Nga AGRON ARANITASI
Pjesa e dhjetë
– TË VËRTETAT QË BESOJ, AGJENTI FRANCEZ –
Hyrje
Memorie.al / Kur fillova të shkruaj librin, “Të vërtetat që besoj”, (Shtëpia Botuese “PAPIRUS”), nuk kisha menduar të shkruaja për veten time. Shtysa, e parë, më lindi kur u njoha me dosjet e Sigurimit të Shtetit për survejimin e shtetasit Agron Hajdar Aranitasi. Ato dosje janë, një dëshmi më shumë, se si mund të persekutohej dikush, i cili, në një çast të caktuar, vendosej në radhën e armiqve të pushtetit popullor. Nuk merrej parasysh asgjë, as si kishte punuar, as si ishte sjellur, as si kishte jetuar. Nuk merrej parasysh as qëndrimi i prindërve, vëllezërve dhe kushërinjve të shumtë, të cilët, automatikisht, i nënshtroheshin goditjes së egër dhe vuanin pasoja pa patur asnjë faj.
Vitet 1974 – ’75 – Dënimet dhe internimet e shokëve të mi
Bekteshët
Sadik Bekteshi u akuzua si “puçist” (1974). Enver Hoxha, për herë të parë, e përmendi emrin e tij në plenumin e V-të të Komitetit Qendror (1976). E përmendi përsëri, në pllenimin e VI-të, në dhjetor të po atij viti. E dëboi, me gjithë familje, në Berat. U duk sikur do përfundonte me kaq. Nuk qe e thënë…! Sadiku, i vetmi prej anëtarëve themelues të PKSH-së, që nuk ishte dënuar, mbante gradën gjeneral-lejtënant (gjeneral me dy yje). Ishte Kavalier i Urdhrit “Hero i Popullit”.
Ishte dekoruar me shumë urdhra dhe medalje për veprimtarinë e tij, qoftë në kohën e Luftës Nacional-Çlirimtare, qoftë në atë të ndërtimit socialist të vendit. Kishte mbaruar akademinë ushtarake “Frunze” në Bashkimin Sovjetik. Kishte filluar studimet në akademinë ushtarake “Voroshillov”, pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sovjetike. Mbaroi vetëm vitin e parë, sepse, me urdhër të Enver Hoxhës, u kthye në Shqipëri për të marrë një detyrë të rëndësishme. Punoi, një kohë të gjatë, si Drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore.
Pas vitit 1976 punoi si komisar Korpusi diku në një rreth. Vitet e fundit ishte Drejtor i Institutit të Kërkimeve Ushtarake. Për punën, por edhe për sjelljen e tij, gëzonte respekt në radhët e ushtrisë, edhe më gjerë. Nuk ishte dëgjuar kurrë për të keq. Këto nuk e shpëtuan…! Në vitin 1975, u dëbua familjarisht në Berat. Filloi jetën e një pensionisti, që përgjohej nga Sigurimi i Shtetit. Më vonë, u detyrua të punonte si marangoz. Ishte koha kur, me urdhër të Enverit, i ulën pensionin deri në 300 lekë të reja në muaj. Të shoqen, Havanë, një juriste e njohur, e çuan punëtore në fabrikën e qumështit.
Djemtë, Guximin dhe Skënderin, i çuan në ndërtim. “Shpëtoi” vetëm, Zana, që ishte nxënëse. Enver Hoxha nuk mund ta linte jashtë kontrollit njeriun, i cili, veç të tjerash, ishte dëshmitar okular (më i besueshmi, që kishte mbetur), se cilët ishin ata që formuan PKSH-në. Ai nuk mund ta linte të lirë personin që dinte se, me formimin e partisë, Enver Hoxha nuk ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i saj. Kështu, mori vendimin për ta larguar Sadikun nga Berati, duke e çuar në internim. Gjeti edhe “justifikimin”:
“Më thonë se, Sadik Bekteshi, element antiparti, revizionist (!) e tradhtar (!), çdo ditë, veshur ‘kreko’, si një borgjez që është, shkon në kafenenë më të mirë, ulet këmbë mbi këmbë, më pi duhan, kafe e më ha pasta dhe, me këtë mënyrë manifestive, provokon, duke dashur, me qëndrimin e tij, të thotë: ‘Ja, si zotni jam, tërr s’ma bën veshi nga vendimet që mori partia kundër meje’. Më merr 900 lekë të reja në muaj, pensionin më të madh. ‘Po kemi ligje’, thonë. – Mirë, po ligjet i bën kllasa. Pa të pyesim ca kllasën, pse duhet t’i japim pensione të tilla ca armiqve, si ki. Ahere, ku qëndron diferenca, në mes të një elementi të tillë dhe një oficeri patriot? Diferencën e pengon ta bëje burokracia dhe kur flet burokracia, nuk flet kllasa”.
A foli kllasa, më pas? Nuk besoj. Kur fliste Enveri, “heshtëte” armiku, “heshtëte” borgjezia, heshtëte edhe “kllasa”. Ajo fliste kur i jepte leje ai! Enveri si “Zeusi”, kishte në dorë fatin e të gjithëve, askush nuk ndihej i sigurtë për fatin e vet. Me cilin oficer “patriot”, donte ta krahasonte Enveri Sadikun? Në këtë kohë, të gjithë oficerët madhorë të ushtrisë, ata që kishin udhëhequr formacionet partizane, ata që kishin ndërtuar Ushtrinë Popullore, ishin dënuar dhe larguar nga Ministria e Mbrojtjes. Mirë i ulën pensionin, po një mijë lekëshin e luftës, me çfarë ligji ia hoqën?! Në kishte persona, që e meritonin atë, Sadiku ishte në krye të tyre.
Bekteshët u internuan familjarisht në Sheqëz. Sadiku u arrestua në vitin 1982, kur në krye të Ministrisë së Brendshme, kishte ardhur Hekuran Isai. Hetuesia nuk e mposhti dot. As gjyqi nuk mundi ta mposhtë. Kur i dilnin dëshmitarë ish-kolegët e tij, kur Aranit Çela i lexonte akt-akuzën, Sadiku shpërthente: “Po kjo është një çmenduri, një çmenduri”! Fjalën çmenduri e thonte shkodrançe: “Marrina”. Halim Ramohito, dikur zëvendësi i tij në Drejtorinë Politike, i ngacmuar nga vëllai im, Gëzimi, na tregonte:
“Të gjithë ne, oficerët e burgosur, u dorëzuam para hetuesisë. Kush më shumë e kush më pak. Mendonim për familjet tona…! I vetmi, që qëndroi krenar e i papërkulur, ishte Sadik Bekteshi. Më ka ardhur turp për qëndrimin tim ndaj tij”. Halimi, një njeri i ndershëm, e korrigjoi gabimin, e bërë nën trysninë e hetuesisë, dhe i kërkoi falje familjes Bekteshi. E kam takuar Sadikun, pasi doli nga burgu. Banonte në një ambient të vogël, pranë ish-Shkollës së Partisë, bashkë me gruan, katër fëmijët dhe nipin, Arturin, Kishte lenë mustaqe. Çuditërisht ishte rinuar! Lëkurën e kishte si një djalë ri.
Ngjante si një kreshnik malesh. Edhe në moshën 80-vjeçare, mbahej drejt, nuk përkulej si moshatarët e tij. Ashtu edhe vdiq, pas një krize në zemër…! Me Havanë kam folur, për herë të fundit, në prill 2009. Isha në Nju Jork. Telefonova dy djemtë e saj, që jetonin në Amerikë. Në telefon doli Guximi. I thashë që të takoheshim, por ai, bashkë me të vëllanë, Skënderin, po niseshin për peshkim. Në telefon më foli Havaja: “Goni, do vish? Kam gatuar imam bajalldi. E mbaj mend që të pëlqen”. Ishte gjella ime e preferuar, që ajo ma gatuante kur shkoja në vilën e tyre në Durrës. Nuk munda ta takoj. Pas dy vjetësh, edhe ajo, u largua dhe shkoi pranë Dikut të saj.
Vera Bekteshi
Me të kam mësuar në shkollën 7-vjeçare, “11 janari” (sot “Edith Durham”). Pastaj kemi qenë nxënës, në klasa paralele, në shkollën “Petro Nini Luarasi”. Ishte gjithnjë nxënëse e shkëlqyer, radhitej midis më të mirëve, ndër ata, që quheshin të “ekselencës”. Çdo vit, në faqet e fundit të regjistrave të notave, shkruheshin emrat e nxënësve më të mirë. Emri i Verës nuk mungonte kurrë. Mbaj mend se, ditën kur do festonim mbarimin e maturës, kam parë Anastas Shuken mbi biçikletë, duke mbajtur në dorë një tufë të madhe me trëndafila të kuq.
Pas disa ditëve mësova se do fejohej me Verën. Anastasi punonte në Ministrinë e Jashtme. Ishte i kulturuar, dinte disa gjuhë të huaja dhe, ministri i atëhershëm, Nesti Nase, e kishte me sy të mirë. Dukej se karriera e tij do ishte e shkëlqyer. Kur po goditej Sadik Bekteshi, ai ndodhej në OKB, me delegacionin shqiptar. Atëherë, mësova se Nesti i kishte kërkuar që të ndahej me Verën. I kishte thënë: “Nuk duam të të humbasim si kuadër”. Anastasi nuk kishte pranuar. Ndryshoi mendim pas disa ditëve.
Dhe kërkoi ndarjen. Kjo ishte e zakonshme për kohën, por, duhet thënë se, në vendimin e tij, ndikoi “këshilli” familjar. Vëllezërit Shuke, me në krye më të madhin, Kolin, e kishin bindur. Caci u nda. U nda dhe…humbi djalin. E humbi për tërë jetën. Prishja e familjes, nuk e shpëtoi. E transferuan në Pukë. Edhe pasi u kthye nga Puka, nuk pati fat. Ngriti një familje tjetër, por nuk gjeti as gëzim, as rehati. Vdiq i sëmurë, gati i qorruar dhe pa njeri pranë. Në mesin e vitit 1975, Verën e larguan nga Tirana. E çuan në Berat. E caktuan të punonte në fermën e Uznovës.
Ajo, një fizikane e shkëlqyer, punonte gjithë ditën në fushë. Nuk morën parasysh se vuante nga veshkat. Bashkë me familjen, e internuan në një fshat të Beratit, në Sheqëz. Nuk po tregoj jetën e saj atje. Për të, ajo ka shkruar në dy libra. Një ditë, vëllai, Gëzimi, më solli një libër. “Na, – më tha, – merre, po ta dhuroj, e ka shkruajtur shoqja jote, Vera Bekteshi. Shkruaka shumë mirë. Më pëlqeu”. Gëzimi nuk di të bëjë komplimente. Po e mburri diçka, do të thotë se i ka pëlqyer me të vërtetë. Ishte libri i Verës, “Vila me dy porta”. Unë qesha dhe i tregova të njëjtin libër. E kisha blerë, e kisha lexuar dhe, padyshim, më kishte pëlqyer.
Pastaj bleva librin tjetër, “Vila me tri Porta”, një zgjerim i të parit. Vite më vonë, në panairin e librit, bleva një libër të saj me tregime. Është afirmuar si shkrimtare. Ka fituar edhe çmimin “Kadare”. Në internet kam lexuar komente idiote për Verën, që e përflasin për modën dhe sjelljen e saj gjatë studimeve universitare (1964-1969). Vera mbahej, ishte e bukur (edhe sot ka mbetur e tillë), vishej mirë, por, modë të tepruar, nuk kam venë re kurrë te ajo. Malësori Sadik Bekteshi, dinte të mbante rregull në familjen e tij.
Ndoshta, mund të më ketë shpëtuar rasti, kur i kanë vënë fletë – rrufe, por, në atë kohë, të frymëzuar nga slogani: “Secili ka të drejtë të shkruajë me shkronja të mëdha…”, frymëzuar nga Revolucioni Kulturor në Kinë, kishte, jo pak njerëz, ziliqarë dhe arrivistë, që shkruanin me “shkronja të mëdha”, për shfaqjet e huaja, duke i kërkuar ato, edhe atje ku nuk ishin. Po u jap një shembull, të shumë viteve më vonë, për të kuptuar se deri ku kishte hyrë te ne “Maocedunideja”.
Në një mbledhje, aty nga viti 1973, në organizatën bazë të partisë në televizion, po diskutohej një fjalim i Enver Hoxhës. Enveri kishte thënë: “Ç’kuptim ka mirëqenia familjare e një personi, krahasuar me shumicën e familjeve shqiptare që nuk e kishin atë”. Pak a shumë, kjo ishte tema e fjalimit të tij. Në mbledhje ngriheshin anëtarët e partisë, diskutonin tërë pasion dhe mburreshin se nuk kishin as frigorifer, as televizor, as qilima e, të tjera, si këto.
Unë i dëgjoja dhe…heshtja. Sapo isha martuar dhe nuk më mungonte asnjë prej tyre. Kisha qenë në një specializim dy-tre mujor në Francë. Kisha qenë edhe një herë, po në Francë, për blerje pajisjesh televizive. Familja ime, kishte kushte shumë të mira ekonomike.
Një shoqe e organizatës m’u drejtua: “Pse nuk diskuton Agron”? Unë iu përgjigja: “Po çfarë të them? Unë i kam të gjitha këto”. U ngrit Marash Hajati, sekretari i byrosë koordinative në RTSH-së: “Agroni bën mirë që nuk diskuton. Ju, të tjerët, nuk e kini kuptuar thelbin e fjalimit të shokut Enver”. Pra, edhe pas shtatë vjetëve, shoqëria dhe mentaliteti shqiptar nuk kishte ndryshuar.
Revolucioni Kulturor Kinez (i nisur më 1966), kishte mbaruar dhe nuk ndihej më në Kinë. Te ne vazhdonte akoma jehona e tij, madje, në qendër të Tiranës, funksiononte një rrobaqepësi, që vazhdonte, akoma, të qepte kostume “ala kinezçe”, me jakë të mbërthyer ushtarake.
Vera u kthye në Tiranë. U kthye në vendin që kishte patur më parë. U mor, përsëri, me punë shkencore. Filloi edhe të shkruante. Por, gëzimi për të, ishte një ndjenjë e fashitur. Kishte një djalë të gjatë, me trup vigan, shumë të bukur, që kishte trashëguar tiparet e Bekteshëve dhe zgjuarsinë e së ëmës. Ishte inteligjent. Mbaroi studimet për të njëjtën degë, si Vera. Por, ishte i pafat.
Vuajtjet, në internim, i lanë pasoja. Ai është, sot, problemi madhor i Verës. Mund ta mbaroja këtu shkrimin, por po shtoj edhe diçka. Kur Bekteshët ishin në Berat, Sigurimi i Shtetit u lëshoi mbi kurriz një bashkëpunëtore të tij. Ishte B.p. “Nerënxa”, dikur shoqe klase me Verën (edhe me mua) në shkollën 7-vjeçare “11 Janari”. Përdorimi i “Nerënxës” do “lidhte” fatin e saj me fatin e çiftit Aleksandër (në vitin 1992 ai do bëhej kryeministri i parë demokrat) dhe Dhurata Meksit.
Ajo përgjonte edhe ata. “Nerënxa” raportonte, rregullisht, te Sigurimi i Shtetit. Në njërin, prej raportimeve, shkruante: “Vera Bekteshi, bashkë me dy vëllezërit, Guxim dhe Skënder Bekteshi, janë armiq të betuar të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Nuk po vazhdoj më tej. Lexoni librat, “Vila me dy porta” dhe “Vila me tri porta”. Do kuptoni shumë nga jeta dhe trajtimi i të internuarve gjatë regjimit komunist.
Viti 1982 më “bashkoi” me Verën. Na “bashkoi” Sigurimi i Shtetit, i cili angazhoi, ndaj meje, bashkëpunëtoren “Nerënza”. Por, kjo, është një histori tjetër.
Të tjerët
Vitet 1974-1975, u shoqëruan me goditjen e shumë familjeve të nomenklaturës komuniste të vendit. U arrestuan Fadil Paçrami e Todi Lubonja. U arrestua, Dashnor Mamaqi, ish-kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, në atë kohë sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës (me pretekstin idiot se kishte patur miqësi me Beqir Ballukun). U arrestuan Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, që u akuzuan si sabotatorë në ekonomi.
I pari ishte zëvendëskryeministër dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, praktikisht njeriu që drejtonte ekonominë e vendit. I dyti, dikur zëvendëskryeministër, ishte ministër i Industrisë dhe Minierave. Për fillimin e goditjes së tyre shërbeu letra e një punëtori të naftës, i cili akuzonte Theodhosin, për veprimtari armiqësore në këtë sektor. Kaq mjaftoi dhe shumë punonjësve me përgjegjësi në institucionet qendrore në Tiranë dhe në industrinë e naftës, iu hodhën hekurat.
Arrestimet u shoqëruan me dërgimin në internim të qindra e qindra pjesëtarëve të familjeve të tyre. Një pjesë të mirë të fëmijëve, të familjeve të goditura, i njihja, me disa prej tyre, si Kozeta Mamaqi, Maksim e Leon Këllezi, Mira Theodhosi e, ndonjë tjetër, studioja në shkollën “Petro Nini Luarasi”. Ata ikën në internim. Nuk mund të them se, atëherë, e vuajta shumë fatin e tyre.
Nuk isha në gjendje të kuptoja se çfarë po ndodhte! Nuk dija gjë për luftën e egër, që kishte shpërthyer, për trashëgiminë politike të Enver Hoxhës i cili, për të mbrojtur pushtetin e tij, filloi spastrimet e radhës. Gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës, ai do zbatonte mësimet e Mao Cedunit, i cili diktonte se, çdo pesë vjet, duhej trazuar “uji i ndenjur”, që ai “të qartësohej”. Me këtë, ai “mësonte” se çdo pesë vjet, duheshin goditur kundërshtarët politikë.
I ndodhur mes atyre, që nuk i preku dallga e arrestimeve dhe keqtrajtimeve, nuk kuptoja se, ajo që po ndodhte, nuk ishte e përkohshme. Spastrimet ishin bërë vijë politike. Ngjarje të tjera do pasonin dhe të tjera familje komuniste do goditeshin. Dhe do goditeshin ata, që e kishin sjellë dhe e kishin mbajtur në pushtet vetë Enver Hoxhën. Në paranojën, që e kishte mbërthyer, ai po sharronte “pemën” mbi të cilën qëndronte vetë./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














