Nga Besnik Dizdari
Memorie.al / Nga afër Anton Mazrekun e kam njohur gati një gjysmë shekulli më parë. Duhet të ketë qenë pak mbas ndeshjes “17 Nëntori” – “Cerno More” e Varnës (Bullgari) 0-0 për Kupën Ballkanike, një fund vere 1964. Ka qenë një takim disi jo i vogël, siç mund të konsiderohet për kohën, në sallën e atij që quhej Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”, (sot Universiteti “Ufo”). Një takim i Anton Mazrekut me sportdashës, lexues të “Sportit Popullor” e dëgjues të transmetimeve të tij radiofonike. Mbaj mend se iu bë pyetja befasuese, se cili kishte qenë si mbas tij, futbollist më i madh, Riza Lushta apo Loro Boriçi. Pyetja ishte disi edhe naive natyrisht, në atë sallë të mbushur plot, kur mendoje se Lushtës së “Barit”, “Juventusit” e “Napolit”, nuk mund t’i përmendej assesi emri! Po Mazreku, pas një pauze qetësie, u përgjigj me diplomaci, pa e ngritur njërin më fort se tjetrin, por duke i pacaktuar të dy si të barabartë e, si futbollistë të përmasave evropiane…!
Katër-pesë vjet më vonë, andej nga viti 1968 apo 1969, jam gjetë pranë tij krejt rastësisht në zyrat e redaksisë së “Sportit Popullor”. As Anton Mazreku dhe as unë kurrsesi nuk mund të shkonim ndërmend atë shtator të dyzet vjetëve më parë, se do të vinte një kohë që të kishte një çmim gazetarie me emrin e tij, të krijuar prej këtij djali të ri, krejt të panjohur që po hynte i ndrojtur në zyrat e “Sportit”. Atë ditë të vitit ’68 apo ’69, kur u pamë kështu krejt rastësisht në redaksinë e gazetës, ai tashmâ ishte deri diku në fund të rolit të tij të madh, ndërsa unë thjesht një i ri si gjithë të tjerët, ndonëse i dhënë mbas gazetarisë, teksa po rropatesha në hapat e mia të para.
Episodi i rrallë për mua qe i vetëm pak çasteve, ashtu siç t’i krijon rastësia takimet e këtilla spontane. Ai me mirësjelljen e tij të rrallë, unë me ndrojtjen e të riut përballë një kolosi. Për një çast më mori për futbollist, ndoshta prej shtatgjatësisë sime, se nuk besoj se të krijoja përshtypjen e një futbollisti. Ai ishte i ulur diku në një karrige pranë një tryeze të zyrës së vetme të atyre 3-4 gazetarëve që kishte “Sporti Popullor”, m’u ajo gazetë që nja pesëmbëdhjetë më vonë, fati do të ma barte mua mbi tryezën e drejtimit si kryeredaktor, për bukur nja 17 vjet të mira.
Ai ngriti sytë dhe me një mirësjellje çarmatosëse më vështroi duke më pyetur: “qendërmbrojtës apo, qendërsulmues”? Unë mbeta disi keq, ndoshta paksa dhe i turpëruar dhe u përgjigja me gjysëm zëri: “as njeri as tjetri, por kam qejf me shkrue”. “Shumë bukur”, – tha. Unë dola menjëherë. Ai ishte Mazreku i madh, siç e cilësonim ne të rinjtë dhe gjithë futbolldashësit. Unë isha ai që për fat-thënie 28 vjet më vonë, do të themeloja me mikun tim Tonin Paloka, falë nobilitetit të ambasador Silvano Pedrollo, Çmimin “Anton Mazreku” në gazetari, pa e marrë vesht kurrnjiherë Anton Mazreku! Këto janë çuditë dhe përkimet e pashpjegueshme të jetës…!
Qysh atë ditë nuk kam mundur të kem kontakt me gazetarin e madh themelues. Ai vdiq para-kohe, vetëm 61 vjeç, më 1969, i përcjellë me një nekrologji prej dhjetë rreshtash, në gazetën që e kishte krijuar vetë dhe duke mbetur për vite të tana pa ndonjë nderim më të veçantë, përveçse të kujtimit popullor do të thosha, në biseda prej atij brezi të cilin ai e kishte emocionuar për vite, me shkrimet, zërin dhe elokuencën e tij.
Cili ishte Anton Mazreku…?
Ai kishte lindur në Shkodër më 1908. Futbollist me shoqëritë e para sportive të këtij qyteti. Futbollist i “Skenderbeut” të Korçës – kampione e Shqipërisë më 1933, kur ai studionte në Liceun e Korçës. Qysh 17 vjeç (1925) kishte botuar shkrimet e para në “Gazetën e Sportit” të Palok Nikës e Musa Koplikut, në Shkodër. Më 1935, Mbretëria e kishte caktuar të themelonte gazetën “Sporti Shqiptar”, drejtor i së cilës do të ishte dhe të cilën e botoi radhazi deri më 1939.
E riorganizon dhe e rifillon më 1945, botimin e gazetës sportive tashmâ me emrin “Sporti”, ndërkohë që zgjidhet dhe kryetar i Federatës Sportive Shqiptare. Më vonë do të jetë nënkryetar Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, nënkryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit, inspektor i saj deri në daljen e tij në pension. Kishte qenë për pak kohë edhe mësues, një mësues të cilin kush e pati, nuk e harroi kur.
Organizator i madh i sporteve, përfaqësues i delegacioneve shqiptare deri në Olimpiadën e Berlinit më 1936, një nga drejtuesit kryesorë të Lojërave Ballkanike në Tiranë më 1946, poliedriku Anton Mazreku mund të konsiderohet pa mëdyshje një nga themeluesit e gazetarisë sportive të shkruar, dhe absolutisht themeluesi i vetëm i gazetarisë së folur në Shqipëri. Ai është autori i radio-kronikës së parë më 1 shtator 1938 (Sport-Klub “Tirana” – “Iraklis” Kavalla (Greqi) 7-0) në Radio Tirana; që do të thotë radio-kronisti i parë dhe më i madh shqiptar, për shumë vite i vetmi në Shqipëri.
Gazetar universal, njeri i spikatur i kulturës kombëtare, organizator i rrallë, madje një personazh historik, nga më popullorët në jetën shqiptare, letrar i mirëfilltë, siç u pa në esenë studiuese kritike të botuar prej Prof. Dr. Jup Kastratit, Mazrekut për çudi, të gjitha këto nuk i ishin thënë askund, as për së gjalli dhe për dekada as mbas vdekjes!
Ky themelues, i cili në vitet e fundit të jetës nuk ishte asgjë tjetër përveçse një pensionist ndër më pak të shpërblyerit, vinte si askushi në redaksinë e “Sportit Popullor” që e kishte themeluar, për të sjellë komentin e kampionatit shqiptar të kategorisë së dytë!? Kaq i kishin caktuar “kolegët” e tij, të cilëve ai iu kishte mësuar profesionin! Kështu ngjet gjithmonë në këtë vendin tonë të vogël ballkanik, në luftën midis të aftësisë dhe paaftësisë, luftë që rëndom dhe çuditërisht deri në ditët e sotme, e fitojnë të paaftët, arrivistët, të përshtatunit e përulur, egoistët e një etje përfitimi të paskrupull.
Ai nuk jepej, ndonëse ishte historia e gjallë e sportit shqiptar dhe e gazetarisë sportive shqiptare. Anton Mazreku ishte gazetari te i cili përveçse mendjen, edhe blloqet i kishte të mbushura plot. Ishte nga ata të cilët e ndjenin mbi kurriz anën masakruese të këtij profesioni të mundimshëm, po aq të bukur e fisnik. Dhe e përballonte vetë, jo me shërbëtorë. Ka qenë nga ajo racë gazetarësh, i cili i vetëm shkruante një gazetë të tanë dhe shpesh harronte me qëllim të vinte emrin e tij poshtë.
Mendoni për një çast: shkrimi i tij i fundit ishte ai që i përket 15 korrikut të vitit 1969, me titull “’Dinamo’ dhe ‘Naftëtari’ fituan kupat e pionierëve”! Është botuar në fund të faqes së tretë, si të ishte një kronikë e rëndomtë e një korrespondenti vullnetar të ndonjë kooperative bujqësore të asokohe. Pak ditë më vonë, në muajin gusht, papritmas ai ndahet nga jeta dhe sidoqoftë, një nekrologji prej nja tridhjetë rreshtash, u shfaq në faqen e katërt të “Sportit Popullor”. Kur në të parën!
Zbulimi i shkrimit të Dr. Samimit, për Mazrekun…!
Befasisht, duke hulumtuar në arkivin e një organizatori më të parë të sportit shqiptar dhe madje të gazetarisë sportive shqiptare, Dr. Vasfi Samimit, për shkak të botimit të librit të ardhshëm për te, zbuluam një shkrim të shkurtër që Dr. Samimi kishte bërë me rastin e vdekjes së Mazrekut, më 1969. Nuk e di fatin “misterioz” të këtij shkrimi, ndonëse besoj se e di shumë mirë se ai nuk është botuar.
Me siguri Dr. Samimit nuk ia kanë pranuar këtë shkrim, sepse Doktori ynë, si një tjetër themelues i madh i sportit shqiptar dhe i gazetarisë sportive shqiptare, nuk ishte fort i dashtun për regjimin. Dhe fati e do që ky shkrim i Dr. Samimit të botohet për herë të parë, sot, 39 vjet mbas ndarjes nga jeta së Mazrekut. Tek është fjalë për fjalë:
“FUTBOLLISTI LETRAR”!
(Me rastin e vdekjes së Anton Mazrekut)
Dyzet vjet rresht (1929 1969), kisha njohur futbollistin letrar, shokun e dashur, Prof. Anton Mazrekun. Tani më kujtohet me pikëllim ndeshja e parë në Vlorë, që ishte njëkohësisht edhe kampionati i parë. Ai ishte përballë nesh, sulmonte, donte të bënte gol, por ndeshja nuk përfundoi në favor të Korçës. Erdhi dita e revanshit, një entuziazëm edhe nervozitet në Korçë.
Edhe ndeshja e dytë përfundoi në barazim, kjo çështje i kushtoi shumë klasifikimit të skuadrës së Korçës, e cila ishte konkurrenti më i sigurt për titullin kampion. Dhe këtu u dallua një lojtar fin me një teknikë e stil të hollë. Më thanë se ishte një gazetar! Një gazetar, një student!
Atë më vonë e njohim vazhdimisht në shtypin kombëtar, në fushat edhe në stadiumet tona. Disa herë udhëton edhe jashtë atdheut dhe vazhdimisht kontribuonte për një kulturë të vërtetë futbolliste. Fitimet dhe humbjet për atë kanë qenë gjithmonë një ndeshje sportive dhe diçka e natyrshme.
Dhe në çastet më të hidhura ai kishte një buzëqeshje tipike që karakterizonte besimin, gëzimin e veçanërisht dashurinë e madhe për futbollin, që tani mori një masivitet të madh, u bë një manifestim popullor fizik, jo vetëm ndër ne por edhe në të gjithë botën. Anton Mazreku 40 vjet rresht, e ruajti këtë tiparin e tij karakteristik me të cilin fitoi jo vetëm admirimin e futbollistëve, por edhe maratonin konsekuent të një publicistit futbollist në shtyp e në radio.
Ai luajti futboll në Shkodër e në Korçë me simpati e gëzim, me korrektesë e xhentilesë. Provoi zjarrin e luftës sportive, herën e fitoreve edhe së bashku dhimbjen e humbjeve. Rendi dhe djersoi me vite pas topit, por fiziku i tij nuk e lejoi të veshi kostumin e skuadrës kombëtare, për të mbrojtur me dinjitet forcën rinore të bijve të shqiponjës.
Talenti i tij kryesor, aftësia e tij e pashterur ishte destinuar e përqendruar në një fushë tjetër, si publicist, ku do të kontribuonte gati gjysëm shekulli rresht, për përhapjen e futbollit modern në vendin tonë.
Punoi vazhdimisht në shtyp, në federatë, në përkthimet edhe pas çlirimit e gjeti një fushë të gjerë për një veprimtari më të gjerë në lëmin e futbollit. Ai ishte sinkronizuar me përparimet e situatës ndërkombëtare të futbollit. Po megjithëkëtë nuk e përbuzi kurrë futbollin e vendit. Si një arsimtar i vyer e kishte njohur mirë ligjin bazë pedagogjik se: “Një fidan nuk ndreqet me shtrembërim e thyerje, por me drejtim e shërbim”.
Zotëronte tri gjuhë: italisht, frëngjisht, gjermanisht, me të cilën formoi dhe zgjeroi kulturën e tij të shëndoshë. Me gëzim i kishte vënë si detyrë vetes, që të bëhej një urë e dobishme në transmetimin e kulturës moderne të futbollit botëror në vendin tonë. Disa herë e përkthente terminologjinë dhe e pasuronte si në shtyp, ashtu edhe në transmetimin e letërsinë tonë futbollistike.
Çdo studios që e shfleton shtypin e vjetër edhe atë të pasçlirimit, është në gjendje të konstatojë një ndryshim të madh pozitiv, me të cilin ne sot jemi në gjendje të përshkruajmë, të analizojmë e të kritikojmë një ndeshje serioze.
Në këtë lëmë kontributi i tij ka qenë i madh. Pastaj djersën e tij e shohim në shumë përkthime, rregullore, instruksione teknike dhe artikuj të studiuar. Kështu punoi me vite rresht pa u lodhur dhe pa u ndalur. Pas luftës zhvilloi dhe shpërtheu krejtësisht talentin e tij, sa që gjatë 25 vjetëve nga një arsimtar i thjeshtë, u bë një nga figurat kryesore në botën tonë të futbollit. Interesimi, gëzimi i tij nuk përqendroi vetëm rreth ndeshjeve të kategorive të para, por u zgjerua deri në kategorinë e dytë, e tretë dhe gjer në Kupën e Pionierëve.
Ai fliste edhe shkruante me një pasion e pathos edhe për ndeshjet e vogla. Kështu fliste ai për futbollistët: e “Korabit”, “Kastriotit”, “Sopotit”, “Valbonës”, “Tërbunit”, “Patosit”, “Erzenit”, “Naftëtarit” dhe për skuadrën kooperativiste bujqësore të Krutjes në Lushnjë. Ai ishte për masivitetin e futbollit. E dinte se talentet e rinj, filizat e njoma e të panjohura, fshiheshin në masë edhe këtu qëndronte e ardhmja e futbollit kombëtar.
Është interesant fakti se ai njëkohësisht edhe i shijonte këto ndeshje, kërkonte me insistim dhe gëzim të zbulonte talentet, që në të ardhmen të bëheshin yjet e skuadrës kombëtare, që edhe në stadiumin “Qemal Stafa” të tronditnin boshtin kurrizor të disa skuadrave të forta, të njohura edhe në kampionatin botëror. Ja p.sh. dy rreshta nga shkrimet e tij më të afërta e dedikuar në zhvillimin e Kupës së Republikës:
“Loja në Peshkopi ishte mjaft tërheqëse edhe u karakterizua nga sulme e kundërsulme të dendura. Shnajpër më të mirë u treguan këtë radhë futbollistët e Korabit…”! Rreshta të këtillë nxitës i gjejmë me qindra e me mijëra në publicitetin e tij, sepse ai e ndjente, dëshironte edhe ëndërronte që mundësisht gjithë Shqipëria të luajë futboll, në çdo fshat, në çdo kooperativë, në çdo fabrikë e uzinë të ngrihej një fushë e skuadër, të gjallërohej një kalendar edhe të radhoheshin ndeshjet edhe fitimet.
Çdo kënd i Shqipërisë sonë mundësisht të bëhej një kopsht prej lule futbolli. Një futboll të vërtetë, modern e dinamik, në stilin e standardin botëror, pastaj mbi të gjithë këto një ëndërr e bukur e një dëshirë legjitime:
“Një skuadër kombëtare. Nivel i lartë tekniko taktik e morale. Valëvitje e flamurëve me në krye atë kuq e zi. Një atmosferë mbushur me himnin kombëtar, pastaj një marshim ngadhënjimtar. Një publik krejtësisht të mëkëmbur, brohoritje e hare për sportin tonë”. Ja ëndrra, dëshira e bukur edhe legjitime që ka ushqyer gjatë jetës së tij shoku ynë i dashur, i ndjeri Prof. Anton Mazreku.
Kështu shkëlqeu qysh në moshën fëminore deri në 60 vjetët e tij. Kështu me shpirt e me zemër pa asnjë ndalesë punoi edhe shkriu jetën e tij në stadiumet e në shtypin si një meteor, duke ndriçuar vazhdimisht botën tonë sportive e futbollistike. Ne me respekt dhe me veneracion do të ruajmë kujtimin e tij.
Do të ndjekim rrugën e tij të pastër që ndriçonte në buzëqeshjen e tij karakteristike plot me besim e dashuri për futbollin e vendit. Një lëndinë e gjelbër që mbulon varrin e tij, s’ka dyshim se është një copë nga stadiumi, nga tapeti i gjelbërt i stadiumit tonë kombëtar dhe besojmë se kjo është dhurata më e mirë për të ndjerin Prof. Anton Mazrekun”./ Memorie.al
Ish – portieri i Vlorës dhe skuadrës përfaqësues
Dr. VASFI SAMIMI













