Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhen disa nga ditarët e Enver Hoxhës, ku ai që nga viti 1959 e deri në 1976-ën, rezulton të ketë ndjekur rregullisht dhe ka komentuar në shënimet e tij garën në mes amerikanëve dhe sovjetikëve për lëshimin e anijeve kozmike në orbitë dhe për të dominuar kozmosin, garë së cilës më pas i’u bashkuan edhe kinezët. Çfarë shkruan Enveri në ditarët e tij për garën hapsinore dhe si i ka komentuar ai ato arritje dhe suksese të mëdha të shkencës botërore?!
“DURRËS, E DIEL 20 KORRIK 1969. NJË SUKSES KOLOSAL I SHKENCËS.
Moment emocionues. Është ora 21.17 minuta. Kabina hënore (LEM) e anijes kozmike amerikane në “Apollo-11” me dy kozmonautë brenda zbriti në hënë për herë të parë. Uljen e saj po e shikojmë në televizor. Është një sukses kolosal për shkencën botërore. Fatkeqësi që janë imperialistët amerikanë ata që po e shfrytëzojnë këtë fitore të madhe të njerëzimit. Po presim të shohim daljen e parë të njeriut në hënë. Kjo do të bëhet nesër në mëngjes në orën 3.10 minuta me orën tone. Erdhi ora 3.10, presim me padurim, po televizioni nuk jep gjë, sepse, siç thotë spikeri, kanali i Hjustonit u pre. Duhet të presim, thonë, se presioni i kabinës nuk funksionoi mirë etj. Me të vërtetë ishte emocionuese për fatin e heronjve të hënës. Më në fund, në orën 04.3 minuta, amerikani Armstrong vuri këmbën e djathtë mbi sipërfaqen e hënës. Ishte diçka fantastike. Ai filloi të ecë me kujdes, “si kalama” në errësirë dhe në dritë. “Vendi, thoshte, është me gurë, me pluhur, poroz, ndryshe nga toka”. Pas tij zbriti shoku i tij, ngulën flamurin amerikan dhe filluan të mblidhnin materiale nga të hënës. Kthimin në kabinë nuk e pashë, se shkova fjeta, ishte ora 5.30 minuta”. Kështu shkruante në mes të tjerash Enver Hoxha në ditarin e tij të datës 21 korrik 1969, teksa ndiqte live në television, zbritjen në hënë të anijes kozmike amerikane “Apollo-11”, me dy kozmanautë në bordin e saj, ku Arsmtrong, ishte dhe njeriu i parë që vuri këmbën në sipërfaqen e hënës. Por që kur kishte filluar Enveri të ndiqte garën hapsinore dhe çfarë shkruante ai në ditarët e tij për ato arritje dhe suksese të mëdha të shkencës botërore?! Lidhur me këtë, e të tjera, na njohin disa pjesë të ditarëve të tij, të cilat Memorie.al i sjell për herë të parë me rastin e përvjetorit të zbritjes së njeriut të parë në hënë, më 20-21 korrik 1969.
Ditari i Enver Hoxhës për garën hapsinore të “superfuqive”
E DIEL
4 TETOR 1959
SUKSES I RI I SHKENCES SOVJETIKE
Në Bashkimin Sovjetik u lëshua raketa e tretë kozmike me një stacion ndërplanetar automatik, i cili do të kalojë pranë Hënës dhe do të fluturojë rreth saj. Në stacion janë vendosur aparatet shkencore, radioteknike e të tjera. Sukses i madh i shkencës sovjetike.
KORÇË, E PREMTE
19 GUSHT 1960
Sot u njoftua se Bashkimi Sovjetik lëshoi anijen e dytë kozmike në orbitën e sputnikut të Tokës me dy qen brenda. Kjo është një fitore kolosale për njerëzimin. Partia e lavdishme e Leninit dhe e Stalinit ka forca të mahnitshme! Po si do të vejë halli i “qenve” që janë në Moskë?
KORÇE, E SHTUNË
20 GUSHT 1960
Anija kozmike sputnik zbriti në Tokë. Kafshët u kthyen të gjalla dhe shëndoshë e mirë. U hap rruga e Kozmosit për njeriun.
E MERKURE
12 PRILL 1961
Sovjetikët hodhën njeriun e parë në hapësirë, majorin Juri Gagarin. Raketa kozmike me njeriun, në largimin minimal nga sipërfaqja e tokës (në perigje) 175 km. dhe në distancën maksimale (në apogje) 302 km. pasi bëri xhiron rreth tokës, u ul në tokë. Gagarini u kthye shëndoshë e mirë. Mrekulli e shekujve dhe këtë e bëri vendi i Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit.
E PREMTE
14 PRILL 1961
As dje dhe as sot “Pravda” nuk ka botuar telegramin zyrtar të urimit tonë për hedhjen e Gagarinit në hapësirë. Në shtypin sovjetik nuk ka as edhe një radhë për manifestimet e popullit tonë me këtë rast. Çdo gjë injorohet dhe kjo bëhet me qëllim që të na diskreditojnë përpara opinionit sovjetik.
DURRES, E SHTUNË
11 GUSHT 1962
Sot në orën 11 e 3° sovjetikët lëshuan në orbitën e tokës anijen kozmike sputnik “Vostok-3”. Atë e piloton kozmonauti Adrian Nikollajev. Sukses i mrekullueshëm shkencor.
DURRES – TIRANË,
E DIEL 12 GUSHT 1962
Kozmonauti Adrian Nikollajev vazhdon fluturimin me anijen kozmike sputnik, “Vostok 3”. Ai ka kapërcyer rekordin e Titovit. Sot në orën 11 02 sovjetikët lëshuan në orbitën e tokës anijen tjetër kozmike, “Vostok-4”, me kozmonautin Popoviç. Qëllimi i nxjerrjes në orbitë afër njëra-tjetrës e dy anijeve kozmike, është që të shihet mundësia e vendosjes së lidhjes të drejtpërdrejtë midis tyre, si dhe të koordinimit të veprimeve të dy pilotëve kozmonautë. Mrekulli! U lumtë shkencëtarëve dhe heronjve astronautë sovjetikë! Hrushov trockisti do të përfitojë përkohësisht edhe nga kjo, e di, por, më në fund, do ta thyejë kokën. Marksizëm-leninizmi do të fitojë!
E HENE
17 QERSHOR 1963
Anijet kozmike “Vostok-5” me Valeri Bikovskin dhe “Vostok-6” me Valentina Tereshkovën, po fluturojnë normalisht në kozmos.
DURRËS, E DIEL
20 KORRIK 1969
NJË SUKSES KOLOSAL I SHKENCËS
Moment emocionues. Është ora 21.17 minuta. Kabina hënore (LEM) e anijes kozmike amerikane në “Apollo-11” me dy kozmonautë brenda zbriti në hënë për herë të parë. Uljen e saj po e shikojmë në televizor. Është një sukses kolosal për shkencën botërore. Fatkeqësi që janë imperialistët amerikanë ata që po e shfrytëzojnë këtë fitore të madhe të njerëzimit. Po presim të shohim daljen e parë të njeriut në hënë. Kjo do të bëhet nesër në mëngjes në orën 3.10 minuta me orën tonë.
DURRËS, E HËNË
21 KORRIK 1969
NJERIU I PARË SHKELI NE HENE
Erdhi ora 3.10, presim me padurim, po televizioni nuk jep gjë, sepse, siç thotë spikeri, kanali i Hjustonitl u pre. Duhet të presim, thonë, se presioni i kabinës nuk funksionoi mirë etj. Me të vërtetë ishte emocionuese për fatin e heronjve të hënës. Më në fund, në orën 04.3 minuta, amerikani Armstrong vuri këmbën e djathtë mbi sipërfaqen e hënës. Ishte diçka fantastike. Ai filloi të ecë me kujdes, “si kalama” në errësirë dhe në dritë. “Vendi, thoshte, është me gurë, me pluhur, poroz, ndryshe nga toka”. Pas tij zbriti shoku i tij, ngulën flamurin amerikan dhe filluan të mblidhnin materiale nga të hënës. Kthimin në kabinë nuk e pashë, se shkova fjeta, ishte ora 5.30 minuta.
E PREMTE
14 NENTOR 1969
AMERIKANËT NISIN PER NE HENE NJE ANIJE KOZMIKE ME TRE NJEREZ BRENDA
Sot në orën 17.22′ amerikanët lëshuan në drejtim të Hënës anijen kozmike Apollo-12 me tre kozmonautëbrenda. Ata do të arrijnë në Hënë të martën, më 18 nëntor dhe do të qëndrojnë atje 32 orë.
E MERKURE
19 NENTOR 1969
KOZMONAUTËT AMERIKANE ZBRITEN NE HENE
Sot në mëngjes, në orën 8 pa tre minuta, dy kozmonautë amerikanë zbritën në Hënë me kabinën hënore të anijes kozmike Apollo-12. Vetë anija kozmike, me kozmonautin e tretë qëndroi në orbitë rreth Hënës.
E MARTE
14 PRILL 1970
DEFEKT NE ANIJEN KOZMIKE “APOLLO-13”
Anija kozmike amerikane “Apollo-13” me tre kozmonautë brenda, që u nis për në Hënë, pësoi një defekt. Pjesa e shërbimeve kryesore mbeti pa energji elektrike, pa oksigjen, pa ujë. Arsyeja nuk dihet. Thuhet se mund të jetë goditur nga ndonjë meteorit, thuhet të ketë ndodhur qark i shkurtër. Pjesa kryesore e trenit spacial u bë e papërdorshme. Siç po thonë radiot, në Hënë nuk do të shkohet dhe u dha urdhër që anija të kthehet në Tokë.
E MËRKURE
15 PRILL 1970
“APOLLO-13” PO KTHEHET NE TOKE
Anija kozmike “Apollo-13” po vazhdon rrugën e kthimit drejt Tokës. Ka shumë rreziqe për astronautët. Puna qëndron në atë që t’u mjaftojnë energjia elektrike, oksigjeni, uji për pije dhe për motorët, si dhe ushqimet. Alarm i madh në opinionin botëror për jetën e tre astronautëve. Në rast se çdo gjë shkon në rregull, të premten ata duhet të zbresin në oqeanin Paqësor.
E SHTUNE
25 PRILL 1970
KINA HODHI SATELITIN E PARE TE TOKES
Fitore e madhe e Kinës, hodhi satelitin e parë të Tokës me një peshë mbi 170 kg.
E MARTE
28 PRILL 1970
SATELITI I PARE KINEZ DIIE JEHONA NE BOTE
Jehona e lëshimit të satelitit kinez është shumë e madhe. Borgjezia kapitaliste dhe shtypi i saj flet «me admirim» sikur zbuloi Amerikën, sikur çuditet dhe nuk çuditet, por mbi të gjitha në këto komente tregohet frika e madhe e saj. Janë çoroditur kapitalistët dhe presin të papritura akoma më të frikshme për ta. U ka hyrë frika në palcë nga fuqizimi i Kinës.
E PREMTE
5 SHKURT 1971
DY KOZMONAUTE AMERIKANE ZBRITEN PERSERI NE HENE
Sot në orën 10.20, me orën tonë, kabina hënore e anijes kozmike amerikane “Apollo-14”, me dy njerëz brenda, zbriti në Hënë. Kozmonauti i tretë qëndroi në «Apollo» dhe po vjen rrotull Hënës, duke pritur dy të tjerët, derisa të mbarojnë misionin e tyre në Hënë dhe të ngjiten përsëri në anijen kozmike, për t’u kthyer në Tokë. Edhe ky është një sukses i madh shkencor, megjithëse prej tij përfiton imperializmi amerikan, i cili dje dërgoi më se 40 mijë veta në Kamboxhia e në Laos, në mes tyre 10 mijë ushtarë amerikanë.
DURRES – POGRADEC
E MARTE, 27 KORRIK 1976
NGJARJE HISTORIKE PER SHKENCËN BOTERORE
Më 20 të këtij muaji amerikanët hodhën për herë të parë një sondë në Mars, e cila bëri një ulje të butë. Kjo është një ngjarje me të vërtetë historike për shkencën botërore. Pamë edhe fotografitë e para, shumë të qarta, të transmetuara nga televizioni italian. Sipas të dhënave të shkencëtarëve amerikanë, temperatura në këtë planet është shumë e ulët, ka pak oksigjen, ka azot dhe nuk duket të ketë ujë. Sonda, natyrisht, porsa ka filluar nga veprimet dhe nga transmetimi i të dhënave. Në fotot e qarta dukej toka e butë, pa pluhur si ajo e hënës, dukeshin gurë të vegjël e të mëdhenj të thyer, dukej “rigola” që kishin bërë këmbët e sondës kur u ul, dukeshin qielli dhe horizonti pa re. Shkencëtarët thonë se planeti i Marsit është i ftohtë, per ka ndryshime në temperaturë natën dhe në drekë, me orën e Marsit. Çështja më me rëndësi është gjetja dhe vërtetimi nëse ka jetë apo jo në Mars. Flitet për jetë mikrobiane, po, në ka, si paraqitet kjo? Shkencëtarët thonë se mund të ketë jetë edhe në kushtet e Marsit, pse e krahasojnë këtë me disa mikrobe të tokës që rrojnë në disa kushte artificiale, ku nuk duket e mundur të ekzistojë jeta. Ata thonë se nuk dihet gjë e saktë dhe do të prononcohen kur të marrin të dhëna. Tash kanë vënë në lëvizje një dorë kazme e lopate, kalon pastaj në një laborator të vogël prej 40 cm. (që ka kushtuar, sipas të dhënave, 50 milionë dollarë). Ky laborator formohet me kompartimente të ndryshme brenda. Nga çdo lopatë do të hidhet në të nga një lugë çaji tokë dhe do të analizohet, për të parë me këtë a ka jetë atje, në ç’forma paraqitet dhe do ta komunikojnë. Me siguri do të komunikojnë edhe shumë të dhëna të tjera. Sa keq që këto shpikje dhe këto të dhëna me vlera historike në kozmologji, janë në duart e imperialistëve amerikanë dhe do të shfrytëzohen prej tyre jo në interesin e popujve e të shkencës, jo në shërbim të njerëzimit! /Memorie.al