Pjesa e njëzetedy
Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’
DY FJALË SI HYRJE
Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”? Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
KARTOLINAT
Ishte koha e kartolinave. Zotia dërgonte shumë urime e përshëndetje për Vitin e Ri. Kujdesej të mos harronte ndonjë shok a mik, të mos mbetej borxhli. Përveç urimeve thjesht të gëzueshme, bënte dhe shumë urime me formulime krejtësisht të veçanta, me ngacmime, me aludime, me nënkuptime, por sigurisht, me humor e “me përgjigje të paguar”, që do t’i vinte patjetër.
Mbas Vitit të Ri, pasi kishin mbërritur kartolinat në destinacion, vinin “kundërsulmet”, vinin “restot”, që Zotia mezi i priste, vinin falënderimet, vinin “robërit” e kapur në kartolinat e Zotes, “të gjallë”, drejt e në librari dhe e merrnin atë me zor për kafe….! Vazhdonin thumbat, qeshnin me shpirt e Zotia në këto raste ndihej i lumtur. Mua më linte shpesh në librari, kur shkonte për kafe me shokë. E zëvendësoja përkohësisht, që libraria të qëndronte hapur.
Kartolinat e Zotes duhet të kenë qenë një arkivë e shakave gjirokastrite. Kuptohet që ne nuk i kemi patur kartolinat që dërgonte Zotia. Në shtëpi ne kishim kartolinat që i kishin dërguar atij. Të panumërta. Në shumë prej tyre, teksti i urimit ishte përgjigje e tekstit të kartolinave të dërguara nga Alizoti. Kishte shumë mirënjohje në ato tekste, shumë kujtime, shumë dashuri, mjaft emocione, s’mungonte humori, një pasuri e veçantë shpirtërore për Zoten. Një pjesë e madhe e tyre ishin të shkruara italisht.
Shikonim me kureshtje adresat: Napoli, Roma, Milano, Venecia, Torino Genova, Bolonja, Bari, Brindizi, Padova, Palermo…, nga gjithë Italia. Ne e dinim që në vitet ‘38 – ’43, Zotia shkonte vazhdimisht në Itali për tregti. I patëm kartolinat deri në vitet ’60-të. Ishin në katoqin e shtëpisë tonë në “Palorto”. Nuk i mbajtëm dot. I asgjësuam me porosi të Zotes, në një periudhë që Zotia mendonte se ishte planifikuar ta burgosnin përsëri. Mendonte se do të na bastisnin shtëpinë, si herën e parë. Ishin me qindra kartolina.
Na u kujtuan kartolinat në vitet ’90-të. Kur kishim nevojë për një pikë mbështetje në Perëndim. Na duheshin adresat. Zotia ishte ndarë nga jeta në vitin ‘83. Nejse…!
– Kartolina me gomar
Kam qenë i vogël, kur doktor Vasili i Madh, i dërgoi një kartolinë, që paraqiste një kokë gomari. Nga mbrapa i kish shkruar një tekst urimi mjaft serioz. Kuptohet, Doktori i kish marrë të gjitha masat, që, kur t’i shkonte kartolina Zotes, në librari, të ndodheshin disa prej shokëve të tyre. Kështu do të mund të shijohej në moment reagimi i Zotes.
Erdhi kartolina e futur në zarf. E hapi zarfin Zotia, nxori kartolinën, pa kokën e gomarit, që kish zënë tërë kuadratin, buzëqeshi, e ktheu nga mbrapa, njohu shkrimin e Doktorit, po e lexonte … një nga shokët i thirri:
– “Dale ta shikojmë një çikë, kush ta ka dërguar”? – dhe ia morën Zotes nga dora. Qeshën të gjithë me të madhe.- “Përse të ta ketë dërguar ty kokën e gomarit? Do ta ketë një kuptim kjo! Doktori nuk bën gjëra pa një domethënie. E çon hakën tek i zoti”, – vazhdonin bisedën të pranishmit rreth kartolinës. – “Kjo nuk ka nevojë për sqarim. Dihet. Kartolinat transmetojnë simbolika të caktuara.
Ja përshembull, të rinjve që kanë arritur në moshë për të krijuar familje, u dërgohen kartolina që tregojnë një çift duke u puthur, ose një çift duke vendosur unazat, simbol i martesës. Pra, kartolina zgjidhet që t’i përshtatet sa me tepër personit, të cilit i drejtohet. T’i ngjajë sa më shumë atij sot, ose të përfaqësojë të arthmen e tij”.
– “Po ç’simbolikë përfaqëson koka e madhe e gomarit, kur ia drejton një personi”? – pyeti me zë të lartë njeri nga shokët e doktorit, aq sa ta dëgjonte mirë dhe Alizoti. – “Bo bo, mori keq puna, mendoi Zotia -, s’duhen lënë të vazhdojnë siç e kanë nisur”.
– “Ah, këtë do ta merrni vesh, – ua ndërpreu në mes Zotia lojën, që po i luanin shokët, nën regjinë e Doktorit, – sapo të hapë Doktori kartolinën, që i kam nisur unë me postë. Shyqyr që qëlluat ju këtu, që ta porositni Doktorin të mos e grisë atë, por mundësisht hajdeni bashkë me të”.
Të nesërmen erdhën në librari së bashku me Doktorin. E kishin marrë kartolinën e Zotes, që ua dërgoi atë natë në spital. Po qeshnin që përjashta librarisë. Teksti i kartolinës u lexua edhe një herë në praninë e të gjithëve.
– “Të falënderoj nga zemra, doktor, që u kujtove të më dërgosh një kopje të fotografisë tënde të fundit. Më çmalle! Kishe dalë shumë mirë, shumë natyral, siç je në të vërtetë. Më mirë të të shoh fotografinë se sa ti. Por më bëre merak, se m’u duke pak i hequr. Mos e kurse barin, të kam porositur! Përqafime, Alizoti”.
Qeshnin më të madhe e, si zakonisht, dolën “të rrufisnin” kafen e përditshme. Zotia u tregonte se si e dërgoi kartolinën natën dorazi në spital.
– “Po kartolinën me gomar, atë të Doktorit, pse e kishe ekspozuar në raftin e librarisë, në vendin më të dukshëm”?
– “Nuk jam çmallur akoma! Le që më pyesin plot njerëz. Ç’e ke këtë, më thonë. Është shoku im i ngushtë, ju them. Qeshin, s’e besojnë! Çudi”!?
Si Papa i Romës
Në një vit të ri, i dërguan një kartolinë, ku kishin sajuar një fotomontazh. Në një fotografi të Papës së Romës, në katedrale, në Vatikan, kishin zëvendësuar kokën e Papës, me kokën e Zotes. Pra Alizoti dukej Papa i Romës. Këtë fotomontazh, kartolinë, Zotia e mbante tek banaku. Ua tregonte gjithë miqve.
– “Shikoni ç’më kanë bërë! Të më kishin bënë hoxhë, hajde-de, do ta bëja kabull. Po më kanë ndëruar dhe fenë, pa le”?! Unë ndihmoja Zoten rregullisht në librari. Me ngacmonin shokët e Zotes, ma tregonin fotografinë dhe më pyesnin: “E njeh babanë, mo? Ku ka qenë kështu? Shikoje si është veshur…”?!
Zotia vinte rrotull të gjente se kush ia kish bërë. Kartolina ishte pa adresë. E mendoi se mund ta kishin përgatitur fotografët e Gjirokastrës, vëllezërit Jorgo e Filip Vito, zagoritë, që e kishin dyqanin e fotografëve dhjetë metra larg librarisë. Ishin miq të mirë me Zoten. U çoi haber për kartolinën, i pyeti në se e kishin bërë ata. I thanë se nuk kishin dijeni. Po qeshnin me Zoten.
– “Kush mund ta ketë bënë?!, – pyesnin njeri – tjetrin në sy të Zotes. – Jo, ne nuk e realizojmë dot këtë fotomontazh”… Zotia i shikonte me dyshim.
Pas dy ditësh dërgoi tek fotografët një nga shokët e rrethit të tyre shoqëror, por që kishte raporte të mira me pushtetin. Ai shkoi tek foto – studio dhe me zë të ulët u tha se po analizohej në Degën e Punëve të Brendshme, një foto e Papës së Romës me kokën e Alizot Emirit. –“Po ua them që ta dini paraprakisht, se mund t’ju thërresin”. E falënderuan mikun e mirë, që, për t’i ndihmuar, kish dekonspiruar biseda sekrete për atë kohë. Sa doli miku, të dy vëllezërit fotografë u shqetësuan shumë. Më Degën e Punëve të Brendshme, s’donin në asnjë mënyrë të kishin punë. Punë pa punë!
“Edhe kjo na duhej! Nisëm një shaka për të ngacmuar Alizotin dhe i hapëm një bela me zarar vetes. Po tani! Si të bëjmë? Të jetë ankuar vetë Alizoti? Po si nuk erdhi një herë tek ne, po vajti drejt e atje! Jo, e pamundur. Edhe Zotia nuk do, që të këtë punë me ta. A nuk vemi një herë të pyesim Zoten”? Dhe shkuan…! Zotia i priste. Kishte radhën për përgjigje!
– “Alizot ai fotomontazhi, që na tregove pardje, ka përfunduar në Degë”.
– “E di”, – iu përgjigj Zotia me pamje të brengosur.
– “Kush ta ketë çuar”? – e pyetën Alizotin.
– “E çova unë, – tha qetë Zotia. – Ç’të bëja, mendova më mirë të vete vetë, se sa të më thërresin e të më thonë: Pse s’ke njoftuar që në librarinë e shtetit, po propagandohet feja katolike, vetë Papa i Romes, kur dihet që feja është e ndaluar me ligj”!
– “Ore, unë kisha hall se mos e kishit bënë ju fotomontazhin, po kur më thatë që s’keni gisht në atë gomarllëk, e mblodha mënden. Do ta ketë bënë ndonjë nga ata gomarët e Tiranës, thashë me vete. Po mirë mo, po kaq të trashë të jenë këta njerëz, po s’gjetën një fotografi tjetër, po vanë e vunë Papën! Po si nuk e menduan, që këtë fotografi do ta shikonin të gjithë!
Se, zaten, prandaj e kishin bënë, për ta parë shumë njerëz, që të qeshnin me mua. Pika që s’u bie. Ku s’më vajti mëndja, kush ma ka bënë, pse ma ka bënë, ku duan të dalin. Po sikur të mos jetë thjesht një shaka, por një karrem i hedhur për të zënë ‘peshq’! Pas gjithë këtyre hamendjeve, më së fundi vendosa”, – tha i lehtësuar Zotia dhe vazhdoi:
– “Një ta denoncuar dhe le të rrijë pa gjumë ai që e gatoi këtë punë. Unë shpëtova kur më thatë se nuk e keni bënë ju. Tani po, qëndroj i kapardisur, mezi pres, t’ua u tregoj shoqërisë fotografinë. Jam i vetmi mysliman që bëhem Papë! Dhe duhej nga Gjirokastra patjetër! Më të mirë se unë zor, se gjenin…” – bënte dhe hoka Alizoti, që i kish ardhur në vend çereja, që në të njëjtën kohë, po u ikte fotografëve.
– “Ore, Zote, paske ardhur në qejf të madh ti, po ne kemi dy ditë që s’na zë gjumi nga kjo punë”.
– “Pse, ç’u gjeti ju? Ju e keni kollaj, – i qetësoi Alizoti – Domosdo që do t’u pyesin, por do t’i sqaroni, që s’e keni bënë ju, siç më thatë dhe mua, pikë, mbaroi”.
– “Po jo mo Alizot, akoma nuk po e kupton, që atë punë e kemi bërë ne”?! – u shkrehën me padurim fotografët, mjaft të merakosur. – “E bëmë muhabet me doktorin e me….! Do ngacmojmë Alizotin thamë, për vitin e ri, se na ka rrokanisur kokën gjithë vitin. Nuk e menduam se do rrokullisej kështu kjo punë. Tani problemi është që të sqarohet Dega, se kjo ka qenë thjesht një shaka e të mbyllet. Kujt do t’i themi të na i zgjidhë këtë hall”?
– “Po mirë, mor jezitër, – i tha Alizoti -, po pse rrinit aq rëndë, kur ju pyeta unë? Veç ta dini që ju dola borxhit”!
– “Se si e hëngrëm këtë radhë, as ne s’e morëm vesh, apo s’e bëmë gjithë qejf…?! Zote, këtë punë më mirë se ti nuk e rregullon njeri”.
– “Po, – psherëtiu Alizoti -, do zgjidh dhe hallet e botës tani, se të miat i kam terezitur! Ama me një kusht, se nuk do rri të merrem gjithnjë me ju. Do më premtoni që këndej e tutje, nuk do bëni më nga këto axhamillëqe, se s’u falen. Jeni goxha burra”, – po qesëndiste Zotia.
– “Si do ta mbyllim këtë punë”? – pyetën fotografët, që nuk ia kishin oreksin shakave të Zotes.
– “Për të zgjidhur këtë lëmsh, e vlen të shpenzosh, – ju tha rëndë- rëndë Alizoti -, por për ju, meqenëse e keni për herë të parë, plus që ju kanë marrë në qafë të tjerët, do ta kalojmë me një kafe. Hajdeni ta rrufisim bashkë”, – i qetësoi Alizoti dhe ikën së bashku në kafe.
Qeshën dhe e kujtuan shakanë shumë kohë fotografët në Gjirokastër. Ata ishin miq të mirë të Alizotit.
“Do jem jotja”!
I erdhi një kartolinë urim për Vitin e Ri me simbole dashurie, por pa emrin e dërgueses. Shkrimi ishte i bukur, shkrim femre, kurse në fund të urimit, ishte shkruar: “Po e gjete se kush jam, do jem e jotja”!
Zotia ishte duke analizuar se kush mund ta kish shkruar këtë kartolinë. Nuk e bisedoi me asnjeri, sepse mendonte se mund t’ia kishin sajuar edhe vetë shokët e tij. Pas disa ditësh u bind se nuk ishte punë shokësh. Kishte ezauruar testimin e tyre, pa e ekspozuar kartolinën. Pra, kartolina ishte dërguar nga një vajzë. Kush mund të ishte ajo? Dihet se ishin të rralla ato, që mund të bënin shaka të tilla në atë kohë në Gjirokastër. S’kaloi shumë ditë dhe Zotia e njohu dërguesen e kartolinës vetëm nga mënyra e përshëndetjes, që i bënte kur kalonte para librarisë.
Zotia donte që ajo t‘i shkonte në librari, ku Zotia ishte në fushën e tij, aty ku mund të vazhdonte humori në prani të publikut, që s’mungonte kurrë. Por jo! Ajo mendonte se Zotia nuk e kish zbuluar ende autoren dhe donte të zgjatej koha e “vuajtjeve” të Alizotit. Zotia në atë kohë ishte rreth dyzet vjeç.
Një mbas dite, në orarin e shëtitjes tradicionale nga “Qafa e Pazarit” deri tek “Sheshi i Çerçizit”, kaloi dërguesja e kartolinës me të motrën nga krahu, duke qeshur, para vitrinave të librarisë. Kthyen kokën, e përshëndetën përzemërsisht Zoten dhe vazhduan shëtitjen.
“Këto janë, nuk diskutohet, lexohen qartë”! – mendoi Zotia. Thirri Ibrahimin, djalin e madh, që ishte rreth dhjetë vjeç, i cili ndodhej në librari, dhe i thotë diçka në vesh, që të mos e dëgjonte asnjë nga të pranishmit. Ibrahimi u nis me vrap nga libraria, tek “Sheshi i Çerçizit” arriti të dy motrat, Zana dhe Teuta, i kapi nga dora, i ndaloi dhe i thotë si vjershë atë, që i kish thënë në vesh babai.
Më dërgoi Zotia që të të kthej përgjigjen e kartolinës: “Se kush je, e mora vesh. Sa për atë tjetrën, shohim e bëjmë”!! Ia plasën gazit me të madhe në mes të sheshit dhe u kthyen menjëherë në librari. Vazhduan batutat, të qeshurat pa fund. U zgjerua rrethi i humorit edhe me të pranishmit në librari.
– “Zote, më thuaj të drejtën, për kë mendove se ta ka dërguar kartolinën. Me sa vajza në mëndje ke jetuar këto ditë”? – e pyeti dërguesja.
– “Hiç, vetëm me ty kam qenë tërë këto ditë. Unë me ty e ti me mua! Apo jo? Apo ke dërguar shumë kartolina të tilla këtë vit edhe prisje kush do të të zbulonte i pari”? – e pyeti si i merakosur Zotia.
– “Jo, jo, më vjen keq, Zote, vetëm ty të dërgova, për kokën e nënës”!
– “Po pse s’thua ti, – i tha Alizoti -, që ke qenë ti më në siklet se unë! Po le t’i lëmë shakatë, po hajde të ndajmë punën e atij kushtit që ke vënë, pasi e gjeta se kush je…! Se ç’u kuptua pastaj, kot që të gjeta”!! Deri këtu e di këtë histori. Nuk besoj që të na ketë turpëruar babai. Ndryshe na del bashkëpunëtor dhe i biri, Ibrahimi!? / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














