Nga Erald Kapri
Pjesa e dytë
Memorie.al / Dokumenti që publikojmë në këtë shkrim është një raport i majorit britanik Kemp, i cili ishte një ekspert shumë i aftë ushtarak që mori pjesë në organizimin e Brigadës së Parë partizane, të drejtuar nga Mehmet Shehu. Ai rrëfen me detaje rrethanat e krijimit të kësaj brigade me rreth 700 vetë, të mirarmatosur nga forcat aleate. Sakaq, majori britanik dëshmon se kjo trupë dështoi në luftë kundër ardhjes së gjermanëve në gusht 1943, pasi ajo nuk u organizua siç duhet dhe krerët e saj vepruan kundër këshillave britanike. Kemp konfirmon se organizimi i brigadës në batalione ishte absurd, sepse nuk ofronte asnjë mundësi për luftë guerile efektive.
“Fatkeqësisht, – vëren ushtaraku perëndimor, – lidershipi i Luftës Nacional-Çlirimtare, e përdorte fjalën brigadë apo batalion vetëm për qëllime propagande, ndërkohë që nuk pranuan asnjëherë avantazhin e luftës guerile. “Më vonë, – saktëson majori Kemp, – arritëm në konkluzion se kjo formë organizimi duhej më së shumti për të goditur forcat e Ballit Kombëtar, sesa ato naziste”!
Nga ana tjetër, ai shprehet se kjo brigadë u formua për luftë ballore frontale, por nuk ia doli kurrë. Në dështimet e saj ai përmend aksionet e para kundër gjermanëve në rrugën Leskovik-Korçë, konfliktet me çetat e Ballit Kombëtar, reprezaljet e shumta ndaj popullsisë civile etj.
Me interes të veçantë, sidomos për studiuesit e fushës, janë analizat profesionale të majorit Kemp, për mënyrat e luftimit të forcave gjermane dhe atyre italiane në Shqipëri. Raporti i tij është pjesë e dokumenteve të Arkivit të Ministrisë së Luftës, ku Kemp koleksionoi punën e bërë në vendin tonë, nga gushti i vitit 1943, deri në mars 1944…!
DOKUMENTI
Raport për Shqipërinë gusht 1943-mars 1944.
Shkruar nga Majori P.M.M.
Kemp Mision në Shqipëri
TAKTIKA TË GJERMANËVE DHE ITALIANËVE
Është interesante të krahasosh taktikat e gjermanëve të zbatuara në këto operacione. Ata kishin një mospërfillje për guximin dhe karakterin e shqiptarëve dhe zakonisht lëviznin me trupa të vogla me 50 deri në 150 veta, të pajisur vetëm me automatikë dhe murtaja të lehta. Me këto patrulla të vogla ata zakonisht arrinin të kishin sukses, duke çarë partizanët para se ata të organizoheshin për rezistencë, duke bërë që misionet britanike të largoheshin shpejt, e madje duke braktisur pajisjet që kishim me vete.
Përpjekjet tona për t’u ruajtur nga këto lloj sulmesh surprize, nuk u quajtën të vlefshme nga aleatët tanë partizanë, ku, edhe pse kishim vënë persona për t’u ruajtur, rrallë merrnim ndonjë paralajmërim nga ata. Nga ana tjetër, italianët dukej se kishin frikë nga guerilët shqiptarë, duke menduar se nuk mund të marrin kodrat dhe se këtë mund ta bënin vetëm me forca të mëdha të ndihmuara nga artileria dhe avionët. Kjo të lejonte për element surprizë dhe këtë e pamë në Shtyllë, ku patëm dy ditë kohë të përgatiteshim për tërheqje.
Është një surprizë dhe një mundësi e mirë për të reflektuar se si në veri të vendit, ku terreni është kaq i përshtatshëm për luftë guerile, gjermanët ishin kaq shumë të suksesshëm vetëm me një numër të vogël forcash dhe me armatim të lehtë. Ata ia dolën në çdo zonë të kenë sukses vetëm me pak humbje, kur duhej të ishte e kundërta, pasi gjermanët praktikisht nuk duhej t’ia dilnin në kushte të tilla, kjo edhe sepse ata kishin më pak se 35 mijë forca në Shqipëri, ku shumica e tyre nuk ishin forca luftuese të klasit të parë.
Kjo ndodhi për shkak të dy arsyeve; Së pari, ata ia dolën të fusin një ndjenjë terrori në vend dhe, së dyti, ndrojtja, xhelozia për njëri-tjetrin, gërricjet dhe ambicia e vetë shqiptarëve, që s’kishin dëshirë të bashkoheshin dhe kishin një mungesë patriotizmi. Ishte e vështirë të imagjinoje se sa frikë kishin shqiptarët, edhe ata më trimat, kur u përmendje emrin gjerman.
Gjermanët bënë më të mirën për të dhënë disa shembuj terrorizmi në vend, për të ngjallur frikë. Rasti tipik është djegia e fshatit Borovë, ku ata çuan drejt flakëve edhe gratë e fëmijët. Mbaj mend që në Shtyllë një djalë i vogël u dogj keq, por arriti të shpëtojë. Kudo që gjermanët do të sulmonin partizanët në fshatra, ata do të qëllonin edhe civilët, të cilët gjithnjë e më shumë nuk i largonin partizanët.
Pak vende e kanë kuptuar se çdo të thotë “të përçash, e të sundosh”, gjë të cilën gjermanët e realizuan kaq mirë në Shqipëri. Pak herë gjermanët u angazhuan në operacione direkte nga trupat e tyre. Në Pezë, në Orenjë apo në Dibër, por mund të përmend edhe shembuj të tjerë, ata patën ndihmë nga vendësit, kjo sepse kishin frikë ose thjesht se nuk i donin partizanët. Më duhet të theksoj se gjermanët asnjëherë nuk i shpërdoruan forcat e tyre nëpër operacione, por u angazhuan kryesisht në zona ku mund të rrezikoheshin kanalet e komunikimit.
Për shembull, ata pastruan mirë zonën e Pezës nga partizanët, në mënyrë që të largonin çdo kërcënim për rrugën midis Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit. Sigurisht që gjermanët bënë disa përpjekje për të kapur misionet tona apo Komitetin Qendror të LNÇ, por nuk ia arritën për shkak të vendndodhjes tonë në zona të largëta, ku nuk para na bezdisnin.
ARSYET E DËSHTIMIT
Pasi bëmë këto dy aksione, u depresuam nga fakti se përpjekjet tona për të trajnuar dhe pajisur më së miri Brigadën e Parë pothuajse kishin qenë të kota. Po jap disa arsye: A) Së pari, shqiptarët nuk ishin mësuar me luftime të rregullta. Partizanët nuk kishin disiplinë, as dëshirë për të bashkëpunuar siç duhet dhe as dëshirë për të luftuar italianët, përveçse kur mësonin se ata ishin në numër të vogël.
Të ndarë në grupe të vogla, të luftonin rrugët e komunikimit, të ndërmerrnin goditje të përqendruara te forca armike të veçuara dhe të zmbrapsin forca madhore pas këtyre sulmeve, vetëm në këto mundësi ata do të mund të ishin me vlerë. Pavarësisht se atyre nuk ua mban të luftojnë nga afër me armikun, nga distanca të largëta janë shënjestratorë të mirë dhe mund të trajnoheshin më mirë për këtë nisur edhe nga fakti se i mbronte terreni, por edhe se përpjekjet e tyre duhet të vlerësoheshin si luftëtarë individualistë.
Por t’i vendosje të luftonin në unitet në njësi të rregullta dhe të qëndronin të luftonin armikun, gjerman apo italian, ishte pothuaj e pamundur. Fatkeqësisht Lufta Nacional-Çlirimtare e përdorte fjalën brigadë apo batalion vetëm për qëllime propagande, por edhe për faktin se ata nuk mundën të kuptojnë avantazhin e luftës guerile. Dështimi i tyre në rrugën Leskovik-Korçë në datën 21 gusht ishte një rast ideal për ta ilustruar dështimin e tyre, por edhe disa raste të tjera në fshatin Shtyllë.
Në mëngjesin e datës 27 po kontaktoja Mehmet Shehun, zbulova se asnjë nga komandantët e batalioneve të tij nuk e kishte idenë se ç’po ndodhte, nuk e kishin idenë nga të shkonin në front dhe vetë Mehmet Shehu nuk ia kishte idenë se si ishte situata dhe u zbulua se ata as që kishin ndonjë ndërlidhës mes komandës dhe trupave në front të parë.
Pavarësisht këtyre mësimeve, partizanët nuk e braktisën idenë se duhet të organizoheshin në brigada dhe batalione dhe as që tentonin të bëheshin një forcë e rregullt luftimi, të cilën as që e zhvilluan si mundësi. Më vonë arritëm në konkluzion se kjo formë organizimi duhej më shumë për të goditur forcat e Ballit Kombëtar sesa pushtuesin.
Humbjet e partizanëve nuk ishin aq të mëdha, sa për të braktisur pozicionet e mira që kishin me pamje nga Vithkuqi. Artileria nuk ishte aq e rëndë apo shkatërruese, por morali i partizanëve ishte i tillë. Përkthyesi im, një burrë me trup të vogël dhe mustaqe të zeza, i cili më thoshte se ishte trim në luftë, tepër krenar për veten dhe përbuzës për italianët, e kaloi gjithë ditën 27 gusht duke u fshehur, aq sa të vinte keqardhje për të, ndonëse ishim larg nga rreziku.
Sapo beteja mbaroi, ai ngriti “bishtin” lart dhe krenar na informoi se italianët nuk mund të merrnin asnjëherë Shtyllën dhe se ushtarëve italianë nuk ua mban të luftojnë. Edhe Mehmet Shehu, kur po më shpjegonte faktin se si një nga batalionet e tij kishte dështuar për shkak të zjarrit të fortë armik, përfundoi me fjalët; “batalioni u tërhoq i detyruar dhe humbëm vetëm 3 veta dhe vetëm 2 të plagosur”.
FRIKA NGA REPREZALJET
C) Një nga problemet kryesore që limitonte mundësinë për aksione, ishte sjellja e popullsisë lokale e veçanërisht e Ballit Kombëtar. Objektivi ynë ishte pikërisht rruga Leskovik-Korçë dhe shumica e fshatrave afër rrugës ishin me Ballin Kombëtar. Shumë prej këtyre fshatrave ishin djegur tashmë nga italianët dhe gjermanët, për shkak të aksioneve të bëra kryesisht nga partizanët. Fare pak para se të vija unë, një forcë gjermane e blinduar kishte zbritur nga Leskoviku, duke djegur rrugës dhe duke masakruar banorët.
Këto ngjarje ishin të freskëta në memorien e banorëve. Ankesat e tyre të cilat m’u bënë nga Safet Butka, ishte se partizanët pa pritur dhe kujtuar bënin sulmin afër fshatit dhe më pas zhdukeshin duke lënë pas banorët që vuanin të gjitha pasojat. Safet Butka më kërkoi që çdo aksion në këtë rrugë të bëhej në zona të pabanuara, por një zonë e tillë pothuajse nuk ekzistonte. Partizanët ankoheshin se kur ata sulmonin armikun, banorët e fshatrave të Ballit, shkonin dhe paralajmëronin armikun, por këtë sigurisht që e bënin për të ndalur reprezaljen ndaj tyre.
Siç e përmenda, unë me majorin Maclean, pasi bëmë aksionin ndaj makinës gjermane, u larguam nëpër fshatra, por me një mungesë të madhe mikpritjeje dhe madje në një vend desh na qëlluan. Ky problem që shihej në të gjithë vendin, vinte për faktin se guerilët duhej të ndaheshin nga forcat civile dhe sigurisht që armiku do e kishte më të vështirë për reprezalje. Në Shqipëri dhe në Serbi, gjermanët dhe italianët ishin të aftë që të ndillnin te popullsia civile një farë përgjegjësie për sulmet e guerilëve ndaj tyre.
Nëse kjo ndjenjë përgjegjësie nuk do të ishte, atëherë reprezaljet pothuaj nuk do të ekzistonin, pasi edhe armiku nuk ishte i dhënë pas idesë që të shpërngulte njerëzit në kodra, madje kjo ishte gjëja e fundit që donin. Në fakt, bashkëpunimi që u bë me pushtuesin bëri këtë shërbim për armikun, që popullsia të ndiente përgjegjësi për çka ndodhte në aksione. Pa ndihmën e tyre armiku do ta kishte të vështirë, por ata kontribuuan indirekt për të neutralizuar përpjekjet tona.
Është e papranueshme që një organizatë tjetër të formohej që të ishte e ndarë nga pjesa luftuese, pavarësisht se Lufta Nacional-Çlirimtare kontribuonte për ta ndarë veten. Balli Kombëtar dhe çetat nacionaliste, nuk e ndanin veten nga popullsia civile dhe as që tentonin ta bënin një gjë të tillë. Ky fakt nuk më pëlqente aspak, ndonëse forca e tyre do të vinte duke rënë. Një faktor tjetër që ndikoi bindshëm te shqiptarët, ishte se gjermanët, si të përkohshëm në vend, do të iknin shpejt dhe nuk do t’u bënin asnjë dëm atyre apo vendit të tyre.
Ata argumentonin se pse duhej të luftonin, të vinin jetën në rrezik, pronat dhe shtëpitë e tyre kundër një armiku që dihej se do ikte së shpejti. Në këtë sens, duhet të kuptohet se kishte pak ndjenjë patriotike në Shqipëri. Për rreth 600 vjet, popullsia është detyruar nga dominime barbare dhe pushtuese të jetojë “poshtë” tyre, realitet i cili filloi të ndryshojë pas 1912./ Memorie.al














