Nga Erald Kapri
Pjesa e parë
Memorie.al / Dokumenti që publikojmë në këtë shkrim është një raport i majorit britanik Kemp, i cili ishte një ekspert shumë i aftë ushtarak që mori pjesë në organizimin e Brigadës së Parë partizane, të drejtuar nga Mehmet Shehu. Ai rrëfen me detaje rrethanat e krijimit të kësaj brigade me rreth 700 vetë, të mirë-armatosur nga forcat aleate. Sakaq, majori britanik dëshmon se kjo trupë dështoi në luftë kundër ardhjes së gjermanëve në gusht 1943, pasi ajo nuk u organizua siç duhet dhe krerët e saj vepruan kundër këshillave britanike. Kemp konfirmon se organizimi i brigadës në batalione ishte absurd, sepse nuk ofronte asnjë mundësi për luftë guerile efektive.
“Fatkeqësisht, – vëren ushtaraku perëndimor, – lidershipi i Luftës Nacional-Çlirimtare, e përdorte fjalën brigadë apo batalion vetëm për qëllime propagande, ndërkohë që nuk pranuan asnjëherë avantazhin e luftës guerile. “Më vonë, – saktëson majori Kemp, – arritëm në konkluzion se kjo formë organizimi duhej më së shumti për të goditur forcat e Ballit Kombëtar, sesa ato naziste”!
Nga ana tjetër, ai shprehet se kjo brigadë u formua për luftë ballore frontale, por nuk ia doli kurrë. Në dështimet e saj ai përmend aksionet e para kundër gjermanëve në rrugën Leskovik-Korçë, konfliktet me çetat e Ballit Kombëtar, reprezaljet e shumta ndaj popullsisë civile etj.
Me interes të veçantë, sidomos për studiuesit e fushës, janë analizat profesionale të majorit Kemp, për mënyrat e luftimit të forcave gjermane dhe atyre italiane në Shqipëri. Raporti i tij është pjesë e dokumenteve të Arkivit të Ministrisë së Luftës, ku Kemp koleksionoi punën e bërë në vendin tonë, nga gushti i vitit 1943, deri në mars 1944…!
DOKUMENTI
Raport për Shqipërinë gusht 1943-mars 1944.
Shkruar nga Majori P.M.M.
Kemp Mision në Shqipëri
Në fillim të gushtit 1943, në Shqipëri ishin tre misione ushtarake britanike të njohura si “Concensus”, “Spinter” dhe “Slender”. Po atë muaj u infiltruan edhe katër misione të tjera. Misioni “Skulptor”, nën drejtimin e major Tillman, “Sapling” nën drejtimin e major Field, “Sconce” nën drejtimin e major Seymour dhe misioni “Stepmother” nën drejtimin tim.
Detyrat tona ishin të thjeshta; të vrisnim italianë dhe gjermanë, të ulnim sa më shumë moralin e tyre, t’i mbanim të zëna forcat e tyre, të gjenim armët dhe mbështetjen e duhur për çetat shqiptare, pavarësisht krahut politik, por që ishin të gatshme të luftonin armikun, si dhe të siguronim sa më shumë informacion për çështje ushtarake dhe politike.
U parashutova ditën e 10 gushtit te misioni “Concensus”, që ishte nën drejtimin e majorit MaClean. Me mua ishte një agjent paramilitar Gregson Allcot dhe operatori Roberts, i cili kishte ardhur një muaj para meje dhe më priste. U parashutova në Shtyllë, një zonë malore e që ishte një fshat mysliman rreth 10 milje larg në jugperëndim të Korçës.
Kur ne arritëm, misionet “Spinter” dhe “Slender” kishin lëvizur në veri të vendit, ndërsa misioni “Concensus” po merrej me organizimin e operacioneve në zonën e rrugës Korçë-Leskovik, që ishte një nga nyjat kryesore të komunikimit të gjermanëve me Greqinë. Ata ishin duke bashkëpunuar me forcat e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe ishin në kontakt të ngushtë me Komitetin Qendror të Luftës Nacional-Çlirimtare, që ndodhej 3 milje më tutje, në Vithkuq.
Në bashkëpunim me ta po bëhej trajnimi i Brigadës së Parë, që ndodhej në Vithkuq. Majori Maclean ishte në kontakt edhe me disa liderë lokalë të Ballit Kombëtar dhe po i nxiste ata të merrnin pjesë në aksione kundër kësaj rruge, nën drejtimin e kapiten Smiley.
Disa ditë më pas, ne organizuam një konferencë për të përcaktuar zonat ku do të punonim dhe, më pas, major Seymour u nis për në zonën e Pezës, major Field u nis për në Vlorë dhe majori Tillman për në Gjirokastër.
Unë ndenja në këtë zonë për të ndihmuar Maclean që t’ia dilte me Komitetin e Luftës Nacional-Çlirimtare. Kishim si qëllim që, sapo të merrnim lejen nga komanda në Kajro, unë të nisesha për në Kosovë. Nga mesi i gushtit, Brigada e Parë ishte e përgatitur në mënyrë adekuate, e armatosur me të gjitha pajisjet dhe gati për operacione.
Ajo komandohej nga Mehmet Shehu, i gatshëm dhe kurajoz, i cili kishte luftuar në luftën civile në Spanjë, por që kishim qenë kundërshtarë dhe që sigurisht unë kurrë nuk e përmenda këtë fakt. Brigada u nda në 4 batalione me nga 150-200 veta, të pajisur mjaft mirë me armë, si me murtaja, mitraloza të lehtë dhe pushkë antitank.
Më datë 20 gusht, brigada lëvizi nga Vithkuqi në drejtim të Barmashit në rrugën e Korçë-Leskovikut, së bashku me Mehmet Shehun, i cili kishte planifikuar operacionet me ne. Pak ditë më herët, Komiteti i Luftës Nacional-Çlirimtare la Vithkuqin për të shkuar në zonën e Elbasanit, për më shumë kushte sigurie.
Maclean, Smiley dhe Duffy shkuan pas Brigadës, ndërsa unë mora detaje për të kontaktuar me profesor Safet Butkën, një lider i fuqishëm lokal i Ballit Kombëtar, i cili kishte pasur disa probleme me partizanët.
Kjo ishte eksperienca ime e parë në armiqësinë që po përhapej mes Luftës Nacional-Çlirimtare dhe të djathtëve të Ballit që drejtohej nga pronarë lokalë tokash. Pasi takova profesor Butkën dhe bëra më të mirën për ta qetësuar për shqetësimin e tij, iu bashkova në mbrëmje grupit të Maclean.
Rruga kalonte përmes malesh dhe lagunash, çka e bënte të përshtatshme për të ngritur pritë. Plani ishte që Mehmet Shehu të lëvizte brigadën e tij gjatë natës dhe të vendoste partizanët në të dyja anët e luginës me pamje nga rruga dhe kjo, pasi zbuluesit në terren kishin informuar se nuk ka armiq në atë zonë.
Lt. Duffy shkoi së bashku me një grup për të shkatërruar urën për në Berat, në jug të Leskovikut. Pra, sapo armiku të shfaqej nga pjesa jugore e rrugës së Korçës, ajo do të mbyllej nga partizanët dhe më pas nga të dyja anët e luginës do të qëllohej nga partizanët. Nga ana tjetër, Duffy do të hidhte në erë urën për në Berat, duke mbyllur rrugën për në jug. Plani nuk shkoi siç duhet.
Duffi arriti në Berat, por pa që ura mbrohej mirë dhe ishte e pamundur ta hidhje në erë. Një nga batalionet partizane gjatë kohës që po tentonte të kalonte rrugës, filloi të qëllohej nga një postë gjermane, e cila ishte vendosur pas kontrollit tonë.
Zbuluam se bëhej fjalë vetëm për një togë të vetme prej 20 gjermanësh.
Majori Maclean, kapiten Smiley dhe unë shpenzuam gjithë ditën duke bindur Mehmet Shehun që t’i sulmojë ata 20 gjermanë dhe të adoptojmë një plan të ri, por Mehmeti, i influencuar edhe nga komandantët e tij të batalioneve, refuzoi dhe tërhoqi batalionin në Vithkuq. Ishin 700 partizanë të mirë-armatosur dhe trajnuar, të cilët u intimiduan dhe u frikësuan nga 20 gjermanë.
Të nesërmen, kapiten Smiley u kthye për në Shtyllë, ndërsa unë dhe majori Maclean bashkë me dy shqiptarë qëlluam një makinë të stafit gjerman, e cila ndodhej para për zbulim. Kjo makinë stafi po shkonte në Korçë e vetme, në avancë të një ardhjeje të një kolone të madhe gjermane.
Besoj se vramë 3 ose 4 gjermanë, megjithëse arma ime u bllokua gjatë sulmit. Gjithsesi, u vonuam dhe u detyruam të largoheshim mes plumbash që vinin nga kolona që po afrohej. Gjatë rrugës për në Shtyllë, ne kaluam në disa fshatra të kontrolluara nga forcat e Ballit dhe na u refuzua ushqimi apo strehimi, pasi kishin frikë nga reprezalje e gjermanëve, nisur nga fakti që kishin dëgjuar për aksionet tona.
Madje, në një fshat, njerëzit ishin aq të inatosur, sa menduam të ikim sa më shpejt, se ndryshe do të qëlloheshim. Arritëm në Shtyllë në mbrëmje. Në mëngjes një forcë italiane prej 1 mijë trupash nisi një operacion ndaj Vithkuqit dhe Shtyllës, të pajisur mirë dhe me 2 topa 155 m/m dhe 2 të tjerë 65 m/m, por ata nuk e dinin që 700 partizanë i prisnin që ishin të pajisur mirë me armë dhe kishin zënë pozicione të volitshme.
Ditën e parë ata i qëruan mirë të dyja fshatrat dhe ditën e dytë ata zunë kodrat me pamje nga Vithkuqi, duke i larguar me vështirësi partizanët nga pozicionet, të cilët, nëse do të ishin më të vendosur, atëherë italianët do ta kishin të pamundur të çanin.
Isha gjithë ditën në kontakt me trupat e vijës së parë të Brigadës së Parë. Italianët na i morën këto pozicione në mëngjes të ditës tjetër dhe, gjatë pasdites, trupat e tyre avancuan me ndihmën e artilerisë së lehtë, nga sulmi me mortaja dhe me dy avionë.
Partizanët e kishin të pamundur t’ia dilnin dhe u tërhoqën me pak humbje. Po atë mëngjes ne zhvendosëm shtabin nga Shtylla, për të shkuar në një vend më të sigurt në pyll, duke groposur çdo material që nuk e merrnim dot. Gjatë mëngjesit tentuam të bëjmë diçka para se italianët të hynin në Shtyllë.
Vendosëm për të hedhur në erë shtegun ku kaluam, por nuk ia dolëm dhe Duffy dhe Jenkins për pak sa nuk humbën jetën. Italianët dogjën të dyja fshatrat, edhe Shtyllën edhe Vithkuqin, ndërsa banorët ia dolën të ikin në kodra. Ata që s’mundën, u vranë nga italianë. Më pas ata u tërhoqën drejt Korçës./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












