Pjesa e dymbëdhjetë
Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’
DY FJALË SI HYRJE
Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”? Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
AFINITETI ME KULTURËN
Disa grimca të dëgjuara nga Zotia, tinëz!
NË MILANO
Ishte i përfshirë në një rreth shoqëror me njerëz të artit e të kulturës të asaj kohe.
Njihej me shqiptarët që studionin e punonin në Itali.
Njihte personalisht Tefta Tashko Koçon, kish parë interpretime të saj.
Kishte frekuentuar Operën “LA SCALA” të Milanos.
Kishte parë në skenë interpretimin e tenorit të madh, me famë botërore, Beniamino Gili.
Ishte klient dhe mik në shtëpinë e famshme diskografike “ODEON”, ku blinte pllaka gramafoni.
Tregonte me kënaqësi një histori, që i kish ndodhur në Milano rreth viteve ‘40. Kishte fituar në lojë tavoline me një grup shokësh shqiptarë e italianë. Me liretat e fituara organizoi një koktej për shokët, që kishin humbur në lojë. Kishte marrë pije dhe një tortë të madhe. Ua bëri surprizë. I thirri si zakonisht dhe u shërbeu.
Ishte në këtë darkë dhe artistja e madhe shqiptare, Tefta Tashko Koço, që ndodhej në Milano, se po regjistronte në studio këngët popullore shqiptare. Ajo u entuziazmua nga gjesti i bashkatdhetarit dhe i kish thënë: “Të lumtë, Alizot, gjesti yt fisnik na nderon të gjithëve”!
Në shtëpinë e famshme diskografike “ODEON”, në Milano, ishte njohur me këngëtarin e dëgjuar milanez, Luciano Tajoli. Ndër dhuratat që çonte zakonisht në këtë shtëpi diskografike, Zotia tregonte, se Luçianos i kishin pëlqyer shumë fiqtë e thatë të Nepravishtës, që Zotia i kish çuar me një shportë.
Ai e porositi Zoten që, kur të vinte përsëri, t’i sillte një shportë me fiq. Për të mos harruar i kish bërë një dhuratë simbolike. Kishte realizuar një pllakë gramafoni të veçantë me këngët e tij, ku në pauzën e këngës, Luçiano thoshte: “Alizot, mos harro shportën me fiq”! dhe pastaj vazhdonte kënga.
Ajo pllakë ishte dëgjuar shumë herë në gramafonin që kish sjellë Zotia në shtëpinë tonë, në “Palorto”, deri sa u konfiskua së bashku me mallin e shtëpisë, pas arrestimit të tij. Këtë histori të jetuar Zotia e tregoi shumë herë aty nga vitet ’60-të, kur në Shqipëri u shfaq një film italian me këngët e Luçiano Tajolit. Shkuam të gjithë si familje për ta parë filmin e realizuar për mikun e babait, morëm dhe nënën!
NË TORINO
Kishte një vlerësim të veçantë për poetin e madh shqiptar Migjeni. Një ditë kam dëgjuar t’i tregonte në librari një shoku, intelektual, se si kish shkuar dhe kish vendosur një buqetë të madhe me lule tek varri i Migjenit në Itali. E tregonte me detaje.
Ishte në taksi bashkë me një pasanik nga Gjirokastra, të cilin po e ndihmonte me përkthim në takimet për tregti. Atij nuk i kish treguar se ku po e çonte, ndërsa shoferin e kish porositur, që ta çonte tek varrezat.
“Ua imponova”!
Tjetri, pasaniku, u mërzit, kur pa se ndaluan në varrezë, po çuditej, pastaj u bë kurioz.
Ç’kishte Zotia në varrezat e Italisë?
-“E lashë jashtë varrezave ‘aganë’. Ishte e kotë që t’i shpjegohesha. Nuk e njihte librin. Ky pasanik ishte shumë i varfër për të kuptuar lidhjen e madhe shpirtërore të lexuesit me poetin e madh të dhimbjes së kombit. Mora një tufë të madhe me lule të freskëta në hyrjen e varrezës dhe kërkova adresën tek administratori.
Shkova vetëm mes përmes varreve.
E gjeta vetëm!!
Vendosa buqetën me lule të freskëta. U përlota kur mendoja se vendi ynë nuk qe në gjendje të nderonte bijtë e vet më të mirë, që u dergjën për së gjalli për Shqipërinë, por që, pas vdekjes, nuk po preheshin dot në dheun e tyre. U ktheva në makinë i tronditur. Nuk doja të flisja, as të më flisnin.
Siç duket, gjendjen time arriti ta lexojë i pasuri, që ndonëse ishte nevrikosur nga vonesa ime, nuk u ndje. Vetëm më vonë, kur u ulëm për kafe, unë fillova t’i flas. U çudit! Mendonte se unë, djalë i ri, kisha të dashurën time në atë varrezë. Nuk më kish parë në atë gjendje të dëshpëruar dhe u prek.
– ‘Alizot, pse nuk më the dhe mua t’i shkonim bashkë, unë vërtet që nuk e njoh, po dhe unë jam shqiptar’! – më tha gjirokastriti.
Kishte shumë të drejtë. U ndjeva egoist dhe fajtor për të dy! M’u mblodh në grykë! Më dukej sikur Migjenit i shtova dëshpërimin: Pse vetëm, Alizot”?!!
-“A KA ARDHUR GJË PËR MUA”?
Ishte bërë një shprehje e zakonshme në librari. E dëgjoja shpesh. Unë isha mjaft i vogël për të kuptuar, e ca më pak për të vlerësuar, domethënien e saj. Njerëz që nxitonin, hynin në librari vetëm për të bërë këtë pyetje:
– “A ka ardhur gjë për mua”?
Qëllonte që Zotia ndihej keq. Përgjigjej si ai borxhliu që po vonon ta kthejë borxhin në afat.
– “Jo, jo, nuk më ka ardhur gjë akoma, po mos u bëj merak, e kam në mënde vetë”.
Kishte raste që të interesuarit thërrisnin që përjashta librarisë:
– “Alizot”…!!
– “Akoma”, – akoma! – i përgjigjej shkurtimisht me kodin, që e dinin librashitësi dhe lexuesi. Përshëndeteshin me dorë me njeri- tjetrin dhe lexuesi vazhdonte rrugën pa humbur kohë.
Zotia ishte mjaft i vëmendshëm, që të ruante librat e lexuesve të rregullt të Gjirokastrës. I rezervonte ato, ndonëse nuk ishte e lejuar në një librari shtetërore. Ai i njihte mirë lexuesit e letërsisë artistike. Dinte se çfarë i pëlqente secilit.
I analizonte dhe i diferenconte në diskutimet që bënin në librari midis tyre, ku dhe vetë ishte aktiv. Kur librat e shumëpritur kishin ardhur, Zotia lumturohej. Bënte menjëherë furnizimin në librari, hapte ambalazhet, i ekspozonte në rafte, i vendoste në vitrinë. Me një frymë!
“Libri nuk do lënë kurrë të ftohet, është si buka”! – thoshte. Dhe ndihej më i pasuri në Gjirokastër! Kishte se me çfarë të priste miqtë. Do të nderohej! Sapo i shikonte ata, u bënte shenje, ose u thërriste atyre me mënyrën e tij gjithë humor:
– “Kthehu një çikë, mos na rri kaqe rëndë, se s’ta kemi borxh”.
Ktheheshin nga rruga. Diçka të mirë do kish sjelle Zotia, sigurisht. “Kot nuk të kthen nga rruga ai”! Futeshin në librari dhe Zotia i priste me librin e shumëpritur në dorë. Por jo gjithmonë. Kur kishte përfunduar shitja e atij libri në librari, Zotia ua jepte fshehtas lexuesve të njohur prej tij. I nxirrte të mbështjella me gazetë që poshtë banakut, ua jepte dhe ata largoheshin pa paguar, sikur kishin marrë diçka personale.
– “S’mund ta lë unë lexuesin pa këtë libër! – thoshte me seriozitet Zotia. – Ai është i uritur. Ai do ta përpijë librin. Ai e shijon, i merr të gjitha vlerat, e shtrydh atë si portokalle, i ha dhe celfat. Përkundrazi, e shpie dëm librin kur ja jep njërit, që nuk ka uri për të.
Këta e kafshojnë librin, nuk e përtypin, nuk e shijojnë, nuk e sosin atë, e hedhin poshtë, si një copë bukë të pambaruar, e lënë t’u myket. Ndaj është gjynah nga Zoti të shpërdorosh librin. Të më thotë kush të dojë, unë lexuesit do t’ia ruaj librin se s’bën, zaten kjo është puna kryesore e librarit. Libri nuk shitet si zarzavatet”.
E thirri në raport drejtori i ndërmarrjes së librit (K.N.) në Gjirokastër.
– “Kemi marrë vesh se ti librat i ruan për miqtë e tu”!?
– “Është shumë e vërtetë, që unë i ruaj librat, – ju përgjigj Alizoti, por jo për miqtë e mi, po për miqtë e librit”! – dhe insistoi t’i shpjegojë se veprimi nuk ishte i gabuar.
U mbyll me aq kjo përplasje. Ndoshta nga që drejtori nuk u nxit nga eprorët e vet, por dhe nga mungesa e predispozicionit personal të këtij njeriu të mirë, për t’i bërë keq Zotes.
E vendosur në atë kohë, kjo ka qenë e çuditshme! Me veprimet e tij Zotia bënte diferencime, si dhe privilegjonte një grup të caktuar njerëzish, e bile, jo militantët partiakë, por duke u bazuar vetëm nga vlerat intelektuale e njerëzore që mbartnin individët. Kjo ishte e palejueshme dhe e dënueshme për normat dhe moralin e atij sistemi. Sigurisht, që kjo nuk përfaqësonte ndonjë lloj heroizmi të bërë nga Zotia.
Ka qenë njohja e vlerave të letërsisë nga Alizoti dhe pasioni i tij i veçante, argumenti bindës, që është toleruar të ushtrojë një lloj miniautoriteti personal, brenda atij autoriteti absolut e të vetëm të atij sistemi. Tolerimi ishte i përkohshëm. U ndërrua drejtori dhe duhet të jepte përsëri llogari për këto veprime “të shëmtuara”.
Dhe “miu” – miqtë e librit -, nuk mund të kalonte në mustaqet e çdo drejtori. R.L. e ndoqi problemin me partishmëri dhe bëri të mundur në finale, që ta largojë Alizotin nga puna, gjashtë muaj para mbushjes së moshës për pension.
-“A ka ardhur gjë për mua …? Ndonjë gjë për mua …? Alizot, kemi ndonjë gjë…”?
Më kanë shoqëruar vazhdimisht këto thirrje. Sa herë marr librin në dorë. Duke u rritur në moshë, këto thirrje, dikur krejt të zakonshme për veshin tim, sot marrin tjetër vlerë! Sa domethënëse janë ato, sa intime, sa të thella, sa mirëbesuese, sa mirënjohëse! Po me sa dashamirësi e besim i drejtoheshin librarit Alizot Emiri ato thirrje!
“A ke gjë për mua”?! Duket si një thirrje fëmijërore, plot naivitet!
E çuditshme, si është e mundur?! Ata që thërrisnin ishin intelektualët, njerëzit më të ditur të qytetit.
-“A ke gjë për mua”?! Si thirrjet e fëmijëve që kërkojnë ushqim. Pra lexuesi i kish besuar Alizotit shijen artistike, përzgjedhjen e veprave letrare, ushqimin e tyre shpirtëror!/ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













