Nga Bashkim Trenova
Pjesa e parë
NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET
PARATHËNIE
Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.
Ka sigurisht autorë që vendosin shenjën e barazimit midis nazizmit dhe komunizmit, por ka edhe të tillë që shohin ndryshime të mëdha midis tyre, si edhe të tjerë që nuk pranojnë asgjë të përbashkët në ideologji, por edhe në sistemet politiko-shoqërore të vendosura në Rusinë sovjetike pas Revolucionit të Tetorit dhe në Gjermaninë e periudhës naziste.
Objekti i këtij botimi është i kufizuar. Ai kërkon thjesht të “rindërtojë” vetëm një pjesë të rëndësishme të jetës së shoqërisë gjermane dhe sovjetike përgjatë diktaturës naziste në Gjermani dhe asaj bolshevike në Rusi. Pavarësisht këndvështrimeve dhe pozicionimeve, përgjithësisht pranohet se shoqëria gjermane dhe ajo ruse apo sovjetike, respektivisht gjatë pushtetit nazist dhe atij komunist, i janë nënshtruar një propagande të fuqishme shtetërore, që mobilizon dhe kontrollon mediat.
Ky pushtet ka instrumentalizuar edhe jetën artistike dhe e ka kthyer atë në një mjet të fuqishëm propagandistik. Kështu dalin dhe “lulëzojnë” stilet artistike zyrtare, ndërsa ai që vlerësohet si “art i degjeneruar” ndalohet. Letërsia dhe artet e kësaj kohe, si në Rusi ashtu edhe në Gjermani, kanë për detyrë të himnizojnë krerët shtetërorë dhe partiakë, t’i shërbejnë kultit të tyre, ambicieve të tyre, të propagandojnë madhështinë dhe forcën e Rajhut III dhe të Rusisë sovjetike, t’i bëjnë njerëzit të besojnë se janë të lumtur, të gëzuar, të pranojnë një botë imagjinare, e cila trumbetohet si reale.
Letërsia dhe artet detyrimisht duhet të jenë në shërbim të krijimit të njeriut robot, që komandohet me një shtypje suste nga lart, pa qenë nevoja të mendojë, madje as që duhet të mendojë, e ka të ndaluar, përndryshe deklarohet armik, devijator, tradhtar, agjent i të huajve. Dhe fundi dihet. Këtë tablo të zymtë, të trishtuar dhe asfiksuese synon të paraqesë edhe “Nazibolshevizmi – Letërsia dhe Artet”. Ai përbëhet nga pesë kapituj, konkretisht nga Kapitulli I – Letërsia; Kapitulli II 2 – Muzika; Kapitulli III – Filmi; Kapitulli IV – Teatri dhe Kapitulli V – Piktura dhe Skulptura.
Renditja sipas kapitujve është subjektive. Sicili kapitull pasqyron veprimtarinë e artistëve të fushës përkatëse, prodhimtarinë e tyre, detyrimet ndaj diktaturës, tematikën e lëvruar, ndjekjet dhe persekutimin e shumë e shumë prej tyre, që dashje apo edhe pa dashje, nuk u pajtuan me diktaturën, madje edhe të vetë atyre që i shërbyen me zell asaj. Në secilin kapitull trajtohet edhe roli vendimtar, prej despoti mesjetar, i Fuhrerit apo Vozhdit, lidhur me fatin e një romani, drame, një filmi, pikture, skulpture dhe të autorëve të tyre.
“Nazibolshevizmi-Letërsia dhe Artet”, sipas kapitujve, trajton fillimisht Gjermaninë naziste, në fushën përkatëse, dhe më pas Rusinë sovjetike apo Bashkimin Sovjetik. Rusia bolshevike ka një jetëgjatësi më të madhe nga Gjermania hitleriane. Kështu që ajo zë një vend më të madh dhe një hapësirë kohore më të shtrirë në këtë botim. Në fund të çdo kapitulli janë vendosur edhe referencat për veprat dhe autorët e cituar. Këtu nuk përshihen udhëheqësit politikë, veprat, autorët, shtypi, etj., që janë cituar në tekst gjatë shtjellimit të tij.
Autori
Kapitulli I
LETËRSIA
Në përfundim të Luftës I-rë Botërore Gjermania u mbërthye në një krizë të thellë të gjithanshme.Vendi kërcënohej të zhytej në një luftë civile të përgjakshme. Oligarkia ekonomike sheh tek Hitleri, udhëheqësi i Partisë Nacional-socialiste Gjermane, shpëtimtarin kundër komunizmit. Populli gjerman, në një dëshpërim dhe mjerim të plotë, kërkon edhe ai “shpëtimtarin” e tij. Në këtë rrjedhë, përkrah luftës politike dhe armëve të zjarrit, nga nazistët përdoren si armë edhe letërsia e artet në përgjithësi. Kjo shprehet në krijimin e një “kulture” kombëtare, të “pastër” dhe, nga ana tjetër, në ndalimin e një serie rrymash artistike të gjykuara si “dekadente”, “të rrezikshme”, “anti-gjermane”.
Letërsia dhe artet, sipas kritereve dhe terminologjisë naziste, u kufizuan në dy kategori krejtësisht të ndryshme dhe të papajtueshme: “naziste” dhe të “degjeneruara”. Është i njohur për kohën slogani nazist: Das Buch, ein Schwert des Geistes (Libri, shpatë e shpirtit) që shpreh në thelb konceptin ushtarak, luftarak nazist mbi rolin e letërsisë. Të kujtojmë gjithashtu se librin e tij të vetëm Hitleri e titulloi “Mein kampf” (Lufta ime).
Për Hitlerin dhe krerë të tjerë të nazizmit, shkrimtari shihet dhe vlerësohet thjesht si një ushtar i bindur, si kalorës i Mesjetës, që me shpatën e tij i shërben verbërisht princit, mbretit të tij, duke prerë koka heretikësh, duke mposhtur shpirtra të papajtueshëm, të revoltuar, duke “gdhendur” mendimin e kujtdo, kudo dhe kurdo, sipas modelit të porositur, sipas fjalës së “shenjtë” dhe “arsyes supreme” hitleriane. Detyra e letërsisë, thënë shkurt, është të zhveshë njeriun nga thelbësorja, nga identiteti i tij, nga të qenit njeri, ta denatyrojë, ta kthejë në mekanizëm, në një buton të rrezikshëm në duart e fesë se re politike, nazizmit.
Për këtë qëllim, përveç të tjerave, duke filluar nga viti 1934, nazistët organizuan në çdo tetor edhe “Javën e librit gjerman”, ku llogaritej të merrnin pjesë rreth 60 milionë vetë ose, po të përdorim gjuhën e kohës; “një bashkësi e tërë racore popullore”. Ndërkohë, nuk mungonte “bujaria” kur bëhet fjalë për librin, për kalimin e tij tek lexuesi. Jo rrallë, mekanizma apo institucione të caktuara si, p.sh., Dhoma Letrare, por edhe funksionarë të lartë të Partisë Naziste, në vend të ushqimit, shpërndanin falas librat Mein Kampf, Dashuria jonë për Ushtrinë, Ushtria Gjermane etj. Për nazistët libri duhej gëlltitur nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, nga të gjitha nivelet e saj; fshatarë, punëtorë, burra, gra, adoleshentë, të moshuar, intelektualë, racionalë apo irracionalë, të fanatizuar apo të tërhequr.
Vetë libri duhej, njëkohësisht, t’i gëlltiste ata. Në këtë dy vartësi, subjekti i trajtuar në letërsinë naziste është i shumëllojshëm dhe jo domosdoshmërish i lidhur drejtpërdrejtë, hapur, me nazizmin dhe vetëm me të. Për t’i bërë të varur lexuesit ndaj librit, nazistët kanë manipuluar me gjithçka lidhet apo kushtëzohet veprimtaria e individit apo shoqërisë në tërësi; me supersticionin, mistiken, ndërgjegjen dhe në ndërgjegjen, obskurantizmin, subjektiven, fiktiven, historinë, legjendat dhe me çdo gjë, që e kanë gjykuar se u shërben themeleve të ideologjisë së tyre, ambicieve të tyre, sidomos kultit të shefit si model, që ushqen ëndrrën e “njeriut të vogël” për t’u renditur midis anëtarëve të një elite, për të qenë edhe ai njëlloj “Fuhreri”.
Sikurse shkruan gjermanisti, profesori, themelues dhe ish-drejtor i koleksionit “Gjermania dje dhe sot”, Thierry Feral, letërsia gjermane e Rajhut III-të, d.m.th. gjatë viteve të nazizmit në pushtet , ashtu si çdo veprimtari artistike, “ka shërbyer jo vetëm për të himnizuar Fyhrerin dhe racën superiore ariane, por edhe për të përhapur urrejtje, dhunë dhe vdekje…një thirrje për rikthimin në fron të forcave barbare dhe primitive”. Obskurantizmi nuk mund dhe nuk u pajtua me letërsinë përparimtare, demokratike gjermane, por as me letërsinë e huaj, që u deklarua si heretike apo si armike e “rilindjes gjermanike”, d.m.th. e Rajhut të III.
Kështu, më 10 maj 1933, në sheshin e Operës së Berlinit, në prani të mbi 70.000 vetëve të eksituar, u hodhën në flakë dhe u shkrumbuan më se 25.000 libra të mbi 400 autorëve vendas dhe të huaj, midis të cilëve botime të Heinrich Mannit, Ernst Glaeserit, Erich Kastmerit, Sigmund Freudit, Fridrich Wilhelm Forsterit, Emil Ludvigut, Wermer Hegemannit, Theodor Wolfit, Georg Bernhardit, Erich Maria Remarkut, Bertolt Brechtit, Lion Feuchtwangerit, Alfred Kerrit, André Gides, Jack Londonit, Tucholskyt, Ossietzkyt, K. Marxit Kautskyt.
Përzgjedhja e tyre u bë në bazë të Schwarzen Listen (lista e zezë) e hartuar paraprakisht nga Ministria e Edukimit të Popullit dhe e Propagandës. Joseph Gëbelsi, kreu i kësaj Ministrie, në fjalimin e rastit, midis të tjerave thekson: “Studentë, burra dhe gra të Gjermanisë,…ju veproni drejt në këtë orë të vonuar, duke ua besuar flakëve kalbësirat intelektuale të së kaluarës…nga gërmadhat e tyre do të ngrihet fitimtar zoti i një fryme të re”.
Në të vërtetë, sikurse do të shprehet, 80 vjet më pas, profesorja e letërsisë në Universitetin e Lirë të Berlinit, Irmela von der Lühe, duke cituar sociologen Helge Pross, djegiet naziste të librave, ishin thjesht një “prerje e kokës intelektuale të Gjermanisë”. Kujtojmë se në fjalimin e mbajtur në Kongresin e VII të Partisë Naziste, Hitleri është shprehur pa asnjë dyzim apo nënkuptim: “Nuk është zgjuarsia që zhytet në stërhollime, ajo që e largoi Gjermaninë nga shkatërrimi, por besimi juaj…sepse vetë zemra ju ka urdhëruar, sepse vetëm një zë i brendshëm ju ka diktuar…! Arsyeja nuk do ju kishte këshilluar të vinit tek unë, por vetëm besimi ju ka urdhëruar”.
Zjarre masive, për të njëjtin qëllim, u ndezën në 22 qytete gjermane. Në çdo rast librat u sollën në sheshe me kamionë nga SA (Sturmabteilung- policia naziste). Djegia e tyre u shoqërua sipas të njëjtit ritual, me të njëjtat fraza ekstremiste gjoja atdhetare, me zhurmën e trompetave dhe thirrje të turmës. Ato u shkrumbuan të shoqëruara me thirrjet raciste e obskurantiste të Gëbelsit: “Kundër degradimit dhe imoralitetit, kundër poshtërimit të ndjenjave dhe tradhtisë politike, për mbarësinë e Bashkësisë sonë racore popullore dhe të shtetit, kundër… korruptimit të shpirtit, për fisnikërinë e shpirtit njerëzor, kundër falsifikimit të historisë sonë dhe poshtërimit të figurave të saj të mëdha, për respektin e të kaluarës sonë, kundër tradhtisë letrare ndaj ushtarit të Luftës së Madhe.
Për edukimin e Bashkësisë sonë racore popullore me një frymë luftarake, kundër paturpësisë dhe arrogancës, për respektimin e shpirtit të pavdekshëm gjerman”. Historia nuk njeh, as në kohën e Inkuizicionit, një djegie të tillë të librave, në këto përmasa, si kjo që bënë nazistët në Berlin, në Bremen e në të tjera qytete gjermane. Në këtë pamje, obskurantizmi mesjetar është një model modest nëse do të krahasohej me obskurantizmin nazist.
Një shekull më parë, Heinrich Heine, një nga shkrimtarët më të mëdhenj gjermanë të shekullit të XIX, kishte paralajmëruar në mënyrë profetike në tragjedinë e tij Almansor (1821): “Aty ku digjen librat, përfundohet me djegien e njerëzve”. Hitleri dhe ndjekësit e tij, sigurisht që nuk mund të kënaqeshin thjesht me shkrumbimin e letërsisë gjermane apo të huaj, të cilësuar si armike.
“Shenjtërimi” apo paprekshmëria e ideologjisë naziste nuk mund të mos prekte edhe fusha të tjera të lidhura me librin, si të thuash, të gjithë tregun letrar (specialistët e teorisë, të prodhimit, të shpërndarjes, të censurës, etj.). Kështu, paralelisht me djegien masive të librit “heretik”, nazistët konfiskuan mijëra libra nga bibliotekat publike dhe private, nga libraritë, nga organizatat politike dhe sindikale, nga bibliotekat fetare.
Në vitin 1935 ata bënë listën e parë të “shkrimeve të dëmshme dhe të padëshirueshme”. Në të u regjistruan 12.400 tituj librash dhe vepra komplete të 149 autorëve të letërsisë marksiste, socialiste, pacifiste, dhe përgjithësisht të atyre që pasqyronin opinione humaniste e demokratike. Letërsia e përfshirë në këtë listë, si dhe autorët përkatës, u cilësuan si poshtërues të natyrës dhe kulturës së popullit gjerman. Ata u akuzuan edhe për “krimin” e mospranimit të nocionit të racës.
Në këtë rrjedhë u konfiskuan libra të “artit të degjeneruar”, “dekadent”. Veprime të njëjta janë përsëritur gjatë viteve 1939-1941. Në qershor të vitit 1941 nazistët institucionalizuan censurën nëpërmjet një dekreti të hollësishëm drejtuar përgjegjësve të Sicherheitspolizei (policisë së sigurimit të krijuar në vitin 1936 nga Heinrich Himmler) dhe atyre të Sicherheitsdienst (shërbimeve sekrete SS të krijuar në vitin 1931 nga Reinhard Heydrich, nën drejtimin e Heinrich Himmler).
Konfiskimi i librave vazhdoi deri në vitin 1945, d.m.th. deri në fundin e regjimit nazist. Në këtë kuadër, Max Amanni, kryetar i Dhomës së shtypit të Rajhut, mbylli revistat katolike dhe të pavarura ose i detyroi pronarët e tyre t’ia kalonin shtëpitë e tyre botuese Partisë Naziste, shtëpisë së saj botuese Eher-Verlag. Qindra revista u detyruan të mbyllen. Në vitin 1933 llogariteshin 3.000 revista në Gjermani.
Prej tyre mbetën vetëm 6.975 në vitin 1944. Eher-Verlag botonte 80 për qind të shtypit gjerman. Shtëpitë Botuese hebreje, të akuzuara se “militojnë të dekompozojnë Gjermaninë”, ta “çifutizojnë” atë, kuptohet, nuk u kursyen. Ato u mbyllën ose u detyruan të emigrojnë. I tillë është rasti i Shtëpisë Botuese “Fischer”. Katalogët e një shtëpie tjetër botuese hebreje, “Rohwohlt”, u ndaluan ose u shkatërruan.
Shtypi nazist dhe pro nazist, midis tyre Revista Die Neue Literatur (Letërsia e Re) në mënyrë sistematike denoncon botuesit “e rrezikshëm” hebrenj. “Asnjë kompromis me çifutët”, shkruan botuesi i saj Will Vesper, i njohur sidomos për odet e tij për Führerin si edhe për tregimet e recensionet e tij. Ai u bë zëdhënësi i ideologjisë naziste, duke demonstruar në veçanti nacionalizmin dhe antisemitizmin më të shëmtuar. Në shkurt të vitit 1937, në broshurën e tij Geschichten von Liebe, Traum und Tod (Histori dashurie, ëndrrash dhe vdekjeje) të mbushur me ide raciste dhe naziste, kundër botuesve hebrenj.
Vesper shkruan: “Kur një vajzë e re gjermane ka lidhje me një hebre, të dy dënohen me të drejtë, për ndotje racore (Rassenschande). Kur një shkrimtar gjerman dhe një librashitës gjerman mbajnë marrëdhënie me botuesit hebrenj, a nuk është kjo një njollë racore edhe më serioze, madje edhe më e rrezikshme”? Gjithnjë me të njëjtën urrejtje ndaj shtëpive botuese hebreje, ky autor nazist ka shkruar: “Megjithatë, nuk është aspak e mjaftueshme për të kapur disa nga këta minj dhe për t’i hedhur jashtë. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të mbrojtur absolutisht popullin gjerman kundër dredhive tinëzare të të gjitha shtëpive botuese hebreje në botë”. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














