Nga Kozeta Zylo
Pjesa e dytë
Memorie.al / Profesor Sami Repishti është figurë e ndritur e kombit shqiptar, ai është dëshmitar okular i ferrit komunist, ku për pasojë u burgos me vite të tëra, në Shqipërinë komuniste (1946-56), dhe Jugosllavinë komuniste (1959-‘60). Këtë kalvar vuajtje e hoqën mbi shpinën e tyre dhe familja e tij e shumëvuajtur. Si një intelektual erudit, ai me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të vyer në publicistikë, letërsi dhe politikë. Mesazhet që përcjell herë pas here për Shqipërinë dhe Kosovën, janë të qarta, si para auditorit amerikan e deri në Shtëpinë e Bardhë, ai shpreson, se një ditë do të vijë demokracia e vërtetë dhe liria e plotë në mëmëdheun tonë të shumëvuajtur dhe për të gjithë familjen njerëzore…një dhe e pandarë!
Repishti, si i shpëtuat atij regjimi, dhe si e realizuat ëndrrën tuaj për të shkelur tokën e bekuar Amerikën?
Që nga dita e lirimit nga burgu (korrik 1956), deri në ditën e largimit pa entuziazëm nga toka-nënë (gusht 1959), kam qenë i përbuzur e i përndjekur nga Sigurimi i Shtetit (kam zbuluar dy agjentët që më kanë survejuar). Tre ditë para largimit, një shok që punonte në polici me njoftoi se isha në listë për arrestim. Kontaktova nji ish shok burgu, që kishte shtëpinë afër kufirit dhe vendosëm datën e mënyrën e arratisjes. Ai më ndihmoj në udhëtim deri sa kalova kufirin pa asnjë incident. (Ma vonë, ai u vra në tentativë arratisje).
Një eksperiencë të këtillë e kam pasë edhe në tetor 1956, gjatë Revolucionit hungarez. Ai më njoftoi se isha njeri nga të 400 personat e caktuar për ekzekutim, në rast se fillonte revolucioni në Shqipëri. Në Jugosllavi jam mbajtur një vjet në burg i akuzuar si “pro-perëndimor”. Më vonë në kampe refugjatesh në Jugosllavi dhe Itali, ku kam aplikuar për azil politik dhe të drejtën për emigrim në SHBA-ës. Për fat kërkesa ime është aprovuar brenda 24 orëve. Kam arritur në New York më 9 prill 1962. Kam marr nënshtetësinë amerikane në janar 1969.
Gjatë qëndrimit në Amerikë, kishit kontakte me familjen?
Kam pasur vetëm deri në vitin 1967. Më vonë jo. Edhe kjo gjendje ka qenë nji torturë e vërtetë, sidomos për arsye të nanës plakë, që vdiq pa e parë përsëri. Gjithashtu u këput edhe ndihma financiare që dërgoja çdo muaj, për bukën e gojës!
Në kohën që ishit student në Itali, kishit ndonjë të dashur atje, dhe cili ishte premtimi juaj kur u ndatë nga ajo?
Gjatë jetës studenteske kam qenë “miu i librave”. Nuk kam përballuar situata emocionalisht të vështira…!
Ju keni dëshmuar herë pas here për krimet monstruoze të diktaturës komuniste para auditorit amerikan, ashtu edhe në qarqet zyrtare federale, deri në Shtëpi të Bardhë, keni hasur ndonjë reagim negativ nga politikanët amerikanë?
Jo! Përkundrazi. Administrata amerikane e ka njohë mirë gjendjen në Shqipëri, sidomos nga raportet e ambasadave franceze dhe italiane në Tiranë. Unë kam bashkëpunuar ngushtë me Amnesty International për të Drejtat e Njeriut, dhe kam ndjekur për së afërmi zhvillimin e gjendjes në Shqipëri.
Cilat kanë qenë disa nga takimet tuaja me elitën e Diasporës, ku ju keni debutuar për vite të tëra si President i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, për Çështjen Kombëtare, dhe cilat janë simpoziumet e organizuara nga ju për Kosovën para Pavarësisë së saj?
Kontaktet për Kosovën me elitën shqiptare në SHBA-ës kanë filluar sidomos mbas demonstratave të 1968-s në Prishtinë, problemi i Kosovës ka zënë vendin e parë në veprimtarinë time. Unë kam dëshmuar në Kongresin Amerikan që në prill 1965, dhe besoj të jem i pari shqiptar. Ka dy arsye që Kosova ka zanë vendin e parë:
E para, Shqipëria komuniste ishte shtet i pavarur dhe anëtare e OKB.-s. Pavarësia dhe integriteti tokësor ishin të siguruara nga bashkësia ndërkombëtare. Po të binte komunizmi, Shqipëria do të bëhej edhe e lirë, dhe natyrisht e pavarur si një shtet i njohur ndërkombëtarisht. Kosova kishte dy “armiq”: komunizmin dhe serbin. Po të binte komunizmi, Kosova do të mbetej nën Serbinë. Prandaj, ne duhej të përqendroheshim në Kosovë, me qëllim që ta ndihmojmë në rast të përmbysjes së komunizmit në Jugosllavi. Kjo diagnozë politike doli me vend, dhe puna jonë për Kosovën vazhdoi deri në Pavarësi, dhe tani me përkrahje për forcimin e shtetit të ri.
E dyta, ka qenë arsye personale. Familja ime ka qenë e internuar në Berat dhe Veliqot të Tepelenës. Ka ekzistuar nji legjislacion komunist, që nuk lejonte amnisti për ata që dërgohen në kamp për të dytën herë. Kjo don të thoshte se, çdo aktivitet i imi i hapët kundër komunistëve shqiptarë, do të dërgonte familjen në kamp internimi. Nji konsekuencë e këtillë nuk justifikohej me aksionin tim, dhe për mua ishte imorale, të sakrifikoja familjen për aktet e mia. Për këtë edhe sot jam i bindur se vlerësimi im i situatës në atë kohë, ka qenë korrekt. Arsyeja dhe ndërgjegjja ime më imponuan orientimin e veprimtarisë sime.
Simpoziume e konferenca për Kosovën kemi bërë pothuajse çdo vit. Ajo më e rëndësishmja ka qenë Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën, 2 nëntor 1982, ne Graduate Center of the C.U.N.Y. e organizuar nga Prof. Arshi Pipa dhe unë. Morën pjesë 14 profesorë europianë e amerikanë, të cilët folën, pa përjashtim në mbrojtje të Kosovës. Studimet e tyne u botuan në Studies on Kosova (Col.Univ.Press:1984) Po aq me rëndësi janë edhe dëshmitë para Kongresit dhe raportet për Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë. Në ato vite, ne përfaqësonim Kosovën në botën e jashtme.
Ju jeni takuar personalisht me Presidentin Rugova, cilat janë disa nga momentet më të rëndësishme që kini fiksuar në memorien tuaj për këtë “Kalorës të Lirisë”?
Herën e parë jam takuar me Dr. Ibrahim Rugovën në prill 1990, në Washington , D.C. Nga Kosova erdhën dy grupe: shqiptare dhe serbe, me paraqitë pikëpamjet e tyre. Më vonë kontaktet tona kanë qenë të vazhdueshme, dhe kemi pasë bashkëpunim të ngushtë. Në shtator 1986 unë kërkova hapjen e nji Zyre Informative Amerikane në Prishtinë. Kërkesa u refuzua “për mungesë fondesh”. Ajo u hap në 1996, dhe më vonë u bë Ambasada Amerikane në Kosovë. Kërkesa ime u kundërshtue egërsisht nga Qeveria komuniste e Shqipërisë, e cila përpiqej të mbante nën kontroll çdo inisiative që kishte të bënte me Kosovën. Me këtë rast mora nji letër falënderimi nga Dr. Rugova, dhe në 2005: “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”. E ndjej shumë mungesën e tij.
Si profesor i doktoruar për letërsinë franceze, ç’mendim keni në lidhje me kontributin e Kadaresë për kombin dhe letërsinë?
Ismail Kadare ashtë padyshim shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe e që jeton. Uroj që vlera e tij të njihet dhe të çmohet edhe më shumë në botën e jashtme, dhe nga institucionet ndërkombëtare prestigjioze. Në Francë ai adhurohet.
Ju keni punuar një kohë të gjatë si profesor në disa shkolla të mesme dhe universitete të Amerikës, çfarë ndryshimi keni vënë re midis edukimit europian, pra universitetit në Itali ku ju studiuat dhe sistemit arsimor amerikan?
Kjo është nje pyetje që kërkon shpjegime të gjëra. Shkurtimisht, arsimi në Amerikë, ka një karakteristikë të vetën. Nxënësit e shkollave fillore e të mesme, nuk janë nën trysninë e familjeve për të studiuar vazhdimisht, siç është rasti në Europë, e sidomos në Lindjen e Largët. Puna e vërtetë fillon në universitet. Këtu theksohet nevoja e zhvillimit emocional e shoqëror të të rinjve, të cilëve “nuk u grabitet rinia”, me punë të rëndë në shkollë. Karakteristika e arsimit amerikan, është fryma e lirë në klasë, ku mësuesi e nxënësi shkëmbejnë lirisht mendimet e tyne.
Ekziston nji tendencë me orientue nxënësin drejt “kërkimit”, pyetjeve të vazhdueshme, dhe për gjithçka, për të kënaqur kureshtjen jo vetëm për dije formale, por edhe për aspekte të jetës së përditshme. Në mbarim të gjimnazit, nxënësit europianë kanë akumuluar një sasi më të madhe faktesh; por, nxënësit amerikanë, kanë nji horizont më të gjerë, mendojnë më sistematikisht, dhe shprehen më lirisht për problemet që ballafaqojnë. Në universitet studimi bëhet rigoroz, më sistematik dhe ofron të rejat e fundit të shkencës artit e letërsisë. Këtu në Amerikë ekziston edhe sistemi i “shkollave të zgjedhura”, si të mesme, ashtu edhe universitete, për studentë të dalluar. Shumica e elitës amerikane përgatitet në këto “shkolla” dhe janë të aftë për udhëheqje.
Ju keni qenë vazhdimisht për hapjen e dosjeve, a mendoni se hapja e tyre do të bëhet në rrugë të ndershme nga partia në pushtet?
Procesi i hapjes së dosjeve të komunizmit është i nevojshëm dhe i paevitueshëm. Duhet të ndezim dritën mbi dhomat e errëta të diktaturës. Duhet të dalë në shesh e vërteta. Duhet të njohim historinë tonë. Duhet të dimë qëndrimin e shoqënise sonë. Dhe, duhet të peshojmë aktet barbare që u bënë në kurriz të popullit tonë, të dimë thellësinë e masën e krimit, të reflektojmë sa poshtë ka ra shoqëria shqiptare, dhe si rrjedhim të mësojmë sa poshtë mund të bjerë shoqëria shqiptare në disa kondita të caktuara. E gjithë kjo nuk ka farë të bëjë me dënime e hakmarrje. Hakmarrja është nji kancer që shkatërron ata që e ushqejnë.
Por ne duhet të informohemi mbi të gjitha, të mësojmë nga pësimet e së kaluarës, të dënojmë pa kushte, pa hezitim, pa rezerva “të keqen” që vret, që çnjerëzon, dhe që shkatërron lirinë e dinjitetin e çdo qenie njerëzore, pavarësisht nga bindja politike, gjinia, shtresa shoqërore, cilësitë fizike etj. Hapja e dosjeve na ndihmon në këtë proces informimi të së ardhmes sonë. Përsa kohë që ekzistojnë “hije të zeza” që qëndrojnë mbi kokat tona, shoqëria shqiptare do të lëngojë nga sëmundja e frikës dhe mania e persekutimit. Nuk besoj se klasa politike në Shqipëri, ka vullnetin, aftësinë dhe gatishmërinë për një proces të këtillë.
Cila është familja juaj dhe si u njohët me bashkëshorten tuaj fisnike, znj. Diana Çipi?
Jam kryetar i nje familje të lumtur. Bashkëshortja ime, Diana, ka lindur në Amerikë nga prind gjirokastritë, e flet shqip. Jemi njohur me ndërmjetësinë e të ndjerit Prof. Nexhat Peshkëpia, intelektual me karakter, dhe mik i të dyve. Jemi martuar në gusht 1964 dhe kemi dy fëmijë: Daren, mjek, i martuar, me tre fëmijë; dhe Ava (mban emrin e nënës) avokate, e martuar, me dy fëmijë. Si gjysh dhe gjyshe, jemi nji çift i lumtur me shtëpinë plot.
Së fundi a shpresoni se tragjedia juaj kolektive siç e cilësoni në librin tuaj: “Në hijen e Rozafës”, do të jetë më së fundmi një frymëzim për një kryqëzatë kundër torturës?
Nuk jam i sigurtë në se shoqëria shqiptare ka mësuar nga e kaluara. Ajo që më inkurajon është se Shqipëria po ecën drejt qytetërimit perëndimor, që sot është Europë e bashkuar. Dokumentet ndërkombëtare që ka firmosur shteti shqiptar, përjashtojnë me përbuzje torturën. Vetëm një situatë e papritur e paimagjinueshme mund të sjellë torturën e zyrtarizuar. Individualisht? Nuk jam i sigurt. Jemi akoma të paedukuar.
Forumi mbarëkombëtar “Alb-Shkenca” ju vlerësoi me titullin më të lartë, si anëtar nderi i “Alb-Shkencës”, aty ju jeni dhe një anëtar aktiv i saj, si e çmoni këtë forum?
Instituti “Alb-shkenca” është një grup shkollarësh shqiptarë, shumica të edukuar në universitete perëndimore dhe tani me shërbime në institucione universitare, ose qendra kërkimesh nëpër botë. Qëllimi i tyre është të bashkohen në nji “tryezë të rrumbullakët” dhe me anë të internetit të hetojnë, të diskutojnë, dhe mundësisht të këshillojnë autoritet shqiptare në Shqipëri e Kosovë, mbi rrugën më të përshtatshme për të zgjidhur problemet që paraqiten sot në hapësirën shqiptare në Ballkan.
Qëllimi është i mire, dedikimi është për të lavdëruar dhe puna që bëhet është në nivel të kënaqshëm. Sigurisht, ka të metat e fillimit, por ka gjithashtu edhe premtimin e një të ardhme më të ndritur. Unë jam kryelartë që kolegët e Institutit më kanë dhënë titullin “Anëtar Nderi” dhe do të përpiqem ta meritoj.
Ju faleminderit për intervistën, prof.Repishti!
Ishte kënaqësia ime zonja Zylo, për këtë intervistë!/ Memorie.al














