Dashnor Kaloçi
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.alpublikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorëshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vendit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp, me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ve, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vend të largët, me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.
Pjesë nga libri në dorëshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al
Prolog
Lexues të dashur!
Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.
Personazhet e mi, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara. Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.
Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!
Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.
Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojëtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zezë të kombit tim!
Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!
Kaso Hoxha.
Llavrio, Greqi 1985
Në “Kaushin” e Tiranës me të dënuarit e Spaçit!
Më futën në makinën burg dhe pas 10 minutash u gjenda në korridorin e burgut të Tiranës. Polici këtë herë hapi derën e kaushit Nr.1. U habita si ishte e mundur që unë këtë herë të përzihesha me ordinerët. I thashë policit se jam i dënuar politik, dhoma Nr.7 është për këta të dënuar?
“Hyr këtu, aty janë të gjithë armiqtë e popullit”, ma ktheu ai. ‘Kaushi’ ishte plot me të burgosur, mbi 80 të dënua, shumicën e të cilëve i njihja. Dhoma ishte me përmasat 10 me 4 metra, me krevat 3 katësh. I përshëndeta të gjithë dhe e kuptova përse këta të burgosur nga Spaçi ishin këtu.
Ata ishin të gjithë spiunë që do tu dilnin dëshmitarë shokëve që ishin arrestuar pak muaj më parë. Të gjithë i njihnim këto fytyra të ndyra, e shumë të tjerë. Zura vend në katin përdhes të dhogave që ishin nja 30 cm. mbi çimento dhe ishin bosh nja 2-3 dyshekë. Ato ishin të qelbur, për shkak të koshit të plehrave që ishte në qoshe dhe erës së keqe të mbeturinave.
Në krah tim, më tej, nga një dyshek bosh, një i burgosur rrinte shtrirë i mbuluar kokë e këmbë me një batanije që nuk i dallohej boja nga balta që ishte bërë si lustër. Mendova që do jetë i sëmurë rëndë që s’lëvizte, e dukej sikur s’merr frymë! Në krah të tij rrinte ulur një i burgosur, i cili fliste me vete dhe e shoqëronte me gjestet e mimikës dhe duarve.
Thashë me vete “do jetë psikopat i ziu”?! Në krah të tij një tjetër i burgosur lexonte letrën që i kishte dërguar familja dhe herë pas here fshinte lotët. Mendova se kushedi sesi i ka hallet në familje derëziu?! Në ‘Kaush’, zhurmë, shamatë, kollë dhe mjegull, nga tymi i duhanit që mbi 70 % e pinin.
Në orën 11.00 erdhi dreka dhe dy të burgosur ordinerë me xhaketa, sillnin një kazan ku brenda notonin ca copa preshi dhe tek-tuk dukej ndonjë kokërr orizi në atë ujë të turbullt që e quanin supë. I burgosuri ordiner na hidhte supën në kasat e aluminit. Të burgosurit nuk e vinin re cilësinë e kësaj supe, por sasinë! Të gjithë ndjenin një zbrazëti në stomak. Kjo supë aq e ndyrë, dukej aq e shijshme?!
Unë e kisha marrë racionin tim në burgun spital për 24 orë. 300 gram bukë, me pak marmelatë, të cilën e hëngra një herë dhe tani duhet të prisja ditën tjetër. Të gjithë e hëngrëm atë supë, por i burgosuri që rrinte kokë e këmbë i mbuluar në krah tim, nuk lëvizi, megjithëse u bë zhurmë e madhe brenda në kaush?!
“Vallë kush është ky i mjerë”, m’u shtua kurioziteti për këtë të burgosur që ishte më misteriozi këtu brenda! Aty nga ora 14.00 polici dha urdhër që të dilnim në ajrim ose (pajtos) siç i thonin të burgosurit. Dolëm jashtë në oborrin e burgut ku kishte filluar që të bënte vapë, megjithëse ishte muaji prill.
Pemët e mbushura gjithë blerim, qielli ishte i kaltër dhe dielli shkëlqente me gjithë zjarrin e tij. Për ne kjo dritë ishte verbuese, pasi ishim mësuar me errësirën e burgut. U ulëm në hije, anës murit të oborrit dhe vështronim peizazhin karakteristik të malit të Dajtit, në pikën më të lartë të tij ku shquhej një antenë e hekurt e Televizionit.
Sadik Bala, i dënuari nga Tropoja që refuzonte ushqimin!
Nuk e kuptova sesa shpejt kaloi ajo orë dhe polici dha urdhër që të hynim brenda. Nga drita përsëri në errësirë, gjë e papëlqyer për sytë! Shoku që kisha në krah, lëvizi! Ai u shtriq dhe zbuloi fytyrën që unë nuk ja kisha parë deri në këtë moment. Një fytyrë, që më të mjerë, s’kisha parë kurrë në jetë! Dy faqe të rrufitura deri në zgavrën e gojës, dy sytë të futur thellë në zgavrën e tyre, flisnin për një vuajtje të madhe! Me njëqind mundime, u ngrit më në fund, hodhi vështrimin rreth e rrotull dhe si më afër, m’u drejtua mua.
-“Sa është ora bre burrë”?
-“Afërsisht 3.00, xhaxha”, i’u përgjigja unë. Ky i burgosur ishte i thyer në moshë mesa pashë dhe i kishte kaluar të 70 vjetët.
-“Si ndjehesh, a mbahesh ndonjë çik”, e pyeta, për t’i hapur rrugë muhabetit.
-“Ah mos më pyet fare sesi jam, më keq s’ka ku shkon bre mik”, mu përgjigj ai.
-“Po përse nuk u ngrite të haje drekën”, e pyeta!
-“Jo bre s’ka ç’më duhet më ushqimi, s’dua më të rroj kështu siç jam katandis, por Zoti s’don me më marr”, tha plaku dhe një psherëtimë doli nga thellësia e kraharorit skelet.
Më dhëmbi dhe i’u afrova pranë këtij njeriu që kishte nevojë për ndihmë.
-“Sot ke ardhë”, më pyeti?
-“Po”, i’u përgjigja.
-“Si të quajnë bre mik”, pyeti përsëri.
-“Kasëm Hoxha”, i thashë emrin dhe mbiemrin.
-“A me gjithë mend Hoxha”, pyeti i habitur njeriu fantazmë?!
-“Hoxha”, i’a ktheva, s’kam pse të të gënjej!
-“Po prej ç’krahine je ti”, vazhdonte të më pyeste.
-“Prej Sarande”, i’u përgjigja unë.
-“Më fal bre mik, mendova se je i afërt me Enver Hoxhën”, tha plaku duke bërë shaka, për të larguar mërzitjen që dukej në çdo rrudhë. Vuri buzën në gaz, dhe me dorën e tij skelet më rrahu shpatullat.
-“Po juve si ju quajnë”, e pyeta unë.
-“Sadik Bala’, m’a ktheu, dhe pa më lënë kohë që ta pyesja prap vazhdoi: ‘jam prej Tropojë dhe më kan dënue bre Bac 25 vjet, pa bërë kurrfarë gjaje. Më kanë akuzue sikur kam strehue diversantë. Unë bre Bac, kam qenë anëtar i Partisë, dhe Kryetar i Këshillit në fshat. Veproja siç me thoshin ata të Partisë, dhe të Sigurimit. Por më vonë or Bac nuk e kuptoj ç’djall lot në kët mes. Kam 10 vjet që dergjem nëpër burgje dhe jam katandisur si mos më keq, jam paralizu. I lutem Zotit të më marrë një sahat e më shpejt, po nuk më ndigjon. Më mban këtu që të vuaj e të heq”.
Bac Sadiku, pasi tha të gjitha këto pothuaj pa marrë frymë, u mundua të hapte gojën, e pasi lagu gurmazin e tharë, u mundua që të luante këmbët e pa jetë, të mbuluara me batanijen e palarë kurrë. I tërhoqi ato me vështirësi me forcën e krahëve që kishin pak jetë. E mbështeti kurrizin pas murit dhe kokës së tij të thinjur, i vuri dorën që të mos ishte në kontakt me murin e betontë.
E hodhi vështrimin e tij tej ‘Kaushit’. Një vështrim që kërkonte diçka. ‘Kaushi’ gumëzhinte nga zhurma dhe të burgosurit bisedonin me zë të lartë me njëri tjetrin. Kolliteshin aq fort, sa që mund t’i dilnin zorrët nga barku! Dikush villte, tjetri rënkonte nga dhimbjet, ndërsa ata që kishin duhan, pinin aq shumë, saqë tymi varej si mjegull nga tavani! Bishtat e cigareve që hidhnin në dysheme, digjnin vazhdimisht nikotinë. Në xhep kisha tre katër karamele që më kishin mbetur nga takimi që pata me motrën Bardhë, dy javë më parë në burgun spital. Një e mbajta për vete, ndërsa tre të tjerat, i’a dhashë Bac Sadikut, që të ëmbëlsonte gojën e tij të helmuar.
-“T’u rritë ndera bre mik, po pse si mban, haji vetë. Zëre sikur i hëngra unë, mos ma merr për keq, mos pandeh se nuk i pranoj. Unë këtë e quaj sikur më ke falë jetën tënde. Por un bre Bacë dua të vdes. Më është mërzitur jeta, saqë shpirti im nuk ka asnjë shpresë. Ti mos bjer në pesimizmin tim, unë jam plak dhe jam me sëmundje të rëndë. Kurse ti je djalë i ri, e ndoshta ke fat më pas”, përfundoi Bac Sadiku.
-“Merri Bac Sadiku, se këto dy karamele nuk na shpëtojnë as mua e as ty”, i’u luta përsëri. Ai më shikonte me keqardhje dhe sytë e futur thellë në zgavër, shpërthenin si kandil që i është sosur vaji. Baca i mori karamelet, e hapi njërën dhe me dorën që i dridhej, e futi në gojë. Vura re se në gojë nuk kishte asnjë dhëmb të aftë për të përtypur atë gjë të fortë. Ai filloi ta kalojë atë nga njëra anë e gjuhës në tjetrën, për ta përtypur.
-“Sa të kanë dënuar or mik”, më pyeti.
– “10 vjet Bac Sadiku”, i’u përgjigja.
-“Mos u mërzit bre Kasëm, të shkuara qofshin”, më ngushëlloi Sadiku.
-“Po në cilin burg je”, më pyeti përsëri Baca?
-“Në Spaç, në Burgun nr. 303”
-“Aaa…, për njimen në Spaç – a…”, pyeti i habitur Baca.
-“Po në Spaç”.
-“A i njeh Xhemal Nezën dhe vëllezërit Allçi”?
-“I njoh bre Bacë por Ademin dhe Elezin i kanë hequr nga aty dhe i kanë çuar në burgun e Burrelit”, i thashë.
-“Po Hasan Malen, e njeh”?
-“E njoh, bëri 10 vjet dhe pak muaj më parë u lirua”, i thashë.
-“Po a ke qenë aty kur u bë kryengritja”, më pyeti Baca.
– “Jo bre Bac, unë shkova pas disa muajsh, dhe vuajmë akoma torturat dhe regjimin e ashpër. Megjithëse kanë kaluar 6 vjet, akoma i kemi mishrat e nxirë prej kërbaçit të policisë”.
-“Eh sa qejf kam të më tregosh, u’a lumsha e bënë bash si burrat”, tha baca.
-“E bënë si burrat bre Bac, por shumë shokë të mirë i pushkatuan dhe shumë shokë të tjerë, po vdesin në qelitë e Burrelit. Ti nuk e din, por në shkurt të këtij viti, arrestuan 100 shokë të Spaçit, të cilët do i dënojnë përsëri, dhe rrezik i pushkatojnë prapë, por ata janë njerëz të pafajshëm, të akuzuar gjoja për terrorizëm! Si udhëheqës të tyre, akuzojnë Xhelal Koprenckën, Irfan Vrionin, Vangjel Lezhon dhe Fadil Kokomanin, etj”.
-“Me të vërtetë”, pyeti i habitur Baca.
-“Po bre Bac, i sheh gjithë këta të burgosur këtu të Spaçit, me M.D., e në krye G.X.”?
-“Po bre i shoh, por nuk e di pse janë këtu”!
-“Ata i kanë sjellë për dëshmitarë, sepse lart në katin e dytë, zhvillohet gjyqi i tyre”, i thashë unë me zë të ulët.
-“Sa të poshtër, u dalin dëshmitarë me rrena shokëve të tyne”, shau Bac Sadiku.
-“Jo bre Bacë, këta nuk kanë faj, faji i tyre është se janë njerëz pa karakter dhe frikacakë. Faji është i regjimit të Enverit dhe i atyre që i shërbejnë. Ata kanë 40 vjet që e mbyten Shqipërinë në gjak, e që vrasin e presin për t’i mbajtur të nënshtruar”.
-“E di bre Kasëm e di”, tha ai dhe e hodhi vështrimin rreth e rrotull, që të mos na ndigjonte njeri për bisedën që po bënim. Bac Sadikun, nuk e mbante vendi, atij dukej se i mungonte diçka.
-“Mos ke nevojë për ndihmë Bac Sadik, mos do të t’sjell enën për të urinuar”?
-“Jo bre, do mundohem të lëviz pak”, mu përgjigj.
Unë u shtriva me batanijen time dhe po vija re lëvizjet e Bacës, që hiqej zvarrë mbi krevat, për të lëshuar këmbët e mpira në dyshemenë të betontë.
Kati i parë i krevateve, ishte rreth 30 cm. lart nga dyshemeja, 1.20 cm., kati i dytë i krevateve, dhe rreth 2 m. kati i tretë i krevateve. Me një mijë përpjekje, Baca i lëshoi këmbët e mpira mbi çimento. Sa u gëzua kur pamë se ishte akoma i fortë dhe mund të qëndronte vetëm. Me të dyja duart, u mbajt pas direkut vertikal dhe bëri shumë përpjekje për t’u ngritur në këmbë. Me forcën e krahëve, ai u ngrit dhe dridhej i tëri, pasi këmbët e paralizuara nuk mund t’i kontrollonte dot!
Qëndronte më këmbë i mbështetur pas direkut dhe vështrimin e përqendroi mbi dyshemenë e betontë. Me siguri diçka kërkonte, në dyshemenë e betontë nuk kishte asgjë veç bishtave të cigares.
E morra me mënd se Bacës, i kishte shkuar mëndja për duhan. Ai e pati të vështirë të më thosh mua që të lypja një cigare tek të burgosurit e panjohur. Baca, si u ambientua ca ashtu në këmbë, u mundua të shkëputej nga direku ku mbështetej, duke provuar se mos vallë qëndronte mbi këmbët e tij…?! Mbasi bëri pak përpjekje, ja arriti qëllimit dhe e mbajti mirë ekuilibrin, megjithëse dridhej i tëri. Ai bëri dy hapa, me frikë si një foshnje që sapo ka filluar të hedhë hapat e para! Baca, i kapur pas murit fort, u kthye me fytyrë nga krevatet ku dergjeshin të burgosurit.
-“Dukesh më mirë sot, u ngritë ne këmbë Bacë…”, u tall M… M…, një spiun i ndyrë që kishte ardhur nga Spaçi, për t’u dalë dëshmitarë shokëve të tij.
“Jo bre, nga halli u ngrita”, i’u përgjigj Baca i mbështetur me kurriz pas murit.
-“Jo…je më mirë sot”, ndërhyri M.D., që edhe ky njeri i poshtër kishte ardhur për punë të tilla. “Dukesh më i çelur”, vazhdoi ta tallte ai!
-“Jo bre M., nuk ka shërim më për mua! Por të faleminderit për fjalët e mira dhe kurajon që më jep”, i’a ktheu Baca, që e kishte kuptuar “sarkazmën” e fjalëve të M.D.
Një cigare që nuk u gjet dot për Sadik Balën!
-“A mos ke një cigare bre burrë, se si ndjej një boshllëk në shpirt dhe më ka shkue mëndja keq për të. S’kam oreks, as me ngrënë dhe as për me pi, vetëm për atë helm”, i’u lut Baca, M.D. që po pinte një cigare të dredhur.
Baca ishte i bindur se ky kishte duhan. M.D., bëri sikur kërkoi nëpër xhepa dhe nxori një qese plasmasi të boshatisur, ku në fund kishin mbetur disa thërrime duhani!
-“Pasha zotin Bacë, ja ky ishte cigari i fundit”, u betua M.D., duke i treguar qesen e zbrazur. Baca i humbi shpresat, pasi e pa që ishte e kotë që t’i lypte më tjetër kujt. Ai vuri re se pranë këmbëve të tija, digjej akoma një bisht cigare dhe me njëmijë përpjekje, u ul e morri bishtin e cigares e pasi e shoi, e futi në grushtin e tij. Bëri dy hapa më tej me shumë vështirësi dhe duke i’u qasur një bishti tjetër, e morri dhe atë e i bëri dy. Hodhi dhe dy hapa të tjerë, duke u mbështetur pas murit, për të marrë një bisht të tretë! Por nuk ja arriti dot qëllimit, pasi e humbi ekuilibrin dhe u rrëzua duke përplasur kokën në korthën e krevateve.
U ngrita menjëherë dhe e morra Bacën në dorë. Ai ishte katandisur një grusht kockash dhe e shtriva mbi batanijen e tij. Ata që e panë Bacën të rrëzuar, qeshnin!
“Ehh bre Kasëm, e megjithëse e shoh se po vdes, pata lakmi për një cigare, pasi e kam pirë duhanin 35 vjet, por në burg mbeta keq, sepse djemtë, nuk më dërgojnë asnjë farë ndihme! Tremben se mos i fusin në burg dhe për këtë arsye më kanë braktisur të gjithë”, m’u ankua Baca duke fshirë me dorën e tij gjakun që i rridhte mbi ballë.
Pa humbur kohë, grisa një copë nga këmisha ime dhe i lidha plagën e hapur, ai më falenderoi si gjithnjë, duke më dhënë njëmijë urata.
-“T’u rrit ndera, bre Kasëm”, vazhdoi Baca.
-“Me nder qofsh more Bacë”, i’a ktheva dhe u ngrita e mblodha nja pesë gjashtë bishta cigaresh dhe drodha me letra gazete një cigare të madhe për Bacën, e ja futa në gojë duke i’a ndezur me një tjetër bisht cigare të pa fikur.
Baca nga gëzimi, s’dinte si t’a shprehte mirënjohjen për atë që i bëra! Ai tymoste e tymoste dhe herë pas here kollitej, sepse letra e gazetës me nikotinën e përqendruar në bishtat e cigareve, ishte e madhe./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016