Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ndodhur në fundin e vitit 1979, kur kryeministri Mehmet Shehu që njëkohësisht mbante dhe funksionin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore, urdhëroi dërgimin me misionin sekret në Vietnam, të një grupi prej shtatë ushtarakësh të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, me në krye shefin e Armatimit të Ushtrisë Shqiptare, Gaqo I. të cilët kishin si detyrë specifike që t’ju kërkonin kolegëve të tyre vietnamezo-veriorë, raketën e famshme SAM -7 të prodhimit sovjetik, e cila kur ishte testuar për herë të parë kishte çuditur Perëndimin, aq sa amerikanët kishin deklaruar se tashmë “tanku nuk mund të quhej më armë luftarake”?!
Dëshmia e Memush Habilajt, ish-pjesëtar i atij misioni sekret dhe më pas me detyrën e Drejtorit të Laboratorit Qendror të Kërkimeve Kimike, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me porositë e veçanta që iu dhanë atij grupi nga kryeministri Mehmet Shehu dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, që ai mision të mbahej në sekretin më të madh, itinerari i udhëtimit me shumë peripecira dhe ndërhyrja e ambasadorit Sokrat Plaka në Beograd, pritja që i’u bë nga homologët e tyre vietnamezo-verior dhe si u dekonspirua ai mision, aq sa për to kishin shkruar disa revista franceze dhe serbe, të cilat Mehmet Shehu ua tregoi pas kthimit të grupit nga Vietnami!
Zoti Habilaj, si u bë nisja nga aeroporti i Rinasit dhe si u kamuflua misioni juaj?
Pak para nisjes, neve na u dhanë dhe udhëzimet e fundit, sesi do të niseshim për në Rinas, ku në mes të tjerash na u tha se: ne nuk duhet që të kishim me vete asnjë lloj dokumenti ose fotografi që të dëshmonim se ishim ushtarakë. Sipas këtyre udhëzimeve, grupi ynë i përbërë prej shtatë vetash, u nis në drejtim të aeroportit të Rinasit, jo me mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes, por me taksi të veçanta, për gjithsecilin nga ne që shkuam aty nga drejtime të ndryshme. Po ashtu edhe në Rinas ne nuk na përcolli asnjë nga titullarët e Ministrisë së Mbrojtjes, por vetëm atasheu tregtar i Vietnamit, meqenëse ne ishim kamufluar si atashe civil tregtar.
Cili ishte intenerari i udhëtimit tuaj për në Vietnam?
Nga Rinasi, ne u nisëm me avionin e shoqërisë ajrore jugosllave JAT, dhe udhëtimi ynë që zgjati rreth tre ditë, u bë: Tiranë-Beogard-Vjenë-Paris-Zyrih, dhe më pas Zyrih-Dubai-Bombei-Saigon-Hanoi. Gjatë udhëtimit, ne ndërruam disa avionë, për shkak të problemeve të shumta që na u paraqitën gjatë udhëtimit.
Çfarë problemesh ju dolën, dhe a rrezikonin ato qëllimin e misionit tuaj?
Probleme gjatë udhëtimit ne patëm që në ndalesën e parë në aeroportin e Beogradit, ku nuk mundëm të vazhdonim udhëtimin tonë për në Paris, për shkak të një greve që kishin filluar punonjësit e atij aeroporti. Sapo zbritëm në aeroportin e Beogradit, na priti ambasadori ynë Sokrat Plaka, i cili, pasi na shtroi një drekë, na siguroi udhëtimin me një avion tjetër që nisej për në Paris. Kur mbërritëm në aeroportin e Parisit, aty na kishte dalë për të na pritur ambasadori, Misto Treska, i cili po ashtu na shtroi një drekë. Aty në Paris, unë mora vesh, që sipas urdhrit të Mehmet Shehut, (i cili e konsideronte të rëndësishme, vajtjen tonë në Vietnam), Ministri i Jashtëm, Nesti Nase, kishte porositur të gjithë ambasadorët e vendeve ku do të kalonim, që të na prisnin dhe të merrnin të gjitha masat në mënyrë që udhëtimi jonë të mos pengohej. Dhe sipas këtij urdhri, të gjitha ambasadat tona të vendeve ku ne do të kalonim, treguan një gatishmëri të madhe, dhe deri sa mbërritëm në Saigon, nuk patëm asnjë problem.
Kush ju priti në aeroportin e Saigonit?
Kur mbërritëm në aeroportin e Saigonit, binte një shi i madh, dhe udhëtarët nguronin që të zbrisnin. Në atë kohë, tek dera e avionit erdhën disa ushtarakë vietnamezë të veshur civilë, dhe pyetën: “Kush janë pjesëtarët e delegacionit tregtar që vijnë nga Shqipëria”? Pas kësaj ne dolëm, dhe hipëm në tre “Benz”-a luksozë që na u afruan deri tek shkallët e avionit, gjë që shkaktoi një habi të madhe tek të gjithë udhëtarët e avionit, se si një delegacion tregtar nga Shqipëria, po pritej me këto makina luksoze pa u kontrolluar fare në doganë. Në sallat e aeroportit të Saigonit, që quhej ndryshe dhe Ho Shi Min, ne na pritën disa ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes së Vietnamit, që ishin veshur civilë, si dhe ambasadori ynë, Yzedin Bimo. Pas takimeve të rastit që bëmë me delegacionin ushtarak që kishte dalë për të na pritur, me një avion special që ishte vënë posaçërisht për ne, u nisëm në drejtim të Hanoit, kryeqytetit të Vietnamit të Veriut, ndonëse në atë kohë, Vietnami ishte unifikuar në një shtet të vetëm.
Ku u vendos delegacioni juaj, dhe si ju trajtuan gjatë qëndrimit tuaj atje?
Në kryeqytetin Hanoi, që në atë kohë kishte rreth dy milionë banorë, ne na akomoduan në hotelin më të mirë që kishte ai qytet, në kushte mjaft komode. Gjatë atyre ditëve, ne vizituam, pothuajse të gjitha pikat kryesore të qytetit, por kudo që shkonim, përveç shoqëruesve tanë zyrtarë, ne shikonim dhe njerëz të tjerë që na survejonin rregullisht. Ishte e pamundur që t’i njihnim, pasi ata na dukeshin të gjithë njëlloj. Në hotelin ku ishim akomoduar ne, ishte më i miri që kishte Hanoi, kishte dhe klientë të tjerë nga shtete të ndryshme të botës, ku më shumë në sy, binin sovjetikët
Misioni juaj, a kishte ndonjë program në lidhje me vizitat që do të kryenit në Vietnam?
Gjithçka që do të realizonim në Vietnam, që nga vizitat dhe mbledhjet e përbashkëta të punës, ishte parashikuar më parë në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe, që ishte nënshkruar nga Ministria jonë e Mbrojtjes dhe ajo e Vietnamit. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, dhe të kërkesave tona, ishin parashikuar dhe të gjitha vizitat që ne do të bënim në reparte, në baza të ndryshme ushtarake tokësore, ajrore dhe detare, si dhe qendra të fortifikuara. Kështu në bazë të këtij programi, ne vizituam shumë nga këto baza, për të gjitha llojet e specialiteteve që interesoheshim ne, si: Ndërlidhje, Kimi, Xhenjo, Mbrojtje Kundër-ajrore, etj. Gjithashtu ne vizituam shumë shkolla të ndryshme ushtarake, të cilat ndodheshin kryesisht në periferinë e Hanoit. Kudo që shkonim, na shoqëronin një ose dy homologë tanë të armëve përkatëse, të cilët komunikonin në rusisht, sepse të gjithë pjesëtarët e delegacionit tonë e zotëronin si gjuhë, dhe vietnamezët, kishin mbaruar të gjithë shkollat në Bashkimin Sovjetik. Në distance të afërta me Hanoin shkonim me makinë, kurse në ato të largëtat, shkonim me helikopter.
Në çfarë realiteti u ndeshët, dhe çfarë iu bëri më shumë përshtypje gjatë vizitës suaj atje?
Gjëja e parë që binte në sy, sapo shkelje në Vietnam, ishte toka e djegur dhe shkatërrimet e shumta që i shihje kudo nga bombardimet që kishin bërë amerikanët me bomba me napalm. Gjatë atyre ditëve që qëndruam në Hanoi, na çuan që të shihnim edhe pallatin ku kishte banuar komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, i cili e kishte pasur atë si vilë rezidenciale. Atë ndërtesë gjigante, vietnamezët, e kishin kthyer në rezidencë për pritjen e delegacioneve të huaja, dhe nuk kishin lëvizur nga aty, asgjë nga ato çka kishin lënë amerikanët atë ditë që ishin larguar. Aty gjendeshin deri edhe mjete kancelarie, në zyrën e komandantit të përgjithshëm. Vietnamezët e kishin atë si trofe, për t’ju mburrur me luftën që kishin bërë kundër amerikanëve. Kjo ishte një ndër ndërtesat e pakta të pa-shkatërruara, që mbizotëronin në Vietnam. Po kështu në këtë gjendje ishte edhe Kamboxhia.
Përse shkuat ju në Kamboxhia?
Gjatë atyre shtatë javëve që ne qëndruam atje, shoqëruesit tanë vietnamezë, na dërguan edhe në Kamboxhia. Kjo ndodhi ku tre nga pjesëtarët e misionit (ku isha dhe unë), ishim duke vizituar një fushë të bombarduar nga armët kimike dhe bombat me napalm, diku afër kufirit, e cila vazhdonte me qindra km. brenda Kamboxhias. Shoqëruesit vietnamezë, nuk na treguan se ku po na çonin, por vumë re se gjatë atij udhëtimi, ata na shoqëronin me një “Xhip” me ushtarë të armatosur. Siç na thanë vietnamezët, por siç e pamë edhe vetë, udhëtimi në xhunglat e Kamboxhias, ishte mjaft me rrezik, sepse në ato xhungla, jetonin fise të prapambetura që nuk kishin asnjë lloj lidhje me pjesën tjetër të vendit. Ata duke na pandehur si amerikanë, deshën të na qëllonin.
Si iu përgjigjën vietnamezët, kërkesave tuaja që thatë, se ishin bërë më parë, në bazë të marrëveshjes?
Në mbledhjen e parë, që bëmë me palën vietnameze në Ministrinë e tyre të Mbrojtjes, ku në fillim na priti ministri dhe pastaj zv/ ministri, i cili shtroi një drekë për nder të delegacionit tonë, ne i’u bëmë të ditur kërkesat tona, duke i’u thënë se: ishim vende mike, dhe ne kërkonim që ata të na ndihmonin. Kur ne parashtruam kërkesat tona, vumë re një ngurrim të tyre për të na ndihmuar, dhe krijuam një bindje të plotë se ata na mbanin rezerva, dhe ne do ta kishim shumë të vështirë të merrnim ato që kërkonim. Kur ne bënim ndonjë kërkesë për lloje të ndryshme armësh, apo teknikë luftarake, ata përgjigjeshin “Do të pyesim, Ministrinë, nuk jemi gati për këtë, do të bisedojmë përsëri, etj”. Po kështu kur pyesnim për ndonjë armë sipas asaj që kishim të parashikuar në marrëveshje, ata përgjigjeshin shkurt, dhe ndërronin temën e bisedës, në tema të parëndësishme për ne.
Po porosinë e veçantë të Mehmet Shehut, për raketën SAM-7, kur ia parashtruat?
Që në takimin e parë që patëm me ushtarakët vietnamezë, ne parashtruam si pikë kryesore, kërkesën për raketën SAM-7, duke iu thënë: “Ne e dimë që ju keni dalë të shkatërruar nga lufta, dhe keni probleme të shumta, por kërkojmë që të na ndihmoni duke na dhënë dy ekzemplarë të SAM-7 (prodhim sovjetik), të cilën do ta blejmë me dollarë në dorë, sa t’ju kushtojë, sepse ju nuk e prodhoni vetë, por e blini me dollarë”.
Si i’u përgjigjën ata kësaj kërkese?
Pasi dëgjuan kërkesën tonë, ata na thanë se ato armë i kishin në front, dhe se në Hanoi, nuk kishte të tilla. Ne i thamë se do t’i prisnim, dhe pas disa ditësh kur e pamë që nuk po na kthenin përgjigje, ua parashtruam përsëri këtë kërkesë. Edhe pas kësaj, ata filluan justifikimet e tjera, duke na thënë se: Ministri i tyre i Mbrojtjes, kishte shkuar për një vizitë jashtë Vietnamit, dhe sapo të vinte, do i’a paraqisnin kërkesën tonë. Megjithëse ne e kuptuam se ata nuk donin të na e jepnin atë raketë, ditët e fundit të qëndrimit, ua përmendëm edhe njëherë problemin e raketës SAM-7, dhe ata na thanë se do të dërgonin në Shqipëri, një ose dy ekzemplarë.
Cilat ishin arsyet që vietnamezët nuk donin t’ua jepnin atë raketë?
Në parantezë, desha të theksoj, se gjatë kohës që zhvillonim këtë bisedë, ku kërkesa për raketën u përsërit disa herë, njëri nga ushtarakët vietnamezë, që ishte dhe kryetari i grupit, u ngrit dhe doli jashtë dhomës, dhe pas disa minutash u kthye, përsëri aty. Ajo që na bëri më shumë përshtypje, nuk ishte se u ngrit e doli nga dhoma, sepse në atë mënyrë zhvilloheshin bisedimet dhe kështu lëviznim dhe ne për kafe, por kur u kthye ai, ishte duke pirë cigare të prodhimit sovjetik, që ne e njihnim mjaft mirë. Ne menjëherë e pamë njëri-tjetrin në sy, dhe e kuptuam se në dhomë ngjitur me ne, qëndronin këshilltarët ushtarakë sovjetikë, me të cilët, vietnamezët konsultoheshin për gjithçka. Gabimi i tij, ishte se harroi të fikte cigaren, kur u kthye tek ne. Pra desha të theksoj, se për çdo gjë që kërkonim ne, ata pyesnin sovjetikët, dhe nisur nga ky fakt, them se edhe raketën, ata nuk deshën të na e jepnin.
Pas refuzimit që iu bënë për raketën SAM-7, a insistuat për ndonjë armë tjetër?
Pasi nuk na e dhanë raketën SAM-7, ne insistuam që të merrnim bombën B.L.U. e cila, është përdorur gjerësisht nga amerikanët, kundër vietnamezëve.
Çfarë ishte kjo bombë dhe përse e kërkuat atë?
Bomba B.L.U. e cila, në atë kohë u përdor nga amerikanët, bëri një bujë të madhe, dhe është një version i asaj që u hodh po nga amerikanët, në bazat ku mendohej se fshihej Bin Ladeni në malet e Afganistanit në vitet 2010-2011. Kjo bombë e cila hidhet nga avioni, kur bie në tokë, krijon një lëmsh gjigant zjarri, i cili përhapet me shpejtësi dhe shkatërron gjithçka, duke konsumuar dhe oksigjenin e ajrit. Kështu përveç efekteve shkatërruese që ajo jep, të cilat janë të njëjta me një tërmet të fuqishëm, ajo i vdes të gjitha qeniet e gjalla, të cilat nuk mund të jetojnë më shumë se dy minuta, nga mungesa e oksigjenit. Këtë bombë, aviacioni amerikan, ua hidhte vietnamezëve në grykat e tuneleve, dhe aty gjithçka kthehej në hi. Nisur nga buja që bëri kjo bombë, në shtypin perëndimor, Ministria e Mbrojtjes, na dha detyrë që të merrnim një ekzemplar të saj, me qëllim që të shihej mundësia e prodhimit të saj në Shqipëri.
A jua dhanë vietnamezët këtë bombë?
Edhe për këtë bombë, vietnamezët na u përgjigjën njëlloj si për raketën SAM-7, duke u justifikuar. Por gjatë atyre takimeve, njëri nga shokët e misionit tonë, përfitoi nga rasti dhe mundi të kopjonte të gjitha të dhënat, nga katalogu origjinal të cilin vietnamezët e kishin lënë hapur mbi tavolinë, gjatë bisedimeve që ne bënim. Pas kësaj, sapo shkuam në dhomën e hotelit, pa bërë asnjë fjalë, se e dinim që aty kishte përgjues, ne e hodhëm skicën e saj në letër të pastër, duke shënuar të gjitha parametrat që kërkoheshin për ta prodhuar.
Sa përqind e kërkesave tuaja, u plotësuan nga vietnamezët?
Ata na plotësuan më pak se 50 përqind të kërkesave tona, dërgesat e të cilave më pas na i dërguan me anije.
Kur u kthyet, si reaguan në Ministrinë e Mbrojtjes, lidhur me mosplotësimin e misionit tuaj?
Kur u kthyem në Tiranë, ne bëmë raportin e përgjithshëm të misionit tonë në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe nuk pati ndonjë reagim nga ana e tyre, sepse ata e dinin gjendjen, dhe nuk përbënte ndonjë gjë të re fakti, që pala vietnameze, nuk i përmbushi detyrimet që kishin nënshkruar me ne. Ajo për të cilën u çuditëm, ishte se: me gjithë masat e shumta që ne kishim marrë për t’u kamufluar si tregtarë, misioni ynë ishte dekonspiruar.
Nga e mësuat këtë gjë?!
Këtë e mësuam kur Mehmet Shehu thirri në zyrë, shefin tonë Gaqo I., të cilit i tregoi dy gazeta të huaja, përkatësisht franceze dhe jugosllave, të cilat kishin shënuar të gjithë emrat e pjesëtarëve të delegacionit tonë, dhe misionin që do të kryenim në Vietnam.
Çfarë u bë me skicën e bombës B.L.U. që ju mundët të merrnit atje?
Përsa i përket projekt-skicës së bombës B.L.U. që ne sollëm, kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, dha porosi që të studiohej mundësia e prodhimit të saj në vendin tonë.
A u prodhua ajo në Shqipëri?
Pas porosisë së Mehmet Shehut, në Laboratorin Qendror të Kërkimeve Kimike të Ushtrisë, i cili në atë kohë drejtohej nga inxhinieri Pirro Begvarfi, u ngrit një grup pune, që do të merrej me studimin e kësaj bombe, të cilin e kryesonte, inxhinieri i talentuar, Kudret Meta. Ky studim zgjati rreth një vit, dhe kur ajo punë ishte në prag të përfundimit, ndodhi vdekja e Mehmet Shehut, dhe punimet u ndërprenë. Pas kësaj, projekti i bombës B.L.U. u pezullua, dhe dosja e saj u arkivua.
Po më pas, a u morën më armë nga Vietnami?
Nga Vietnami në atë kohë, u morën një sasi e pakët armatimi dhe teknike luftarake, sepse Shqipëria pothuajse të gjithë armatimin e importoi nga Kina. Shumë nga këto armatime, ku kishte edhe armë kimike, mbetën stoqe dhe pas viteve ‘90-të në një farë mënyre u bënë pengesë për aderimin e Shqipërisë në NATO./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016