë. Por sapo ata mbërritën diku në një përrua, motra e Çelo Sinanit, nxori revolverin dhe e qëlloi dy-tre herë në kokë Nikoll Mirashin, duke e lënë atë të vdekur në vend. Ndërsa kur grupi i partizanëve të ‘Batalionit të Spastrimit’ së bashku me tetë malësorët e lidhur mbërritën në Qafë-Thanë, ku ndodhej shtabi i brigadës, sipas premtimit që i kishin dhënë ‘motrës’ së Çelo Sinanit, të tetë malësorët i’a rreshtuan të lidhur përpara saj. Në atë moment, ajo nxori pistoletën nga brezi dhe nisi t’i qëllonte, të tetë burrat e lidhur, duke i goditur me nga dy plumba në kokë secilin prej tyre. Kur ajo po bëhej gati të qëllonte mbi të fundit e grupit, që ishte 17-vjeçari Mëhill Vocrri, disa partizanë i’u lutën që ta falte, por ajo vazhdoi të qëllonte edhe mbi të, duke thënë: ‘Lëreni se qenka moshatar me Çelon tim’. Pasi i la të vdekur në vend të nëntë malësorët (së bashku me Nikoll Mirashin, që e vrau gjatë rrugës), motra e Çelo Sinanit u dha urdhër partizanëve të tjerë që t’i zhvishni shpejt e shpejt ata dhe t’ua merrnin rrobat e trupit të vrarëve, pasi u duheshin për partizanët e brigadës, që ishin duke marshuar për në drejtim të Malit të Zi. Ndërsa ata zbatuan urdhrin e saj, duke i zhveshur lakuriq të tetë trupat e pajetë, që ishin plandosur pa frymë mbi dëborën e ngrirë, disa prej tyre filluan t’i godisnin përsëri kufomat me tytat e pushkëve dhe me bajoneta, duke i shpërfytyruar keqas ato. Pasi u’a hoqën rrobat e trupit dhe i lanë ashtu të zhveshur në dëborë, në një fushë të vogël, ‘motra’ e Çelo Sinanit, me gjithë partizanët e tjerë, vazhduan rrugën për të arritur forcat e brigadës, që ishin duke marshuar për në drejtimin e Malit të Zi”, kujtonte Prek Sokoli, lidhur me ngjarjen makabre të pushkatimit të nëntë malësorëve të pafajshëm, të ndodhur në 28 nëntorin e largët të vitit 1944.
Vrasin edhe Lazër Vuksanin!
“Pasi ‘motra’ e Çelo Sinanit së bashku me partizanët e tjerë vazhduan rrugën për t’u bashkuar me pjesën tjetër të brigadës, në drejtim të vendit ku ndodheshin trupat e pajetë, të tetë malësorëve, nisën të shkonin fshatarë të atyre anëve, të cilët kishin dëgjuar krismat, por në të vërtetë nuk dinin asgjë mbi gjëmën e madhe që kishte ndodhur aty. Të parët që mbërritën në vendngjarje, ishin burrat e shtëpisë së Halil Zenelit, të cilët u kthyen përsëri në shtëpinë e tyre dhe morën me vete, disa batanije e rroba të tjera, për të mbështjellë të tetë kufomat, pasi ashtu siç ishin të zhveshura lakuriq, ata nuk mund t’i transportonin për në fshatrat e tyre. Ndërsa familja e Halil Zenelit, ishte duke u marrë me veshjen e kufomave, ‘motra’ e Çelo Sinanit, së bashku me partizanët e tjerë që po udhëtonin, për t’u bashkuar me forcat e tjera të Brigadës së VI-të, rrugës u takuan me një malësor nga fshati Bruçaj, i quajtur Lazër Vukasni, i cili po vinte nga fshati i tij, i hipur në mushkë. Sapo u ndeshën përball Lazrit, grupi i partizanëve së bashku me ‘motrën’ e Çelo Sinanit, e qëlluan menjëherë atë, duke e lënë të vdekur në vend. Vrasjen e tij ata e bënë me qëllim, që ai të mos shkonte në vendin e ngjarjes, ku ndodheshin trupat e pajetë të tetë malësorëve, pasi po të shkonte ai atje, do jepte kushtrimin dhe fshatarët e atyre anëve, sipas zakonit të atyre anëve, do rroknin pushkët dhe do dilnin në kërkim të vrasësve. Pra, me qëllim që ajo ngjarje të mbahej e fshehtë, deri sa të largoheshin të gjitha forcat partizane që andej, ‘motra’ e Çelo Sinanit, së bashku me partizanët e tjerë e ekzekutuan edhe Lazër Vuksanin, që ishte duke udhëtuar me mushkën e tij për në fshatin Bruçaj, ku ai kishte shtëpinë”, kujtonte Prek Sokoli.
Arrestimi i 37 malësorëve!
“Pas pushkatimit të atyre dhjetë burrave nga një partizane, për të cilën u tha se ishte e ‘motra’ e Çelo Sinanit, forcat partizane, të udhëhequra nga Jaho Gjoliku, u kthyen përsëri në fshatin Xhan dhe aty arrestuan edhe 37 fshatarë të tjerë, të cilët ashtu të lidhur i rreshtuan, në një bregore për t’i pushkatuar të gjithë. Në atë çast që pritej pushkatimi i tyre sipas urdhrit që kishte dhënë Jaho Gjoliku, vendimi u anullua dhe të 37 burrat e lidhur, mundën që të shpëtonin nga vdekja e sigurt. E gjithë ajo mrekulli, pra falja e tyre ndodhi pas ndërhyrjes së Komandantit të Divizionit partizan, gjeneral Gjin Markut, që kishte nën vartësi Brigadën e VI-të, i cili e ndaloi Jaho Gjolikun, që ta kryente atë masakër. Sipas atyre burrave që kanë qenë prezent në atë vend, Gjin Marku i tha kështu Jaho Gjolikut: ‘Nesër kemi festën e çlirimit të Shqipërisë dhe nuk bën që këtë ditë të shumëpritur, ta festojmë me gjak! Pas atyre fjalëve të Gjin Markut, ata 37 burra të pafajshëm, u lanë të lirë për të shkuar në shtëpitë e tyre”, e përfundonte dëshminë e tij, Prek Sokoli, vëllai i njëri prej dhjetë burrave të pushkatuar në fshatin Xhan, i cili shton se: ‘që nga ajo ditë e deri në vitin 1990, familja e tij, u quajt reaksionare dhe vazhdimisht u përmendej vëllai i vrarë’. “Prej asaj, ne s’kena mujt me lyp kurgja”, shprehej Prek Sokoli, familjen e të cilit në vitin 1971, e hoqën nga fshati Xhan dhe e dërguan aty në Rranxat e Bushatit, ku jetojnë edhe sot. Por edhe pse ata u shpërngulën nga fshati i tyre, nuk e kanë harruar ende atë histori tragjike, ku 77 vjet më parë, nga plumbat e partizanëve mbeti i vrarë i biri i tyre, 25-vjeçari Pëllum Sokoli./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016