Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa nga historitë e ngjarjet e panjohura të Ramiz Alisë gjatë periudhës së pushtimit të vendit kur ai ishte në radhët e forcave partizane, të cilat më pas në fundin e viteve ’80, i botoi në librin “Enveri ynë”, duke i shtrembëruar, manipuluar dhe fallsifikuar pjesën më të madhe të tyre. Dëshmia e Myftar Tares, ish kolonel dhe zv / Ministër i Brendshëm në kohën Koçi Xoxes, i cili në mes të tjerash shprehet se: “Ramiz Alia gënjen në kujtimet e tija të shkruara në librin “Enveri Ynë”, duke shtrembëruar të vërtetën historike mbi ato ngjarje, pasi Ramizi asokohe ka qenë një partizan fare i panjohur. Ai kishte vetëm një klasë gjimnaz, pasi të dytin e la përgjysmë sapo e filloi dhe Enveri kurrsesi nuk mund t’i shkruante letra atij…?!
Prej kohësh në faqet e Memorie.al janë botuar me dhjetra shkrime ku janë trajtuar historitë e ngjarjet që kanë pasur të bëjnë me jetën e ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, i cili për afro gjysëm shekulli ishte në krye të shtetit shqiptar duke e qeverisur atë me dorë të hekurt dhe po ashtu edhe të pasardhësit të tij, Ramiz Alisë, njeriut që e zëvendësoi atë pas vdekjes duke qëndruar për afro shtatë vite në krye të shtetit shqiptar. Në këto shkrime, historianë, gazetarë, publicist, shkrimtarë etj., si dhe ish-zyrtarë të lartë e bashkëpunëtor të afërt të Enver Hoxhës, si anëtarë të Byrosë Politike, ministra, deputetë, ushtarakë, etj., kanë dhënë dëshmi të ndryshme, në të cilat kanë trajtuar sipas këndvështrimit të tyre, ngjarje dhe fakte historike, ku ata kanë pasur rastin të jenë vetë dëshmitarë apo aktorë të tyre. Me anë të këtyre dëshmive, të bazuara në fakte dhe dokumenta të ndryshme arkivore, si dhe në memuaret e tyre, ata kanë tentuar dhe ndriçuar një pjesë të së vërtetës historike, duke nxjerrë në pah fallsifikimin dhe manipulimin që i është bërë historisë së Partisë Komuniste të Shgipërisë (më pas PPSH-ja), si dhe ngjarjeve të ndryshme, të cilat kanë pasur të bëjnë kryesisht me jetën dhe veprimtarinë e Enver Hoxhës, duke filluar që nga historia zyrtare e shtetit komunist, ashtu dhe në ato që Enveri i ka shkruar vetë në serinë e veprave të tij dhe kujtimet e ndryshme të botuara herë pas here në libra më vete. Përveç këtyre shkrimeve, Memorie.al ka publikuar edhe një numër fotosh nga arkivi personal i Enver Hoxhës, ku janë hequr dhe retushuar pjesa më e madhe e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, që nga koha e Luftës e deri në vitet e fundit të jetës së tij, të cilët ishin dënuar, duke u shpallur “armiq të popullit” apo duke qenë pjesë e “grupe armiqësore”. Por, historia e fallsifikimeve dhe manipulimeve të ndryshme që i’u bë asokohe në historisë së Partisë Komuniste të Shqipërisë (më pas PPSH-ja) dhe në përgjithësi të gjithë historisë, nuk mbaroi me Enver Hoxhën, sepse të njëjtën metodë që përdori ai gjatë gjithë kohës së sundimit të tij, e vazhdoi më tej me po të njëjtën praktikë, duke përfshirë dhe retushimin e fotove dhe imazheve të ndryshme dhe pasardhësi i tij Ramiz Alia. Këtë gjë Ramizi e filloi që nga libri i tij i parë që shkroi pak vite mbas vdekjes së Enverit, të cilin e ka titulluar “Enveri Ynë”. Shtrembërimet dhe fallsifikimet e shumta që i janë bërë historisë së Partisë Komuniste Shqiptare, si nga Enver Hoxha ashtu dhe nga Ramiz Alia, veç të tjerash, kanë kanë pasur si qëllim edhe përligjien e vendit që ata zunë në krye të partisë dhe shtetit komunist, duke dashur që t’u tregojnë si bashkëkohësve të tyre, ashtu e brezave që do vinin, “gjenialitetin” e tyre në luftë dhe në punë me “armiqtë e tradhëtarët”, që i rrethuan deri në fund të udhëheqjes së tyre. Po ku konsiston fallsifikimi dhe manipulimi që Ramiz Alia i ka bërë historisë së tij, e cila lidhet me periudhën e viteve të Luftës? Lidhur me këtë, Memorie.al ka siguruar dëshmitë e z. Myftar Tare, ish partizan dhe shef i seksionit politik i Qarkut të Korçës gjatë viteve 1943-‘44 dhe mbas Luftës, zv / ministër i Brendshëm (i Koci Xoxes) me gradën e kolonelit, që mbulonte Drejtorinë e Zbulimit me Jashtë. Veç të tjerash, Një nga ngjarjet për të cilat Myftar Tare dëshmon dhe hedh dritë duke ndriçuar të vërtetën mbi shtrembërimet dhe manipulimet që Ramiz Alia ka bërë në librin e tij “Enveri Ynë”, është ajo që ka të bëjë me “Kursin e Partisë” të mbajtur në Panarit të Korçës, ku ai ka mohur shumë nga pjesmarësit që ishin aty, (të cilët i ka hequr e retushuar edhe nga fotoja e botuar në atë libër) për të ngritur lart figurën e Enverit dhe veten e tij.
Kursi i Partisë në Panarit
Në kujtimet e tija lidhur me Kursin e Panaritit, Ramiz Alia në librin “Enveri ynë”, midis të tjerash ka shkruar: “Fill pas Operacionit armik të Dimrit, unë kam takuar personalisht dhe kam biseduar për herë të parë me shokun Enver. Kjo ka ndodhur në fshatin Panarit të Korçës, në muajin mars të vitit 1943, gjatë zhvillimit të kursit të parë teorik të kuadrove të partisë. Kësaj here e takova nga afër, i dhashë dorën, e pashë si udhëheqës e komandant partizan, por e njoha dhe e dëgjova edhe si mësues. Dhe i tillë, mësuesi më i dashur e më i ditur mbeti për mua deri në fund. Përpara se të vija në Panarit, unë gjendesha në Skrapar. Në atë kohë isha sekretar i Rinisë Komuniste të qarkut të Beratit. Kursi i Panaritit, u hap më 4 mars dhe u mbyll më 20 mars. Gjithsej ishim 35 veta, kryesisht nga shokë e shoqe nga qarqet e Gjirokastrës, Vlorës, Beratit e Korçës. Aty njoha për herë të parë e së afërmi, shokët: Adil Çarçani, Manush Myftiu, Haki Toska, Josif Pashko, Bilbil Klosi, Sadik Bocaj, Zihni Sako etj. Për të gjithë ne, pjesëmarrësit e kursit, temat që u zhvilluan ishin me interes të madh. Por si për rëndësinë e përmbajtjes ashtu dhe për bukurinë e shprehjes, shquhej mbi të tjerët referati që mbajti shoku Enver në ditën e fundit të kursit. Ishte ky referat një program që tregonte rrugën që do të ndiqnim. Ai hapte para nesh perspektiva të reja, shumë të qarta, për fitoren e luftës dhe marrjen e pushtetit. Referati i shoku Enver na kthjelloi shikimin për të ardhmen, na tregoi se si do të ishte Shqipëria e re. Në atë referat që në volumin e dytë të Veprave të Enverit është botuar sipas shënimeve që kam mbajtur unë në Panarit, konkretizoheshin të gjitha mësimet që kishim marrë në kurs për strategjinë e taktikën e revolucionare, për diktaturën e proletariatit, për luftën e klasave, për Partinë, për çështjen fshatare etj. Shumë ide të cilat gjatë kohës që studionim na dukeshin si tepër teorike dhe të pakapshme, kur dëgjuam shokun Enver të na fliste rrugën që do të ndiqnim e për detyrat që na prisnin, morën formën e përshtatshme për truallin shqiptar, për luftën tonë. Referati i Enverit na dha forca të reja për luftën tonë dhe na mbushi me optimizëm për të ardhmen. Gjatë paraqitjes së referatit të cilën nuk e kishte shkruar, fliste ngadalë, por me ton e të sigurt”, kujton Ramiz Alia ndër të tjera, në lidhje me referatin që mbajti në atë kurs Enver Hoxha.
Tare: Ja si gënjen Ramizi
Por si qëndron e vërteta rreth Kursit të Panaritit? Lidhur me këtë Myftar Tare tregonte: “Ramiz Alia gënjen dhe e ka shtrembëruar të vërtetën historike pothuaj në të gjitha kujtime e tija të shkruara te libri “Enveri Ynë”, por unë do të ndalem vetëm tek ngjarja e Kursit të Panaritit, ku kam qene vetë pjesëmarrës. Është e vërtetë se në atë kurs kemi qenë 35 veta, por aty përveç atyre emrave që përmend Ramizi, si Adil Çarçani, Manysh Myftiu, Bilbil Klosi, Haki Toska, Josif Pashko, Sadik Bocaj e Zihni Sako, ka pasur dhe të tjerë që ishin më të njohurit nga funksionet që mbanin dhe popullariteti që ata gëzonin tek partizanët dhe populli i thjeshtë. Edhe Ramizi natyrisht që i ka njohur mirë ata persona, të cilët ndonëse u dënuan më pas nga Enveri si “armiq”, ai duhet t’i përmendëte duke mos i mohuar, si p.sh. Koci Xoxen, Nesti Kerenxhin, Peço Kagjinin, Iljaz Ahmetin, Fiqrete Shehun etj. Gjatë atij kursi personat që mbajtën referate ishin: Nesti Kerenxhi që ishte dhe përgjegjësi i kursit, Koci Xoxe, Ramadan Çitaku dhe Bedri Spahiu. Enveri ndonëse ishte aty në Panarit, ai rrinte gjithë ditën tek shtëpia e Zenel Panaritit dhe nuk u duk asnjë ditë në leksionet e kursit, që i ndiqte të gjitha rregullisht Dushan Mugosha. Enveri erdhi vetëm ditën e mbylljes dhe ai nuk mbajti referat, por vetëm një fjalë mbyllëse (e kishte të parapërgatitur në copra letrash) që zgjati rreth një orë e gjysmë, ku u ndal më tepër në gjëra të përgjithshme, si: Operacioni i Dimrit, Ballin Kombëtar dhe kryesisht me takimin e tij të fundit që kishte pasur me Abaz Kupin në Shëngjergj të Tiranës, me të cilin ishte ndarë përfundimisht dhe jo për ato që thotë Ramizi. Ramiz Alinë aty në atë kurs, nuk e njihte njeri fare dhe gjatë leksioneve, ai nuk u ngrit asnjëherë për të diskutuar, siç bënin të gjithë të tjerët. Më i përgatituri nga ana teorike aty ishte Nesti Kerenxhi dhe Behar Shtylla. Po ashtu në kujtimet mbi atë ngjarje, ai nuk e përmend fare dhe kolonelin e fashizmit, Kasëm Radovicka, i cili mbasi mori pjesë në goditjen ndaj forcave partizane të Skraparit, ai kaloi me forcat tona dhe erdhi në Panarit, ku bëri një deklaratë publike duke thënë që njihte luftën tone, e cila u lexua në prani të gjithë kursantëve”, kujtonte Myftar Tare, lidhur me ngjarjet e Panaritit të cilat janë shtrembëruar nga Ramiz Alia.
Enveri nuk i ka shkruar Ramizit
Në mes të tjerash në librin “Enveri ynë”, Ramiz Alia shkruan që ta ketë informuar Enver Hoxhën, mbi vendimin e komandantit të Brigadës së Shtatë Gjin Markun, i cili kishte dhënë urdhër që t’u digjeshin shtëpitë partizanëve që kishin dezertuar nga formacionet luftarake dhe sipas Ramizit, Enveri i ka kthyer këtij përgjigje, duke i thënë se ajo gjë ishte një veprim i gabuar dhe kurrsesi nuk duhej të zbatohej. Lidhur me këtë, Tare tregonte: “Unë nuk kam dijeni rreth këtij urdhëri të Gjin Markut, ndonëse Gjini nuk pyeste fare për Partinë Komuniste dhe nuk vinte fare në mbledhjet e Komitetit Qendror. Po kështu nuk mund të them nëse i ka shkruar apo jo Ramizi, Enverit për atë gjë. Por di të them se: në atë kohë në lidhje me këto probleme, ka pasur një disiplinë strikte me rregulla të qarta, me të cilat nuk mund të luaje kollaj. Kurrsesi Enver Hoxha nuk mund t’i ketë shkruar Ramiz Alisë për veprimet e Gjin Markut, sepse kishte të tjerë persona me të cilën ai e mbante korrespodencën për punët e Luftës. T’i shkruante Enveri Ramizit, do të thoshte që ai t’i thyente të gjitha rregullat e hierarkisë së Luftës, gjë që ai nuk e bënte kurrë dhe as që mund të supozohet se e ka bërë. Për më tepër Ramiz Alia në atë kohë që ishte në Brigadën e Shtatë, ndonëse u caktua si përgjegjës i organizatës së Rinisë dhe pionerëve, ai ishte fare i panjohur dhe pa asnjë lloj peshe, saqë dhe pushkë nuk kishte fare. Ishin të tjerë persona ata me të cilët Enveri mbante lidhjet me anë të letrave dhe jo Ramizi, që asokohe ishte dhe i pashkolluar. Ndonëse Ramizi në atë libër thotë se ka mbaruar gjimnazin në Tiranë, ajo gjë nuk është e vërtetë, sepse ai e la atë përgjysëm sapo filloi vitin e dytë, dhe në vitin 1946, me disa të tjerë bënë vetëm dy muaj kurs dhe i’u njoh shkolla e mesme”, përfundon dëshminë e tij koloneli në pension dhe ish zv / ministri i Brendshëm Myftar Tare, lidhur me shtrembërimet që ka bërë Ramiz Alia në librin e tij “Enveri Ynë” ku duke vazhduar rrugën dhe praktikat e Enverit, ai jo vetëm që nuk i përmend krerët kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare që drejtuan dhe udhëhoqën Luftën Antifashiste, por i ka hequr dhe retushuar dhe nga fotot që ka botuar në librat e tij, ku ngre lart figurën e Enver Hoxhës./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016