Dashnor Kaloçi
Pjesa e nëntë
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) dhe Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat bëhen publike për herë të parë, ku ndodhet një korrespodencë e titullarëve kryesorë të Ministrisë së Jashtme, me ambasadën italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, lidhur me ngjarjen e datës 6 janar 1989, kur anija “Dukati” gjatë lundrimit në Detin Adriatik, u rrëmbye nga kapiteni i saj, Enver Meta, i cili kishte fshehur tetë shokë të tij në ambientet e anijes dhe bashkë me ta, mbajti peng shtatë pjesëtarët e ekuipazhit, deri sa dolën në portin e Brindisit. E gjithë kronologjia e asaj ngjarje të rëndë që pati jehonë të madhe në shtypin italian, e cila jo vetëm që shkaktoi një përplasje të fortë diplomatike në mes Tiranës zyrtare dhe Romës, por shkaktoi një furtunë të madhe në radhët e Ministrisë së Brendshme në Tiranë, ku u shkarkuan apo i’u dhanë masa të rënda ndëshkimore 15 zyrtarëve të lartë të zinxhirit drejtues, nga nënoficeri i Pikës së Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit, e deri tek Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, si dhe vetë ministrit Hekuran Isai, që i’u dha vërejtje e rëndë në mbledhjen e Byrosë që vazhdoi për disa ditë me radhë nën drejtimin e Ramiz Alisë, ku pati përplasje të forta midis anëtarëve të saj, me akuza të ndërsjellat për abuzime dhe shpërdorime, e deri në problemet familjare që ata kishin.
Mbledhja e Byrosë Politike për ngjarjen e arratisjes së anijes “Dukati”
ÇËSHTJA E KATËRT: “TË NDRYSHME” (NGJARJA E DURRËSIT)
SHOKU RITA MARKO: Kjo ngjarje tregon se gjendja, në rrethin e Durrësit në përgjithësi nuk është e mirë, se ka problem shqetësuese në këtë fushë prandaj shokët e Komitetit të Partisë dhe në veçanti, shoku Qirjako duhen të nxjerrin mësime nga kjo që ndodhi. Kjo ngjarje tregon që jo vetëm janë shkelur rregullat por edhe organet e Sigurimit nuk e kanë parasysh që Porti i Durrësit ka qenë një objekt kryesor për agjenturat e huaja. Porti ka pasur gjithmonë një numër punëtorësh në sektorë të ndryshëm, madje dhe kur nuk ka pasur shumë mekanizma, ka pasur dhe më shumë punëtorë. Që nga akti heroik i Spiro Kotes në port, ka ekzistuar gjithnjë rreziku i veprimit të agjenturave të huaja. Rregullat ushtarake të regjimit kufitar u shkelën sepse organet e Sigurimit, të Policisë, dhe punëtorët operativë në port, nuk e kanë kryer detyrën. Edhe puna e Partisë dhe organeve të pushtetit në 6 ndërmarrjet e portit nuk ka qenë në nivelin e duhur. Pra kjo ngjarje ndodhi jo thjesht se u shkelën rregullat porse organet e Sigurimit dhe pika e kontrollit në port nuk kanë ushtruar kontroll të fortë ndaj organizmave ekonomikë. Në port është “Inter klubi”, doganat e tjera, kështu që të tëra këto probleme duhen parë në kompleks. Me siguri në port duhet të ketë dhe fenomene të tjera. Më bën përshtypje dhe rasti i qytetarit që i dha florinjtë ushtarit e nuk u kap dot, megjithëse komanda ishte njoftuar për këtë përpara. Kjo është një gjë shumë e rëndë që duhet lidhur me këtë çështje që po diskutojmë sot. Arratisja që ndodhi në Han të Hotit, vitin e kaluar nuk u bë mësim për Agron Tafën tani në Durrës. Nga kjo ngjarje nuk nxori mësim as Komiteti i Partisë i Rrethit të Durrësit. Në raportin që ka paraqitur MPB, sidomos Komiteti i Partisë së Rrethit të Durrësit, nuk i bëhet një analizë e thellë këtij problemi, nuk nxirren konkluzione, nuk mbahet një qëndrim serioz ndaj kuadrove, për përgjegjësinë që kanë për këtë ngjarje të rëndë, dhe nuk shtrohet detyra për organizatat bazë të Partisë për rolin kaq të rëndësishëm që kanë këta sektorë kaq delikatë. Përgjegjësi për këtë ka Partia në rreth, Ndërmarrja e Peshkimit, po përgjegjësinë më të madhe e ka shoku Qirjako dhe shokët e Partisë dhe byrosë së rrethit Durrës. Kam përshtypjen se këta shokë nuk janë të shqetësuar për këtë që ndodhi. Përgjegjësi ka gjithashtu ka Dega e Punëve të Brendshme me shokun Agron në krye. Sic propozohet në relacionin e Komitetit Qendror të Partisë, si dhe të shkarkohet nga detyra, sepse gabimet janë të rënda dhe të përsëritura, po dhe autokritikë nuk bëri. Ferit Zeneli, propozoi për vete që ta shkarkonim nga detyra kurse shoku Agron Tafa jo. Edhe për Ferit Zenelin të merren masa. Masa të merren edhe për shokët e Drejtorisë së Parë dhe për Zylyftarin. Shoku Hekuran duhet të nxjerri më shumë mësime për dobësitë që vihen re në këtë sektor, se këto gabime janë jo vetëm të përsëritura por kanë krijuar shqetësime për shtetin, dhe për tërë sistemin tonë të Sigurimit. Hekurani duhet që të ketë më shumë forcë organizative për t’i çuar punët deri në fund dhe, të jetë më kërkues ndaj vartësve të vetë dhe të luftojë dobësitë në punë. Me gjithë aftësitë që ka dhe punën që bën shoku Hekuran, nuk ka gjetur forca të luftojë familjaritetin dhe të shkallmojë punën e mbyllur. Disa problem të brendshme ai duhet t’i zbulojë vetë dhe duhet ti paraprijë me zgjidhje konkrete dhe të vërë në dijeni, jo kur ndodhin këto gjëra. Duhet të pranojmë që në organet e Kufirit, dhe të Policisë, ka dobësi të mëdha. Forca e policisë nuk ndihet sa duhet tek qytetarët, ka njëfarë pasigurie për ruajtjen e pronës, të rendit, dhe në disa raste janë bërë edhe gabime. Këto probleme janë rrahur nga shokët e policisë, por nuk i kanë çuar deri në fund. Prandaj si policia ashtu dhe kufiri duhet të forcohen shumë, natyrisht pa përjashtuar, organet e tjera të rëndësishme si është Sigurimi. Gabimet e shokut Hekuran si ministër janë të rënda. Unë do t’i them Byrosë Politike dhe për një veprim për një veprim jo të mirë të djalit të tij, le ta dinë shokët. Djali i Hekuranit që është në vitin e katërt të Universitetit, bashkë me disa rrugaçë, kanë shkuar në Fakultetin e Ekonomisë, dhe kanë thyer xhamat, llambat, dhe më e rënda kanë rrahur pedagogen. Ju duhet të shkoni në fakultet shoku Hekuran dhe të dënoni këtë veprim të djalit tuaj, se jeni prind. Mua për vete më erdhi shumë rëndë kur e mora vesh. Duhet t’i shikojmë edhe këto gjëra. Shokët duhet të kenë shumë kujdes dhe për jetën e tyre. Jam i mendimit që disa strofulla, e kam fjalën për ato të gjuetisë, duhen mbyllur dhe t’i jepen turizmit. Besoj që shokët e kuptojnë, e kam më shumë për jetën e tyre. Megjithatë disa punonjës të organeve të punëve të brendshme, e kanë të domosdoshme gjuetinë për natyrën e punës që kanë. Përsa u përket masave shoku Hekuran, t’i jepet një vërejtje. Kam dhe një vërejtje për shokët e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë. Raporti që kanë paraqitur shokët e aparatit, ishte shumë i mirë, por gjithmonë pasi ndodhin ngjarjet, duhet të njoftojë aparati i Komitetit Qendror, Byronë Politike. Si e thamë organet e punëve të brendshme dhe veçanërisht Sigurimi, janë një sektor i mbyllur dhe të tërë nuk mund të futen në punën e tyre. Pavarësisht nga kjo aparati i Komitetit Qendror të Partisë duhet tu qëndrojë shumë afër këtyre organeve, t’i kontrollojë, t’i ndihmojë, por dhe të informojnë Byronë Politike kur ka problem shqetësuese. Kam përshtypjen që aparati i Komitetit Qendror nuk e ka ngritur si problem pranë Byrosë Politike, për punën e organeve të punëve të brendshme. Unë si anëtar i Byrosë Politike, megjithëse me këto organe lidhem, indirekt, nuk jam i kënaqur nga kjo anë. Prandaj mendoj që aparati i Komitetit Qendror nuk duhet të jetë gjykatës vetëm kur ndodhin gjërat. Neve na kanë ndodhur gjëra shumë të rënda në organet e Sigurimit, dhe i kemi përballuar. Armiqtë dhe agjenturat e huaja, përpiqen që të godasin sektorët më të ndjeshëm, siç është Sigurimi. Prandaj duhet të jemi të fortë e të shkathët për të mbuluar e parandaluar veprimtarinë armiqësore. Komitetet e Partisë në rrethe, duhet tu qëndrojnë më afër këtyre organeve, dhe të ndihmojnë efektivin e tyre për tu rritur sa më shumë si nivel politik. Kryetarët e Degëve të Brendshme në rrethe, janë anëtarët e byrosë së komiteteve të partisë së rretheve. Atëherë ku është përgjegjësia e tyre për këtë problem? Edhe shokët e Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, për mendimin tim nuk u kërkohet sa duhet llogari organeve të punëve të brendshme. Puna nuk duhet të matet vetëm me mbledhje, po me rezultate. Shoku Zylyftar tha se puna matet vetëm me rezultate, po vetë ai po e mat me mbledhjet që ka bërë. Ja të dielën u dogj kinema “Partizani”. Prandaj, Komitetet e Partisë në rrethe, dhe aparati i Komitetit Qendror i Partisë duhet të jenë në krye të organeve të punëve të brendshme. Kjo do të jetë ndihmë për punën e tyre. Ky aparat duhet t’i ndihmojë, dhe t’i inkurajojë dhe komitetet e partisë së rretheve që tu futen më thellë punës së partisë në këto organe. Kjo do të jetë ndihmë për punën e tyre, dhe do t’i forcojë këto organe në luftën kundër armiqve. Kontrolli i Partisë duhet të forcohet dhe në ministri. Kaq kisha unë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, tjetër kush do të flasë?
SHOKU FOTO ÇAMI: Unë, shoku Ramiz. Rasti që po diskutojnë është tepër i rëndë dhe për shkak se nuk është hera e parë që ndodhin gjëra të tilla. Kjo ndodhi para disa ngjarjeve të tjera sidomos pas arratisjes në Han të Hotit, për të cilën vjet u bënë gjithë ato kritika nga Sekretariat i Komitetit Qendror të Partisë, dhe u morën masa. Ngjarja e fundit që ndodhi në Durrës tregoi, që shokët nuk kanë reflektuar thellë dhe masat e marra kanë qenë të njëanshme dhe të pjesshme. Dhe në këtë rast na u përsërit ajo dukuri që është kritikuar disa herë nga shoku Ramiz, që kur zbulohet një defekt në një sektor apo ndodh një ngjarje si kjo në një fushë, merren masa vetëm për të mënjanuar këtë defekt dhe jo për t’i parandaluar këto fenomene në tërë sektorët në shkallë vendi. Përsa i përket ngjarjes që po analizojmë, gjithçka është fare e qartë. Armiqtë, mundën të realizojnë veprën e tyre për dobësi të theksuara në fushën e vigjilencës, të disiplinës, të zbatimit të rregullave, në ushtrimin e kontrollit të masave të tjera që merren për të parandaluar aktet e tilla. Mungesë dhe dobësi serioze ka në këtë drejtim dhe në punën e organeve të policisë, kufirit, dhe Sigurimit, në punën e Partisë dhe të ndërmarrjeve ekonomike. Për të gjitha këto flitet gjerësisht në materialet që janë paraqitur, sidomos në atë të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë së MPB-së. Kurse materiali që ka paraqitur Komiteti i Partisë së Durrësit, është i cekët, nuk i bën një analizë të thellë e të gjithë anshme problemit dhe situatës që çoi në këtë ngjarje të hidhur. Në material flitet më shumë për çka është bërë, se për atë që ndodhi. Shkaku kryesor dhe më i rëndësishëm i dobësive që po kritikojmë, nuk duhet kërkuar aq tek të metat organizative, mungesat teknike, tek moszbatimi i rregullave e mungesa e kontrollit në këtë drejtim. Këto janë shkaqet kryesore, por faktori kryesor që çoi në këtë ngjarje, është aspekti ideologjik, është nënvlerësimi i punës së armikut, fryma e liberalizmit dhe indiferentizmit, që kanë çuar në shkelje flagrante të disiplinës, thyerje të rregullave, të mungesës së kontrollit e të tjera. Këto u dhanë mundësi armiqve që të realizonin qëllimin e tyre. Mesa duket ka një keqkuptim të madh në luftën e klasave, sikur tani lufta e klasave është zbutur, sikur armiqtë janë bërë më dashamirë, më të urtë e më të qetë, se kjo që po kalojmë është një periudhë qetësie dhe pre-okupacioni i vetëm është ekonomia. Pikërisht shuarja e vigjilencës politike, e frymës revolucionare, përhapja e frymës së liberalizmit dhe indiferentizmit, kanë qenë e janë synimet kryesore të armiqve tanë, të brendshme e të jashtëm. Kjo frymë është veçanërisht e rrezikshme kur prek organet e diktaturës së proletariatit dhe organizatat e Partisë. Por kjo është shumë e rrezikshme në një qytet port, siç është Durrësi që ka një popullsi të madhe dhe heterogjene, hyrje e dalje nga brenda dhe nga jashtë. Këtu është përgjegjësia e madhe e Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit dhe e shokut Qirjako si sekretar i parë i këtij rrethi. Vetë Qirjakoja për mendimin tim nuk jep një shembull të mirë në këtë drejtim. Njerëzit flasin se ai më shumë preokupohet për gjuetinë sesa për punën. Dhe punët e tjera në Durrës nuk shkojnë mirë. Deficitet në prodhimin industrial dhe bujqësor janë të mëdha, problemet e furnizimit të popullit janë shqetësuese. Prandaj jam dakord me masën që propozohet në materialin e Komitetit Qendror të Partisë për shokun Qirjako. Përderisa shkaku kryesor i kësaj ngjarjeje është faktori ideologjik unë shoh dhe përgjegjësinë time në dobësitë që u kritikuan këtu. Për çështjet e edukimit ideopolitik ne kemi bërë seminare, kemi ushtruar kontrolle në rrethe, po mesa duket efektiviteti i punës sonë nuk ka qenë i atij niveli që kërkohet. Nga kjo analizë duhet të nxjerrim mësime e të reflektojmë më thellë edhe ne, të intensifikojmë punën ideopolitike të Partisë me levat e saj për edukimin e njerëzve.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani e ka fjalën shoku Pirro Kondi
SHOKU PIRRO KONDI: Ngjarja e Durrësit siç thanë dhe shokët, është shumë e rëndë edhe për faktin që ndodhi pas 2-3 ngjarjeve të tjera të këtij karakteri. Siç tha dhe shoku Rita, duke e parë problemin në prizmin e punës së Partisë, përgjegjësi të rëndë për këtë ngjarje, në radhë të parë ka Komiteti i Partisë së rrethit Durrës. Duke pasur parasysh shkaqet që çuan në këtë ngjarje edhe Komiteti i Partisë së rrethit të Tiranës, ka përgjegjësi përsa i përket frymës së liberalizmit që vihet re në zbatimin e vendimeve të rregulloreve. Kinema “Partizani” në Tiranë u dogj, pikërisht se mungoi kontrolli për zbatimin e rregullores. Ne mundohemi të bëjmë kontrolle për disiplinën në punë që ardhja dhe ikja në orar e punonjësve, shkelja e të cilave është me pasoja të rënda. Shkelja e rregullave lë shteg për veprimtari armiqësore, për vjedhje e dëmtime të pasurisë socialiste. Në këtë drejtim ka shumë mangësi në organizimin e punës, siç tha shoku Foto ka liberalizëm, duke filluar që nga ne. Këto fenomene nuk vlerësohen me syrin politik, ndaj dhe nuk merren masat e duhura për t’i evituar. Ne duhet të reflektojmë me masa konkrete. Çështjen e dytë e kam për organet e punëve të brendshme. Nga puna e Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, por dhe nga puna e vetë ministrisë konstatoj, që bëhet një punë jo e thelluar me bashkëpunëtorët, dhe me agjenturën. Disa gjëra nga ministria dhe nga ana e Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, nuk mund të flas për Degën e Brendshme të Durrësit, duhen parë në konceptin e detyrës. Kryesorja është sesi duhet hyrë në kontakt me bashkëpunëtorët për të parandaluar veprimtarinë armiqësore. Kështu detyra e organeve të punëve të brendshme, është për të hyrë në kontakt me bashkëpunëtorët për të parandaluar veprimtarinë armiqësore, që në fillim. Në qoftë se 9 veta organizohen për tu arratisur, 1 prej tyre, duhet të zbulohet nga organet e Sigurimit, prandaj ngritja profesionale duhet të jetë në nivelin që kërkohet. Një person mund të kryejë vetëm veprimtari armiqësore e të mos zbulohet, po kur kjo kryhet në mënyrë të organizuar, nuk ka përgatitje profesionale punonjësi i Sigurimit po të mos zbulohet. Kam konstatuar që në aspektin organizativ të Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, ka mjaft të meta dhe një copëzim të madh hallkash. Unë ua kam vënë në dukje shokëve të kësja drejtorie, dhe ua kam sugjeruar që këtë problem ta shohin bashkë me ministrinë. Po dhe në ministri më duket se ka një copëzim të madh hallkash. Janë krijuar shumë degë, sektorë, e nën sektorë, ka shumë kontrollorë përsipër dhe pak punonjës që merren me punën organizative të Sigurimit. Pra ka më shumë shkresa dhe lihet puna kryesore. Prandaj kjo çështje duhet parë me shumë përgjegjësi nga shokët e Sigurimit. Ky problem në përgjithësi është shtruar për dikasteret, Por në mënyrë të veçantë në organet e punëve të brendshme ka një copëzim të madh hallkash që të fusin pastaj në veprime të tjera. Siç thanë dhe shokët, raporti që ka paraqitur aparati i Komitetit Qendror të Partisë, është i mirë. Edhe unë jam dakord me masat që propozohen.
SHOKU PALI MISKA: Po them dhe unë disa mendime shoku Ramiz. Ngjarje të tilla janë me pasoja të rënda për shtetin tonë. Këto kanë hapur probleme të mëdha të cilat jemi mundur që t’i kapërcejmë. Por kjo e fundit i shton më shumë pasojat se është e përsëritur. Këto situata të rënda kanë karakter të theksuar politik dhe përgjegjësinë kryesore e ka shoku Hekuran dhe shoku Qirjako. Ngjarja në Portin e Durrësit tregon se nuk janë nxjerrë mësime nga ngjarjet që kanë ndodhur më parë. Për këto fenomene duhet të ishte bërë një qilizmë i thellë në punën e organeve të MPB-së, dhe të punohej me direktivat e shokut Enver për këto organe. Fjalimi që ka mbajtur shoku Ramiz në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë, që bëri një analizë për arratisjen në Han të Hotit, të emocionon. Ai në këtë fjalim, ngre probleme të mëdha, dhe flet për ato çështje që ka folur dhe shoku Enver. Atje flitet për familjaritetin, për punën e mbyllur të organeve të MPB-së. Kam mendimin që si Komiteti i Partisë së MPB-së, ashtu si dhe vetë kjo ministri, së bashku me organet e saj, nuk kanë punuar si duhet me fjalimin e shokut Ramiz. Po të kishin nxjerrë mësime nga ky fjalim, nuk do të ndodhnin ngjarje të tilla. Armiqve, si italianëve, ashtu dhe jugosllavëve, ne iu kemi dhënë një armë në dorë, dhe kjo është minus për në. Prandaj ne na akuzojnë ata se e mbajmë të rrethuar me tela me gjemba dhe të tjera.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nesër hapet mbledhja ballkanike.
SHOKU PALI MISKA: Për punën e dobët që bën njëri ose tjetri punonjës i organeve të punëve të brendshme, nuk duhet ta pësojë populli dhe shteti ynë. Këto janë çështjet kapitale e të rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë tonë. Prandaj duhet t’i vlerësojmë thellë. Komitetet e Partive të rretheve e sidomos, atyre të Durrësit, të Korçës, e të Shkodrës, pa përjashtuar rrethet kufitare, duhet të kishin bërë një punë intensive ideopolitike kundër shfaqjeve të huaja, dhe për parandalimin e veprimtarisë keqbërëse dhe krimeve, sepse për shumë fenomene negative e pësojnë rrethet kufitare. Komitetet e Partisë së rretheve, duhet të bënin një punë frontale në zbërthimin e konkluzioneve dhe orientimeve për ngjarjen që ndodhi një vit më parë, në Han të Hotit. Në rrethin e Korçës ka mjaft tendenca për arratisje dhe për krime që shfaqjen në forma të ndryshme, por ne kemi mundur që t’i evidentojmë dhe t’i godasim në kohën e duhur. Vitin e kaluar janë kapur dhe futur në burg për tendencën e arratisjes dy grupe. Partia në rreth ka intensifikuar luftën kundër ndikimeve e shfaqjeve të huaja, duke organizuar takime dhe aktivitete të ndryshme. Por këto fenomene negative nuk janë të pakta dhe në rrethin e Durrësit apo dhe në ndonjë rreth tjetër. Prandaj shoku Qirjako dhe dikasteri që ai drejton duhet, të nxjerrin mësime nga kjo që ndodhi. E ngrita në Plenumin e 6 të Komitetit Qendror të PPSH-së, që shembulli ynë ka rëndësi të jashtëzakonshme për forcimin e punës së partisë në rrethe. Ne duhet t’i kushtohemi me mish e me shpirt zgjidhjes së problemeve që shqetësojnë partinë dhe popullin. Nuk duhet tu lëmë shkas njerëzve që të flasin për këtë apo për atë veprim, por të jemi korrektë në qëndrimet tona. Prandaj kritikat që u bënë për dobësitë në Komitetin e Partisë së Durrësit, të nxjerri mësime shoku Qirjako. Edhe unë si shokët kam mendimin që në raportin e paraqitur, Komiteti i Partisë së Durrësit, i kalonte lehtë gjërat, jepte një informacion që “ndodhi kjo e ajo”, pra nuk i bëhej një analizë e thellë punës së Partisë në rreth. Po krahas intensifikimit të punës së Partisë, duhet të intensifikohet edhe puna zbuluese e organeve të punëve të brendshme. Kjo varet shumë nga detyra që u vunë Komitetet e Partisë të rretheve organeve të punëve të brendshme, nga kontrolli që bëjmë për zbatimin e tyre, nga kërkesa e llogarisë, pra i kritikojnë apo i përkëdhelim kur këta nuk bëjnë detyrën. Gjithashtu në këtë kuadër apo duhet përmirësohet puna dhe në drejtim të informacionit që japin organet e punëve të brendshme. Informacionet duhet të jenë reale dhe jo fiktivë. Në rrethin e Korçës, vërtetë evidentohen fenomene negative dhe veprimet e elementëve keqbërës, por ndonjë kanal i punës agjenturore të grekut apo të jugosllavit, deri tani nuk po zbulohet. Me siguri kanale që punon dhe greku dhe të tjerët ka. Këto janë probleme të mëdha për shtetin tonë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Do të ishim naivë të mendonim që nuk ka kanale, bile është absurditet.
SHOKU PALI MISKA: Për ngjarjet që kanë ndodhur në kufi janë marrë masa të shumta, masa disiplinore, masa shtetërore e masa partie, disa shokë janë nxjerrë në lirim, disa janë dënuar me burg. Me masa janë ndëshkuar shumë punonjës të këtyre organeve. Kjo ngarkon me përgjegjësi morale qoftë komitetet e Partisë të rretheve përkatëse, qoftë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për arratisjet që ndodhin në kufi përgjegjësi direkte ka komandanti i batalionit, ai digjet, por edhe Komiteti i Partisë i rrethit ka përgjegjësi morale për këto fenomene. Prandaj të mos insistohet vetëm në masat ndëshkimore, se masat nuk zgjidhin gjithçka. Për arratisjen e këtyre 9 vetave do të shkarkohen nga detyra disa kuadro. Në fund të fundit armiku këtë synon që të merren sa më shumë masa ndaj njerëzve tanë, që të komprometohen sa më shumë kuadro. Nuk them të mos merren masa ose ato të jenë të buta, por kryesorja është puna parandaluese që duhet bërë për t’u prerë rrugën lindjes së këtyre fenomeneve, që njerëzit tanë të mos bëjnë gabime të rënda. Unë jam dakord me masat që propozohen në materialin e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë. Ky do të jetë një mësim i madh edhe për Komitetet e Partisë të rretheve të tjera. Edhe shokët e Byrosë Politike që janë në rrethet, duhet t’i vlerësojnë mirë këto probleme dhe të marrin masa që të mos ndodhin më ngjarje të këtilla. Kryesorja është të forcojmë unitetin e popullit dhe të sigurojmë një jetë të qetë. Këto kisha unë, shoku Ramiz./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016