Nga LEDIA LLESHI
Memorie.al / “Kam le n’Elbasan më 8 mars 1902. Im at Emin Haxhiademi, aktiviteti patriotik, i të cilit fillon qysh më 1877 domethënë përpara Kongresit të Prizrenit, njihet si bashkëpunëtor i ngushtë e Kristoforidhit, dhe i dyti patriot mbas atij në vjetërsi në këtë qytet”. Kështu e nis jetëshkrimin e tij Et’hem Haxhiademi, dramaturgu i parë shqiptar, duke treguar fillimet e jetës së furishme, por gjithashtu edhe përcaktuese për veprën e mëvonshme. Teksa takon familjarët e mbetur të familjes Haxhiademi, një foto e njeriut që la gjurmë në letërsinë shqiptare të tërheq vëmendjen.
Veshja europiane, qëndrimi stoik dhe sidomos shikimi i tij janë edhe elementët që e dallojnë si një njeri që do të sillte shumë, por do të merrte aq pak nga jeta kryeneçe. Me ndrojtje, vëllai i tij Selaudini, kujton ato pak çaste që ka kaluar me të duke sjellë ndërmend edhe periudhën e zymtë të burgosjes, e cila i shënoi edhe vdekjen në moshën 63 vjeçare.
Sipas dëshmitarëve dhe burimeve zyrtare të atëhershëm, vdekja e tij ishte pasojë e një ataku, por sa e vërtetë ishte kjo për vetë natyrën e diktaturës, kur njerëzit zhdukeshin shumë thjeshtë, një gjë e tillë nuk u konfirmua asnjëherë, duke e lënë enigmë vdekjen e të nëpërkëmburit Et’hem Haxhiademi.
Fëmijëria dhe jeta
Fëmijëria do të vendoste gjithçka për të ardhmen e tij, të ndritur dhe të hidhur njëkohësisht. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë Et’hemi, në dorëshkrimin dërguar Lasgush Poradecit, të titulluar; “Shënime mbi jetën time”. Nxënës i parë në ‘Normalen’ e sapo hapur, ai kujton librat e parë shqip të lexuara, i privilegjuar nga i ati, i cili përdorte të gjitha revistat dhe gazetat e kohës në gjuhën shqipe.
Et’hemi duke qenë bir i një atdhetari të shquar dhe një prej themeltarëve të ‘Normales’ do të ishte i pari i regjistruar në këtë shkollë. “Prej tim eti kam mësue gjuhën shqipe” – shprehet ai- qysh përpara shpalljes së Hyrrietit, duke qenë edhe nxënës i parë i shkollës shqipe në Elbasan më 1908”. Ekzistenca e një telegrami të dërguar nga i madhi Faik Konica vërteton edhe këtë fakt historik, por që nuk u firmos asnjëherë nga regjimi në fuqi.
Në vitin 1919 fillon studimet në Leçe të Italisë në gjimnaz, por koha e provimeve do të ishte një moment i disfavorshëm për të, kur shqiptarët ndiqeshin nga italianët për shkak të Luftës së Vlorës. Por Et’hemi arriti ti rezistojë presionit, duke qenë i vetmi që mundi të kalojë klasën nga shumë shqiptarë të tjerë. Më pas e priste Austria, ku do të vazhdonte përfundimin e gjimnazit, dhe të veprave të tragjedianëve grekë në latinisht dhe gjermanisht.
Më 1924 ai ndodhej në qytetin e Berlinit, duke vazhduar studimet universitare për juridik, siç shprehet ai kundra dëshirës vet, por me dëshirën e prindërve. Poligloti elbasanas nuk harroi në asnjë moment literaturën në gjuhë të ndryshme, sidomos periudhën antike. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin gjerman, tragjedia, u bë pjesë e jetës së tij papritmas. Vajza me të cilën ishte dashuruar vdiq, dhe kjo shënoi një goditje për Et’hemin e ri, i cili në vitin 1927 u kthye në Shqipëri dhe një vit më vonë, u emërua nënprefekt i Lushnjes.
Në vitin 1933, ai ndodhej në Gjirokastër si kryesekretar i prefekturës. Në këtë kohë ishte mbretëria e Zogut që udhëhiqte vendin dhe vetë Mbreti për Et’hemin kishte konsiderata për pregatitjen e tij. Do të ishte pikërisht kjo kohë, pavarësisht se Et’hemi nuk u përzije kurrë me politikën, që do të vendoste edhe fatin e tij. Në kohën e pushtimit italian, Haxhiademi, qëndroi indiferent, duke mos marrë pjesë në asnjë lëvizje, por në mendimet e tij, lëvizja balliste u quajt e drejtë.
Do të ishte qëndrimi i tij gjatë pushtimit fashist, që vendosi edhe burgosjen e tij, në burgun e Burrelit gjatë diktaturës komuniste dhe që i shkaktoi aq probleme familjes. Vdekja e papritur, u përcaktua si një atak në zemër, kur Haxhademi nuk kishte pasur vuajtje të tilla. Pikërisht këtu lindët edhe dyshimet për një vrasje të mundshme të tij, por sipas familjarëve, kjo nuk u vërtetua kurrë.
Tragjeditë
Disa libra të vjetër dhe disa gazeta të kohës, do t’i jepnin Et’hemit ushqimin e gjuhës shqipe. “Ato ishin të varfra -shprehet Et’hemi në korrespondencën e tij, – por për ne ishin shumë të pasura dhe babai i mbante në një odë të posaçme, ku unë i lexoja fshehurazi”. Ndoshta këtu lindi dhe dashuria për librin dhe sidomos për dramën, për të cilën Et’hemi, në vogëli lexoi shumë pak, por kjo u shënua thellë në shpirtin e tij duke shkruar kështu edhe të ardhmen.
Drama e përkthyer nga turqishtja “Besa”, e të madhit Sami Frashëri, do të ishte edhe ushqimi i parë me dramën në shqip, dhe me dramën në përgjithësi. Duke treguar për dramën “Besa”, ai shprehet se rreshtat e saj, emocionet, ishin të mëdha, kështu që u mbyll për ta mbaruar në odën që ishte edhe streha e librave. Përshtypjet për këtë dramë do të ishin të tilla, saqë Et’hemi në moshën 14 vjeçare vendosi të shkruajë edhe dramën e parë të tij.
“Një ditë u ngula në nji tryezë dhe fillova të shkruaj një dramë natyrisht me subjekt kombëtar, siç ishte koha. Rrija pra me ditë me radhë nganjëherë linja edhe shkollën pa e frekuentue. Kur më pyetshin njerëzit e shpisë, çfarë baj, nuk i dëfteja. Në fund mas nja dy muajsh e sosa dramën dhe ia tregoj tim eti, i aftë me e gjykue”. Por i ati hijerëndë dhe shumë i vendosur, nuk e pranon idenë se djali i tij mund të shkruaj një zhanër kaq të vështirë dhe i thotë se kjo është për të qeshur dhe meriton të digjet.
Duke iu bindur babait të tij, Et’hemi vendosi ta digjte atë dramë, por jo dëshirën për të shkruar vepra dramatike. Ndërsa studionte në gjimnazin e Leçes, lexoi “Bukolikët” e Virgjilit, vepër të cilën vendosi ta përkthente kur të mësonte mirë latinishten. Dhe me të vërtetë vendosmëria e tij nuk kishte fund. Pas tre vitesh Haxhademi i përgatitur tashmë përktheu “Bukolikët” nga versioni origjinal në hekzametri, gjë që nuk e kishin bërë deri atëherë, asnjë nga shkrimtarët e njohur.
Këtu nuk mungojnë vlerësimet për të, pasi për kohën, asnjë vepër latinisht nuk kishte ardhur në shqip dhe sidomos asnjë shkrimtarë nuk kishte mundur të përdorte hekzametrin. Në kohën e studimeve të larta në Berlin, Et’hemi me dashurinë e madhe për legjendat antike, arriti të trajtoj veprën e tij të parë tragjedi “Uliksi”, e cila me plot gojën ishte një frymë e Eskilit, pas mijëra vjetësh. Tragjeditë kishin në dorë, zemrën e Haxhiademit të ri dhe mund të luanin më të.
Në dorëshkrimin e tij, ai rëndit edhe shkrimtarët e zemrës, sidomos ato antikë, por nuk harron të vlerësojë kolosët si Shekspiri. Vepra e ardhshme do të ishte pikërisht një nga personazhet stoikë të tragjedisë së madhe greke, ”Akili”. Më pas do të vazhdonte me tragjedi të tjera, si “Aleksandri”, “Pirroja”, “Skëndërbeu”, të cilat duke ndjekur ritmikën dhe tisin e mjegullt të tragjedisë greke, e sollën atë në ditët tona dhe sidomos nën petkun shqiptar.
Korrespondenca letrare me Lasgushin
Haxhiademi: “Tragjedia fryma ime e të jetuari”
Lasgushi në korrespondencën e radhës i kishte kërkuar Haxhiademit vepra të tij, dhe ky me kënaqësi i kishte nisur disa nga rreshtat e shumtë që nuk panë dritën e botimit. Jeta plot vuajtje dhe një tragjedi personale e ardhur me vdekjen e personit të dashur në Gjermani, bëri që Et’hemi të shkruante, jo vetëm tragjedi, por edhe elegji, që e renditën atë si një poet elegjiak. Një elegji nën titullit; “Galates”, sjellë edhe dhimbjen e poetin për dashurinë e tij të humbur, për vajzën e dashur.
Ishte në Shqipëri tashmë dhe i këndonte në gjuhën e tragjedive të famshme greke. “Nimfat e Shkumbinit”, ishte dhe vepra që solli antikitetin në lumin letrar shqiptar. Nimfat e bukura vazhdonin të laheshin në ujin e lumit përgjatë viseve shqiptare dhe gjahtarët duke mos kuptuar vlerën e këngës së tyre, i “rrëmbejnë”. A nuk është kjo një ndodhje shqiptare”?- vazhdon letrën drejtuar Poradecit, nga emri i harruar i tragjedisë shqiptare, Et’hem Haxhiademi.
Por edhe nëna si një portret gjithmonë i dashur dhe i dhembshur vjen në vargjet elegjiake të shkrimtarit në vdekjen e saj. “Nata e Zezë” do të ishte edhe vajtim për nënën e tij, që Haxhiademi e përcakton si njeriun që ka dashur më shumë në këtë botë. Edhe një odë për Naim Frashërin, nuk mungoi në veprimtarinë letrare e cila do të shënonte jetën e tij.
“Përshkurtazi si mbas porosisë tande në dhjetë faqe, kjo asht jeta ime artistike. Në letrën që më dërgoje më tepër i epje rëndësi poezive lirike. Por tek mua rëndësia më e madhe asht te tragjedit”, – e mbyll letrën tragjediani që guxoi të sfidojë të mëdhenjtë e antikitetit dhe që gjatë gjithë jetës, nuk harroi pasionin për tragjedinë, gjë për të cilën siç e thotë dhe vetë në korrespondencat dhe kujtimet e tij; ishte gatuar.
Dëshmia e Selaudin Haxhiademit, për ato pak momente me vëllain e burgosur
Ishte pikërisht Selaudini, që me natyrën e tij të heshtur dhe fjalëpakë, e cilëson vëllain e tij duke e mbrojtur nga shtrembërimet dhe nga vlerësimet në dukje. Sipas tij shumë nga veprat janë zhdukur nga ziliqarët dhe shpesh fati i tij u vulos nga dashakeqët. “I madhi mbetet i madh, dhe nuk mund të jetë një favor vlerësimi i tij – vazhdon ai, – nuk i duam vlerësimet në dukje. Në të paktat momente që e njoha tim vëlla, kuptova se ishte një njeri që nuk kishte menduar të përfitonte, apo t’i shpëtonte situatave.
Kur e takonim në burgun e Burrelit, katër fëmijët dhe nëna, ai kërkonte të heshtnim, që mos të shqetësoheshim për të dhe sidomos mos t’i shkruanim asgjë, pasi korrespondenca nuk i binte kurrë në duar. I vetmi moment, që i kujtohet bashkëvuajtësve të tij në Burrel, ka qenë dita e vdekjes së Fan Nolit”.
Sipas tij, Noli duhet të ishte më i madh se 83 vjeç, pasi nuk mund të shugurohej prift në moshën 23 vjeçare. Vetë monizmi duke e burgosur, arriti të shfrytëzojë përkthimin e tij, për të cilin ishte i dhënë më shumë se askush tjetër, sidomos përsa i përket veprave antike. Shumë nga përkthimet e tij gjatë burgut, ose kanë marrë emër tjetër, ose nuk janë botuar nga diktatura moniste.
Duke studiuar në vendet perëndimore, Haxhademi ishte një njeri me njohuri të gjëra dhe përsa i përket politikës, por nuk u përfshi në asnjë nga lëvizjet, duke qëndruar larg luftës dhe sidomos larg lëvizjes komuniste. Kjo e dëmtoi shumë, duke sjellë burgun dhe vdekjen. Nuk ka marrë dekorata, nuk është njohur, ndërsa vëllai i tij që u nda nga jeta shumë shpejt, po nga një atak në zemër.
Emini duke ndjekur rrugën e të vëllait, u bë edhe kryetar bashkie në kohën e demokracisë. I madh, por i harruar është përcaktuar nga kritikë letrarë emri i Et’hem Haxhiademit, një nga figurat e pastra, me vlera të paimagjinueshme, pasi guxoi të lëvrojë tragjedinë, por ishte më fatkeq ndër shkrimtarët shqiptar, duke pësuar fatin tragjik, vdekje në burg./ Memorie.al












