Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të planit rregullues të Tiranës të cilën e kishte marrë përsipër arkitekti Grani Strazimiri, që kur ishte student në Bashkimin Sovjetik pas vitit 1945 dhe si tentoi ai ta vinte në zbatim, kur u kthye nga studimet, në fillimin e viteve ’50-të, ai plan u miratua nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës, në mbledhjen e mbajtur më datën 12 nëntor të vitit 1953, pasi më parë ishte marrë konsulenca dhe ndihma e dy arkitektëve të njohur rus, Kratjuk e Polyakov. Çfarë parashikonte ai plan rregullues për kryeqytetin shqiptar, që i’u besua për t’u zbatuar arkitektit të ri Gani Strazimiri, cilat ishin ndërtimet dhe godinat e vjetra të periudhës së para Luftës, që nuk do prekeshin dhe ku ishin planifikuar për t’u vendosur e ndërtuar, disa nga godinat kryesore, që nga Kryeministria apo siç quhej në atë kohë “Pallati i madh i Qeverisë”, rikonstruksioni i Sheshit “Skënderbej”, ‘Teatri i Operës dhe Baletit’, ‘Pallati i madh i Ekspozitave’, ‘Muzeu Nacional’, ‘Parku Botanik’, ‘Parku Zoologjik’, ‘Hipodromi’, e deri tek ‘Teatri i madh i dramës’, etj. Të gjitha këto bëhen të ditura nga një intervistë e arkitektit Gani Strazimiri, dhënë në vitin 1953 gazetarit Hasan Petrela, për revistën “Miqësia” (organ i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik), ku ai shpjegon me detaje të gjithë punën e tij për planin rregullues të Tiranës.
Shkrimi i revistës “Miqësia” në vitin 1953, me titull “Arkitekti i ri”, i gazetarit Hasan Petrela
Në një ditë të vitit 1936, në zyrën e Ministrit të Arsimit, paraqitej një djalosh i ri, me një lutje në dorë me të cilën kërkonte nga “Shkëlqesia”, e tij, Nush Bushati, bursë për të vazhduar studimet e larta jashtë shtetit.
“Shkëlqesa”, ministër që papandehur doli te dera e zyrës, as që ja vari djaloshit, por i tha shoferit porositë e fundit:
-Kështu pra, shko në shtëpi të Saras (këtu fjala asht për Sara Blloshmin, grua imorale dhe aventuriere), dhe bashkë me të nisuni për në Durrës. Pastaj eja më merr mua. Mos harroni merrni me vete, venën franceze….., venën franceze, ehhh? dhe sytë e tij zakonisht të fikun, pa jetë sikur u ndezën atë çast, ndoshta nga një mendim që i erdhi ashtu befas….
Shoferi u largua pa fjalë, ndërsa djaloshi i zgjati lutjen: Për bursë shkëlqesisë…?
-Çka kërkoni….?
-Bursë, Shkëlqesë, kam mbarue Liceun Artistik me nota shumë të mira.
Ministri u largua, duke lënë pas zhurmën e derës që e mbylli me forcë. S’po zgjatem të tregoj se si u rrokullisën punët më vonë, se si ky djalosh u end shkollë më shkollë, nga Liceu Artistik në gjimnaz, se si shkoi në Itali dhe si u largua andej, me thirrjen e parë të Partisë Komuniste Shqiptare, se si ai pati edhe funksione politike më radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, se si i ati u vra në luftë për çlirim, duke qenë në moshë 85 vjeçare, se si fill pas çlirimit të atdheut, Pushteti Popullor i akordoi bursë për arkitekt, duke e dërguar në vendin, që ai e dashuroi me gjithë shpirt, në atdheun e madh të socializmit, s’po zgjatem të tregojmë se: atje në mes të mësonjësve sovjetik, ai u diplomua arkitekt, po dua të theksoj se që nga ajo ditë e vitit 1936, kanë kaluar plot 17 vjet, e djaloshi i dikurshëm – tani një burrë serioz me tamtha krejt të thinjuna, sot është arkitekt, shefi i Sektorit të Urbanistikës pranë Ndërrmarje – Projekti në Tiranë.
E gjeta në punë e sipër, kah po vizatonte me laps mbi një letër transparente, do pallate të mëdhenj, të bukur….
– Ç’ka janë këto…?! – e pyeta miqësisht pasi u njoftëm….-
– Pallatet të rinj për Tiranën….
-Ju keni në dorë dhe planin rregullues të Tiranës?!!….
-E kush u’a tha?!…më pyeti dhe më shikoi me sy shqyrtonjës.
-Drejtori, pse nuk është e vërtetë, a?!….Lëshoi një psherëtimë dhe pa u menduar, më tha:
-Ah, ç’jeni ju gazetarët, gjë s’leni pa marrë vesh?!
-Unë për ju kam ndërmend të shkruaj…..
-E çfarë do të shkruani për mua?!
-Që jeni një arkitekt i ri, e që….
-Ma preu menjëherë fjalën: – Ka plot arkitektë këtu. Çdo vit po shtohet numri i tyre….
-Po ju keni në dorë planin rregullues të qytetit tonë të dashur…- U duk se diçka mendonte. Pastaj buzëqeshi dhe tha ngadalë:
-Këtu, secili nga ne ka në dorë një diçka të bukur. Mirë është, p.sh., të shkruani për ndërtimet në qytetin e punëtorëve ne patos. Ja, shikojeni atë djaloshin atje -është inxhinieri i ri, Koço Miho, që këtë vit u kthye nga Bashkimi Sovjetik. Shikoni atë tjetrin përtej, -asht Remzi Skënderi. Ai ka në dorë planin rregullues të Rrogozhinës, qyteti i ardhshëm industrial. Kurse arkitekti Kristaq Sahatçia, ka ndërtimet për vitin 1954 në qytetin e Durrësit. Pse, a më pak interesante janë këto? Në atdheun tonë kudo bëhen ndërtime madhështore.
-E pse të mos shkruajmë mbi planin rregullues të Tiranës? – e pyeta mbas një heshtje të shkurtër.
-Jo, unë s’kam asnjë kundërshtim, bile unë gëzohem, po do t’u lutem që për mua të mos thoni asnjë fjalë.
-Ai bëri një gjest me dorë, dikujt i dha përgjigje për atë ç’ka e pyetën, e vijoi:
-Jemi dakord?! …
-Po! Ju përgjigja pa dashje. Këtu dua t’i jap nji sqarim të vogël lexonjësve tanë. Historinë e sipërme të djaloshit unë e kam dëgjue, prej dikujt tjetër. Nga nji mik i ngushtë i tij, se ai vetë, s’më foli gjysëm fjale për jetën e tij, për punën e madhe që ka bërë, qysh kur ishte student në Moskë, ku mori përsipër të paraqesë planin rregullues të Tiranës, plan i cili më vonë me ndihmën e madhe të arkitektëve të famshëm sovjetik, Kratjuk dhe Paljakov, që erdhën dhe e studiuan në vend Tiranën, u bë konkrete e u aprovua nga Komiteti Ekzekutiv i qytetit të Tiranës, natën e 12 nëntorit 1953.
-Ju doni të dini si do të jetë Tirana pas 20 viteve?!….më pyeti arkitekti. Kur i shfaqa dëshirën se po, atëherë u ulëm pranë njëri tjetrit dhe ai filloi të më flasë, me pasion mbi këtë plan madhështor të qeverisë tonë.
-Projekti i planit është bërë në bazë të principeve socialiste të ndërtimit, në mbështetje të eksperiencës shumë të pasur të zhvillimit të qyteteve socialiste në Bashkimin Sovjetik. Ky plan ka filluar të realizohej qysh tani. Në Shallvaren, gjatë Lanës, e karshi kryeministrisë janë ngritur pallatet katër pesë katëshe. Këto ndërtime po në këtë zonë, do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme të pesëvjeçarit në vijim.
-Po ky pesëvjeçar a parasheh fillimin e punimeve për Teatrin e Madh të Operës dhe Baletit? Ju shpesh herë kaloni në Rrugën “Konferenca e Pezës”. Ndaluni për një moment para dyqanit të oficerëve. Shikojeni me kujdes atë vend: Aty do të jetë Teatri i Madh. Ky pallat – një nga ndërtesat më të mëdha të qytetit – do t’ja ndryshojë të gjithë pamjet qendrës së kryeqytetit. Mendo se vetëm si ndërtesë janë parashikue ma shumë se 80 milion lekë.
-Gjithnjë në bazë të planit rregullues, do të ndërtohen kopshte e çerdhe fëmijësh, shkolla, institucione etj. Nji vend me rëndësi në këtë mes, do të zërë “Pavijoni i Ekspozitave”, i cili do të ndërtohet aty ku është “Kursali”…
-Sheshi kryesor i qytetit – do të jetë aty ku është edhe sot, po do të pësojë zgjerim dhe rikonstruksion. Duke u nis nga fakti, se qyteti e ka hyrjen kryesore nga perëndimi dhe si sfond malin e Dajtit, pallati i madh i qeverisë, në të gjitha variantet, vendoset në Pazarin e Vjetër, me fasadën kryesore nga perëndimi, duke zënë kështu vendin më dominues dhe më të rëndësishëm të kryeqytetit. O, çfarë ndërtese madhështore do të jetë ajo e qeverisë. Është parashikue që edhe arkitektura e saj, të jetë e një mjeshtërie të naltë, duke e bërë kështu ndërtesën më dominuese. Para sajë m’u në ballë, do të jetë monumenti i J. V. Stalinit dhe tribuna e paradave e manifestimeve të mëdha…
-Qyteti do të jetë krejtësisht i gjelbëruar. Një park madhështor do të ngrihet prapa Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare. Ky park, nëpërmjet një zone gjelbërimi, që kalon majtas e djathtas Bulevardit “Heronjtë e Kombit”, lidhet me qendrën e kryeqytetit. Hyrja kryesore në këtë park, asht nga sheshi para Ministrisë së Mbrojtjes, ku do të ngrihet nji monument. Mendohet që pallati i sotëm i Ministrisë së Mbrojtjes, të bahet Muzeum Nacional dhe në majën e kodrës, që ngrihet prapa kësaj ndërtese, të ngrihet panorama e Luftës Nacionalçlirimtare. Panoramë, quhet një ndërtesë madhështore, ku brenda sajë do të paraqiten në reliev dhe maket, pikture e skulpture, momentet më të rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare.
-Në parkun qendror do të përfshihet edhe stadiumi i madh Kombëtar “Qemal Stafa”. Këtu parashikohet të ngrihet edhe Parku Zoologjik me një liqen artificial. Përveç parqeve me karakter publik, është projektua edhe Parku Botanik dhe Hipodromi në jugperëndim të Tiranës. Në një mënyrë uniforme, janë shpërndarë në qytet edhe qendrat sportive rajonale.
-Si qendër pushimi për punonjësit e kryeqytetit, propozohet të jetë fusha e malit të Dajtit, 1000 metra mbi naltësinë e detit. Përveç kësaj fushe, mendohet se edhe Brari do të jetë qendër pushimi, ku me pak shpenzime do të krijohet një liqen për banjo për kryeqytetasit. Një tjetër liqen i tillë, mendohet të ngrihet përtej urës së Beshirit…Po ashtu do të ndërtohet edhe Teatri i madh i Dramës, edhe…
-Mbi këto, befas, dikush, – ishte një vajzë me trup të hollë e me flokë të verdha – që na e preu bisedën.
-Shoku Gani Strazimiri, po ju kërkon drejtori – ….i tha ajo arkitektit.
-Arkitekti më shikoi më dashuri. – Më lejoni një minut? Më pyeti. Në thellësitë e syve të tij, m’u duk sikur shija Tiranën e ardhshme, Tiranën madhështore, epiqendrën industriale e kulturale të Shqipërisë Socialiste. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016