Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sefedin Jonuzit nga fshati Vranisht i Vlorës, i cili me rekomandimin e Hysni Kapos në ’44-ën u caktua pranë Shtabit të Përgjithshëm, ku kontrollonte dhe provonte ushqimet që gatuheshin për Enver Hoxhës, gjë të cilën e vazhdoi edhe disa kohë pas mbarimit të Luftës pranë “familjes së Komandantit” në Bllokun e udhëheqjes në Tiranë. Emërimi më pas në organet e Ministrisë së Brendshme, me detyra të ndryshme, ku ai pati “peripeci” të shumta saqë tentoi edhe vetëvrasjen dhe pasi u shërua e u rehabilitua me urdhrin e Mehmet Shehut, u caktua me Forcat e Ndjekjes në zonën e Mirditës, ku morri pjesë në arrestimet e “bandave” që akuzoheshin për vrasjen e Bardhok Bibës. Largimi i Sefedinit nga Ministrisë së Punëve të Brendshme pas “lëshimeve” që kishte bërë gjatë hetuesisë së Dom Engjell Kovaçit dhe dërgimi në Vlorë pranë Ndërmarrjes së Ndërtimit “Perlat Rexhepi”, ku ai punoi deri sa doli në pension në ’57-ën si invalid i Luftës. Kthimi i tij në Tiranë dhe puna si kasap në një dyqan mishi pranë Rrugës “Bardhyl” ku ai “aktivizohej” nga Ministria e Brendshme me detyra të ndryshme, si shoqërimi i turistëve dhe internimi i tij familjarisht në Shëngjergj të Tiranës në 1975-ën pas letrës që i bëri Enver Hoxhës për Sigurimin e Shtetit. Rehabilitimi i tij në ’83-in, duke i’a kthyer të gjithë dekorat e “meritat” pasi Prokurori, Rrapi Mino, e kërkoi që të dëshmonte në gjyqin ndaj “armiqve” Kadri Hazbiu e Feçor Shehu.
“Në muajin korrik të vitit 1975, kur unë vazhdoja të punoja si kasap dhe akoma nuk i kisha shkëputur lidhjet dhe bashkëpunimin me organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat më aktivizonin me shërbime të ndryshme në raste festash apo me shoqërimin e turistëve të huaj që vinin si vizitorë në Shqipëri, u ula dhe i bëra një letër Enver Hoxhës. Në atë letër prej 23 faqesh, unë i kërkoja Enverit që ai të merrte masa dhe të dënonte Ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësin e tij, Feçor Shehun, pasi ata të dy e kishin futur Sigurimin në rrugë pa krye, duke përdorur metoda të egra represioni mbi njerëzit e pafajshëm dhe shkelnin në mënyrë të vazhdueshme të drejtat më elementare të njeriut. Pak ditë pas asaj letre, më thirri në zyrë, Nusret Dauti, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendëhme të Tiranës dhe më pas më bënë disa mbledhje demaskuese në lagje dhe në organizatën e Partisë ku militoja. Pasi në ato mbledhje më quajtën dhe më akuzuan si “njeri me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i dyshuar si agjent i lidhur me Perëndimin”, në muajin korrik të atij viti, më internuan familjarisht në fshatin Shëngjergj të Tiranës.
Kështu shprehej mes të tjerash Sefedin Jonuzi, me origjinë nga fshati Vranisht i Vlorës, dhe ish roje personale i Enver Hoxhës gjatë periudhës së Luftës me më pas oficer i Sigurimit të Shtetit, i cili rrëfente të gjithë peripecitë e tij gjatë kohës që ka shërbyer në ato organe, derisa sa u internua në vitin 1975. Po kush është Sefedin Jonuzi, cila është e kaluara e tij dhe çfarë kujtonte ai nga ato ngjarje të përjetuara gjatë kohës që punoi pranë Enver Hoxhës dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë. Përse u detyrua Sefedini të bënte vetëvrasje në vitin 1946 dhe si shpëtoi ai nga vdekja?! Cilat ishin detyrat e tij pranë Ministrisë së Brendshme dhe çfarë misionesh kreu ai që nga operacionin për arrestimin e personave që qëlluan mbi Bardhok Bibën, e deri në vitin 1975 kur e internuan pasi i dërgoi një letër Enver Hoxhës? Lidhur me këto dhe mistere të tjera nga jeta e tij, Sefedin Jonuzi, i tregonte ekskluzivisht për Memorie.al që publikohen në intervistën e më poshtme.
Zoti Sefedin, kush ju dërgoi të shërbenit pranë Enver Hoxhës dhe Shtabit të Përgjithshëm?
Pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe Enver Hoxhës, unë u dërgova me rekomandimin e Hysni Kapos, i cili më njihte shumë mirë.
Çfarë detyrash kryet në Shtabin e Përgjithshëm?
Pasi shkova në Shtabin e Përgjithshëm, intendenti personal i Enver Hoxhës, Sterjo Gjokoreci dhe komandanti i Kompanisë Speciale që merrej me sigurimin fizik të jetës së anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Axhem Abazi, më caktuan që të merresha me kontrollin e ushqimeve dhe gatimeve që konsumonte Enveri dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes që ishin pranë tij në Shtab. Sipas rregullores së Shtabit, për ruajtjen e shokëve të udhëheqjes, asnjë lloj ushqimi apo gatimi që konsumohej prej tyre, nuk duhet të servirej pa e kontrolluar unë më parë dhe pa e provuar.
Sa kohë shërbyet në atë detyrë?
Jo vetëm gjatë periudhës që Qeveria e përkohshme ishte në Berat, por edhe disa kohë pas mbarimit të Luftës pranë familjes së Enver Hoxhës, po me të njëjtën detyrë.
Cilat janë përshtypjet tuaja për Enverin, gjatë kohës që ju keni shërbyer pranë tij?
Ndonëse unë shërbeva për disa kohë pranë Enver Hoxhës që nga koha e Luftës, duke kontrolluar ushqimin dhe gatimet që konsumonte ai, po ashtu edhe pas Luftës në shtëpinë e tij po me të njëjtën detyrë, unë asnjëherë nuk kam pasur rastin të takohesha dhe të bisedoja me Enverin.
Pse ju larguan nga ajo detyrë?
Nga kjo detyrë nuk u largova për punë të keqe, por ashtu ishte atëhere, ne ishim ushtarakë dhe do të shkonim atje ku na urdhëronin eprorët tanë, apo siç thuhej atëhere “ku të na kërkoj partia dhe atdheu”.
Ku u caktove pasi u largove nga ky shërbim?
Pasi u largova nga shërbimi që bëja pranë Enver Hoxhës, mua më dërguan si shoqërues të Ministrit të Drejtësisë, Manol Konomit.
Çfarë përshtypjesh ruani për ish-shefin tuaj Konomin?
Manol Konomi ishte me virtyte të rralla, ai e familja e tij, mua nuk më konsideronin thjeshtë si shoqërues, por si vëllain e shokun e tyre.
Gjatë asaj periudhe që shërbeje pranë shokëve të udhëheqjes, a keni njohur nga afër ndonjë nga personalitetet e tjera të larta të asaj kohe?
Kam njohur nga afër Sejfulla Malëshovën, i cili në atë kohë mbante postin e Ministrit të Shtypit dhe të Propagandës. Sejfullai, ishte shpirt njeriu dhe më i kulturuari e më i miri nga të gjithë shokët e udhëheqjes që kam njohur unë. Ai më donte e më respektonte shumë dhe herë pas here më thërriste në dhomën e tij ku banonte, në Hotel “Dajti”. Aty të dy këndonim labçe, këngët të cilat ai i shkruante vetë. Nuk di ç’të them tjetër për Sejfullain, se ai nuk kishte të sharë dhe e donin të gjithë. Sejfullai ishte një njeri me mendime të kthjellëta dhe dinte të orientohej si me politikën e Perëndimit, ashtu dhe me Lindjen. Prandaj dhe u godit.
Ku ju çuan, pas shërbimit pranë Manol Konomit?
Në vitin 1946, pasi kisha shërbyer si shoqërues i Manol Konomit, mua më transferuan si Sekretar i Rinisë të Divizionit të Mbrojtjes Popullore, që komandohej nga nënkolonel Zija Kambo. Në atë Divizion nuk qëndrova shumë, pasi më transferuan përsëri, pranë Seksionit të Mbrojtjes në qytetin e Vlorës. Seksioni i Mbrojtjes në atë kohë quhej Sigurimi i Shtetit.
Po aty sa kohë shërbyet?
Në atë detyrë që më caktuan, unë nuk shërbeva për asnjë ditë, sepse ndërsa pritej që unë të filloja punën, bëra vetëvrasje.
Si dhe përse ndodhi kjo, që ju të tentonit vetëvrasjen?
Në atë kohë që unë shkova në Vlorë dhe prisja të merrja detyrën, aty kishte ardhur një letër e firmosur nga Koçi Xoxe, ku unë cilësohesha si nipi i eksponentit të Ballit Kombëtar, Rrapo Mete Premtajt, (dajo i nënës sime), i cili ishte nacionalist dhe mik i ngushtë i Hysni Lepenicës. Po në atë letër që unë arrita ta lexoja, kishte orientim që unë të torturohesha dhe të trajtohesha si të gjithë të tjerët, antiparti dhe armik. Pra me një fjalë kërkohej eliminimi im fizik. Pasi e lexova atë letër, unë u trondita pa masë dhe shkova e u mbylla në dhomën time që t’i jepja fund jetës. Para se të tentoja vetëvrasjen, shkrova një letër të cilën ia adresova Enver Hoxhës.
Çfarë shkruaje në atë letër?
Në mes të tjerash unë i shkruajta: “Duke qenë i tronditur nga kjo masë, unë po vras veten, sepse nuk e shikoj dot veten time jashtë Partisë. Për këtë mos akuzoni njeri tjetër. Rroftë Partia”. Pas kësaj qëllova veten me automatik, por munda të shpëtoja, se për fat ngeci automatiku dhe mora vetëm një plumb afër zemrës.
Ç’ndodhi më pas me ty?
Pasi unë kisha rënë pa ndjenja përdhe nga plumbi i automatikut, në dhomën time erdhën njerëzit e Sigurimit të Shtetit, me në krye Shefin e Seksionit të Vlorës, Qatip Dervishin dhe më dërguan në spital.
Sa kohë qëndruat në spital?
Megjithëse mjekët ma kishin hequr shpresën se unë mund të përmirësohesha e të kthehesha në jetë, fatmirësisht unë u shërova dhe në spital nuk qëndrova më shumë se një muaj.
Çfarë reagimi pati ndaj teje lidhur me tentativën e vetëvrasjes?
Pasi u shërova dhe dola nga spitali, udhëheqja e lartë e Partisë në Tiranë, dërgoi në Vlorë një ekip për të verifikuar dhe analizuar xhestin që kisha bërë unë. Në krye të atij ekipi erdhën Pandi Kristo me Petraq Magjistarin. Ata më pyetën se pse e kisha bërë atë veprim, pra vetëvrasjen dhe unë i tregova të gjithë të vërtetën, duke ju thënë se: ‘më mirë i vdekur se sa jashtë Partisë’. Pas kësaj u mor vendimi dhe më liruan nga ushtria e më përjashtuan edhe nga Partia.
Pas këtyre masave, ku ju dërguan për të punuar?
Pas kësaj unë dola vullnetar dhe shkova për të punuar në hekurudhën Durrës-Peqin. Nga që punova mirë aty, m’u dha e drejta dhe më dërguan në një shkollë Teknike në Jugosllavi. Në atë shkollë qëndrova deri kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe në atë kohë u ktheva në Shqipëri, e i kërkova takim Ministrit të Brendshëm Mehmet Shehut, i cili më priti në zyrë. Pas atij takimi, Mehmeti dha urdhër që unë të rikthehesha në ushtri dhe në atë kohë unë u caktova pranë “Repartit 200” të Sigurimit të Shtetit. Pasi punova disa kohë aty, më transferuan në një kompani speciale, që merrej me ndjekjen e bandave të diversantëve, ku komandanti i saj ishte Medi Bilbili.
Keni marrë pjesë në kapjen e ndonjë “bande diversantësh”?
Në atë kohë ne bëmë disa operacione për kapjen e bandave të diversantëve në Veri të Shqipërisë, por ai më kryesori dhe më i rëndësishmi, ka qenë operacioni për kapjen dhe eliminimin e personave që organizuan dhe vranë, Sekretarin e Parë të Mirditës, shokun Bardhok Biba, që ishte zgjedhur edhe deputet në Kuvendin Popullor.
Ç’mund të na thoni për terrorin që u ndërmor pas vrasjes së Bardhok Bibës dhe sa vetë u arrestuan lidhur me atë ngjarje?
Pas vrasjes së Bardhok Bibës, në ditët e para të gushtit të vitit 1949, Kompania Speciale ku bëja pjesë dhe unë, mori detyrën që të ndërmerret operacionin në shkallë të gjerë për kapjen dhe eliminimin e personave që kryen atë vrasje. Në atë kohë, unë personalisht kam arrestuar rreth 150 vetë, ndërsa gjithsej nga e gjithë kompania jonë u arrestuan rreth 500 vetë. Por dua të them, se në atë kohë unë kam bërë dhe lëshime të shumta, sepse kishte njerëz, që ju kishin dhënë bukë diversantëve, pa i njohur ata. Për ato lëshime që bëra, pata dhe konsekuenca, por për hir të së vërtetës, duhet pranuar se në atë kohë, u arrestuan dhe shumë të pafajshëm. Që me atë ngjarje, për herë të parë unë krijova bindjen, se organet e Sigurimit të Shtetit, po arrestonin njerëz të pafajshëm dhe ajo më brente në vetvete vazhdimisht.
Çfarë konsekuencash patët për lëshimet që bëre me arrestimet?
Në atë kohë, mua më thirri Kryetari i Sigurimit për Qarkun e Shkodrës, (nga varej rrethi Mirditës në atë kohë), major Zoi Themeli dhe më bëri presion të madh, se pse nuk i kisha zbatuar të gjitha urdhrat që më ishin dhënë për arrestimet. Ai më tha: “Që kur qenke bërë ti Ministër i Brendshëm”? Pas kësaj u bënë disa mbledhje ku ndaj meje u bënë kritika shumë të ashpra dhe si përfundim, morën masë duke më hequr nga ajo kompani dhe më dërguan në një brigadë të Sigurimit të shtetit në rrethin e Pukës.
Po në Pukë me çfarë pune u more dhe sa qëndruat atje?
Në Pukës, unë punova si hetues dhe punëtor operativ, por atje nuk qëndrova shumë, sepse Komanda e Sigurimit nga varesha unë, propozoi shkarkimin dhe lirimin përfundimisht nga radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke më përjashtuar edhe nga Partia përsëri.
Po përse ju shkarkuan nga ato detyra dhe ju përjashtuan nga partia?
Kjo ndodhi sepse gjatë hetuesisë që unë i bëra një prifti katolik, Dom Engjëll Kovaçit, që akuzohej për agjitacion e propagandë e strehim diversantësh, e lirova atë si të pafajshëm. Kjo gjë bëri bujë të madhe, por unë i qëndrova deri në fund bindjes sime, që ai prift nuk kishte asnjë rrethanë rënduese, për ta lënë në burg. Gjatë hetuesisë që i bëja, Dom Engjëll Kovaçi, m’u shpreh në mirëbesim, duke më thënë se feja e kishte si pikë të parë antikomunizmin, por ai nuk kishte bërë asnjë lloj propaganda antikomuniste dhe ishte marrë vetëm me punët e fesë. Natyrishtë që unë nuk e padita priftin e shkretë, ndonëse pata të gjitha ato konsekuenca.
Po pas atij propozimi, a ju liruan nga detyra?
Jo, sepse masën e dhënë për mua, nuk e pranoi Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, i cili më thirri në zyrë dhe më caktoi të punoja në rrethin e Sarandës. Por unë nuk e pranova atë transferim dhe qëndrova për rreth një vit në dispozicion, duke mos u paraqitur asnjë ditë në detyrë. Por me ikjen e Mehmetit si kryeministër dhe ardhjen e Kadri Hazbiut në vend të tij, mua më liruan përfundimisht nga detyra.
Pas largimit nga radhët e Ministrisë së Brendshme, ku punuat?
Në atë kohë megjithëse më liruan nga detyra, dega e Kuadrit e Ministrisë së Brendshme, i dërgoi një karakteristikë pozitive Komitetit Qendror dhe mua më thirri Llazi Stratobërdha, i cili më caktoi të punoja në Drejtorinë e Kuadrit në Ndërmarrjen e ndërtimit “Perlat Rexhepi” në Vlorë. Në atë detyrë, unë qëndrova deri në vitin 1957 dhe në atë kohë u ktheva në Tiranë, duke dalë në pension si invalid i Luftës.
Me se u morët në Tiranë?
Pasi u ktheva në Tiranë, menjëherë më aktivizuan si bashkëpunëtor në radhët e organeve të Ministrisë së Brendshme, duke më lënë në dispozicion edhe të gjithë armatimin personal, që kisha pasur që kur isha oficer efektiv. Pas kësaj, mua më gjetën punë si kasap, në një dyqan mishi, të Ndërmarrjes së Tregtisë, në rrugën “Bardhyl”.
Sa kohë punuat si kasap dhe çfarë detyrash keni kryer gjatë asaj kohe në radhët e organeve të Sigurimit?
Në atë dyqan mishi, punova deri aty nga viti 1975, kur më internuan familjarisht në Shëngjergj të Tiranës. Ndërsa organet e Ministrisë së Brendshme, gjatë gjithë asaj kohe, më aktivizuan me detyra të ndryshme, kryesisht në raste festash, por detyra kryesore që bëja vazhdimisht, ishte shoqërimi i turistëve të huaj, që vinin si vizitor në Shqipëri. Edhe në këtë detyrë, unë përsëri pata divergjenca me eprorët e mi, sepse ata më kërkonin raporte për turistët, që kishin ardhur si agjent në Shqipëri. Por unë nuk ua dërgoja ato raporte, sepse faktikisht nuk kisha konstatuar ndonjë turist, që të kishte ardhur për qëllime spiunazhi.
Vetëm se nuk çoje raporte, të internuan në Shëngjergj?
Jo, kjo ishte njëra anë e divergjencave që pata atëhere, por internimi im, erdhi pasi në majin e vitit 1975, i bëra një letër prej 23 faqesh Enver Hoxhës.
Çfarë ishte kjo letër dhe çfarë i shkruajtët Enverit?
Në atë letër të gjatë të cilën unë ja nisa me postë Enver Hoxhës, në mes të tjerash i shkruaja: “Shoku Enver, Sigurimi i Shtetit, nuk ka për detyrë vetëm për të vënë hekurat, por në radhë të parë, ata duhet të marrin masa parandaluese dhe të parandalojë e të shpëtojnë qytetarët nga gabimet dhe fajet që mund të bëjnë”. Kjo gjë si të thuash, ishte thelbi i asaj letre, ndërsa unë aty akuzoja direkt ministrin e Punëve të Brendshme Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun, (në atë kohë mbante edhe postin e Drejtorit të Sigurimit). Ata të dy i akuzoja se e kishin futur Sigurimin, në një rrugë pa krye dhe përdornin masa represive ekstreme, me të cilat shkelnin në mënyrë të vazhdueshme, të drejtat më elementare të njeriut.
Konkretisht, çfarë shkruanit për Feçor Shehun?
Për Feçorin, i shkruaja se ishte një njeri mjaft imoral dhe hakmarrës, i cili rriste në mënyrë artificiale përgjegjësitë e tija, gjoja në mbrojtje të Diktaturës së Proletariatit dhe për këtë gjë, ai kishte si mburojë, vetë Kadri Hazbiun. Në fund të letrës, unë kërkoja dënimin e tyre, sepse ata të dy, me atë që po bënin, po diskretitonin jo vetëm Ministrinë e Brendshme, por dhe Partinë që i kishte besuar në atë detyra të larta.
Ishte hera e parë që ju i ngrinit ato probleme për dy titullarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit?
Këto gjëra, unë ua kisha paraqitur më parë edhe vetë Kadriut e Feçorrit dhe jo vetëm se nuk kisha marrë asnjë përgjigje prej tyre, por ata filluan presionet ndaj meje, me qëllim që të më fusnin në burg. Kjo ishte dhe një ndër arsyet kryesore, që unë i bëra letrën, Enver Hoxhës. Pra se isha fare pranë burgut.
Po kush ishin arsyet e tjera?
Arsyeja kryesore që unë bëra letrën në atë kohë, ishte ajo që shikoja përditë, se ndryshme jepeshin orientimet nga Partia dhe ndryshe zbatoheshin ato, nga Sigurimi i Shtetit, i cili në plan të parë kishte vetëm terrorin që ushtrohej, në mënyrë të heshtur, me arrestime njerëzish të pafajshëm, për gjëra që fare mirë mund të korrigjoheshin nëpërmjet këshillimeve, siç ishte dhe orientimi i Partisë, i sanksionuar kjo në platformën e Sigurimit të Shtetit, të miratuar nga Byroja Politike prej kohësh.
Më konkretisht, për çfarë terrori bëhej fjalë tel letra që ju shkruanit në adresë të Enver Hoxhës?
Po ja, në qoftëse nga një familje, dilte një person që bënte gabime ose faje, merreshin masa ndaj të gjithë familjes dhe nuk veçohej individi. Por ç’faj kishte prindi që kishte luftuar e punuar gjithë jetën, të përfundonte në internim, vetëm se djali i tij, ndiqte modën apo linte flokët e gjata.
Çfarë ndodhi me ty pas asaj letre që bëre?
Menjëherë pas letrës që i nisa Enver Hoxhës, mua më thirri në zyrë Drejtori i Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, Nusret Dautaj, (kushëri i parë i ministrit Kadri Hazbi Dautaj), I cili më bëri presion që t’i tërhiqja ato që që kisha ngritur në letër dhe të kërkoja falje, duke thënë se isha nxituar dhe Partia do më falte.
U tërhoqët ju?
Unë isha i vendosur dhe nuk tërhiqesha nga ato që kisha shkruar në asnjë lloj mënyre, çfarëdo presionesh që të më bëheshin, pasi e dija se dënimi im pas asaj do ishte i sigurtë. Dënim për dënim, unë vendosa t’i mbahesha atyre që kisha shkruar në letër.
Ç’ndodhi më pas me ju?
Pas asaj u bë Konferenca e Partisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme për Tiranën, ku mua më akuzuan dhe paraqitën si “njeri me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i dyshuar si agjent i Perëndimit”.
Po përse “agjent i Perëndimit’, ku mbështetej ajo akuzë?
Kjo akuzë bëhej për arsye se mua më vinin vazhdimisht pako nga turistët e huaj, me të cilët kisha ruajtur raporte miqësore e njerëzore. Në atë konferencë, u kritikuan dhe disa kuadro të lartë të Ministrisë, si Lake Topallaj, Lirim Pëllumbi (zv / Drejtori i Sigurimit) Abedin Elmazi, (Shefi i Policisë i Tiranës) etj.
Po ndaj tyre çfarë akuzash u ngritën?
Sepse gjoja më kishin mbajtur mua afër dhe më mbronin. Po kështu atyre u thanë se: “me punën e tyre kishin bërë që unë të depërtoja deri në problemet më rëndësishme të Sigurimit të shtetit”. Pas kësaj, u dha urdhër që të shiheshin të gjitha arshivat për punën time dhe u bënë edhe disa mbledhje të tjera demaskuese, në lagje dhe në organizatën e Partisë, ku militoja.
Sa kohë qëndruat në internim dhe si ju trajtuan atje?
I internuar në fshatin Shëngjergj, unë kam qëndruar familjarisht nga muaji gusht i vitit 1975 e deri në shtatorin e vitit 1983, kur më thirrën si dëshmitar në gjyqin ndaj Kadri Hazbiut e Feçorr Shehut.
Para se të dalim te gjyqi Kadri Hazbiut, si u trajtuat gjatë kohës që ishit në internim në Shëngjergj të Tiranës?
Kur vajta fillimisht në Shëngjergj, fëmijën e vogël e kisha tre vjeç. Gjatë gjithë atyre viteve që qëndrova atje, jam trajtuar njëlloj si gjithë të internuarit e tjerë, duke punuar në punët e bujqësisë, me gjithë familjen. Por dua të them, se aty kisha dhe ndonjë lehtësi apo ndihmë nga punëtori operativ i zonës, Ndue Frrok Gega, djali i ish-zv/Ministrit të Brendshëm, Frrok Pjetër Gega. Po ashtu unë mund të lëvizja që andej vetëm me leje dhe paraqitesha rregullisht, në apelin që bëhej për të internuarit. Kur më duhet të vija në Tiranë, duhet të kërkoja leje, ku të deklaroja se ku do shkoja dhe kë do të takoja. Kur më vdiq babai, Feçorr Shehu nuk më dha leje të shkoja për ta varrosur.
Pse ju thirrën në gjyqin e Kadri Hazbiut dhe çfarë dëshmuat atje?
Pas arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut në vitin 1982-‘83, me kërkesën time unë u paraqita tek Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino. Në atë takim ai më tha: “Ti je dënuar kot, pa fakte” dhe i dha urdhër Shefit të Drejtorisë për Mbrojtjen e Ligjshmërisë, Jorgo Dhramit, që të merrej me problemin tim. Pasi ai i analizoi të gjitha dokumentat e mia, ato ju bënë prezent Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili vendosi dhe m’i ktheu të gjitha të drejtat, që më ishin mohuar, si pensionin e invaliditetit të Luftës dhe gradat, e më liruan nga internimi.
Kur ua dhanë të gjitha këto, para gjyqit të Kadri Hazbiut, apo pasi dëshmuat aty?
Të gjitha këto m’u dhanë vetëm në muajin gusht-shtator të vitit 1983, pasi dola si dëshmitar në gjyqin ndaj Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, i cili u zhvillua në ambientet e brendshme të Burgut të Ri (reparti 313).
Çfarë dëshmuat atje për Kadriun e Feçorin?
Sapo hyra në sallë, Kryetari i gjyqit, Aranit Çela dhe Prokurori, Rrapi Mino, më thanë se a i njihja ata të dy dhe ç’kisha për të thënë. Unë ju përgjigja menjëherë: “Unë këta të dy i njoh ashtu sikurse u njoh edhe juve. Por ato që kam pasur për të thënë për këta të dy, ja kam thënë hapur Partisë dhe shokut Enver, në atë kohë kur këta ishin në detyrë dhe tundnin malet. Tani nuk kam për të thënë asgjë për ta. Nuk jam marrë dhe nuk merrem me pula të ngordhura. Po doni të dini mendimin tim për ta, lexoni letrat që kam shkruar atëhere”. Pas kësaj u ula në vend dhe Araniti me Rrapi Minon nuk më thanë asnjë fjalë.
Komisari i Brigadës së V-të, Hysni Kapo, njeriu që rekomandoi partizanin 16 vjeçar, “Picirruku”-n, të shërbente pranë Enverit në ’43-in
Sefedin Jonuzi u lind në maj të vitit 1927 në fshatin Vranisht të rrethit të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Familja Jonuzi, apo siç njihet ndryshe edhe me mbiemrin, Ramadanaj, ka qenë një nga familjet e para vlonjate, që në nëntorin e vitit 1912, ka pritur në shtëpinë e saj, Plakun e Vlorës, Ismail Qemalin. Dy burrat e kësaj familje që pritën në shtëpinë e tyre kryeministrin e qeverisë së përkohshme të Vlorës, ishin Haxhi Jonuzi dhe Pasho Ramadanaj. Edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare familja Jonuzi që njihej në të gjithë atë krahinë për të kaluarën e saj patriotike, u lidh ngushtë me Lëvizjen dhe shumë nga djemtë e saj u radhitën në brigadat e formacionet e tjera partizane. Babai i Sefedinit, Vehip Jonuzi, ishte anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit, ndërsa kryetar ishte kushëriri i tij, Hazbi Ramadani. Po kështu, Vehip Jonuzi morri pjesë në Luftën e Drashovicës, kundër forcave gjermane bashkë me shumë djem të tjerë të fisit të tij. Vetë Sefedin Jonuzi pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, në Vranisht, nuk pati mundësi të ndiqte më tej ndonjë shkollë tjetër dhe i’u përvesh punëve, në ndihmë të familjes për të siguruar bukën e gojës. Ashtu si shumë pjestarë të tjerë të fisit të tij, edhe Sefedini, që në vitin 1943, kur nuk ishte më shumë se 14–15 vjeç, u angazhuan në Lëvizjen Antifashiste dhe shkak për këtë u bënë, Maman Saliu, Jonuz Mersini dhe kushëriri i tij, Hysen Çino (“Hero i Popullit”). Në gushtin e vitit 1943, me formimin e çetës partizane “Sali Murati”, Sefedini u rradhit si partizan i saj dhe nga që ishte më i vogli i çetës, ja ngjitën pseudonimin e Luftës “Picirruku”. Në atë çetë partizane, Sefedinin e ngarkuan me detyrën e flamurtarit të saj dhe ai qëndroj aty, deri në kohën që u krijuar Batalioni partizan, “Halim Xhelo Tërbaçi”. Në atë formacion, Sefedin Jonuzi qëndroi deri nga viti 1944 kur u formula Brigada e V-të Sulmuese e komanduar nga Shefqet Peçi, e komisar, Hysni Kapo. Me ardhjen e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, më 28 nëntorin e vitit 1944, Sefedin Jonuzi u caktua për të bërë shërbim pranë shtëpisë së Enver Hoxhë, po me të njëjtën detyrë, atë të kontrollit të ushqimeve që konsumonte Enver Hoxha dhe familja e tij/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016