Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, të cilat janë pjesë e një dosje ku bëhet fjalë mbi historinë e rrallë dhe të panjohur të Ilia Lekës me origjina nga fshati Glinë i minoritetit grek të Gjirokastrës, familja e të cilit nga viti 1945-së jetonte në internim në fshatrat e Myzeqesë dhe babai i tij, Theodhoriu, ishte arrestuar që në vitin 1951 dhe vuante dënimin në kampe dhe burgje, i akuzuar si “agjent i Zbulimit Grek”.
Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar Ilian dhe më pas për ta arrestuar atë dhe arratisja e Ilias, së bashku me të vëllanë Kriston dhe xhaxhanë e tyre në Greqi, ku pas disa letrave kërcënuese që Ilia i bënte Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, ku i’u kërkonte që ta nxirrnin të atin nga burgu dhe bashkë me gruan e djalin, ta lejonin të vinte në Greqi, ata të tre bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, e cila zgjati deri në vitin 1984.
Grevë e cila shkaktoi probleme të mëdha diplomatike në mes dy vendeve, pasi sensibilizoi jo vetëm parlamentin grek dhe qeverinë e Athinës, por edhe shtypin grek dhe disa parti ultra-nacionaliste e qarqet shoviniste vorio-epiriote, me në krye Mitropolitin Sevastianos, që e shfrytëzuan atë për interesat e tyre, si dhe fjalimet e Ilia Lekës në Parlamentin Europian dhe Kongresin Amerikan, për shkeljen e të drejtave të njeriut në regjimin komunist në Shqipëri, deri sa e detyruan Enver Hoxhën të dilte dhe të deklaronte publikisht: “I them me përgjegjësi popullit vëlla grek se në burgjet shqiptare janë vetëm 46 shtetas nga minoriteti grek dhe vetëm 4 prej tyre për faje politike”, si dhe Ramiz Alinë që ta lironte nga burgu Theodhori Lekën në vitin 1989, duke e lejuar të shkonte përgjithmonë në Greqi.
Raport-informacioni i ambasadës shqiptare në Athinë, për Ministrinë e Jashtme në Tiranë
AMBASADA E R.P.P.S. TE Athinë më 19.3.1984
SHQIPERISE
ATHINE
MINISTRISË SE PUNËVE TE JASHTME
(Drejtorisë së 3-të)
T i r a n ë
“Greva e urisë dhe demonstrata e 22 Shkurtit, pjesë e fushatës antishqiptare”
Prej vitit 1981, forcat reaksionare dhe qarqet shoviniste vorio-epirote të nxitura dhe të përkrahura nga reaksioni ndërkombëtar, kanë filluar në Greqi një fushatë të shfrenuar antishqiptare. Kjo, fushatë, me ndonjë periudhë qetësie relative, ka ardhur gjithmonë duke u ngritur. Në kuadrin e kësaj fushate, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh shoviniste pothuaj në të gjithë qytetet greke, organizatat fashiste dhe deri në një farë mase edhe “Demokracia e Re”. Pavarësisht nga synimet e ndryshme që ndjekin këto forca, ato në aktivitetin reaksionar dhe shovinist kundër vendit tonë kanë qenë të bashkuara. Për qëllimet e tyre këto forca kanë shfrytëzuar edhe disa kriminelë të arratisur nga vendi ynë, veçanërisht kriminelin Ilia Leka, të cilën e kanë përdorur për të folur në mitingjet shoviniste dhe në provokacionet kundër ambasadës. Gjithashtu kriminelin Ilia Leka e kanë përdorur për të bërë presion me kërcënime ndaj ambasadës, nëpërmjet telefonave, letrave provokuese për takime, etj. Ai është nxitur deri atje sa të dërgojë letra kërcënimi edhe udhëheqësve të partisë dhe të shtetit tonë.
Në të gjithë këtë fushatë antishqiptare, aktiviteti më i gjerë dhe më i organizuar ishte inskenimi i “Grevës së urisë”, që u bazua mbi një plan të studiuar mirë dhe që jepte mundësi për një gamë të gjerë aktivitetesh propagandistike dhe një shtrirje më të gjatë në kohë.
Më 6 shkurt 1984, rreth orës 9 e 30 në mëngjes, të arratisurit nga vendi ynë, kriminelët, Ilia, Spiro dhe Kristo Leka, të shoqëruar nga xhaxhai i tyre me banim në Amerikë, K. Muka, N. Pleqi, si dhe nga disa të tjerë që më vonë do të paraqiteshin si “Komiteti Organizator në Përkrahje të Grevës së Urisë”, u vendosën përballë ambasadës. Menjëherë vendosën disa parulla të mëdha ku shkruhej: “Kriminelë, larg duart nga të afërmit tanë”, “Kërkojmë familjet tona nga Shqipëria”, “Grevë e urisë së të arratisurve vorio-epirotë”, si dhe të disa pllakate me fotografi e shkrime mbi familjen e Ilia Lekës. Shumë shpejt ndërtuan një çadër dhe filloi në rrugë shpërndarja e fletushkave ndër kalimtarët. Ndërkohë një nga anëtarët e “Komitetit Organizator”, filloi të lexonte herë pas here, një tekst të përgatitur me kërkesat e grevistëve.
Duhet thënë, se me vendosjen e tyre, u sollën edhe forca të tjera të policisë, të cilat njoftuan në Përfaqësi mbi planin e grevistëve për të dorëzuar një peticion, gjë që tregon se policia ishte në dijeni të plotë të “programit” për këtë aktivitet. Në fakt, prej disa ditësh nga ana e policisë ishte përforcuar patrullimi i ambasadës, dhe kjo që e lidhur me një telefonatë anonime, sipas të cilës “në rast se vritej Mitropoliti Sebastianos, Ambasada shqiptare do të hidhej në erë”. Një masë e tillë e policisë, veçanërisht nga shtypi reaksionar u deformua dhe u paraqit si një nga “makinacionet e zakonshme të ambasadës shqiptare”.
Po të ndalemi në këtë moment pasi kjo na kujton “episodin e rrëmbimit” të 15 marsit 1983 dhe publicitetin e dhënë në shtyp, që ka synuar tërheqjen e vëmendjes së opinionit publik grek dhe përgatitjen e terrenit për ngjarjet që do të pasonin. Ky “episod”, kemi mendimin se i parapriu “Grevës së urisë”. Gjithashtu, vlen të theksojmë vizitën dhe aktivitetet e zhvilluara nga Kryetari i QEVA-s, Kryepeshkopi i Kishës Greke, Serafim në Jugosllavi, si dhe nga Mitropoliti fashist, Sebastianos dhe krimineli Ilia Leka në SHBA, ku muarnë kontakte të shumta me drejtuesit e organizatave pan epirote të SHBA dhe Kanada si dhe me kongresistë amerikanë, e Kreun e Kishës Ortodokse të Amerikës Latine, Jakovo, etj. Po kështu ata folën përpara Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Kongresit Amerikan. Gjatë kësaj vizite ju dhanë mjete financiare e u shfrytëzuan për të ngritur gjendjen morale të organizatave dhe elementëve të ndryshëm vorio-epirotë në SHBA. Po kështu u morën sigurime se qarqe amerikane që janë të interesuara për gjendjen e “400.000 grekëve vorio-epirotë” do të japin ndihma të vazhdueshme financiare dhe do të mbështesim veprimtarinë e tyre nëpërmjet lidhjeve e kanaleve të tyre në Greqi dhe në planin ndërkombëtar”.
Ishte pikërisht në këto momente, që më 6 shkurt 1984, filloi të vihej në zbatim dhe t’i jepej një impuls i ri fushatës anti-shqiptare nëpërmjet forcave shoviniste e reaksionit në Greqi, në kuadrin e një plani të gjerë antishqiptar.
Duke filluar nga data 7.2.1984, e duke përdorur si shkak “Grevën e urisë”, forcat e reaksionit, dhe kryesisht forcat e djathta ekstreme, si: ENEK, ONNED (forcat ekstremiste të saj), SFEVA, QEVA, sillogu vorio-epirot, priftërinjtë si dhe disa vagabond të arratisur nga vendi ynë, u angazhuan në mënyrë të ethshme në një fushatë të ndyrë provokuese, propagandistike vetëm disa metra larg ambasadës. U zgjerua çadra e grevistëve, u vendosën stendat e mëdha dhe material të poshtra shpifëse kundër vendit tonë, u ngrit qendra e zërit, me dy artopolante shumë të fuqishëm, nëpërmjet të cilëve do të villej vrer kundër vendit tonë, udhëheqjes sonë, popullit tonë dhe personelit e aktivitetit të ambasadës. Shënojmë se u sollën sasi shumë të mëdha fletushkash të shtypura dhe të ilustruara me fotografinë e familjes së kriminelit Llia Leka. Në këtë shpërndarje u angazhuan çdo ditë më shumë se 6-7 vetë, të cilët duke përfituar nga qarkullimi që ka rruga përpara ambasadës, shpërndanë sasira të konsiderueshme në çdo kalimtar që dhe makinë që kalonte aty. Këto ditë pranë tyre qëndronin rreth 10-15 vetë duke u ndërruar, por prezenca e tyre ishte e vazhdueshme. Intensiteti i megafonave duket që shkaktoi reagimin e banorëve të zonës, veçanërisht të Spitalit të Marinës. Për këtë arsye, duket me ndërhyrjen e policisë, transmetimeve nëpërmjet kësaj qendre zëri, ju vu një orar i caktuar: Prej orës 10.00 në 13.30 para dite dhe prej orës 17-20.30 në mbas dite. Tekstet që transmetoheshin në fillim nëpërmjet saj ishin të parapërgatitura dhe përsëriteshin në mënyrë monotone, por me kalimin e ditëve ata filluan të transmetojë programe të plota të shoqëruara me këngë shoviniste vorio-epirote, këngë patriotike greke, fjalime të incizuara në mitingje të ndryshme, të kriminelit Leka, (kaseta janë riprodhuar dhe shpërndarë në këto qarqe), me shpifje ndaj realitetit në vendin tonë dhe minoritetit grek në Shqipëri. Theksojmë se këto fjalime, përmbajtja e tyre janë përgatitur me kujdes dhe me nuanca që prekin dëgjuesin, dhe janë të “interpretuara” mbi bazën e një përgatitje aktoreske të kriminelit Leka.
Shkurtimisht po përmendim disa parulla dhe deklarata nëpërmjet kësaj qendre zëri. Vendin kryesor në këtë thirrje ja lënë kërkesës “për kthimin e familjeve të arratisurve vorio-epirotë”, gjë që u përpoqën në çdo moment ta paraqesin si një aspekt njerëzor, ndaj të cilit në përgjithësi opinion publik grek është mjaft i ndjeshëm. “Çdo burrë ka të drejtë të ketë pranë gruan, fëmijët dhe familjen….”, “Regjimi i Hoxhës nuk ka asnjë të drejtë të mbajë familjet greke nëpër burgje….”, “Kërkojmë lirimin e 25.000 të burgosurve politikë. Të kthehen në shtëpitë e tyre 100.000 grekërit e internuar. T’u jepen të drejtat njerëzore 400.000 grekëve të vorio-Epirit, të hapen shkollat, kishat, kufijtë…” etj. Krahas këtyre, në çdo moment hidheshin parulla fyerje e provokuese ndaj udhëheqësit të vendit tonë duke lëshuar insinuata të tilla si “Fashist, diktator, hitler”, etj. Po kështu flitej për vendin tonë duke e karakterizuar si “skëterrë”, ku bashkë me grekërit vriten dhe shtypen edhe shqiptarët…”. Sharje dhe fyerje të ndryshme lëshoheshin edhe ndaj ambasadës, duke e konsideruar personelin e saj “agjentë dhe kriminelë të Hoxhës”, dhe në mënyrë të veçantë të tilla insinuata drejtoheshin kundër titullarit të ambasadës që konsiderohej “si grek tradhtar, renegat, etj”. Kërkohej vazhdimisht largimi i ambasadës dhe titullarit të saj dhe ftohej ky i fundit për të përgënjeshtruar ato se çfarë thoshin këta vagabond në drejtim të vendit tonë.
“Grevën” apo më mirë të themi këtë aktivitetin të inskenuar me kujdes, organizatorët u përpoqën ta kthenin në një vend pelegrinazhi. Për këtë qëllim, forcat reaksionare u mobilizuan që ky aktivitet të mos lokalizohej me propagandën përpara ambasadës, por ta shtrinin atë sa më gjerësisht. Për këtë qëllim u shpërndanë në pika të ndryshme kyçe të Athinës fletushka dhe u vunë afishe. Po në këtë pikëpamje, shpërndarje materialesh dhe vendosje parullash në favor të vendit tone, u bë nga organizata SAQE dhe OKMLE. Nga forcat shoviniste kujdes të veçantë ju kushtua shtypit. Faqet e shtypit reaksionar grek u vunë në dispozicion të tyre. Një mobilizim i madh u tregua nga kleri reaksionar grek.
Pas këtij grupi, erdhën edhe disa grupe të tjera si ai i ENEK-ut, (Organizatë fashiste), ai i monarkistëve me pllakate e portrete të Mbretëreshës Frederika që përbëhej kryesisht nga fëmijë, ai me pleq e plaka me në krye priftin e një kishe, si i studentëve qipriotë, ai me anëtarët e sllogut vorio-epirot të Athinës, etj. Të gjithë këto grupe nuk kishin ndonjë pjesëmarrje të gjerë dhe në asnjë rast numri i tyre nuk i kalonte 30 deri në 70 vetë.
Më 13 shkurt 1984, në ora 17 e 30 u zhvillua demonstrata e parë e organizuar ku pati një pjesëmarrje relativisht më të gjerë se herët e tjera. Në këtë demonstrim që u organizua nga prifti fashist i kishës Agjios, Pandeleimoni, morën pjesë rreth 300-400 vetë. Midis tyre kishte anëtarë të sillogjeve vorio-epirote, besimtarë të kishës, priftërinj, anëtarë të SFEVA-s, anëtarë të ENEK-ut, etj. si dhe deputetë të “Demokracisë së Re”, udhëheqës të QEVA-s etj. Shënojmë si gjithmonë se prezenca e policisë ishte më e madhe se ajo e demonstruesve. Në këtë demonstrim u mbajtën fjalime me shpifje e nuancat e zakonshme nga priftërinjtë J. Dhiotis, D. Luko, Sekretari i Përgjithshëm i QEV-as J. Caberis dhe Sekretari i organizatës vorio-epirote të Athinës, K. Gjikas, vagabondi Ilia dhe Spiro Leka e një përfaqësues i “refugjatëve qipriotë”.
Vlen për t’u shënuar në fjalimet e tyre, sidomos të priftit D. Luko u kritikua hapur “qëndrimi mospërfillës i qeverisë së PASOK-ut për grevistët vorio-epirotë dhe fatin e 400.000 grekëve të skllavëruar në vorio-Epir”. Ndërsa Ilia Leka ju drejtua “indiferencës” së kryepeshkopit Serafin dhe kërkoi prej tij “ndërhyrjen pranë Presidentit dhe Kryeministrit për fatin e tij dhe të vëllezërve vorio-epirotë në Shqipëri”. Intonacionin e këtij mitingu e dhanë anëtarët e SFVEA-s e ENEK-ut, të cilët hodhën parulla kërcënuese, fyese, etj. Pati momente që irrituan turmën, por nuk pati ndonjë incident në drejtim të ambasadës. Shënojmë se po në këtë miting u bënë njoftimet për organizimin e demonstratës së 22 shkurtit.
Mbas këtij aktiviteti, “Greva e urisë” vazhdoi në mënyrë rutinë, ndërkohë që nga burime të ndryshme mësonim për përgatitjet dhe përpjekjet e ethshme për demonstratën e madhe të 12 shkurtit. Duhet thënë se vazhdimisht “Grevistët” janë vizituar nga deputetët e “Demokracisë së Re”, të njohur për qëndrimet e tyre të njohura antishqiptare dhe shoviniste, si Kallojanis, caldaris, Stathopullos, Vezdrevanis, Papadhopulos si dhe Hondrokuqis e Bulukos, etj. Ndërkohë situate e krijuar para ambasadës, e cila e stimuluar nga indiferenca e organeve qeveritare greke, u bë e rëndë për shkak se forcat ekstremiste të SFVEA-s dhe të tjera, kryenin veprime provokuese dhe synonin t’i jepnin përmasa të jashtëzakonshme kësaj ngjarje. Situata shpesh herë bëhej kërcënuese dhe kishte shenjë se në momente të caktuara mund t’i shpëtonte kontrollit të policisë. Ky shqetësim i organeve qeveritare u shpreh në kërkesën e policisë ndaj “grevistëve”, dhe “Komitetit Organizator në përkrahje të grevës së urisë”, për të larguar dhe dhënë fund grevës. Por “grevistët” dhe “Komiteti”, jo vetëm që hodhën poshtë një kërkesë të tillë, por denoncuan atë dhe i dhanë një publicitet të gjerë, gjë që do të thoshte para përgatitje e opinionit për të kundërshtuar çdo vendim të policisë ndaj tyre.
Në këtë situatë, natën e 19 shkurtit, rreth orës 3.00, forcat e policisë dhe të MAT-it (organe policore të destinuara për shtypjen me dhunë të grevave dhe demonstratave), larguan me forcë “grevistët” dhe po në datën 19 shkurt, ora 15.00, po këto forca hoqën çadrën dhe pajisjet që kishin vendosur brenda saj, etj. Jashtë saj mbetën vetëm parullat, disa pankarta dhe tre flamurë grekë të vendosur në pemët në trotuarin e Spitalit të Marinës (këta të fundit janë akoma dhe sot).
Lidhjet e forcave reaksionare duket se janë të thella dhe informacioni që sigurohet prej tyre, përfshin të dhëna të sakta deri në organet më të larta të pushtetit shtetëror. Prova më e qartë për këtë është fakti se këto forca janë në gjendje të mësojnë çdo veprim apo mendim të qeverisë greke në drejtim të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe sikurse është provuar nga praktika, çdo lëvizje e qeverisë është e shoqëruar me kundërshtimet e këtyre forcave, gjë që deri diku mund të themi se i kanë pëlqyer qeverisë greke në mënyrë që të justifikojë gjendjen letargjike të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Pikërisht në sajë të këtyre lidhjeve, vendimi i organeve përkatëse të qeverisë së Papandreut, për largimin me dhunë të “grevistëve” u mësua prej forcave reaksionare, dhe natën duke gdhirë 19 shkurti, më shumë se 60-70 vetë qëndruan për të kundërshtuar organet e policisë për largimin e Ilia Lekës. Midis tyre ndodheshin priftërinjtë J. Dhiotis, A. Pandaleimoni, J. Spirodhopulos, etj., si dhe deputetët, ish-ministri i “Demokracisë së Re”, Dh. Nianos e E. Spenzeri, etj. Po kështu e njëjta skemë u përsërit më 19 shkurt kur forca të të policisë erdhën për të larguar çadrën e mbetur akoma para ambasadës. Përsëri përpara saj u mblodhën po ato forca, veçanërisht nga “Komiteti Organizues i Përkrahjes së Grevistëve”, por pati edhe disa gra të moshuara dhe pleq që thërrisnin e këndonin me fanatizëm këngët shoviniste. Udhëheqësit e organizatës vorio-epirote të Athinës, bënë përpjekjet që të organizonin një miting, por këto përpjekje dështuan. Fakti që goditja për largimin e “grevistëve”, u dha ditën e diel, i hoqi mundësinë shtypit të pasqyronte këtë veprimtari dhe meqenëse ditën e hënë nuk ka shtyp, reagimet në pothuaj të gjitha gazetat e mëngjesit dhe ato të mbas ditës së ditës së martë datë 21 shkurt, konçiduan me vajtjen e A. Papandreut në Janinë, në kuadrin e 71 vjetorit të çlirimit nga zgjedhja turke, ku Kryeministri grek do të bëjë deklaratat famëkeqe mbi gjoja “shkeljen e të drejtave të njeriut të grekëve të Shqipërisë”.
Këto deklarata, që ishin krejt të befasishme dhe të papritura, nga njëra anë shkaktuan habi dhe indinjatë në njerëzit përparimtarë dhe objektivë si dhe vetë qeverisë së PASOK-ut, nga ana tjetër ndikuan negativisht në njerëz të paformuar dhe ndihmoi indirekt që demonstrata e 22 shkurtit 1984, para ambasadës sonë, të marri proporcione të gjera. Ashtu si theksuam më lart, përgatitjet për këtë demonstratë filluan të ethshme dhe të intensifikoheshin menjëherë mbas demonstratës të 13 shkurtit, ku u bë njoftimi për një aktivitet të tillë reaksionar e antishqiptar. Sigurisht është e kuptueshme se një aktivitet i tillë ishte i planifikuar dhe i parashikuar në skenarin e përgjithshëm të kësaj veprimtarie me inskenimin e “grevës së urisë”. Por disa veprime të qeverisë dhe deklaratat e Papandereut bënë që pjesëmarrja në demonstratën e 22 shkurtit, të ishte shumë më e madhe nga sa mund të qe në realitet. Por nga ana tjetër, theksojmë se ajo ishte shumë e vogël nga sa shpresonin organizatorët dhe nuk justifikoi përpjekjet dhe punën e madhe parapërgatitore që u bë nga këto forca, si dhe shpenzimet kolosale që u bënë për materialet propagandistike që u përdorën si para ashtu dhe pas saj.
Në manifestimin në Propilje dhe demonstrimin para ambasadës më 22.2.1984, morën pjesë rreth 6000 vetë, që në shumicën e tyre përbëhet nga anëtarët e ONNED dhe ENEK si dhe forca të tjera të organizatave vorio-epirote të sjella nga të gjitha anët e Greqisë me mjete të posaçme. Karakteristike ishte pjesëmarrja mjaft e gjerë e priftërinjve. Morën pjesë gjithashtu edhe deputetët e “Demokracisë së re”, Varcivliotis dhe Sinoidhimu, etj.
Kjo demonstratë, filloi më një miting të gjerë në Propilje, (sheshi para universitetit të Athinës që ndodhet në qendër të qytetit dhe vazhdoi që nga ora 16.30 deri në 19.30, duke përfshirë edhe marshimin nga vendi i mitingut nëpërmjet bulevardit kryesor “Vasilisa Sofi” deri në ambasadën tonë. Në miting, që u karakterizua nga histeria fashiste dhe që ngjiste me procesionet fetare mesjetare, foli Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, Sekretari i Përgjithshëm i QEVA-s. Këto fjalime që u karakterizuan nga demagogji e zakonshme, sipas të cilave “aktiviteti i tyre nuk drejtohej kundër popullit shqiptar”, nuk mund të shmangte karakterin fashist, antikomunist dhe antishqiptar, u shoqërua me veprime dhe incidente tipike fashiste të gangsterëve të pajisur me shkopinj, që thyen xhamat e makinës së Tv. Grek (ERT-1), rrahën gazetarët dhe u përleshën edhe midis vetë tyre. Ndërkohë që në orën 18.30, para ambasadës, krahas forcave të shumta të policisë, filluan të grumbulloheshin njerëz të cilët duket nuk ndoqën marshimin, por erdhën direkt para ambasadës. Në ora 17.30, turmat e pjesëmarrësve arriti para ambasadës, mbante në duar me dhjetëra parulla, pankarta dhe thirrje e me të çjerra filluan të hidhnin parulla. Gjithashtu mbanin një kryq të madh ku kishin kryqëzuar me zinxhirë një vajzë të moshës 9-10 vjeç, një kryq tjetër të veshur me një copë të zezë ku shkruhej “Ja Vorio-Epir- Ja vdekje”, një flamur të madh, që mbahej në cepat nga shumë veta, si dhe flamurë të tjerë grekë dhe të vorio-Epirit, etj. Me artopolante drejtuesit hidhnin parulla që pasoheshin nga turma si “të hapen kishat”, “të lirohen 100.00 të internuarit dhe 25.000 të burgosurit”, “këtu ishte vendi ku u goditën vëllezërit tanë”, “Fashist Skullariqi-jep dorëheqjen”, “Leka-kujtohu jemi me ty”, “Në se vdesin grevistët, ambasada do të digjet”, “Potë vdesin grevistët, ambasada do të gëzohet”, “Nushi kujto origjinën”, “Rroftë Vorio-epiri”, “Liri vorio-epirotëve”, “Poshtë duart nga grevistët”, etj. Turmën e përshëndeti përsëri Mitropoliti i Konicës, Sebastianos që i udhëhiqte. Mbas kësaj turma u irritua dhe me britma filluan përsëri parullat e mësipërme si dhe me parulla “Hoxha vrasës”, etj. Një grup në mes të turmës, midis të cilëve ishte dhe një ish-ministre si dhe ish-shoferi i diktatorit, Papadhopulos, hodhën parulla si: “Gangsterë, fashistë të PKG”. Ndërkohë në drejtim të ambasadës u hodhën disa gurë të vegjël që nuk shkaktuan ndonjë dëm dhe që u shoqëruan me parullën: “Këtu janë vrasësit”. Nga një grup i përbërë nga Mitropoliti Sebastinaos, u vendos një rezolutë ne portën e ambasadës. Rreth orës 20.30, turma lëvizi në drejtim të Spitalit “Evangjelizmos”, ku ishin vendosur dy të arratisurit. Ky aktivitet u xhirua nga Tv PRESS, gjë që e ka bërë pothuaj për të gjitha aktivitet që u zhvilluan në këtë kuadër./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016