Nga AGRON ARANITASI
Pjesa e parë
TË VËRTETAT QË BESOJ
– AGJENTI FRANCEZ –
Hyrje
Memorie.al / Kur fillova të shkruaj librin, “Të vërtetat që besoj”, nuk kisha menduar të shkruaja për veten time. Shtysa, e parë, më lindi kur u njoha me dosjet e Sigurimit të Shtetit për survejimin e shtetasit Agron Hajdar Aranitasi. Ato dosje janë, një dëshmi më shumë, se si mund të persekutohej dikush, i cili, në një çast të caktuar, vendosej në radhën e armiqve të pushtetit popullor. Nuk merrej parasysh asgjë, as si kishte punuar, as si ishte sjellur, as si kishte jetuar. Nuk merrej parasysh as qëndrimi i prindërve, vëllezërve dhe kushërinjve të shumtë, të cilët, automatikisht, i nënshtroheshin goditjes së egër dhe vuanin pasoja pa patur asnjë faj.
Kapitulli i Parë
Origjina familjare
Prindërit e mi ishin nëpunës të Pushtetit Popullor. Nëna rridhte nga një familje e mesme qytetare vlonjate. Babai i saj, Tol Stavre Arapi, ishte një mbështetës i vendosur i qeverisë së Ismail Qemalit. Ajo e emëroi komisar të policisë bashkiake të qytetit të Vlorës. Qëndroi, në këtë detyrë, për një çerek shekulli, deri në okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
Toli kishte marrë pjesë në luftën kundër andartëve grekë (1913). Kishte luftuar kundër ushtrisë italiane (1920). Për këtë është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Pas rënies së regjimit komunist, ai është nderuar me titullin “Nder i Qarkut të Vlorës”. Në shtypin shqiptar është shfaqur një fotografi e rrallë. Në të paraqiteshin pesë burra duke ngritur, më 3 shtator 1920, flamurin kombëtar mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë. Ata ishin Shtjefën Gjeçovi, Dom Mark Vasa, Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Ahmet Lepenica dhe Tol Arapi.
Tol Arapi ka qenë përkrahës i vendosur i qeverisë së Fan Nolit. Kështu, në librin “Gjashtë muaj kryeministër, 1924”, (te Fan Noli, Rebeli) të autorit … shkruhet: “Në vitin 1913, kur ishte në Vlorë, Noli banonte në shtëpinë e Tol Arapit, që ndodhej ngjitur me kishën e “Shën Todhrit” (“Gjashtë muaj kryeministër”)Në pranverën e vitit 1921, Fani Noli do kryente një akt të madh historik. I ndjekur prej një grupi të rinjsh ortodoksë, ai hapi portat e Kishës së “Shën Vllasit” dhe e mbajti meshën në gjuhën shqipe. Kjo ndodhte për herë të parë në Shqipëri…! Kisha Orthodhokse e Shqipërisë u shpall Autoqefale në Kongresin e Beratit, në shtator të vitit 1922. Në Kongres u zgjodh Këshilli i Lartë Kishtar, i cili do drejtonte kishën. Një nga katër anëtarët e këtij këshilli do ishte edhe vlonjati Tol Arapi, patriot i hershëm që me shpalljen e Pavarësisë, Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920 dhe me kontribute në krijimin e policisë shqiptare”.
Pas rënies së qeverisë Nolit, emri i Tolit u vendos në listat e personave që konsideroheshin kundërshtarë të qeverisë së kryeministrit, Ahmet Zogu. Siç dihet, Zogu ndoqi një politikë pragmatiste ndaj një pjese prej kundërshtarëve të tij. U propozoi atyre poste në administratën shtetërore. Toli pranoi dhe vazhdoi të shërbente si komisar i policisë bashkiake. Tol Arapi ishte shkolluar në Turqi. Ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi” në Stamboll. Duke qenë i besimit orthodhoks, ai, në vitin 1922, ishte ndër anëtarët më aktivë për ndërtimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH). Për këtë ka një mori dokumentesh në Arkivin Qendror të Shtetit, një pjesë e të cilave janë botuar, dikur, në gazetën “Republika”, organ i Partisë Republikane të Shqipërisë.
Pas vitit 1936, shumë besimtarët vlonjatë u quajtën orthodhoksë unitë (ose uniatë). Ata nuk pranonin që Kisha Orthodhokse Autoqefale (e pavarur) e Shqipërisë të ishte nën varësinë e kishës greke. Ritet fetare i bënin sipas besimit orthodhoks, por si të parë të krishtërimit njihnin Papën e Romës. Për aktivitetin e tij, Tol Arapi është dekoruar (më 1 qershor 1939) nga Papa i Romës, Piu i Dymbëdhjetë (Euxhenio Paçeli) me “Kryqin PRO ECCLESIA ET PONTEFICE” (“Për Kishën dhe Papën”), duke e autorizuar që, me atë dekoratë “Të zbukuronte gjoksin sipas rregullave të caktuara”. Nuk di ndonjë rast tjetër, si ky, në Shqipëri.
Dekorimi nga Papa e vendosi Tol Arapin nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit. Në librin “Veprimtaria armiqësore e Klerit Katolik shqiptar”, shkruar nga njeri prej drejtuesve kryesorë të Sigurimit të Shtetit, (Rakip Beqja), Tol Arapi cilësohet si agjent i Vatikanit. Autori, i librit, nuk shkruante se shtëpia e “agjentit”, ishte, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, një nga bazat kryesore të PKSH-së në Vlorë. Nuk shkruante, asnjë fjalë, se ajo u dogj nga pushtuesit italianë dhe bandat e Halil Alisë dhe Selim Kaloshit (1943). Nuk shkruante, asnjë fjalë, se tre, nga fëmijët e Tol Arapit, ishin pjesëtarë aktivë të brigadave partizane (Vllasi, Liria dhe Fatos Arapi). Gjatë gjithë jetës së tij, Toli zhvilloi veprimtari aktive fetare. Varri i tij, sipas amanetit që la, ndodhet në oborrin e Kishës Orthodhokse të Zvërnecit. Fatosi, në një poezi, shkruan për ditën e tij të varrimit:
“Të gjithë po hedhin
nga një grusht dhe.
Po unë mbi të hedh
dy-tri copëra qielli,
dy-tri këngë labe
dhe stërkala gjoli,
kur përplaset vala
nëpër rënjë ulliri.
Këto donte shumë
babai im, i gjori,
Babai im, i miri”
Gruaja e Tolit, Katina Arapi (Kona), ishte me origjinë nga Berati. Në Vlorë e thërrisnin “Mama Katina”, ose shkurt, Mamatina. Gjithnjë krenohej se kishte qenë nxënëse e Babë Dudë Karbunarës. Mamatina ishte nga mbështetëset e vendosura të Luftës Nacionalçlirimtare. Ajo rriti dhe edukoi nëntë fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve punuan si arsimtarë (Liria, Pirro, Shqiponja, Bubulina dhe Tefta). Bile, edhe Fatosi, për një kohë të gjatë, punoi arsimtar. Përjashtim bënë Petriti (lojtar i njohur i ekipit të futbollit “Flamurtari” dhe trajner i tij), që zgjodhi profesionin e ekonomistit dhe Astriti (lojtar i ekipit të volejbollit “Flamurtari”), që zgjodhi profesionin e inxhinierit.
Sot, më i njohur prej tyre mbetet Fatosi, i cili hyri fuqishëm në poezinë shqiptare. I vlerësuar maksimalisht në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, ai mbetet i vetmi shqiptar që është nderuar me “Kurorën e Artë” të Strugës. Këtë vlerësim e kanë marrë disa nga poetët më të mirë të të gjitha kohërave, ndonjë prej të cilëve (si p.sh. Pablo Neruda), ka fituar edhe çmimin Nobel! Mos kërkoni të gjeni ndonjë nderim nga qeveritë postkomuniste për Fatos Arapin! Nuk është as “Mjeshtër i Madh”, as “Nder i Kombit”. Çudi, kur, në vendin tonë, është nderuar me vlerësimin “Nder i Kombit” edhe ndonjë restorant!
Është një rast i veçantë, madje i vetmi, që ka ndodhur në ceremonitë e zhvilluara në Departamentin Amerikan të Shtetit, kur Ambasadori Amerikan, John L. Withers, gjatë seancës së betimit të tij, recitoi poezinë e Fatos Arapit, “Sulltan Murati dhe Shqiptari”. Kjo kishte një domethënie të madhe! Vetëm pas marrjes së “Kurorës së Artë” të Strugës dhe qëndrimit të Ambasadorit Withers në Departamentin Amerikan të Shtetit, Bashkia e Vlorës u kujtua të nderonte Fatos Arapin me titullin “Nder i Qarkut të Vlorës”…!
Dy fjalë më shumë për Fatosin. U përfshi, që kur ishte vetëm 14 vjeç, në Luftën NÇL, Pas çlirimit u largua nga ushtria dhe vazhdoi shkollën. Iu dha bursë për të studiuar jashtë shtetit. E çuan në Bullgari. Megjithëse ishte caktuar të studionte për matematikë, ai arriti ta ndërronte degën dhe studioi për ekonomi. Që në moshë të re filloi të shkruante dhe shpejt u shqua si poet. Nuk u bë pjesë e Partisë së Punës. Mbante, në dukje, një qëndrim indiferent ndaj politikës zyrtare, por, në ambientet e tij të afërta, kritikonte politikat e ndjekura nga partia në pushtet. Asnjëherë nuk u shfaq si disident.
Një ditë Sigurimi i Shtetit mësoi për mendimet e Fatosit. Më kujtohet një ngjarje e vitit 1979. Isha, duke ecur pranë “Bllokut” të Udhëheqjes, me drejtorin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Nusret Dautajn. Nusreti binte kushëri i dytë me Kadri Hazbiun. Pashë se drejt nesh po vinte Fatosi. U përshëndetëm. “Si je Fatos”?, e pyeti Nusreti. “Mirë, faleminderit”…nuk arriti ta përfundonte fjalën Fatosi, sepse Nusreti e ndërpreu: “Çfarë mirë! E di ku e ke vendin ti?! Atje, ku ndodhet Trim Gjata”! Trimi, një kritik letrar i njohur, ishte shok i ngushtë me Fatosin. Ai, sapo, ishte arrestuar. Me siguri kishin “llapur” bashkë. Duket Trimi ishte “zbërthyer” në hetuesi dhe kishte treguar për bisedat e bëra me shokët e tij. Fatosi u pre. Nuk foli. U ndamë.
Unë iu ktheva Nusretit: “Si guxon t’i flasësh kështu?! Ai është daja im”! Nusreti ma preu hovin: “Jam urdhëruar t’i flas kështu. Duhet të ketë kujdes e, të mos llapë”! Heshta, e kuptova kush e kishte urdhëruar. Pas ca kohësh, përsëri me urdhër, Nusreti e kishte thirrur, përsëri, Fatosin. I kishte thënë: “Do kesh kujdes nga gazetari filan (gazetari punonte në “Zërin e Popullit”). Ka folur për bisedat që keni bërë bashkë. Po të thirrën, thuaj që nuk e njeh fare”. Edhe atë e kishin arrestuar. Edhe ai kishte përmendur emrin e Fatosit.
Për fat të mirë, në këtë kohë, Mehmet Shehu ishte zbutur ndaj familjes Aranitasi. Po ashtu, Hysniu (Kapo) dhe Manushi (Myftiu) vazhdonin të ishin dashamirës dhe mbështetës të familjeve Arapi dhe Aranitasi. Nuk kam çfarë të shkruaj për gjyshin dhe gjyshen nga ana e babait. Gjyshi ka vdekur shumë i ri. Quhej Bektash Yzeiraj. Nuk e mbante mend as babai im, të cilin e kishte lenë shumë të vogël. Edhe gjyshen e kam parë vetëm një herë, një vit para se të shkonim në Moskë. Quhej Xhemile. Iku në moshën 76 vjeçare. Si kujtim i vagëllt më ka mbetur përqafimi dhe puthja, që më dha kur erdhi një herë në Korçë. Babai kishte tre vëllezër dhe tri motra.
Vëllai i madh, Bajram Yzeiraj, praktikisht drejtoi familjen. Madje të gjithë i drejtoheshin me fjalën “Baba”. Ai kishte autoritet midis banorëve të fshatit Aranitas. Ishte përkrahës i Luftës Nacionalçlirimtare si e gjithë familja Yzeiraj. Xhaxhai i dytë, Xhaferri, ishte nënoficer në ushtrinë e Mbretit Zog. Paguhej me napolona floriri. Pavarësisht se familja kishte dhen e dhi dhe, jo pak tokë, rroga e tij ishte mbështetja më e madhe për të. Është e tepërt të them se Xhafo ishte mbështetës i Luftës Nacionalçlirimtare. Mori pjesë aktive në radhët partizane. Ishte zëvendëskomandant batalioni në “Grupin” e Mallakastrës.
Xhaxhai i tretë, Tofiku, jetoi gjithë jetën në fshat. Hallot e mia ishin shtëpijake. U martuan, u morën me punët e shtëpisë, lindën dhe rritën shumë fëmijë. Shtëpia e Yzeirajve ishte nga shtëpitë e para që u dogjën nga nazistët gjatë “Operacionit të Dimrit”. Ballistët e fshatit kishin denoncuar se Xhafo dhe Hajdari kishin poste komanduese në Ushtrinë Nacionalçlirimtare. A mundet, një mendje e shëndoshë, të besojë se vëllezërit e Hajdar Aranitasit, kishin qenë me “Ballin Kombëtar”, siç u akuzuan më vonë?!
Paraardhësit e familjes Yzeiraj, ishin njohur si luftëtarë për lirinë e vendit. Ja çfarë shkruan z. Bujar Muçaj, autori i librit “Aranitasit dhe Mallakastra, Midis Legjendës dhe të Vërtetës”: “Hajdar Aranitasi ishte stërnip i Zenel Xhafos. Zenel Xhafo Aranitasi, i lindur në Aranitas, ishte një nga komandantët kryesorë, krahas Zenel Gjolekës dhe Rrapo Hekalit, që morën pjesë në kryengritjen anti-osmane të vitit 1847, ku edhe ra trimërisht”.
Liri Arapi (Aranitasi)
Dosjet e Lirisë i kam kërkuar gjatë. Duhej të ishin dy të tilla: dosja e punës dhe dosja e anëtarit të Partisë së Punës të Shqipërisë. Dosja e punës nuk gjendet. Duket sikur Liri Aranitasi, një nëpunëse e njohur, gjatë regjimit komunist, nuk ka ekzistuar kurrë, ndërkohë që, në Arkivin Qendror të Shtetit ka me dhjetëra e dhjetëra dokumente për aktivitetin e saj në Vlorën e okupuar nga italianët. Dosja e saj partiake gjendet në arkivin e ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, Fondi 14. Në të gjenden të dhëna për aktivitetin e saj prej vitit 1945 e deri në muajt e parë të vitit 1960. Më pas…zbrazësi, asnjë dokument. Pse? Sigurisht, kjo e kishte një arsye!
Dokumentet e viteve 1945-1960
Ja çfarë shkruan Liri Aranitasi në vitin 1952, ku rrëfen autobiografinë (CV-në) e saj: “Jam Lindur në Vlorë më 17 korrik 1923, në një familje nëpunësi të mesëm (babai ka qenë komisar i policisë bashkiake të Vlorës). Shkollën fillore e mbarova shkëlqyeshëm në Vlorë (1929-1934). Në vitin 1934 m’u akordua një bursë për të vazhduar studimet në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Studimet në institut i mbarova në vitin 1938 shkëlqyeshëm, duke kryer 4 klasat e ulta të ‘Normales’. Kështu kreva semimaturën. Po në këtë vit m’u dha nga Vatikani (me ndërhyrjen e priftërinjve orthodhoksë unitë) një bursë për të vazhduar studimet në Itali, në shkollën “Margherita di Savoia”. Këtë shkollë e mbarova në vitin 1941, duke kryer kështu të plotë maturën. Shkollën e mbarova me notën mesatare 8, që ishte vlerësimi më i lartë për një nxënës në atë kohë (nota 9 quhej nota e mësuesit, kurse nota 10 i përkiste vetëm Zotit-shën. im). U diplomova për mësuesi. Po atë vit u ktheva në Shqipëri.
Me t’u kthyer në atdhe u bëra pjesë e një rrjeti shokësh të “Grupit të të Rinjve”. Me ta më njohu vëllai im, Vllas Arapi, i cili ishte edhe vetë pjesë e këtij grupi. Ata mblidheshin shpesh në shtëpinë tonë dhe më aktivizuan edhe mua. Kur në prill 1942 erdhi Qemal Stafa, ai organizoi një mbledhje me shoqet më aktive. Në mbledhje mora pjesë edhe unë. Pas kësaj u bëra pjesë e një grupi edukativ dhe punoja fort. Kjo ra në sy të spiunëve që më denoncuan. Në qershor 1942 u arrestova dhe më çuan në Burgun e Tiranës (është arrestuar bashkë më aktivisten e njohur vlonjate, Sulltana Çakërrin-shën. im).
Aty më mbajtën një muaj dhe, për mungesë faktesh, më dhanë një lirim provizor (duhej të paraqitesha prapë kur të më njoftonin). Pasi u ktheva në Vlorë, u hodha në ilegalitet sepse donin të më arrestonin përsëri. Në qytet qëndrova deri në shtator 1942 dhe pastaj dola partizane në krahinën e Dukatit, në fshatin e Tragjasit. Nga fundi i vitit 1942 mercenarët e Halil Alisë dhe Selim Kaloshit, së bashku me italianët, na dogjën shtëpinë (është një nga tri shtëpitë e para që dogjën fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre-shën. im). Gjatë kohës që isha partizane, kam punuar në krahinat e Dukatit, Mesaplikut, Himarës dhe Mallakastrës.
Në mars të vitit 1943 Liri Gega më komunikoi se isha pranuar anëtare partie. Vëllai im, Vllas Arapi, me formimin e Brigadës së I-rë, u bë pjesë e saj. Më vonë ai dezertoi…! Unë e dënova
veprimin e tij. Pas kësaj ngjarjeje asnjë pjesëtar i familjes sonë nuk u bashkua me Ballin ose okupatorin. Për më tepër, vëllai im, Fatos Arapi, doli partizan megjithëse ishte vetëm 14 vjeç. Qëndroi në radhët e ushtrisë deri në vitin 1945 kur Komanda e liroi nga ushtria me qëllim që të vazhdonte studimet.
Gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare kam qenë pjesë e Brigadës së V-të, prej nëntorit 1943 (ky është muaji kur u formua kjo brigadë, ndërsa inaugurimi i saj u bë më 20 janar 1944-shën. im) deri në shkurt 1944, si dhe prej majit 1944 e deri në nëntor 1944. Prej marsit e deri në maj 1944 kam punuar në terren me porosi të Partisë. Në Brigadë kam qenë zëvendës-komisare e kompanisë së III-të në batalionin e IV-ët. Pas çlirimit të vendit vëllai im, Vllas Arapi, qëndroi në Shqipëri si i arratisur dhe, në vitin 1946 (prill) u fol se ishte vrarë. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













