Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e Zef Lukës nga Shkodra, i cili në 1946-ën u arratis nga Shqipëria për në Greqi, ku qëndroi për disa vite në kampet e azilantëve politikë. Njohja e tij me Alush Lleshanakun, stërvitja në një qendër zbulimi të financuar nga amerikanët në periferi të Romës dhe zbarkimi me parashutë në malet e Mirditës në 1949-ën. Të gjitha peripecitë e “diversantit”, që u bë tmerri i Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1953, ku emri dhe veprimtaria e tij për vite me radhë tregohej si në legjenda në qytetin e Shkodrës dhe në gjithë Veriun e Shqipërisë, bëhen publike sipas kujtimeve që ai ka lënë të shkruara në SHBA-ës, ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës si emigrant politik deri në shembjen e regjimit komunist.
Vijon nga numri i kaluar
Ditari i Zef Lukës: Armatimi ynë si parashutistë
Armatimi jonë përbëhej prej: një marshine të vogël parashutistësh, një karikator prej 25 fishekësh, 6 karikator prej 50 fishek, 500 fishekë dhe dy bomba dore. Në dy xhepa poshtë pantallonave kishim nga një “Beretë”. Përveç këtyre pajiseshim me ushqime, hapa, vitamina për 5 ditë dhe medicina të tjera. Unë me Kol Çunin morëm njërën radion, e tjetri gjeneratorin, të cilin e kishim në gjoks, pasi kur të dilnim prej aeroplanit, e t’u hapte parashuta e jonë, shpërthenim pakon (që e kishim në gjoks), e cila kishte një parashutë të vogël por gjithmonë të lidhur me një konop me trupin tonë për të mos humb radioja e gjeneratorit. Kjo bëhej pasi disa grupeve të tjera që kishin ra në Shqipni, u kishte hupë radioja e gjeneratorit, duke mos mujt kështu me u bashkue njëri grup me tjetrin. Siç i pat ndodhë grupit të parë të Alush Lleshanakut, të Ndue Pjetrit, Gjo Markajve, të cilët duke mos mujt me e krye misionin, u detyruan që Alush Lleshanaku të dali në Greqi, ndërsa Ndue Pjetër Gjo Markaj të dali në Jugosllavi. Kryetar i grupi tonë ishte Kol Çuni. Përveç materialeve që thamë më sipër, ne furnizoheshim edhe me nji paketë të madhe e cila përmbante: radio, rezerva ushqimore, tesha, municion dhe medicina. Kjo do të ishte e para me u hedhë prej aeroplanit, të cilës i jepte të shtymen Pashko Leka. Mbas tij delte Pashko Çuni me radio në gjoks, ma vonë unë (Zef Luka) me gjenerator në gjoks e kështu me radhë. Na pritshim kohen me ra në Shqipni. Natën unë shkoja në Romë dhe këtë gjë e dinte vetëm Kol Bib (Mirakaj). Kola nji ditë mblodhi do pare prej nesh për Dod Nikollën, i cili ishte i fshehur ndër fretër në Fraskati. Këtu kishte kenë ma përpara edhe vetë Kola. Ky i fundit më tha që të thërras nji fratel dhe ai të më vejë në lidhje me Dodën. Unë e kërkova fratelin, emrin e të cilit ma dha Kola. Ndërkaq erdh major Dod Nikolla, të cilit i dorëzova paret, duke i thanë që Kol Bib Mirakaj më ka thanë që kah ora 9 e mëngjesit, me kalue ka vila e kuqe në Vialle Violatta. Kjo gjë ishte shumë sekret.
26 dhjetor 1949, zbarkimi me parashutë në Shqipni
Në ora 4 mbas dite vjen nji autobus i cili na çon në fushën e aeroportit ushtarak të Çento Çelle, që hapej deri në Çine Çita. Këtu marrim nji aeroplan dy motorësh, pritshim që të vinin dy persona që ishin të veshur me tesha të zeza dhe kishin një makinë të zezë. Pasi arritën na pyetën: Sa jeni telegrafistë? Si na lëshuan nga nji sy secilit, u larguan. Aeroplani u çue dhe Conte Coropio, hap nji shishe konjak e na e jep me pi, por unë nuk piva. Piloti na thotë se jemi mbi Shkodër. U shihte vetëm nji varg dritash. Ai na tha se të gjithë kemi me dalë sa të bien sirena (Il Lancio). Të gjithë ishim në rresht. Paketa e madhe ndodhej përpara derës së aeroplanit dhe në krye i pari ishte Pashko Leta. Si u çil dera në njërën anë të saj ishte Conte Coropio, ndërsa në anën tjetër nji oficer, që të dy ishin të lidhur prej aeroplani. Ra sirena, e Pashko Leta shtyn pakon dhe del Kola, i cili u mat pak, por e shtyna unë me Conte Coropio, e aj oficeri tjetër. Si dola unë, më dukej se bishti i aeroplanit po më bjen. Menjëherë po ndiej nji zhurmë që ishte duke shkue si plumbi i pushëks. Në këtë çast sytë mu mbushën me ajër. U çil parashuta, shpërtheva pakon që kisha në gjoks në të cilën ishte vendosun gjeneratori dhe parashuta e pakos u hap. Në këtë rast shoh se edhe parashutat e shokëve të tjerë u ulshin ma shpejt, si topa. U ndienin qent duke lehë, u shifshin dritat e shpive. Era po më shtynte kah pylli i Komit. Hedhja do t’u bënte në Livadhet e Surroit, ose ma mirë me thanë për rreth livadheve të Surroit, ku në shpat ishin shpija. Duke ra, këmbët filluan me më prek majat e halave të pishave. I vura duart syve që të mos më hynte ndonjë send. Këtu meta i varur 50 metër. Kapa një maje dege bredhi dhe kur u avita afër degës që ishte ma e trasha, shpërtheva parashutën dhe preka në tokë, ku kishte nja një çorap borë. Hana shndrite si dielli. Gjeta parashutën në të cilën kishte brenda mërshinën dhe gjeneratorin.
Në malet me borë të Mirditës
Kur ishe duke ra, shifsha nji parashutë që nuk ishte larg prej meje. Ajo e bardha ishte e radios së Kol Çunit, pra vetëm të radios dhe të gjeneratorit ishin të bardha, kurse të tjerat ishin të gjitha në bojën e gjethit. Shkova në drejtim ku kisha pa parashutën e bardhë të radios. Në këtë çast ndigjova nji zhurmë që po shkapetëte këpucët. Kush je ti, më thotë? Kol, i them, jam unë Zefi. Edhe ai kishte mbet i varur dhe thotë eja më ndihmo. Unë i përgjigjem: Ndihmo vetin duke kapë degën që ke ma afër, e shpërtheju. Si gjeta parashutën e radios, Kola u ul, por pashë se i ra të fikët. Unë mora do borë dhe ja vura në fytyrë, dhe si u bë ma mirë i them: Nxjerre revolen, sepse mërshinën e tij e kishte Pjetër Gjoci për të mos u rëndue Kola. Këtë deshën me ma ngarkue mua, por unë i thashë: jo. E du me vete marshinën. Para se t’u niseshim, na kishin dhanë do bylbyla që fshikullonin si zogj. Unë i fshikullova por kurrkush nuk m’u përgjigj. E ishte e pamundur me ndie, prej zhurmës së aeroplanit ende veshët më shungullonin. Në këtë rast i them Kolës: Kurrkush nuk përgjigjet, pra jam duke qitë me “Baret” (revolver). E ai m’u përgjigj: Bëj ç’ka të duash. Qita por prap askush nuk m’u përgjigj. Ndoshta mbasi kishim urdhër mos me qitë dhe me pritë 24 orë deri sa tu bashkonim me njeri tjetrin. Atëherë qita me marshin (armë automatike) dhe dikush m’u përgjigj. Si ju afrova më pyet: Kush je ti? I përgjigjem: Zefi. Pashë se ishin Bardhok Gjeta dhe Ndue Frisku. Ata më pyetën a e ke radion dhe unë i përgjigjem, po. A jena të gjithë, i pyes unë? Po, thonë ata. Duke ndjekë gjurmët e mija, pashë ku kisha lanë Kolën dhe ky i fundit nuk ishte aty ku e kisha lanë, por pak ma afër. Kola, kur kishte zbritë prej aeroplanit, kishte humbë dhëmbët që i kishte fallco.
Furnizimi me buk te shtëpia e Gjon Kukës në Fan
Kur ishim duke shkue te shokët e tjerë, i drejtohem Kolës me këtë pyetje: Ku e ke revolen? Dhe ai m’u përgjigj: E kam harrue atje ku kam ndejë përpara. Ma vonë u takuam me shokët e tjerë. Pjetër Gjoci i jep Kolës marshinën, e cila ishte e Kolës, por ky i fundit, prapë ishte i pakënaqur, thotë se kemi ardh kot, jo vetëm ne, por edhe të tjerë. Pata ndie se Kola kishte refuzue me ra herën e parë kur patën ra Ndue Pjetri dhe Ndue Mëlyshi, Alushi dhe Xhevdet Blloshmi. Gjatë kohës në mal, pata harrue marshinën te kroni ku pimë ujë, prandej njenit prej shokëve ju desh me shkue e me e marrë. Mbasi zbritëm në tokë, kërkuam tanë natën deri sa zbardhi drita, pakon e madhe që kishte radion rezervë, ushqime, tesha, municione etj. Aty afër nesh ndodhi nji çobaneshë, vajzë e re, e veshun me nji këmishë tanë rripa. Ajo me duart e saj mbulonte gjoksin për mos me u pa. Me vete kishte dhe nji vëlla që rrinte mbas dhive. Kur na pa, kujtoi se jemi partizanë, por unë i thashë se jemi ushtarët e Gjon Marka Gjonit. Po afrohej ora 9 kur ne do të epshim me radio. Ishim te Qafa e Lorit, në këtë kohë Kol Çuni vihet në lidhje me Romën, e cila pa shifrar, i përgjigjet “Brunë”, që don me thanë të jam falë. Gjon Gjinaj na prite dhe ne vendosëm të shkojmë në Fan të Mirditës, katundi i Gjon Gjinajt. Mbasi pritmë që të errej, ky i fundit më tha: Zef eja me mua me ra në katund. Ne ju afruam të parës shtëpi që ndodhi në krye të katundit, kjo ishte shpija e Gjon Kukës. Si ju afruam dritares, (që ishte e mbyllun) afër derës, Gjoni ven veshin e më thotë: Këtu asht dikush i huaj, prandaj ne u larguam pak duke ndejt afër nji dëllinje. Nuk vonoi shumë dhe nji grua po del përjashta për nevojë, e Gjoni i thotë: A e ke burrin te shpija? Kjo i përgjigjet: Jo asht në punë te sharrat. Dhe vazhdon: Ne kemi ndie se ka dalë në Greqi. Po, i thotë Gjoni, por mbrëmë kemi ra një grup prej 30 vetash. Na qit do bukë. (Gjoni e rren për me mujt me i marrë sa më shumë bukë) dhe kjo i përgjigjet: Shkoni e pritni ke muri i shtëpisë së re, se po ju çoj vëllanë e burrit, por sa të largohet kryetari i lokalitetit. Mbas nji gjysëm ore, vjen vëllai i Gjon Kukës, dridhej prej friket. Si foli me Gjonin, shkoi te shtëpia e na solli buk. Mbas tre ditësh vjen Gjon Kuka prej sharret të Kryeziut. Gjon Gjinaj i thotë Gjon Kukës: Dy shpija ta dini, ju dhe shtëpia e Zef Vocit, për furnizime me ushqime tanë dimrin.
Si e kaluam natën e Vitit të Ri 1950
Ishim në Majë të Runës. Binte borë tanë natën, kishim do ushqim dhe një spatë. Ndue Frisku dhe Bardhok Gjeta çajnin dru për me mbajtë zjarrin ndezë. Si dol drita, nuk e njohëm njëri tjetrin se ishim bë të gjithë të zinj në fytyrë dhe me e prekë mashinën ajo të ngjitej në dorë prej të ftohtit. Në Majë të Runës, banorët e këtyre krahinave qitshin bagëtinë verës në bjeshkë. Aty ndërtuam nji kolibe dhe bukën e pjekshim me qerebë, herë pjekë e herë pa pjekë. Nga të ftohtit, mua më kapi një dhimbje në gjoks dhe shokët i thanë Gjonit se Zefi asht duke dekë, por ai i përgjigjet se ajo asht dhimbje uthi, prej bukës së pa pjekun. Kur afrohej mbrëmja dilnim me mbledhë dru të thata pa lëkurë, që të mos bëjshin tym. Nga të ftohtit, më ngrinë duart, dhe Gjoni filloi të më bënte masazh duke m’i shtërnguar fort. Të nesërmen kur zbardhi drita, kishte fillue me më ranë tanë lëkura e gishtave. Krahina ku ndodheshim kishte një pamje vërtet të bukur dhe sidomos në mëngjes kur dielli binte, nuk kishte gjë ma të bukur, si të ishte parajsë. Degët e pemëve dukeshin si prej kristali. Prej Majës së Runës kur ishte këthjellt, u shihte deti. Kur isha roje pashë se po vinë dy vetë. I njoha, ishte Gjon Kuka me një të arratisun për gjak, Pjetër Gjeta. Ato kishin me vete edhe një dhi. Un e marr dhinë dhe u them shokëve se Gjon Kuka me një tjetër asht duke ardhë, kanë pru një dhi mashkull, do mish të bardhë e gjysëm thesi me buk. Të gjithë u qeshën me mua se i thoshe “dhi mashkull”. Çdo ditë në orën 9, lidheshim me Romën por pa i tregue vendin se ku ndodhemi. Si kaluem dimrin te Maja e Runës, u nisëm teposhtë. Bora ishte deri në brez dhe ne për të mos lanë gjurmë, ecshim nëpër ujë. Udhëtimi zgjati për rreth nji orë. Për rreth ishin katunde komuniste, shkuam në Koravë, afër lumit Zij te stani i Mark Palucës. Mbasi mbaroi sofra, Marku më pyet: Prej kah jeni? Unë i përgjigjem: Jam prej Shkodret dhe më thonë Zef Luka. Në shtëpinë e tij ndejëm rreth dy javë dhe pas këtyre ditëve do të niseshim për në Fushë të Lajës, ku do u bënte hedhja, (furnizimi me parashuta nga avionët e huaj). Në Koravë do të lejshim Kol Çunin me radio, Pashko Letën dhe Nikoll Markun. Shtoj se ky i fundit (Nikolla), një natë më parë kishte tentuar me ikë pa shkue në Koravë. Por e kapi Pashko Letaj e Bardhok Gjeta. Në këtë rast Nikoll Marku bërtiti: “Në dorë tënde Gjon Gjinaj”. Lena, e shoqja e Mark Palucës, na kishte zi groshë kaq të trashë, sa i kishte shti në një facoletë, duke na dhanë edhe do bukë për rrugë. U takuam me Cuf Palucën, me shokë të tjerë dhe e lamë me u pa te Fusha e Lajës. Edhe me Zef Vocin që kishte dalë në mal.
Si i gjeti Sigurimi i Shtetit parashutat tona?
Nisemi për në Fushë të Lajës: Gjon Gjinaj, Pjetër Gjoci, Bardhok Gjeta, Pjetër Gjeta, Mirash Marku, Ndue Frisku, e Zef Luka. Ndërsa po shkonim për Laje, Gjoni më thotë: Zef, eja me mue. Unë e ndigjova dhe bashkë me të ramë në katund te nji shtëpi që Gjoni e njihte. Derën na e çili nji grua e re sepse burrë nuk kishte, ja kishte vra Partia. Ajo e dinte se ne kishim ardhë me lyp bukë dhe nuk na e kurseu, por ashtu siç ja kishte qitë fëmijëve në sofër, e mori dhe na e dha ne. Por unë e Gjoni i thamë mos e hangshim këtë bukë dhe e refuzuam. Por kjo sojnike na e dha me zor duke thanë: “Ata hanë nesër, por ju nuk keni ku me e marrë”. Shkuam në Shkozë te shtëpia e Nikoll Pjetër Shkozës, aty na qitën me hangar mish e lakna. Mandej u nisëm për Laje. Marrim vesh se reaksionarët e Fanit të Mirditës kishin shkue në pyll të Komit dhe po pritshin ka dy tre lisa (hala) për me marrë parashutat, të cilat do t’i përdorshin me bë brakesha grash e fëmijësh. Të veshur me këto tesha, duke shkue në nji konferencë katundit, i merr vesh Sigurimi dhe i internojnë në Tepelenë. Shtoj se në parashutë ata kishin gjetë edhe pakon e madhe që përmbante penicilina, radio e shumë gjana të tjera deri letra nevojtoret. Gjon Kuka internohet, ndërsa Zef Voci që del në mal, merr vesh se ato ditë i kishte falë zoti një djal. Si dolëm prej Shkozet, kaluam Sharrën e Gojanit e Livadhin e Hamzit e mbërritëm në Fushë të Lajës. Aty ndodhej një stan i prishun. Ne pritshim që t’u errte. Para orës 8 të mbrëmjes ne do të ndezshim tre zjerrme. Ne kishim porosi që tu takonim edhe me Çup Palucën, Zef Vocin që kishte dalë në mal dhe me besnikë të tjerë, me të cilët kishim takim.
Urdhri nga Roma: Mos dilni në Jugosllavi
Si për herë roje e parë. Shoh se vjen Fran Kola, e pyes pse ke ardhë. Ai më përgjigjet: Kam dalë në terren prej Jugosllavie. Kam nji letër prej Kol Bibë Mirakës që ju të dilni në radio në orën 1 mbas dite, duke përdor shifrarin e vjetër. Ne si orë të caktueme e kishim orën 9 paradite, por tashti do të na takonte me me dalë dy herë në ditë. Mbasi lexova letrën thashë me vedi: Tash e paska hëngër dreqi, kjo letër ka kalue nëpër duar të UDB-së. Mue menjëherë më shkoi mëndja për tradhti. Në sa unë po vazhdojshe rojën, kur erdh ora 1, Kol Çuni thërret si mbas shifrarit të vjetër, por nuk mujti të lidhje. Kol Çuni, këtë gjë e majti sekret, por ai nuk e dinte se këtë unë e dije para tij. Mbas disa vjetësh kur shkume në Romë, morëm vesh se Kol Bib Mirakaj e Shyqri Biçaku, ishin takue në mënyrë sekrete me Inteligjent Servisin Anglez, për të bë lidhje me ne. Terrenistat e Jugosllavisë na thoshin se UDB-ja ka porositë që t’ju thona: “Të mundeni me ardh te na, por mos me u përzi me politikën tonë”. Roma bën telegram: Ju parashutistët mos dilni në Jugosllavi. Ju furnizojmë me ajër deri sa të dilni në Greqi, në Jugosllavi nuk mundemi me ju sigurue”. E për me shkue në Greqi, u donte nji muaj, pasi ndjekjet ishin të mëdhaja, pa baza, shpesh herë i pasigurt se dilshe i gjallë.
Përgatitja me lanë Shqipnin dhe dalja në Jugosllavi
Përgatitemi me lanë misionin e me dalë në Jugosllavi. Alush Lleshanakut ja mbajta fjalën se deri sa të ishte gjallë ai, unë të mos e lëshoja Shqipnin. Gjendja sa vinte e përditë e po keqësohej. Populli na thonte se: prej jashtë janë duke u spiunue. Ata të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, i zejshin gjallë porsa vinin këmbën në Shqipni, siç ndodhi me Hamit Matjanin, shok i Alushit. Djelmoshat ma të mirë të Shqipnisë. Zef Luka e Pashko Leti, parashutistë, nisen për në Jugosllavi, duke lanë Kol Çunin, Mirash Markun e Pal Mirakën me shokë, që të dalin mas furnizimit të hedhjes. Grupi i parë për në Jugosllavi përbëhej prej: Zef Lukës, Pashko Letës, Pjetër Gjoni me gruan, Katrinën, Vat Staka, Fran Sokoli, Preng Keqani me Gjinin dhe Fran Kola. Këta dy të fundit ma vonë në terren u vranë. Prenga te nji bazë që Sigurimi e kishte në atë shtëpi (kur ai shkoi për bukë), e vranë dhe Gjinin shokun e tij, kur ai po ikte për t’u mbytë në Dri. Vazhdojmë rrugën për në Jugosllavi. Në katundin Bugjon, baba i Fran Sokolit, Ismail Qerimi, me Gjinin shkuan përtej Drinit dhe vranë Marka Celin. Ne kaluam Gramishtin, Va Tranzin, Ras Valbonë e Dushaj. U takuam me Sheh Halilin, ma vonë në SHBA, ky ndërtoi Teqen Halvetije në Nju Jork. Sheh Halili na përcolli deri sa dolëm dhe kaluam kufirin në Qafë Gjonej.
“Vrasja e Alush Lleshanaku me shokë në tetor 1950”
Në një nga fletët e ditarit të Zef Lukës, ish-pjesëtarit të grupeve të rezistencës antikomuniste, që zbarkoi disa herë me parashutë në Shqipëri në fillimin e viteve ’50-të, pasqyrohet edhe vrasja e Alush Lleshanakut, njërit prej krerëve të asaj rezistence, i cili ndiqej prej Sigurimit të Shtetit që prej disa vjetësh. Lidhur me këtë vrasje, që edhe sot e kësaj dite ka mbetur një enigmë e madhe, miku i tij i ngushtë, Zef Luka, midis të tjerash ka shkruar:
Por sa u çova dola roje e parë. Natën kisha pa ëndërr se përreth nji grope ishin do kufoma me gojë hapët. Në orën 9 sipas rregullit, thirrshim Romën e cila na thotë se kemi telegrame me ju dhanë. Në telegram thuhet se: “Radio Tirana ka dhanë lajmin se Alushi asht vra, na jepni hollësina”. Menjëherë ditën për diell, ramë në katund te prifti, morëm “Zanin e Popullit” dhe menjëherë i dhamë Romës lajmin se përsa shkruante gazeta: Ai asht vra në ora 4 të mëngjesit, si pat kalue urën te Shkalla Broshkë. Rinia, nji pjesë e të cilave ishin dhe komunista, thanë: “Alush, ç’ka tu deshtë me ardhë”. Shumë prej tyre kishin kenë dhe studentë të tij. Alushi e donte Shqipninë ma fort se nanën e vet. Grupi i veriut u prek shumë për vrasjen e Alushit, por në veçanti ai i Elbasanit. Por meqë Alushi kaloi nji kohë të gjatë në Shkodër, në Pukë, në Mirditë për furnizime me radio, i vetmi ngushëllim i joni ishte që ky rrezik nuk ndodhi në Veri, mbasi do t’i kishte lanë marre dhe turp si mbas kanunit gjithë Veriut. Me vrasjen e Alushit u ndaluan edhe grupe të tjera që të binin në Shqipni, si ai i Xhevdet Blloshmit, Shyqri Biçakut etj. Për së dekuni e kanë vu Alushin te rrapi i Bolbollës. Kan thirrë edhe të shoqen me ardh me e pa, por ajo nuk ka shkue. Shokët e Alushit, kanë kenë: Halil Hoxha, Rexhep Kasa, Abedin Cengo, Nuri Plaka, që mbetën të vramë dhe Zenel Cema që u plagos”.
“Përpjekja me Sigurimin, Marka Zefi vret babën e vet”
Në kujtimet e Zef Lukës, janë përshkruar edhe mjaft momente tragjike, me të cilat u përballën grupet e rezistencës antikomuniste gjatë misioneve të tyre në Shqipëri. Një nga ato është dhe përpjekja me armë me forcat e Sigurimit të Shtetit e grupit të Shkodrës dhe Mirditës, në të cilin bënte pjesë edhe vetë Zef Luka. Lidhur me atë ngjarje, ku mbetën të vrarë disa nga shokët e tij, në mes të tjerash Zefi ka shkruar:
“Grupi i radios së Mirditës bjen në pushkë me Sigurimin. Ai përbahej prej: Gjon Gjinajt, Pjetër Gjocit, Ndue Mëlyshit, Bardhok Shkurtit, Marka Zefit me të vëllanë e babën e vet, Zef Ndrecës e Marka Lleshit etj. Në këtë kohë vritet i vëllai i Marka Zefit, ndërsa mitralozi i këput të dyja duart, Zef Ndrecës. Ky i fundit i thotë djalit (Marka Zefit), që ta vritëte. Por djali i thotë: “Babë shiko për mbrapa se mos vijnë partizanët”. E kur Zef Ndreca, babai i Markut, sjell kryet për mbarpa, Marka Zefi vret babën e vet, për të mos e lënë të gjallë në dorë të komunistave. Në maje të kodrës ishte vendosun mitralozi. Një rrëke e vogël vinte në drejtimin tonë. Marka Zefi qet në ta, por duhma e mitralozit i vjen afër Markut, i cili rrëzohet tuj ra në ujë. Në këtë kohë Ndue Mëlyshi, qet në atë drejtim. Marka Zefi çohet dhe lëshon nji bombë bash te mitralozi, hap rrethimin tuj vra nji oficer dhe dy ushtarë. Sa kaluen rrethimin, plagoset Gjon Gjinaj. Gjoni ishte me pantallona pilotash të gjana dhe të gjata. Në këtë rast Gjoni desh të vrasë vedin, por shokët nuk e lanë. E tërhoqën zharg dhe e çuen te nji shtëpi aty afër. Sigurimi shkon për gjurmë të gjakut deri te shpija për ta kontrollue. E zonja e shtëpisë hap dhe e lën çilë arkën, kurse Gjoni asht mbas arket dhe në këtë rast i heq siguresën bombës. Kur partizanët hapin derën, shohin vetëm arkën çilun dhe dhomën të thatë. Ma vonë atë bume e kam mbajtë në dorë deri sa e kam qitë në lumë. Ma von Gjonin me vig e kanë qit në mal. Na parashutistat e kishim vendosë: Me vra vedin, ose me u vra prej shokëve, që mos me u kap të gjallë. Po të ndodhte kjo e fundit ata do të na kërkojshin se ku kemi marrë bukë e gjana të tjera. Kur Sigurimi na rrethonte, ai brenda rrethimit, shtite një skuadër që të losin e të bijshin në pritat e tyne, në mënyrë që të mos mujshim me dalë asnjë i gjallë. E kjo ishte taktikë ruse e cila nuk shikonte fare ushtarët e vet, mjaft që të eliminoheshin çetat antikomuniste”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016