Nga Moisi Dalipi
Memorie.al / Ish futbollistin e njohur durrsak Maksut Leshteni nuk e ke shumë të vështirë për ta takuar në qytetin bregdetar të Durrësit. Kaq e vërtetë është kjo, sa që në çdo dyqan që të pyesësh e merr shpejt përgjigjen nga cilido që të thotë: – “Tuti, ka pak që është larguar prej këtu me një shokun e vet, nga ata të futbollit. Po mos bëjë merak fare, se gjen shpejt. Më së shumti e takon më mirë në mbas dite në stadium, se sot luan dhe ‘Teuta’ për kampionat”. Dhe në fakt kështu ndodhi. Pak minuta përpara fillimit ndeshjes, diku në tribunë ai ulet si zakonisht tek vendi tij, duke shijuar ndeshjen në nostalgji e viteve kur luante vetë futboll.
Drejtuesit e klubit “Teutës” të sqarojnë se edhe në kushtet e zbatimit të protokollit sanitar kundër Covid -19 për ndeshjet që zhvillojmë në stadiumin tonë, asnjëherë nuk ndodh që Maksut Leshteni të mos jetë pjesë e listës për të qenë në tribunë. Mjafton kaq për të kuptuar gjithçka, për vlerësimin dhe respektin që i bëjnë drejtuesit e klubit të futbollit durrsak, ish futbollistit njohur Tut Leshteni, siç e njohin dhe flasin atë në të gjithë opinionin sportiv.
Por kjo gjë përforcohet edhe më shumë nga ajo çka thotë presidenti Klubit “Teuta”, Edmond Hasanbelliu, rreth këtij respekti kur shton se: “Ta dinë fortë të gjithë, më mirë qëndroi unë jashtë stadiumit dhe jo Tut Leshteni”. E pra, respekti dhe vlerësimi për këtë futbollist të qytetit të Durrësit të viteve 1964-1978, është i tillë dhe aq domethënës sa me të vërtetë i jep Maksut Leshtenit përmasat e një figure popullore të futbollit durrsak.
Vetë futbolli, është një nga sportet më popullore ndaj personazhet e tij të nivelit si Maksut Leshteni, do t’i ketë përherë të pranishëm. Nga linjat fizike të trupit Tut Leshteni, që këto ditë po mbush 75 vite të jetës, të bind fortë se në vitet e tij ka qenë një futbollist i fortë, me një trup robuz, ku çdo mbrojtës e ka pasur të vështirë ta mposhte në dyluftimet në fushën e lojës.
Dhe pjesëmarrja në një ekip futbolli për Maksut Leshtenin ka nisur fare rastësisht, kur ka qenë 15 vjeç, si pjesë e ekipit sportiv të qytetit Durrësit në Spartakiadën e Pionierëve. Trajneri Bashkim Taga, i besoj këtij djaloshi të ishte pjesë e skuadrës të futbollit. Ai së bashku me shokët e tij, si Foto Andonin, Gaz Tartarin dhe Osmën Bashën, u vlerësuan nga specialistët, ashtu sikundër ata bënë dhe parashikuan dhe për Gëzim Qerimin dhe Iljaz Çeçon e Lushnjës, Saba Bizin, Din Zhegën dhe Esat Rakiqin e Shkodrës.
Dhe ka qwnë stina e verës 1961, kur ish -trajneri të rinjve të “Lokomotivës”, i paharruari Kolë Engjëlli, do ta bënte Tutin pjesë të skuadrës tij. Ai së bashku me Vaso Stamon, Ali Gjuzin dhe Filip Dishën, do të ishin baza e ekipit të rinjve për dy sezonet, 1961-1963. Dhe kur kishte mbushur 18 vjeç në fillim të vitit 1964, ish-trajneri “Lokomotivës” Tomë Gjiri, i jep një vend në ekipin e parë, duke i besuar rolin e sulmuesit kryesor në skuadër. Ndeshja e parë e zhvilluar tek fusha e vjetër, është kundër ish – “17 – Nëntorit” të Tiranës.
Sulmuesi i shpejt dhe i kudondodhur Tut Leshteni, bëhet problematik për mbrojtjen tiranase. Ai së bashku me Teli Cikon, Avdulla Dumën, Mustafa Saraçin, Petraq Ikonomin, Muharrem Kadiun, Zydi Dajën, Orest Gramin, Ndriçim Hoxhën, Feti Gojashin dhe Niko Bespallën, përbëjnë atë skuadër të bukur që në vitin 1965, do kishin fatin që në ndeshjen e fituar 2-0, ndaj “Traktorit’ të Lushnjës, do të ishin pjesë e festës sportive në inaugurimin e stadiumit “Niko Dovana”.
Ish – mbrojtësi njohur i “Partizanit” dhe ekipit Kombëtar, Safet Berisha, që i ka fillimet e futbollit në Durrës, vuante shumë në mbulimin e këtij lojtari që në ndeshjet e kontrollit të cilat zhvilloheshin në mesjavë. Por kjo gjë i përsëritej edhe në ndeshjet kur Berisha ishte pjesë e “Partizanit”. Problematik Tuti, i shpejt dhe nuhas i golit, ka qenë dhe për mbrojtësit e tjerë si; Perikli Dhalesin, Gëzim Kasmin, Frederik Gjinalin, Gjocin, Astrit Ziun, Suvorov Seferin, Nelajn, Jorgaqin, Mihal Gjikën, Dembon dhe Shulen.
Në çdo ndeshje ku përballej “Lokomotiva”, këshilla e trajnerëve ishte e qartë:– “Kujdes, mbuloni fortë Tut Leshenin”! Gjithsesi, sulmuesi durrsak do gjente mënyrën të shënonte gol për skuadrën e tij, pothuajse në çdo ndeshje. Një prezantim i tillë bëri që në vitin 1966, drejtuesit e skuadrës t’ju kërkojnë pushtetit vendor të atyre viteve, që ky futbollist me profesion mekanik i thjeshtë në Portin Detar, shërbimin e detyrueshëm ushtarak ta kryente në Durrës. Por ky fakt, solli dhe një të papritur, kur i duhej dhe 6 muaj që përfundonte detyrimin e shërbimit ushtarak. Në një ndeshje kundër “Partizanit” të zhvilluar në vitin 1967 në Durrës, ku fiton me rezultatin 2-1 “Lokomotiva”, sulmuesi Leshteni e bëri “çorap” mbrojtjen e “Partizanit”!
Tut Leshteni luajti edhe me “Luftëtarin” dhe së bashku me Miço Caron, Ligor Xhumbën, Ibrahim Brahon, Caush Begën e të tjerë, do ta rikthenin “Lufëtarin” në Kategorin e Parë, pasi kishin fituar një ndeshje decizive me “5 Shtatorin” e Skraparit, ku luanin Gëzim Kasmi dhe Paulin Ndoja. Rikthimi në Durrës është pritur mjaft mirë nga tifozeria bregdetare. Sulmuesi rrezikshëm ishte rritur mjaft nga cilësia sportive.
Dhe në skuadër gjen Skënder Zallën, Flamur Qolen, Filip Dishën, Met Spahiun, Kujtim Kikën, Skënder Hykën, Nuri Myshkën dhe më vonë Neptun Bajkon, Osman Kapedenin, Shpëtim Çobon e të tjerë, që nën drejtimin e trajnerëve Miço Papallopulli, Refik Resmja dhe Skënder Jareci, formojnë një skuadër për t’u pasur zili nga të gjithë .
Sulmuesi i shpejt, golashënues i aftë dhe tepër “i ëmbël” me topin, ishte Tut Leshteni. Ai shënonte gola nga çdo pozicion për skuadrën e tij. Pas vitit 1970, fillon një shpërthim i tij si gol-shënues, duke qenë pjesë e golashënuesve më të mirë të futbollit shqiptar. Në një ndeshje miqësore ndërkombëtare midis Përfaqësueses Tiranës (kështu është quajtur në ato vite) me ekipin rumun “Universitatea” të Krajovës, durrsaku Leshteni shënon një gol të rrallë me rrafeshat, duke bërë që trajnerët e ekipit kombëtar ta bëjë pjesë të skuadrës kuqezi.
Në vitet 1970-1975, tek ekipi kombëtar luajnë futbollistë të nivelit lartë, si Panajot Pano, Sabah Bizi, Iljaz Çeco, Medin Zhega, Ilir Përnaska e të tjerë, por trajneri Loro Boriçi që njihte mirë Tut Leshtenin, që nga viti 1965-’66, kur ka drejtuar për një sezon “Lokomotivën”, do ta afronte sulmuesin durrsak në skuadër, duke e bërë pjesë të 16 futbollistëve të ekipit parë në ndeshjet kundër Republikës Federale Gjermane, Finlandës, Polonisë, Rumanisë dhe Turqisë.
Gjithsesi ai do luaj si titullar vetëm në një ndeshje, atë kundër Turqisë, në Tiranë më 14 nëntor 1971, në të fitoren 3-0, ku me pasimet e tij të sakta, ka shërbyer mirë dhe bukur për autorët e golave, Pano dhe Pernaska.
Por në këto vite sulmuesi Leshteni shkëlqen dhe në ndeshjet ndërkombëtare, si pjesë e “Besës” së Kavajës për Kupën Ballkanike në vitin 1971, kundër skuadrës bullgare “Etar Veliko” të Tërnovos, asaj jugosllave të “Creveka” të Beogradit. Dy golat e shënuar nga Leshteni në ndeshjen e kthimit në Durrës ndaj bullgarëve të “Etar Veliko”, me fitoren 2-0, bëri që “Besa” të dali në finale me “Panionos” të Greqisë.
Në ndeshjet finale rezultatet 2-1 dhe 1-1, bëri që “Besa” të renditet e dyta në Kupën Bllkanike në vitin 1971 dhe sulmuesi Leshteni të vlerësohet si një nga më mirët e turneut ballkanik. Por jo vetëm kaq. Në sezonin e Kupës –Kupave të vitit 1972-1973, skuadra “Besa” e Kavajës do ta ketë këtë sulmues si pjesë të saj në ndeshjet kundër danezëve të “Fremad Amager”, dhe skocezëve të “Hibernians”. Pamavrsisht rezultateve që prodhuan këto ndeshje, sulmuesi Leshteni së bashku me djemtë kavajas dhe përforcimet e tjera, si Osmën Kapedanin dhe Mexhit Haxhiun, kanë lënë përshtypje të mira, veçanërisht në ndeshjet e kthimit të zhvilluara në Durrës.
Në vitet e mëvonshme ai do të jetë pjesë e skuadrës durrsake të “Lokomotivës”. Në tre vitet e mëvonshme, sulmuesi Leshteni do të jetë “veteran” i skuadrës durrsake që do të ketë në përbërjen e saj; Mon Kapedanin, Toçin, Fred Filjarin, Mir Himën, Niko Janin, Sejdinin, Çelën, Likmetën, Zallën, Bulkun dhe më vonë edhe vëllezërit Shyq e Haxhi Ballgjini e, të tjerë. Në vitin 1978, në moshën 32 vjeçare, në atë ndeshje kundër “Partizanit”, sulmuesi Maksut Leshteni do t’i jepte lamtumirën fushës së blertë të futbollit, duke ja dorëzuar fanellën me numër 10, të njohurit Haxhi Ballgjini.
Të gjithë e kujtojnë atë ceremoni si të jashtëzakonshme. I gjithë stadiumi, por dhe qyteti Durrësit, kanë përshëndetur fortë idhullin e tyre, sulmuesin Tut Leshteni. Të gjithë në Durrës e krahasojnë këtë ditë ceremoniale të lamtumirës në futboll, me atë të verës të vitit 1977, kur Maksut Leshteni organizonte ceremoninë e martesës me vajzën shijakase, Arta Gashi. Gjithçka e bukur, festive dhe plot nostalgji për vlerat e një figure popullore të futbollit durrsak, që për 14 vjet ju ka falur të gjithëve vetëm emocione sportive.
Edhe pse ka 43 vjet që është ndarë nga fusha e blertë, ai nuk i ndahet futbollit dhe skuadrës tij të zemrës, duke u gëzuar për çdo sukses të saj. Këto ditë Maksut Leshteni mbush 75 vjeç. Një jetë e tërë e përkushtuar futbollit, por që prej tij nuk ka marr ende vlerësimin që i takon.
SKEDA E MAKSUT LESHTENIT
Lindur: Në Durrës, më 30 Janar 1946
Karriera në futboll: Me skuadrën e “Lokomotiva” e Durrësit në vitet 1964-1978, “Luftëtari” i Gjirokastrës në vitin 1967, “Besa” e Kavajës në ndeshjet për Kupën Ballkanike në vitin 1971 dhe Kupën e Kupave, 1972-1973 dhe ekipin kombëtar, 1971-1973.
Roli në skuadër: Sulmues
Numri fanellës: 10
Vlerësime: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Mirënjohja e Qytetit Durrësit” dhe “Nderi Futbollit Shqiptar”. / Memorie.al
















