Nga Saimir Kadiu
-Ka ndeshje që përcaktojnë një kampion dhe ka ndeshje që përcaktojnë një epokë –
Memorie.al / Ai u rikthye në tavolinë me një forcë të jashtëzakonshme. Filloi të fitojë ndeshje njëra pas tjetrës, duke e vënë Spasskyn nën një presion që kampioni sovjetik nuk e kishte përjetuar kurrë më parë. Çdo fitore e amerikanit kishte jehonë politike. Gazetat nuk raportonin vetëm rezultatet; ato shkruanin për prestigjin e dy superfuqive. Kur maratona prej 21-ndeshjesh përfundoi, rezultati ishte i qartë: Bobby Fischer 12.5 – Boris Spassky 8.5.
Për herë të parë pas 24 vjetësh, kurora botërore e shahut largohej nga Bashkimi Sovjetik. Në Shtetet e Bashkuara, Fischer u bë hero kombëtar. Shahu, një sport që deri atëherë ndiqej nga një komunitet i vogël, u kthye papritur në fenomen kulturor. Miliona njerëz blenë tabela shahu, libra dhe revista.
Klube të reja u hapën në universitete dhe qytete. Ajo që u quajt “Fischer Boom”, ndryshoi përgjithmonë historinë e shahut në Perëndim. Edhe vetë loja ndryshoi.
Fischer kërkoi profesionalizëm më të madh, kushte më të mira për lojtarët dhe rregulla më të drejta. Më vonë ai propozoi edhe variantin Chess 960, duke besuar se shahu klasik ishte mbingarkuar nga përgatitja teorike dhe se krijimtaria duhej të rikthehej në qendër të lojës.
Ironia është se njeriu që i dha shahut popullaritet të paprecedentë, pak vite më vonë u largua prej tij. Në vitin 1975 ai refuzoi të mbronte titullin botëror për shkak të mosmarrëveshjeve me FIDE-n dhe kurora kaloi te Anatoly Karpov, pa u zhvilluar ndeshja.
Por asnjë nga këto nuk e zbeh atë që ndodhi në verën e vitit 1972. Sepse ajo finale nuk ishte vetëm një duel mes Bobby Fischerit dhe Boris Spasskyt. Ishte momenti kur një njeri i vetëm sfidoi një sistem të tërë. Kur një tabelë me 64 katrorë u bë skena ku Lufta e Ftohtë mori formën e saj më elegante.
Dhe kur një vonesë prej nëntë minutash u harrua përgjithmonë, sepse historia kujtoi vetëm atë që ndodhi pas lëvizjes së parë./ Memorie.al












