Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al /publikon historinë e panjohur të Ahmet Beqo Nivicës me origjinë nga fshati i Kurveleshit prej nga ai ka trashëguar mbiemrin, i cili pasi u shkollua në Tregtaren e Vlorës, në periudhën e Luftës Antifashiste ishte komandant i çetave të Rinisë së Ballit Kombëtar në Qarkun e Gjirokastrës dhe në fundin e vitit 1944, mundi që të largohej nga Shqipëria, me disa prej eksponentët kryesorë të organizatave nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi etj., duke u vendosur në Itali në kampet e azilantëve politikë që kishin hapur anglo-amerikanët asokohe.
Largimi i Ahmetit nga Italia për në Francë së bashku me Sadik Premten, pasi ai rrezikohej të arrestohej dhe të dilte para gjyqit, i akuzuar për vrasjen e disa robërve italianë në Selenicë të Vlorës në vitin 1943 dhe stabilizimi i tij në Paris, ku dhe ndoqi studimet e larta duke u diplomuar për Kimi-Industriale. Miqësia e Ahmetit me disa nga emigrantët politikë shqiptarë, që ishin asokohe në Francë dhe gjithashtu afrimi dhe miqësia shumë e ngushtë e tij me Llambi Peçinin, i cili kryente detyrën e oficerit të Zbulimit Shqiptar, pranë ambasadës shqiptare në Paris, i kamufluar si diplomat.
Riatdhesimi i Ahmet Nivicës në vitin 1958 në Shqipëri, pas një amnistie që dha asokohe regjimi komunist dhe caktimi i tij në punë si përgjegjës i një Ndërmarrje Tregtare në qytetin e Elbasanit, më pas ministri i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, së bashku me Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, Shim Kolli, e thirrën dhe i kërkuan që ai të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të Shtetit, duke u afruar me disa persona që kishin synime për t’u arratisur jashtë shtetit dhe do kërkonin ndihmën e tij. Refuzimi i Ahmetit për të punuar për Sigurimin dhe arrestimi i tij në vitin 1960, duke u dënuar me shumë vite burg, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit nga ku në vitin 1983 e morën dhe e sollën në “Repartin 313” të Tiranës, duke i kërkuar që të dëshmonte kundër Kadri Hazbiut dhe Llambi Peçinit
Zoti Ahmet, u shprehët se qarqet antikomuniste me të cilat ishit lidhur ju, u sugjeruan që të lidheshit me Llambi Peçinin, se edhe ai i përkiste një klani në udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë, i cili synonte rrëzimin e Enverit. Nga e dinit ju atë fakt për Peçinin, e kishte shprehur ai atë?
Në mënyrë absolute Llambi Peçini nuk më ishte shprehur asnjëherë hapur lidhur me klanin që ai i përkiste në udhëheqjen e lartë shqiptare apo qëllimet që kishte ai klan. Po kështu edhe unë nuk i isha shprehur asnjëherë atij hapur lidhur me detyrat që më ishin dhënë, por kjo gjë lihej të nënkuptohej fare lehtë nga bisedat që bënim me njëri-tjetrin. Nuk ishte aspak e vështirë që ne të dy të kuptonim se çfarë qëllimesh kishim.
Kush ishin ata që ju detyruan ju të takoheshit dhe të krijonit miqësi me Peçinin dhe çfarë detyrash ju kishin dhënë?
Nga fillimi i vitit 1957, më erdhi më takoi një person i cili m’u paraqit si korrier i Prefekturës apo Bashkisë. Ai më tha që duhet të paraqitesha në një vend në qytetin X në Rrugën e Ariut dhe aty do të më prisnin disa persona. Në fund të fjalës së tij, ai më tha që do bëja mirë që të shkoja në atë vend, sepse ishte për të mirën time. Unë pranova që të shkoja në vend takimin ku më thanë dhe e kuptova menjëherë se ata që më kërkonin, ishin të shërbimeve sekrete, por se të kujt vendi, këtë nuk e dija me saktësi. Personat që kontaktuan me mua, më treguan se ata punonin për rrëzimin e qeverisë së Enver Hoxhës dhe më kërkuan që të bashkëpunoja me ta, duke më përmendur edhe disa emra personash të cilët unë i njihja. Sipas tyre edhe ata kishin nënshkruar bashkëpunimin dhe vazhdonin të punonin për atë rrjet agjenturor.
Për kë rrjet agjenturor bëhet fjalë dhe çfarë detyre konkrete ju dhanë ato?
Ishin disa rrjete agjenturore që bashkëpunonin ngushtë me njëri tjetrin. Por mund t’ju them se njëri prej tyre ishte një nga rrjetet më të fuqishme të shërbimeve sekrete që ka bota. Si fillim ata më kërkuan që unë të rekrutoja Sekretarin e Parë të ambasadës shqiptare të Parisit, Llambi Peçinin, i cili kryente funksionin e Shefit të Zbulimit, për vendet Perëndimore dhe fshihej nën petkun e diplomatit.
Si iu përgjigjët ju kërkesës së tyre për të bashkëpunuar me ta?
Në fillim unë hezitova duke u thënë se parimisht isha për rrëzimin e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës dhe për këtë, kisha dhënë prova duke luftuar kundër tyre, që gjatë viteve të Luftës. Por ai fakt, kurrsesi nuk do të thoshte që unë të bëhesha spiun.
Insistuan ata në kërkesën?
Mbas pesë orë diskutimesh, (nga ora 13 deri në 18) duke mos pasur rrugëdalje tjetër, unë dhashë fjalën që do të punoja për ta dhe nënshkrova disa dokumenta që ata m’i vunë përpara për t’i firmosur.
Pas kësaj, si u lidhët me Llambi Peçinin. Kush ishte personi që ju prezantoi me të?
Pasi nënshkrova bashkëpunimin me ta, unë iu vura punës për të gjetur mundësinë se si të hyja në lidhje me Peçinin dhe personi që kishte njohje me të, ishte Salvator Pistuli, me origjinë nga Shkodra. Unë i kërkova Salvatorit që të më krijonte një mundësi takimi me Peçinin, duke i thënë se kisha dëshirë që të kthehesha në Shqipëri dhe ai si diplomat i ambasadës, mund të më ndihmonte. Salvatori më prezantoi me Llambin dhe pas atij takimi unë krijova një miqësi të ngushtë me të. Ne të dy vazhdimisht pinim bashkë nëpër lokalet dhe kabaretë e Parist, ku kishte raste që na zinte edhe mëngjesi.
Nga e dinit ju se Llambi Peçini i përkiste një klani të udhëheqjes së lartë komuniste shqiptare i cili ishte rival dhe synonte për të zënë postin e Enverit?
Nisur nga fakti se shërbimet e huaja sekrete me të cilat u lidha unë, kërkonin me insistim që ta rekrutoja atë, kjo nuk ishte e vështirë të kuptohej. Pra ata kishin dijeni për lidhjet e tij me klanin e udhëheqjes në Tiranë, si dhe qëllimet e atij klani rival të Enverit dhe prandaj kërkonin që ta rekrutonin”.
Pas takimeve të shumta që bëje me Peçinin, si veprove për rekrutimin e tij?
Si fillim desha t’ju them, se pas detyrave që mora nga shërbimet e huaja sekrete, me të cilët nënshkrova dhe deklaratën e bashkëpunimit, unë vura në dijeni Komandantin e Përgjithshëm të Ballit Kombëtar, që vepronte në mërgatën shqiptare të vendeve perëndimore dhe ai më tha: “Vazhdo detyrën që të është dhënë, sepse kjo është dhe në interesin e kauzës sonë”. Por edhe pas miratimit, që mora nga komandanti i Ballit, unë u vura në një pozitë shumë të vështirë dhe nuk dija se si të veproja. Unë nuk kisha dëshirë që të hyja në ato punë të mëdha, pasi e dija shumë mirë se ekzistonte edhe rreziku i eliminimit tim fizik. Po kështu, megjithëse Llambi Peçini ishte komunist, unë nuk doja që ta dorëzoja atë në duart e shërbimeve të huaja sekrete. Nisur nga dilema e madhe në të cilën u ndodha, vendosa që të konsultohesha me një shokun tim të ngushtë, ish-oficer rus dhe antikomunist i tërbuar, (i njohur si Ismail) duke ia treguar gjithçka që më kishte ndodhur. Pasi më dëgjoi më vëmendje, ai më tha: “Ta dish se po nuk e bëre detyrën që të kanë caktuar, ata do të vrasin. Këto janë rregulla strikte që kanë agjenturat dhe ata nuk mund t’i shkelnin, se ndryshe dekonspirohen dhe dalin krejtësisht të zbuluar”.
Çfarë bëtë pasi u konsultuat me shokun tuaj rus?
Unë rashë në gjendje tepër të vështirë, pasi agjentura e huaj më kërkonte vazhdimisht raporte se çfarë po bëja për detyrën që më ishte ngarkuar. Nisur nga ky fakt, unë vendosa të mos punoja për këtë qëllim dhe përsëri u konsultova me një shokun tim shqiptar të quajtur, Anton M. me origjinë nga Shkodra. Ai ra dakord me mua që të ktheheshim të dy në Shqipëri. Pas kësaj unë shkova dhe takova përsëri Komandantin e Përgjithshëm të Ballit Kombëtar dhe ai ma aprovoi kërkesën time për t’u kthyer në Shqipëri.
Si e aprovoi ai kërkesën tuaj për t’u kthyer në Shqipëri, kur më parë u kishte thënë që të vazhdonit detyrën për të rekrutuar Peçinin?
E para, se ai kishte shumë besim tek unë dhe e dyta, këtu në Shqipëri, unë do të vija me detyra të tjera, që i mora po nga ai. Ai e aprovoi kërkesën për t’u kthyer në Shqipëri, në vazhdim të detyrave që më kishte ngarkuar më parë.
Nuk kishit frikë se kur të vinit në Shqipëri ju do të burgoseshit, pasi figuronit në listën e “Kriminelëve të Luftës” që kishte nxjerrë qeveria komuniste e Tiranës?
Në atë kohë emri im ishte hequr nga ajo listë prej amnistive, që jepeshin herë pas here nga qeveria shqiptare, sidomos me rastin e festave të çlirimit. Po kështu në atë kohë, pra në fundin e vitit 1957 dhe fillimin e vitit 1958, nisur nga politika liberale e Hrushovit, Bashkimi Sovjetik dhe shumica e vendeve komuniste të Lindjes, dhanë një amnisti të gjerë për emigrantët e tyre politikë, që jetonin në Perëndim. Në këtë kuadër shumë antikomunistë që jetonin në shtetet perëndimore, u kthyen në vendet e tyre. Në këtë kontekst të ngjarjeve edhe Shqipëria sa për sy e faqe vendosi që të bënte një amnisti, por sigurisht jo në ato përmasa si vendet e tjera të Lindjes, si p.sh. Çekia e Polonia.
Pati emigrantë të tjerë antikomunistë shqiptarë që u kthyen në atë kohë në vendin e tyre, në kuadrin e amnistisë?
U kthyen në Shqipëri rreth 22 persona. Ata nuk erdhën të gjithë njëherësh, por me grupe të vogla e në kohë të ndryshme.
Ishin eksponentë të njohur antikomunistë apo emra të panjohur. A mund të na thoni ndonjë emër prej tyre?
Në fakt nga eksponentët e njohur që kishin emrat në listën e atyre që ishim konsideruar si “Kriminelë lufte”, isha vetëm unë me Dr. Ali Kumbaron. Të gjithë të tjerët ishin vetëm ushtarë të thjeshtë, apo siç i quanin komunistët “të gënjyer”. Siç thashë më lart, qeveria komuniste shqiptare e asaj kohe e bëri atë amnisti për sy e faqe.
Kur u kthyet ju, kush ju priti në Shqipëri dhe çfarë ju thanë fillimisht?
Unë u ktheva në Shqipëri më 3 prill të vitit 1958. Në aeroportin e Rinasit kishin dalë për të më pritur një komision nga Kryeministria dhe disa persona të Sigurimit të Shtetit, të cilët më futën në një lokal të veçantë ku dhe më qerasën. Ata më bënë propagandë duke më thanë se kisha bërë shumë mirë që isha kthyer. Në Rinas unë dhashë dhe një intervistë për një gazetë që dilte jashtë Shqipërisë dhe gazetari i saj, quhej Petrit Mullisi.
Çfarë thatë në atë intervistë?
“Unë jam larguar nga Shqipëria kur kali tërhiqte zvarrë kalorësin dhe u ktheva tani që këtu u hidhka vallja e haresë. Jam akuzuar si kriminel lufte, sikur kam vrarë 20 vetë dhe si spiun i italianëve e gjermanëve. Unë kërkoj që të gjykohem për këto akuza.
Çfarë u thanë pas kësaj interviste?
Ata të kryeministrisë më thanë: “Atëhere ishte luftë, ti tashti je i pafajshëm, ke përfituar dhe je falur nga amnistia”.
Në çfarë itinerari udhëtuat kur u kthyet në Shqipëri?
Kthimi im për në Shqipëri nuk ishte i lehtë pasi gjatë ndalesës së avionit në Beograd, mua më morën shërbimet e fshehta jugosllave (UDB) dhe mbajtën për 15 ditë në hotelin “Beograd”, duke më thënë se duhet të prisja pasi nuk kishte avion për në Rinas. Gjatë atyre ditëve në hotelin ku më kishin akomoduar, vinin vazhdimisht njerëzit e policisë sekrete, duke më pyetur se nga vija, ku shkoja, kë kisha në Shqipëri dhe shumë pyetje të tjera nga më të ndryshmet, duke më lënë që të kuptoja se ata donin të më rekrutonin. Pas 15 ditëve me ndërhyrjen e ambasadës sonë në Beograd, ata më lejuan që të largohesha dhe kështu siç ju thashë më lart, më 3 prill të vitit 1958 unë mbërrita në aeroportin e Rinasit.
Pas mbërritjes në Rinas, ku ju dërguan?
Më sollën në Tiranë dhe më sistemuan në Hotel “Vollga” ku erdhën përsëri disa oficerë të Sigurimit, të cilët më morën në pyetje duke më kërkuar të vërtetën, se përse isha kthyer në Shqipëri. Pas dy-tre ditësh, teksa më kishin hequr nga “Vollga” dhe ndodhesha në hotel “Dajti”, erdhi Llambi Peçini nga Franca dhe më takoi në hotel. Ai më tha: “E bëre si burrat që u ktheve, e lexova në gazetë intervistën që kishe dhënë dhe ajo bëri bujë të madhe në të gjithë koloninë shqiptare të Parisit”.
Çfarë biseduat tjetër me Peçinin?
Ne bëmë biseda të ndryshme, si të thuash muhabete të përgjithshme pa ndonjë temë të caktuar. Para se të largohej, ai më tha se për çdo pengesë që të kisha, të shkoja dhe të takoja Kadri Hazbiun apo dhe Mehmet Shehun.
Kë takuat tjetër ato ditë të para të ardhjes suaj në Tiranë?
Vetëm pak minuta pas largimit të Llambit, në dhomën time në “Dajti” erdhi major Eshref Gjoliku dhe më tha se kërkonte të më takonte babai i tij në shtëpi, kolonel, Jaho Gjoliku, të cilin ne e kishim mik shtëpie, që nga koha e Luftës. Në atë kohë Jaho ishte liruar si ushtarak dhe qëndronte në shtëpi i paralizuar. Unë shkova në shtëpinë e Jahos atë ditë dhe disa herë të tjera. Në një nga ato vizita ai më tha: “Ahmet, para disa ditësh këtu në shtëpinë time, kisha Enverin me Hysniun. Unë i fola atyre dhe për ty, fjalët më të mira. Enveri më tha: “Sa të jem unë dhe Partia, Ahmetit nuk i pritet koka, se ka mbajtur qëndrim të pastër politik”./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016