Saimir Maloku
Pjesa e shtatë
Memorie.al/publikon disa nga historitë e panjohura të Saimir Malokut, ish-inxhinier ushtarak që ishte diplomuar me ‘Medalje Ari” në Universitetin e Tiranës, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit më datë 13 maj të vitit 1976, në prani të 600 vetave në një sallë të madhe kinemaje në qytetin Burrelit, me akuzën si “agjent i mundshëm i Zbulimit Britanik dhe për agjitacion e propaganda kundër pushtetit popullor si dhe ndaj regjimit komunist”. Lidhur me shkakun e vërtetë të arrestimit të tij, Saimir Maloku dëshmon: “Për arsye se Televizioni Publik Shqiptar transmetonte vetëm 4 orë emision televiziv në ditë, unë në vitin 1970 duke lexuar mjaft literaturë të huaj shkencore arrita të ndërtoja një pajisje të thjeshtë elektronike televizive (shndërrues të sinjaleve televizive të Bandës UHF në VHF). Kjo shpikja ime bëri të mundur që populli shqiptar në të ardhmen të shikonte lirisht emisionet e stacioneve televizive italiane dhe jugosllave të Bandës UHF sidomos në zonat malore dhe bregdetare të vendit tonë.
“Pse u anullua urdhri i arrestimit të babait tim, Reshitit”?!
Letërkëmbimi postar kontrollohej nga oficeri i Sigurimit të Shtetit për Burgun e Burrelit. Këta oficerë të Sigurimit të Shtetit në Burgun e Burrelit dhe të burgjeve të tjera politike, ne të burgosurit i quanim operativi i burgut ose i kampit. Për shkelje disiplinore ata i’a ndërprisnin takimin me familjarët, si dhe korrespondencën të dënuarit politik deri në tre muaj. Ngjarja ime më e gëzueshme në Burgun e Burrelit ishte ardhja e babait tim të paralizuar, e nënës dhe e mbesës time 6-vjeçare, për t’u takuar me mua. Takimi me prindërit zgjati më tepër se 15 minuta te sporteli i vogël i derës së madhe metalike të burgut. Unë i putha me gëzim të madh dhe me lot në sy duart e tyre që i kalonin nëpërmjet sportelit të vogël të derës. Babai, i paralizuar, qëndronte i mbështetur mbas një bastuni si dhe duke u mbajtur edhe te nëna ime. Për fatin e mirë, te dera e takimit ishte një polic, të cilit dikur i kisha rregulluar televizorin. Ishte njeri i mirë dhe më lejoi të flisja lirshëm në gjuhën angleze me tim atë.
Babai, duke përfituar nga kjo gjë, më tregoi se Sigurimi i Shtetit donte ta arrestonte, duke e akuzuar si agjent anglo-amerikan, por e anuluan urdhrin e arrestimit, sepse ai ishte i paralizuar rëndë. Mjekët ushtarakë dhe ata të lagjes nuk e lejuan një gjë të tillë, sepse ata vetë do të mbanin përgjegjësi ligjore, në rast se i paralizuari arrestohej dhe më pas vdiste në burg. Babai më tregoi se e kishin informuar disa miq të tij, se në shtëpinë tonë Sigurimi i Shtetit kishte vendosur përgjues elektronikë dhe survejohej ditë e natë prej tyre. Pra, spiunët e Sigurimit të Shtetit ishin bërë për shtëpinë time “si shushunja që donin të thithnin sa më shumë informacione dhe pastaj të thithnin gjakun tone, kur të më vritnin mua dhe babanë tim, Reshitin”.
”Bashkëpunëtori i Sigurimit nga Burreli në shtëpinë tonë”
Gjithashtu edhe pse ishte mjaft i sëmurë, ai ishte betuar se gjallë apo vdekur, ai do të vinte të më takonte e të më shihte se si isha transformuar pothuajse në kufomë pas gjithë atyre vuajtjeve që gjatë afro 200 ditëve në qelinë e nëndheshme kisha hequr. Kjo pamje e imja kishte bërë bujë dhe ngjallur zemërim te banorët e shumtë të Burrelit e të Tiranës. Ai më tregoi se në shtëpinë tonë edhe muret e dhomave sikur kishin veshë. Kjo për arsye të aparateve përgjuese elektronike të vëna nga Sigurimi i Shtetit, me qëllim që të informoheshin rreth bisedave tona familjare me farefisin dhe me miqtë apo fqinjët tanë. Gjithashtu im atë më tregoi për gjestin e ulët të bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, H.C. i cili kishte ardhur nga Burreli në shtëpinë tonë me një valixhe ku brenda saj ishte përgjuesi dhe regjistruesi elektronik, me mision sekret për të regjistruar bisedat familjare të provokuara nga ky njeri i poshtër, që më vonë vdiq nga kanceri, i dënuar nga Zoti në jetën e përtejme ashtu siç vdiqën edhe shumë spiunë, dëshmitarë, militantë dhe oficerë të Sigurimit të Shtetit, të cilët ishin si “halat e peshkut” për mua dhe babanë tim të ndjerë.
Me këtë rast falënderova Jezu Krishtin që regjimi komunist nuk m’i internoi prindërit e mi, duke patur të sëmurë në rrethin familjar. Gjithashtu, babai më informoi për masakrën që Sigurimi i Shtetit kishte bërë në shtëpinë tone, duke djegur librat e Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit, e me dhjetëra libra të tjerë artistikë të vjetër të gjuhës angleze. Por ai ishte i gëzuar se kishte mundur të shpëtonte një fotografi të madhe të Mbretëreshës Elizabeth II, Fjalorin Anglisht – Shqip të Stjuart Mann të vitit 1957 dhe fjalorin anglisht – anglisht të Nelson’s “Highroads” të vitit 1922, të cilën babai e përdorte kur ishte në shkollën Teknike Amerikane të Tiranës, etj. Gjithashtu, babai im më tregoi për letrën që i kishin dërguar Kryeministrit, duke na akuzuar më kot si agjentë anglezë, sepse këta turistë, siç u verifikua, ishin miq të Shqipërisë dhe mbi fjalët që kishte përhapur Sigurimi i Shtetit gjoja se Saimir Maloku ishte çmendur, nuk tregohej vendndodhja e tij.
Im atë, me lot ndër sy, më tha se i lutej Zotit që të ishte gjallë derisa unë të lirohesha nga burgu dhe pse jo, të martohesha. Ja sakrifica e madhe dhe e jashtëzakonshme e babait tim, të paralizuar rëndë, që me ndihmën e Zotit erdhi dhe më takoi në burgun më të tmerrshëm të Shqipërisë, pavarësisht rrezikshmërisë së jetës së tij. Për arsye se ky ishte takimi i parë me familjarët e mi, si dhe isha një person i njohur i qytetit të Burrelit, më lejuan të merrja me vete mjaft ushqime nga familja ime, duke më sjellë edhe pluhur qumështi. Gjatë kësaj periudhe haja ushqim të lehtë për gati tre muaj, për të mos dëmtuar veshkat dhe stomakun. Këtë gjë e bëra sipas eksperiencës të burgosurve në Kampet të Përqendrimit të Aushvitzit dhe të Buchenvaldit, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Për humanizëm, edhe të varfërisë së madhe, unë me dëshirën e prindërve të mi, gjysmën e ushqimeve të mia e ndava në 23 racione të barabarta për gjithë bashkëvuajtësit e dhomës time.
“Në Burgun e Burrelit, me Osman Kazazin, shokun e babait”
Këtë gjë unë e përsërisja sa herë që familja ime sillte ushqime në burg. Kjo sepse e provova vetë në qelinë e nëndheshme, se sa e tmerrshme ishte për njeriun uria e madhe dhe vetmia e plotë. Kjo sakrificë dhe ndihma ime humanitare, bënë që shumë shpejt të fitoja respektin e shokëve të dhomës time. Kjo, bazuar në shprehjen: “Miku i mirë njihet në ditë të vështira”. Me këto veprime humane dhe të mëvonshme, tregova edukatën dhe humanizmin e familjes time, që ishte nga familjet më të vjetra të kryeqytetit. Në këtë burg pata fatin e mirë të kisha në dhomë një shok të ngushtë të babait tim, i cili quhej Osman Kazazi, dikur shokë rinie në Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës. Ai më dha ndihmë të madhe morale, shpirtërore dhe edukative, që unë të përballoja kohën e gjatë të dënimit që kisha për të qëndruar në atë burg. Mbas 28 viteve burg, me fitoren e Demokracisë, ai u zgjodh kryetar i Shoqatës Kombëtare të ish – të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë.
“Letër-ankesat e mija nga burgu për Prokurorinë e Përgjithshme”
Po kështu, në këtë burg u njoha me shumë për krimet e Sigurimit të Shtetit dhe të regjimit komunist. Shokët e dhomës time më informuan se spiuni i Sigurimit të Shtetit në qelinë time me inicialet D.Gj. quhej Xh.Gj. Ai kishte disa muaj që ishte liruar. Ata tregonin se ai ishte njeri shumë i keq dhe mashtrues. Gjithashtu në burg, me ndihmën e Uran Kostrecit, nisa të mësoja me intensitet italisht. Dhe shoku tjetër i dhomës, Kurt Kola, u bë një nga drejtuesit më të lartë të Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë për shumë vite me radhë. Ndërsa djali i tij, Bilal Kola (i Riu), pas studimeve universitare në Londër, është sot drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Nga burgu unë çdo muaj i dërgoja letër ankesë Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, për shkeljet procedurale gjyqësore që ishin bërë në gjyqin tim, sepse nuk më kishin dhënë fletë – akuzën; nuk më kishin njoftuar mua dhe familjen time për gjyqin; për torturat dhe sjelljet çnjerëzore të oficerëve të Sigurimit të Shtetit ndaj meje në hetuesi; për fyerjet dhe goditjet tepër poshtëruese ndaj meje kur mbaroi gjyqi nga militantët ekstremistë; lënien time pas gjyqit edhe për tre muaj të tjerë në qelinë e nëndheshme; për mos informimin e familjes time për vendndodhjen time etj.
“Jorgo Dhrami, përfaqësuesi i Zyrës së Ankesave, erdhi e më takoi në burg”
Mbas afro një viti, pas shumë letrave të dërguara në institucionet e larta shtetërore prej meje, erdhi në burg për të më takuar, përfaqësuesi kryesor i zyrës së ankesave te Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Jorgo Dhrami. Këtë burrë të mrekullueshëm dhe të drejtë, unë edhe sot e kësaj dite e konsideroj si mik të ngushtë të jetës dhe të familjes time. Ai verifikoi të gjitha procedurat e gjykimit tim, dosjen në Prokurori, Gjykatë dhe të Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, ku u vërtetuan shkelje të shumta juridike dhe gjyqësore prej të gjitha këtyre institucioneve shtetërore dhe kishin ndikuar për keq në dënimin tim të padrejtë. Bazuar në relacionin e këtij inspektori të Prokurorisë së Përgjithshme, Jorgo Dhrami, në qytetin e Burrelit, erdhi edhe grupi i inspektimit të Gjykatës së Lartë, ku ishte si inspektori i saj P.H., i cili inspektoi dhe verifikoi dosjen time dhe disa dosje të tjera, për arsye të shkeljeve të shumta gjyqësore të gjyqtarit tim Y.T., i cili u shkarkua nga puna.
“Si më dërguan në Burgun e Ballshit, për të fshehur padrejtësitë”!
Duhet të rikujtoj se regjimi komunist për të mbuluar krimet e tij dhe për të fshehur veprimtarinë kriminale të gjyqtarëve, prokurorëve, të oficerëve të Sigurimit të Shtetit dhe të Hetuesisë, e hoqi Ministrinë e Drejtësisë nga viti 1966 deri në vitin 1991. Pastaj, me propozim të Prokurorisë së Përgjithshme, për të mbuluar dhe fshehur këto shkelje flagrante juridike të institucioneve përkatëse të qytetit të Burrelit dhe që unë të mos vazhdoja të ankohesha përsëri, pas dy vitesh më dërgojnë për disa muaj në Burgun e Ballshit. Ky burg ishte 150 km. larg kryeqytetit. Në këtë burg ishin rreth 700 të burgosur politikë dhe kryesisht të moshave të vjetra. Shumica e tyre ishin të sëmurë dhe nuk punonin. Komanda e Burgut të Ballshit, i detyronte të burgosurit politikë të dëgjonin në mënyrë kolektive për gati dy orë leximin e librave të diktatorit Hoxha dhe shkrimet e kryeartikujt e tij në gazetën kryesore të Partisë Komuniste, “Zëri i Popullit”. Në të vërtetë aty ishte zëri i Partisë Komuniste dhe jo i Popullit. Në këtë burg unë u njoha dhe u miqësova me Petrit Velajn, i cili ishte një Mandela i vërtetë i Shqipërisë, që bëri 37 vjet burg dhe 5 vjet internim. Historia e jetës së tij ishte plot vuajtje dhe tortura kriminale, që regjimi komunist nuk mundi t’a gjunjëzojë për bindjet e tij antikomuniste, sepse ideali i tij ishte demokracia e sotme perëndimore. Të burgosurit ishin të veshur kryesisht me rroba shumë të vjetra dhe të grisura, ndërsa në këmbë kishin opinga llastiku. Ne flinim në disa baraka të mëdha prej druri dhe në krevate të përbashkëta dykatëshe. Këto baraka ishin të ftohta në dimër. Kishim nga dy batanije dhe dyshekë të ngushtë të mbushur me kashtë gruri. Gjithë ditën të burgosurit shëtisnin te oborri, luanin shah ose domino, e të tjera. Ndonjëherë në çdo muaj vinte Auto-kinemaja e Ballshit dhe na shfaqte ndonjë film artistik edukativ shqiptar. Të vinte keq kur shikoje mjaft priftërinj dhe të burgosur tepër të moshuar, që kishin kaluar një kalvar të madh vuajtjesh prej dhjetëra vitesh dhe shumica ishin harruar nga familjarët e tyre. Shpeshherë nga shpirti i tyre i mallëngjyer dëgjoje vetëm një fjalë: “O Zot, kur do të jemi të lirë ne, sepse u kalbëm në këto burgje komuniste?!”
“Në Ballsh u njoha me Vasil Katin, e dënoi xhelozia e Enverit”
Komunizmi i kishte eklipsuar atyre rininë ashtu si rrezet e diellit në dritën e eklipsit diellor. Vuajtjet, torturat, uria dhe shëndeti i dobët i bënte që këta të burgosur të plakeshin para kohe, si dhe të dukeshin si kufoma të gjalla me fytyrë gjithë rrudha në ballin e tyre dhe të ngrysura. Një pjesë e tyre çmendeshin apo përfundonin në spitale psikiatrike apo sanatoriume, ku vdisnin pas pak vitesh. Aty pata fatin e mirë të isha në një kapanon banimi me Vasil Katin, babai i shokut tim të klasës në Fakultetin e Inxhinierisë, Adrian Kati. Vasil Kati ishte nga të burgosurit e vjetër politikë, i cili ishte shumë i respektueshëm nga të gjithë të burgosurit, sepse ishte mjaft i kulturuar dhe që u dënua dhe vuajti me më tepër se 14 vite burg. Babai i tij, Spiro Katis dhe vëllai i tij Grigor Katis, kishin emigruar qysh para Luftës dhe jetonin në SHBA. Edhe familja e tij u internua për 16 vjet në fshatrat më të thella të Shqipërisë. Para se ai të arrestohej, çifti Vasil dhe Fedra Kati, ishte çifti më simpatik ndër personalitetet e larta dhe kjo zgjoi edhe xhelozinë e familjes Hoxha, i cili u hakmor me arrestimin dhe internimin e familjes Kati. Këtë familje të mrekullueshme diktatori Hoxha plot fyerje e quajti borgjezia e klasës punëtore dhe i vuri damkën si të lidhur me agjenturën e SHBA-së.
“Në burg me Dine Fratarin, babain i’a vrau Sigurimi në SHBA”
Në këtë burg ishte edhe shoku im i ngushtë Hajredin Fratari, që i përkiste familjeve më patriotike dhe më të kulturuara të Shqipërisë. Ai ishte ndër inxhinierët më të mirë të vendit. Babai i tij, Rauf Fratari, ka qenë komandanti i batalionit dhe i çetës së parë më patriotike të Shqipërisë së Jugut, që kontribuoi shumë për çlirimin e vendit kundër pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës ai emigroi në SHBA. Në vitin 1973, ai u vra në New Jersey nga dora gjakatare e Sigurimit të Shtetit, sepse ai ka qenë kundërshtari kryesor ndaj kryeministrit komunist Shehu, gjatë Luftës. Fatin e keq të Vasil Katit dhe të Hajredin Fratarit, e pësuan shumë shqiptarë nga njerëzit e afërt me banim në Amerikë, dhe ata që studimet e para i morën në Shkollën Teknike Amerikane sikurse edhe fëmijët e tyre. I njëjti fat i hidhur goditi familjen time Maloku. Sigurimi i Shtetit me akuza false arrestonte mjaft nga këta qytetarë për të frikësuar popullin tonë që të mos komunikonte me qytetarët shqiptarë me banim në Amerikë. Por Demokracia i dha vlerat e duhura familjeve Kati dhe Fratari, duke u dekoruar me medalje të arta nga Presidenti i Republikës të Shqipërisë. Sot këto dy familje kanë dhënë një kontribut të madh në fitoren dhe forcimin e Demokracisë duke mbartur një reputacion të madh në vendin tonë. Ing. Hajredin Fratari bashkëvuajtës, President i Konfindustria Shqiptare Me fitoren e Demokracisë inxhinieri i njohur Hajredin Fratari si president firme ndërtimi, ka kontribuar në ndërtimin e 1500 apartamenteve për banim në Tiranë, të shumë spitaleve, urave, rrugëve duke punësuar me qindra punëtorë ndërtimi. Para shtatë vitesh, të gjitha shoqatat e të persekutuarve politikë, sindikata e tjera, propozuan kandidaturën e tij si President i Republikës së Shqipërisë. Ndërsa sot prej shumë vitesh ai është President i Konfindustrisë shqiptare. Ja çfarë inxhinierësh të talentuar burgosi regjimi komunist.
“Në Ballsh, të burgosurit e vjetër, e ndërronin ushqimin me një paketë cigare”
Në Burgun ose kampin e Ballshit ushqimi ishte i dobët dhe të burgosurit ishin gjithnjë e më të uritur. Shumë të dënuar politikë herë pas here e këmbenin racionin ditor të bukës me një paketë cigare. Kjo sepse ata për të hequr mërzinë e madhe nga vuajtjet shumëvjeçare, e bënin këtë gjë duke na thënë neve: “Pa bukë mund të rrimë, por pa cigare jo”. Kjo ishte një sakrificë e çmendur e tyre. Shumica e të dënuarve kishin bërë shumë vite burg. Njerëzit më të nderuar të burgut ishin priftërinjtë katolikë, të cilët ishin tepër të kulturuar e të respektueshëm dhe ishin dënuar me shumë vite me heqje lirie. Ata na ndihmonin të mësonim gjuhën italiane dhe si t’i përballonim vështirësitë e jetës. Kjo sepse unë flija në një barakë me shumë prej këtyre priftërinjve katolikë dhe mundohesha që edhe t’i ndihmoja, duke marrë parasysh se ata ishin njerëzit e Zotit. Aty kisha edhe shumë shokë të mrekullueshëm si: Eqerem Meniku, Koço Flloko, Vasil Kati, Dashnor Mamaqi, Andon Sheti, Petro Marqidhi, Milto Vako, Hajredin Fratari, Roland Koçaj, Mark Shkreli, Dalip Xhaboli, Spartak Ngjela, Sarandi Lulo, Milto Vako, Mehdi Prodani, Petrit Velaj, Nuri Sallaku, Gramoz Mborja, Nezir Stërmasi, Aladin Kapo, Jamarbër Marko, Gëzim Peshkëpia, Maksim Rakipi, Syrja Vrapi, Refat Tufina etj. Në Burgun e Ballshit katër ish – oficerë të Marinës Tregtare, që ishin të burgosur politikë, na treguan se qeveria komuniste bënte një kontrabandë të madhe të cigareve të prodhuara në Shqipëri si dhe të mallrave të tjera të ndaluara. Motoskafë të huaj dhe modernë ngarkoheshin natën në portin e Durrësit me mallrat kontrabandë dhe i çonin fshehurazi në Itali. Kjo kontrabandë kontrollohej nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Për dekonspirim të kësaj veprimtarie, u arrestuan të gjithë oficerët, duke i’u shtuar edhe ndonjë akuzë politike.
“Transferimi nga Ballshi në burgun famëkeq të Spaçit”
Pas disa muajsh, në fund të vitit 1979, mua dhe shumë të burgosur politik të moshave të reja na transferuan në Burgun famëkeq të Spaçit, 130 km. larg nga Tirana. Ai ishte një burg riedukimi dhe kamp pune i detyrueshëm në minierën e bakrit dhe të piritit. Miniera e Spaçit ishte pranë kampit, ndërsa galeritë ishin tepër primitive, ku shinat, vagonët dhe galeritë ishin mjaft të vjetruara. Galeritë e mineralit të bakrit ishin deri 1.5 km. larg, ndërsa ajo e piritit ishte 2.5 km. larg Burgut – Kamp të Spaçit. Një vagon i mbushur me mineral bakri peshonte deri 1.5 ton, ndërsa ai me mineral piriti, deri në 2.2 ton. Avujt e acidit sulfurik dhe gazrat e pluhurat si pasojë e plasjeve të dinamitit nga galeritë e minierës helmonin ajrin e ambientit ku ne banonim dhe punonim. Nuk shikoje zogj apo kafshë të egra si dhe pemë apo bimësi në zonën ku ne punonim e jetonim. Uji që pinin të gjithë të burgosurit politikë, kishte përmbajtje acidi sulfurik dhe kjo shkaktonte sëmundje të veshkave (kolika renare) dhe infeksione të tyre.
“Ndëshkimi në Spaç i shokut tonë nga polici P.”
Gjatë dimrit vetëm dy ose tre orë shikonim diellin sepse kampi ishte ndërtuar pranë luginës së një përroi. Shumë nga të burgosurit e Spaçit nga lodhja e madhe, thoshin se ka më tepër vlerë vdekja, sesa jeta tepër e vështirë e punës në këto galeri tepër primitive, që ishte bërë për ata si Ferri i vërtetë. U bë si një ritual i zakonshëm që kur ne të burgosurit mbaronim turnin e punës dhe sapo dilnim nga dera e galerive, uronim njëri-tjetrin që ishim gjallë, sepse shpesh kishte edhe aksidente të shumta me pasoja për jetën. Edhe ta mbaroje apo ta tejkaloje normën e punës, policia nuk të lejonte të dilje nga dera e galerisë, por duhej të rrije si dënim aty brenda derisa të mbaronte orari i punës. Kjo gjë shkaktonte pakënaqësi të mëdha te të burgosurit politikë. Në të kundërt, ndëshkoheshe rëndë. Një rast i tillë ndodhi me një shokun tonë të ngushtë nga Tirana, ku polici i turnit të tretë me inicialin e emrit P. i vuri atij prangat metalike në duart te dera e galerisë dhe e la atë përjashta në mes të ftohtit të madh të dimrit në majë të malit ku frynte një erë e fuqishme. Ai ishte i veshur vetëm me një palë çizme, një këmishë dhe pantallona të shkurtra prej pambuku. Këtij shokut tonë të mrekullueshëm i rrezikohej jeta nga një kapriçio apo brutaliteti i këtij polici ekstremist komunist dhe më famëkeqi i Burgut të Spaçit. Disa vite më parë regjimi komunist kishte pushkatuar babanë e tij. Unë dhe një shoku im, Perikli Gusho, hoqëm të dyja palltot dhe e mbuluam shokun tonë që dridhej dhe i kërcisnin dhëmbët nga i ftohti i acartë, duke përfituar nga mungesa e policit./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016