Nga AGRON ARANITASI
Pjesa e dymbëdhjetë
– TË VËRTETAT QË BESOJ, AGJENTI FRANCEZ –
Hyrje
Memorie.al / Kur fillova të shkruaj librin, “Të vërtetat që besoj”, (Shtëpia Botuese “PAPIRUS”), nuk kisha menduar të shkruaja për veten time. Shtysa, e parë, më lindi kur u njoha me dosjet e Sigurimit të Shtetit për survejimin e shtetasit Agron Hajdar Aranitasi. Ato dosje janë, një dëshmi më shumë, se si mund të persekutohej dikush, i cili, në një çast të caktuar, vendosej në radhën e armiqve të pushtetit popullor. Nuk merrej parasysh asgjë, as si kishte punuar, as si ishte sjellur, as si kishte jetuar. Nuk merrej parasysh as qëndrimi i prindërve, vëllezërve dhe kushërinjve të shumtë, të cilët, automatikisht, i nënshtroheshin goditjes së egër dhe vuanin pasoja pa patur asnjë faj.
Viti 1982, në Tiranë zbarkojnë gjermano perëndimorët dhe japonezët!
Transmetimet me ngjyra, në TVSH, kishin filluar që në vitin 1976. Magnetoskopët “Ampeks” ishin në gjendje të regjistronin sinjalin me ngjyra. Problemet shfaqeshin gjatë riprodhimit të programeve. Kjo ndodhte për arsye se magnetoskopët nuk ishin të pajisur me opsionet e përpunimit të sinjalit me ngjyra gjatë riprodhimit. Për arsye financiare, por dhe për faktin se ne transmetonim në bardh e zi, ato opsione nuk porositeshin. Kishte edhe një arsye tjetër: Akoma nuk ishte vendosur standardi televiziv që do përdorej. Në vitin 1973 qeveria shqiptare ishte shprehur pro standardit francez, “SECAM”. Kjo ishte bërë për arsye politike.
Kështu, në atë kohë, ne transmetonim filma apo programe me ngjyra, që bliheshin jashtë. Kujtoj këtu filmin “Kushërira Beti” apo një koncert, të prodhimit austriak, me këngë e valle tiroleze. Këto programe mund t’i shihnin me ngjyra shumë pak vetë, vetëm ata që kishin marrës televizivë me ngjyra. Në vitin 1979, siç kam shkruar më lart, u blenë tre magnetoskopë “Ampeks” – AVR 2, bashkë me opsionet e nevojshme për riprodhimin e sinjalit me ngjyra.
Në këtë kohë, e gjithë Europa Perëndimore, me përjashtim të Greqisë, kishte adoptuar standardin gjerman, PAL. Edhe vendet e Ballkanit kishin vepruar njëlloj. Ne i blemë magnetoskopët në standardin PAL, por ky ishte një sekret që u ruajt në fshehtësi, deri në fundvitin 1981, kohë kur filloi blerja e pajisjeve për transmetimin e punimeve të Kongresit të VIII-të të PPSH-së.
Puna teknike po ecte mirë, idetë teknike ishin pjekur. Drejtuesit e RTSH-së, Çajup Rusmajli dhe Marash Hajati, ishin në sinkron të plotë me specialistët teknikë të TVSH-së. Kjo kishte rëndësinë e vet, sepse ata kishin lidhjet e tyre me drejtues të lartë të partisë dhe shtetit. Llogaritjet e bëra për projektin, kërkonin vlera të mëdha në valutë të fortë, pra në dollarë. Kjo ishte një çështje që nuk do kalohej lehtë nga Qeveria.
Kundërshtimi i parë erdhi nga Mehmet Shehu. Ai bëri një propozim të çuditshëm. Tha që TVSH-së t’i jepeshin një milion dollarë dhe me këto të bliheshin dhjetë kamera, si ato që u përdorën gjatë transmetimit të punimeve të Kongresit të VIII-të. Propozimin e tij na e tregoi Manush Myftiu, në atë kohë zëvendëskryeministër që mbulonte RTSH-në.
Ndihmësi i tij, Jorgo Melica, na njoftoi për një mbledhje. Aty duhej të shkonin Çajup Rusmajli dhe unë. Çajupi më thirri në zyrën e tij. Më tha se do shkonim te Manushi për të biseduar për projektin e kalimit në transmetimin me ngjyra. “Ki kujdes si do flasësh, se ti, kur fillon, nuk di as si flet, as kur duhet të ndalesh”,- më tha ai. “Manushi është shumë i sertë dhe, po të mori inat, gjej vend ku të futesh”!
Qesha dhe iu përgjigja të mos kishte merak, do kisha shumë kujdes. – “Po pashë që po gabon, do të jap shenjë”, – vazhdoi ai në të tijën. Mbërritëm në zyrën e Manushit dhe ai filloi të paraqiste mendimin e qeverisë (pra të Mehmet Shehut). Kur foli për sasinë prej një milion dollarë, unë qesha. “Me aq para nuk bëjmë dot gjë”, – i thashë. Manushi më vështroi dhe puliti sytë. Ky ishte një tik nervor që ia njihnin të gjithë.
Shpesh ai paralajmëronte fillimin e pakënaqësisë ndaj bashkëbiseduesit. Çajupi më dha shenjën, më shkeli këmbën. Unë vazhdova t’i sqaroja Manushit, se çfarë synonte projekti i TVSH-së. Ai kërkonte vazhdimisht sqarime, përpiqej të na bindte që të ulnim kërkesat. Unë vazhdoja ta sqaroja, i thashë se edhe mbulimi i vendit me sinjal televiziv, kërkonte fonde të tjera. Vazhduam gjatë kështu.
Çajupi, përsëri, më shkeli këmbën. Unë qesha dhe i thashë Manushit që Drejtori i Përgjithshëm, po më shkelte këmbën. Manushi iu kthye Çajupit: “Po pse, o Çajup, gjithnjë do më gënjeni mua”?! Çajupi iu përgjigj: “Agroni është djalë i mirë dhe i zoti, por nuk i njeh hallet e Qeverisë”. – “Nuk është ashtu”, foli zëvendëskryeministri, “Ai i njeh hallet tona, po aq sa ti, por tërë jetën ka qenë i favorizuar, ia kanë bërë rrugën bulevard i ati dhe e ëma”.
Pastaj vazhdoi: “Shkoni dhe përgatitini kërkesat, ashtu siç i mendoni, shtoni edhe pajisjet e transmetimit. Paraqitni kërkesat me shkrim dhe le të vendosë Qeveria për gjithçka”.
Rrugës Çajupi më tha: “Shpëtuam mirë, Manushi ishte në qejf, se…”! Atëherë unë i tregova lidhjet e familjes time me të. I bëra të ditur se kisha biseduar edhe me Kadri Hazbiun për takimin me Manushin, i cili më këshilloi që të flisnim hapur, sepse vetë Enver Hoxha, ishte i interesuar për projektin e RTSH-së.
Në fakt, në vitin 1982, ne ishim i vetmi vend në Ballkan, që vazhdonte të transmetonte në bardh e zi. Të nesërmen u mblodh Drejtoria e Përgjithshme dhe u dha porosia e hartimit të kërkesave të sakta teknike, të shoqëruara edhe me vlerën e nevojshme financiare. Në mbledhje u diskutua për standardin televiziv.
Inxhinierët, e sapoardhur nga specializimi në Francë, Tomço dhe Shpuza, u shprehën pro standardit francez. I po atij mendimi ishte edhe Marash Hajati, që përmendi vendimin e qeverisë shqiptare, marrë në vitin 1973. Vullnet Musaraj dhe unë, ishim për standardin gjermano perëndimor, PAL, i cili ishte adoptuar nga shumica e vendeve ballkanike dhe europiane.
Edhe Jugosllavia (pra edhe Kosova) punonte në standardin PAL. Kjo ishte një arsye më shumë, për të përzgjedhur atë standard. Aty u vendos që materialin për qeverinë ta firmosja unë. Kjo ishte në kundërshtim me praktikat që përdoreshin në atë kohë. Ishte e palejueshme që vula e institucionit, të vihej pranë emrit të dikujt, që nuk ishte titullar institucioni.
Ia përmenda këtë Çajup Rusmajlit dhe Marash Hajatit. Ata ngulën këmbë që dokumentin përcjellës të para-projektit të RTSH-së, ta firmosja unë. E kuptova, jehona e çështjes “Ampeks”, vazhdonte ende…! Në fakt, Çajupi e Marashi, kishin të drejtë që shqetësoheshin. Askush nuk e dinte se çfarë do vendosej në qeveri. Druheshin nga qëndrimi i Mehmet Shehut. Materiali u dërgua në qeveri dhe në Komitetin Qendror.
Kërkonim njëmbëdhjetë milionë dollarë, duke parashtruar edhe opsionin e ndarjes së projektit, në dy faza. Në fazën e parë kërkoheshin shtatë milionë dollarë, pesë për TVSH-në dhe dy për transmetuesit televizivë të RTSH-së. Fondet e kërkuara ishin një peshë e madhe për qeverinë. Rezerva e saj, në valutë të fortë, në atë kohë, nuk i kalonte trembëdhjetë milionë dollarë.
Aprovimi u dha shumë shpejt dhe, që në fillim të dhjetorit, “Makina-importi” përzgjodhi dy kompani prodhuese të pajisjeve me ngjyra. Kryeministria, paraprakisht, ndaloi kontaktet me kompaninë “Ampeks”. U propozuan kompania japoneze “Ikegami”, ku kishim blerë kamerat një vit më parë, dhe kompania gjermano-perëndimore “Bosh” (Bosch), e njohur për cilësinë e prodhimeve të saj.
Fituese doli kjo e dyta, qoftë se prodhonte gjithë gamën e pajisjeve të nevojshme për një qendër televizive, qoftë për çmimet e saj. Kompania gjermano-perëndimore, ofroi një zbritje prej tridhjetë e pesë përqind (!) për të gjithë pajisjet e kontratës, gjë që krijoi pështjellim në Ministrinë e Tregtisë. Ministri, Nedin Hoxha, u kishte bërtitur drejtuesve të Makina-importit: “Ju mezi arrini të bëni një zbritje prej pesë përqind. Vini gishtin kokës”!
Me ministrin na doli edhe një problem tjetër. Para se të firmosej kontrata, i kërkova përfaqësuesit të kompanisë “Bosh”, z. Shtromenger që, në të, të përfshihej specializimi, me shpenzimet e tyre, i dymbëdhjetë teknikëve të TVSH-së. Zoti Maksim Mema, punonjësi i Makina-importit, që mbulonte problemet e RTSH-së, më përkrahu. Ai ishte inxhinier elektronik dhe e kuptonte rëndësinë e specializimit të personelit teknik.
Zoti Shtromenger pranoi, por, kur këtë e mori vesh ministri Nedin Hoxha, ai urdhëroi që specializimi të anulohej dhe vlera e tij të zbritej nga vlera e kontratës. Nedini i telefonoi Çajupit. Çajupi më thirri në zyrë dhe i telefonoi Nedinit, duke i thënë se krye-specialisti i TVSH-së, ishte kundër këtij veprimi. “Këtu vendosim ne”, – tha ministri dhe mbylli telefonin.
I thashë drejtorit se këtë punë e zgjidhja unë. U nisa për në Durrës. Takova Adil Çarçanin. Adili, një njeri i shtruar dhe zemërmirë, mori në telefon ministrin dhe e urdhëroi që të mos bënte asnjë ndryshim në kontratën e RTSH-së. Propozova emrat e dymbëdhjetë personave, që do shkonin për specializim. Ata, në të ardhmen, do bënin mirëmbajtjen e aparaturave. Emrat e tyre, siç ishte rregulli, u shqyrtuan në organizatën bazë të partisë.
Më thirri sekretari i organizatës bazë të TVSH-së, Andon Rudha dhe më kërkoi të bëja një korrigjim. Të hiqja një emër, kë të doja vetë, dhe të shtoja një tjetër. “Duhet shtuar emri i Natasha Shpuzës”,- tha ai. Natasha ishte gruaja e nipit të Ramiz Alisë. Unë nuk pranova. I thashë se personat, që do specializoheshin, do bënin mirëmbajtjen e pajisjeve. Ç’hynte këtu Natasha?! Andoni më vuri në dukje se emrat e specializantëve i aprovonte organizata e partisë.
“Ashtu është, – iu përgjigja, – por ata që do shkojnë, i caktoj unë. Nëse doni, unë mund t’u propozoj dyfishin e emrave dhe ju zgjidhni ata që mendoni”. Me kaq e mbylla me Andonin. Ai shkoi dhe u ankua te Marash Hajati, sekretari i byrosë koordinative të RTSH-së. Marashi nuk pranoi të ndërhynte. As Çajupi nuk e përkrahu sekretarin e organizatës bazë. Çfarë të bënin? Gjetën një zgjidhje! Dërguan Ylli Pepon, i cili, në atë kohë (pas largimit të Agron Çobanit), ishte propozuar për t’u emëruar drejtor i TVSH-së.
– “Agron, na kupto drejt,- më tha Ylli, – nuk është puna te ajo, është puna te ai lart. Edhe drejtuesit e RTSH-së kanë të njëjtin mendim, pavarësisht se nuk ta thonë”. Me Yllin shkoja mirë. Pranova. Organizata e partisë hoqi dy emra, sepse një femër nuk mund të shkonte jashtë e vetme. Ashtu ishte rregulli! U shtua edhe një tjetër, Lejla Bedo, një vajzë e mirë dhe e zonja. Ajo ishte krye teknike turni në TVSH.
Paraprakisht ishte hequr emri i Mark Shoshit, njërit prej teknikëve më të mirë të RTSH-së. E hoqën sepse babai i tij, “rezultonte agjent i Vatikanit”! Luftova shumë për ta dërguar jashtë Markun, por nuk pata sukses. Një akuzë të tillë mund ta hiqte vetëm Enver Hoxha e, askush tjetër. Marku shpëtoi nga “të qenurit agjent”, vetëm kur në karrigen e Enverit hipi Ramiz Alia!
Për blerjen e transmetuesve dhe radioreleve, u zgjodh kompania franceze “Thomson CSF”, e cila kishte furnizuar, edhe më parë RTSH-në, me pajisje të tilla. Edhe transmetuesit francezë ishin nga më të mirët në Europë. RTSH dhe “Makina-importi”, kërkuan të krijohej një grup i përbashkët me specialistë, për të parë pajisjet para lidhjes së kontratës.
Unë propozova të shkohej në disa televizione europiane (një televizion francez, një televizion austriak dhe një televizion gjermano-perëndimor). Por ndodhi vetëvrasja e kryeministrit Mehmet Shehu dhe situata u ndërlikua. Për gati dy muaj, nuk na thuhej se çfarë do bëhej më tej.
Vullnetin e shihja rrallë e më rrallë. Pas takimit me Ramiz Alinë, (për të kam folur në kapitullin e tij), ai u mënjanua, me pretekstin se ishte në stazhin e kandidatit të partisë. Shumicën e problemeve teknike të projektit, i zgjidhën specialistët e kompanisë “Bosh”. Ata bënë edhe projektin përfundimtar, ata bënë edhe instalimet e pajisjeve më ambientet e TVSH-së. Unë firmosja kontratat si specialist teknik, nga ana e “Makina-importit” firmoste z. Maksim Mema.
Me të nuk pata asnjë problem. Edhe kur më internuan, ai nuk foli asnjë fjalë kundër meje. Nuk foli as kur më erdhën dy hetues në Fushë-Arrëz, për të më pyetur për blerjen e shtatë fuoristradave “Benz” me ajër të kondicionuar. Ato ishin menduar për grupet e xhirimit. Hetuesit ngulnin këmbë se këto vetura, ishin blerë pa marrë aprovimin në Kryeministri, siç ishte rregulli në atë kohë.
Ata pretendonin se unë e kisha shmangur rregullin, duke u fshehur pas faktit që automjetet “Benz”, përdoreshin nga udhëheqja e lartë e vendit. Në fakt e kishin gabim. Blerjen e tyre e kishte miratuar i njëjti zëvendëskryeministër, që do firmoste, një vit më vonë, dokumentin e internimit tim. Gjatë muajit gusht, filluan të vinin pajisjet e para. Këto ishin magnetoskopët “Bosh”, që u përdorën deri në vitin 1995. “Ampeks”-ët dolën nga përdorimi, edhe pse ishin vjetruar, por edhe pse shfrytëzimi i tyre kostonte shumë. Nuk do kalonin as dy muaj dhe mua më larguan nga televizioni.
Pas internimit tim, aty nuk kthyen as Vullnet Musarain, ashtu siç ishte rregulli për kandidatët e partisë, kur ata mbaronin stazhin. Në vendin tim u katapultua Vladimir Shpuza, nipi i Ramiz Alisë. Më vonë, kudo do flitej se pajisjet me ngjyra të TVSH-së, i kishte përzgjedhur dhe kontraktuar ai. Së bashku me gruan e tij, do “mbretëronin”, gati dhjetë vjet, në RTSH, edhe pse ligjet e kohës, e ndalonin që burrë e grua, të punonin në të njëjtin institucion.
Ishte një ironi e vajtueshme që emri im përmendej vetëm nga shoferët dhe grupet e xhirimit të TVSH-së. Ata më falënderonin për blerjen e fuoristradave “Benz”. Njerën prej tyre, më vonë, e kishte marrë një sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Por jeta vazhdonte, tani në kushte të tjera…! / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












