Nga Spartak Topollaj
Me gati 1.5 miliardë banorë, Kina vazhdon të jetë shteti më i populluar i botës, ashtu si me rreth 10 milionë km2 sipërfaqe, ajo hyn te katër vendet më të mëdha të planetit tonë. Me histori mijëravjeçare, ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për qytetërimin botëror. Janë kinezët, ata të cilëve bota duhet t’u jetë mirënjohëse për shumë nga ato, që prej shekujsh i përdorim apo edhe i shijojmë, si letra, baruti, busulla, shtypshkrimi, porcelani, makaronat etj. Kina gjatë shekujsh është qeverisur nga dinastitë filluar gati katër mijë vjet më parë nga Dinastia XIA e më pas nga ato SHANG, ZHOU, CIN (me më të shquarin Perandor, Cin Shi Huang që realizoi mijëra kilometrat e para të Murit të Madh), HAN- me Rrugën e famshme të Mëndafshit, përshkruar mrekullisht nga eksploratori, ambasadori, shkrimtari, e tregtari venedikas, Marko Polo (1254-1324) në librin enciklopedi “Milioni”. Pas restaurimit të hanëve në pushtet, ata ndërtuan edhe Kanalin e Madh që lidhte Tianjinin, Pekinin, e Hanxhoun dhe Lumin e Verdhë me atë të Kaltër. Ai është kanali më i madh i ndërtuar në disa kohë nga njeriu, i gjatë 1794 km, që përfundon pas liqenit Tai në kryqëzime me pesë ura të gurta e pagoda deri në Suzhou e Jingjiang. Sipas Konfuc-it (551-479 p.e.s.) ndërtimi i tij përfundoi më 486 para Krishtit, Muri i Madh, gjurmë të të cilit sot duken në 6350 km nisi të ndërtohej në disa faza filluar nga viti 215 p.e.s. Më 1987, ashtu si Kanali i Madh, edhe ai u vu nën mbrojtjen e UNESCO-s. Më 2012-ën me sistemin GPS me rreze infra të kuqe është vërtetuar e pabesueshmja, ai rezulton të ketë pasur një gjatësi prej 21.196 km!
Dinasti dhe mbretëri të shumta e sunduan Kinën në shekujt e mëvonshëm. Ato luftuan me mongolët e Kublai Khan, mançurët, japonezët, britanikët etj.. Dinastitë e fundit ishin JIN, TANG, SONG, JUAN, MING dhe QING. Pas Revolucionit Xinhai të 1911-ës, që përmbysi Qing-ët mançurë, u formua Partia Nacionaliste Kuomintang-ut nga Song Jiaoren dhe Sun yat-sen, që edhe u zgjodh President i Përkohshëm i Kinës dhe shpalli tri Principet e Popullit: Pavarësia Kombëtare pas përzënies së agresorëve të huaj, fuqinë popullit, pra demokraci dhe mirëqenie popullore, kryesisht prej reformës agrare. Sun Yat-seni fitoi zgjedhjet, por një “grusht shteti” i gjeneralit, Yuan Shikai, e detyroi të ikë në ekzil prej nga ku u kthye më 1917-ën pas vdekjes nga uremia të Shikait më 1916, duke e rithemeluar Kuomintang-un. Shikai edhe pse zyrtarisht u martua vetëm një herë, mbante edhe 9 konkubina me të cilat pati 32 pasardhës. Sun Yat-sen u afrua dhe bashkëpunoi me komunistët, madje ai pranoi më 1924 edhe të dërguarin e sovjetikëve në Kinë, ambasadorin e shquar, Adolf Abramoviç Ioffe, i cili pasi i shkroi një letër tronditëse mikut të tij të vjetër, Trockit, mbi diktatin e Stalinit, u vetëvra më 1927. Sun Yat-sen, i martuar tri herë, vdiq më 1925. Ai pati bashkëshorte të tretë Song Çin-lin, e cila mbërriti Zv.presidente e më pas edhe Presidente nderi e Republikës Popullore të Kinës, (1981). Kinezët luftuan gjatë edhe me japonezët, herë të bashkuar e herë të ndarë, komunistë të Ushtrisë së Kuqe Çlirimtare Popullore dhe nacionalistë kuomintangas, që tani i udhëhiqte Çian Kai Shek. Më saktë, aty pati një luftë të gjatë e të vërtetë civile, që vazhdoi edhe katër vite pas mbarimit të Luftës II Botërore (me kapitullimin e Japonisë më 2 shtator 1945), pra deri më 1 tetor 1949, kur edhe nga tribuna në Sheshin “Tien An Men”, Mao Ce Dun shpall Kinën Republikë Popullore.
Një histori e shkurtër e Partisë Komuniste e Kinës
Lëvizja komuniste në Kinë i ka fillimet e veta në dekadën e dytë të shekullit XX, kur intelektualë të guximshëm nën ndikimin e m-l nga Rusia sovjetike, filluan të organizohen. Dy më të shquarit e tyre ishin: Li Dazhao dhe Çen Dusju, që i nisën përpjekjet për krijimin e një partie komuniste në vitet 1919-1920, përpjekje këto që u kurorëzuan me sukses pra me themelimin e Partisë Komuniste të Kinës në fund të korrikut 1921 në Shanghai, më saktë më 31 korrik brenda një varke (kuptohet për arsye sigurie) e njohur si “varka e të dymbëdhjetëve”. Li Dazhao (1888-1927) bibliotekar dhe profesor universitar i afërt me Kuomintang-un e Sun Yat-Senit, diplomuar në Universitetin Waseda, Japoni. Arrestohet bashkë me 19 të tjerë, duke dalë nga ambasada sovjetike në Pekin dhe dënohet me varje nga qeveria e gjeneralit Zhang Zuolin, i cili pati një fat akoma më të keq, pasi nga një atentat me eksploziv në urën ku po kalonte treni i tij, më 4 qershor 1928, gjeti vdekjen e menjëhershme. Djali i Li Dazhaos, Bao Hua, pas vdekjes së Maos në vitet 1978-’82, ishte governator i Bankës Popullore të Kinës. Çen Dusju (1879-1942) kish studiuar në Waseda dhe në Francë. Atij në 1927 dhe 1928 Kuomintangu i vrau dy djemtë, Yannian dhe Qiaonnian. Në vitet ’32-’37 burgoset dhe më 1942 ndërron jetë. Li Li San, (1899-1967) themelues dhe udhëheqës i shquar e organizator i madh sindikalist e partiak, që mësoi shumë në Francë ku jetoi e punoi për dy vite. Në 1924 kur Partia Komuniste e Kinës kishte vetëm 900 anëtarë, falë punës së tij në minierën e qymyrit në Anyuan, 300 syresh ishin nga kjo minierë. Më pas jeton disa vite në Bashkimit Sovjetik, ku edhe martohet me Li Kishkin me të cilën pati gjashtë fëmijë. Ajo arrestohet dhe kalon tetë vite në qeli si e burgosur politike, ndërsa një nga vajzat e tyre, Li Yanlan u bë profesore e shquar e gjuhëve të huaja në Universitetin e Pekinit dhe përkthyese e njohur. Li Li San pati një fund tragjik teksa misteriozisht më 1967-ën në kulmin e histerisë së “Gardistëve të kuq” gjatë Revolucionit Kulturor Proletar, u gjet i vrarë dhe sipas versionit zyrtar i vetëvrarë! Me sa duket, kjo ngjan me atë përgjigjen e stërmençur të gjeniut tonë Kadare, kur i pyetur se nëse kryeministri Mehmet Shehun, e vranë apo u vetëvra, u përgjigj: “E vetvranë”! Vang Ming (1904-1974) një tjetër udhëheqës i Partisë Komuniste të Kinës, figurë komplekse me zigzage në qëndrimet e tij ndaj Maos. Në fillim kritik i ashpër, por pas një letre të Dimitrovit për Maon, kthehet në Kinë në vitet ‘49-‘56 nga Bashkimi Sovjetik. Ndjesa dhe pendesa e tij edhe pse i jepen funksione të rëndësishme me sa duket ishte e përkohshme, ndaj rikthehet përsëri në Moskë për të mos e parë më kurrë atdheun deri në vdekje (1974) dhe varroset po aty në varrezat Novodeviçi. Interesant mbetet fakti që zbulon gazetari i njohur rus, Peter Vladimirov, në librin e tij “50 vjet PKK”, ku shkruhet se Vang Ming akuzon Maon për tentativë helmimi dhe shantazh e kërcënim të vazhdueshëm për jetën që i shkaktonte stres dhe që kjo po i shkurtonte siç edhe ia shkurtoi jetën atij. Tani le t’i kthehemi atje ku e lamë historisë së Partisë Komuniste të Kinës. Kongresi II i PKK u mbajt po në Shangai dhe po në korrik (1922) ku u shpall se PKK njihet nga KOMINTERN-i që rekomandonte aleancë me Sun Yat-Senin.
Duke mbërritur te Kongresi V, vihet re se kritikat ndaj Çen Dusju-it shtohen e megjithatë, ai ia del të rizgjidhet në krye, por me sa duket, i befasuar dhe me sedër, pak kohë më vonë jep dorëheqjen. Kongresi i VI, ndryshe nga të tjerët, u mbajt në Moskën e Stalinit, në mars 1928, ku PKK iu kërkua krijimi i një Fronti të Bashkuar me Kuomintang-un. Në krye të Partisë del Xiang Zhongfa dhe Li Li San, por më pas edhe këta spostohen se Moska dhe KOMINTERN-i ishin për futjen e një numri të madh punëtorësh në udhëheqje dhe jo intelektualësh. Xiang Zhongfa i kthyer në Kinë ku bënte një jetë luksoze, tradhtohet nga shefi i tij i sigurisë, Gu Shun-zhang dhe arrestohet në një dyqan të bizhuve në koncesionin francez të Shanghait, në shoqërinë e të dashurës së tij Yang Xiuzhen, një balerinë bukuroshe kabaresh më 21 qershor 1931 dhe ekzekutohet me urdhër të Cian Kai Shek-ut. Në 1935 për herë të parë Mao Ce Dun (që kish qenë pjesëmarrës në Kongresin I) arrin të zgjidhet anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike. Në 7 korrik 1937, pas incidentit të rëndë në urën Marko Polo, shpërthen Lufta II kino-japoneze, e cila përfundoi më 9 shtator 1945.
Zgjedhja e Maos në krye të Partisë Komuniste të Kinës, fundi i luftës civile dhe shpallja e Republikës Popullore të Kinës
Nga 23 prilli deri më 11 qershor 1945 në Janjan mbahet Kongresi VII i PKK. Stërzgjatja e punimeve të Kongresit ndodhi për shkak të luftës së ashpër mes rrymave brenda partisë, ku më në fund fiton dhe zgjidhet në krye të saj Mao Ce Dun, por jo pa mbështetjen e madhe të Liu Shao Çi-së, Çu De-së dhe Çu En Lait. Përzënia me luftë të përbashkët dhe kapitullimi i Japonisë, nuk e ndalën vazhdimin e luftimeve, që tashmë morën përsëri formën e një lufte të re civile që zgjati deri në vjeshtën e 1949, kohë kur Kuomintan-gu dhe vetë gjeneralissimi, Çian Kai Shek u tërhoqën nga territoret e Kinës kontinentale, për t’u hedhur në ishullin Formosa ose Taivan, ku edhe sot nuk e konsiderojnë veten pjesë e Republikës Popullore të Kinës, por shtet i pavarur. Siç e kemi thënë, më 1 tetor 1949 nga tribuna qendrore e sheshit “Tien An Men”, Mao Ce Duni shpalli Kinën Republikë Popullore.
Kongresi VIII i PKK ishte edhe i pari që u mbajt në Kinë pas shpalljes së saj Republikë Popullore. Ai i zhvilloi punimet nga 15-27 shtator 1956, që i bie disa muaj pas Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Kongresit III të PPSH, ku u dënua me ashpërsi kulti i individit të Stalinit nga Hrushovi, ndërsa nga Enver Hoxha më butë edhe pse Konferenca tronditëse e Partisë për Tiranën, mbajtur disa javë përpara Kongresit III, iu duk atij si preludi i një muzike që orkestrohej në Balshoj dhe dirigjohej nga Nikita Sejgereviç Hrushovi, e që shpejt do dëgjohej në shumë nga kryeqytetet e vendeve socialiste të Evropës Lindore. Në krye të Delegacionit të PPSH-së, Enver Hoxha u nis për në Kinë, mesa duket nëpërmjet Bashkimit Sovjetik dhe u ndal më 13 shtator së pari në Kore, për t’i kthyer vizitën Kim Ir Senit, ndoshta më të ngjashmit me veten nga të gjithë liderët komunistë të kohës. Përshëndetjen e tij në Kongresin VIII në Pekin, ai e bëri më 18 shtator, plot lëvdata për Maon dhe Kinën që vetëm dy muaj më parë i kishte akorduar Shqipërisë një kredi suplementare prej 30 milionë rublash. Megjithatë, vizita e Enverit në Kinë që natyrisht ishte dhe vetmja, ka edhe një enigmë, e cila ka nevojë të analizohet. Si mundet që asnjë sekuencë filmike nuk mbërriti kurrë nga Kina mbi zhvillimin e kësaj vizite. Enveri është filmuar më 28 nëntor 1944 në Tiranë, gjatë paradës partizane, në shpalljen e Shqipërisë Republikë Popullore, 11 janar 1946, gjatë vizitës në Jugosllavi me Titon, korrik 1946, me Stalinin në tribunë në Moskë etj., të cilat mund të jenë realizuar nga operatorë britanikë, jugosllavë, apo sovjetikë. Janë vetëm dy fotografi, njëra që paraqet Maon duke i dhënë ftohtë dorën Enverit, që buzëqesh i sforcuar plot servilizëm dhe tjetra ku Mao duket si një i arrestuar prej dyshes “policore” Enver-Mehmet! Atëherë ç’duhet të ketë ngjarë? Ka shumë mundësi që Maoja dukshëm i lodhur dhe i mërzitur, të mos ia ketë pasur ngenë delegacionit shqiptar dhe është mjaftuar vetëm me ato dy foto protokollare-ceremoniale. Logjika ta do, madje është e padiskutueshme, që kinezët ta kenë filmuar takimin, por duke qenë se nuk duhet të jetë zhvilluar asnjë bisedë ulur, Enveri nuk e kërkoi kurrë filmimin edhe në vitet e dashurisë së zjarrtë dhe miqësisë së “pathyeshme” me vëllezërit tanë kinezë! Nga ana tjetër, me gjithë serialin prej rreth 70 “veprash” dhe kolanën e “veprave” të tjera si “klasik” i pestë i Marksizëm-Leninizmit (përfshi dhe Shënime për Kinën), në mos gabohem, nuk kemi asnjë dëshmi nga Hoxha të bisedës në takimin mes të dyve. Madje vonë, 10 vite më pas nga vizita, u improvizua një tablo në të cilën, ulur në kolltukë, paraqiteshin Maoja me Enverin, sikur bisedonin përzemërsisht?! Nuk është folur as për ndonjë bisedë mes Maos dhe Enverit në Konferencën e Moskës të Partive Komuniste, (viti 1957), në të cilën ata ishin krerë të delegacioneve respektive. Nga ana tjetër, siç dëshmon një nga përkthyesit zyrtar më të mirë të rusishtes, Myfit Mushi, Mao Ce Duni gjeti kohë të bisedojë me dy përkthyesit e “Librit të Kuq” të citateve për plot 90 minuta, në një nga vilat sekrete të tij, mes pyjeve pranë Shanghait, në kulmin e Revolucionit Kulturor. Vetë Mao, mori pjesë në festimin e 70-vjetorit të lindjes së Stalinit, dhjetor 1949, ndërkohë që e vizitoi përsëri Moskën edhe më 1950-ën, por ftohtësia e raporteve mes dy liderëve nuk mund të fshihej, madje edhe kur Hrushovi vizitoi Kinën më 1954, si kreu i Bashkimit Republikave Socialiste Sovjetike, nuk u vu re ndonjë ndryshim, pra vazhduan raportet e ftohta. Ndryshe po ndodhte me marrëdhëniet shqiptaro-kineze, që sa vinte e po bëheshin më të ngrohta, ndërsa ato shqiptaro-sovjetike, përjashtuar ditët e gjata të qëndrimit të Hrushovit në Shqipëri, maj-qershor 1959, po shkonin me shpejtësi drejt fundit të acartë! Kështu në Konferencën e Bukureshtit, qershor 1960-të, delegacionin shqiptar e kryesoi Hysni Kapo, ndërsa atë kinez Pen Çen, anëtar i Byrosë Politike dhe kryebashkiak i Pekinit. Delegacionin sovjetik e kryesonte vetë Hrushovi. Kongresi i Partisë Punës së Rumanisë për të cilën ishin mbledhur, e humbi vëmendjen, pasi u improvizua një konferencë, në të cilën dolën haptazi kontradiktat kino-sovjetike. Lideri rumun George Georgiu Dezh, me porosi të Hrushovit, i propozoi Hysni Kapos se ata ishin të gatshëm të dërgonin avionin e tyre qeveritar për të sjellë Enver Hoxhën, por Kapo, me urdhër të prerë të Hoxhës refuzoi kategorikisht. Kinezët pak më parë kishin botuar e përkthyer në shumë gjuhë, përfshi edhe në shqip librin “Rroftë Leninizmi”, ku goditeshin pikëpamjet e udhëheqjes hrushoviane kryesisht ato mbi “bashkekzistencën paqësore”.
Replikat Hrushov-Pen Çen qenë të ashpra, ndërsa Kapo rekomandoi të pritej “Mbledhja e 81 partive” në Moskë për të shtruar pikëpamjet dhe sheshuar kontradiktat. Siç dëshmon përkthyesi i njohur i delegacionit, Frederik Gjerazi, Enveri në “veprat” e tij deformon qëndrimet e mbajtura nga Kapo, edhe pse duhet pranuar që Hrushovi nuk ia doli t’i kandisë shqiptarët të dalin kundër kinezëve. Tashmë janë të njohura zhvillimet në Mbledhjen e 81 Partive, në nëntorin e 1960-ës në Moskë, ku krisja mes Partive Komuniste u kthye në çarje të thellë. I njohur botërisht për amplitudat e miqësive të prishura, Enver Hoxha, ky mik-armik i Titos, Hrushovit dhe Maos (madje edhe i Stalinit, kur ia desh interesi në Kongresin e XX, për t’iu servilosur Hrushovit apo edhe në Kongresin III në Tiranë) e sa e sa të tjerëve, qofshin shtete, parti, apo personalitete të huaja, ose bashkëluftëtarëve dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të jetës në Shqipëri, këtë moment e qëndrim në sallën Georgevskaja në Kremlin e paraqiti si një akt heroik të tij. Koha tregoi se ai e bëri këtë vetëm e vetëm për të ruajtur pushtetin absolut se pothuaj të gjithë liderët stalinistë në vende apo parti komuniste u spostuan nga pushteti në mënyra të ndryshme, një pjesë e tyre madje ndërruan jetë nga “pneumonia”, teksa në dimër apo verë pushonin në Bashkimin Sovjetik! Kështu ikën nga kjo botë brenda një kohe të shkurtër, Dimitrovi, Bieruti, Gotvaldi, Piku, Torezi, Toliati etj.. I djallëzuar deri në perfeksion Enver Hoxha, që hante e pinte vetëm në ambasadën tonë, merr rrugën e kthimit kësaj here me tren deri në Bari, prej nga ku me avionin qeveritar mbërrin në Tiranë. Që nga ky çast, për një çerek shekulli, deri sa vdiq më 11 prill 1985, si paranojak që ishte, ai nuk doli më kurrë jashtë kufijve të Shqipërisë! Në shkurt të 1961-it u mbajt Kongresi IV i PPSH-së në të cilin sovjetikët bënë edhe përpjekjen e fundit të bindnin Hoxhën të ndërronte rrugë. Për këtë, ata sollën në Tiranë treshen e njohur Pospjellov, Kozllov, Andropov, por pa sukses. Do të vinte shpejt nëntori, kur Enver Hoxha sulmoi ashpër udhëheqjen sovjetike dhe prishja përfundimtare deri në prerje të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve nuk mund të shmangej, ndërsa me vendet e tjera socialiste, niveli i tyre u ul. Tani Shqipëria dhe Kina fillojnë “muajin e mjaltit” mes tyre. Kina, që kish ndihmuar në realizimin e Planit të Dytë Pesëvjeçar, solli ndihma e kredi të mëdha, specialistë e këshilltarë të shumtë të të gjitha fushave, industri, energjetikë, bujqësi, ushtri, arsim, kulturë, shëndetësi, sport etj., që çuan në realizimin e Planeve III-IV-Vë pesëvjeçar. Në Kinë studiuan dhe u specializuan qindra e qindra studentë në të gjitha fushat. Ndihma kineze për Shqipërinë, sipas disa burimeve llogaritet në miliarda $…
I pari nga udhëheqësit kryesorë kinezë që vizitoi Shqipërinë ishte Mareshalli Pen De Huai, ministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike. Kjo vizitë u realizua pikërisht në ditët që Shqipërinë po e vizitonte N. S. Hrushovi. Të ishte thjesht koincidencë apo një nga djallëzitë e Hoxhës?! Sido që të ishte, Pen De Huai, sapo kthehet në Kinë në Konferencën e Lushanit, kritikon Maon për problemet e Ushtrisë, ndaj shkarkohet dhe zëvendësohet nga rivali i vjetër i tij Lin Biao, por nuk i hiqen disa privilegje deri sa më 1966-ën, gjatë Revolucionit Kulturor, i rihapet dosja, poshtërohet publikisht nga “Gardistët e kuq”, madje arrestohet e dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në burg më 1974. Edhe Mareshalli Zhukov, Heroi i Luftës së Dytë Botërore dhe kryesisht për marrjen e Berlinit, ministër i Mbrojtjes i BRSS-së u shkarkua sapo u largua nga vizita në Shqipëri, madje kjo ndodhi në ajër, kur në avionin “TU 104”, mbërriti radiogrami i Hrushovit! I dyti nga personalitetet e rëndësishme kineze që vizituan Shqipërinë, ishte Pen Çen, anëtar i Byrosë Politike dhe kryebashkiak i Pekinit, i cili u godit nga “Gardistët e kuq: gjatë Revolucionit Kulturor më 1966, u zhduk nga skena politike për 12 vjet dhe u rehabilitua nga Ten Hsiao Pini, duke u zgjedhur për disa vite edhe kryetar i Asamblesë Kombëtare, por që nuk e mbështeti protestën e madhe të 2 qershorit 1989-të në Sheshin “Tien An Men”, shtypur me tanke dhe ku numrin e saktë të të vrarëve ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë (thuhet mijëra). Ndërroi jetë më 1997.
Megjithatë, tri vizitat e Çu En Lait, kryetarit të Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, brenda pak më shumë se dy vitesh në Shqipëri, flasin më tepër se çdo gjë për rëndësinë që Kina komuniste po i jepte gjithnjë e më tepër marrëdhënieve me vendin tonë (e para, dhjetor 1963-janar ‘64, i shoqëruar nga Mareshalli Çen Ji, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike dhe ministër i Jashtëm, e dyta nisi më 27 mars ’65-së, i shoqëruar nga Hsie Fu Çi, ministër i Sigurimit Publik dhe e treta nisi me 24 qershor ’66-të, në të cilën Çu-ja befason udhëheqjen shqiptare, teksa përçmon Stalinin). Si kryeministër i shtetit më të madh të botës, ky personalitet i jashtëzakonshëm i gjithëpranuar si i tillë, që kish studiuar në Europë, me këto tri vizita në Shqipërinë e vogël s’kish si të mos ngjallte zilinë e xhelozinë e fqinjëve dhe habinë e Perëndimit! I pajisur me inteligjencë dhe intuitë të rrallë, pragmatist, po aq sa vizionar dhe i palodhur për të punuar (16 orë në ditë) ai u mbijetoi të gjitha dallgëve të luftës, politikës dhe jetës, përfshi edhe vetë “cunamin” me emrin “Revolucioni Kulturor Proletar”. Ai ndërroi jetë nga kanceri plot nëntë muaj para kryetarit Mao, më 9 janar 1976 në Pekin. Më 1 nëntor 1966-të nisi Kongresi V i PPSH-së, ku Partia Komuniste e Kinës dërgoi dy nga anëtarët më autoritarë të Byrosë Politike, Kan Shen që mbërriti deri Nënkryetar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe Li Hsien Nien, që u bë edhe President i Kinës, të cilët sollën një mesazh përshëndetës shumë të përzemërt të Maos, ku sulmoheshin hapur revizionistët, sidomos ata jugosllavë dhe theksohej se ndihma që do t’i vinte Shqipërisë nuk do të njihte pengesa, pavarësisht se “mijëra male e qindra lumenj e ndanin atë nga Kina”. Ai e quante Shqipërinë “fanar i madh ndriçues i socializmit në Europë”. Në tetor ‘64, Kina ishte bërë fuqia e pestë bërthamore.
Por gjatë pesë viteve që pasuan kishin ndodhur të tjera ngjarje të mëdha. Në Kinë kishte shpërthyer Revolucioni i Madh Proletar Kulturor, i cili u udhëhoq personalisht nga Mao dhe shoku i ngushtë e besnik i armëve, Lin Biao. Nga skena politike u zhdukën apo u mënjanuan pjesa më e madhe e udhëheqjes, si Presidenti Liu Shao Çi, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës, Teng Hsiao Ping, kryetari i Asamblesë së Madhe Popullore Çu De, Mareshalli Çen Ji, Pen Cen etj., etj. Edhe vetë Çu En Lai mes shumë vështirësish edhe pse me “karton të verdhë”, qëndroi si “mesfushor” i tërhequr në fushën e lojës së madhe politike. Pas një hutimi të fillimit, ngaqë nuk po kuptonin ç’po ndodhte, PPSH-ja dhe Enver Hoxha e mbështetën fuqishëm Revolucionin Kulturor dhe Maon, madje dërguan për fushatë propagandistike udhëheqësit kryesorë si: Shehun, Kapon, Ballukun, Alinë etj. Kjo ishte koha kur forcon pozitat Grupi i Shanghait me Van Hun Venin, Çian Çun Çiaon, e Jao Ven Juanin, të cilit iu bashkëngjit edhe Çian Çini, Zonja e Parë e Kinës, por bashkëshortja e katërt e Maos, një ish- balerinë. Më vonë pas vdekjes së Maos, këta u etiketuan si “banda e të katërve”, u arrestuan dhe u dënuan me vdekje, dënim që nuk u ekzekutua kurrë! E diagnostikuar me kancer të ezofagut, Çian Çini, vetëvaret në një nga tualetet e spitalit-burg më 14 maj 1991. Një konflikt i armatosur kino-sovjetik rrezikoi shpërthimin e një lufte mes dy vendeve më të mëdha socialiste. Pretekst për këtë u bë ishulli i vogël (0.74 km. 2) Zhenpao ose Damanskij, i pretenduar nga të dy shtetet, në lumin e ngrirë Ussuri më 2 mars 1969. Merret me mend që Shqipëria anoi nga Kina, e cila u gjykua ndërkombëtarisht se kish pasur të drejtë. Nga 1-24 prill 1969 u mbajt Kongresi IX i Partisë Komuniste të Kinës, rezultat i vetëm i të cilit ishte shpallja armiq e shumë udhëheqësve të vjetër e plot merita dhe caktimi i Lin Biaos, ministrit të Mbrojtjes, si trashëgimtar i Maos edhe de jure, se de facto ishte shpallur më parë, funksion që nuk e gëzoi dot gjatë, pasi në rrethana misterioze u asgjësua me gjithë familjen teksa pas një tentative të dështuar për të vrarë Kryetarin Mao (versioni zyrtar) tentoi të arratisej për në BRSS, ku nuk mbërriti kurrë, pasi avioni i tyre u rrëzua mbi Mongoli, më 13 shtator 1971. Më 1 nëntor 1971 u mbajt Kongresi VI i PPSH-së në të cilin, për shumëkënd që s’i dinte ngjarjet, shkaktoi habi të madhe mungesa e përfaqësuesve kinezë aq më tepër që një javë më parë, më 25 tetor ishte miratuar në OKB, Rezoluta Shqiptare pas së cilës, Kina Komuniste do bëhej anëtare e saj duke zënë vendin e Tajvanit. Po atëherë si qëndronte e vërteta? Kur Enver Hoxha mësoi se Kinën e kish vizituar i famshmi Kisinxher, (sekretari amerikan i shtetit) i cili pas 16 vite bisedimesh kino-amerikane, ia arriti të bindë Maon dhe Çu-në të ftojnë për vizitë zyrtare Presidentin Nikson, e quajti këtë si akt kapitullimi, madje tradhtie të Marksizëm-Leninizmit nga udhëheqja kineze dhe në delirin e njohur të madhështisë e protagonizmit i shkruan një letër të gjatë Maos, të cilën, ambasadori, ynë tentoi t’ia lexojë Çu En Lait, që kur pa tufën e fletëve të shkruara (plot 16) u ndje i bezdisur dhe kërkoi të dinte vetëm përmbajtjen e saj. Siç mund të kuptohet, kinezët kishin informacione të sakta nga burime diplomatike dhe të shërbimeve inteligjente perëndimore, mbi mosdakordësinë shqiptare për vizitën, ndaj duke e injoruar letrën, nuk i kthyen kurrë përgjigje Hoxhës, taktikë e njohur dhe e zgjuar e tyre kjo. Hoxha u detyrua ta kapërdijë injorimin se pa ndihmat e Kinës, do të përballej me vështirësi të mëdha dhe ftohjen që po shkonte drejtë ngrirjes së marrëdhënieve e shtyu ta bënte më vonë, më 28 korrik 1978, gati dy vite pas vdekjes së Maos.
E fundit e rëndësishme nga personalitetet e larta kineze ishte ajo e delegacionit ushtarak të kryesuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore, Huang Jun Shen i cili u prit në Rinas nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku dhe Petrit Dume.
Vizita e Niksonit në Kinë mes 21-28 shkurtit 1972, që ishte një eveniment botëror, e tronditi Hoxhën. Në të vërtetë Mao Ce Duni nuk kish pse t’i merrte leje Enver Hoxhës, se kujt i duhej bërë ftesë për ta vizituar Kinën. Para dhe pas Niksonit ai priti krerë shtetesh apo qeverish nga e gjithë bota, por Hoxhën e tërbonte fakti që ai priti edhe disa prej diktatorëve apo liderëve të Azisë, Afrikës e Amerikës Latine, si Markosi i Filipineve, gjeneralin Birman Ne Win, Mobutu Sese Sekon, e Zairesë, Luis Eçeverria Alvarez të Meksikës, Pierr Elliot Trydo-në e Kanadasë etj., etj. Kjo është edhe koha kur Mao Ce Duni doli me teorinë e “Tri Botëve”, të cilën Hoxha nuk do ta pranonte kurrë.
Pas prishjes me sovjetikët, Enver Hoxha, shpesh sponsorizuar nga Kina, tentoi pa sukses ta kthente Tiranën në një qendër të komunizmit botëror, madje delirant i grandomanisë, ai kish hedhur idenë e thirrjes së një Internacionaleje të Katërt Komuniste. Në Shqipëri që nga Kongresi V-VIII ishin ftuar delegacione të Partive Komuniste (marksiste-leniniste) nga vende të ndryshme të botës, për të cilët Hoxha ushqente iluzionin se do të ndiznin revolucionin botëror. Ata s’ishin gjë tjetër veçse një amalgamë idealistësh, karrieristësh të pakënaqur nga partitë e vjetra, anarkistësh, aventurierësh, mashtruesish e deri terroristësh, që paguheshin nga fondi i veçantë i Komitetit Qendror të PPSH-së që shkonte në miliona $. Të tillë “kryetarë” partish (marksistë-leninistë), si Grippa, Dinuçi, Kaza, Aust, Strobel, Marko, Bërxh, Beinz, Hill, Uillkoks, Tejlor, Mijal, Axhitorop, Amazonas, Pomar, Restrepo, Sanmungat’hasanshan etj., etj., të panjohur në vendet e tyre kalonin pushimet me javë, muaj, e disa edhe me vite në vilat e Bllokut në Tiranë, Durrës, Vlorë apo Pogradec. Ata botonin edhe ndonjë fletushkë që s’e lexonte pothuaj askush, veç diplomatëve apo diplomatëve të ambasadave tona, që mbushnin me informacione të rreme eprorët e tyre në Tiranë. Kur marrëdhëniet Shqipëri-Kinë po ftoheshin, shumë nga këta farë marksistë-leninistë mbajtën anën e Kinës dhe Hoxha nuk vonoi t’i quajë edhe ata tradhtarë, madje deri agjentë të kinezëve! Megjithatë, duhet thënë se asnjë prej tyre nuk u bë më kurrë i gjallë. Me sa duket, nuk iu kish interesuar Shqipëria dhe as Marksizëm-Leninizmi, por qindra-mijëra dollarët që regjimi totalitar e izolacionist i siguronte nga mundi, djersa dhe gjaku i një populli që jetonte në burgun e madh me tollona e ku shumica në fshat hanin bukë misri të mykur.
Në mes të viteve ’70-të, mes paranojës kriminale staliniste, Enver Hoxha shpartalloi tri grupe “armiqësore” në ideologji e kulturë, ushtri dhe ekonomi, duke iu “faturuar” atyre dështimet e mëdha, si pasojë e bllokimit të ndihmave nga Kina. Madje, ekzekutoi pas gjyqeve farsë e të manipuluara gati gjysmën e udhëheqjes, një pjesë të madhe të të cilëve i akuzoi ndër të tjera edhe si agjentë të Kinës. Këtë e nisi me krerët e Ushtrisë, Balluku, Dume dhe Çako, që aq shumë bënë për të furnizuar me armë, municione, tanke, avionë, anije lufte, e pajisje ushtarake kineze të çdo lloji, ushtrinë tonë, apo dhe Theodhosin që drejtoi me sukses ndërtimin e dhjetëra fabrikave, uzinave e kombinateve, dhuratë e Kinës, për ta mbyllur me Këllezin, që për ironi, veç të tjerash, ishte edhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, ndërsa këta “agjentë” kinezë dënoheshin dhe ekzekutoheshin në gazetën “Zëri i Popullit”, me kulmin e servilizmit dhe hipokrizisë, nekrologjitë e vdekjeve për Çu En Lain, 9 janar, Çu Denë, 6 korrik dhe Maon më 9 shtator 1976, nxinin gjithë faqen e parë të saj, ku shpallej dhe zi kombëtare!
Mao Ce Dun lindi në Shaoshan të Xiangtanit në Hunan, më 26 dhjetor 1893, në një familje fshatarësh të etnisë Han, me pasuri modeste. Të parët e tij kishin ardhur nga provinca Jiangxi, që nga koha e dinastisë Ming. Babai, Mao Yi Çang dhe nëna, Ven Qimei patën shtatë fëmijë, por tre prej tyre, dy djem dhe një vajzë, vdiqën herët. Ai kish dy vëllezër më të vegjël, Zemin e Zetan dhe një motër, Mao Zehong, të tre të vrarë nga Kuomingtangu. Kur ishte vetëm 14 vjeç, i ati e detyroi të martohej me një vajzë disa vite më të madhe, Luo Shi, martesë që ai s’e pranoi kurrë. Gjatë revolucionit të 1911-ës, ai mobilizohet si ushtar dhe më pas i kthehet shkollës dhe mbaron “Normale”-n në Cangsha. Më 1918-ën ndjek nga pas profesorin, pak më vonë vjehrri i tij, Yang Çangji në kryeqytet, që mbante leksione në Universitetin e Pekinit. Me rekomandimin e tij, Mao u punësua në Bibliotekën Universitare, drejtuar nga Li Dazhao dhe dëgjonte fjalimet e Çen Dusjuit. Në atë kohë, ai martohet me studenten, Jang Kaihui (’21-’27) me të cilën patën dy djem, Mao Ayning dhe Mao Anqing. Më 1930-ën ajo vritet nga njerëzit e Çian Kai Shekut. Më pas martohet me He Zizhen (1928-’38) me të cilën pati një fëmijë, Li Min dhe në fund deri kur vdes, me Çiang Çing, (emri i parë Li Shumeng dhe pseudonimi Lan Peng) me të cilën gjithashtu pati vetëm një fëmijë, Li Na.
Duke pasur parasysh se jeta dhe intimitetet e Maos ruheshin me një fanatizëm të rreptë dhe ishin “sekret shtetëror”, zëra jo zyrtarisht të konfirmuar pohojnë se Mao kishte edhe shumë fëmijë të tjerë jashtëmartesorë, me bukuroshe të reja, të cilët iu faleshin familjeve pa fëmijë. I vetmi deri më sot që ka guxuar të shkruajë për Maon (kuptohet pas vdekjes së tij) është mjeku personal, Li Zhisui, i cili në kujtimet e publikuara në librin “Jeta private e kryetarit Mao” tregon se Mao Ce Duni tymoste duhan gjithë ditën, lahej shumë rrallë, ndërsa dhëmbët nuk i pastronte kurrë. Kalonte shumë kohë në shtrat dhe ishte i varur nga qetësuesit. Ai shpesh gjendej mes një grupi të gjerë partneresh seksuale, prej të cilave mori dhe sëmundje veneriane. Mao Ce Duni për kinezët ishte shndërruar në një gjysmëperëndi. Kulti i tij kish mbërritur qiellin. Pa diskutim ai mbetet një nga liderët më të mëdhenj botërorë e ndoshta figura më komplekse e kontraverse e gjithë historisë mijëravjeçare të Kinës. Atij iu veshën shumë epitete, por katër ishin kryesoret: Udhëheqës, Strateg – Komandant Suprem, Mësues dhe Timonier i madh! Që nga lufta ndaj pushtuesve, Marshimi i Madh 12.000 km., Ekspeditat në Veri e në Jug të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, fitorja në Luftën Civile, shpallja e Republikës Popullore të Kinës, Hopi i Madh, zhdukja e urisë, ngritja e Komunave, industrializimi etj., i dedikoheshin Maos, por të gjitha këto u paguan me jetën e miliona njerëzve dhe kjo nuk duhet harruar kurrë! Të çuditshme për Perëndimin ishin simbolet Taxhai për bujqësinë, Taçini për industrinë, si dhe leifenizmi në ushtrinë pa grada dhe shoqërinë komuniste kineze.
Pas vdekjes së Çu En Lait, në krye të qeverisë erdhi një figurë jo dhe aq e njohur, Hua Kuo Feng (1921-2008), i cili pas vdekjes së Maos, u bë edhe kryetar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe Kryetar i Komisionit Ushtarak të tij. Në të vërtetë Mao Ce Duni, që përherë e kish vlerësuar Teng Hsiao Pingun, i mbetur edhe pa Çu En Lain, e rehabilitoi atë pasi vizioni, inteligjenca dhe pragmatizmi i “floririt të vogël” i duhej Kinës së madhe. Pas vdekjes së Maos, Tengu, deri sa ndërroi jetë më 1997-ën mbeti “de facto” lider i saj, duke qenë dhe i pari lider kinez që vizitoi Amerikën.
Enver Hoxha nuk mund t’ia falte Tengut dhe Hua Kuo Fengut pritjen madhështore që i bënë Titos më 1977-ën. Sipas kineastes Anja Druloviç, autore e librit “Titova Kuharica” – (Kuzhinieri i Titos), banketi në nder të tij zgjati mbi tri orë dhe në të morën pjesë 3000 vetë! Për reciprocitet, por edhe për një lloj karshillëku ndaj Shqipërisë së Hoxhës, deri pak më parë motër e Kinës, në gusht të 1978 Hua Kuo Fenit iu bë një pritje madhështore nga Tito në Beograd, i cili ishte i mirinformuar për prishjen përfundimtare mes dy vendeve, vetëm tri javë më parë, saktësisht më 28 korrik 1978. Presidentë të Kinës, njeri pas tjetrit, vijnë: Jeh Çien Jin, Li Hsien Nien, Jang Shang Kung, Xhiang Zeming, Hu Xhintao dhe Xi Jinping. Për t’iu rikthyer personalitetit shumëdimensional dhe kompleks të Teng Hsiao Pingut, nuk mund të anashkalojmë rolin e tij në shtypjen e përgjakshme të protestës studentore, njohur si “Masakra e Tien An Menit”, qershor 1989, ku numri i të vrarëve të raportuar, fillon me 300 e shkon deri 2600, e në mos më shumë! Tengu nuk përkrahu Hu Jaobanin (vdekja e papritur e të cilit shërbeu si fillim i protestës) dhe Zhao Ziyangun, të moderuarit e udhëheqjes por përkrahu Xhiang Zemingun dhe kryeministrin Li Peng, “kasapin” e Protestës (15 prill-4 qershor) që për paradoks ishte edhe djali i adoptuar i Çu En Lait dhe Deng Ying Çaos. Këtë njollë të madhe në biografinë e tij politike, Tengu nuk mundi ta shlyente kurrë! Me sa duket kasta e vjetër politike e Kinës, e kish të vështirë ta pranonte demokratizimin dhe pluralizmin e vërtetë politik që bash në këtë kohë përfshiu gjysmën e Botës. Në Kinë ka vetëm një parti, Partia Komuniste e Kinës, e cila me mbi 90 milionë anëtarë, sot është e dyta në botë, pas Partisë Indiane të Popullit (Bharatiya Janata) të kryeministrit, Narendra Modi, në pushtet me 110 milionë anëtarë plus 170 milionë anëtarë të rinisë së saj.
Kina ka njohur ritme të larta zhvillimi veçanërisht në vitet 2003-2013, kur president ishte Hu Xhintao dhe kryeministër, Uen Xhiabao. Në prill të 2009-ës, Kinën e vizitoi kryeministri i Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha, vizitë kjo shumë e suksesshme, që u duk veç të tjerave edhe nga pritja shumë e ngrohtë që iu bë atij nga Presidenti dhe Kryeministri Kinës. Kinën e ka vizituar edhe kryeministri Rama, por dy projekte të mëdha investimesh kineze, si Rruga e Arbrit, apo Hidrocentrali i Skavicës, nuk u realizuan kurrë dhe nuk është e vështirë të kuptohet se cilat ishin arsyet edhe pse ato nuk u sqaruan kurrë publikisht. Por edhe këto vite që udhëhiqet nga Presidenti Xi dhe kryeministri Li Keqiang, Kina po ecën me ritme të larta. Ajo ka kohë që është fuqia e dytë ekonomike e botës pas SHBA-ve. Pandemia e frikshme botërore e Corona Virus që nisi nga Kina dhe mori aty jetën e mbi 3000 vetëve (edhe pse burime të denja për t’u besuar e çoi numrin e të vdekurve deri në 40 mijë) po në Kinë ’u mbërrit të luftohej së pari me sukses, madje në këtë luftë aktualisht është Kina, ajo që po ndihmon të tjerët. Natyrisht duhet pranuar se ka edhe teori konspirative për origjinën e COVID-19.
Shqiptarët i kanë dashur kinezët që me urtësinë, thjeshtësinë dhe përkushtimin për punën, e merituan këtë dashuri dhe për ndihmën e madhe dhe të pakursyer në të gjitha fushat që ata i dhanë Shqipërisë por edhe kinezët i kanë dashur shqiptarët për vlerat dhe virtytet e tyre të dëshmuara tashmë. Filmat, ansamblet artistike, sportistet e skuadrat tona, librat etj., nga Shqipëria, ishin më të dashurit për kinezët ndaj pavarësisht problemeve ideologjike që paranoja dhe deliret e Hoxhës çuan në prishjen e marrëdhënieve, Kina, nuk mund dhe nuk duhet ta harrojë se Shqipëria e vogël dha kontribut të madh në pranimin e saj në OKB-ja. Me flamurin kombëtar shqiptar, anijet kineze i binin kryq e tërthor botës për të realizuar shkëmbimet tregtare aq të domosdoshme për hopin e zhvillimin e ekonomisë kineze. Po ashtu nga radiostacionet e fuqishme të ngritura në Shqipëri, zëri i Kinës dëgjohej në të gjithë botën. Për të tëra këto ne nuk mund ta kuptojmë se si Kina e madhe, që ngaherë ka pohuar dhe dëshmuar se e do popullin tonë, nuk njeh ende gjysmën tjetër të kombit dhe trungut amtar të tij, Kosovën. Shqipëria ka qenë e palëkundur në këto 70 vjet teksa ka njohur vetëm një Kinë. Dhe së fundi, për ta mbyllur, do të donim të dinim përgjigjen e munguar prej mbi 12 vitesh të një pyetjeje: a do t’ia njihte ajo popullit kinez të Tajvanit të drejtën e tij për liri dhe demokraci nëse pushtues të huaj do ta mbanin qoftë edhe 100 vjet nën zgjedhë atë?! Edhe Hong Kongun e mbajtën kaq gjatë britanikët, por Kina e ka sot pjesë të saj atë. Për arsye deri më tani të pashpjeguara, Kina nuk gjen dot një motiv të vërtetë për mosnjohjen e Kosovës, e kjo nuk e nderon. Do të mjaftonte për këtë opinioni këshillëdhënës i GJND në Hagë i 22 korrikut 2010 (votuar 10 me 4) që e gjente plotësisht të ligjshme Pavarësinë e Kosovës, në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare, Rezolutën 1244 dhe Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut.
Historian, analist, ambasador, diplomat i karrierës.