Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së madhe tiranase Zhelegu, e cila mori mbiemrin Banka, pas i pari i saj, Haxhi Isuf Banka, ishte diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Stambollit, në vitin 1887 u kthye në atdhe dhe shërbeu në financat shqiptare, nën administratën osmane dhe më pas si ministër i Financave në qeverinë e Princ Vidi dhe deputet në parlamentin e parë shqiptar, ku ai u rreshtua me Shoqërinë “Bashkimi”, që kryesohej nga Avni Rustemi dhe morri pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit të 1924-ës. Largimi i tij nga politika, pas ardhjes në fuqi të Zogut në vitin 1925-së, i cili i bëri disa oferta për ta përfshirë në administratën e lart të tij, si dhe fati tragjik i familjes së të birit të tij, Mustafait, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, pasi tre djemtë e tij u aktivizuan me organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar gjatë Luftës, ku Imrani u vra në Prezë, Rizvani u arratis me Mi’hat Frashërin dhe Vildani vuajti burgjeve të Enver Hoxhës
“Familja jonë u vu në shënjestrën e komunistëve që pas vrasjes së vëllait tonë, Imranit, në 14 shtator të vitit 1944, kur ai ishte duke luftuar kundër tyre në Kalanë e Prezës. Nisur nga kjo, që ditën e parë të çlirimit të Tiranës, në shtëpinë tonë në Rrugën “Mbretërore” erdhën disa partizanë dhe kërkuan vëllanë tjetër, Rizvanin. Ata kontrolluan dhe bastisën të gjithë shtëpinë, duke dashur të arrestonin Rizvanin, i cili kishte marrë pjesë në çetat nacionaliste të Ballit Kombëtar. Pasi nuk e gjetën dot Rizvanin, i cili ishte arratisur nga Shqipëria, në mesin e muajit nëntor të 1944-ës, së bashku me Mit’hat Frashërin dhe eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar e Legalitetit, ata morën me vete vëllanë tjetër, Vildanin”. Kështu e kujtonte Vera Banka (Zëmbaku) vrasjen e vëllait të saj, që ishte me çetat e Rinisë së Ballit Kombëtar, gjë e cila u bë shkak që e gjithë familja me mbiemrin Banka, të persekutohej nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pasi edhe dy vëllezërit e tjerë të saj, kishin marrë pjesë në organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar.
Kush ishte Isuf Banka?
Familja Banka, apo siç njihet ndryshe me mbiemrin e saj të parë Zhelegu, është me origjinë të vjetër tiranase. Një nga burrat më të njohur të kësaj familje që ka bërë emër të madh, ka qenë Isuf Banka, apo siç është njohur ndryshe si Haxhi Isuf Banka, për shkak të vajtjes së tij për haxhillëk në Mekë. Isuf Zhelegu u lind në vitin 1864 në qytetin e Tiranës dhe shtëpia e tyre ndodhet edhe sot fare pranë qendrës së kryeqytetit, në lagjen që dikur është quajtur “Abdulla Beg”, tek Rruga “Mbretnore”, apo e “Barrikadave”. Pas mbarimit të shkollës Plotore (fillore) në Tiranë, Isuf Banka, shkoi në Turqi, ku dhe u diplomua në degën e Financës, pranë Fakultetit Ekonomik të Stambollit. Pas diplomimit në vitin 1887, Isufi nuk pranoi ofertën për të shërbyer në administratën e lartë të Perandorisë Osmane në Turqi, por u kthye në Tiranë pranë familjes së tij. Nga viti 1887, që Isufi u kthye në Shqipëri, e deri aty nga vitin 1908, nuk ka të dhëna të sakta mbi jetën e tij, por thuhet se ai ka punuar si financier pranë Zyrës Bankare të Tiranës, duke qenë një nga drejtuesit kryesor të saj. Që nga ajo periudhë për shkak të punës që kryente si financier, pranë atij institucioni bankar, Isuf Zhelegu nuk u njoh më me mbiemrin e tij të parë Zhelegu, por ai thërritej: Isuf Banka.
Veprimtaria politike e Isufit
Veprimtaria politike e Isuf Bankës ka filluar aty nga viti 1908, kur disa intelektualë e patriotë të njohur shqiptarë, filluan të organizoheshin në kuadrin e lëvizjes për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në atë periudhë, Isuf Banka u bashkua me Abdi e Refik Toptanin, Shefik Kondin dhe Ibrahim Hafiz Dalliun, të cilët formuan një organizatë të fshehtë, që njihet ndryshe dhe me emrin Klubi “Bashkimi”, ku Isufit ia caktua detyra e sekretarit. Pasi Klubi “Bashkimi”, ra në sy të njerëzve të Portës së Lartë, autoritetet osmane urdhëruan Shefqet Turgut Pashën, që të dërgonte njerëz për arrestimin e Isuf Bankës, por ai mundi që të shpëtonte prej arrestimit, duke u fshehur tek disa miq të tij në Tiranë dhe e vazhdoi më tej, aktivitetin e tij politik që kishte si synim organizimi e një lëvizje e cila do të çonte drejt pavarësisë së Shqipërisë. Si rezultat i kësaj, më 26 nëntor të vitit 1912, së bashku me Sheh Ali Pazarin, Fan Kojën dhe kapiten Seit Borshin, Isuf Banka mori pjesë në ngritjen e Flamurit në Tiranë. Më pas, në qeverinë e Princ Vidit, Isufi u ngarkua me detyrën e Ministrit të Financave, të cilën ai e mbajti deri sa u arrestua, nga rebelët e Haxhi Qamilit në pranverën e vitit 1915. Isufi u lirua nga burgu në qershorin e vitit 1915 dhe menjëherë u thirr nga Esat Pashë Toptani, i cili e emëroi në qeverinë e tij, po me detyrën e kreut të Financave. Pas rënies së asaj qeverie në vitin 1916, Isuf Banka u largua së bashku me Esat Pashën për në Selanik, ku ushtroi përsëri detyrën e tij, pranë qeverisë në mërgim që kryesohej prej po prej Toptanit. Pasi qëndroi për disa kohë jashtë vendit, Isufi u kthye në Shqipëri në vitin 1918-të dhe nga ajo kohë e deri në Kongresin e Lushnjes, ai shërbeu në administratën vendore të qeverisë së Durrësit, duke ushtruar detyrën e nënprefektit të Kavajës.
Deputet i Durrësit në Parlamentin e parë në 1921-in
Në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921, Isuf Banka u zgjodh deputet i Durrësit, (për Qarkun e Tiranës) duke u zgjedhur dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare. Po në vitin 1921, Isufi u caktua si i plotfuqishëm për shtypjen e Kryengritjes së Mirditës, të udhëhequr prej Gjon Marka Gjonit, ku komandant i Operacionit ishte Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu. Mandatin e deputetit, Isuf Banka e fitoi përsëri në zgjedhjet e zhvilluara në vitin 1923, dhe në atë kohë ai u rreshtua përkrah grupit opozitar të kryesuar prej Fan Nolit. Së bashku me djalin e tij Mustafain, Isufi ishte një nga anëtarët më aktivë të Shoqërisë “Bashkimi”, të kryesuar prej Avni Rustemit dhe pas vrasjes së tij, ai mori pjesë edhe në Kryengritjen e Qershorit. Nisur nga kjo, në dhjetorin e vitit 1924, kur Ahmet Zogu u rikthye në pushtet, Isufi shkoi në Vlorë dhe u kërkoi ndihmë disa miqve të tij për t’u larguar nga Shqipëria. Paria e bejlerëve të Vlorës i kërkuan Isufit të kthehej në Tiranë, pasi ata biseduan me Ahmet Zogun dhe i dolën garant, se ai nuk do prekej. Pas kësaj Isufi u kthye në Tiranë dhe Zogu jo vetëm që nuk e ngacmoi, por i bëri disa oferta, që ai të punonte në administratën e lartë të qeverisë së tij. Isufi nuk pranoi atë ofertë dhe u mbyll në shtëpi, duke hequr dorë përfundimisht nga politika. Ai vdiq në vitin 1944 (në moshën 80-vjeçare), në Tiranë dhe u varros me nderime të mëdha, nga Bashkia e kryeqytetit e cila organizoi gjithë ceremoninë mortore, në xhaminë e Sulejman Pashës, ku nën tingujt e bandës frymore, arkë morti i tij u mbulua me flamurin kombëtar dhe fjala e rastit u mbajt nga Ramazan Jarani.
Vëllezërit Banka, me Ballin Kombëtar
Haxhi Isufi, përveç tre vajzave: Fatimes, Havasë dhe Meremes, la dhe një djalë të quajtur Mustafa, i cili kishte lindur në vitin 1900. Pas mbarimit të shkollës Plotore në Tiranë, ashtu si i ati i tij, Isufi, që ishte diplomuar për Financë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Stambollit, edhe Mustafai filloi punë si financier në administratën shtetërore të asaj kohe. Mustafai u martua në vitin 1921, me një vajzë të quajtur Fitnete Tartari, dhe nga martesa tyre u lindën katër djem e dy vajza: Rizvani, Vildani, Qefserja, Imrani, Vera dhe Ihsani. Ndonëse familja Banka, njihej si kundërshtare e Zogut, pasi Isufi dhe Mustafai, kishin marrë pjesë në Kryengritjen e Qershorit të 1924-ës, ata gjatë viteve të Monarkisë jo vetëm që nuk u luftuan nga Zogu, por përkundrazi, Mustafai, punoi si financier në administratën e tij, deri në prillin e vitit 1939, kur ndodhi agresioni fashist ndaj Shqipërisë. Pas vitit 1939, Mustafa Banka u emërua si financier në Itendencën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, ndonëse nuk pranoi asnjëherë, që të vishte këmishën e zezë dhe të aderonte në Partinë Fashiste. Familja Banka asokohe njihej në të gjithë Tiranën, si një familje nacionaliste dhe tre nga djemtë e Mustafait, (Rizvani, Imrani dhe Vildani) u bashkuan me forcat nacionaliste të organizatës së Ballit Kombëtar. Lidhur me këtë, Vera Banka, (Zëmbaku) e bija e Mustafait dëshmonte: “Një ndikim të madh në formimin e vëllezërve të mi, me bindje nacionaliste, pati gjyshi ynë, Isufi, dhe natyrisht edhe babai Mustafai. Po kështu përveç asaj çka morën nga familja, ata u ndikuan edhe nga shoqëria e miqësia e ngushtë, që kishin me nacionalistët e njohur tiranas, si; Osman Kazazi, Seit Demneri dhe Halil Balla. Përveç Ihsanit, që në atë kohë ishte i vogël, të tre vëllezërit e tjerë bashkëpunuan ngushtë, me rrethet nacionaliste të asaj kohe, ku krerët kryesorë të tyre vinin herë pas here në shtëpinë tonë. Imrani, ishte më aktivi nga vëllezërit e tjerë dhe ai pasi ndante traktet e Ballit Kombëtar, në darkë ulej dhe i recitonte nënës, vjersha patriotike, duke i thënë: ‘Kush vdes për atdhe, nuk ka vdekur por ka le’. Po kështu edhe Rizvani përveç aktivitetit politik në radhët e organizatës nacionaliste, që zhvilloi në Tiranë, mori pjesë në çetën e Rinisë së Ballit Kombëtar, “Besnik Çano”, e cila në qershorin e vitit 1944, shkoi për të luftuar në Kosovë. Më kujtohet si tani ajo ditë, kur vullnetarët e asaj çete, pjesa më e madhe e të cilëve ishin djem fare të rinj, u grumbulluan dhe rreshtuan para Komandës së Ballit, që ishte tek Rruga e Saraçve. Pas kësaj ata dolën në rrugë, ku i prisnin kamionët dhe Rizvani ishte i dyti në kolonë, pas komandantit të çetës, Seit Demnerit. Rizvani mbante flamurin kombëtar i shoqëruar nga dy shokët e tij të ngushtë Arif Peza dhe Xhemal Alimehmeti”.
Vrasja e Imranit dhe arratisja e Rizvanit
Aty nga viti 1944, kur çetat dhe brigadat partizane u mbushën me mijra vullnetarë, si kundër përgjigje ndaj saj, edhe organizata nacionaliste e Ballit Kombëtar e shtoi numrin e çetave, që kishte në atë kohë, me të rinj nacionalistë, që dolën në male vullnetarë. Një prej atyre ishte dhe 15-vjeçari Imran Banka, i cili në shtatorin e vitit 1944, shkoi në Prezë dhe u bashkua me çetën nacionaliste, që komandohej nga i Xhemal Gjergji, që prej kohësh ishte bërë tmerri i komunistëve. Lidhur me këtë, e motra e tij Vera, na tregon: “Pak kohë pasi Imrani, ishte bashkuar me çetën që vepronte në atë zonë, më 14 shtator të vitit 1944, ai ra në përpjekje, mbeti i vrarë në Kalanë e Prezës. Vrasja e Imranit erdhi pasi komanda e çetës së tij, ra në grackën që i ngriti një çetë partizane që vepronte në atë krahinë, e cila pasi i ftoi ata për bisedime dhe aksione të përbashkëta, i rrethoi dhe i goditi ata në befasi. Imrani u vra, duke u hedhur nga një mur i lartë dhe bashkë me të, në ato momente ishte dhe shoku i tij nga Shkodra, Rudi Kiçi. Vrasja e Imranit e tronditi pa masë familjen tonë, sepse ai ishte fare i ri, e nuk i kishte mbushur ende të pesëmbëdhjetat”, kujton Vera Banka, për vrasjen e vëllait të saj Imranit, i cili njihet si dëshmori më i ri i organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar. Pas vrasjes së tij, duke e parë dhe rrezikun komunist, që po i kanosej Shqipërisë, vëllai tjetër i Verës, Rizvani që kishte luftuar dhe ishte plagosur në Kosovë, kundër forcave çetnike, në nëntorin e vitit 1944 u largua nga Shqipëria, së bashku me krerët kryesorë të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Pasi qëndroi për disa kohë në kampet e Italisë, Rizvani emigroi për në Kanada.
Burgosja e Vildanit në 1951-in
Duke e parë qëndrimin e familjes Banka e cila ishte e lidhur ngushtë me Ballin Kombëtar, komunistët filluan hakmarrjen ndaj saj, që në nëntorin e vitit 1944, kur akoma nuk kishte përfunduar lufta. Lidhur me këtë, Vera Banka dëshmon: “Në fakt familja jonë u vu në shënjestrën e komunistëve, që pas vrasjes së vëllait tonë, Imranit, në 14 shtator të vitit 1944. Nisur nga kjo, që ditën e parë të çlirimit të Tiranës, në shtëpinë tonë në Rrugën “Mbretërore” erdhën disa partizanë dhe kërkuan vëllanë tjetër, Rizvanin. Ata kontrolluan dhe bastisën të gjithë shtëpinë, duke dashur të arrestonin Rizvanin, i cili kishte marrë pjesë me armë në dorë në çetat e Ballit Kombëtar. Pasi nuk e gjetën dot Rizvanin, i cili ishte arratisur nga Shqipëria, në mesin e muajit nëntor të 1944-ës, së bashku me Mit’hat Frashërin dhe eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar e Legalitetit, ata morën me vete vëllanë tjetër, Vildanin. Pasi e mbajtën për disa ditë të arrestuar, ata e liruan pasi kryeplaku i lagjes sonë, u tregoi se ai nuk ishte Rizvani, por Vildani. Edhe pas lirimit të Rizvanit, forcat partizane vinin pothuaj çdo natë dhe rrethonin shtëpinë, duke kujtuar se aty do të gjenin Rizvanin. Në vitin 1945 Vildani u punësua në orkestrën e Radio-Tiranës, ku luante në violinë dhe në atë kohë, ai mundi të mbaronte gjimnazin e Tiranës. Pas kësaj ai u emërua mësues në shkollën ushtarake “Skënderbej”, nga ku e hoqën në vitin 1948, për shkak të biografisë së familjes sonë. Pas largimit nga shkolla ushtarake, atë e çuan në Berat, ku dhe e arrestuan në shkurtin e vitit 1951, duke e akuzuar për “implikim në hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë”. Pas burgosjes së Vildanit, ne na hoqën nga shtëpia dhe Sigurimi na survejonte rregullisht. Vildani bëri tre vjet burg dhe kur u lirua, punoi si punëtor krahu dhe më pas mundi të rregullohej si orkestrant, në disa lokale të Tiranës dhe Durrësit. Në vitin 1961, kur u zbut pak lufta e klasave, ai mundi të mbaronte natën pa shkëputje nga puna, Universitetin e Tiranës për Matematikë dhe në atë kohë e lejuan që të vizitonte Shqipërinë edhe gruan e Rizvanit, që jetonte në Kanada, ku Rizvani njihej si “Teqja e Shqiptarëve”, për arsye se ai ishte njeriu që i bënte strehë, çdo shqiptari që shkonte atje. Edhe vëllai i vogël, Ihsani, gjithë jetën punoi si punëtor krahu dhe sa herë që bëheshin parakalime për festën e 1 Majit, atë nuk e linin të parakalonte me ndërmarrjen para tribunës”, kujton Vera Banka (Zëmbaku) rreth persekucionit të familjes së saj. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016