Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon një listë prej 100 emrash të personaliteteve të njohur, si themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë që në vitin 1941, drejtues të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare si komandantë e komisarë dhe më pas kuadro e funksionarë të lartë, të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat u eliminuan ndër vite, duke u akuzuar si “armiq të popullit dhe kriminelë” e u dënuan me vdekje, vdiqën në qelitë e hetuesive dhe burgjeve, apo vuajtën me vite të gjata dënimet politike në burgjet dhe kampet e internimit të atij regjimi…
Përgjatë 50 viteve të ekzistencës së saj, Partia Komuniste e Shqiptare, e cila më pas u quajt Partia e Punës së Shqipërisë, eliminoi në mënyrë tragjike nga radhët e saj pothuajse të gjithë eksponentët më të lartë dhe më në zë që e kishin themeluar, ose që kishin kontribuar ndjeshëm në konsolidimin e pushtetit të saj. Të gjithë këta personazhe të cilët u goditën ose u eliminuan fizikisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i kishin shërbyer me devotshmëri deri në momentin e fundit, pikërisht kësaj partie dhe kreut të saj, Enver Hoxhës, i cili me një të rënë të lapsit, vendoste se cilët nga ata duhet të vazhdonin të jetonin, dhe cilët jo! Kontributi i këtyre personaliteteve të komunizmit shqiptar, fillon që me themelimin e Partisë Komuniste më 8 Nëntor të 1941-it dhe vijon më pas me Luftën Anti-Fashiste Nacional-Çlirimtare, për të përfunduar me periudhën e cila, rëndom në historiografinë e asaj kohe, do të etiketohej edhe si “ndërtimi socialist i vendit” në vitet 1944-1991. Në mënyrë ironike të 100 personazhet e kësaj liste, mund të quhen edhe si elita drejtuese e regjimit komunist shqiptar (së paku, një pjesë e mirë prej tyre), të cilët ishin të mirë-arsimuar në shkollat dhe akademitë më të njohura të Lindjes apo dhe të Perëndimit që në viteve ‘30-’40-të, deri në vitin 1961, në vendet e Lindjes Komuniste. Disa prej këtyre personazheve e kishin ndihmuar Enver Hoxhën, në betejat për ardhjen në pushtet të Partisë që ai drejtonte në Shqipërinë që nga lufta në vitet 1943-1944, ndërsa një pjesë tjetër e kishin ndihmuar atë të çimentonte rrënjët e pushtetit të tij absolut, në hierarkinë e Partisë së Punës së Shqipërisë. Ndërsa pjesa e tretë dhe e fundit do të ishte ajo më tragjikja e cila e shoqëroi në mënyrë të zellshme diktatorin Hoxha, në vazhdën e sundimit të tij të ashpër 45 vjeçar në vend. Dhe pikërisht në fund, kjo pjesë, pa pritur ra pre e vetë krimeve monstruoze të tij! Akuzat për ta do të kurdiseshin në korridoret e errëta të ndërtesës më hije-rëndë që kishte asokohe, jo vetëm Tirana por i gjithë vendi, atë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, ndërsa zbatimi i tyre i ngarkohej Ministrisë së Punëve të Brendshme me anë të degëve dhe drejtorive të shumta të saj, ku më kryesorja ishte ajo Sigurimit të Shtetit, që vetë Enveri e kishte konsideruar si “maja e mprehtë e shpatës së Diktaturës së Proletariatit”?!. Natyra paranojake e regjimit komunist shqiptar, do t’i etiketonte këta fatkeq si “armiq të popullit”, “tradhtarë të atdheut”,“agjentë dhe poli agjentë të UDB-së jugosllave, KGB-së sovjetike, CIA-s amerikane” e lloj lloj epitetesh të tjera nga më të ndryshmet. Por i vetmi “faj” i tyre, që ata do ta kuptonin vetëm atëherë kur do ta shihnin vetën në qelitë e errëta të Hetuesive apo Sigurimit, kampeve dhe burgjeve politike, apo fshatrave të largët në internime, ishte ajo që ata e kishin përkrahur dhe i shërbyen deri në atë moment, pushtetit të Enver Hoxhës?! Shumë prej tyre i qëndruan luajal deri në atë pikë, saqë në momentet kur do të dënoheshin me vdekje dhe do të ekzekutoheshin, ata merrnin guximin dhe kurajën, që t’i kërkonin falje atij, madje t’i shkruanin edhe letra nga burgu apo internimi, ku do t’i deklaronin besnikërinë e përjetshme! Fatkeqësisht nuk do të ndodhte kështu. Sepse, modeli i fushatës së spastrimeve dhe eliminimeve që Enver Hoxha do të kryente mbi shokët, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij, ishte kopjuar në mënyrë identike nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe personalisht kreu i saj,Joseph Vissarionovich Stalin. Kjo metodë i ishte importuar Tiranës zyrtare, me mijëra kilometra larg saj, pikërisht nga Moska, ku brenda mureve të Kremlinit udhëheqësit e saj “hanin” njëri tjetrin dhe ata që mbeteshin në krye të saj, “hanin” prenë e radhës. Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë është tragjikisht e ngjashme me homologen e saj sovjetike, një histori vuajtjesh dhe spastrimesh, një histori eliminimesh dhe vrasjesh misterioze të vetë themeluesve dhe pjesëtarëve kryesor të saj. Në mënyrë të frikshme, kjo metodë sundimi pas vitit 1945, u përhap në të gjitha shtetet komuniste të Lindjes, ku sigurisht edhe Shqipëria e vogël, do ta përshtaste atë, me modelin e saj. Dhe kjo do të ndodhte pasi vetë personi që do ta eksportonte në botën komuniste këtë model, Joseph Vissarionovich Stalin, njëkohësisht do të shërbente si udhë-rrëfyes dhe si idhull për diktatorin komunist shqiptar, Enver Hoxhën, ku lista spastrimeve të bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, është me qindra. Në këtë shkrim, Memorie.al sjell 25 personazhet e parë të kësaj liste prej 100 emrash.
Lista e emrave dhe funksionet përkatëse e 100 personazheve dhe personaliteteve bashkëpunëtorë të ngushtë Enver Hoxhës, të eliminuar prej tij në vitet 1943-1985
1. Anastas Lula, kryetar i Grupit Komunist të të Rinjve, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të PKSH-së dhe rival potencial i Enverit, për kreun e PKSH-së. Në vitin 1942, shkarkohet nga detyrat partiake dhe dërgohet si partizan i thjeshtë ne zonën e Beratit, ku me urdhër të Enver Hoxhës, pushkatohet në vitin 1943 nga një njësit partizan, i Batalionit Riza Cerova në Qafën e Gllavës në Tepelenë, dhe varroset po aty.
2. Sadik Premtja, bashkëthemelues i Grupit Komunist të të Rinjve, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të PKSH-së, organizator dhe drejtues i Lëvizjes Antifashiste në krahinën e Vlorës, ku shpallet “fraksionist” nga Enver Hoxha dhe për t’i shpëtuar pushkatimit nga qarkori komunist i Vlorës, ku kishte shkuar vetë Enveri për ta demaskuar si tradhtar, arratiset nga Shqipëria. Nga viti 1944 jeton në Paris, deri në vdekjen e tij në vitin 1991, pasi i kishte shpëtuar dy atentateve nga Sigurimi i Shtetit.
3. Mustafa Gjinishi, emigrant antizogist në Jugosllavi, lidhet me misionet britanike dhe kthehet në Shqipëri për organizimin e rezistencës antifashiste, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimitare, me gradën nënkolonel. Pjesëmarrës në Konferencën e Pezës, Mukjes, Labinotit dhe Përmetit. I ngarkuar nga PKSh-ja për afrimin e nacionalistëve në radhët e Frontit. Shoqërues dhe përkthyes i misioneve aleate britanike, pranë Shtabit të UNÇSH. Ekzekutohet pas shpine, me urdhër të Enver Hoxhës, në gusht të 1944 në Hinosk të Dibrës në prani të britanikut Smith. Ekzekutimi u krye nga një njësit i përbërë prej 5 kuadrosh partizanë, (të cilët pas lufte, morën poste të rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes, Komitetin Qendror, Byronë Politike, etj) dhe pas kësaj Shtabi i Përgjithshëm mbajti një minutë zi dhe lëshoi një komunikatë, sikur ai ishte vrarë nga patrulla gjermane.
4. Llazar (Zai) Fundo, eksponent i njohur i lëvizjes komuniste në vitet e Monarkisë së Zogut në qytetin e Korçës, diplomohet për Drejtësi në Francë ku njeh nga afër Enver Hoxhën, kthehet në Shqipëri dhe merr pjesë në Lëvizjen Antifashiste, duke shërbyer si përkthyes pranë një misioni anglo-amerikan të atashuar pranë vëllezërve Kryeziu të Kosovës. Në Shtator të vitit 1944, pas një urdhri me shkrim të Enver Hoxhës, arrestohet në zonën e Tropojës nga partizanët e Brigadës së V-të dhe vdes pasi ishte torturuar në mënyrë barbare prej tyre, në Kolesjan të Kukësit.
5. Drita Kosturi, nxënëse e Institutit “Nana Mbretneshë” në Tiranë, komuniste e orëve të para, e fejuara e Qemal Stafës, arrestohet në vitin 1946 dhe pas shumë viteve në burg, ku torturohet në mënyrë ç’njerëzore, jeton e internuar në fshatrat e Fierit, deri në vitin 1991. Pas viteve ’90-të, hodhi dritë publikisht mbi prapaskenat në vrasjen e të fejuarit të saj, Qemal Stafës.
6. Agron Çorati, eksponent kryesor i lëvizjes komuniste për qarkun e Tiranës, i larguar në mënyrë demonstrative nga PKSH-ja që në vitin 1944, duke denoncuar bashkëpunimin shqiptaro-jugosllav, me anë të një trakti të hedhura në kryeqytet, ikën për të kryer studimet në Vjenë në 1944-ën, por pas një viti ai rikthehet në Shqipëri, me shpresën se mos kishte ndryshuar diçka në politikën e Tiranës zyrtare. Arrestohet menjëherë si anti-jugosllav dhe dënohet me burg. Pas një kohe të shkurtër lirohet dhe internohet në Zvërnec të Vlorës, ku kryen punë nga më të rëndomtat. Vdes pas një ataku kardiak në vitin 1977, si pasojë e punëve të rënda.
7. Sejfulla Malëshova, antizogist, sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, në qeverisjen gjashtë mujore të Nolit, emigrant antizogist, në vitin 1931, bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ndërsa dy vite më pas u emërua pedagog në universitetin ku kishte studiuar. Në vitin 1934, pranohet në KOMINTERN dhe me këtë detyrë kthehet më 1943-in, në Shqipëri dhe zgjidhet anëtar i Shtabit të Ushtrisë NAÇL dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik. Në vitin 1944-1946, anëtar i KANÇ-it. Më 1944 kreu detyrën e ministrit për Shtypin, Propagandën dhe Kulturën Popullore – ministri e cila nuk funksionoi më. Më 1945-1946, nënpresident i Frontit Demokratik. Në Plenumin e Dytë të Beratit, në nëntorin e 1944-ës kritikoi hapur vijën terroriste që kishte kapluar Partinë Komuniste dhe përgjegjësitë që kishte personalisht, Enveri në krye të saj. Më 1946-48 ishte anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Më 1946-’47 ishte ministër i Arsimit dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për shkak të pikëpamjeve të tija liberale për kohën, u konfliktua me udhëheqjen e lartë dhe personalisht me Enver Hoxhën, e pas kësaj u përjashtua nga partia dhe u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake-shtetërore. U denigrua vazhdimisht për pikëpamjet e tij “oportuniste” dhe u dërgua të punojë punë të rëndomta. Prej vitit 1956 u vendos në Fier, ku punoi si magazinier duhani, llogaritar dhe shitës samarësh. Më 11 qershor 1971 Sejfulla Malëshova, u nda nga jeta dhe u varros në varrezat e qytetit. Për vdekjen e tij janë hedhur hije dyshim pas viteve “90-të, dhe ish-miku i tij i ngushtë, Xhaferr Vokshi, ka bërë publike dhe një korrespodencë letrash me të, në ato vite.
8. Gjergj Kokoshi, deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e para të pasluftës në dhjetor të vitit 1945, dhe anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, në vitet 1944-1946. Ministër i Arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me 30 vite burg, me Grupin e Deputetëve. Vdes në qelitë e burgut të Burrelit, pas një operacioni të ndërlikuar të kanalit urinar.
9. Riza Dani, pinjoll i një familje nga më të njohurat në qytetin e Shkodrës, eksponent Antizogist në periudhën e Monarkisë, angazhohet në Lëvizjen Antifashiste në qarkorin e Shkodrës me funksione drejtuese, pas Luftës emërohet Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, dhe Kryetar i Frontit Demokratik për Qarkorin e Shkodrës, deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1946. Arrestohet në vitin 1946, i akuzuar si një nga krerët e Grupit Opozitar të Deputetëve dhe dënohet me vdekje e pushkatohet pas dy vitesh hetuesie të ashpër.
10. Shefqet Beja, tregtar i madh i qytetit të Durrësit, financon luftën antifashiste partizane në Pezë. Në vitin 1944 zgjidhet nën-kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe deputet në Kuvendin Popullor. Në vitin 1946 akuzohet si kreu i Grupit Opozitar të Deputetëve dhe pasi dënohet me vdekje, ekzekutohet me varje në litar në qytetin e Tiranës dhe trupi i tij i pajetë u la tre ditë i varur në litar në zonën e ish fushës së druve.
11. Selaudin Toto, intelektual nga më të njohurit e Shqipërisë së viteve ’40-të, vëllai i vogël i Ismet dhe Et’hem Totos që organizuan Kryengritjen e Delvinës kundër Mbretit Zog në vitin 1938 dhe u dënuan me vdekje prej tij. Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare, (sot Akademia e Shkencave), dhe Deputet në Kuvendin Popullor, arrestohet në vitin 1946 duke u akuzuar si një nga krerët e “Grupit të Deputetëve”, dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në vitin 1947.
12. Sheh Karbunara, klerik i famshëm mysliman (bektashi), fanolist i njohur, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjes dhe emigrant anti-zogistë në Itali. Mbështet fuqishëm luftën Antifashiste në zonën e Myzeqesë dhe në zgjedhjet e para të 1945-ës, përfaqëson atë krahinë në Kuvendin Popullor. Në vitin 1946, arrestohet me Grupin e Deputetëve opozitarë dhe pushkatohet së bashku me të birin një vit më pas.
13. Enver Sazani, U diplomua për mjekësi në Francë dhe kthehet në Shqipëri duke shërbyer në çetën partizane të zonës Krujë – Ishëm dhe në Çetën e Pezës. Një nga të njohurit e afërt të Enver Hoxhës. Pas çlirimit të vendit emërohet drejtor i Spitalit Ushtarak të Tiranës, por arrestohet bashkë me deputetë të tjerë opozitarë, me akuzën “krime kundër shtetit dhe se kishin lidhje me agjenturat e huaja për rrëzimin e pushtetit popullor”. Procesi i njohur si “Gjyqi i Deputetëve“ u zhvillua në 27 shtator 1947-ës në sallën e kinema “ 17 Nëntori”. Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në 1947-ës.
14. Kostë Boshnjaku, Anëtar i Komitetit Qendror të KONARE-së. Bënte pjesë në delegacionin e kryesuar nga Noli në Konferencën e Miqve të BS më 1927-ën. Jetoi në Sofje në periudhën 1931-34-ës dhe në Rumani në 1934-‘39-ës. U kthye në Shqipëri më 1939-ës dhe në shtator 1943 iu bashkua Luftës së Antifashiste, në janar 1945-ës u emërua drejtor i përgjithshëm i Bankës së Shtetit, si dhe u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor në vitet 1946 -‘47. Më 1946 u pushua nga puna, më 1947 u arrestua me grupin e dytë të deputetëve dhe në janar 1948 u deklarua fajtor me akuzën “për lidhje me Anglo-Amerikanët”. Më 1949 u fal me amnisti. U shpreh kundër shtetëzimit të industrisë dhe heqjes së nismës private. Vdiq më 1953, si pasojë e torturave të shkaktuara në hetuesi dhe burg.
15. Riza Kishta, deputet i Elbasanit në Monarkinë e Zogut, në periudhën e pushtimit të Shqipërisë dhe në regjimin komunist, (rast unik deputet në tre regjime). Oficer i Ushtrisë Kombëtare gjatë periudhës së pushtimit, angazhohet pa rezerva me Lëvizjen Antifashiste dhe vihet në shërbim të çetave partizane në Skrapar, Gramsh, dhe Elbasan. Arrestohet në vitin 1946- duke u akuzuar si pjesëmarrës në Grupin e Deputetëve dhe vdes gjatë torturave në qelitë e Degës së Brendshme të Elbasanit në 1947.
16. Nako Spiru, student i Ekonomisë në Korfuz, komunist i orëve të para, dhe udhëheqës kryesor i PKSh-së për Shqipërinë e Mesme, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirmitare. Deputet në Kuvendin Popullor në 1945-ës, për merita lufte dekorohet “Hero i Popullit”, sekretar i parë i Rinisë Komuniste dhe Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, që de facto ishte kryeministër I Shqipërisë. Enver Hoxha e shikonte si rival ndërsa ai e denoncon Enverin tek jugosllavët si “mediokër dhe të pa-aftë”. Në vitin 1947, pasi ishte akuzuar nga Enver Hoxha si pro jugosllav, ndërron jetë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi kishte një plagë plumbi pistolete në trup të marrë në zyrën e tij në Kryeministri. Versioni zyrtar, vetëvrasje, pas viteve ’90-të, bashkëpunëtorët e afërt të tij, kanë dëshmuar publikisht të kundërtën.
17. Mestan Ujaniku, antizogist në periudhën e Monarkisë, komandant i të parës çetë Antifashiste në Shqipëri, asaj të Skraparit ku kishte dhe tre djemtë e tij partizanë. Komandant i qarkut të Beratit me gradën nënkolonel, deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e 1945-ës, arrestohet në vitin 1947 bashkë me tre djemtë e tij partizanë në Grupin e dytë të Deputetëve. Pasi dënohet me burgim, vdes në qelitë e burgut të Tiranës nga torturat në fillimin e vitit 1948.
18. Islam Radovicka, Komandant i Zonës së parë Operative Vlorë-Gjirokastër me gradën e nën-kolonelit. Pas nëntorit 1944-ës deri më 17 shkurt 1945-ës, i ngarkohet detyra e komandimit të Divizionit të Parë dhe më pas nga shkurti 1945 deri më 15 shtator 1946-ën, caktohet në detyrën e shefit operativ në Komandën e Përgjithshme në Tiranë. Më 28 nëntor të këtij viti u gradua kolonel dhe nga 15 shtatori 1946-ën deri në fund të marsit 1947-ës kalon në dispozicion të Shtatmadhorisë të Ushtrisë Kombëtare. Në dhjetor të vitit 1945, Kolonel Islam Radovicka, kandidon për deputet në Legjislaturën e Parë të Kuvendit Popullor, në zonën e Përmetit. Më tej mbyllet karriera e tij në Degën Ushtarake të Tiranës dhe në maj 1947-ës së bashku me nënkolonel Mestan Ujanikun etj, arrestohet dhe gjykohet me të ashtuquajturin “Grup i Deputetëve”. Më 7 shkurt 1948-ës, pa mbushur moshën 50 vjeçare, kolonel Islam Radovicka, pushkatohet
19. Koci Xoxe, anëtar i grupit Komunist të Korçës, themelues i PKSH-së, anëtar i Byrosë Politike dhe i Shtabit të Përgjithshëm, nënkryetar i Frontit Demokratik, sekretar organizativ i P.K.SH.-së, deputet i Kuvendit Popullor, “Hero i Popullit” dhe “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, gjeneral-leitnant, Ministër i Brendshëm dhe zv-kryeministër. Akuzohet nga Enver Hoxha nëpërmjet direktivës së Stalinit, si agjent i Beogradit dhe pasi torturohet barbarisht në hetuesi, dënohet me vdekje dhe pushkatohet në vitin 1949, i akuzuar për të gjitha krimet që ishin bërë deri në atë vit nga regjimi komunist i Tiranës.
20. Pandi Kristo, antizogist dhe anëtar i grupit Komunist të Korçës, anëtar i Byrosë Politike, Sekretar Politik i Qarkorit të Tiranës, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ku mbulonte në rrugë partie Ministrinë e Brendshme. Dënohet me 25 vjet burg dhe pas vuajtjes së dënimit në burgun e Burrelit, internohet në fshatrat e Myzeqesë së bashku me familjen e tij ku lirohet pas vitit 1990.
21. Vaske Koleci, antizogist, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste kolonel, zv-Ministër i Brendshëm, dhe më pas Drejtor i disa degëve të ndryshme në Sigurimin e Shtetit. Në vitin 1948, arrestohet dhe dënohet me grupin e Koçi Xoxes, si nr. 2 i Sigurimit, me 15 vjet burg. U akuzua për të gjithë dhunën dhe torturat e bëra deri në atë periudhë, në qelitë e hetuesive dhe pushkatimeve me dhe pa gjyq. Më pas lirohet dhe internohet në fshatrat e Elbasanit ku punon si rrobaqepës.
22. Vangjo Mitrojorgji, Kryetar i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës dhe njëkohësisht drejtor në disa degë të Sigurimit të Shtetit në vitet 1945-1948. Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Koçi Xoxes. U arrestua dhe u dënua me 10 vite burg, po në gjyqin e këtij grupi. Pas lirimit internohet për një kohë të shkurtër dhe më pas kthehet në Tiranë ku lihet në punë të rëndomta.
23. Nuri Huta, gazetar dhe diplomat. I atashuar si përfaqësues i republikës Popullore të Shqipërisë në organizatën e UNSCOB-it për Ballkanin. Më pas në vitet 1947-1948, është atashe ushtarak dhe kulturor në ambasadën shqiptare në Beograd. Gjithashtu për një kohë të shkurtër ka shërbyer në poste të larta edhe në Ministrinë e Arsimit. Arrestohet me grupin e Koçi Xoxes dhe dënohet me 5 vjet burg, pasi u akuzua si një ndër ideatorët e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë.
24. Myftar Tare, antizogist dhe komunist i orëve të para që në Normalen e Elbasanit, zv/Komisar i Korpusit të Gjirokastrës, kolonel, Drejtori i parë i Zbulimit Politik dhe shoqërues i Enver Hoxhës në takimin me Titon, në ishullin Brionit dhe Konferencën e Paqes në Paris. Arrestohet me grupin e Koçi Xoxes si bashkëpunëtor i ngushtë i tij dhe pas lirimit në 1949-ën, punon në Ndërmarrjen e Grumbullimeve. Deri sa doli në pension në 1975-ën ai ishte i survejuar nga Sigurimi i Shtetit.
25. Kadri Hoxha, antizogist, komunist i orëve të para, sekretar politik i qarkorit të Elbasanit, strehon Enver Hoxhën në Operacionin e Dimrit, përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimtare, pranë misioneve anglo-amerikane në Bari të Italisë. Në vitin 1949, akuzohet si agjent i misioneve britanike dhe burgoset e internohet së bashku me bashkëshorten e tij, Zyranë, duke vuajtur dënimin në zonën e Myzeqesë deri në vitin 1991.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016