Nga Mërgim Korça
Memorie.al publikon kujtimet e panjohur të Mërgim Korçës me banim në SHBA-ës (të birit të ish-ministrit të Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës që vdiq në burgun e Burrelit pas një greve të gjatë urie), për mikun e tij, Imzot Irene Banushin, Peshkop i Klerit Orthodoks që shërbeu në Manastirin e Ardenicës deri në vitin 1967 që regjimi komunist mbylli objektet e kultit. Bisedat që ata bënin gjatë kohës kur ishin në rrethin e Lushnjes dhe çfarë i thoshte Imzot Irene lidhur me figurën e Enver Hoxhës dhe krimet e tij, duke filluar nga eliminimi i Qemal Stafës, Bahri Omarit dhe më pas kundërshtarët dhe shokët e tij.
Si dhe kujtimet e Pandeli Stringës, të birit të avokatit të njohur, Dr. Spiro Stringës, (i cili në Gjyqin Special mbrojti disa nga personazhet më të njohura që u dënuan aty) për Imzot Irene Banushin, mikun e familjes së tyre gjatë periudhës që ata kanë jetuar në rrethin e Lushnjes, ku Peshkopi i famshëm kishte shërbyer te Manastiri i Ardenicës pasi vuajti dhjetë vjet në burgjet e regjimit komunist, e në vitin 1967, u dërgua të punonte në një ndërmarrje ndërtimesh si llogaritar.
Pas asnjë mëdyshje Hirësia e tij, Peshkop Irene Banushi, radhitet ndër ato figura më të shquara të klerikëve shqiptarë, që u persekutuan nga diktatura e egër komuniste. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe me të, sepse ai kurrë nuk u lëkund në bindjet e tija sido qofshin rrethanat. Parimi i tij ishte siç e kishte shprehur gjithmonë dhe vetë në shkrimet e shenjta e zbatimin e rregullave të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe zbatimin e kanoneve të shenjta, si dhe t’u bindej ligjeve të shtetit. Përsa kohë që ato të mos e dëmtonin Institutin e shenjtë të jetës kombëtare.
Duke qenë se qëndrimet e tij janë karakterizuar gjithmonë si koherente me bindjet që kishte, nuk ka asgjë për t’u çuditur që atë e persekutoi, si okupatori ashtu dhe diktatura komuniste. Lidhur me botën e larmishme shpirtërore si dhe me episode nga jeta e Hirësisë së tij Irene Banushi, është shkruar dhe herë të tjera. Me këtë shkrim dëshiroj të paraqes disa kujtime personale nga diskutimet me Imzot Irineun, lidhur me pikëpamjet e tij disa prej të cilave kundruar në mënyrë prapavështruese dhe disa të tjera parashikuese nga vetë ai.
Në të tilla diskutime ai theksonte dhe nuk pushonte së përsërituri duke thënë: “Jeta më ka mësuar mos me qenë kurrë kategorik në interpretime periudhash kohore ndodhesh, ose veprimesh personale të ndryshme. Shpesh më takon me dhanë sot interpretime tansisht të kundërta me ato që kam pasë dhanë dhjetëra vjet të shkuara, për të njëjtat rrethana e po me të njëjtit persona, megjithëse asnjë fakt i ri nuk e ka pasurue rrethin e njohurive të mija për ta”.
Ireneu e theksonte gjithmonë se për popullin si dhe për kombin tonë themelimi i shtetit zyrtar shqiptar kishte krijuar shumë probleme sa të reja aq dhe të ndërlikuara. Por këto nuk ishin asgjë me problemet që lindën pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ai vetë në atë kohë ishte shquar shumë për qëndrimin e tij anti-italian, saqë e burgosën dhe e internuan në fshatin e humbur të Redodescos në Mantova të Italisë, prej nga e liruan pas një viti pas ndërhyrjes që bëri Hirësia e tij, Kristofor Kisi, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare tek Francesco Jacomoni.
Mbas lirimit me funksionet që kishte, Imzot Irineu u shqua për ndërhyrjet e tija në favor të të arrestuarve anti-fashistë, diku në saj të miqësisë dhe kontakteve që kishte me personalitete drejtuese të kohës, dhe në sajë të pozitës si Peshkop. Ky është pikërisht ai çast të cilin Imzot Irineu, e quante delikat për fatet e Shqipërisë për të cilin ai shprehej: “Vetë gjendja ndërkombëtare ishte tejet e ndërlikuar. Normalisht neve na levërdiste që të ishim të lidhur me Aleatët si kundërshtarë të Boshtit. Por nga ana tjetër aleatët ishin të lidhur me Bashkimin Sovjetik një shtet komunist dhe thellësisht anti-fetar, gjë e cila në perspektivën e largët mujti me u bë shumë e rrezikshme për vendin tonë ashtu si dhe u bë. Kjo gjendje e paqartë ishte dhe arsyeja që një pjesë e madhe e rinisë si dhe e popullit ta përkrahte Lëvizjen Nacionalçlirimtare Shqiptare. E në këtë mes u lidhën me Luftën Nacionalçlirimtare, elementë që kurrë nuk kishin pasur lidhje me të, duke filluar nga Gjergj Kokoshi, mik i imi shumë i mirë. Gjovalin Luka, intelektual përparimtar dhe pinjoll i një familjeje të pasur, Riza Dani, intelektual dhe fetar i shkolluar dhe i kamur që kurrgjë të përbashkët nuk kishte me komunizmin e sa e sa të tjerë”.
Në këtë kontekst imzot Irineu duke diskutuar e atëhershme kur ruajtja e orientimit politik ishte në ato kushte të posaçme shumë e vështirë tregonte se dhe vetë Qemal Stafa, të cilin hirësia e tij e kishte shok fëmijërie. Për Qemalin thoshte “I entuziazmuar prej Manifestit Komunist, u bë ndër themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë, por jam i bindur si buka që i madhërueshmi Zot më jep të ha, se të kishte qenë gjallë Qemali, shumë herët mbasi komunistët e morën në dorë pushtetin, atë (Qemalin) do ta kishin eliminue, për mos me thënë që edhe në 5 maj 1942, ata vetë e dekonspiruan e për pasojë ai u vra. (Me këtë rast edhe unë i tregova Hirësisë së tij një kujtim timin rreth një fakti shumë kuptimplotë që hedh dritë dhe ka lidhje sesi u vra Qemal Stafa, por që në shkrimin aktual del nga tema rreth kësaj pike). Ai pas një heshtjeje të gjatë, kur filloi, m’u duk si i lajthit, por pastaj dora dorës e kuptova se ku e kishte pikësynimin.
Në një rast ishim të ftuar për darkë tek familja Sylari në Lushnje, familje që e ka pritur dhe përcjellë hirësinë e tij Irineun, me shumë respekt dhe dashuri në kohën kur të afërm të tij i largoheshin. Një ditë udhëtoja me tren për në Tiranë e bashkë me mua dhe Imzot Irineu. Ai shkonte që të takonte një shok të tijin, Dhimitër Bedulin, të cilin kurrë nuk e hiqte nga goja. Ishte periudha e Luftës së Klasave, (ashtu siç e kishte qejf ta shqiptonte diktatori) e cila paraqitej me kulme e cektësira, ashpërsime dhe zbutje. Po dukej sikur i drejtohej një zbatice.
I them Irineut, se mbase diktatorit i mbushet mëndja nga ai mallkim që e kishte gjetur popullin tonë nëpërmjet kësaj Lufte Klasash. Dhe ai më dha një përgjigje që nuk mund ta harroj kurrë, më tha: “Si të gjitha diktaturat në botë dhe tek ne nuk bëhet përjashtim. Fillimisht Enver Hoxha mbasi filloi duke zhdukur kundërshtarët e vetë, e më pas fshehtas shokët e tij, që në të ardhmen ai mendonte se mund ta linin në hije. Kur e mori pushtetin, ai i bëri që të dridheshin shokët e tij (që ata të kuptonin që ai nuk bënte lojna).
U tregue i pamëshirshëm duke vrarë burrin e motrës së tij, që ky i fundit e kishte mbajtur me bukë atë dhe shokët e tij. Mbasi mbaroi kjo periudhë, ai filloi që të dënonte me vdekje zëvendësit e bashkëpunëtorët e vetë, madje, ndonjë e kishte detyrue me krye edhe vetëvrasje. E në këtë fazë të krimit që ai ka mbërrit, frika prej hijes së tij, nuk e ndalon më dorën e tij, e ai thellë e më thellë ka për ta vazhduar dhunë duke e ngushtue rrethin e ngushtë të miqve të tij. Prandaj mos e mendo se lufta e klasave ka për tu ngushtue, por ka për të ardhë e për t’u bë më e tmerrshme, deri në vdekje të tij. E mjerë ky popull se ç’ka me pa më gjatë”.
E pas këtij pohimi ra heshtja dhe Imzot Irineu më shihte në sy, por mëndja e ti ishte gjetkë. Në këtë kohë treni po jepte shenja që po ia afrohej stacionit fundor në Tiranë dhe biseda me Imzot Irineun mori fund atë ditë. U ndamë me të që në tren që të mos binim në sy. Ai zbriti dhe u përzie me turmën e njerëzve që po dilnin. Unë e ndoqa për ta parë dhe thashë me vete: “Sa i zakonshëm mes të zakonshmëve duket ai. Kurse mençuria dhe dituria e tij e madhe që kishte, nuk ishin asgjë madhështisë dhe forcës së karakterit të tij. Hirësia e tij diti të vuajë diti të qëndrojë dhe ç’është më e rëndësishmja diti dhe të falë.
Nga Pandeli Stringa
Kujtimet e Pandeli Stringës: Si e kam njohur Imzot Irene Banushin në Lushnje
Xha Ireneun (siç e thërriste populli i Lushnjes e i Ardenicës) e njoha së afërmi në jetën e tij civile në qytetin e Lushnjes në qershorin e vitit 1967. Kjo ishte njohja në moshë madhore, pasi Ireneu ka qenë mik i familjes sonë dhe sidomos i babait tim (avokat Spiro Stringës). Si funksionar i lartë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ai vinte në familjen tonë si shërbëtor i Perëndisë për raste festash fetare. Ajo që e mënjanoi Imzot Irene Banushin nga detyra e tij fetare, ishte diktatura e egër komuniste, e cila e burgosi atë dy herë nga 5 vjet si dhe internimet e mëvonshme për një kohë të gjatë në Shënavlash dhe Ardenicë.
Në Lushnje ai njihej si njeri i thjeshtë dhe punonte si llogaritar në Ndërmarrjen e Ndërtimit ku shquhej për njohjen e rregullave dhe kërkesave si dhe për zbatimin e detyrës me korrektësi të madhe. Në sajë të kulturës inteligjencës dhe karakteristikave personale të tij si, thjeshtësia e zemërgjerësia, respekti ndaj të tjerëve, krijuan tek populli i Lushnjes e banorët e Ardenicës një respekt të veçantë, të cilët e nderonin si në punë ashtu edhe në jetën e tij private.
Disa familje lushnjare si: Sylari, Libohova dhe Gallai, i hapën dyert atij dhe i ofronin dreka dhe darka familjare, duke e respektuar me zemër. Në të gjitha rastet xha Ireneu ishte i matur, gjakftohtë, i ëmbël, i qeshur, elegant në biseda dhe aspak i mërzitshëm. Ai ambientohej shumë shpejt me rrethanat që i krijoheshin. Nuk kishte pretendime dhe kënaqej me atë që i krijonin mundësitë dhe me shokët e dashamirësit e tij mundohej që të ishte kavalier. Ai dilte gjithnjë i veshur thjesht dhe i pastër, e nuk afrohej kurrë në rrethin e njerëzve të Partisë, me qëllim që t’i ruante ata nga opinion, pasi Lushnja ishte vendi i të internuarve.
Zakonisht xha Ireneu e kalonte darkën tek restorant “Myzeqeja” ku unë pothuajse e takoja çdo natë. Ai dinte me kë bisedonte dhe çfarë bisedonte. Ireneu ishte shumë i shpejtë dhe i saktë në gjykime, nga që ishte i rrahur shumë me problemet e jetës. Edhe pse i sëmurë nga tuberkulozi dhe diabeti, ai bënte regjim mjekësor brenda mundësive ekonomike dhe financiare.
Burgu dhe internimi i kishin prekur shëndetin dhe kishin lënë gjurmët e veta personaliteti i tij duke e detyruar që të shtrohej në spital në tetor të vitit 1973. Aty unë u takova përmallshëm me të për herë të fundit, pasi nuk vonoi shumë dhe më 25 nëntor ai u nda nga kjo jetë. Humbja e tij ishte një fatkeqësi e madhe jo vetëm për ortodoksinë shqiptare por edhe për vetë Shqipërinë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016