Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumenta të nxjerra nga një sërë dosjesh të arkivave sekrete të CIA-s (CENTRAL INTELLIGENCE AGENCY), ku bëhet fjalë për marrëdhëniet e acaruara ndërmjet Tiranës zyrtare dhe Moskës në vitet 1960-’61 kur ndodhi çarja dhe prishja përfundimtare e marrëdhënieve të tyre të cilat jepen në mënyrë permanente dhe kronologjike duke u përshkruar me hollësi gjithçka ka ndodhur në mes dy vendeve. Këto dokumente, të cilat janë ruajtur për afro gjysmë shekulli në arkivat sekrete të CIA-s në Washington, dhe tashmë të deklasifikuara, i janë dhuruar vetëm para disa kohësh Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar nga z. Ch. Osterman, i cili është president i “Cold War International History Project”, pranë “Woodrow Willson Center”. Ndërsa burimi origjinal nga janë marrë këto dokumente, është “National Security Archive, George Washington University” (Arkivi Kombëtar i Mbrojtjes i Universitetit “Xhorxh Uashington”).
Prishja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në fillimin e viteve ’60-të, si dhe konfliktet e vazhdueshme që u zhvilluan deri në atë kohë ndërmjet udhëheqësve kryesorë të dy vendeve, Enver Hoxhës dhe Nikita Hrushovit, si dhe dy partive komuniste që udhëhiqeshin prej tyre, duket se nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga shërbimet sekrete amerikane. Kjo gjë vërehet edhe nga një sërë dokumentesh të arkivave sekrete të CIA-s (CENTRAL INTELLIGENCE AGENCY), ku marrëdhëniet e acaruara që u krijuan asokohe ndërmjet Tiranës zyrtare dhe Moskës, jepen në mënyrë permanente dhe kronologjike duke u përshkruar me hollësi gjithçka ka ndodhur në mes tyre. Këto dokumente, të cilat janë ruajtur për afro gjysmë shekulli në arkivat sekrete të CIA-s në Washington, dhe tashmë të deklasifikuara, i janë dhuruar vetëm para disa kohësh Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit shqiptar nga z. Ch. Osterman, i cili është president i “Cold War International History Project”, pranë “Woodroë Willson Center”. Ndërsa burimi origjinal nga janë marrë këto dokumente, është “National Security Archive, George Washington University” (Arkivi Kombëtar i Mbrojtjes i Universitetit “Xhorxh Uashington”). Nga këto dokumente, të cilat i përkasin periudhës nga mesi i viteve ’50-të deri në muajin mars të vitit 1962, kur dhe ndodhi prishja përfundimtare e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik, redaksia e Memorie.al ka zgjedhur për botim disa pjesë të përmbledhjes së dokumenteve të CIA-s, ku flitet për mosmarrëveshjet shqiptaro-sovjetike.
Dokumentat e CIA-s: Prishja e sovjetikëve me Shqipërinë në 1961-in
Në pesë javët që pasuan ndërmjet Kongresit XXII të PKBS-së (31 tetor) dhe prishjes (ndërprerjes) së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-sovjetike (3 dhjetor), ngjarjet rrodhën me shpejtësi nëpërmjet linjave që ishin paralajmëruar nga kongresi. Këto zhvillime në lidhje me polemikat shqiptaro-sovjetike dhe veprimet që lidhen me to, mbështetjen e “Perpingut” për Shqipërinë dhe paralajmërimet sovjetike ndaj vetë Kinës, po i japim më poshtë ashtu siç janë diskutuar. Partia e Punës e Shqipërisë deklaron luftën me editorialin e gazetës së saj të 1 nëntorit, duke e paraqitur Hrushovin si një gënjeshtar, shpifës, imponues (ngacmues) e intrigues antimarksist, dhe duke theksuar se Çu En Lai e kishte kundërshtuar hapur veprimin e Hrushovit në kongres. “People’s Daily” (E përditshmja e popullit) e Peiping-ut e ribotoi këtë, ashtu si dhe deklaratën shqiptare të 20 tetorit, fjalimin përmbledhës të 27 tetorit të mbajtur prej Nikita Hrushovit, rezolutën e 28 tetorit për largimin e trupit të Stalinit nga mauzoleumi, dhe një editorial shqiptar të së njëjtës datë në baza marksiste-leniniste për politikën e jashtme shqiptare. Në një material të tillë, “Perping” për herë të parë botoi sulmet ndaj Hrushovit nga udhëheqësit e tjerë të partisë. Ekzistonin kthime të mprehta shqiptaro-sovjetike në vetë “Perping”-un gjatë festimeve të përvjetorit të Revolucionit Sovjetik të Tetorit (7 nëntor) dhe përvjetorit të Partisë së Punës së Shqipërisë (8 nëntor). Ambasadori sovjetik, Çhernonçenko, duke folur në mënyrë ngacmuese, denoncoi Partinë e Punës të Shqipërisë, për bindjen në stalinizmin dhe përpjekjet për përçarjen e lëvizjes botërore. Shqiptarët me sa duket u larguan në 8 nëntor, ndërsa ambasadori shqiptar, në një tjetër ngacmim, këmbënguli në besnikërinë e Partisë së Punës të Shqipërisë ndaj marksizëm-leninizmit dhe deklaratave të dhëna në 1957 e 1960. Ai citoi përpjekjet e shqiptarëve për të forcuar unitetin e lëvizjes dhe argumentoi se ishin ata të cilët ishin përpjekur të përjashtonin PPSH-në nga lëvizja botërore për mos rënien dakord me vendimet e Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të cilët ishin përçarësit e lëvizjes. Fjalimi më i rëndësishëm në këto raste u mbajt nga Enver Hoxha në Tiranë në 7 nëntor, i cili u adresohej dy përvjetorëve dhe çështjeve të strategjisë, autoritetit dhe disiplinës e lidhjeve shtetërore. Duke paraqitur armiqtë e tij Tito dhe Hrushov si imperialistë, Hoxha akuzoi Hrushovin personalisht për shpifje, shantazh e “bllokadë” dhe ai krahasoi këtë me rolin e Stalinit si mik dhe mbrojtës i Shqipërisë. Hoxha këmbënguli se meritat e Stalinit tejkalonin dobësitë e tij (saktësisht pozita kineze). Ai sulmoi Hrushovin se po përdorte çështjen e stalinizmit për të poshtëruar njerëzit që nuk i pëlqente, dhe tha se vetë Hrushovi ishte fajtor flagrant i ndërtimit të “kultit të individit”. Sa dhe për çështjet e strategjisë, Enver Hoxha nuk pranoi pozitat e Partisë Komuniste të BRSS-së me terma dhe argumente të përdorura nga Partia Komuniste e Kinës në sulmin ndaj pozitave sovjetike (shpesh duke i shtrembëruar ato me qëllim që ta bënte një gjë të tillë). Hoxha vuri re se ishte praktika revizioniste që citonte kushtet e reja me qëllim që të justifikonte një pikëpamje “oportuniste” dhe për të përshkruar një opozicion si “dogmatik”, ose aventuresk. Ai tha se Hrushovi, nën pretekstin e luftimit të dogmatizmit, bastardoi marksizëm-leninizmin dhe u shkëput nga principet themelore (pikërisht si akuza kineze). Paraqitja sovjetike e balancës së forcës, tha ai, nxiti iluzionet e “reformistëve dhe pacifistëve” dhe dobësoi luftën kundër imperializmit. Ai kritikoi pikëpamjen “jokorrekte” dhe “të dëmshme” që imperializmi u tërhoq nga luftërat dhe tha se në përpjekjet për të shmangur luftërat duhet të theksohet fuqia e bllokut dhe lufta e njerëzve, dhe jo “qëllimet e mira” të Perëndimit. Nuk ishte Shqipëria që u frikësua nga imperializmi, por ai, Hrushovi, që kishte shtyrë një marrëveshje gjermane. (Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, më 30 janar 1962, iu përgjigj kësaj akuze. Një komentator argumentoi se nuk bëhej fjalë për “frikë” ose mungesë të saj, por për nevojën për të gjetur një zgjidhje. Ai e përshkroi sjelljen e Shqipërisë si “aventurë”). Hoxha gjithashtu e kritikoi Hrushovin personalisht për përpjekjen për të realizuar një “bashkekzistencë paqësore” si linjë të përgjithshme të politikës së jashtme të Bllokut, për të theksuar mundësinë e ardhjes së paqes, për t’u fuqizuar nëpërmjet partive komuniste dhe për të bërë për vete Jugosllavinë.
“Hoxha akuzon Hrushovin”
Sikurse për problemet e autoritetit dhe disiplinës, Hoxha përsëri bëri ndaj Hrushovit të njëjtat akuza që Kina kishte bërë ose ishte përgatitur për t’i bërë. Ishte e vërtetë, tha Hoxha, se Partia e Punës e Shqipërisë u distancua nga vendimet e Kongresit të 20-të të BRSS-së (sikurse është nënvizuar më sipër), por ishte e lirë të vepronte kështu, sepse vendimet e një partie nuk mund të ishin të detyrueshme për partitë e tjera (pozicioni kinez). Në sulmet publike të Partisë së Punës së Shqipërisë, vazhdoi ai, Hrushovi dhunoi principet e deklaratës së dhjetorit të 1960-s (e cila bëri thirrje për konferenca ndërkombëtare nëse takimet dypalëshe dështonin). Për shkak se Hrushovi kishte dështuar në Konferencën e Bukureshtit të nëntorit të 1960-s për bashkimin e partive në mënyrë solide (kundër kinezëve dhe shqiptarëve), ai u “frikësua” nga një tjetër konferencë dhe përdori kongresin e partisë së tij për të sabotuar një konferencë të tillë. Hoxha gjithashtu rishikoi hapat që Hrushovi kishte ndërmarrë në lidhjet shtet me shtet, si p.sh.: tërheqja e kredive dhe e specialistëve, kërkesa për ri pagim të shpejtë të kredive të vjetra, reduktimi i dukshëm i tregtisë, heqja e bursave të studentëve shqiptarë në BRSS, adaptimi i vlerësimeve ushtarake të paspecifikuara dhe përgojimi i Shqipërisë në shtyp (shpifje ndaj saj). Hoxha pohoi se shtete të tjera të Europës Lindore kishin bashkëpunuar në përpjekjen për izolimin e Shqipërisë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Së fundi, Hoxha tha se Hrushovi ka shkuar aq larg sa të kërkonte haptazi përmbysjen e udhëheqjes shqiptare. Hoxha konkludoi me një shprehje besimi se Hrushovi do të dështonte. Ai ishte shprehur më parë në fjalim se kishte miq të cilët “nuk na kanë lënë dhe nuk do të na lënë në baltë” dhe ai e specifikoi këtë në fund duke thënë “popujt” sovjetikë dhe kinezë e popujt e tjerë miq. Shkurtimisht, si pasojë, ambasada shqiptare në Moskë filloi të zhvendoset në një mision tjetër, duke përfshirë ato të vendeve me të cilat Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Dy nga artikujt ishin: Deklarata e Komitetit Qendror e 20 tetorit dhe fjalimi i Hoxhës i 7 nëntorit.
“Hoxha kërkon rrëzimin e Hrushovit”
Sipas akuzave të besueshme sovjetike, shqiptarët gjithashtu dërguan një material të tillë komiteteve qendrore të organizatave të partisë sovjetike në republikat (me sa duket si pjesë e përpjekjeve të tyre për të përmbysur Hrushovin), dhe ata gjithashtu intensifikuan përdorimin e studentëve shqiptarë në BRSS për të përçuar “propagandën antisovjetike”. Hoxha në fjalimin e tij të 7 nëntorit tha direkt çdo gjë që duhet të thoshte, nga pikëpamja kino-shqiptare dhe deklarimet e tjera shqiptare, ndërmjet 7 Nëntorit dhe marrjes së notës sovjetike të 3 dhjetorit për prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, pa shtuar pothuajse asgjë. Një nga çështjet e fjalimit të Hoxhës, që Hrushovi ishte një “djall me brirë” për inkurajimin e Greqisë për luftë me Shqipërinë, u zgjerua në një tjetër orator më 25 nëntor, i cili pohoi se Hrushovi inkurajonte “ujqërit imperialistë” të sulmonin Shqipërinë. I njëjti folës paraqiti Partinë Kineze si “shembull të shkëlqyer për komunistët në të gjithë botën”. Me një parti të tillë shqiptarët do të marshonin së bashku përmes “stuhive e shtrëngatave”. Në 21 nëntor, “Pravda” pohoi se “Lëvizja Komuniste Ndërkombëtare” (d. m. th. shumica e partive) kishin kundërshtuar vendosmërisht udhëheqësit shqiptarë, por se më vonë jo vetëm nuk e kishin marrë parasysh (nuk i kishin kushtuar vëmendje) këtë kritikë, por aktualisht kishin “thelluar gabimet e tyre” duke përgojuar Partinë Komuniste të BRSS-së dhe të tjerat dhe duke u përpjekur për të fshehur aktivitetin e tyre përçarës. Në 25 nëntor zëvendësministri i Jashtëm sovjetik thirri ambasadorin shqiptar në Moskë dhe i bëri atij dy deklarata. Një prej tyre vërente se puna e ambasadorit sovjetik dhe e diplomatëve të tjerë sovjetikë në Tiranë ishte bllokuar, se vetë ambasada ishte “izoluar”, se shqiptarët kishin kërkuar një reduktim të stafit të ambasadës rreth 2/3 dhe, si rrjedhim, personeli i saj do të ishte kthyer në Moskë që nga mesi i gushtit. Deklarata tjetër protestonte për veprimet e ambasadës shqiptare në Moskë për qarkullimin e materialit antisovjetik i përmendur më sipër dhe për përdorimin e studentëve shqiptarë për qëllime të tilla, dhe kërkoi kthimin mbrapsht të ambasadorit shqiptar. Në 27 nëntor, “Pravda” përsëriti një numër akuzash (të përmbledhura si “mashtrim, pandershmëri, aventurizëm dhe shkelje mizore e principeve të internacionalizmit proletar”), siç bëri “Izvestija” në 29 nëntor. Shtypi sovjetik përmbysi trajtimet e mëparshme të ditëve kombëtare të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, të dyja në 29 Nëntor, duke komentuar në një mënyrë miqësore Jugosllavinë dhe në një jomiqësore Shqipërinë.
“Pravda” i përgjigjet Hoxhës
Në 2 dhjetor (një ditë përpara datës së notës sovjetike të mbylljes së ambasadës sovjetike në Tiranë), “Pravda” iu përgjigj fjalimit të Hoxhës së 7 nëntorit. E prekur dukshëm nga akuza e Hoxhës se Hrushovi kishte ndërtuar “kultin e individit”, “Pravda” mbrojti “Shërbimin historik” të shokut Hrushov, personalisht në restaurimin e metodave leniniste dhe shpirtit leninist në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe marrëdhëniet brenda Bllokut komunist. Ai përsëriti se “grupi antiparti” në BRSS dhe udhëheqësit shqiptarë po ashtu dëshironin të merrnin një kurs regresiv. Duke paralajmëruar çarjen, artikulli trajtonte Shqipërinë se pothuajse ishte “izoluar” vetë dhe se ishte shkëputur vetë nga Pakti i Varshavës dhe CEMA. Duke diskutuar thënien e Hoxhës për të qenë i lirë për të mos u pajtuar me vendimet e Kongresit të Partisë Sovjetike, “Pravda” mbrojti pikëpamjen se “të gjitha” partitë kishin miratuar rezultatet e Kongresit të 1956-s. Kjo nuk ishte krejtësisht e vërtetë: megjithëse të dy palët, kinezët dhe shqiptarët, e kishin miratuar raportin e Hrushovit në atë kongres, kinezët dhe të tjerët shpejt kishin kritikuar trajtimin e destalinizimit, dhe kinezët bile, pastaj nuk kishin miratuar një nga tezat themelore të strategjisë. Ndërsa përsa i përket akuzës së shkeljes së marrëveshjes për të zhvilluar konferenca shumëpartiake për të zgjidhur mosmarrëveshjet, “Pravda” e shmangu këtë me argumentin se kishte qenë e nevojshme të ndërmerrej një kritikë e ashpër publike përballë përpjekjeve të shqiptarëve për “të minuar unitetin e shtetit socialist”. “Pravda” përsëriti se Partia e Punës e Shqipërisë kishte refuzuar vazhdimisht përpjekjet e sovjetikëve për të ri zgjidhur konfliktet, dhe citoi editorialin shqiptar të 5 tetorit, i cili shkonte aq larg, sa pohonte se marrëdhëniet e Shqipërisë me BRSS-në pas kësaj do të drejtoheshin nga “principet e bashkekzistencës paqësore”, d. m. th. principet që udhëheqin marrëdhëniet midis shteteve me “sisteme të ndryshme sociale”. “Pravda” vazhdoi të kritikonte sjelljen e shqiptarëve që nga Kongresi, veçanërisht fjalimin e Hoxhës (të 7 nëntorit) plot “abuzime” dhe që përmban “shpifje të turpshme” të pa precedenta se BRSS-ja dhe Jugosllavia kishin komplotuar për të provokuar revoltën në Hungari më 1956. Artikulli i “Pravdës” konkludoi me një shprehje besimi se Blloku (me sa duket me një udhëheqje të re shqiptare), do të dilte nga problemet e tij “edhe më monolit”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016