Pjesa e parë
Memorie.al / Jusuf Gërvalla: “Në verë të vitit 1966, kur një pjesë naive e shqiptarëve me banim në Jugosllavi kishin zënë të besonin se me rënien e Rankoviçit perënduan gjithë të ligat, Partia e Punës e Shqipërisë doli me një analizë të hollësishme, që tregonte të kundërtën. Artikulli që po e sjellim këtu, as sot nuk ka humbur asgjë nga aktualiteti i vet. Përkundrazi, ai vlen edhe për situatën e sotme në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia”. (Shënim: Torturimet ndaj Shefqet Jasharit, janë të bëra në vitin 1980, në atë kohë kur Jusuf Gërvalla e përgatit këtë artikull për ribotim – (Xh. D.)
Kush përgjigjet për krimet e gjenocidit në Kosovë?
Artikulli i “Zëri i Popullit”, 31 gusht 1966
Xhelati i popujve të Jugosllavisë J. B. Tito dhe klika e tij për të shpëtuar lëkurën e vet, për të shpëtuar sistemin e shtypjes, të shfrytëzimit e terrorit që po tronditet nga themelet, “sakrifikoi”, bashkëpunëtorin më të ngushtë, Rankoviçin, të cilit i veshi të gjitha fajet dhe e ngarkoi me të gjitha dështimet, gabimet, krimet dhe disfatat e gjertanishme të regjimit titist. Me shkarkimin e Rankoviçit nga të gjitha funksionet shtetërore dhe të partisë në Jugosllavi, në gjirin e bandës titiste shpërtheu haptazi lufta për pushtet midis klaneve kroato – sllovene e serbomadhe, që kanë përkatësisht përkrahjen e imperialistëve…e të revizionistëve sovjetikë.
Kjo është një shprehje e qartë e kontradiktave të thella klasore e nacionale që brejnë prej kohësh dhe po shembin mbretërinë e Titos, shprehje e kalbëzimit, degjenerimit dhe dekompozimit të sistemit titist. Ngjarjet e fundit treguan edhe një herë se Jugosllavia titiste ndodhet në rrugë kryq. Tradhtia ndaj marksizëm-leninizmit nga ana e klikës së Titos, që e ktheu Jugosllavinë në një shtet borgjez kapitalist me të gjitha tiparet e veta, solli (dhe do të sillte medoemos), përçarjen në gjirin e saj, se ajo do të zhvillonte, sikundër që zhvilloi, nacionalizmin e shovinizmin në mes pjesëtarëve të saj dhe, si rrjedhim, grupimet e ndryshme kombëtare në Jugosllavi që përpiqeshin të afirmoheshin, të forconin pozitat në shtet, në ekonomi, në ushtri, gjithsecili në kurriz të tjetrit dhe më i forti kundër më të dobëtit.
U ringjall dhe u përcaktua rruga e rivaliteteve të vjetra nacionale – shoviniste serbo-kroate. E tërë politika nacionale e klikës së Titos gjatë këtyre njëzet e ca vjetëve ndaj kombësive të ndryshme është karakterizuar nga shtypja e pabarazia, nga shfrytëzimi dhe diskriminimi ekonomik e kultural. Në mënyrë të veçantë titistët kanë zbatuar terrorin më të egër, më gjakatar, gjymtimet dhe asgjësimin fizik mbi popullsinë shqiptare në
Jugosllavi. Popullsia shqiptare në Jugosllavi me shtypjen e përgjithshme që ka pësuar nga regjimi skllavërues, nga politika e tij shoviniste shkombëtarizuese është një aktakuzë e fuqishme, e pakundërshtueshme kundër rendit policor të Beogradit. Mbi kurrizin e saj janë bërë persekutime të tipit fashist, tortura fizike e shpirtërore është zbatuar gjerësisht krimi i gjenocidit.
Shefqet Jashari: “Hetimet zgjatën 7-8 muaj. Është vështirë të përmenden gjithë hetuesit që merrnin pjesë në maltretime. Veçmas kanë qenë të pashpirt Asllan Sllamniku, Sllavkoviqi dhe njëfarë Muharremi. Kam pasur rastin ta njoh edhe Abdullah Prapashticën, e cili e shikonte duke më rënë me kërbaç këmbëve i pashpirti Asllan Sllamniku”. Klika e Titos, pas plenumit të 4-të të së ashtuquajturës Lidhja e Komunistëve Jugosllave po përpiqet me të gjitha mjetet të shpëtojë regjimin titist nga katastrofa, drejt së cilës po rrokulliset me shpejtësi duke u orvatur t’ja ngarkojë përgjegjësitë e rënda për gjendjen pa rrugëdalje të krijuar në Jugosllavi ish kryetarit të UDB-së, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Titos, Rankoviçit. Në gjithë Jugosllavinë po bëhen përpjekje për ta vënë UDB-në, këtë organizatë famëkeqe gjakësorësh, më mirë në shërbim të regjimit titist, duke hequr prej saj, sa për sy e faqe, ndonjë kriminel tepër të kompromentuar.
Kështu, me urdhër të Titos, u bënë disa “spastrime në gjirin e hierarkisë drejtuese të UDB-së”. U hoqën disa ministra të Punëve të Brendshme në ato republika e krahina ku politika shoviniste e shtypjes dhe e shfarosjes nacionale ka qenë më e egër dhe ku mundësia e shpërthimit të zemërimit popullor, ka vënë në rrezik vetë ekzistencën e regjimit titist. Kështu ndodhi në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Bosnjë e Hercegovinë e gjetkë. Kështu, sipas lajmeve të shtypit jugosllav, edhe në “krahinën” e Kosovës janë bërë ndryshime në udhëheqjen e UDB-së. Përgjegjësit e gjertanishëm të UDB-së në Kosovë, Miça Mijushkoviç, Stanislav Gerkoviç e Sh. Kajtazi, u shkarkuan duke u zëvendësuar nga të tjerë “specialistë” të UDB-së si Xhevdet Hamza e Dushko Ristiqi. Por popujt jugosllavë nuk mashtrohen. Aq më tepër nuk mashtrohet populli shqiptar në Jugosllavi.
Kjo fushatë gjoja “spastrimesh” është një lustër për të mbuluar krimet e pashlyeshme të regjimit titist, për të larë nga përgjegjësitë klanin Tito-Kardel – Bakariç, që doli përkohësisht i fituar nga lufta për pushtet. Ajo bëhet, më në fund, për ta paraqitur Titon si “shpëtimtar të situatës”, që gjoja kujdeset për të rivendosur “rendin e ligjshmërinë” e asgjësuar nga vetë sistemi titist dhe UDB-ashët fashistë, të cilët gjithmonë kanë vepruar nën drejtimin e Titos dhe klikës së tij. Por asnjë manovër nuk e shpëton dot klikën titiste. Krimet e gjenocidit që janë zbatuar kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Maqedonisë e Malit të Zi, janë produkt i politikës së nacionalizmit e të shovinizmit të egër që ka zbatuar regjimi titist.
Për ato duhet të përgjigjet në radhë të parë vetë Titua dhe, bashkë me të, e tërë banda e tij, që nga peshkaqenët e mëdhenj Rankoviç, i cili është i lyer gjer në gryk me gjakun e popullit shqiptar në Jugosllavi, Kardel, Bakariç, B. Jovanoviç, L. Kolishevski e të tjerë e, deri tek ata më të vegjlit, si Dushan Mugosha, Veli Deva, Xhavit Nimani, Ali Shukriu, Gjoko Pajkoviçi, Çedo Mujoviçi, Çedo Topalloviçi, Sinan Hasani, Xhevdet Hamza etj. Partia e Punës e Shqipërisë, duke u nisur kurdoherë nga pozita të drejta parimore marksiste-leniniste, ka demaskuar me kohë dhe me vendosmërinë më të madhe të gjitha krimet e shëmtuara që banda tradhtare e Titos ka vazhduar të kryejë në dëm të popujve në Jugosllavi, dhe në mënyrë të veçantë në dëm të popullsisë shqiptare të atij shteti.
Ne kurrë nuk kemi ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjmë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Përkundrazi është klika revizioniste e Titos ajo që e ka ngritur në sistem ndërhyrjen në punët e brendshme të Shqipërisë e të vendeve të tjera, ajo që për më se njëzet vjet nuk ka lënë gjë pa bërë në luftën e saj kundër popullit shqiptar, kundër PPSH-së, kundër RPSH-së dhe kundër rendit shtetëror e shoqëror socialist të vendosur në Shqipëri. Ndërhyrjet e klikës titiste në Shqipëri, veprimtaria e saj e vazhdueshme komplotuese e diversioniste, aleancat e saj me armiqtë më të tërbuar të popullit shqiptar, që nga fashistët, ballistët, zogistët e deri në imperialistët…, monarko-fashistët grekë e revizionistët hrushovianë kundër PPSH-së, janë të njohura tanimë nga gjithë bota. Natyrisht, të gjitha këto ndërhyrje të klikës së Titos në punët e brendshme të Shqipërisë kanë hasur në kundërshtimin e vendosur të popullit tonë, janë bërë copë e thërrime nga vigjilenca dhe uniteti revolucionar i popullit shqiptar, që është bashkuar me partinë e tij, si mishi me kockën.
Por në rast se klika revizioniste e Titos përcjell në varr me aq ceremoni e pompozitet provokues një tradhtar të tillë me damkë të njohur të popullit shqiptar e të PPSH si Panajot Plaku, aq më tepër ne i kemi të gjitha të drejtat të ngremë zërin tonë për të mbrojtur interesat jetike të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, e cila jeton nën terrorin e klikës së Titos e të UDB-së, nën rrezikun e përhershëm të shkombëtarizimit e të shfarosjes masive. Krimet, vrasjet e asgjësimi fizik i popullsisë shqiptare të Jugosllavisë nga ana e klikës titiste si dhe politika për shkombëtarizimin e saj, përbëjnë një vijë sistematike, e cila ka filluar qysh në ditët e para të çlirimit dhe ka vazhduar e vazhdon me egërsi gjithnjë e më të llahtarshme edhe sot e kësaj dite. Këto krime e kjo politikë gjenocide nuk mund të shlyhen nga kujtesa e asnjë njeriu të ndershëm në botë, e aq më pak në kujtesën e atyre që i kanë hequr dhe i heqin përditë mbi kurrizin e tyre.
Kurrë nuk do të harrojë popullsia shqiptare në Jugosllavi ngjarjen e hidhur të vjeshtës së vitit 1944, kur banda Tito-Rankoviç arrestoi në Tetovë 10.000 shqiptarë dhe pushkatoi pa gjyq 1200 prej tyre, pa bërë fjalë për ata që vdiqën në burgjet. Cinizmi, egërsia, tërbimi për të shfarosur shqiptarët kanë karakterizuar gjithmonë veprimet e banditëve titistë. Kur një patriotësh shqiptarë protestoi në komandën titiste për këto krime, gjenerali Apostokli, komandant i atëhershëm i Brigadës së parë maqedonase, u përgjigj: “Kjo nuk është asgjë, është një pastrim që bëjmë. Këta që vriten duhet të qërohen”. Dhe Vukmanoviç Tempo, i cili ishte i pranishëm atëherë, urdhëroi: “Akoma mbani njerëz nëpër kampe? Ata që kini për të pastruar, i qëroni shpejt”. Ky urdhër i përfaqësuesit personal të Titos u zbatua me zell të madh.
Në nëntorin e vitit 1944, mijëra fshatarë të pafajshëm shqiptarë u pushkatuan rrugëve të Maqedonisë, u dogjën në zjarr, u infektuan me qëllim dhe vdiqën nga tifua e morrit. Brez pas brezi populli shqiptar i Jugosllavisë, do të kujtojë me urrejtje të papërmbajtur, kundër klikës gjakatare titiste, masakrën e Drenicës të dimrit të 1944-ës, kur divizionet jugosllave, nën pretekstin e spastrimit nga elementët armiq, rrethuan zonën e çliruar të Drenicës dhe masakruan rreth 30.000 burra, gra, pleq e fëmijë shqiptarë. Ngjarja e Drenicës ishte një kasaphanë e vërtetë, një asgjësim sistematik e i organizuar i popullsisë së këtyre krahinave me kombësi shqiptare. Përse dhe me ç’qëllime titistët u sulën si bisha mbi popullsinë shqiptare dhe e mbuluan përsëri me gjak shqiptar Kosovën e martirizuar? I vetmi faj i kësaj popullsie ishte kombësia e saj shqiptare dhe qëllimi i titistëve ka qenë dhe mbetet asgjësimi i popullsisë shqiptare në përgjithësi. Në këtë rrugë ata ecin pa u ndalur edhe sot e kësaj dite.
Mbi 2.000 shqiptarë në Mitrovicë dhe më se 1.000 të tjerë në Gjilan, mijra shqiptarë që shkuan si partizanë në brigadat jugosllave për të luftuar fashistët, u vranë me plumbin pas kokës, me urdhër të shtabit jugosllav. Qindra shqiptarë të tjerë të rekrutuar ushtarë nga jugosllavët, u pushkatuan prej tyre gjatë rrugës Prizren-Tivar. 1.200 djem shqiptarë që kishin mbetur nga ky udhëtim tragjik, u pushkatuan në Tivar. Në Gorica të Tristes më shumë se 2.000 shqiptarë nga Maqedonia, të mobilizuar në brigada pune, u mbytën me gaze helmuese. Asgjësimi fizik i shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi kryhej në mënyrë sistematike. Nga të dhënat e dëshmitarëve e të dokumenteve del se më shumë se 40.000 vetë kanë rënë nga plumbi, bajoneta dhe helmi gjatë viteve 1944-1948. Por ky terror asgjësues i klikës titiste kundër popullit shqiptar të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Maqedonisë e Malit të Zi vazhdon edhe më i egër e më i organizuar pas vitit 1948.
Udhëheqja revizioniste jugosllave, pas daljes së rezolucionit të Byrosë Informative më 1948, me të cilën u dënua tradhtia e Titos ndaj marksizëm-leninizmit dhe çështjes së socializmit, shtoi shtypjen e egër dhe të gjithanshme mbi popullsinë shqiptare të Jugosllavisë, mbi të cilën si gjatë viteve 1948-1950, ashtu edhe gjatë periudhës 1951-1965, shpërtheu vala e vrasjeve, arrestimeve dhe torturave më çnjerëzore. Titistët me të gjitha mjetet nxitin vëllavrasjen midis shqiptarëve, ringjallin jo vetëm gjaqet e vjetra, por me kombinacione të ndryshme krijojnë gjaqe të reja. Për zgjerimin e tyre, oficerët e UDB-së, me anën e agjenturës, organizojnë rrëmbime dhe
çnderime vajzash e grash kosovare dhe pastaj i shtyjnë të vriten, ndërsa ligjet, me qëllim inkurajimi, parashikojnë dënime të lehta. Kështu, ndërsa gjatë vitit 1965 në krahinën e Kosovës u kryen 41 vrasje dhe 74 plagosje, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti u bënë 26 vrasje dhe 46 plagosje të rënda.
Por a und të shprehen me fjalë dhe të përshkruhen krimet dhe barbarizmat e pashembullta që klika titiste kreu në dimrin 1955-1956 kundër popullsisë shqiptare gjatë të ashtuquajturit “aksion të armëve”. Për zbatimin me përpikëri të operacionit kriminal dhe për drejtimin e operacioneve ndëshkimore Titua ngarkoi vetë Rankoviçin, formoi edhe një shtab, në të cilin ishin caktuar njerëzit më të sprovuar në barbarizma, shovinistë nga më të tërbuarit, kriminelë të regjur, që kanë lyer duart me gjakun e popullit shqiptar të Kosovës. Ky shtab udhëhiqej nga Dushan Mugosha, Gjoko Pajkoviçi, kolonel i UDB-së Çedo Mujoviç, Çedo Topalloviçi, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza etj. E para që pësoi goditjen e terrorit ishte krahina e Rugovës. Ekspedita ndëshkimore me oficerin e UDB-së Bogolub Rediçin në krye, me pretekstin e kërkimit të armëve, torturoi barbarisht pothuajse të gjithë burrat e kësaj krahine.
Ata i rrihnin për vdekje me pendrak (kërbaç me peshë të një goditje prej 70 kg), i mundonin me anën e korrentit elektrik dhe i linin tërë natën të zhveshur e zbathur në dëborë. Pastaj i vinin në kolonë dhe i futnin në kanal, ku uji kishte ngrirë nga të ftohtit e madh që i kalonte të 15 gradët nën zero. Në të njëjtën mënyrë vazhduan torturat e masakrat në Junik të Gjakovës, në Deçan të Pejës, në Suharekë të Prizrenit, në Llap të Prishtinës, në Vuçiternë, në Drenicë, Mitrovicë etj. Shefqet Jashari: “Hetimet zgjatën 7-8 muaj. Është vështirë të përmenden gjithë hetuesit që merrnin pjesë në maltretime. Veçmas kanë qenë të pashpirt Asllan Sllamniku, Sllavkoviqi dhe njëfarë Muharremi. Kam pasur rastin ta njoh edhe Abdullah Prapashticën, e cili e shikonte duke më rënë me kërbaç këmbëve i pashpirti Asllan Sllamniku”.
“Brenda një nate” – tregon ndër të tjera emigranti kosovar Brahim Rexh Binaku nga katundi Drenoc i rrethit të Gjakovës, – UDB-ja na mori ne 34 burra të Drenicës dhe na grumbulloi në kullën e Shaban Ibishit, ku gjatë natës oficeri i UDB-së Drago Kileviç, me katër milicë serbë, na rrihnin një nga një në dhomat e kësaj kulle me një llastikë që ishte i mbushur brenda me copa metali, me shqelma, me grushte, me qytën e pushkës dhe me dru. Pas kësaj UDB-ja në çdo tri-katër ditë merrte në pyetje secilin prej nesh dhe na thosh se çfarë kini bërë para 20 vjetëve. Emigranti Din Sadrija nga Istoku i Pejës, ka deklaruar: “Në katundin Dubovc UDB-ja ka bërë tortura të tmerrshme nën pretekstin e armëve. Këto u bënë në postën e milicisë. Nga 50 shtëpi që ka katundi, për 5 muaj me radhë u torturuan 50 burra”. Shumë ndër ta si rezultat i torturave, u vranë ose u sakatuan. /Memorie.al
(Artikull i gazetës “Zëri i Popullit”, 31 gusht 1966. Ky artikull nën kujdesin e Jusuf Gërvallës, u ribotua në gazetën “Bashkimi”, Organ i “Frontit të Kuq Popullor”, Janar 1981, faqe 4).
Përgatiti Xhaferr Dyrmishi
Vijon numrin e ardhshëm















