Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur Dr. Marianne Graff, nga Graz i Austrisë, humanistes dhe bamirëses së famëshme të cilën në Shqipëri e solli rastësia diku nga fillimi i vitit 1992 dhe në këtë “vënd të harrur të Europës Jugore”, siç e cilëson ajo Shqipërinë, e mbajti dashuria. Madje e ka mbërthyer aq keq, sa që ajo nuk shqitet më prej saj, duke e konsideruar si një atdhe të dytë. Aventura e Dr. Marianne Graff, humanistja e cila në bashkëpunim me veprimtarin dhe biznesmenin e njohur nga Kosova, Skënder Thaçi, që prej 28 vitesh, ka sjellë me miliona dollarë ndihma në vëndin tonë. Së fundmi, edhe një album të ilustruar, i titulluar “Shqipëria Veriore nga Petrela në Jezercë- Një copë Europë Jugore e harruar”, që është më shumë se një guidë turistike, për të cilin kanë dhënë vlersimet e tyre, ish-ministri Kulturës, Bujar Leskaj, Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, Gjergj Liqejza dhe bashkëpunëtori i ngushtë i saj, Skënder Thaçi.
Atë pasdite shkurti të vrenjtur dhe me shira të rrëmbyeshëm të vitit të largët 1992, ndërsa zbriste e vetme shkallët e “Malev”-it në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit për të cilin kishte dëgjuar fare pak nga axhanset e agjencive të huaja dhe nuk kishte as idenë më të vogël se ç’ndodhte aty, e teksa udhëtonte me një “Zuk” të vjetër që tundej përgjatë gjithë rrugës plot me gropa të mbushura me ujë të cilat vazhdonin deri në qendër të kryeqytetit, Tiranë, Dr. Marianne Graff, nuk e kishte kuptuar se i kishte hyrë një “aventure” që do të vazhdonte gjatë në jetën e saj. Ajo nuk e kishte menduar kurrë që kishte ardhur në një vend prej nga ku nuk do të shqitej më. Madje jo vetëm kaq, por t’i përkushtohej atij me gjithë fuqinë e shpirtit të saj, (si dikur bashkatdhetaria e saj, Edit Durham), me një kontribut edhe më të madh, sa që e kanë bërë atë të njohur si një prej humanisteve më të famshme, jo vetëm në Europë, por dhe më gjerë. Edhe pse që nga ajo kohë e largët tashmë kanë kaluar 28 vjet dhe Dr. Graff, falë kontributit të saj personal, ka bërë të mundur sjelljen e miliona dollarëve ndihmave, për: kopshtet, çerdhet, shkollat, spitalet e dhjetra objekte të tjera social kulturore, si dhe pako me ushqime, veshmbathje e medikamente mjekësore për të sëmurët e shtresat e popullsisë në nevojë, ajo përsëri nuk është e kënaqur me atë çka ka bërë për Shqipërinë, të cilën e konsideron si një atdhe të dytë. Ndërsa e vazhdon misionin e saj humanitar në këtë vend me po atë pasion dhe përkushtim si në fillimet e saj në vitin e largët 1992, prej vitesh, Zonja Graff, ka bërë edhe një dhuratë tjetër për këtë vend: Një album të ilustruar dhe tepër luksoz, të titulluar: “Shqipëria Veriore nga Petrela në Jezercë-Një copë Europë Jugore e harruar”. Më shumë se një guidë turistike, ky album, i cili është përkthyer nga z. Gjergj Liqejza, pa dyshim është një nga më luksozët që kanë botuar ndonjë herë të huajt për Shqipërinë, është dhe një studim serioz për kulturën, doket, zakonet, traditën, florën, faunën, gjeografinë, historinë, e gjithçka tjetër ka të bëjë me Shqipërinë Veriore, nga Petrela në Jezercë. Por më mirë për këtë gjë, na flet vetë zonja Graff, në hyrje të albumit të saj, (të cilën po e botojmë të plotë), ku janë dhënë edhe konsideratat e ish-ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve, z. Bujar Leskaj, së bashku me ato të Konsullit të Nderit të Austrisë në qytetin e Shkodrës, z. Gjergj Liqejza, dhe z. Skënder Thaçi, bashkëpunëtorit kryesor të zonjës Graff, i cili nuk i është ndarë asaj për asnjë moment gjatë 28 vjetëve të misionit të saj humanitar në Shqipëri”.
Graf: Ja pse Shqipëria u bë atdheu im i dytë
“Shqipërinë unë e njoha duke qenë shumë larg Shqipërisë, ende pa perceptuar drejtpërdrejt ekzistencën e saj. Njohja ime për të erdhi si rezultat i dashurisë sime për botën malore amtare, si dhe udhëtimeve të shumta për qëllimi studimi me bashkëshortin tim. Jetën e malësorëve të saj plot skamje e gjeta në lartësitë e Nepalit dhe Jemenit, po aq dhe në tregimet e prindërve të mi, rreth luftës për ekzistencë të fshatarëve austriakë në kohët e kaluara. Forcën e lidhjeve familjare patriarkale të saj unë e ndjeva në qëndresën e fortë të familjeve të mëdha të vendeve të Alpeve dhe Azisë Juglindore dhe respektin ndaj të moshuarve, m’u dha mundësia ta njoh te shumë fise të Afrikës. Prandaj gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri në fillimin e vitit 1992, nuk u habita dhe aq shumë, pasi shumë gjera që ndesha këtu, m’u dukën të njohura. Por unë mbeta e habitur dhe pa mënd nga mungesa e madhe e shpresës, nga përçarja dhe mos marrëveshjet e mëdha që ekzistonin këtu midis njerëzve, nga konformizmi komunist, që hasej kudo, nga mungesa e çfarëdolloj infrastrukture dhe nga 700.000 bunkerët, që, si krijesa të frikshme, mbulonin vendin si çibanë. Gjithashtu njohja e mirë e gjendjes dhe pamja e dëshpëruar e këtij vendi, jo vetëm bënë që Shqipëria të më hynte në zemër, por edhe më bindën të marr vendimin për ta ndihmuar atë me përkushtimin më të madh, pavarësisht nga pasojat. Shqipëria, me një peizazh të virgjër dhe pafundësisht e bukur është e pamëshirshme me banorët e vet. Kjo vjen nga toka jashtëzakonisht e varfër, por ca më shuam nga e kaluara plot vuajtje, e cila nën tiraninë gjatë historisë më të re, arriti një pikë kulmore torturuese. Një sistem brutal i cili përmbysi tërësisht rendin e vjetër, shkaktoi shumë viktima dhe dëme të pa riparueshm e të pasurive kulturore, e vendosi vendin në karantinë për dhjetra vjet, u krijoi njerëzve mjaft probleme, të cilat, ata me gjithë përpjekjet, nuk janë në gjendje t’i zgjidhin vetëm. Mirëkuptimi im për këtë problem, mënyra ime e sjelljes si rezultat i këtij mirëkuptimi, por edhe gjuha, e cila është çelësi më i mirë për të kuptuar një popull, më mundësuan të futesha dhe të kontaktoja me të gjithë shtresat e popullsisë së këtij vendi. Ato hapën për mua lugina dhe kasolle, të cilat zakonisht hapen me vështirësi për të huajt. Me kënaqësi kujtoj nga ato fshatra të largëta ura druri të varura (pasarela), dhe shtigje, prej nga mund të përfundoje në greminë, mikpritjen prekëse në banesat e thjeshta “të pastra me pickime pleshtash”, netët e akullta dhe ngrohtësinë shëruese të llojeve të shumta të çajit të malit dhe të rakisë. Të pish bashkë me fshatarët dhe me barinj duhan kundërmues dhe të përjetosh me ish-të burgosur shijen e keqe të përbuzjes njerëzore dhe të vdekjes në ish-kampet e të burgosurve, t’u shpëtosh, bashkë me ndihmëtarët, gurëve, që rrëzoheshin tatëpjetë shkëmbit, rrëshqitjeve në baltë, si dhe kallashnikovëve kërcënues, të ëndërrosh me artistët dhe të zhvillosh diskutime të nxehta me politikanët, këto janë më shumë se sa ngjarje interesante. Të gjitha këto përjetime, takime dhe biseda të përbashkëta me shqiptarë, më ndihmuan për ta njohur dhe për ta kuptuar me të gjithë shqisat këtë vend, prandaj u jam mirënjohës të gjithë atyre që ma dhanë këtë mundësi. Nuk është për t’u çuditur që pikërisht kështu Shqipëria u bë për mua atdhu im i dytë. Prandaj them se sa herë udhëtoj dhe kudo ku mbërrij-në Austri ose në Shqipëri-unë vij në shtëpi”.
Graff: Falenderime të veçanta për ata që më ndihmuan
“Falenderoj të gjithë ata që më bënë të ndjehem si në atdhe, të gjithë ata që së bashku me mua bënë një copë rrugë, të gjithë ata që më kanë mësuar shumë dhe m’u bënë udhërrëfyes. Por në mënyrë të veçantë, unë dua të falënderoj bashkëshortin tim për mbështetjen e tij energjike, të pakufishme dhe për qëndrimin e tij si “shkëmb” në kohë të stuhishme, si dhe Skënder Thaçin, mikun tonë shqiptar, të durueshëm dhe të palodhur, ndihmëtar dhe shoqërues, i cili, mua dhe bashkëshortin tim, por edhe miqve dhe ndihmëtarëve nga Austria, vazhdimisht dhe kudo na ka qëndruar përkrah. Ne të gjithëve na bashkon vlerësimi për Shqipërinë. Ky vlerësim dhe nderimi për Shqipërinë, ishin gjithashtu nxitësit për botimin e këtij libri. Ky libër nuk duhej të ishte thjesht një rrëfyes udhëtimesh dhe nuk duhet të kishte fare pretendimin e një hulumtimi shkencor. Unë jam e vetëdijshme që gjatë qëndrimeve të panumërta të këtyre dhjetë vjetëve të fundit e kam njohur mirë Shqipërinë, më mirë se shumë të tjerë, por jam, gjithashtu, e vetëdijshme që akoma shumë ka mbetur e pazbuluar nga unë dhe se e kam arritur vetëm deri në mes për ta kuptuar mirë atë. Me tekste dhe fotografi unë provoj që përshtypjet dhe përvojën time personale, por edhe tregimet e njohuritë që ekzistojnë, t’i bashkoj në një të tërë, e cila megjithëse ka shumë mungesa, vështirësi dhe harresa, duhet të jetë një shprehje dashurie për këtë vend dhe për njerëzit e tij. Në këtë frymë, unë po punoj për të shkruar vazhdimin e këtij libri, për Shqipërinë Jugore. Unë dëshiroj shumë që ky libër të kontribuojë që këtë vend ta kuptojnë më mirë. Por dëshiroj, gjithashtu që të gjenden njerëz, të cilët të përkushtohen për të, t’i ruajnë gjithçka unikale dhe që ia vlen të mbrohet. Le të gjejë sa më shumë miq Shqipëria ime e dashur Veriore, e panjohur mirë, e nëpërkëmbur dhe krenare”.
Graf: Përse kam pasqyruar anën e mirë të Shqipërisë?!
“Nëse dikush do të dëshironte të më qortonte për faktin se në fotografitë e mija kam kapur vetëm anët më të mira të Shqipërisë së Veriut, ai ka të drejtë. Në këtë libër mbizotëron pikërisht përpjekja ime që, megjithë mjerimin, tashmë të njohur, dhe klasifikimin që i bëjnë Shqipërisë si: Oborri i Pasmë dhe Shtëpia e të Varfërve të Europës, të tregoj atë që ia vlen të ruhet dhe të shikohet. Sa për problemet, ato trajtohen në mënyrë të mjaftueshme ne tekst. Unë dëshiroj gjithashtu t’u hap sytë lexuesve për peizazhin madhështor dhe për bukuritë e vogla, të cilat në këtë vend ekzistojnë me shumicë përkrah këtij trishtimi. Dhe, në çdo rast, është vlerësimi pozitiv që çan përpara dhe të jep guximin të bëhesh i vetëdijshëm për forcën tënde, e cila bën të mundur përballimin e detyrave të së tashmes dhe të ardhmes”.
Ish-Ministri Bujar Leskaj: Libri i Graf, një thirrje për botën
“Miku i mirë njihet në ditë të vështir. Pra të zësh miq do të thotë t’u shtosh përmasa të reja jetës, krenarisë dhe pavdeksisë. Të kesh miq, do të thotë të shmangësh egoizmin, vetminë dhe ngujimin. Kush është i pasur në miq, është i pasur në dashuri, fisnikëri, vlera mendore dhe shpirtërore, qofshin këto vetjake ose kombëtare. Një njeri i vetëm është sa vetë njerëzimi. Prandaj shqiptarët janë me fat, sepse sot u shtohen edhe tre miq të tjerë: Marianne Graff, fëmija i saj, libri “Shqipëria Veriore – Nga Petrela në Jezercë. Një copë Evropë Jugore e harruar”, dhe, mbi të gjitha, vendi i saj Austria. Ky libër nuk është vetëm guidë turistike e Shqipërisë Veriore, por edhe një ftesë e përzemërt për turistët e huaj dhe të vendit, për ta vizituar këtë “copë të harruar të Evropës Jugore”, të begatë në peizazhe magjepse, thesare kulturore, tradicionale dhe historike, si dhe njerëz fort të mirë dhe mikëpritës, që jetojnë në kushte tejet të vështira dhe kanë nevojë për kujdesje dhe ndihmë. Përshkrimet e saj të shoqëruara me fotografi dhe lirika, shpalosin para lexuesit një tablo të gjallë dhe të gjithanshme të Malësive tona të Veriut dhe të banorëve të tyre me shtate si pisha; me fytyra si qiej të ngarkuara me diej dhe hëna shkëlqimtare; me shpirtra si ujërat e freskëta dhe të pa turbulluara, që burojnë nga thellësitë e tokave të lashta Ilire; me mëndje gjithnjë të kthjellëta, me një gjuhë të pasur dhe të ëmbël, të cilën ua kanë zili edhe zogjtë këngëtarë. Sipas saj, ‘Malësorët hijeshojnë jetën, hapësirën dhe kohën. Ata janë të qetë dhe të mendueshëm. Flasin pak dhe vetëm kur duhet. Fjalët nuk i përdorin vetëm për të lënduar. Ata kurrë nuk kanë frikë nga asgjë, sepse e dinë që frika nuk lejon të rritesh, të bëhesh Njeri, të shijosh jetën, të dashurosh, as të zgjedhësh paqen dhe harmoninë në të gjitha kohët dhe vetat. Prandaj janë zemërbardhë, bujarë dhe të paepur. Prandaj, janë shumë krenarë dhe assesi nuk pranojnë të humbasin nderin, sepse kështu do të shndroheshin në hiç të hiçit’. Libri i Marianne Graff-it, është thirrje drejtuar botës, dhe sidomos Evropës, që t’i kushtojë vëmendjen e duhur vendit tonë, i cili për shkak të ngujimit të plotë dhjetra vjeçar, mbetet ende “pjesë e harruar” e saj. Ndërkohë, ai është dëshmi e qartë e marrëdhënieve të forta miqësore ndërmjet dy kombeve tona, si dhe një ndihmesë e rëndësishme në drejtim të nxitjes së turizmit kombëtar dhe kulturor, që mbetet përparësi e Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë. Prandaj ne të gjithë i jemi mirënjohës asaj, duke besuar se ky libër do ta bëj vendin tonë me më shumë miq e dashamirës”.
Gjergj Liqejza: Albumi i zonjës Graff, është pritur shumë mirë edhe në Austri
“Austria, në këto dy shekujt e fundit, është pa dyshim, vendi që ka mishëruar dhe ka shfaqur, në të gjitha drejtimet një miqësi të vërtetë ndaj Shqipërisë. Nuk ka fushë politike, social-ekonomike të zhvillimit të Shqipërisë të fund-shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX, ku të mos jetë, dora, mëndja, dhe kontributi i linguistëve, arkeologëve, historianëve, inxhinierëve, dhe humanistëve austriakë. Kjo traditë dhe kjo gjurmë miqësie dhe dashamirësie të kombit austriak e kanë motivuar znj. Marianne Graff që menjëherë pas çlirimit të vendit tonë nga izolimi totalitar, që zgjati afro 50 vjet, të organizojë shoqatën humanitare Shqipëri-Austri. Ajo u përkushtua me dashuri dhe fisnikëri të pashoqe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ndaj aktiviteti i saj humanitar dhe ndërtues i kapërceu kufijtë e imagjinatës, kur shikon 40 objekte të reja shëndetësore, arsimore e kulturore të Shqipërisë së veriut dhe mijra pako me ndihma të shpërndara me dorën e saj. I jashtëzakonshëm ishte impenjimi i saj gjatë krizës kosovare. Për znj. Graf kishte dhe një qëllim tjetër: të njihte dhe të kuptonte sa më mirë shqiptarët dhe vendin e tyre. Gjatë afro 28 vjetëve të aktivitetit të saj, ajo dëshmoi se nuk është vetëm një misionare e shquar e humanizmit. Por edhe një vëzhguese dhe analiste e thellë e jetës, historisë, traditës, kulturës dhe zakoneve në çdo vend ku shkel këmba e saj. Këtë ajo e pasqyron më së miri në këtë album, ndër më cilësorët dhe të veçantët që i kushtohet vendit tonë nga një autor i huaj. Në këtë vepër, Znj. Graff, me art, me mjeshtëri, ka fiksuar dhe ka pasqyruar copëza reale të jetës, së njerëzve të thjeshtë, të gjitha këto të gërshetuara me foto artistike të rralla të natyrës magjepse shqiptare, por edhe përshkrime të gjendjes së rëndë rrënqethëse social-ekonomike në këtë copë tokë të Europës. Ky album, i botuar së pari në gjermanisht, është pritur mjaft mirë në Austri dhe në vende të tjera dhe do të vlerësohet më shumë se kudo këtu në Shqipëri. Vlersimi dhe respekti për punën dhe aktivitetin e znj. Graff, janë shprehur, në radhë të parë nga njerëzit e thjeshtë, por edhe në rrugë institucionale, sepse ajo është vlerësuar me shumë çmime dhe tituj të ndryshëm nderi në Shqipëri. Me këtë album të mrekullueshëm, znj. Graff jep edhe një kontribut tjetër të veçantë në lidhjet e kahershme miqësore mes Austrisë dhe Shqipërisë”.
Skënder Thaçi: Jam bashkë udhëtar në veprën e pashoqe të Graff
“Kam patur fatin të shkel së bashku me Zonjën Graf çdo cep të Shqipërisë Veriore në këmbë, me kalë dhe me mjete motorike; Të mbaj, me shpinë, me duar, me qindra mijra pako ndihmash për njerëzit në nevojë në ato zona; Të bëjmë bashkë qindra mijra kilometra në atë që çdo ekspeditë e çfarëdo lloji që të ishte, do ta kishte zili; Të mbajmë aq tulla, tjegulla, gëlqere, çimento, hekur, dyer, dritare, dhe orendi shkollash, ambulancash, e kopshtesh për fëmijë, sa çdo bashki e komunë do e kishte zili; Të kujdeseshim për familje që vuanin pragun fundor të urisë në zonat më të harruara të Shqipërisë; Të ndihmonim fëmijë me këmbë të këputura nga minat, me veshka të shkatërruara, me sëmundje të gjata të pashëruara; Të preknim realitetin e ashpër dhe të dhimbshëm të vendit tim deri në detajin e fundit, deri ku ai transformohet në lot, dhimbje mjerim; Të ndjenim deri në palcë të ftohtin e dimrit në shtëpi ku era siç hynte delte pa pengesa nga njëra anë në tjetrën; Kam patur fatin të bëhesha dëshmitar i asaj që shumica e bashkëatdhetarve të mi as që e mendojnë se ekziston në vendin e tyre; Kam kaluar me dhjetra qindra netë në shtëpitë më të varfra, mundësisht më të varfërta, për të ndjerë thellë dhimbjen e skamjes, peshën e lënies mënjanë të njeriut, kënaqësinë e mikpritjes së tyre; Dhe kam mësuar se sa pak ua dinë vlerën gjërave në këtë botë ata që kanë. Do të kishte një ambulancë ku do të merrnin ndihmën e parë nënat që do ta mbanin me breza të rinj atë zonë; Ku do të shuheshin dhimbjet e para të njerëzve të sëmurë; Do të kishte një kopsht ku do të cicëronin vogëlushët e së ardhmes; Në çdo kthim do të kishte një urë të vockël, pasarelë, që do të lidhte dy brigje jete, dy bashkësi, dhe shumë dashuri njerëzore; Në çdo kthim, do të kishte një përkujdesje të re për një fatkeq ose fatkeqe, do të kishte rroba, ushqime, transport dhe përkujdesje mjekësore në spitalet me të mira të Austrisë për njerëz të harruar. Në këtë udhëtim të gjatë, që tani është në dhjet vjeçarin e dytë, e që është pasqyruar në këtë libër, më shumë se çdo gjë kishte dhe ka krenari dhe humanizëm. Në çdo faqe të këtij libri do të gjendet pikërisht ai që më ka bërë ta ndjek hap pas hapi Zonjën e nderuar Marianne Graff, humanisten e thjeshtë, austriaken e shquar, njeriun që u bë i njohur për veprat e saj të pafundme humanitare në Shqipëri-kujdesin njerëzor. Imazhet e hedhura në faqet e këtij libri të Zonjës Graff, me të shoqin e saj, të nderuarin Wilhelm, nuk i diktonte asaj një sipërmarrje kaq të madhe dhe të vështirë që zgjat si duket pa mbarim. Nuk ishte nevoja që ndjenin Grafët për të ndihmuar Shqipërinë. Ishte humanizmi i tyre si bij të një populli fisnik që kurrë nuk ia kishte kthyer shpinën vendim tim, Shqipërisë. Dhe kur pashë se ky çift i nderuar bënte aq shumë, duke mbledhur me pikatore çdo ndihmë që mundeshin në Gracin e tyre të bukur për njerëzit e vendit tim, iu përkushtova edhe unë. Dhe ndjej që kam bërë më të mirën që mund të bëja në këtë jetë. Prandaj jam krenar. Prandaj edhe ndjej se gjendem aty, pas kameras së Zonjës Graff. Ndjej se jam bashkëudhëtari i saj në tërë këtë udhëtim. Ndaj dua ta falënderoj Zonja Graff, për këtë libër të mrekullueshëm, për atë që bëre për vendin tim. Faleminderit që më bërë bashkëudhëtar të veprës tënde të pashoqe”.
Helmut Kohl dhe Mikael Gorbaçov, medalje për Marianne Graf
Bamirësja e njohur Dr. Marianne Graff u lind në vitin 1951 në qytetin e njohur të Graz-it dhe aktualisht banon në Gësendorf (Gossendorf) në Shtaiermark (Steirermark) të Austrisë. Ajo prej më shumë se 28 vjetësh drejton organizatën humanitare “Partneriteti Shqipëri-Austri”, të cilën e themeloi dhe e ngriti në vitin 1992 së bashku me bashkëshortin e saj, Dipl. Ing. Wilhelm Graf. Që nga ai vit e më pas, Marianne Graff e ka vizituar Shqipërinë disa herë në vit, dhe si rezultat i veprimtarisë së saj humanitare, ka krijuar kontakte të vazhdueshme dhe shumë të mira me të gjitha shtresat e popullsisë në vendin tonë. Mirëkuptimi i saj i thellë për problemet që po kalon Shqipëria, sjellja e saj e përzemërt dhe njohuritë e gjuhësore që ajo ka krijuar gjatë këtyre viteve, kanë bërë të mundur që Graff të futet lirisht në luginat dhe alpet e veriut, në kasollet e malësorëve shqiptarë, të cilat zakonisht nuk kanë qenë shumë të frekuentuara për të huajt. Për përkushtimin dhe punën e saj të palodhur, për kontributin shoqëror, angazhimin për të drejtat e njeriut, si dhe për inisiativat e saj në fushën etike dhe të kulturës, Dr. Graff, ia janë akorduar shumë dekorata, medalje e tituj të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit të saj, ku midis të tjerash vlen për t’u përmendur edhe urdhri “Nënë Tereza” që ajo ka marrë në Shqipëri në vitin 1996. Ndërsa nga medaljet dhe urdhrat më prestigjioze që ia janë akorduar në shtete të ndryshme të botës, janë: “Çmimi i Madh për Paqe dhe Humanizëm”, (Kosovë), “Medalja e Madhe e Meritës e Republikës Austriake”, (Vjenë), “Çmimet Josef Krainer”, dhe “Johann Awards”, për punë sociale dhe “Gruaja e Vitit” për Landin Shtaiermark për vitin 2002. Dr. Marianne Graff i janë akorduar gjithashtu edhe medalje të tjera të njohura si: “Styrian Huamanity Award”, të cilin ia dorëzuan ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mikael Gorbaçov dhe ish-kancelari i Gjermanisë, Helmut Kohl, Çmimi për të Drejtat e Njeriut i dhënë nga landi Shtaiermark, “Urdhëri San Silvestro” i dhënë nga Vatikani, (i cili është urdhri më i lartë për njerëzit e zakonshëm që jepet nga Selia e Shenjtë), etj. Zonja Graff ka qenë gjithashtu kandidate e kontinentit Europian për të fituar çmimin “Humanitarian Award” në San Diego të SHBA-së, etj. Krahas këtyre urdhrave dhe medaljeve, Dr. Graff i është dhënë titulli i lartë Honoris Causa nga Universiteti i Shkodrës dhe ajo është shpallur Qytetare Nderi nga disa bashki e komuna të Shqipërisë, si: Fieri, Laçi, Mamurrasi, Rubiku, Fush-Arrëzi, Gjegjani, Qafë-Mali, Rrepë etj. Një nga dekoratat e fundit që i është akorduar znj. Graff, është ajo e dhënë nga presidenti Ilir Meta në muajin shkurt të vitit 2018, ku me atë rast u promovua edhe një libër për humanisten e njohur austriake që i’a ka kushtuar jetën Shqipërisë, të cilën ajo me krenari e quan atdheun e saj të dytë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016