Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon reportazhin e revistës “DRINI” të vitit 1939 botuar nga Enti Kombëtar i Turizmit që gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut që ishte nën patronazhin e Princeshës, Maxhide, si dhe gazetën “ARBNIJA”, në të cilat promovohej turizmi dhe i’u bëhej thirrje shtetasve të huaj dhe vendas që të frekuentonin qytetet turistike të vendit tonë, duke filluar nga Shkodra, Kruja, Durrësi, Berati, Korça, Gjirokastra etj. Në reportazhin e revistës “DRINI”, pasi i bëhej një përshkrim i hollësishëm qytetit të Durrësit, duke filluar që nga lashtësia, midis të tjerash aty thuhej: “Qeveria Mbretnore paska urdhërue Kryetarin e Bashkisë së Durrësit që, së bashku me një inxhinier kompetent, të shkojë së shpejti jashtë Shtetit, për me studiue Plazhet që i përshtaten vendit t‘onë dhe veçanërisht Durrësit dhe Plazhit të tij të shkëlqyer. Sepse, me ketë masë kaq t‘arsyeshme ka për t‘u krye çdo përmirësim eventual i domosdoshëm me një kriter të pagueshëm, të dëshiruem e dobi prues. Këtë studim paraprak dhe shumë punime akoma në projekt e gati për zbatim, Bashkia e Durrësit po i kryen në sajë të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, e cila po jep ndihmat ma të mëdhaja për me realizue programin e gjanë lulëzimi e zbukurimi përparimtar në katra anët e Durrësit, shpesh herë e qyejtun meritueshmërisht “Porta kryesore dhe e bukur e Shqipërisë”
Gazeta “ARBNIA”: Vërejtjet e turistëve të huaj tek ne
Gazeta “Arbnia”, Vërejtjet e turistëve të huaj Organizmi i turizmit ndër ne, ndërmarrë pak vjet ma parë dhe inkurajuar me mjete dhe propagandë të vazhdueshme, s‘ka munguar të ketë efektin e duhur. Vendi ynë, i përmendur për pamjet e tij të një bukurie të rrallë n‘Europë, vizitohet çdo verë prej një shumice të huajsh, dhe mikpritja e pabisedueshëm që gjejnë në Shqipëri është një faktor me rëndësi në zhvillimin e turizmit ndër ne. Personalitete të huaja që vizitojnë viset e Mbretërisë nuk mungojnë të shfaqin mirënjohjen për pritjen më të mirë që u bëhet kudo në popull, ashtu siç shfaqin edhe mendimin rreth të pritmes turistike të Shqipërisë, duke na dhënë një tok këshillash të vlefshme që duhet t‘i shënojmë qoftë dhe kur këto kanë të bëjnë me përmirësimin e shumë të metave që pengojnë zhvillimin e turizmit. Të metat ose mungesat t‘onë i njohim që të gjithë, dhe shtypi është marrë dendur me to duke i’a bërë të njohur kompetentëve, dhe as s‘është nevoja t‘i përsërisim sot. Marrim rastin të shënojmë një vërejtje shumë të arsyeshme që na u bë prej një të huaji, mik i Shqipërisë. Ky i huaj që ka shëtitur vendin tonë më tepër se çdo turist tjetër, na tha se organizimit të turizmit të brendshëm nuk i është dhënë rëndësia e duhur, për të mos thënë që nuk ekziston fare. Shqiptarin që nuk e ndan nga bashkë atdhetarët e tij të krahinave veç një largësi fare e vogël, plaket dhe vdes pa i njohur viset interesante t‘atdheut, vendet më historike dhe plot kujtime lavdie nga gjyshat. Kruja, vendlindja e Heroit Kombëtar, Burreli, ku pa dritën Sovrani, Shkodra e Teutës, Durrësi, Butrintoja, Pojani, Vlora e shumë vende të tjera, do t‘i shihnin në një shtet tjetër vende pelegrinazhi, vise tërheqëse dhe klimaterikë, që do të sulmoheshin përditë nga populli, duke u bërë qendra lëvizjesh 3-4 muaj të vitit. Përmendëm vetëm këto vende si më karakteristike, se lavdi Zotit. Atdheu ynë është plot vende interesante e tërheqëse, dhe natyra ka endur me thesaret e saj në çdo cip të saj. Këto bukuri çmohen dhe shijohen nga të huajt, kurse ndër ne, ata të pakët që kanë mjete t‘i shohin, dalin jashtë. Do t‘ishte mëkat që me afrimin e stinës verore, mos të merren nisjativa t‘organizohen përvjetorë,-kur ka-dhe shëtitje më të dendura në vende interesante të atdheut. KTAM-i (Komiteti i Turizmit dhe Automobilizmit të Mbretërisë), që vazhdon prej dy vjetësh të organizojë shëtitje në plazhin e Durrësit e disa herë të pakta ndër viset e tjera, do të bënte mirë t‘i dendësojë këto sivjet duke organizuar në shumë vise të Mbretërisë. Shifrat optimale për turizmin në vitin 1938 Zhvillimi i Turizmit dhe hovi që ka marrë vitin e fundit, shfaqen ndoshta për herën e parë në shifra dhe data ekzakte. Në këtë mënyrë jemi në gjendje të dimë sot me saktësi gradën e zhvillimit të lëvizjes turistike në vendin t‘onë, dhe njëkohësisht kurorëzimin e përpjekjeve për t‘i dhënë turizmit atë zhvillim që lypte koha dhe nevojat e Shqipërisë së re Zogiste. Numri i të huajve që vizituan Shqipërinë në vitin 1938 ka qenë 7.725, duke patur një shtesë prej 1781 nga viti 1937. Turistat e huaj kanë qëndruar në vendin t‘onë 61.696 netë. Shpenzimet e këtyre të huajve për ngrënie, fjetje, transport etj, kapin një shumë prej fr. ari 578.543 do me thënë afro një gjysëm milioni të hyra nga lëvizja turistike e vitit të kaluar. Ka një tepricë ose shtesë nga viti 1937 prej fr. ari 239.298.
Arsyet kryesore e shtimit të lëvizjes turistike
Arsye kryesore e shtimit të lëvizjeve turistike në vendin t‘onë i detyrohet propagandës së dendur që Enti Kombëtar i Turizmit dhe KTAM-i kanë bërë për t‘u njohur Shqipëria sa më shumë në botën e jashtme. Ka pastaj faktorë të tjerë që kanë ndihmuar në shtimin e lëvizjes turistike. Ndër këto mund të përmendim Luftën e Spanjës, që drejtoi shumë prej kuarzierve në bregdetin shqiptar; ngjarjet e Evropës Qendrore dhe dalja e elementin hebraik dhe lejet e dhëna prej qeverisë jugosllave agjencive të veta për të organizuar shëtitje turistike të të huajve edhe në Shqipëri. Por arsyeja e parë mbetet gjithnjë propaganda intensive e Shqipërisë jashtë dhe përpjekjet gjithnjë më të daluna për t‘a organizuar turizmin në shkallën e merituar. Bota e huaj ka filluar të tregoj një interes të madh për Shqipërinë, e cila njihet sot kudo si vendi më i bukur në Ballkan për shëtitje dhe vizita në viset e bukura dhe piktoreske të sajat. Gjithashtu të huajt janë të bindur për organizmin e Mbretërisë Shqiptare, për rendin dhe qetësinë shembullore si dhe pritjen krejt shqiptare që gjejnë në vendin t‘onë. Këto janë arsyet e shtimit të lëvizjes turistike në vendin t‘onë dhe duhet të gëzohemi kur shohim se veç fitimit moral që sjell njohja e vendit t‘onë prej të huajve, kemi dhe fitimin material mjaft të rëndësishëm. Afro një gjysëm milioni fr. ari hyjnë në Shqipëri në një kohë kur turizmi sapo ka filluar të organizohem mbi baza të shëndosha. Kjo na jep të shpresojmë se tue u organizuar dhe përsosur, turizmi do të bëhet brenda një kohe të shkurtër një faktor me rëndësi të ardhurash për vendin t‘onë dhe për pasojë edhe një ndihmë e vlefshme në përmirësimin e jetës ekonomike të Shqipërisë. Le të shpresojmë se disa mungesa, si ngritja e hoteleve dhe qendrave të tjera për turistët, do të plotësohen sa më shpejt, për t‘i dhënë turizmit një zhvillim më të gjallë dhe më të dobishëm.
Kryetari Bashkisë niset jashtë për projektet e plazhit
Me fillimin e pranverës, lajmuese e stinës së nxehtë të pushimeve, të banjave dhe të zbavitjeve të tjera që nevojat e kohëve moderne kanë bamun të domosdoshme për shëndetin e brezave të reja që po rriten dhe për çlodhjen e tyne që, me energjinë mendore dhe fizike, udhëheqin makinën tonë shtetërore, si dhe aktivitetet e tjera kësodore, sytë e kryeqytetit, të qyteteve kryesore të Shqipërisë së Mesme, dhe veçanërisht të Skelës s‘onë të Parë, drejtohen te Plazhi i Durrësit. Jo vetëm neve por dhe të huajt që na vizitojnë dhe që ndjekin përparimet t‘ona, kanë plot fjalë admirimi për këtë Plazh dhe për zhvillimin e tij të shpejtë. Në fakt, ky asht një nga më të përshtatshmit dhe, sikur t‘i u shtohen mjetet artificiale, të mirave natyrore që e pajisin, s‘ka as ma të voglin dyshim se do të bahet nji nga ma të bukurit dhe ma tërheqësit. Plazhi i Durrësit, qysh tani mund të përmblidhet midis realizimeve t‘arrijtuna ndën regjimin Zogist për të cilat lipset ta ndjejmë veten krenarë. Prandaj, çdo përmirësim që bahet, çdo masë që merret, duhet të jetë serioze, e matun dhe e studiuar në bazë të një modeli e të një plani të denjë që të jetë i përhershëm. Me kënaqësinë më të madhe mësojmë se Qeveria Mbretërore paska urdhnue Kryetarin e Bashkisë së Durrësit që, së bashku me një inxhinier kompetent, të shkojë së shpejti jashtë Shtetit, për me studiue Plazhet që i përshtaten vendit t‘onë dhe veçanërisht Durrësit dhe Plazhit të tij të shkëlqyer. Sepse, me ketë masë kaq t‘arsyeshme ka për t‘u krye çdo përmirësim eventual i domosdoshëm me një kriter të pagueshëm, të dëshiruem e dobiprurës. Këtë studim paraprak dhe shumë punime akoma në projekt e gati për zbatim, Bashkia e Durrësit po i kryen në sajë të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, e cila po jep ndihmat ma të mdhaja për me realizue programin e gjanë lulëzimi e zbukurimi përparimtar në katra anët e Durrësit, shpesh herë e quejtun meritueshmërisht “Porta kryesore dhe e bukur e Shqipërisë”. Ndërkaq një numër i madh punëtorësh asht t’ue u përdorun për me përgatitë trullin rreth Villës Mbretërore për mbjelljen e pemëve të përshtatshme që janë porositë në Itali. Gjithashtu edhe ndër kopshtet e plazheve në krijim e sipër, ka fillue një pjesë e madhe pyllëzimi që premton se ka me e transformue kryekëput këtë anëdeti në një parajsë tokësore, si kontrast i lumnueshëm i gjendjes së dikurshme të moçaleve vdekje-sjellës. Bonifikimi i kënetave afër plazhit Për fatin e mirë t‘onë çështja e moçaleve asht vue në krye të punimeve, të bonifikimeve e të zbukurimeve. Përfaqësuesi t‘onë, që shkoi posaçërisht për me e intervistue para se të nisej me misionin e sipërtreguar, Kryetari i Bashkisë së Durrësit i foli mbi këtë problem me tanë theksimin e merituam. Z. Ministër i Punëve të Mbrendshme, ka dhanë urdhra kategorikë me i mbuluem moçalet dhe me i bonifikue sa ma parë, tue përdorun të gjitha mjetet në dispozicion, për me u vendosë jeta dhe shëndeti atje ku deri sot kishte lëshue rrënjë malaria shkretuese që komprometonte edhe famën t‘onë si popull punëtor.
Qeveria Mbretnore, me sa shifet, ka dhanë përkrahjen e vet deri n‘ekstrem; para këtij realiteti shpresëdhënës mbetet vetëm vullneti e kujdesi për tue vue në zbatim ky plan madhështor që ka një rëndësi turistike të dorës së parë. Ne jemi ma të sigurt se këto cilësi i ka kryetari i Bashkisë së Durrësit; provën ma të gjallë e ka dhanë shkuemja e tij në Shkodër dhe në Korçë.
Gazetarët e huaj për Shqipërinë turistike
Shumë kritikë të huaj që ja kanë dashur dhe ja duan të mirën vendit t‘onë, duke shkruar mbi t‘ardhmen që na pret, kanë vënë në dukje mundësitë e shumta të Shqipërisë për t‘u bërë tërhejqje për turistat. Teoria e sajuar prej tyre bazohet në faktin se ky vend duke qenë shumë i vjetër dhe njëkohësisht shumë i ri, ruan gjurmët e qytetërimeve të ndryshme dhe pamje të rralla të një populli që prej së shkuarës dhe prej oksidentalve po nxjerr inspirimet për të shkuar përpara me hov a me vullnet; pastaj-gjithnjë si mbas tyre-Shqipëria ka fatin e mirë të përfitojë prej pozitës gjeografike të privilegjuar; ndodhet midis Romës dhe Athinës, që janë qendrat më të mëdha turistike dhe më interesante të botës. “Do të dinë shqiptarët të përfitojnë prej pozitës së tyre dhe të shfrytëzojnë trashëgimet e të parëve dhe mundësit që u ka falur natyra edhe po u fal dita ditës më tepër qytetërimi për një turizëm të vërtetë?” Kjo është një pyetje që një gazetare e huaj e ka pas vënë në një nga artikujt që shkroi mbi këtë problemin t‘onin, që po bëhet problem edhe për ata që drejt për së drejti apo tërthorazi do të përfitojnë prej zhvillimit t‘onë turistik. Në mundësitë tona natyrale, përveç pozitës, përmblidhen bukuritë panoramike, klima e bukur, malet, pyjet, liqenet, shpezët e gjahut dhe shumë e shumë të tjera të mira që ndodhen fare afër dhe mund të shihen të tëra me shpenzime relativisht të pakta. Pjesa tjetër e kapitalit t‘onë turistik përbëhet nga trashëgimet t‘ona: gjurma madhështore të qytetërimeve të vjetra nxjerrë në dritë në Butrinto, Pojan e në vise të tjera; kostumet piktoreske, këngët e vallet që përbëjnë folklorin t‘onë të pasur; zakonet e mikëpritjet që është larg çdo komentimi dhe përbën mburrjen t‘onë; zakonet dhe shpirtin t‘onë që na e shquajnë të huajt si popull, trim e krenar dhe që
përbën një fushë që u intereson jo vetëm dijetarëve, por dhe turistëve të thjeshtë; kujtimet historike si dhe vetë jeta e jonë që e bëjnë turistin të ndiejë sensacionin e rrallë e të kërkuar që prej një bote të përparuar e të mekanizuar vjen befas të çlodhet shpirtërisht e mendërisht në një botë krejt të ndryshme, të pasur me ato cilësi që në shumë vende mungojnë.
Enti i Turizmit, nën patronazhin e Princeshës, Maxhide
Po qytetërimi ç‘na ka shtuar në këtë kapital që lipset shfrytëzuar? Mjetet e shpejta të komunikatave aerore e detare, hovi dhënë turizmit me anë të kryqëzatave e zbritjeve të favorshme ndër udhëtime, shembllat e gjalla të propagandës, marrëveshjet e bashkëpunimit midis enteve dhe klubeve turistike ndërkombëtare, i japin një vleftë të paçmueshme kapitalit t‘onë turistik. Neve lidhemi me organizmin e gjerë turistik të përbotshëm nëpërmjet Entit Kombëtar të Turizmit dhe të Klubit Turistik dhe Automobilistik Mbretërore, që janë nën patronazhin e lart të N.S. Mbretëreshë Princeshës Maxhide. Si me këto lidhje ashtu dhe me mënyra të tjera të shumta, Qeveria Mbretërore është duke bërë sakrifica të mëdhaja për zhvillimin turistik të Shqipërisë, që përsa u përket të huajve ashtu dhe bashkatdhetarëve që duhet ta shëtisin e ta njohin këtë vend të bukur. Thamë se turisti i huaj duke ardhur prej botës së jashtme të mekanizuar, vjen befas në pak orë e sipër, në këtë botën tonë të ndryshme që të çlodhet shpirtërisht e mendërisht. Neve tani na duhet që, duke përmirësuar rrugët e hoteleve dhe duke vënë me këtë fuqinë e mjetet, rregull e pastërti, t‘i japim atij mundësinë të s‘lodhet edhe trupërisht e të mbetet plotësisht i kënaqur.
Plazhi i Durrësit me Plan Rregullues që në 1939, i cili hartua nga Zyra Qendrore për Urbanistikën dhe Ndërtimet
Ndër masat e shumta që ndërmorën të gjitha qeveritë shqiptare që nga Monarkia e Zogut dhe ato nën pushtimin italian në vitet 1939-1943, për nxitjen e turizmit dhe thithjen e turistëve të huaj në vendin tonë, ishte dhe plani rregullues i plazhit të Durrësit, i cili asokohe u përgatit nga Zyra Qendrore për Urbanistikën dhe Ndërtimet e Shqipërisë. Lidhur me këtë, në revistën e përmuajshme “Drini”, që nxirrte Enti Kombëtar i Turizmit në atë kohë, midis të tjerash shkruhej: “Durrësi asht limani kryesor i Shqipnis. Gjendet 39 km. nga Tirana. Shërbime të rregullta vijash automobilistike e lidhin me qendrat e ndryshme kryesore të Mbretnis. Ka një popullsi prej 10.000 banorësh. Qyteti shtrihet mbi një breg që mbaron në fund me Malin e Durrësit, i cili ka një naltsi prej 185 metrash. Bujtina, drekore, kafe, dyqane, magazina, depozita, farmaci, gjeni detare e automobilistike, xhamia, kisha, shkolla fillore, një të mesme, banka e institute të tjera e zbukurojnë pamjen e bukur të këtij qyteti detar buzë detit Adriatik. Këtu gjendet edhe një fabrikë e madhe duhani shqiptar S.T.A.M.L.E.S. Si mbas historianit Tucidie, korfiotët themeluan këtu koloninë Epidamnos-it në 627 para lindjes së Krishit. Qyteti për t‘i shpëtuar mësymjeve të pandara të piratëve, u beslidh me Romën e cila e pushtoi ma vonë krejt tue i ndrue dhe emnin Dyrrachium. Në këtë qytet ka banue dhe Ciceroni i cili e mbiquajti “Admirabilis urba” por nuk mujti me nejt këtu për një kohë të gjatë pse i shqetësuem prej zhurmës së madhe që bëhesh në liman. Në drejtim të jugut, qyteti shtrihet mbi bregun e bukur e ranor me nji vargje vilash e shtëpiash të vogla të bukura e moderne të cilat i japin pamjen e një qyteti vërtet banjash. Në 1928 e gjithë ranishta kishte vetëm një stabiliment primitiv por zhvillimin e vërtetë e filloi menjëherë vetëm mbas këtij viti. Ranishta asht e gjatë 4 km. Tashti për tashti kemi 3 stabilimente banjash për afro 2000 persona dhe 120 shtëpia. Në një projekt të përgatitun me kujdesin ma të madh prej Zyrës Qendrore për Urbanistikën dhe Ndërtimet e Shqipnis, janë parapa këto përparime: Janë parapa edhe 3 stabilimente për afro 3000 persona; një bujtinë e madhe e 540 pjesë tokash të përgatituna për zbatimin e Planit Rregullues të ranishtes. Edhe për Shkëmbin e Kavajës, janë parapa 60 pjesë tokash. Përveç këtyne janë paraparë edhe 40 pjesë tokash me sipërfaqe të ndryshme në ranishte dhe nr. 10 të tjera në Shkëmbin e Kavajës të cilat do të përdoren për rregullime të posaçme; shkolla, ndërtesa publike, dyqane, bujtina, dhe pensione, kinema etj. Qyteti qendror dhe ai i ranishtes janë në zhvillim e sipër.
Një ekspoze nga Shefi i Misionit Italian Arkeologjik në Shqipëri, Marconi: Në Kinema “Nacional” konferencë nga të huajt për turizmin
Në kuadrin e masave të shumta që ndërmerrte Enti Kombëtar i Turizmit të Mbretërisë Shqiptare gjatë viteve të Monarkisë së Zogut (i cili ishte nën patronazhin e Princeshës Maxhide), ishin edhe një sërë konferencash shkencore nga lektorë të huaj, të cilat organizoheshin jo vetëm në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera të vendit. Një nga këto konferenca ishte edhe ajo e dhënë në kinemanë “Nacional” të kryeqytetit nga Piero Marconi, kryetari i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, i cili që prej fillimit të viteve ‘30-të, kryente gërmime arkeologjike në Butrint dhe Pojan të Fierit. Lidhur me këto konferenca të Marconit, në shtypin e asaj kohe midis të tjerash thuhet: “Folëm pardje për nevojën e konferencave dhe dobinë e madhe që sheh vendi prej tyre, duke nënvizuar se këto, sidomos kur janë didaktike, duhen të mbahen edhe përpara nxënësve. Kërkesa jonë u gjet plotësisht e justifikuar dje. Profesor Piero Marconi, Kryetar i Misjonit Arkeologjik Italian në Shqipëri, që sot drejton gërmimet e Butrintos, foli dje në sallën e Kinema “Nacional” me kompetencën e një shkencëtari të thyer në degën e tij, me kompetencë të gjerë dhe thjeshtësi që u çmuan pa masë nga publiku i zgjedhur që pati fatin të ndigjojë konferencën e tij. Profesori e ilustroi konferencën me një tok filmash që ka marrë me vetë në gërmimet, duke paraqitur një tabllo të qartë rreth veprimeve të misionit prej fillimit, d.m.th. që në kohën e të ndjerit, Ugolini, gjer më sot. Fytyrat (statujat e gjetura nga gërmimet arkeologjike. Shënimi ynë), që Profesor Marconi shpjegonte, paraqisnin qytetërimet e ndryshme që janë përshkuar në vendin t‘onë, që nga epoka neolitike gjer në ndërtimet veneciane, duke dhënë një pasqyrë të qartë e besnike të gjitha gërmimeve të gjetura nga nëntoka e jonë dhe që trashëgojmë sot. Profesor Piero Marconi u falënderua personalisht nga Shkëlqesia e Tij, ministri Shatku e personalitete të tjera, të cilët bënë çdo lëvdatë për konferencën e tij në kryeqytet, e cila është mësim i vlefshëm për cdo shqiptar dhe të shkuarën e vendit të vet. Urojmë që konferenca të tilla që ka dhënë z. Piero Marconi, të ndigjohen edhe nga nxënësit e shkollave të mesme dhe është më mirë të pasurohen dijet e tyre të dobishme mbi kohët e vjetra”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016