Nga Mal Berisha
Mbresa nga udhëtimi në atë vend të përgjakur, për njohjen e Kosovës
Memorie.al/Shpërthimi tragjik i datës 4 Gusht 2020 në Bejrut ka lënduar çdo ndërgjegje njerzore në botë. Para dhjetë vjetësh kam patur rastin ta vizitoj atë qytet. Edhe atherë i vinte era gjak. Por, sot e ndjej edhe më shumë atë erë; sigurisht nga shpërthimi i tmerrshëm i 4 Gushtit.
Në atë verë të vitit 2010 bashkë me zv/Ministren e Punëve të Jashtme, znj Edith Harxhi, Ambasadorin tonë në Kajro, Sh.T. z. Nuri Domi dhe diplomaten znj. Vera Cara, ndërmorëm një tur për njohjen e Kosovës në Lindjen e Mesme. Takimet ishin organizuar në bashkëpunim me Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Bejrut, z Marc Gorajev.
Para memorialit të Refik Haririt, Kryeministri Libanez i masakruar në qendër të Bejrutit
Gjatë rrugës ne bëmë një vizitë tek memoriali i freskët ende i pa ndërtuar ku Refik Hariri, bashkë me shoqëruesit e tij ishin bërë copë nga një shpërthim i tmerrshëm. Hariri ishte një biznesman i madh dhe Kryeministër i Libanit prej vitit 1992 deri në vitin 1998 dhe nga viti 2000 deri kur dha dorëheqjen në vitin 2004. Ai kishte ndërtuar Bejrutin pas një periudhe gati dy dekadash lufte civile, në atë mënyrë që vërtetë të linte pa frymë, kur ta shikoje. Fatkeqësisht këtë ai e pagoi me kokë mu në mes të qytetit. Ai u vra me datën 14 Shkurt 2005. Për vrasjen e tij dhe të 22 vetëve tjerë që u gjetën aty pranë Hotelit “St. Georges” u përdorën 1800 kg dinamit. I vrarë mbeti edhe ministri i financave i asaj kohe, Bassel Fleihan. Varrimi ishte bërë pranë xhamisë Mohamed Al-Amin.
Ajo ditë në Bejrut ishte një ditë që më bëri të mendoja se sa të lumtur jemi ne shqiptarët! Bejruti ishte qytet shumë i bukur por i mungonte ajo që për ne shqiptarët është thelbësore: Bashkë – ekzistenca fetare. Në Bjerut bashkë-ekzistenca e tyre ishte aq e vështirë sa kishte kërkuar gjakderdhje pas gjakderdhjesh. Sa vetë kishin rënë “shehit” pikërisht për bashkë-ekzistencën midis tyre, ose më mirë për ekzistencën e tyre. Dëshmia më e tmerrshme e kësaj ishte pamja e memorialit të Refik Haririt. Ndërsa në vendin tonë, për fatin më të mirë, nuk kemi qoftë edhe një dëshmor të rënë në një luftë të tillë të pakuptimitë. Madje një paqë e tillë i kishte bërë shqiptarët të mbronin hebrejtë në një kohë kur tërë Evropa i përndoqi, zhduku dhe i eleminoi edhe fizikisht.
Në vendin e Pashko Vasë Shkodranit – Guvernatori i Libanit
Delegacioni ynë ishte përgatitur që në çdo bisedë vendin kryesor ta zinin lidhjet historike dhe sidomos fakti që një ndër themeluesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasa ose Vaso Pashë Shkodrani, kishte shërbyer si Governator i Libanit që nga 9 Maj 1882 deri sa vdiq në vitin 1892. Ai ishte Guvernator i Përgjithshëm (Mutesarif) i Libanit, një post i cili ishte rezervuar nga një traktat ndërkombëtar për një katolik me kombësi otomane, pas trazirave civile dhe pushtimit francez të vitit 1860. Në atë post ai ishte i gatshëm që të pranonte autoritetin francez por më pas ai iu kundërvu edhe atyre si edhe vetë klerikëve maronitë.
Vaso Pasha e mbajti atë zyrë gati dhjetë vjetë të plota. Ai është autori i poemës më frymëzuese të Rilindjes tonë Kombëtare, “O moj Shqypni e Mjera Shqypni!”
Takim me Nabih Berri – Hesbullah, Kryeparlamentar
Prej andej vajtëm tek kryetari i Parlamentit, z. Nabih Berri. Ai ishte një libanez i lindur në Sierra Leone dhe drejtonte Lëvizjen Amal. Mark Gorajev ishte mik i ngushtë me të ndonëse Berri kishte aleancë me grupin Hezbullah e përbërë nga shia muslimane e Libanit. Marku vetë ishte gjysëm i krishterë orthodox dhe gjysëm musliman suni. Produkt i një përzierje tipike libaneze. Ne kaluam nëpër barrierat gjarpëruese të qytetit për tu paraqitur më pas në zyrën e një gjenerali i cili ishte shef i sigurimit të Libanit. Takimi me të ishte vërtetë shume interesant por natyrisht asgjë nuk mund të dilte nga ajo zyrë për atë që kishim vajtur ne.
Takim me Ministrin Mohamad Chatah – i vrarë më vonë nga e njejta dorë.
Pastaj u takuam me Kryetarin e Partisë së Haririt z. Mohammad Chatah. Ai ishte një burrë me plot kuptimin e fjalës intelegjent, i pashëm, i ditur, i aftë të komunikonte në frengjisht dhe anglisht. Mëndje ndritur dhe mbi të gjitha ai shpalosi një virtyt që do ia uroja çdo njeriu dhe sidomos një politikani. Ai fliste me kopetencë të madhe për sektorin e tij dhe na tregoi për diasporën libaneze. Na tregoi se sa milionerë libanezë kishte nëpër botë dhe se pasaniku më i madh në botë ishte libanezi që kishte në pronësi telekomin Meksikan. Ndërsa në Parlamentin e Brazilit kishte 50 antarë me origjinë libaneze.
- Chatah ishte një kritik i njohur i rregjimit sirian prej të cilit në fakt e gjeti edhe vdekjen në mes të Bejrutit në fund të vitit 2013, nëpërmjet të një shpërthimi të makinës së tij. Në atë kohë kur ne e takuam atë, ai ishte Ministër i Financave dhe një mik i ngushtë i Kryeministrit Saad Hariri. Ai na priti me shumë respekt dhe na tregoi një histori nga më fisniket që kisha dëgjuar. Z. Chatah pas vrasjes së Rafik Haririt, kryetar i partisë së tij dhe Kryeministër i Libanit, ata kaluan në situata shumë të vështira. Pas kësaj, partia e zgjodhi kryetar zotin Chatah, dhe në zgjedhjet e vitit 2010 partia e tij fitoi dhe ai u mandatua për kryeministër. Por ai sapo e mori atë mandat ia dorëzoi djalit të Haririt, Saad Haririt, që në atë kohë ishte vetëm 39 vjeçar, duke i thënë: “Ishte babai yt ai që na formoi ne të gjithëve dhe ne i detyrohemi atij. Kjo është më e pakta që mund të bëja për të.”
Takim me Kryministrin Saad Hariri, i biri i Refik Haririt të masakruar.
Prej atij vendi të mbushur me varre për shkak të sektarizmit fetar ne shkuam në zyrën e Kryeministrit. Ishte një djalë i shkurtër, nën të dyzetat. Ai kishte vetëm disa ditë në zyrë. Jetonte me sindromin e vrasjes së të jatit, Refikut. Ai vetë kishte qenë thjesht djali çapkën i një të pasuri tajkun që lodronte mbi të mirat e kësaj botë, pa i munguar asgjë. Dhe menjëherë ishtë kthyer në djalin e një të vrari në mes të qytetit, bashkë me një turmë njerëzish të tjerë dhe…tani për fatin e tij ai do të ishte njeriu që duhej ta çonte përpara vendin e lënë nga i ati.
U futëm në zyrën e tij. Ai doli nga zyra në hollin e pritjes. Marku na prezantoi të gjithëve.
Kryeministri ishte si i lodhur, pak i frustruar, jo aq i përqendruar. Kërkoi ndjesë duke thënë se kishte vetëm disa ditë në detyrë dhe ende nuk i kishte mësuar dyert e zyrave. Ishte ulur në kolltukun e të jatit i cili njihej veç tjerash për mardhënjet me Presidentin Bush dhe që kishte rol të madh në proceset që zhvilloheshin në Lindjen e Mesme. Pas prezantimit që na bëri Marku, ai mu drejtua: Nuk e di nëse keni ndonjë lidhje me Kryeministrin e Shqipërisë, por mbiemri juaj më kujton miqësinë e ngushtë që babai im i ndjerë kishte me Kryeministrin tuaj.
Pasi folëm rreth vizitës dhe pritjet nga vend i tij ai na tha se do ta shihte me shumë kujdes dhe përparësi por natyrisht që në vendin e tij kishte shumë faktor që ndikonin për të ardhur deri tek njohja e Kosovës. Pastaj folëm për vendin e tij, një farë stabiliteti që gëzonte në atë periudhë dhe nuk ngurrova t’i thoja se sa shumë më pëlqeu ai vend dhe çfarë larmie të jashtëzakonshme kishte natyra aty.
Libani vendi i favorizuar apo i mallkuar, sipas Saad Haririt!?
Hariri filloi të na fliste për legjendën e krijimit të vendit të vet. “Kur zoti e krijoj Libanin”, tha ai, “i dha male, pyje, fusha, dete, lumenj, ara, rrëpira, livadhe, ujëra, male të larta, shkretëtira, çdo gjë të bukur që ka natyra, çdo gjë. Pastaj i dha një popull të mirë, të dashur, bujar, punëtor, besimtar…të zgjuar. Të tjerët u bënë shumë xhelozë për të dhe i thanë Zotit:
- Përse i dhe kaq shumë këtij vendi dhe neve na i hodhe me kaq kursim?
- Zoti iu përgjigji: “Po po, ia dhashë, të tëra ia dhashë. Por mos harroni, i dhashë edhe diçka tjetër: Fqinjët.”
Aluzioni ishte shumë i qartë, në të tëra qarqet thuhej se vrasësit e babait të tij ishin sirianët.
U larguam nga Bejruti me fjalët e Saad Haririt në mëndje:
Zoti i kishte dhënë gjithçka të mirë atij vendi por edhe…fqinjët. Dhe jo vetëm Libanit…!
Në këtë Gusht të vitit 2020, ata po përjetojnë ndoshta ngjarjen më tragjike të historisë së tyre. Rastësor apo i qëllimshëm të jetë shpërthimi, ai tërheq dhimbjen dhe simpatinë e njerëzve që e duan paqën.
Paqa Mbretëroftë!