Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të nxjerrë nga fondi i arkivit të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së që mban datën 20 prill të vitit 1960-të, ku misioni shqiptar në OKB, informon drejtorin e Drejtorisë për Marrëdhënie me Jashtë pranë aparatit të Komitetin Qendror të PPSH-së, Piro Bita, lidhur me një veprimtari të zhvilluar në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, ku sipas Dhimtri Trebickës, Fan Noli ka mbajtur një fjalim dhe ndërmjet të tjerash aty ka folur edhe për mjerimin e Kishës në vendet prapa perdes së hekurt, (ku ndodhej edhe Shqipëria), si dhe ka qëndruar në një tavolinë “me kriminelin” Baba Rexhepi, në një darkë të Shoqërisë Patriotike “Vatra”.
“Sipas Dhimitri Trebickës, fjalimi i Fan Nolit nuk u prit mirë nga shqiptarët, të cilët në përgjithësi, kanë mendime ndryshe për të, një pjesë, mendon se Fan Noli e sheh me simpati pushtetin tonë dhe veprat e tij, kurse pjesa tjetër, e konsideron atë si përgjegjësin kryesor për rrugën armiqësore të “Vatrës”. Një grup ekstremistësh, me Asllan Dragotin në krye, e nxjerrin Fan Nolin si “armik” dhe përçarësin e shqiptarëve të Amerikës”. Kështu thuhet ndërmjet të tjerash në një raport-informacion të datës 20 prill të vitit 1960-të, i hartuar nga Drejtori i Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, Pirro Bita, i cili ia ka paraqitur atë Enver Hoxhës, si dhe katër anëtarëve të Byrosë Politike dhe njëkohësisht sekretarë të Komitetit Qendror (Hysni Kapos, Rita Markos, Haki Toskës dhe Ramiz Alisë), që përbënin edhe kreun më të lartë të udhëheqjes shqiptare të asaj kohe. Informacioni në fjalë është përpiluar në bazë të një relacioni që ka dërguar në Tiranë, misioni shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara me seli në New-York, i cili bën fjalë lidhur me një veprimtari që ka zhvilluar Peshkopi Fan Noli në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, si dhe me qëndrimet e pikëpamjet e tij politike ndaj qeverisë shqiptare dhe udhëheqjes së saj. Në parantezë të këtij informacioni që përmban dokumenti në fjalë, kujtojmë se, gjatë gjithë ekzistencës së tij, që nga viti i largët 1945-së e deri në 1990-ën, regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij Ramiz Alisë, mbante nën kontroll permanent edhe të gjithë krijuesit, shkrimtarët e artistët dhe gjithë njerëzit e letrave shqipe. Kjo gjë, jo vetëm ndaj atyre krijuesve që jetonin e punonin në Shqipëri, por edhe ndaj atyre intelektualëve e njerëzve të letrave shqipe që ishin jashtë atdheut në emigracion, të arratisur apo të mbetur andej që nga periudha e Luftës, të cilët konsideroheshin dhe etiketoheshin si “reaksionarë e armiq të popullit”. Si p.sh.: Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Kostë Çekrezi, Namik Resuli, Mahmut Cungu, Xhelal Staravecka, Isa Ndreu, Lec Shllaku, Lin Delia, Gjelosh Gjoka etj., ndaj të cilëve Tirana zyrtare rrinte vazhdimisht “zgjuar”. Këtij rregulli duket se nuk i ka shpëtuar as Peshkopi Fan Noli, ndaj të cilit, sipas dokumenteve të bëra publike pas vitit 1990-të, regjimi komunist i Tiranës pati hapur dosjen e përpunimit që në vitin 1945.
Në këtë kuadër, duket se është edhe ky raport-informacion që publikohet në këtë shkrim nga Memorie.al, ku misioni shqiptar pranë OKB-së, duket se ka vëzhguar dhe përgjuar çdo lëvizje dhe fjalë të tij. Madje duke i analizuar ato me detaje, sipas njoftimit që thuhet se është marrë nga Dhimitër Trebicka, mik dhe bashkëpunëtorë i ngushtë i Nolit, i Antoni Athanas, e më pas i At Artur Liolin, e të tjerë eksponentë të mërgatës shqiptare në SHBA-ve, të cilët Tirana zyrtare i konsideronte dhe i trajtonte si patriotë. Sipas asaj çka është mësuar prej z. Dhimitër Trebicka, bëhet me dije se: “Noli ka qëndruar në darka me kriminelin Baba Rexhepi”, apo se në fjalimin e tij në Kishën e Bostonit, midis të tjerash Noli ka folur edhe për “Perden e hekurt” dhe “mjerimin e Kishës te ne”. Një fjalor i përdorur, apo një qëndrim i njëjtë me ato të krerëve kryesorë të mërgatës antikomuniste shqiptare, si Hasan Dosti, Abaz Kupi, Rexhep Mitrovica etj., që vepronin asokohe në SHBA-ve apo vende të tjera në Perëndim. Rëndësinë që paraqiste Noli për Tiranën zyrtare, e tregon më së miri edhe ky dokument sekret, i cili është shtypur në pesë kopje (praktikë pune e rrallë kjo, për të mos thënë unike), ku përveç Enver Hoxhës, u është dhënë edhe sekretarëve përkatës të Komitetit Qendror të PPSH-së në ato vite, Hysni Kapos, Haki Toskës, Rita Markos dhe Ramiz Alisë. Gjë e cila tregon se ai dokument ka qenë edhe objekt i një mbledhjeje të sekretariatit të Komitetit Qendror. Siç shihet dhe nga përmbajtja e këtij dokumenti, por edhe nga qëndrimi që ka mbajtur regjimi komunist i Tiranës për Nolin gjatë gjithë ekzistencës së tij, duket se, më shumë sesa qëndrimi i tij politik, është kujdesur se si ta paraqiste dhe ta shfrytëzonte figurën e tij para opinionit publik shqiptar. Pra, për ta pasur atë gjithmonë më tepër si një figurë “muzeale historike”, duke i’a kundërvënë figurës së Mbretit Zog, edhe pse në vitin 1943, Noli i shkroi qeverisë britanike, duke i bërë me dije se: “Vetëm Mbreti Zog mund të sillet dhe të vihet në krye të një qeverie shqiptare për të organizuar luftën kundër pushtuesve deri në çlirimin e vendit….” (Letra në fjalë ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë). Kjo duket qartë jo vetëm nga sa është thënë e shkruar për Nolin nga viti 1945-së, deri në 1990-ën, por edhe për faktin se Tirana zyrtare i ka mbajtur të fshehta dhe “Top Sekret” dokumente të këtij lloji për Nolin, duke ia falur disa ‘mëkate’ “Peshkopit të Kuq”. Duke zbatuar kështu pikë për pikë metodat bolshevike të Moskës zyrtare të periudhës së Stalinit, të cilët ia fshehën Gorkit atë që kishte shkruar në një gazetë para triumfit të Revolucionit të Tetorit, për Leninin. Të cilin, pasi e kishte nxirë për veprimtarinë e tij, midis të tjerash e përshkruan edhe nga ana fizike: “…një kokë tullace, mbi një trup të kërrusur e kurrizdalë, me një plëndës (bark) të shëmtuar…”. Gjëra të cilat Kremlini zyrtar nuk ia përmendi kurrë, madje thuhet se i’a fshiu njëherë e mirë edhe nga koleksionet e gazetave në bibliotekat ruse. Një histori pak a shumë e njëjtë edhe me Nolin, pasi çuditërisht, edhe pas viteve ’90-të, historiografia zyrtare dhe biografët e Nolit, nuk e kanë bërë kurrë publike ekzistencën e të tilla dokumenteve, edhe pse ato kanë qenë të deklasifikuara pranë Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë. Dokumentin në fjalë po e publikojmë të plotë .
Letra e misionit shqiptar në OKB për Komitetin Qëndror
KOMITETI QENDROR I PPSH Tepër Sekret
Drejtoria e Jashtëme 20.IV.1960
INFORMACION
MBI NJË FJALIM TË FAN NOLIT
(Nxjerrë nga relacioni i Misionit tonë pranë O.K.B.)
Misioni ynë pranë O.K.B.-së është njoftuar nga Dhimitri Trebicka, mbi një fjalim që ka mbajtur fan Noli në Kishën e Shën Gjergjit, në Boston, me rastin e pashkëve në prill të këtij viti.
Në fjalimin e tij që mbajti në shqip dhe në anglisht, Fan Noli tha se: “Gjendja e kishave në vendet prapa perdes së hekurt, është e mjeruar”, duke përmendur 4-5 herë fjalën “perde e hekurt”.
Sipas Dhimitri Trebickës, fjalimi i Fan Nolit nuk u prit mirë nga shqiptarët, të cilët në përgjithësi, kanë mendime ndryshe për të, një pjesë, mendon se Fan Noli e sheh me simpati pushtetin tonë dhe veprat e tij, kurse pjesa tjetër, e konsideron atë si përgjegjësin kryesor për rrugën armiqësore të “Vatrës”.
Një grup ekstremistësh, me Asllan Dragotin në krye, e nxjerrin Fan Nolin si “armik” dhe përçarësin të shqiptarëve të Amerikës. Ky grup është këshilluar nga Misioni ynë në O.K.B. që të jetë i matur.
Mendimi i Misionit është se, qëndrimi i Fan Nolit nuk është i qartë. Nga njëra anë, Fan Noli shprehet në mënyrë miqësore në takimet me shokët tanë, nga ana tjetër, ulet në një tavolinë me kriminelin, Dervish Rexhepin në një darkë të “Vatrës”. Përveç sa u tha më sipër, Misioni nuk ka asnjë të dhënë mbi ndonjë qëndrim të hapur armiqësor të Fan Nolit ndaj nesh.
DREJTORI I DREJTORISE SE JASHTEME
PIRRO BITA
Informacioni iu shpërnda
Enver
Hysni
Haki
Rita
Ramiz
Kopje e protokollit/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016