Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, që bën fjalë për një letër që mban datën 21 korrik të vitit 1960, të cilën Enver Hoxha i ‘a dërgon Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, duke i’u ankuar lidhur me disa incidente të rënda të ndodhura në ambasadën shqiptare në Varshavë, si ai i datës 29 nëntor të vitit 1959, kur po kremtohej 15 vjetori i çlirimit të Shqipërisë, në ambientet e selisë së saj hyri një nga punonjësit e sigurisë, që tentoi të vidhte disa dokumente dhe t’i vinte zjarrin ambasadës. Si dhe rasti tjetër i ish-punonjësit të ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë që kishte shërbyer si diplomat pranë ambasadës polake në Tiranë, i cili më 29 qershor të vitit 1960, hyri në selinë e ambasadës shqiptare në Varshavë dhe pasi nxori revolverin, tentoi të vriste ambasadorin Muhsin Kroi.
“Më 29 qershor të këtij viti, një ish-funksionar i ambasadës polake në Tiranë dhe pikërisht shifrant i saj, dhe tani, sikurse deklaroi ai, funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, u paraqit dhe hyri në ambasadën shqiptare në Varshavë dhe, duke nxjerrë revolverin, tentoi të vriste ambasadorin tonë, shokun Muhsin Kroi. Funksionarët e ambasadës sonë e kapën kriminelin, e çarmatosën dhe u’a dorëzuan organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Polonisë”. Kështu thuhet në mes të tjerash në fillimin e një letre proteste të dërguar nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha, dërguar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, e cila mban datën 21 korrik të vitit 1960-të, ku ai i ankohet udhëheqjes së lartë të Kremlinit, lidhur me disa incidente tepër të rënda që kishin ndodhur në selinë e ambasadës shqiptare në Varshavë, ku ishte tentuar që t’i vihej flaka selisë së përfaqësisë diplomatike shqiptare të akredituar në kryeqytetin polak, dhe në një rast tjetër, ishte tentuar që të vritej me atentat, vetë ambasadori Muhsin Kroi. Të gjitha këto incidente që ndodhin asokohe me ambasadën shqiptare në Moskë, e kishin burimin në qëndrimin kundërshtues që po mbante Enver Hoxha ndaj politikës që po ndiqte Nikita Hrushovi me liberalizimin e jetës së vendit dhe hapjen ndaj Perëndimit, gjë e cila kishte nisur që me Kongresin e XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitin 1956, kur filloi për herë të parë dënimi i kultit të Stalinit dhe denoncimi i krimeve të tij. Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve në Kampin Socialist të asaj kohe, kreu i Partisë Komuniste të Polonisë, Gomulka, që kishte dalë nga burgu në vitin 1953 ku kishte vuajtur dhunën staliniste, nuk mund ta kapërdinte lehtë qëndrimin e Enver Hoxhës si besnik ndaj Stalinit. Në këtë kontekst, ato incidente që ndodhnin në selinë e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Varshavë, mendohet se vinin pikërisht për shkak të këtyre qëndrimeve të Tiranës zyrtare dhe kreut të saj, Enver Hoxhës. Për më shumë lidhur me ato incidente, na njeh dokumenti në fjalë, të cilin Memorie.al e publikon të plotë në këtë shkrim.
Letra ankesë e Enver Hoxhës drejtuar Kremlinit, lidhur me incidentet e ndodhura në ambasadën shqiptare në Varshavë
LETER DREJTUAR KOMITETIT QENDROR TE PARTISE KOMUNISTE TE BASHKIMIT SOVJETIK LIDHUR ME INCIDENTIN E KRYER NE AMBASADEN E REPUBLIKES POPULLORE TE SHQIPERISE NE POLONI
Moskë
21 korrik 1960
Morëm letrën tuaj të datës 13 korrik të vitit 1960, që bën fjalë për incidentin e padëshirueshëm që ka ndodhur në ambasadën tonë në Varshavë, si rezultat i orvatjes së një funksionari të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, për të vrarë ambasadorin tonë, shokun Muhsin Kroi.
Neve na vjen shumë keq që ndodhi një incident i tillë dhe kuptohet se nuk jemi në fajtorë për këtë incident dhe për konsekuencat që rrjedhin prej tij, por përgjegjësinë e kanë shokët polakë, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë, për të mos e lejuar një incident të tillë.
Për të qenë në korent të çështjes dëshirojmë t’ju themi se kanë ngjarë dy incidente të rënda në ambasadën tonë në Varshavë.
- Gjatë pritjes së dhënë nga ambasadori ynë në Varshavë, më 29 Nëntor 1959, me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga okupacioni nazi-fashist, një element i rekomanduar për shërbim në këtë pritje nga autoritetet kompetentë polakë, tentoi të grabiste dokumentet shtetërore dhe t’i vinte zjarrin ambasadës shqiptare, por funksionarët e ambasadës sonë ndërhynë menjëherë, e shuan zjarrin, kapën kriminelin dhe u’a dorëzuan organeve kompetente polake.
Këtë akt diversionist, duke marrë parasysh lidhjet miqësore që ekzistojnë në mes të dy vendeve tona, në frymë shoqërore dhe internacionaliste, i’a vunë në dukje verbalisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë, duke kërkuar që të merreshin masa për mospërsëritjen e gjesteve të tilla armiqësore ndaj vendit tonë.
Pas kësaj ndërhyrjeje në frymë miqësore nga ana jonë, ambasadës sonë në Varshavë, i’u dhanë ambasadës sonë një milic, i cili ruan në të njëjtën kohë edhe shumë ambasada të tjera të huaja. Të gjitha këto tregonin për ne se: Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Polonisë e trajtoi këtë çështje në mënyrë shumë të lehtë.
- Më 29 qershor të këtij viti, një ish-funksionar i ambasadës polake në Tiranë dhe pikërisht shifrant i saj, dhe tani, sikurse deklaroi ai, funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, u paraqit dhe hyri në ambasadën shqiptare në Varshavë dhe, duke nxjerrë revolverin, tentoi të vriste ambasadorin tonë, shokun Muhsin Kroi.
Funksionarët e ambasadës sonë e kapën kriminelin, e çarmatosën dhe u’a dorëzuan organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Polonisë. Nga këto dy incidente të rënda njëri pas tjetrit kuptohet se Qeveria e Republikës Popullore të Polonisë, sipas pikëpamjes sonë, jo vetëm që nuk e ka marrë seriozisht sigurimin e ambasadës sonë në Varshavë dhe të personelit të saj, po e ka trajtuar këtë çështje me një mungesë konsekuencë të rëndë dhe me një përbuzje të palejueshme, që nuk pajtohet jo vetëm me frymën miqësore dhe internacionaliste që lidh të dy vendet tona, po as edhe me normat formale diplomatike.
Mund të merret me mend se çfarë skandali ndërkombëtar do të bëhej sikur të vritej ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në mes të Varshavës nga një nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, ose të digjej ambasada jonë nga “diversionistët”?!
Ne mendojmë se këto provokacione që ngjanë, nuk janë gjëra të rastit dhe janë bërë nga elementë armiq, të cilët përpiqen të prishin marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve tona.
Përgjegjësia e organeve qeveritare të Republikës Popullore të Polonisë, sipas pikëpamjes sonë, konsiston në atë që nuk kanë marrë deri sot asnjë masë serioze për të ndaluar akte të tilla provokimi kundër ambasadës sonë dhe personelit të saj.
Nota e Qeverisë sonë drejtuar qeverisë polake është plotësisht me vend dhe karakterizohet nga një durim i madh në vështrim të zhvillimit të ngjarjeve. Por, siç duket, shokëve polakë nuk u pëlqen kur u thuhet e vërteta në sy dhe u kërkohet gjëja më elementare, të marrin masa për ruajtjen e ambasadës sonë dhe të personelit të saj.
Ishte e arsyeshme dhe e domosdoshme për çka ngjau që ne të largonim përkohësisht ambasadorin tonë nga Varshava, derisa qeveria polake të kërkonte ndjesë dhe të merrte masat e përshtatshme ndaj këtyre incidenteve, që po bëheshin një vijë e rrezikshme dhe plot konsekuenca të rënda.
Qeveria polake nuk i’u përmbajt jo vetëm normave diplomatike, po as edhe frymës miqësore dhe internacionaliste, pas këtyre dy incidenteve shumë të rënda, që jo për fajin tonë i ndodhën ambasadës dhe ambasadorit tonë në Varshavë.
Përveç kësaj, notë-përgjigjja e qeverisë polake drejtuar Qeverisë sonë, është hartuar me një ton përbuzës dhe në një mënyrë të tillë, që lë qartë të kuptohet se qeveria polake, jo vetëm nuk ka ndër mend të njohë gabimin e vet, por as edhe të marrë masa në të ardhshmen.
Notës polake ne do t’i përgjigjemi se është shumë e arsyeshme ajo që thoni ju, se kjo çështje, derisa nuk u rregullua në vijën diplomatike, të rregullohet në vijë partie, sido që për ne çdo veprim i Qeverisë përputhet me vijën dhe me vendimet e Komitetit Qendror të Partisë.
Ne ju themi se edhe këtë vijë tentuam. Kur ndodhi incidenti në fjalë, ndodhej në Shqipëri për pushime zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës Popullore të Polonisë, shoku Nashkovski Marian, i cili kërkoi të bisedonte për këtë çështje në rrugë partie, si anëtar i Komitetit Qendror.
Ne e pranuam një gjë të tillë dhe ai bisedoi me anëtarin Byrosë Politike dhe sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë sonë, shokun Rita Marko. Megjithëse kjo çështje shtrua nga ana jonë me ton dhe frymë partie, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, shoku Nashkovski, u suall jo si njeri partie, po si një diplomat.
Toni i tij ishte toni i notës polake dhe nuk u arrit asnjë rezultat. Përveç kësaj ne duhet të theksojmë se shokët polakë, në vazhdim të këtyre incidenteve të rënda, morën edhe një masë tjetër, që nuk i përshtatet fryma miqësore dhe internacionaliste që duhet të ekzistojë në mes të dy vendeve dhe partive tona.
Zëvendësministri polak i Punëve të Jashtme, shoku Nashkovski, i cili kishte paraqitur shumë herë dëshirën të vinte dhe të pushonte në Shqipëri dhe që kjo dëshirë i’u plotësua, la pushimet dhe u largua. Këtë akt ne nuk kemi si të mos e konsiderojmë si përbuzje të miqësisë vëllazërore që tregon Partia jonë ndaj shokëve polakë.
Ne mendojmë se incidentet e rënda dhe aktet jomiqësore në drejtim të vendit tonë tregojnë se shokët polakë jo vetëm janë larg njohjes së gabimeve të tyre, por dëshirojnë gjithashtu të luajnë ndaj Shqipërisë socialiste motër, kartën e një shteti të madh ndaj një shteti të vogël.
Sigurisht ata gabojnë adresë dhe harrojnë se populli shqiptar dhe Partia e Punës e Shqipërisë, as nuk kanë lindur dhe as nuk rrojnë me mëshirën e shokëve polakë.
Ne kurdoherë kemi dashur dhe dëshirojmë që me popullin, me partinë dhe me qeverinë polake të kemi marrëdhënie shumë të mira dhe shumë të ngushta, në frymën marksiste-leniniste, në frymën e barazisë dhe të internacionalizmit proletar dhe këtë rrugë do ta vazhdojmë me këmbëngulje deri në fund.
Ne nuk kemi ndonjë kundërshtim që çështja të zgjidhet midis komiteteve qendrore të të dyja partive, sikurse rekomandoni ju me plot të drejtë, por mendojmë se i takon udhëheqjes polake, qoftë në rrugë partie, qoftë në rrugë shtetërore, që të marrë iniciativën për të ndrequr këto gabime të rënda të saj dhe të japë garanci që në të ardhshmen, të mos ndodhin të tilla incidente./Memorie.al
Me përshëndetje komuniste
Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë
Enver Hoxha
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016