• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, March 4, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Pasi e refuzova në mënyrë kategorike propozimin e shokut tim, Hiqmet Shena, që të arratiseshim në Jugosllavi, pas pak ditësh, mora vesh se ai kishte shkuar në Qafë-Thanë…”/ Dëshmia e rrallë e Xhavit Delvinës

“Ju Kadri, keni bërë një gabim tragjik, pasi jo vetëm rezidentët i keni lidhur me KGB-në, por rusëve u keni dhënë…”/ Mbledhja e Byrosë, shtator ‘82
“Një grup prej pesë gjermanësh me një mitraloz, disa herë, zmbrapsnin një grup prej qindra partizanësh, me dhjetëra mitraloza të lehtë…”! / Raporti oficerit britanik, për çlirimin e Tiranë, nëntor ‘44
“Nga të burgosurit e Bulqizës, helmimi te Metalurgjiku Elbasanit dhe eksplozivi në Lezhë, te aksidenti në Zall-Bastar, ku vdiqën…”! / Ngjarjet e panjohura të vitit 1979-’80, ku vdiqën 55 veta! (faksimilet me emrat)
“Në ’94-ën, kur rastësisht në Gjykatën e Korçës, takova ish-hetuesin tim që më kishte torturuar, Ligorin dhe u futëm në zyrën e tij, pasi ishte bërë avokat, ai…”/ Dëshmia e rrallë e shqiptaro-maqedonasit
“Ata që do të kalojnë fshehurazi kufirin, do të dënohen në bazë të ligjit dhe nëse s’do t’u binden kufitarëve, dënimi do të jetë dhe kapital, pasi…”/ Porosia e ministrit të Brendshëm, Simon Stefani, mars 1990
Tentuan të kalonin klonin, u qëlluan nga plumbat e kufitarëve dhe qeni tyre, që i bëri copash, historia tragjike e shtatë djemve tiranas në 1989-ën…

Nga Ahmet Xhavit Delvina

Pjesa e tretë

Memorie.al / Po e shkruaj këtë ngjarje që e kam trajtuar unë si “dirigjent” dhe më ka lënë mbresa të paharruara sepse, është një pjesëz e jetës së njerëzve tanë, në atë periudhë të keqe të sundimit komunist. Ishte viti 1954, u nisa për në Tiranë nga Burreli në orën 4 të mëngjesit, isha ushtar në Repartin 7620, me detyrë në ofiçinë si automekanik, në këtë rast po çoja një makinë – kamion ushtarak tip GMC (“Xhems”) Made in USA, për remont – kapital, në Ofiçinën Qendrore të Ushtrisë. Kjo lloj makine luftarake, mund të them se ishte krejtësisht e papërshtatshme për transport civil sepse, si konstruksion kabinën e shoferit e kishte krejtësisht të hapur me tendë, por faktikisht tek kjo mungonte tenda dhe xhami përpara, nuk ekzistonte se kishte kaluar një përplasje dikur, karrocerinë e kishte totalisht metalike, me sponde të ulta 25 cm. lartësi dhe kjo e zbuluar pa tendë, apo dhe pa ndonjë mbajtëse anësore. Ishte muaji shkurt, kulmi i atij dimri të egër.

                                                                   Vijon nga numri kaluar                       

Gjithashtu mund të lexoni

“Amerikanët po dërgojnë armatime për Izraelin, armë po dërgojnë edhe sovjetikët për arabët, por në të vërtetë ata s’duan…”/ Ditari politik i Enver Hoxhës, për konfliktin në Lindjen e Mesme, 16 tetor 1973

“Teksa po dëgjonim në radion te stacionet italiane, ku flitej për raketën ruse në kozmos dhe unë u shpreha se këto bëhen për demagogji, zonja e ing. Naraçit tha…”/ Dëshmia e rrallë e të birit të Neki Delvinës

Kur mbërrita 14 vjeç, fillova marrëdhëniet me punën shtetërore, aty punoja gjithnjë me kujdes për të mos manifestuar asnjëherë dhe për asnjë moment ndonjë pakënaqësi sado të vogël dhe kurrë nuk e dekonspiruam mendimin tonë të vërtetë në atë jetë apo shoqëri. Shumë të pakta apo të rralla ishin rastet e hapjes së ndjenjave të vërteta të shpirtit në shoqëri. Më kujtohet një rast i tillë, ndër të rrallët që më ka lënë mbresa me të vërtet të pashlyeshme në këtë jetë. Isha ushtar në Burrel në vitin 1954, aty njihem me një shok të nderuar dhe të respektuar, që meritonte t’i hapje zemrën.

Ai ishte “kryemjeshtër” për të të hapur zemrën, dhe këtë gjë ta impononte me shumë mjeshtri, por ama edhe me shumë sinqeritet në saj të bisedës së tij shumë të ëmbël, kishte natyrën e një prindi, “plak” të qëmoti. Një ditë prej ditësh në repart, bisedë pas bisede ai më thotë: – “Dëgjo Xhavit, kur të lirohemi nga ushtria dhe të takohemi në Tiranë, dua të të bëj një bisedë ose, më mirë një propozim shumë të dobishëm dhe mendoj që për ty dhe mua është pak si i vonuar, por ‘alla Qerim’. Ti, – më tha, – për mua je një shok i rrallë, si në mençuri, karakter dhe çdo gjë tjetër të mirë, prandaj dua të ndaj të ardhmen me ty”.

Unë e mora me të qeshur dhe i thashë se jam dakord që ta bëjmë bisedën kur të lirohemi nga ushtria. Por ja që ajo ditë erdhi dhe takohemi natyrisht në Tiranë, sepse edhe ai këtu banonte. Ky mik i shtrenjtë, quhej Hiqmet Shena! Ulemi në një lokal dhe ai më thotë: – “Shiko Xhavit, është budallallëk të të shpjegoj unë ty, për jetën e qelbur që po bëjmë këtu në këtë ferr komunist, që quhet Shqipëri. Prandaj kam menduar që të arratisemi që të dy njëherësh për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendi i Demokracisë Botërore. Atje ne do të punojmë dhe njëkohësisht do të shkollohemi, për të marrë kulturën e mohuar.

Unë atje kam njerëzit e mi, por njëkohësisht jam interesuar edhe për ty dhe kam marrë vesh që edhe ti ke njerëz atje dhe me të njëjtin mbiemër, dhe biles ata atje janë bërë shkas për një histori krejt të rregullt e të ndershme për në atë kohë, që juve t’ju vijnë shumë të këqija sot, prandaj ata atje duhet të ndjejnë detyrim për ty. Kështu që edhe neve do të bëhemi atje dikush, d.m.th., më të vlefshëm për Shqipërinë tonë dhe do të mundohemi që t’ju afrohemi sa të jetë e mundur prindërve tanë, në drejtim të kontributit që ata dhanë për këtë vend”.

Më pas e pyes se; “si e ke menduar arratisjen”?

Ai mu përgjigj fare i pa shqetësuar dhe pa asnjë dyshim, duke më thënë se; “këtë problem, apo suksesin e kësaj ndërmarrjeje të përbashkët, e marr unë përsipër, pa më të voglin merak”.

– “Po si do ta bësh”? – i them unë.

– “I kam të gjitha mundësitë që të punësohemi në sistemin e ndërmarrjeve të Gjeologjisë, si shofer ose, edhe si mekanik-lëvizës. Ata zakonisht kanë ekspedita buzë kufijve, kështu që pas një periudhe të caktuar pune, të studiojmë çdo detaj që lidhet me këtë çështje, d.m.th. në zonat kufitare, ku mendojmë të kalojmë. Kështu që procesi i ‘arratisjes’ është mëse i sigurtë, sepse jemi banorë efektivë të atyre zonave. Gjithashtu mendoj të fillojmë punë në ekspeditën që punon në rajonin e Qafë – Thanës”.

– “Dr. Hiqmet, – i them unë, – a e di ti që Shqipëria Komuniste ka marrëdhënie shumë të mira e të shëndosha me Jugosllavinë, prerja e marrëdhënieve të mëparshme apo, shkëmbimi i sharjeve të ndërsjellta etj., etj., janë taktika sa për sy e faqe, që ju leverdis të dy palëve. Ky konstatim i imi që po të them, dije se është i sigurtë sepse, për këtë më ka treguar daiu im, Esat Dishnica, që ti e di se kush është ai, megjithatë ne të dyve nuk na takon t’i diskutojmë këto gjëra, apo t’i hyjmë thellë këtij debati, biles ata kanë edhe një traktat që i shkëmbejnë të arratisurit e dyanshëm, sipas leverdive reciproke.

Ky traktat funksionon në perfeksion. Viktimat janë të ndryshëm, si nga ana jonë, ashtu edhe nga ana e tyre, sidomos me elementin kosovar. Ata të shkretë bëjnë çdo sakrificë për të shpëtuar nga shtypja serbe dhe vijnë tek atdheu amë, por ne i kthejmë, sepse ata që mbajmë, i marrim sipas propozimit të atyre për t’i bërë agjentë kundër po kosovarëve. Ky është kontributi historik i shqiptarëve, për kosovarët”.

Menjëherë ndërhyn Hiqmeti: – “Dëgjo o Xhavit, kështu si thua ti është e, s’e luan topi, por ta dish që për mua kjo që po më thua ti, nuk është gjë e re, e di shumë më thellë seç mendon ti, biles di edhe gjëra të tjera, që ti nuk i di, nuk dua të shes mend, por po të them seriozisht më beso, se po të jesh me mua, kjo ‘tramkë’ nuk bëhet me ne të dy, të jesh mëse i sigurtë. Unë sapo të hidhem matanë, marr lidhje të menjëhershme me njerëzit e mi në SHBA-ës që janë me influencë dhe njihen si anti-komunistë, sepse luftojnë edhe sot atje kundër këtyre ‘haleve’ këtu, di unë si e zgjidh këtë problem, më beso në mënyrë absolute të lutem dhe vijnë ata aty e na marrin përnjëherë e, mos më pyet më”.

– “Atëhere, – i them unë, – po pse nuk zgjedh kufirin grek, andej mendoj që ikja është më e sigurtë, sepse në fund të fundit, ata nuk janë komunistë si jugosllavët”!?

– “Shiko, – më thotë ai, – Qentë e Tiranës (qeveritarët e Tiranës), janë shumë të rafinuar në kësi punësh, nuk e hanë pesën për gjashtë, kështu i themi ne nga anët tona. Njerëzve si puna jonë, që duan të punësohen nëpër ndërmarrjet e Gjeologjisë andej nga zonat e kufirit grek, i analizojnë shumë thellë, sepse probabiliteti i shkëmbimit me ta, pothuajse është i pamundur. Kështu si rrjedhim i kësaj logjike, ne të dyve asnjëherë nuk na e aprovojnë të punojmë andej, prandaj të lutem mos na hap punë dhe pse të bëjmë ‘shët’ kur nuk kemi pula”?!

Pasi e dëgjova i them: – “Shiko o Hiqmet, unë nuk vij dot, sepse kam një baba shumë të sëmurë e, të demoralizuar nga keqtrajtimi komunist dhe që e ka pothuaj të pamundur që të adoptohet me jetën e sotme, kam vëllanë të dhënë jashtë-mase pas studimeve dhe punon nëpër fshatrat e largëta të Shqipërisë dhe nuk merr pjesë fare në hallet e familjes, sepse veç librave, ai nuk bën dot asgjë, kam një motër të vogël, që do një kujdes të veçantë, se është femër dhe e parritur akoma, një nënë që punon sa në punë të shtetit, aq edhe në shtëpi dhe të gjithë problematikën e familjes, e zgjidh vetëm me mua. Kështu që unë nuk kam të drejtë të ndërtoj një jetë të lumtur për vete, në kurriz të atyre të katërve, sepse nuk diskutohet që internimet i presin dhe si do të katandisen pastaj?

Sapo të thashë që mbështetja kryesore e tyre jam unë. Edhe forca e komunistëve qëndron pikërisht tek terrori që ata ushtrojnë në këto raste. A më dëgjon or mik? Ore vëlla Hiqmet Shena, se ku e kam hallin që po të kundërshtoj propozimin tënd?! O Hiqmet më dëgjo pa nervozitet, se unë kështu i gjykoj këto gjëra, nuk do të më zërë shpirti kurrë qetësi, kur të marr vesh rrjedhojat e tmerrshme që do të pësoj familja ime, nga veprimi im. Nuk ndërtohet lumturia personale në kurriz të familjarëve të tu!

Unë tërhiqem, s’ke ç’bën, është sistemi më i fëlliqur në botë, që të frenon të mendosh për më mirë, si për veten edhe familjen. Shiko, mund edhe të mos kem të drejtë, ndoshta këto punë i shoh edhe me një sentimentalizëm të tepruar, por s’ke ç’bën, kështu jam gatuar që kur kam lindur, nuk i lë dot ata dhe t’ia mbath, unë këtë mendim kam dhe po ta them përfundimisht”.

Ai më përgjigjet: – “Më fal Xhavit, është gabim i imi që të shtrova këtë problem. Kjo ka rrjedhur se të paskam mbivlerësuar, por po të them me keqardhje, se po të dalloj të meta të pakorrigjueshme tek ty, më vjen shumë keq për ty” – dhe u ngrit menjëherë nga tavolina, pagoi llogarinë, më dha një përshëndetje me kokë dhe u largua shumë zyrtarisht. Pas disa ditësh e takoj në rrugë, u përshëndetëm dhe biseduam për shumë gjëra, por kurrë nuk më pyeti më, nëse kisha ndërruar mendje, por vetëm më tha se; “më kanë dhënë një kamion 1.5 T ‘Lublin’, në ekspeditën e Qafë-Thanës dhe do të nisem këto ditë për Pogradec me punë”.

– “Të uroj fat dhe mirupafshim, – i them direkt unë, – në ‘Shqipërinë e lirë’, ose në atë botën tjetër që besoj të jetë më e qetë se këtu”. U përqafuam shumë, aq sa ai u përlot dhe sërish nuk ma zuri në gojë refuzimin që unë i kisha bërë çështjes së arratisjes. Ishte njeri shumë krenar dhe nuk ishte mësuar t’i shkonte bosh ndonjëherë, një propozim kaq serioz dhe i menduar mirë. U ndamë për të mos u parë më.

Shumë shpejt mora vesh se Hiqmet Shena ishte arratisur nga Qafë-Thana në Jugosllavi dhe prej andej, kishte fluturuar për në SHBA-ës, d.m.th. çfarë premtoi e mbajti dhe e realizoi. Megjithatë edhe sot pas kaq vitesh, e gjykoj se nuk kam bërë gabim me atë veprim në atë kohë, sepse do të shkatërroja përfundimisht familjen, pothuaj të shkatërruar dhe nuk do të më zinte asnjëherë shpirti qetësi, kur të mendoja se unë do të isha shkaktari i asgjësimit të tre pjesëtarëve të tjerë të familjes, nëpër burgje, internime apo kampe pune, për shkakun tim.

Dua t’i mbyll këto kujtime sa të ëmbla po aq edhe të hidhura për familjen tonë, megjithatë gjithmonë i kujtoj me nostalgji ato kohëra të mbushura si me dhimbje, edhe me ndonjë gëzim të rastësishëm dhe bëj çudi, se si ishte e mundur të gjenim në vazhdimësi forcë shpirtërore për të shpresuar për një të ardhme më të mirë, ndoshta kjo na mbajti gjallë, por ama ishim të sigurtë, se megjithëse brezi ynë u dogj, sërish ishim të sigurtë se fëmijët tanë, do të jetonin një ditë të lumtur. Kjo ishte eksperiencë botërore.

Një gjë dua të përmend me mburrje të madhe, sepse kategoritë tona si grupe të së kaluarës, njiheshin nga rezilët – komunist, sepse na ndiqnin në çdo hap të jetës sonë, por nuk arrinin të kuptonin, se ku dhe si i gjenim ne ato forca shpirtërore apo edhe fizike, për të qenë njerëzit më të zotë në çdo gjë, e më të rregullt, si edhe punëtorët më të mëdhenj dhe me një paraqitje të qetë dhe paqësore. Plasnin nga inati kur dallonin këto diferenca ndërmjet tyre dhe fëmijëve të tyre, me fëmijët tanë apo edhe me ne e, tmerroheshin kur mendonin se e ardhmja mund të na takonte ne, reaksionarëve të dikurshëm, që nuk na zhdukën dot të gjithëve.

Me gjithë këto halle që kaluam si “ne” edhe “ata”, e treguam veten për atë periudhë të historisë që besoj të shkruhet realisht ndonjëherë. Ne gjithashtu e dinim shumë mirë se një popull i dalë nga një regjim totalitar e tiranik, që jetoi përmbi gjysëm shekulli i nënshtruar dhe nën një presion të vazhdueshëm, sidomos kur mbi të u ushtruan gjithfarë dhunimesh dhe që kish arritur të pranonte në mënyrë pasive gjithçka të keqe, ky brez nuk mund të kishte zhvillim kulturor e demokratik të saktë, apo edhe zhvillim qytetar që të arrinte të vet-qeverisej me një shoqëri të lirë.

Kjo jetë e ndryshuar do t’ju takojë vetëm fëmijëve tanë e jo ne. Fëmijët tanë do të hyjnë patjetër në rrjedhën e Evropës së Bashkuar, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian nën kujdestarinë e atdheut të demokracisë botërore SHBA-ës, sepse vetëm kështu mund të shkulen gjurmët e së keqes, të trashëguar në pamjet e njeriut të ri të mallkuar shqiptar, i përgatitur nga mostra Enver Hoxha. Kështu besoj se do të bindet edhe miku ynë i familjes, italiani Alberto Carlini nga Tolentino e Maçeratës, i cili thotë sigurisht me humor apo dhe kur demoralizohet nga ndonjë veprim negativ i ndonjë shqiptari, se: “Shqipëria do të bëhet vetëm kur këtu të mos ketë më shqiptarë”.

Aderimi në Evropën e Bashkuar do të vonohet për ne shqiptarët, sepse eventualisht, ajo pengohet sot me forma nga më të sofistikuarat, të cilat lidhen me disa egoizma primitive nacionale të disa shteteve fqinje, duke futur në lojë të majtat socialiste, social – demokrate etj. Këto parti duan të metabolizojnë lëvizjet ish – komuniste dhe neo – komuniste, ose më mirë të themi lëvizjet post – komuniste, të cilat kanë qenë të komprometuara deri në grykë me regjimet totalitare komuniste dhe që sot kanë moderuar qëndrimet e tyre, pra duhet patur kujdes që këta popuj të vënë mënd dhe të ruhen që të mos lejojnë më kthimin e tyre në pushtet, ata kanë negacione të atilla që e ribëjnë po atë popull fatkeq sepse kanë mangësi të theksuara demokratike.

Roli i ri social i individit në Evropën e Re, përbënë një objektiv kryesor të Partisë Popullore Evropiane, në të cilën aderojnë partitë më prestigjioze si, Demokristiane, Konservatore, Liberale, etj. Të tëra këto eksperienca ofrohen për të mbrojtur sidomos ato vende që kanë prirje për të mbështetur politikat e majta, tashmë të njohura për shterpësinë e tyre. Programi i Partisë Popullore Evropiane titullohet – “Një bashkim vlerash”. Shpresojmë të rrojmë edhe pak, nëse do të mundemi ne, brezi ynë i shumëvuajtur që të shohim këto të mira. / Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

"Mësuesi Janko Ll. Pali, mbetet përjetë si një monument i kulturës dhe i diturisë, pasi për gati gjysëm shekulli, luftoi për...”/ Historia e panjohur e poetit, muzikantit, valltarit e poliglotit të famshëm nga Himara

Next Post

“Amerikanët po dërgojnë armatime për Izraelin, armë po dërgojnë edhe sovjetikët për arabët, por në të vërtetë ata s’duan...”/ Ditari politik i Enver Hoxhës, për konfliktin në Lindjen e Mesme, 16 tetor 1973

Artikuj të ngjashëm

“Amerikanët po dërgojnë armatime për Izraelin, armë po dërgojnë edhe sovjetikët për arabët, por në të vërtetë ata s’duan…”/ Ditari politik i Enver Hoxhës, për konfliktin në Lindjen e Mesme, 16 tetor 1973
Dossier

“Amerikanët po dërgojnë armatime për Izraelin, armë po dërgojnë edhe sovjetikët për arabët, por në të vërtetë ata s’duan…”/ Ditari politik i Enver Hoxhës, për konfliktin në Lindjen e Mesme, 16 tetor 1973

March 3, 2026
“Teksa po dëgjonim në radion te stacionet italiane, ku flitej për raketën ruse në kozmos dhe unë u shpreha se këto bëhen për demagogji, zonja e ing. Naraçit tha…”/ Dëshmia e rrallë e të birit të Neki Delvinës
Dossier

“Teksa po dëgjonim në radion te stacionet italiane, ku flitej për raketën ruse në kozmos dhe unë u shpreha se këto bëhen për demagogji, zonja e ing. Naraçit tha…”/ Dëshmia e rrallë e të birit të Neki Delvinës

March 3, 2026
“Sikur mos mjaftonte agresioni i Izraelit, qeveritë britanike dhe franceze, nën pretekstin e sigurimit të kalimit nëpër Kanalin e Suezit, i kanë dërguar…”/ Ditari politik i Enver Hoxhës, nëntor 1956 -‘57
Dossier

“Sikur mos mjaftonte agresioni i Izraelit, qeveritë britanike dhe franceze, nën pretekstin e sigurimit të kalimit nëpër Kanalin e Suezit, i kanë dërguar…”/ Ditari politik i Enver Hoxhës, nëntor 1956 -‘57

March 2, 2026
“Tomor Allajbeut, nipit të Abaz Ermenjit, vetëm pse tha; ‘S’punoj unë, të hajë Nexhmija’, pas një muaji hetuesi speciale, i shtuan edhe 13 vjet…” Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit të Spaçit!
Dossier

“Policisë në Mamurras u thashë se ato 15 gra, m’i bëri ‘peshqesh’ kryetari i Degës së Brendshme, Gjolek Alia, por…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të përndjekurit politik, me familjarët e të burgosurve të Burrelit

March 1, 2026
“Kur dy shkrimtarët e njohur, Fatmir Gjata me Llazar Siliqin, e pyetën Alizotin për romanin ‘Këneta’ dhe poemën ‘Mësuesi’, ai iu përgjigj…”/ Historia e panjohur me librarin e famshëm të Gjirokastrës
Dossier

“Kur Alizoti më tha; ti je nga fshati i Ismail Golëmit, e kam pasur mik, ishte burrë i zgjuar’, hej bela thashë me vete, ai është pushkatuar nga Partia…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit dhe publicistit të njohur

February 28, 2026
“Kur pashë librat marksiste-leniniste e serinë e veprave të Enverit dhe i thashë Alizotit; paske shumë nga këto, ai…”?! / Dëshmia e rrallë e Dritëro Agollit, për librarin e famshëm të Gjirokastrës
Dossier

“Kur vdiq në Tiranë Dr. Vejseli, Alizoti i tha Hoxhë Hyqmetit, ta lajmëronte nga maja e minares kur të këndonte, por njerëzit e kuptuan për Dr. Vasil Labovitin dhe…”! / Historia e panjohur e librarit të famshëm të Gjirokastrës

February 27, 2026
Next Post
“Amerikanët po dërgojnë armatime për Izraelin, armë po dërgojnë edhe sovjetikët për arabët, por në të vërtetë ata s’duan…”/ Ditari politik i Enver Hoxhës, për konfliktin në Lindjen e Mesme, 16 tetor 1973

“Amerikanët po dërgojnë armatime për Izraelin, armë po dërgojnë edhe sovjetikët për arabët, por në të vërtetë ata s’duan...”/ Ditari politik i Enver Hoxhës, për konfliktin në Lindjen e Mesme, 16 tetor 1973

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme