Dashnor Kaloçi
Memorie.al sjell pjesë nga kujtimet e aktorit të famshëm hollivudian me origjinë shqiptare, Bekim Fehmiu, të publikuara në librin e tij “Shkëlqim dhe tmerr” i botuar në Beograd në vitin 2012 nën shqipërimin e përkthyesit dhe diplomatit të njohur shqiptar, Xhelal Fejza (nga Shkodra), ku mes të tjerash Fehmiu ka treguar edhe për një takim që ai pati në Beograd pak ditë para se të vinte në Shqipëri, me Borisllav Mihajlloviç Mihizi, një nga intelektualët më të njohur të Jugosllavisë së asaj kohe, i cili iu lut që Fehmiut që t’i sillte “Gjeneralin…” një nga librat që kishte shkruar e Kadareja…
Në fillimin e viteve ’70-të me botimin në Francë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, emri dhe fama e shkrimtarit të njohur shqiptar u rrit së tepërmi dhe libri i tij filloj të kërkohej nga shumë shtëpi botuese të njohura në vende të ndryshme të botës. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe në kujtimet e aktorit shqiptar me famë botërore nga Kosova, Bekim Fehmi, në librin e tij “Shkëlqim dhe tmerr”, të botuara në vitin 2012 në Beograd nën shqipërimin e diplomatit dhe përkthyesit të njohur shqiptar, Xhelal Fejza. Në këtë libër të aktorit të famshëm shqiptar, interpretues i një sërë rolesh në kinematografinë botërore, i njohur ndryshe edhe si “Uliksi shqiptar”, zënë një vend kryesor kujtimet e tija gjatë vizitës dyjavore në Shqipëri në vitin 1972, ku ai pati rastin të takohet me një sërë personalitetesh të kulturës shqiptare si Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Pirro Milkani, etj, si dhe kolegë të tij shqiptar të Teatrit dhe Kinematografisë në Tiranë, Shkodër, Durrës etj. Një nga personalitetet e njohura shqiptare që takoi aktori i madh gjatë asaj vizite në Shqipëri, ishte dhe shkrimtari Ismail Kadare, për të cilin Fehmiu flet me superlativa, duke kujtuar edhe një takim që ai pati bërë në Beograd (pak ditë para se të vinte në Shqipëri) me Borislav Mihajlloviç Mihizi, një nga intelektualët e mëdhenj të Jugosllavisë së asaj kohe, ku mes të tjerash ai i tha: “Dëgjova se do të shkosh në Shqipëri. Atje jeton një shkrimtar që quhet Ismail Kadare. Ka shkruar një roman, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Shiko nëse mund të ma sjellësh”. Për më shumë rreth kësaj dhe disa kujtimeve të tjera të aktorit të famshëm hollivudian gjatë vizitës në atdheun e tij në Shqipëri, na njeh shkrimi i mëposhtëm që Memorie.al e sjell për lexuesit e saj.
Pasazhe nga libri me kujtime “Shkëlqim dhe tmerr” i botuar në tetorin e vitit 2012 në Beograd dhe përkthyer nga Xhelal Fejza
Bekim Fehmiu: Rrëfimet në vetën të parë
Java e filmit shqiptar. I ftuar….. Mbahej për herë të parë “Java e filmit shqiptar” në Beograd në Shtëpinë e Rinisë. Mezi arrita të shoh fundin e projektimit të njërit prej filmave. Takoj Abdurrahman Shalën, regjisorin e ri Besim Sahatçiu… Më njohën me dy regjisorë të rinj nga Shqipëria, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti. – A do të kishit ardhur tek ne si i ftuar? – më pyet Dhimitri, ai shtatshkurtri me tipare të errëta, i cili studimet e kameras dhe të regjisë i kishte kryer në Leningrad dhe në Moskë. – Me shumë dëshirë, nëse më ftoni! Atelie 212. Jam i ulur në bufe me kolegët. Hyn Borislav Mihajlloviç- Mihizi, një nga intelektualët e mëdhenj të vendit. “Dëgjova se do të shkosh në Shqipëri. Atje jeton një shkrimtar, quhet Ismail Kadare. Ka shkruar një roman të mrekullueshëm, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Shiko nëse mund të ma sjellësh”. Erdhi ftesa që të jem i ftuar i “Kinostudios”. Ditë e zymtë. Udhëtova me atë karakatinën e JAT-it. Nga avioni mund të shihet plani urbanistik i Tiranës të projektuar në mënyrë të tillë, që të mund të ndjekë rendin e fjalëve “Duçe” (kështu është quajtur Musolini). Aerodromi? Tipik për një vend të vogël dhe të varfër. Për herë të parë në Tiranë. Procedura me kufitarët e ashpër dhe me doganierët, të cilët ngjasin me aerodromin, shkoi pa vështirësi, sepse më prisnin Dhimitër Anagnosti dhe Pirro Milkani, si dhe drejtori i “Kinostudios”. – A flisni shqip? A njihni njeri në Shqipëri që do të dëshironit të takonit? Më ndihmuan të sistemoj valixhen time të udhëtimit në bagazhin e automjetit tip “Lada”. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, drejtori më pyet përsëri. – A keni ndonjë dëshirë që do të mund t’ua plotësonim sa jeni në Shqipëri? – Kam dy. E para, t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga ana e nënës sime, bashkëshortes së Bajram Currit, Dervishe Hanëmit. E dyta, të shoh dashurinë time të parë. U stepën. – Ju keni një dashuri të parë në Shqipëri? Si quhet? Prej nga është? – Nga Shkodra. Quhet Bukuroshe Tahiri. Ka një vëlla, i cili quhet Riza dhe një motër me emrin, Safete. – Mirë! Do të shohim! Më sistemuan në hotel “Dajti” në qendër të qytetit. Më pëlqeu heshtja, pa atë zhurmën e qarkullimit të automjeteve, vetëm ndonjë biçikletë. Tirana duket e bukur. Bulevarde të gjëra, me shumë lule, me pemë anash… Monumenti i Gjergj Kastriotit dominon tërë qendrën. Mikpritësit kishin organizuar shfaqjen e filmit “Odiseja”. Salla e kinemasë e mbushur plot e përplot, me të ftuar të përzgjedhur. Duartrokitje dhe pritje njëlloj sikur presin një njeriun e tyre. Me krenari, me gëzim, me ngrohtësi. Filluan vizitat zyrtare. Në Lidhjen e Shkrimtarëve, krahas me të tjerët, njihem me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin… Ismail Kadareja, intelektual tipik, me syze me skelet metalik, duke dalë më thotë: – Do të doja t’ju dhuroj romanin tim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por kam vetëm versionin në gjuhën frënge. – Do të më bëhej shumë qejfi – Më dhuroi bestsellerin e tij me dedikim. Vizitova Akademinë e Arteve. “Kinostudion”. Biseda të thjeshta. Pyetjet, profesionale. Ndjehet kërshëria e tyre, dëshira për të ditur sa më shumë. Pyetjet i bëjnë të përzgjedhurit. Jashtë në rrugë më drejtohet një djalosh me trup atleti, me sy të zinj dhe të mëdhenj, me flokë të zinj të dendur: “A mund të më jepni një autograf? Unë jam student i vitit të tretë të Akademisë së teatrit. Quhem Timo Flloko. Kam një motër në Jugosllavi. Njerëzit e mi janë nga Peja…” Ata që më shoqëronin ma bënin me shenjë që të nxitoja. – Ju do të jeni Omar Sharifi shqiptar! – i them djaloshit kur u ndamë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016